
Shkruan: Genc KASTRATI
Kalendari i lashtë siç po e quajmë në këtë punim ka qenë një kalendar origjinal të cilin populli shqiptar e ka praktikuar deri vonë, e mbahet mend dhe sot. I vetmi deri më tani ka qenë studiuesi Rrok Zojzi që mori shënime nga populli për këtë kalendar. Ky kalendar është edhe dëshmi e një qytetërimi të veçantë shqiptar që dallon nga të tjerët.
Në këtë punim të shumëfishtë do të flasim për kalendarin e lashtë shqiptar, që populli e ka trashëguar nga kohërat prehistorike dhe më pas disa kalendarë tjerë të përdorur nga populli shqiptar.
Kalendari i lashtë shqiptar
Kalendari i lashtë siç po e quajmë në këtë punim ka qenë një kalendar origjinal të cilin populli shqiptar e ka praktikuar deri vonë, e mbahet mend dhe sot. I vetmi deri më tani ka qenë studiuesi Rrok Zojzi që mori shënime nga populli për këtë kalendar. Duke qenë se Rrok Zojzi e ka publikuar njëherë ne nuk po ndalemi shumë gjatë të përsërisim ato që thotë ai. Në këtë punim fillimisht do të merremi me një problem që ka të bëjë me vendosjen e datave, pastaj do të paraqesim kalendarin në skicë dhe në fund datat e sakta të festave të lashta. Një kalendar i tillë tradicional, mijëra vjeçar, ka vlerë të madhe, kur rekonstruktohet sepse pastaj mund të botohet sikur çdo kalendar tjetër dhe të jetë në dispozicionin tonë të paktën si vepër e artit popullor shqiptar. Ky kalendar është edhe dëshmi e një qytetërimi të veçantë shqiptar që dallon nga të tjerët.
Kalendari siç na e jep Rrok Zojzi është ky:
Viti është baraz me 365 ditë, të ndara kështu: 3 ditë janë festat për fillimin e vitit (“kryet e motmotit”), 180 ditë janë të verës, 2 ditë janë festat e mesit të vitit dhe 180 ditë janë të dimrit. Secila nga dy gjysmat e vitit (stinë) ndahej në 4 pjesë me nga 45 ditë secila, të cilët mund t’i quajmë muaj.
Në këtë punim do të japim datat që i ka dhënë Rrok Zojsi, i cili ka gabuar në një vend, të cilin gabim do t’a përmirësojmë mu në këtë punim, duke i gjetur datat e sakta për festat dhe muajt e këtij kalendari. Qëllimi jonë është që ky kalendar të vazhdojë të jetë i gjallë, e i njohur për popullin, dhe në fund më i kapshëm e më përdorshëm. Prandaj bëhet rregullimi i tij, duke i kthyer festat dhe periudhat e vitit në datat zanafillore, sepse pikërisht gabimet e ndryshme, lëvizja e datave, etj. shkaktojnë mos-interesim të njerëzve.
Ndërsa të dhënat që Rrok Zojzi i merr nga terreni janë të sakta, kalkulimet e tij përkundrazi e shpiejnë atë në gabime gjatë përpilimit të kalendarit. Ajo që na jep gabim Rrok Zojzi është vendosja e këtyre festave dhe muajve. Ai fillon me Mesdimrin i cili është më 5 shkurt, por të cilin Rrok Zojzi e vendos 45 ditë (një muaj) më herët, pra më 22 dhjetor, pastaj gabimi shkon zingjir me të gjitha festat dhe muajt tjerë. Festën e kryevitit apo Kryet e Motmotit që njihet edhe si Shëngjergj e vendos në ekuinoksin pranveror më 21 mars, gjë që nuk ndodh askund në asnjë krahinë shqiptare. Shëngjergji gjithmonë ka qenë më 6 maj, dhe vetëm kisha katolike në emër të reformës gregoriane e pat vendosur më 23 prill, por të vendoset Shëngjergji më 21 mars, duket zhvendosje shumë e madhe për të mos thënë e tepërt. Edhe tek Mark Tirta i cili ka shkruajtur gjerësisht për festat popullore, Dita e pranverës dhe Shëngjergji dalin si dy festa të ndryshme.

Me atë radhitje gabimet vazhdojnë: Shmitri apo Shmarti si fillim i dimrit vendoset më 23 shtator, por Shmitri në të vërtetë është shumë më vonë, afro 45 ditë më vonë, dhe i bie zakonisht kah fillimi i nëntorit; festa e Kerstovit apo e Shënkollit, nga ana e Rrok Zojzit vendoset më 5 nëntor, kur në realitet kjo festë gjithkund tek shqiptarët festohet më 6 dhjetor; Dita e pranverës vendoset më 5 shkurt, kur është acari më i madh.
Edhe muajt e vjetër 45-ditësh pësojnë zhvendosje që bie në sy, me këtë radhitje të Rrok Zojzit: “Pranvera” fillon më 5 shkurt pra në kohën e acarit të madh dhe përfundon më 21 mars, pikërisht atëherë kur do të duhej të fillonte; “Korriku” fillon më 6 maj dhe përfundon më 22 qershor kur ende nuk kanë filluar të korrat; “Vjeshta” fillon në vapën e madhe më 7 gusht dhe përfundon më 21 shtator, në kohën kur do të duhej të fillonte.
E përmendëm se kalkulimet janë të gabuara, pra gabimi fillon në rastin kur Rrok Zojzi e barazon Buzmin me mjedisin e dimnit.
Tash që ne t’a përmirësojmë këtë gabim dhe të gjejmë rregullimin origjinal të kalendarit të lashtë, do të bëjmë vetëm një hap: të lozim datat e dhëna nga Zojzi për 45 ditë më vonë, në mënyrë që të kthehen në vendin e tyre. Madje edhe vetë Rrok Zojzi thotë: “Fillimi i vjetit, simbas shënimeve të mbledhuna, asht Shëngjergji ase në shkurtim Shnjergji.” Dhe siç e dimë të gjithë, Shëngjergj në muajin mars nuk ka, por shumë më vonë në fillim të majit.
Kështu sipas radhitjes që i bëjmë ne, Buzmi mbetet më 22 dhjetor, por nga ky ndahet mjedisi i dimnit i cili vendoset më 5 shkurt. Në këtë rast edhe emri “mjedisi i dimnit” është kuptimplotë, sepse në këtë datë ai gjendet pikërisht në midis të stinës së dimrit duke qenë 90 ditë larg nga Shmitri dhe po aq ditë larg nga Shëngjergji. Më pas muaji “Pranverë” vendoset nga 21 marsi deri më 6 maj. Pastaj Shëngjergji mbetet më 6 maj, siç ka qenë gjithmonë. Muaji i parë i verës përfundon më 22 qershor, kur fillon “Korriku”. Ky i fundit sërish ka emrin me plot kuptim sepse të korrat në trojet shqiptare bëhen kryesisht gjatë kësaj kohe. Muaji “Djegagur” fillon në vapën më të madhe më 7 gusht. Muaji “Vjeshtë” fillon më 21 shtator, pra krejt afër ekuinoksit vjeshtor dhe kur bëhen të vjelat e pemëve. Dimri fillon në Shmitër më datat 6 dhe 7 nëntor. Ky pra ishte rregullimi që ne i bëmë kalendarit.
Sa i përket emrave të dy muajve që Rrok Zojzi nuk ka arritur të gjejë, ne nuk kemi asnjë të dhënë por do ishte mirë t’i gjenim emra të natyrshëm këtyre dy muajve në ndonjë mënyrë. Kështu shohim që “Korriku” dhe “Djegaguri” të kalendarit të lashtë, kanë shërbyer si emra për muajt në kalendarin e ri, duke zëvendësuar muajt latinë ‘jul’ dhe ‘august’. Sipas këtij parimi, pasiqë muaji i parë i dimrit në kalendarin e lashtë ka shtrirje pjesërisht në nëntor dhe pjesërisht në dhjetor (nga tri javë secili), atëherë do ketë patur emrin e njërit prej tyre, ndonjë emër jo-kristian të gurrës shqipe. Kështu nëntori ndryshe quhej brymor, vjeshtë e tretë, britëm i tretë, ndërsa dhjetori quhej edhe dimëror. Por termi brymor nuk mund të ketë qenë ndonjëherë emër i këtij muaji sepse do të shkaktonte konfuzion në popull, duke qenë i ngjashëm me “Brymës” që gjendet menjëherë pas tij. Termi “Vjeshtë” nuk bën sepse si muaj 45-ditësh gjendet para tij, e nuk mund të bëjmë dy muaj me një emër. Britëm ndoshta edhe bën por ky në ditët e sotme ka kuptimin e vjeshtës, është sinonim me të. Kështu na mbetet e lirë shprehja dimëror / dimnor, me të cilin në kalendarin e ri quhej dhjetori deri vonë. Tri javë të dhjetorit bëjnë pjesë në këtë 45-ditësh, prandaj emri i tij dimëror mund të ketë qenë emër i këtij 45-ditëshi, njëjtë sikurse tri javë të gushtit bëjnë pjesë në djegagur, prej nga edhe gushti e mori këtë emër shqip. Në analogji me “Dimërorin”, muaji i parë i verës mund të quhej “Veror”, ndonëse Rrok Zojzi dyshon se mund të ketë qenë “Qershor”, mundësi të cilën as ne këtu nuk e rrëzojmë. Ndoshta edhe ka ndonjë krahinë ku ruhen ende emrat e pavjelur të këtyre dy muajve.
Kalendari siç na e jep Rrok Zojzi:

Kalendari pas përmirësimeve që i bëmë dhe pas shtimit të emrave të dy muajve, siç i përmendëm më lart:

Ky kalendar ka qenë i përhapur edhe në Kosovë dhe gjurmë të tij vërehen edhe në ditët tona. Kështu dimri i ka dy pjesë karakteristike: arbain dhe hamsin. Sipas të vjetërve në fshatrat e vendit tonë: arbaini është pjesa e dimrit nga 22 dhjetori deri më 4 shkurt, ndërsa hamsini nga 5 shkurti deri më 21 mars kur fillon pranvera. Emrat arbain dhe hamsin janë numërorë në gjuhën arabe. Por ndërsa emrat janë ndikim i huaj nga koha osmane, përkundrazi muajt janë pjesë e kalendarit të lashtë shqiptar. Janë po këta muaj që në vise tjera njihen si bryms dhe ngrijs. Edhe legjenda e plakës tek ne tregohet me këta dy muaj. Pjesa më e rrezikshme e dimrit janë ato tri ditë që arbaini i dha hua hamsinit, kur e ngriu plakën “me çka ka”. Ai iu lut: “Arbain o vëlla, më jep tri ditë hua, t’a ngrij plakën me çka ka”. Nuk po e japim legjendën e plotë meqënëse nuk ka ndonjë veçanti tjetër përveç që ndërrojnë emrat e muajve. Tri ditët e ftohta sipas legjendës janë tri ditët e para të “Ngrijsit” (hamsin). Si duket nga kjo edhe e merr emrin pasiqë pjesa e dytë e këtij muaji, më afër pranverës, njihet si kohë e ngrohjes graduale të motit.
