Montag, 10. Juni 2013

Shpella e Gadimes, kjo bukuri e rrallë.

Është një nga shpellat më të njohura shqiptare, më gjatësi prej 1500 metra. Kjo shpellë gjendet në fshatin Gadime, në afërsi të Lipjanit në Kosovë, në magjistralen Prishtinë- Shkup, rreth 20km nga Prishtina.

Kjo është shpella e vetme turistike në Kosovë, dhe është hapur për turizëm në vitin 1976, pas shumë punimeve që janë bërë për heqjen e dheut dhe zhavorit, për t`i hapur kanalet apo korridoret e saj. Shpella është hulumtuar në një gjatësi prej 1260m, por pjesa më e madhe e saj është ende e pahulumtuar për shkak se është e bllokuar nga materialet e ndryshme që i ka sjellur lumi i afërt. Kristalet që gjenden në këtë shpellë janë shumë të rralla prandaj këto kristale janë vlerë evropjane. Tempoja e rritjes së kristalit në një cm për 30.000 vit e tregon se shpella mund të jetë e vjetër diku 80.000 vite.

Kjo shpellë është e zhvilluar në një thjerrëz të gëlqeroreve të mermerizuara me dimenzione të vogla hapësinore. Ajo është formuar nga lumi nëntokesor i cili kalonte nëpër kodrën e Myrtyrit, para se ky lum të formonte shtratin e tij, ku më pastaj është mbushur me baltë gjatë kohës kur gjithë fushë e Kosovës e mbulonte liqeni. Karakteristike për këtë shpellë janë formacionet e aragonitit, por edhe pëmbajtja e shkëmbinjve të mermert prej nga e merr edhe emrin, dhe është e dekoruar me dekorime të mineraleve nga më të ndryshmet.
 

Si u zbulua?
Shënimet e para të shkruara për ekzistimin e shpellës duket se janë marruar nga një fshatar me emrin Ahmet Asllani i cili në oborrin e shtëpisë të vet gjatë punimit (thyerjes) të gurëve kishte hasur në një gropë të vogël nga e cila vinin reflektime të dritës. Kjo ka ndodhur në vitin 1969.Pasi që fshatari kishte shikuar me vëmendje ai ishte magjepsur nga bukuria dhe shkëlqimi i kristaleve stalagmite. Për datën në të cilën janë futur në aktet zyrtare këto shënime nuk dihet. Por në fshat flitet se fshatarit fatlum ,për lajmërimin që kishte bërë, i janë dhuruar katër shtëpi mesatare të asaj kohe. Personat e angazhuar për matjen e gjatësisë së shpellës kanë vërtetuar pohimin e gojëdhënës së fshatarëve e cila thotë se:një lepur dhe qenë (zagar) kanë hyrë në gryken e shpellës në Gadime dhe pas disa ditësh kanë dalur në sipërfaqe në Janjevë. Dhe më të vërtet largësia ajrore në mes të këtyre dy fshatrave është 12 km.

Ata që kanë vizituar brendinë e shpellës, kanë lajmëruar se edhe brendia e saj është po aq e bukur sikurse ajo që shohin turistët dhe ndoshta edhe më e bukur. Në shpellë si duket ka edhe disa dukuri tjera natyrore siç është liqeni madhësia e të cilit ende nuk është matur. Hulumtimet e mëtejme speleologjike të hapësirave të supozuara, janë të mundshme dhe atë në katin përdhesë dhe të sipërm. Kjo shpellë ka tri hyrje natyrale dhe ato gjinden në një lartësi mbidetare prej 576-584m, dhe 6-10m mbi nivelin e lumit. Temperatura brenda në shpellë sillet prej 9.6-16 grade celsius, varësisht nga stina e vitit.

Shpella e Memerit Gadime është e hapur për vizitë çdo ditë pune që nga mëngjesi deri në pasditen e vonë. Vizita për një person është 2.5 Euro dhe bëhet me ndihmë të ciceronit.

Në galerinë në vijim mund të shikoni disa foto të shpellës por ata që e kanë vizituar e dijnë që kjo mrekulli mund të përjetohet vetëm duke e vizituar personalisht. Në mundësinë e parë që keni, ndani pak kohë për Shpellën e Gadimes.
 
Nga MILINGONA.NET
 
 

 

Keine Kommentare:

Kommentar posten