Ka pasur tendenca që disa nga këto festa të vendosen 13 ditë më herët se që janë, në emër të reformës gregoriane. Këto tendenca janë të hershme që nga koha kur papa Gregori XIII e bëri reformën. Për këtë na informon Marin Bici më 1610:
“Tash gjatë dasmës, gjatë bisedave që i bëmë në tavolinë, unë vërejta që njerëzit aty kishin qenë të pakënaqur me korrektimin e kalendarit, përkatësisht me reduktimin e dhjetë ditëve të bëra nga Gregori XIII. Ata pohuan se ata besojnë se kjo është thjesht një kapriço dhe kishin përshtypjen që ata do të vuajnë shumë dëme dhe në veçanti humbje në të korra, të cilat që nga kohëra të lashta kishin qenë të mjafta.” (M. Tirta)
Pra siç shihet malësorët në Mirditë për të cilët flet Marin Bici, nuk kanë pasur ndonjë bestytni, por kalendari i tyre ka qenë bazuar pikë së pari në dukuri astronomike të cilat fshatari i asaj kohe ka ditur t’i vëzhgojë shumë herë më mirë e më saktë se sa qytetari i ditëve tona. Po të zbatohej reforma gregoriane, fshatarët do ti bënin punët bujqësore gjithnjë disa ditë më herët, dhe kështu do të kishte pasoja në rendimente.
E vërteta është se reforma gregoriane nuk ka të bëjë asgjë me kalendarin e lashtë shqiptar por është ndërmarrë vetëm për kalendarin julian. Kjo reformë nuk e përfshin kalendarin islamik, kinez, hindus, e kuptohet që nuk e përfshin as kalendarin shqiptar. Siç thotë edhe Rrok Zojzi shqiptarët matnin kohën me anë shenjash duke shfrytëzuar diellin, prandaj ndërrimet e herë-pas-hershme i bënin vetë duke u bazuar në këto dukuri të natyrës.
Pastaj nëse ne i lozim disa data për 13 ditë më herët, atëherë ato nuk do të përfaqësojnë dukuritë e natyrës të cilat i kanë përfaqësuar deri tani. Si mundemi p.sh. ta vendosim Shëngjergjin më 23 prill, kur ai në të vërtetë sipas traditës gjendet në largësi të barabartë mes ekuinoksit pranveror dhe solsticit veror? Pra i bie në datat 6, 7 e 8 maj, dhe nuk mund të vendoset më 23 prill siç ka bërë kisha katolike.
Prandaj ne mendojmë se festat duhet të mbesin ashtu siç kanë qenë në kalendarin e lashtë shqiptar, duke mos iu nënshtruar reformës së panevojshme gregoriane.
Një pamje e dy kalendarëve të vendosur paralel me njëri tjetrin, ku vërehet dallimi:

Ditët e javës, rëndom thuhet se janë shpikur në Babiloni. Mirëpo, java duke qenë një e katërta e muajit hënor, është dukuri astronomike dhe si e tillë është shpikur si njësi kohore në vende të ndryshme pavarësisht nga njëri tjetri. Deri te java është arritur lehtë. Cikli hënor prej 29 ditësh është ndarë në dy pjesë, njëra nga hëna e re tek e plota, dhe tjetra nga hëna e plotë tek hëna e re. Më pas edhe këto dy pjesë janë ndarë përgjysmë duke marrë për pikë ndarjeje gjysmëhënën. Kështu ka ardhur deri tek java shtatë ditëshe (7 x 4 = 28), që nuk përputhet plotësisht me ciklin hënor, por që është më së afërmi me të. Këto gjëra duhet të jenë kryer herët, kur nuk kishte shkrim.
Fakti se në Babiloni kishte shkrim më herët se në vende tjera nuk do të thotë se kishte edhe kalendar më herët se vendet tjera. E vërteta është se si në Babiloni ashtu edhe tek popujt tjerë semitë, ditët e javës emërtohen me numra rreshtorë. Ndërsa të vetmit popuj që emrat e ditëve të javës i emërojnë sipas planetëve apo perëndive, janë: shqiptarët, romakët, grekët antikë, keltët, gjermanikët dhe indusët. Madje në të gjithë këta kalendarë ditët e javës kanë të njëjtën radhitje dhe përputhshmëri në kuptimin e emrave mes ditëve të javës sa që duket sikur janë përkthyer nga njëra gjuhë në tjetrën.
Kështu e hëna në shqip vje nga ‘hëna’ pra dita që i kushtohej hënës; në latinisht ‘dies lunae’, në gjermanisht ‘montag’, në anglisht ‘monday’, në greqisht ‘hemera Selenes’. E marta i kushtohet perëndisë së luftës (Areo-Martis-Dienstag-Tuesday), e mërkura perëndisë Mërkur (Hermeo-Mercuris-Odin-Mërkur), e enjtja perëndisë së rrufeve (Dios-Jovis-Thor-Enji), e premtja perëndeshës së bukurisë (Afrodite-Veneris-Freya-Prenda), e shtuna Saturnit (Kronou-Saturni-Saturday-Shtun), dhe e diela Diellit (Heliou-Solis-Sonntag-Sunday-Diell).
Përdorimi i parë i ditëve të javës me emra planetësh evidentohet tek dijetarët ballkanas në Aleksandri, pas pushtimeve të Lekës së Madh. Më pas Romakët hoqën dorë nga nundinet e veta (periudhë 9-ditëshe), dhe huazuan javën shtatë-ditëshe nga bota helenistike. Kjo ndodhi me futjen e kalendarit julian nga dijetari e Jul Cezarit, Sosigeni. Më pas romakët, ua shpërndanë të tjerëve javën së bashku me emrat. Gjermanët i përkthyen, pra i huazuan në formë kalkesh. Popujt neo-latinë dhe keltët poashtu i trashëguan ditët e javës nga latinishtja, si derivate fonetike (E. Zerubavel). Kështu emërtimet e ditëve të javës nuk u morën nga babilonasit apo ndonjë popull tjetër semit, meqë siç thamë semitët i emërtonin ditët me numra. Por a janë përdorur këto emërtime ditësh nga populli iliro-shqiptar edhe më parë, para kohës helenistike apo i morën nga bota helenistike më vonë kur kishte kontakte mes popullit ilir dhe asaj bote të zhvilluar (p.sh. Pirroja gjendej sa në pallatin e Glaukut sa në Aleksandri)? Ndryshe do të pyesnim: a ishte kjo traditë e lashtë pellazgo-ilire që maqedonët me pushtimet e veta e bartën në Aleksandri, apo i shpikën vetëm pasi shkuan atje? Që ka ndikime nga koha romake kjo shihet si në emrat e ditëve (martë, mërkurë, shtunë) e ndoshta edhe tek emri “javë” si derivat fonetik nga latinishtja i fjalës “jovis”, por kjo nuk vulos asgjë më shumë. Kjo çështje do një studim më të thellë, por ne vetëm do të japim disa fakte që e lënë hapur mundësinë që këto emërtime të ditëve të javës të jenë një traditë e hershme ballkanike.
Festa kryesore në kalendarin e lashtë ishte Kryet e Motmotit apo Kryeviti, që në krishterim mori emrin Shëngjergji. Është lehtë të gjendet data sepse gjendet 45 ditë pas ditës së pranverës dhe 45 ditë para solsticit veror. Kjo festë luante të njëjtin rol sikurse sot Viti i Ri. Zgjaste tri ditë, më 6, 7 dhe 8 maj.
Në favor të origjinës ilire të emrave të ditëve të javës flet bestytnia e fortë që kanë shqiptarët në lidhje me ditët e javës. Robert Elsie tregon se dita e martë konsiderohej si dita më terse ndër ditët e javës, se të enjteve ishte zakon të bëheshin dasmat; dikush parapëlqente të priste thonjtë në këtë ditë por askush nuk guxonte të qepte ndonjëgjë sepse mund të verboheshin nga krijesa të mbinatyrshme. Profesor Ukë Xhemaj tregon për “tri të enjte të bardha” para Shëngjergjit, gjatë të cilave nuk punonte askush; këto mbaheshin si ditë pushimi. Spiro Shkurti thotë se konsideroheshin terse ato ditë jave që përmbanin shkronjën ‘r’ brenda emrit të tyre si e martë, e mërkurë dhe e premte. Sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, kumbaria dhe vëllazërimi nuk mund të lidheshin as të martën as të premten vetëm në ditët tjera të javës. Mark Tirta citon relatorin e Papës, Kerubinin të ketë shkruar më 1638: “… në çfarëdo dite tjetër që u ndodhte ndonjë rrezik, po n’atë ditë mbanin dhe mbajnë festë, dhe thonë: në këtë ditë më ka ndodhë kjo e keqe etj; dhe kështu shumë ditë të tjera të javës i mbanin dhe i mbajnë festë si të martën, të enjten etj”. Edhe Anton Çetta ka vjelur në Drenicë një legjendë me “tri të Martet” dhe “Martin e madh”, të cilët shitojnë ata që punojnë ditën e martë. Këta ishin vetëm pak shembuj që ne sollëm këtu. Një pasuri kaq e madhe me tradita dhe misticizëm në lidhje me ditët e javës, lë të hapur mundësinë për një origjinë pellazgo-ilire (ballkanike) të emrave të ditëve të javës. Edhe Edvin Zhak (Edwin Jacques) ua mvesh pellazgëve shpikjen e emrave të ditëve të javës në shqip. Po këta emra të ditëve të javës kanë arritur edhe në Indi gjatë periudhës helenistike ku janë përkthyer në gjuhën vendëse (E. Zerubavel).
Emrat e muajve 45-ditësh që janë ruajtur në popull, kanë këto kuptime: “Korrik”, do të thotë muaji i të korrave; “Djegagur”, shpjegon vapën e madhe që bëhet gjatë këtij muaji, sidomos në gjysmën e parë të tij, vapë që djeg gurin; “Vjeshta”, vje nga fjala të vishtat, të vjelat; “Brymsi” nga fjala brymë; “Ngrijsi” nga ngricat; dhe “Pranvera” apo siç quhet në formën origjinale ‘prendvera’ është “vera e Prendës”, muaji i hyjneshës së dashurisë.
Nga të dhënat e Rrok Zojzit del se i kemi tetë festa kryesore dhe disa festa të tjera më të vogla. Këto tetë festa i nxjerrim nga fakti që viti kishte tetë muaj dhe siç dëshmon Rrok Zojzi, secili fillonte e përfundonte me ndonjë festë apo me ndonjë datë të caktuar astronomike, ashtu që të parët e shqiptarëve festonin në intervale të barabarta kohore, prej 45 ditësh.
Me festat ka një problem, e që është zhvendosja e tyre në data të ndryshme. Për shkak se mungonte kalendari i shkruar, mungonte një elitë priftërinjsh që do t’a mbanin gjallë kalendarin, mungonte praktika e shtimit të një dite çdo katër vjet siç është sot 29 shkurti, herë pas here festat loznin nga fenomeni që përfaqësonin. Thuaja çdo krahinë ka një datë më vete, e si të mos mjaftonte kjo, kanë ndërhyrë edhe fetë e ndryshme, kishat e tarikatet, duke krijuar edhe këto variantet e veta, kryesisht duke vendosur festat pagane nëpër datëlindjet e shenjtorëve. Kështu detyrë tjetër e jona në këtë shkrim është të gjejmë datat e vërteta të festave të lashta. Këtë do t’a bëjmë lehtë duke u bazuar në faktin që çdo muaj 45-ditësh fillonte e mbaronte me një festë. Ne vetëm i numërojmë nga 45 ditë nga festa në festë.
Festa kryesore në kalendarin e lashtë ishte Kryet e Motmotit apo Kryeviti, që në krishterim mori emrin Shëngjergji. Është lehtë të gjendet data sepse gjendet 45 ditë pas ditës së pranverës dhe 45 ditë para solsticit veror. Kjo festë luante të njëjtin rol sikurse sot Viti i Ri. Zgjaste tri ditë, më 6, 7 dhe 8 maj. Si dukuri kryesore të Shëngjergjit po numërojmë: përrsheshi me tamël (qumësht), flijimi i qengjave, flijat në saç, dy penjtë e dredhur njëri i bardhë që shënon pastërtinë dhe tjetri i kuq që shënon shëndetin dhe forcën, larja rituale me hithra e gjethe të ndryshme, këngë e valle, etj. që ne po i përmendim jo aq për informim se sa për të përkujtuar lexuesin ngapak. Tri ditët e Kryevitit nuk bëjnë pjesë në asnjërin muaj, por ndahen veçmas dhe së bashku me 2 ditët e mesit të vitit, bëjnë 5 ditë epagomenale që i plotësojnë tetë muajt duke bërë një vit të plotë 365 ditësh.
Dyzetë e pesë ditë pas Kryevitit është Dita e Verës, apo solstici i verës, kur është nata më e shkurtër e vitit dhe dita më e gjatë, pra 22 qershori. Një formë origjinale e kësaj feste e mbijetuar deri në ditët tona është “festa e të korrunave” që e përmend Robert Elsie, që i bie më 22 qershor. Festa është krishterizuar nga ana kishës duke marrë emrin Shën Gjon Pagëzori dhe është zhvendosur më 24 qershor. Festa tjera krishtere që mund të kenë huazuar ndonjë gjë nga kjo festë janë Shna’Ndou më 13 qershor, dhe Rrëshajët që sillen brenda qershorit, jo në datë fikse. Për Shna’Ndue malësorët e veriut bënin pelegrinazh treditor në maja malesh, kurse Rrëshajët kanë marrë emrin nga fjala shqipe rrëshajë që dmth “gjarpër i madh” (me etimologji nga fjala rrëshqas) meqenëse qershori është kohë kur gjarpërinjtë shumohen. Kjo festë siç do duhej të ishte në zanafillë, fillon në mbrëmje më 22 qershor, ashtuqë natën më të shkurtër të vitit njerëzit e presin në majë mali, duke festuar pranë zjarreve, me të ngrëna e të pira, me këngë e valle deri sa të lindë dielli të nesërmen më 23 qershor.
Më 6 gusht është Festa e Maleve apo Mesvera sepse gjendet mu në mes të stinës së verës (K. Halimi). Kjo njihet me emra të ndryshëm sipas krahinave, si: festa e Gjallicës, festa e Runës, festa e Tomorrit; është krishterizuar si festa e Shën Mërisë, dhe është islamizuar si Aligjyni ndërsa në Krujë si festa e Sari Salltëkut. Kjo festohet në data të ndryshme, 15 gushti është ndikim romak sipas Mark Tirtës, Sari Salltëku më 22 gusht, ndërsa Aligjyni festohet më 2 gusht. Data e saktë për këtë festë siç ka qenë në zanafillë është mbrëmja e 6 gushtit ndërsa më 7 gusht është dita. Gjashtë ditë para kësaj feste dhe gjashtë pas kësaj janë 12 ditët më të nxehta të vitit, kur njerëzit frikësoheshin se janë ditë kur dalin fantazmat më tepër, apo besohej se siç merrte moti në këto 12 ditë ashtu do të merrte moti në 12 muajt e ardhshëm. Me kalendarin e sotëm këto i bien 12 ditët e para të gushtit. Kjo festë festohej gjatë natës në maja malesh, ku ndizeshin zjarre të vogla sa për të pjekur mishin, merrnin avdes te krojet, i faleshin diellit, flijonin dhi, etj. Karakteristike për këtë festë është edhe të sjellurit e masës së njerëzve përreth majës së malit për tri orë rresht në mesnatë, secili me nga një qiri në dorë, qiri i gjatë sa vetë njeriu që mbarte. Qiriu duhet të jetë zëvendësim nga ana e kishës i pishtarit që përdorej më parë në paganizm. Kjo festë në të kaluarën u kushtohej zanave dhe ndonjë perëndie të rrufeve, pasiqë njihet edhe me emrat Festa e Zanave dhe Festa e Bubullimave.
Më 20 shtator (nata) dhe 21 shtator (dita) i bie festa e Vjeshtës në kalendarin e lashtë. Kjo del nga llogaria që bëhet kur masim 45 ditë nga 6 gushti. Kjo është një festë që ka bjerrur shumë, madje duke mos u përmendur në këtë datë. Është krishterizuar si dita e Shën Mërisë, duke u festuar më 21 shtator, por njihet dhe si Dita e Bletëve, meqenëse në këtë ditë bëhej shitblerja e bletëve (R. Elsie). Njihet edhe si “të vjelat”, siç e përmend Rrok Zojzi.
Më 5 dhe 6 nëntor janë dy ditët e Mesit të vitit, që njihet në popull si Shmitri. Kjo ka qenë festë shumë e rëndësishme po aq sa Shëngjergji, por edhe kjo ka bjerrur shumë, duke u ruajtur shumë pak rituale. Kjo festë i kushtohej hyjnisë së kopeve, që i ruante ato nga ujqit, dhe është krishterizuar nga kisha duke i ndërruar datën më 8 tetor nga kisha katolike dhe më 24-26 tetor nga kisha ortodokse. Për këtë festë ktheheshin bagëtia nga bjeshka, mbilleshin pemë e trëndafila, ndërsa në shtëpi gatuheshin dollma dhe ëmbëlsira. Shmitrit i ndizej qiri që t’ua ruante kopetë nga dëmi i bishës. Dy ditët e Mesit të vitit nuk bëjnë pjesë në asnjërin muaj, por janë të ndara veç (ditë epagomenale).
Buzmi ndërkaq ishte një festë e madhe që nuk mjaftohej me një ditë. Më 22 dhjetor është dita e parë e “Brymsit”, e njëkohësisht solstici dimëror, apo nata më e gjatë e vitit. Për tri ditë rresht më 22, 23 dhe 24 dhjetor, dielli ndalon zbritjen e tij në horizont, pra lind çdo ditë në të njëjtën pikë, ndërsa më 25 dhjetor është ajo që popujt e lashtë e përjetonin si “ringjallja e diellit”, ndërsa në shqip si kullona apo kolendra. Më 23 bëhej agjërimi, pra barinjtë fusnin një guri të vogël në gojë në mëngjes dhe gjatë gjithë ditës nuk hanin as nuk pinin, deri në mbrëmje kur ktheheshin në shtëpi. Më 24 dhjetor ndizej buzmi në vatër, një cung i madh i prerë enkas për këtë festë. Buzmi festohet me flijime kafshësh, dhe një pjesë e madhe e mishit jepet lëmoshë për të varfërit e njerëzit në hall.
Më 4 shkurt përfundon “Brymësi”, dhe më 5 shkurt fillon “Ngrijësi”. Siç e përmendëm më lart një legjendë u mvesh këtyre ditëve në fillim të ngrijësit, atë ngrirjen e famshme të plakës e cila e shau dimrin, pra në këto ditë i bien të ashtuquajturat “plakat”; marsi dhe prilli në këtë legjendë janë shtesa të mëvonshme pas pranimit të kalendarit julian.
Nga ana tjetër në mitologjinë shqiptare përmenden 12 netët e dhjetorit e janarit, që i bien nga 25 dhjetori e deri më 5 janar. Këto janë dymbëdhjetë netët kur sipas besimit dalin ujq-njerëzit (werewolves) nëpër rrugë. Këta dreçën u bien në qafë grave, shqetësojnë bagëtinë,.dhe fryma e tyre sjell vdekje sipas besimeve. Por për nga vetë natyra ky besim nuk i përket aspak këtyre ditëve. Sepse buzmi ka më tepër frymën e ringjalljes e të gëzimit, dhe s’kanë të bëjnë me ujq e me dreçën, e aq më pak me frymë të vdekjes e të frikës. Duket se ka patur dhe këtu zhvendosje të kësaj date. Kjo traditë për mendimin tim, në zanafillë duhet të ketë qenë rreth 6 javë më vonë, pra në fillim të shkurtit, e kjo për këto arsye:
1.a) sepse fillimi i muajit shkurt është pjesa më e ftohtë e vitit, dhe ujqit janë agresivë atëherë kur është më ftohtë, prandaj pritet që ata të dalin rrugëve a në vende tjera publike më tepër në kohën e acartë,
2.b) sepse kur zhvendosen këto “12 ditë të ujq-njerëzve” në fillim të shkurtit, krijojnë njëfarë simetrie me 12 ditët e gushtit që i përmendëm më parë; simetria është dukuri e zakonshme në kalendarin e lashtë e cila vërehet lehtë, sepse shumica e dukurive janë simetrike duke pasur nga gjashtë muaj ndërmjet p.sh.: verë-dimër, Shëngjergj-Shmitër, “Djegagur”-“Ngrijës”; ka ngjashmëri edhe në përmbajtje: në 12 ditët e dimrit dilkan ujqit, kurse në 12 ditët e gushtit dilkan fantazmat!
3.c) sepse duke u bazuar në mitologjinë krahasuese, shohim që romakët, një popull me ndikim të fortë ilir, dhe me prejardhje nga vetë trojet ilire (Panoni), kishin një festë ujqish të quajtur Luperkalia që i binte më 15 shkurt, pra edhe festa e kalendarit të lashtë shqiptar më 5 shkurt (nata) dhe 6 shkurt (dita), me këto data i bie më afër datës së lashtë.
Me këtë festë si duket lidhet edhe festa e krishterizuar e Shën Vlashit (3 apo 11 shkurt), që është mbrojtës i tufave të bagëtive (R. Elsie), siç duket pikërisht për shkak të frikës së përhershme nga ujqit. Një ritual që mund të ketë lidhje të vjetër me këtë festë është edhe Todorja, e cila mbahet në fund të shkurtit, tek shqiptarët e krishterë të Rekës së Epërme (R. Elsie).
Në fund festa e pranverës që i bie më 21 mars (nata) dhe më 22 (dita). Kjo ka pësuar zhvendosje të shumta, më 1 mars, 14 mars, më 25 mars, të njohura me emrat: Dita e verës, Vangjelizmoi, Sulltan Nevruzi, Dita e Zojës, etj. Edhe kjo festë në zanafillë ka qenë në datën e lart-cekur. Kjo festë ka rëndësi të madhe në trevat mesdhetare shqiptare (Shqipëria politike, Opoja, Maqedonia etj), ndërsa në Kosovë vetëm kanë kujdes që të mos presin drurë në këtë ditë sepse është mëkat, ndërsa nuk njihet ndonjë festim.
Po japim dhe një listë të periudhave të vitit:
Kryet e Motmotit – 6-8 maj (tri ditë)
Veror – 9 maj deri 22 qershor.
Korrik – 23 qershor deri 6 gusht
Djegagur – 7 gusht deri 20 shtator
Vjeshtë – 21 shtator deri 4 nëntor
Mesi i Vitit – 5-6 nëntor (dy ditë)
Dimror – 7 nëntor deri më 21 dhjetor
Bryms – 22 dhjetor deri më 4 shkurt
Ngrijs – 5 shkurt deri më 21 mars
Pranverë – 22 mars deri më 5 maj
Vërejtje: Gjatë këtij punimi keni vërejtur se emrat e muajve të kalendarit të lashtë i kam shkruar me shkronjë fillestare të madhe dhe i kam futur në thonjëza, me qëllim që të dallohen emrat e muajve të kalendarit të lashtë nga emrat e kalendarit të ri, si p.sh. korrik, djegagur, që janë në të dy kalendarët, si dhe pranverë e vjeshtë që janë njëkohësisht edhe stinë në kalendarin e ri.
Kalendari maqedon
Ky ishte një kalendar i maqedonëve të lashtë, që në periudhën helenistike, adoptuan strukturën e kalendarit babilonas në mbretërinë e Seleukëve (W. W. Tarn), dhe strukturën e kalendarit egjiptian në mbretërinë e Ptolemejve, ndërsa ruajtën emrat e muajve maqedonë (L. Depuydt). Kalendari maqedon ka qenë kalendar i pastër diellor, një variant lokal i kalendarit të lashtë shqiptar, por gjatë shekujve IV p.e.s., tok me helenizimin sipërfaqësor të elitës maqedone, ndodhi dhe helenizimi i kalendarit, duke e futur në përdorim edhe ciklin hënor (lunar), kështu kalendari u kthye në luni-solar (E. Greswell). Ndikimi helen shihet edhe në emrat e disa muajve si artemision sipas hyjneshës Artemida, muaji panemos që gjendet edhe në kalendarët e ndryshëm të poliseve helene, etj. Përshtatja me kalendarët aziatikë ka ndodhur ende më vonë pas pushtimeve të Lekës së Madh. Neve na interesojnë emrat e muajve, një pjesë e të cilëve gjejnë shpjegim në shqip ose me emrat e muajve të kalendarit shqiptar.
Emrat e muajve maqedonë (Calendars in Antiquity…):
Hyperberetaios
Dios
Apellaios
Audnaios
Peritios
Dystros
Xanthikos
Artemisios
Daisios
Panemos
Loos
Gorpiaios
Nga këta emra po veçojmë ata që mund të lidhen me shqipen:
Hyperberetaios është kompozitë ku pjesa e dytë beretaios ka lidhje etimologjike me emrin shqip britmi (C. Malte-Brun). Në kalendarin e ri shqiptar përdoren muajt britmi i parë (shtator), britmi i dytë (tetor) dhe britmi i tretë (nëntor). Muaji hyperberetaios i bie nga fundi i shtatorit deri në fund të tetorit.
Dios është një emër i lashtë ilir për Zeusin (Aristidh Kolja e lidh me fjalën shqipe ditë). Kjo shihet edhe tek emri Diona, grua e Zeusit, kulti i së cilës në Epir ishte kult shtetëror, dhe shihet në faktin që Dios ishte një muaj autokton në kalendarin e fisit ilir të Perrhebëve (A. E. Samuel).
Peritios i bie në janar-shkurt. Edhe ky është një variant i emrit britëm (C. Malte-Brun).
Dystros është një muaj që nuk figuron tek kalendarët grekë, prandaj mund të ketë lidhje me shqipen “dyst” = rrafsh apo shesh, por se tani nuk mund të japim ndonjë shpjegim për këtë emërtim.
Daisios (maj-qershor) është emër mjaft i përhapur ndër ilirë, dhe ka kuptimin “dash”. Ndoshta ka lidhje me flijimet e bëra në atë kohë.
Loos (korrik-gusht), sipas Malte-Brunit shpjegohet me emrin Lonar që e përdorin shqiptarët për korrikun në kalendarin e ri.
Gorpiaios (gusht-shtator), duhet të ketë lidhje me fjalën shqipe ‘gjarpër’, ‘gjarpij’.
Malte-Bruni përmend dhe një shprehje të fshatarëve maqedonë ‘Krios’ të cilën ai e lidh etimologjikisht me muajin shqip ‘qershor’.
Kalendari iliro-epirot
Ky ishte varianti iliro-epirot i kalendarit lunisolar grek. Ky kalendar përdorej në Ilirinë jugore, Epir dhe në ishullin e Korfuzit. Mekanizmi më i vjetër llogaritës i quajtur “mekanizmi i Antikytherës” nga shekulli I p.e.s. që shërbente si kalkulator mekanik për njehësimin e kohës, i gjetur në detin Egje, punonte sipas këtij kalendari. Muaji i parë është emërtuar sipas qytetit epirot Phoinike (sot Finiqi afër Sarandës).
Lista e muajve:
1. Phoinikaios
2. Kraneios
3. Lanotropios
4. Machaneus
5. Dodekateus
6. Eukleios
7. Artemisios
8. Psydreis
9. Gameilios
10. Agrianios
11. Panamos
12. Apellaios
Në regjionin ku përdorej ky kalendar, gjendej dhe Dodona, ku mbaheshin çdo katër vjet lojërat sportive të quajtura Naa (R. Hannah)
Kalendari romak (Kalendari i ri apo i sotëm)
Kalendari që ne përdorim sot është kalendar romak. Në bazë të evoluimit të disa emrave si april-prill dhe august-gusht, ku shihet rënia e a-së nga emrat antikë, dukuri që ka ndodhur në gjuhën shqipe (E. Çabej), mund të thuhet se ky kalendar është përdorur nga një pjesë e popullit shqiptar që nga koha romake, pa ndërprerje. Muajt e këtij kalendari kanë vetëm 28, 29, 30 apo 31 ditë. Në zanafillë kanë qenë muaj hënorë dhe zgjasnin 29.5 ditë. Ndryshimet e mëvonshme gjatë kohës antike, kanë bërë që muajt e këtij viti të mos kenë paralelizëm të plotë me ciklin hënor, duke qenë për 1-2 ditë më të gjatë (R. Hysa).
Muaji i parë i vitit, janari, në të kaluarën është quajtur kallnor, kallnduer, që duhet të vijë nga fjala ‘kalendar’ (Rr. Zojzi). Emri kollozhek që është ruajtur diku-diku, është huazim nga bullgarishtja. Emri kallndor është përdorur që nga koha antike.
Muaji i dytë, është quajtur gjithnjë fruer, fror, që rrjedh nga lat. februar. Edhe ky duke gjykuar në bazë të evoluimit të emrit, duhet të jetë përdorur nga koha antike.
Muaji i katërt, prilli, rrjedh nga emri i Afroditës. Kjo hyjneshë me prejardhje pellazge me kuptimin ‘afron-ditën’ (A. Kolja), tek mesapët dhe etruskët u quajt Aprodita (N. V. Falaski). Nga kjo muaji u quajt Aprilis në latinisht (W. O’Neil). Dita e parë (1 prill) i kushtohej po kësaj hyjneshe dhe quhej Veneralia (W. W. Fowler). Kjo nga ana tjetër tregon për një lidhje apo ngjashmëri mes kalendarit romak dhe kalendarit të lashtë shqiptar në kohën antike, meqenëse prilli është i vendosur tërësisht brenda periudhës kur është “Pranvera” në kalendarin e lashtë, që ne e shpjeguam se rrjedh nga emri i po të njëjtës hyjneshë (Prenda). Kjo dhe ngjashmëri tjera që i përmendëm, si p.sh ditët e ujqve në dimër dhe Luperkalia romake më 15 shkurt, Festa e Zanave më 6 gusht dhe e Dianës romake më 15 gusht, janë përkime që flasin për një zanafillë të përbashkët pellazgjike të këtyre kalendarëve, ose në të kundërt për një ndikim të fortë të ilirëve mbi kulturën romake.
Muaji romak ‘jun’, ose u shqipërua nga ana e popullit si qershor, në bazë të qershive, ose në të kundërt siç mendon Malte-Bruni do të ketë qenë përdorur që më parë nga iliro-maqedonët dhe vetëm i është mbivënë si emër muajit romak.
Muaji romak ‘jul’ tek shqiptarët u quajt korrik, sepse hynte i tëri brenda asaj periudhe, që në kalendarin e lashtë quhej “Korrik”.
Muaji gusht është derivat fonetik i emrit August. Kjo tregon që ky muaj është përdorur nga shqiptarët pa ndërprerje që nga koha e sundimit romak. Edhe këtij iu dha emri shqip djegagur.
Muajt shtator, tetor dhe nëntor, ndryshe quhen edhe britmi i parë, britmi i dytë dhe britmi i tretë. Një formë tjetër është vjeshtë (e parë, e dytë, e tretë).
Tetori, nëntori dhe dhjetori, janë quajtur edhe me emra shenjtorësh: tetori – shmitri, nëntori – shëmhilli, dhjetori – shëndreu, sipas festave që mbaheshin në këta muaj nga ana e besimtarëve të krishterë.
Emërtime të tjera në shqip që janë përdorur: për dhjetorin – dimëror, nëntorin – brymuer apo brymor, etj.
Përfundim
Siç shihet kalendari romak nuk ka ndikuar aspak mbi kelandarin e lashtë shqiptar. Madje kjo shihet edhe në përdorimin e tyre paralel, si kalendari i lashtë me emra burimorë shqip (p.sh. Kryet e motmotit) dhe kalendari romak zakonisht me emra krishterë (p.sh. Shëngjergji). Në të vërtetë kalendari i lashtë, siç e shtjelluam më lart, ka ndikuar në kalendarin romak në përdorim brenda Shqipërisë, duke i dhënë emra shqip disa muajve. Rrjedhimisht, kalendari i lashtë në formën e pastër siç është ruajtur është një pasuri e madhe e folklorit dhe qytetërimit shqiptar. Ndërsa kalendarët e tjerë, iliro-epirot dhe maqedon, si dhe kalenari romak me ndikime nga folklori shqiptar, paraqesin gjithashtu një pasuri kulturore të së kaluarës iliro-shqiptare.
Literatura:
1. “The Seven Day Circle: The History and Meaning of the Week”, Eviatar Zerubavel
2. Buletini i Institutit të Shkencavet, “Gjurmët e nji kalendari primitiv në popullin t’onë”, Rrok Zojzi, vj. 1949, Nr. 31, fq. 85-112
3. “Prozë popullore nga Drenica”, Anton Çetta
4. “Mitologjia ndër shqiptarë”, Mark Tirta, Tiranë, 2004
5. “The Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture”, Robert Elsie
6. “Kanuni i Lekë Dukagjinit – varianti i Pukës”, Xhemal Meçi
7. “Tradita bujqësore të shqiptarëve”, Spiro Shkurti
8. “Fjalor i Astronomisë”, Ramazan Hysa, 1978
9. “The Albanians: an ethnic history from prehistoric times to the present” Edwin E. Jacques
10. “The Greeks in Bactria and India”, William Woodthorpe Tarn (faqe 64)
11. “Civil calendar and lunar calendar in ancient Egypt”, L. Depuydt, (faqe 13)
12. “Origines kalendariæ Hellenicæ; or, The history of the primitive calendar among the Greeks”, Edward Greswell
13. “Calendars in Antiquity: Empires, States, and Societies”, Universiteti Oksfordit, (faqe 257)
14. “Greek and Roman Chronology: Calendars and Years in Classical Antiquity”, Volume 1, Part 7, Alan Edouard Samuel (faqe 84)
15. “Time in Antiquity”, Robert Hannah (90)
16. “Universal Geography, Or, A Description of All Parts of the World”, Conrad Malte-Brun, (faqe 110)
17. “Pellazgët, ilirët, etruskët, shqiptarët”, Nermin Vlora Falaski, Prishtinë, 2004 (faqe 169, 170)
18. “Time and the Calendars”, William M. O’Neil, (faqe 82)
19. “The Roman Festivals of the Period of the Republic” W. Warde Fowler, (faqe 67)
20. “Fjalor i gjuhës shqipe”, Instituti i shkencavet, Tiranë, 1954
21. “Gjuha e perëndive”, Aristidh Kolja
22. “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”, Aristidh Kolja
23. Prof. Dr. Ukë Xhemaj, intervistë, http://www.sa-kra.ch/festashengjergj.htm
24. “Studime gjuhësore”, V, Eqrem Çabej, Prishtinë, 1975
25. “Trajtime dhe studime etnologjike”, Kadri Halimi, (faqe 300)
Dalan Luzaj, u lind në Vlorë më 3 Gusht 1944. Fëmijërinë e hidhur e kaloi në Ujin e Ftohtë të Vlorës, ku kreu dhe shkollën fillore. Në vitet 1962 - 1963 mbaroi shkollën e mesme Pedagogjike “Jani Minga” në Vlorë. Punoi pak vite si mësues në fshatrat e Tepelenës, dhe më pas lufta e klasave e dënoi me njëzetë e tre vjet internim në fshatin Shehrishtë të Vlorës, që ishte dhe periudha më e zezë e familjes së tij. Si të gjitha familjet e tjera të deklasuara edhe familja Luzaj, u vu në shënjestër të diktaturës, për shkak të babait, profesorit të madh, Isuf Luzaj, armikut të diktaturës. Moshën më të bukur të jetës, nga 25 në 47 vjeç, Dalan Luzaj e shpenzoi kanaleve të fshatit Shehrishtë të Vlorës. Poezinë e nisi shpejt, që në bankat e shkollës, por ia goditën pa mundur t’ia vrisnin. Sot, jeton me familjen e tij në Çikago, Illinois në ShBA. Aktualisht është kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro - Amerikanë, i cili është zgjedhur dy herë radhazi me vota unanime nga shkrimtarët
Përmbledhjet e botuara me poezi:
- “Jeta më Gjeti Vetëm” (1995),
- Diej të Largët (1996), “Pa rrugë” (2003),
- “Dhe Hëna Kurrë nuk Qeshte” (2006),
- “Kasollja e Internimit” (2010).
Cikël poetik nga Dalan Luzaj
1. PLAGË
Erdhi jeta e më gjeti vetëm,
Jashtë rruge, të heshtur, syhapur,
I prita goditjet me pamje të qetë,
Me buzagazin e dhimbjes së zgjatur.
Erdhi jeta e më gjeti vetëm,
Të dal prej vetmisë s’kam se si.
S’ më rinon as i gjithë kontinenti,
Plagët, kur vrenjtet, më therin në gji.
2. DYER TË MBYLLURA
Heshtëm,
Po s’u bindëm,
U prehëm,
Pa u qetësuar asnjëherë,
Me zbrazëtinë u grindëm.
Shkonin stinët,
E mbyllur çdo derë...
3. DRITA
Dritë quhej nëna ime,
E mjera dritë s’pa kurrë,
Helmin që la pas s’e ka as gjarpri nën gurë.
Lodhje. Plagë. Trishtim.
Të njohu emri që le pas,
Të njohu brenga e shpirtit tim.
Me ligje vdekja qan për ty;
Tani je larg, moj e shkretë,
Mbi ballin tënd hedh hijen një selvi.
Nënë e braktisur... Psesë fëmijë...
Dheu s’të tret,
Nga dheu më bën dritë.
4. M’ U LODHËN SYTË
M’u lodhën sytë duke kërkuar
Një diell që matet përshëndet,
Pastaj zë ulet mbi ullinj
Dhe çlodhet, kridhet tek një det.
Tek portë e gurtë, (1)
Në ujëra Joni
Syri humbet me shpresë për kthim.
Vendlindja ime e harkuar
Ka hyrë e s’del nga shpirti im.
Portë e gurtë = shtegu midis Sazanit e Karaburunit
5. GJAKU SHQIPTAR
Sa shpata ngriu gjaku tënd
Shpërblim
Nën shpate u derdh pa emër
Nisjes
Ngele grua pa mend
Ky gjak
S’kthehej më në zemër.
U derdh mbi det
Mbiu larg
Shkëlqimi i rrallë
Të befason
Për pesëqind vjet në trup të botës
Rreh zemër’ e tij
Në gjuhën tonë.
6. TEK JU
Kilometra të gjelbra,
Milje të kaltra
Shpirt e sy humbasin,
Paq e rrallë;
Shkëmbinjtë ndezin portokallet e arta
Mes zjarresh Sazani u digjet përballë.
Përflakur perëndimi rrëshqet mbi fletë
Ngritur Pashai nën yje mbi drita;
Lashtësia largësive na flet,
Kanina sjell hënën dhuratë nga Donika.
7. KUR IKA
Kur ika i mblodha të gjithë kallëzat në arë,
Bukën e ndarjes e shijova thatë,
Torbën krahëve
Gjithë ëndrrat brenda,
Zgjatej rruga si një kanal i gjatë.
Këmbëve çizmet me baltë
Kurrë s’më ishin më të rënda;
Vetëm qeni na ndoqi pas
Dhimbjen e fundit na la shpërblim.
Pas na ndjek ai vështrim...
8. LETËR NGA...
Kjo letër shpirti përmalluar
Në vjeshtë të moshës pa qetësi
Kërkon të ngjallë një zjarr të shuar
Kur zjarri rend të bëhet hi.
O jetë e dridhur si një fletë,
O brengë e vjetër mos u zgjo,
Blerimi yt çdo ditë më vret;
Të lutem, gonxhe,
Mos lësho!
9. UJI I FTOHTË
Mjegullës Pashai u hoq tej në sqetull
Qyteti zë shton pak nga pak
Hëna prerë si një vetull
Sazani për sy mes detit nis larg.
Kanina e tërë nën kala
Shushica hedhur përpjetë
Një degëz me yje që ra
Vlorën e bëri qytet.
Thinjur ulliri mbi valë
Argjendi i saj mbi shpinë
Fari më qenkësh rival
Ndaj hënës aq shpesh i shkel synë.
Kryelartë Uji i Ftohtë mbi det
Për Rrapin e Ferrit në zi
Dikush nga Çikagua ju përshëndet
Këmbëzbathur i rritur aty.
10. NË UDHËTIM
Malet lakuriq zbresin gjer në det
Tërbimi Atlantik shkërmoqej mbi të,
Pulëbardha mbi stërkala si një flutur e lehtë
Blunë e oqeanit çukiste me zë,
Klithma e shkumëzuar zbardhej përpjetë
Gjëmimi i dallgëve refren shekullor
Rrafshi gri s’pikonte më jetë
Herë muzg i thinjur, herë mal me borë.
U fsheh nën mjegull pak nga pak
Vullkani i bardhë hyri nën kujtesë
Klithma pa stërkala vinte nga pas
Bluja e thellë çahej mes për mes.
11. UNË QENI DHE TRENI
Treni gdhendte brinjët e malit
Klithmë emri gjer në re,
Kthesave si vezme ushtari
Veç gjithsesi largon nga ne.
Diku e vesh gjelbërimi
I zhveshur shfaqet në kthesë
Në një qëndresë zbraz trishtime,
Në tjetrën malli flakë e ndez.
Më tej si zvarranik harkohet
Tutje shtrihet, zgjatet bëhet një,
Ritmi, rrotëzave pluhurzohet
Jehon’ e mjegullt vjen për zë.
Dielli ulej i përflakur
Ndarja qelqin brenda theu
Në një orë, s’di sa jam plakur...
Qenushi pranë për mua lehu.
12. FËMIJËVE
Do harrohen, të gjitha do harrohen
Lumi im bën pjesë në harresë
Aluvioni kohor...
Do mbulohem
Dalëngadalë kujtimin tim
Koha do ta tresë.
Mbi barin e shtruar qilim
Ku heshtja vrastare rri shtruar
Ku drurët pa zogj për trishtim
Janë zgjedhur të rrallë, të harruar.
Çdo vit ju dua mbi varr
Kërkoj të vetmin nderim
Balta e rëndë nga ju më ka ndarë
Përreth, kudo, është shpirti im.
I lumtur jam që ju lë pas
Të mirë, të shtuar bërë përpjetë
Sonilën e babit buzë në gaz
Në jetë, o djem, ju lë amanet.
13. KTHIM NË ATDHE
Barka shtynte hënën nëpër det
Deti shtynte barkën për tek ti,
E pafund bëhet udha kur të pret
Gjysma tjetër, që mungon në gji.
Drita prush zgjatet gjer tek ne
Syri i Vlorës hyri në Sazan,
Si një fanar që humbet në re,
Ngre Kanina supeve kalanë.
Brenda meje zemra është e ndarë,
Pjesa tjetër mëmës i thërret,
Si një kumt, mesazh i paparë,
Hyn nga poret afsh i saj i nxehtë.
Shkela tokën... e ndjeva që më ndjeu
Është kjo më tepër forcë se mall;
Kush mendon se s’jeton Atdheu,
E grazhdoni si kalin në stallë.
14. PULËBARDHA
Mes stërkalash u ul lehtë mbi një shkëmb
Pulëbardha qiejt mban e shpalos,
Pa masë stuhia detin çon në këmbë,
Ngritur tërbimthi anëdetin fundos.
Vështrimin e bardhë treti tej
Rrahu flatrat e çau e ngarkuar,
Edhe sot (si dikur) klithmën ia ndjej
Si jehon’ e asaj, që ende rri zgjuar.
15. KUR TË LASHË ATDHE
Kur të lashë Atdhe, me vete mora vetminë e internimit,
Shpirti si dredhkël e lakuar.
Gjethëzat prisnin ndonjë shtizë dielli Perëndimit,
Rrugët e pashkelura mesnatë e shqetësuar.
Kur të lashë Atdhe
Ishe në ethet e dështimit
Rëntgeni kishte vrarë që në krijesë,
Shthurur turma besonte Kainin,
Prerë diga s’pranonte asnjë shtesë.
16. NËNA
Krahët e nënë si shtizat që thurte,
Trikon e Burrelit
Numëronte filetë si vite dënimi,
Tretur, zbardhur
Si faqja e mermerit,
Zbukurohej nëna çdo natë
Nga trishtimi.
Pikonte drita mbi dritën tonë,
Pikonte nata, kurrë s’e nxiu.
O fat, kaq i egër mbi engjëllin ç’kërkon?
Ballit nderi
Parajsa lart priu.
17. BISEDË ME BRENGËN
Mbrëmjes vjen heshtja
E më hedh shpirtit mantelin e zi të trishtimit
Për të më qasur tinëz mendimin rreth plagëve
Ripërtyp mendimet
Për t’i pritur lehtë laborator’ i trurit
As paq, as qetësi.
Qiellin gërryen rreze e fundit e diellit
Malli m’u bë shok
Mike ngele ti
Portokalli ndez floririn e kursyer të Hënës
Dielli i jep dallgë vjesht’ e tretë
Nga larg, si flutur,
Vjen shpirti i bardh’ i Nënës
Balta i tret eshtrën
Mallin kurrë s’ia tret,
Metropoli Verior kërkon veten nëpër botë
Si molekulë e lodhur rend nëpër të
Zemra më jep dallgë
Syrit i jep lot
Me ty flas qëruar
Me edhe pa zë.
18. NJOHJE
U njohëm diku larg
Fjalët lidhëm urën në dy brigje
Ndjenjat sajuan atë hark
Të pastër, kristal e plot shtigje.
Re të zeza mbuluan diellin e përflakur
Asnjë klithmë jete s’u bë gjallë
Jo mosha, malli më ka plakur
Pa ty s’munda t’i bëj ballë.
Kthej sërish atje ku lamë
Të parin zjarr që ende djeg
Tani një lumë pa urë na ndanë,
Brenda rrethit pa asnjë shteg.
19. QYTETI IM JUGOR
Qyteti im jugor buzë për buzë me detin
Llërën mbi shkëmb
Supeve thesin e historisë
Plumbi i Ismail Qemalit
Krahu otoman
Ende dhemb.
Atdheu gjoksit të Vlorës piu mushtin e lirisë
Qyteti im jugor, Atdheu im jugor
Prej Isë Boletinit gjer në Çamëri
Atdheun rilindët me duar
Më tej... oh, më tej,
Kuleta e Esatit mbushej me gjak
E zbrazej me tradhëti.
Qyteti im jugor, Atdheu im jugor
Klima e urrejtjes hodhi shtat
Mijëra dhimbje shpirtin ta mpinë
Gjakun e nderit te burri e mat
Pena e kombit kur bën historinë.
Qyteti im jugor me syrin mes detit
Kodrat, malet të fshehin
Krahët e pulëbardhës detare të zbulojnë
Portokalli dhe limoni gjer në shpirt të dehin
Ullinjtë e Donikës gjeth të ri lëshojnë.
Qyteti im jugor buzë për buzë me detin
Sqetullës Pashai diell e hënë lyer
Qafës së Koçiut gjoks’ i Selam Labit
Thela – thela
Si një qelq i thyer.
Qyteti im jugor buzë për buzë me detin
Shpatullat mbështetur Labërisë
Shqiponja labe veten ka shpërndarë
Bujarisht në çdo ind e qelizë të historisë.
Qyteti im jugor buzë për buzë me detin
Dallgën e hidhur lëre pas
Këtu flamuri ngre lart emrin tënd
Çikagos mijëra përshëndetje brohoras.
Pasaporta e Atdheut
Shqip në çdo vend.
20. KUR DEHET MAJI
Kur dehet Maji s’di se ç’bën
Dhe gurët ngjall nën hapin tonë
Kur rrymë e syve rrugën gjen
Në dhjetëra ballë tallaze vërshon.
Shpërthimin Maji ka te ne
Ndaj puthen njerëzit me kaq mall
Ndaj syri dallgët kur i ngre
Në botë s’ka zemër t’u bëjë ballë.
21. TË KUJTOJ
Të kujtoj të brishtë, të njomë.
Ndaj, s’mund faji mbi ty.
Lënduar, heshtur të uron.
Muzg e mbrëmje; ardhtë plot qetësi!
Të kujtoj afër dhe larg.
Kur rrëshqite, brenda se ç’ndjeve!
Unë si fajtor, zënë në çark.
Jashtë, s’u vrave, brenda zemrën time theve.
Të kujtoj të dridhur, jo fajtore.
Vjen një çast e ndërron dy jetë.
Për ty; heshtje mbaj për dore.
Për çdo natë flas e më flet.
Gjithsesi, ngrica aq e fortë.
Delikate, pranë të ndjej sërish.
Kur largojmë, ftohtë e më ftohtë.
Si ikonë ndritsh ti mes qirinjsh.
22. KOSOVË E PËRGJAKUR
E mbylli shekulli mijëvjeçarin.
Rilindi Kosova shekullit të ri.
Kohërat marrin plagët, jo Adem Jasharin.
Gjysma legjendë, gjysma histori.
Sa brenga flasin, sa dhimbje rrinë zgjuar.
O nëna të mira, heroina pa lapidarë!
Liria e Kosovës nga ju ka buruar.
Shpirtrave sa plumba kini marrë!?
Buzëqesh e brishtët, plagëfashuar.
Rreh zemra kraharorit në Tiranë.
Nga krismat e fitores, Çamëria zgjuar.
Gardhet ndalin çapin, gjakun s’e kanë ndarë.
Çdo shtëpi muze, çati ka flamurin.
Kështjellë e Jasharëve, Sfetigrad i Ri.
Kthen historia për ta gjetur burrin.
Burrat e Atdheut qiellit kuq e zi.
23. NË ÇAMËRI
Kafenë e pimë në Janinë, buzë liqenit.
Me Ali Pashanë.
Putha tokën, përgjakurën Çamërinë.
Shqiptarët, shqetësuar pranë syrit e kanë.
Më vrave çamin, më vrave vëllanë.
Buzë mbrëmjes, kur gëzonte shtëpia.
E shoqja, me diellin e ditës kish’ lyer brenda.
Sofrën e mbrëmjes zbukuronte fëmija.
Çamëria ime, kurrë s’të soset gjëma!
Më vrave çamin, më vrave vëllanë.
Binjak me ullirin.
Gjyshi, me tokën binjak.
Si berr, para syve i therën të birin.
Hënë dhe yje rridhnin nëpër gjak.
Më vrave shtatzënën me engjëjt në krahë.
Përkulet bota para gruas shtatzënë.
Kafshë më e egër diç njerëzore ka.
Përpëlitej foshnja barkut, shpirt duke dhënë.
Çapis i menduar buzë ngjolit çam.
Çdo fije bari, gjak Çamërie.
Me gjithë shpirt jetën jap, e ç’kam!
Që këtu të flitet gjuhë perëndie.
24. NJË PRANVERË
Një pranverë ngeli pa e marrë.
Nën ullinj, shkëmbit në Ujin e Ftohtë.
Dyzet vite, pranë dhe larg ndarë.
Ti në zemër, unë nëpër botë.
Të kthejmë, ulliri do na njohë.
Sytë e shpirtit ngelen po ata.
Zjarr i tyre gjithë jetën ngroh.
Mbi pulëbardhën ranë e u bënë krah.
Duke rënë, mosha afroi.
Kërrusur dita, borë në vetmi.
Dielli ynë, s’lindi, ndaj s’perëndoi.
Tej, një shpend, klith me zë të zi.
25. KASOLLJA E INTERNIMIT
Kasolles, shiu ia zhveshi baltën mureve për rreth.
Paralele purtekat, si brinjët tona, pentagram.
Druri që lidhte purtekat në mes.
Si një solfezh ngulur në shpirt ende e kam.
Paralele hynin të shpejtat vetëtima.
Larg ishin gjëmimet, qaseshin ngadalë.
Pentagramit, pikat e shiut, notat më të vështira.
Kompozohej melodrama e ferrit fatal.
Uji brinjëve të çara, uji dhe nga lart.
Fëmijët në mes, ne për rreth.
Një duf errësire dilte jashtë.
Të hollat vetëtima, i shkelnim baltës në mes.
Më zgjodhi faji, tjetër gjë do të zgjidhja.
Internimi ngeli kyçur, pa shpjegim.
Njëqind ferre shpirtit do t’ia hidhja.
Në se gjeja fajin që zgjodhi fatin tim.
Kur gjëmon, edhe sot ndjej frikë.
Mos vërshon uji brinjëve, në kasolle.
Ndal, o mesnatë! Jam në Amerikë.
O ëndërr përvëlonjëse dhe këtu ma solle?
Herë shkoj në Sherishtë, herë vjen në Oak Park.
Zbërthyer brinjët, kalbur, duke tretur.
U kërrus nën vuajtje, shkrihet pak nga pak.
Internimi dhe kasollja, bashkë kemi për të vdekur.
Qytetar në shpirt, detin kam në gen.
Ky vend, m’i mjekoi plagët që më dhe.
Plagosur malli im vjen dhe të gjen.
Mbret në Amerikë, rob në Mëmëdhe.
26. MËMËDHE
Ditë të mirë paç Mëmëdhe!
Gjaku yt, kënd më kënd shpërndarë.
Sa më larg aq më pranë na ke.
Zogjtë e shqipes kudo janë shqiptarë.
Nat’të mirë paç Mëmëdhe.
Si u ngrysën bijtë e vuajtur, bijtë e tu aty?
Për shpërblim, jepu dy pashë dhe.
Për të gjitha ç’vuajtën, ndizu një qiri.
27. ATDHEU
S'ma dhanë Atdhenë qeveritë!
E gjetëm gjakun të copëtuar.
Atdheu mbytur nga tradhtitë,
Vetë qeveritë e kanë tradhëtuar.
Plagë Atdheu gjer në eshtër,
Aq dashuri, sa shpesh na çmend.
Çdo ditë kryqëzohet në gënjeshtër.
Çdo brez pjesëton dy metra vend.
E pasurojnë Atdheun brezat.
Me shpirt e mendje historie.
I vrenjtur bën ai përpjetë.
Për shkollë ka rritur qindra yje
U lind në gjak e s'vdes në tokë.
Një pjesë Atdheu kemi brenda.
Si hajmali na mbron në botë.
Për djep, trandur e ka zemra.
Sa vjeç, i vjetër vendi im
Ç'të panë sytë në mijëra vjet
Çdo brez, brezit i le trashëgim
Si më të shtrenjtin testament.
28. AQ SA TË DUA
I ndrojtur, rashë në telefon,
Unë pyesja Ty, Ti pyesje mua,
Frymini jot zemrën zgjeron,
Të futesh aty, aq sa të dua!
Udhëtonin zërat të tronditur,
Pak më tepër zemrat vetë,
Rendja Unë për t’ju arritur,
Por, as receptori s'ndjehej qetë…
Si mars shkarkon i gjithë prilli,
Unë vij pranë Teje, moj mbretëreshë,
Dy lule që ka çelur gjiri,
Me buzë thith vesën çdo mëngjes!
Aromë, në horizont u ç’faqe,
Nga zëri hyra thellë tek Ty,
Kjo dashuri që të sjell paqe,
Uroj të ndrisë dhe sytë e mi!
29. KUR LARGOI BABAI
Ka kohë që miqtë po më rrallohen
Dielli, vishet, zhvishet, si në vjeshtë
Mes kockash ndryshku po më shtohet
O dhimbje e marrë, të lutem; heshtë!
Po ç’thuren kohët edhe malli,
S'i gjeta fre ta beja zap.
Me një çekan s’përmbyset mali.
Ti shkon dhe vjen , Unë zënë në çark.
I ndau degët lisi plak,
U nda dhe gjaku, më larg se kurrë.
Çdo ditë që vjen, një vit bëjnë larg.
I rrallë ky gjak, pa një pikë uji.
Urrejtja rritet kur ushqehet,
Me gjak të prishur, blozë të nxirë,
S'ka vend syve ku të fshihet
Se shpirtin helmi ka përpi.
Rëndohen sendet, rrugët zgjaten
E reja kollë, s’di kush ma solli.
M’i thosh im at, kur zgjohej natën
Notoj në djersë, si mes një gjoli
Nga nata shqyhet e përgjakur,
Një ditë e Re që skuq ku rri.
Ju fik çdo dritë, dy shekuj zgjatur.
Ky mal i lartë në krahët e mi.
30. JETON AJO
Jeton Ajo buzë një fjordi,
Me flokë të verdhë si limon.
Me sytë e zes, pendë korbi,
Të bardhë ka zemrën që dhuron.
U rrite shqiponjë mbi male lartë
Të hynë në shpirt kur e vështron.
Një degë nga floku saj i artë,
Një pyll me yje poshtë rrëzon.
Dy dete sytë e saj të zes.
Kulluar shpirtin sheh në fund.
Sa herë që zemra s'do ti pyes,
Ata mbi dete bëjnë furtune.
Deti i zi di sa ka mbytur.
Të heshtur ngelën, të harruar.
Një mall i largët ka trokitur,
Dy dallgë nga detet kanë pikuar.
Mos e vështro kur qeshin sytë,
Plagosur keni për të ngelur.
S'ka vetëtimë të bëjë aq dritë,
Gjithë diejt e qiellit njësh kanë çelur.
Jeton buzë fjordit, diku larg.
Halor i gjelbër në lulëzim.
Lidhur patat njësh në varg,
Në klithje kanë dhe mallin tim...
31. KUR U LARGOVA NGA FSHATI
S’ më ikej
Ktheva kokën pas për të thënë Lamtumirë,
Shtëpisë që më mbante mbërthyer.
Përvëlohesha brenda, si një shkretëtirë,
Pas derës lopata, vitet më të bukura kanaleve m’i kish shqyer.
Çizmet të prera, të qepura me tela,
Prisnin të nesërmen, refrenin më të hidhur.
Dridhshëm më gjatë para qenit ngela.
Si të mallkuar po ikim gjuhë e shpirt lidhur.
Na vështroi shtëpia gjer në kthesë.
Sytë e saj dritaret, na përcollën diell.
Kodrës ulliri që mbolla u buzëqesh,
Lutej për mua krahëhapur nën qiell.
Vështrova arat, kanalet, krahët që ngelën nën baltë.
Plepat u zhdukën për të fundit herë.
Edhe pse jeta kaloi internuar në fshat
Atë që kisha lënë, ishte imja, ndaj ndjehesha krahëprerë.
32. LAMTUMIRË ATDHE
Rrëshqiste treni nëpër shina.
Pas bashkohej paraleli diku.
Dritaret e trenit si vitrina,
Horizonti i mjegullt qasej gjer këtu.
Në Sherishtë shtëpia ngelur shkretë.
Pa dritë, pa zëra, pa jetë e gjallëri.
Më besniku, qeni, pret në derë
Oh sa keq qëlloi fati i tij i zi!
O mendime, rrihni si çekan.
Ku s’ më çon mesnata kaq e lirë!
Tek sa treni tej për tej errësirën ndanë.
Ju më lidhni fshatit me zinxhirë.
Do na tresë perëndimi dalëngadalë.
Ç’po kërkojmë shpresarë nëpër botë.
Për ne fushat bëhen mal,
Dhe çdo stinë njësh do bëhet shqotë.
Të harruar Atdheut dhe perëndimit.
Lamtumirë Atdheu im i shtrenjtë!
Buza që s’i buzëqeshi agimit,
Për të qeshur s’ka një jetë të tërë!
33. E PARA HERE
Qytetin ndezën sytë plot dritë.
U drodh dhe toka nën këmbë.
Nga dallgët gjoksi aq u rrit,
Se fajtor ish gjaku që u çmend.
Të preka lehtë të ndalja gjakun.
U shtua zjarri në shpërthim.
Buzëmbrëmja hënën tej e flaku.
Ti sa një grusht në përvëlim
U ftoh mbremja edheTi
Sërish kërkon që tju përqas.
Buzëve trupi tënd u shtri
Poligloti gjithë gjuhët herët di t’i flas…
(9 maj 1931 - 4 gusht 2015)
Razi Brahimi lindi në Delvinë në 9 maj 1931. Shkrimtar, studiues, kritik letrar, historian i letërsisë, romancier, tregimtar etj, profesor Razi Brahimi ka qenë po ashtu shef i Katedrës së Letërsisë në Institutin e Arteve.
Ai kreu studimet shkëlqyeshëm për gjuhë- letërsi shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik, Tiranë dhe mban titullin shkencor Docent. Punoi në Lidhjen e Shkrimtarëve, në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” dhe dha leksione letërsie në universitet dhe Akademinë e Arteve.
Razi Brahimi është themelues i kritikës letrare shqipe të letërsisë sonë të pas luftës me vepra themelore si “Fjalë për letërsinë” (1960), “Shënime letrare” (1969), “Kur flasim për poezinë” (1972), “Vepra dhe profile krijuese” (1986), “Duke ndjekur procesin letrar” (1989) etj.
Është autor i 15 librave me poezi, tregime e novela, roman, kritika e studime letrare dhe shumë studime kritike në konferencat akademike.
Nga veprat letrare mund të përmendim romane, novela dhe vëllime me tregime si “4 vajza”, “Zgjimi i pranverës”, “Tregime”, “Kthesa të forta”, “Larg familjes” etj.
Nga veprat e fundit mund të përmendim vëllimin me poezi “Ç’desha të them”, “Vetëvrasje poetësh” etj.
Razi Brahimi është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare, më 04. 08. 2015
. . .
Në gjenezën e një romani
Nga Razi Brahimi
Nga mënyra si është publikuar, romani “Mjegullat e Tiranës” hyn në sërën e librave që përbëjnë “arkivin krijues” të shqiptarëve, çka deri më sot nuk ka qenë e zakontë në botimet shqiptare. Ai, siç deklarohet vetë autori, “është një vepër që ka lindur e tillë”, d.m.th e pallogaritur për t’u botuar, diçka e ngjashme me ditarë dhe dokumente intimiteti. Për këto arsye është vepruar drejt që ky krijim letrar (i cili vështirë se mund të quhet vepër, sepse është vetëm një skicë romani), nuk është botuar prej autorit, po prej një studiueseje e admirueseje të tij me mbititullin “Një roman i panjohur i Ismail Kadaresë”, shoqëruar nga një bisedë dhe një hulumtim i gjatë “gjenetist” i Viola Isufajt, që e tejkalon vëllimin e vetë romanit. E veçantë në këtë rast është se, ndërsa në vende të tjera botime të kësaj natyre bëhen pas ndarjes nga jeta të shkrimtarëve dhe “gjenetistët” janë të çliruar prej hijes së tyre, këtu kemi të bëjmë me një autor të pranishëm e autoritar, i cili jep verdiktin e vet për gjenezën e krijimit dhe merr pjesë në polemika për të.
Nuk është rastësi që diskutimet për “Mjegullat e Tiranës” janë përqendruar në çështje që kanë të bëjnë me vërtetshmërinë e përmbajtjes dhe me gjenezën e tij si kalim prej ndodhish (faktesh) jetësore në ditarë e letërkëmbime dhe, prej tyre, në krijim fiksion letrar, që nënkupton sa shfrim impulsesh të brendshme me qëllim lehtësues e çlirues, aq edhe parakuptim të një të adresuari, të cilit do t’i besohen të fshehtat e zemrës. Shkak për këtë vërtitje të diskutimit rreth çështjeve të gjenezës, ka qenë zbulimi prej vetë Kadaresë i karakterit autobiografik të subjektit, pohimi prej tij i shumë hollësive të marrëdhënieve intime me një vajzë në kohën e studimeve universitare, aq sa po të përmendej edhe emri i vajzës nuk do të mbetej më asnjë e fshehtë, përveçse dëshirës së ligjshme për t’u njohur edhe me qëndrimet dhe interpretimet që do të mund të bënte vajza e shndërruar në personazh pa dijeninë dhe pa pëlqimin e saj.
Jo vetëm për sa u tha (autoreklamë, reklamë, shqyrtim “gjenetist”, replika jashtëletrare për libra), por edhe pse kemi të bëjmë me një krijim nën trysni krize psikologjike, dhe ngaqë pa dashje, kam qenë i implikuar në gjenezën e “Mjegullat e Tiranës”, edhe ky shkrim do t’i përmbahet të njëjtës linjë shqyrtimi me ç’është shkruar prej të tjerësh e prej vetë autorit.
Kadareja, për shkaqe që i di ai vetë, dhe Viola Isufaj ngaqë nuk është e informuar, nuk kanë përmendur që ndërtimi i “romanit” është paraprirë prej një cikli vjershash erotike të botuara në revistën erotike “Nëntori” (qershor 1958), frymëzuar prej të njëjtash përjetime dhe shkruar nën trysninë e brenda qerthulli të një traume shpirtërore.
Këtë cikël vjershash erotike Kadareja e ka sjellë në redaksinë e “Nëntorit” nga mesi i majit 1958. Disa ditë më pas kisha zgjedhur prej tyre nja dymbëdhjetë. Të tjerat, i thashë Ismailit, qenë tepër licensioze, prandaj nuk mund t’i botoja. U pajtua me vlerësimin që iu bë, veçse m’u lut që vjershat të botoheshin me patjetër në numrin e qershorit të revistës. Unë i dhashë rëndësi kësaj këmbënguljeje dhe ia plotësova dëshirën, po e ditur se po i hapja “telashe” vetes, sepse fill pas botimit, më thirrën në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH, ku m’u tha se po e përfshija revistën “Nëntori” në skandale publike shtyrë prej miqësisë me Kadarenë. U çmerita prej kësaj vërejtjeje, por aty për aty, pandeha se bëhej fjalë për teprimet erotike dhe thashë se s’kemi pse të jemi aq të ngurtë në vlerësimet e lirikës së dashurisë.
Reagimi ishte habitor: “More, nuk di gjë ti, apo bën sikur nuk e di?!” dhe më treguan për dashurinë fatkeqe të poetit dhe qëllimin e tij që me atë cikël vjershash të diskreditonte vajzën, që pikërisht në qershor martohej. I njëjti qëndrim u mbajt edhe nga Bashkimi i Grave, një funksionare e të cilit më tha se vjershat “nëpërkëmbnin të drejtat dhe dinjitetin e vajzës”. Më erdhi turp që isha përdorur pabesisht dhe në vend të një tufe lulesh, përmes “Nëntorit”, i kisha dërguar studentes një gotë farmak në ditët e martesës.
Gjendja e traumatizuar shpirtërore e Kadaresë u shfaq qetësuese edhe në provimin e formimit (të diplomimit) të Historisë së Letërsisë Shqiptare. Kam qenë anëtar i komisionit në atë provim dhe i kam në sy si sot hyrjen e Ismailit në sallë dhe vërtitjet e tij si somnambul rreth bankës ku ishte ulur studentja, për të ushtruar mbi të trysni terrorizuese, aq sa po bëheshim gati të ndërhynim për të shmangur ndonjë skandal të mundshëm.
Pa as më të zbehtin niet për t’u marrë me anën intime dhe etike të marrëdhënieve njerëzore të çiftit të shndërruar në personazhe letrare, faktet e përmendura kanë rëndësi për të hetuar e gjykuar gjendjen shpirtërore të Kadaresë në kohën kur kanë shkruar vjershat diskrete (pranverë 1958) dhe pamundësinë që në të njëjtën kohë të ketë shkruar edhe “Mjegullat e Tiranës” me titullin fillestar “Dashuria nr.2”, gjë që do të binte në sy po të krahasohej tendenca që përshkon vjershat e shkruara nën efektin e etheve të dështimit, sedrës së prekur, vuajtjes së pafshehshme dhe etjes hakmarrëse, me përmbajtjen e romanit, ku është tentuar të jepet një imazh deri diku objektiv i përjetimeve të dashurisë dyanshmërisht të pamundur për t’u kurorëzuar me martesë.
Në vjersha sundon tej e mbanë erotika, lektija e vajzës dhe epërsia e djalit të dashuruar, pasqyruar me qëllim diskreditues dhe me anë hollësish seksuale diskrete të llogaritura për të ushtruar trysni psikologjike përmes kujtimesh dhe efektesh publike të zbulimit të fshehtësive, që vetëm në raste hipokrizie e kompleksesh inferioriteti u bëhen të njohura të tjerëve. Në roman gjendja shpirtërore e autorit, përkatësisht e personazhit të Bardhyl Kazazit, sado e paçliruar plotësisht prej dhimbjes dhe fyerjes që i janë shkaktuar prej fejesës së studentes, mishëruar në personazhin e Emës, duket më e qëndrueshme, prandaj edhe gjykimet për çka ndodhur janë më të përmbajtura, më të prira drejt shikimit objektiv nga njëfarë distance të asaj që ka ndodhur dhe ndonëse është ruajtur po ajo ndjenjë epërsie e gjithanshme, gjer edhe fizike, e autorit, personazhit e të personazhit rrëfyes, prapsëprapë nuk janë kursyer vlerësimet e bukurisë e të hireve femërore të vajzës.
Ndërsa në vjersha fare pak gjë të kujton kohën dhe vendin ku shtillet dashuria, në roman, falë mundësive që jep proza, po edhe intensioneve të autorit, janë dhënë si atmosfera e përgjithshme e jetës në Tiranën e viteve ’50, edhe shumë hollësi nga jeta studentore, nga preokupimet e studentëve dhe çapkënëritë e tyre si dhe të mendësive e psikologjisë në atë periudhë shndërrimesh të gjithanshme shoqërore jashtë të cilave nuk mund të qëndronin as marrëdhëniet e dashurisë dhe të familjes. Prandaj, gjersa në vjersha epërsi i është dhënë shfrimit të dufeve rinore në harlisje erotike jashtë çdo kushtëzimi, në roman dashuria, përveçse është e përcaktuar psikologjikisht nga mosha, gjendja shoqërore dhe prirja e djalit për të gjetur një vajzë të bukur dhe vajzës për të parë te djali njëherësh me tiparet mashkullore, edhe prestigjin dhe perspektivën e tij, reflekton dhe dritëhije mendësish të kohës. Dëshira dhe stepja, guximi dhe ndrojtja, hovesh të papërmbajtshme dhe llogaritje pasojash, vullnete të rinjsh dhe ndikim në rastin tonë përcaktues të familjes, po edhe të egoizmit dhe cinizmit të një të riu, i cili ka dhunti, ambicie dhe mundësi të bëhet i famshëm, kështu që kurorëzimin e dashurisë në martesë e konsideron litar nëpër këmbë. Tërthorazi, edhe në këto drejtime, autori është rropatur të përligjë cinizmin e Bardhyl Kazazit me mendimin se ekzistuaka një dashuri, madje “një dashuri e madhe”, e cila përmbahet në intimitete femër-mashkull dhe merr forcë e përjetësi si kujtim. Kujtimi i vajzës që ndihet e vlerësuar se i është dhënë një “njeriu të famshëm”, dhe i këtij “njeriu të famshëm” që të përjetuarën ka për ta shndërruar në burim të përmallshëm frymëzimi. Këtu vetëm me dashuri nuk kemi të bëjmë, sepse në dashuri vërtet ka edhe ndarje, por kurrsesi ndarje të paramenduara me cinizëm apo edhe me çdo pretekst tjetër.
Përballë kësaj vështirësie jo vetëm etike, por edhe logjike, në kalimin e lëndës jetësore në përmbajtje artistike, të vetjakes në dukuri shoqërisht të vlerësueshme dhe në procesin e hedhjes prej poezisë në prozë, autorit i është dashur të gjejë shkaqet shoqërore e psikologjike të dashurisë e të ndarjes, të kushtëzimit dhe të marrëdhënieve në çift prej faktorësh të tjerë (të jashtëm e të brendshëm) dh kësisoj, dashur pa dashur, të gjejë argumente morale e artistike që do të përligjin pashmangshmërinë e ndarjes, në dukje me “paanshmëri”, po në të vërtetë duke anuar nga ana e protagonistit thekshëm. Vetë autori, më se gjysmë shekulli pas ngjarjeve të përshkruara në roman pohon: “Romani është shkruar në moshën 20 vjeçare, kur ideja e martesës është vetvetiu e huaj. Aq më tepër personazhi është një student me ambicie të mëdha, në pritje të një ndryshimi tronditës në jetën e tij: Udhëtimi në Moskë për studime të mëtejshme letrare. Shtojini kësaj dhe snobizmin rinor dhe xanxën e të qenit modern, për të kuptuar se martesa merrej si një mbyllje e jetës (faqe 19)”.
Në “Mjegullat e Tiranës”, ndryshe prej ciklit me vjersha, Kadareja është munduar t’i përmbahet me luhatje kësaj linje që e bën të pashmangshëm përfundimin se nga ana e Bardhyl Kazazit nuk ka ndjenjë të çiltër e të fortë dashurie, po më shumë një joshje rinore, një aventurë, ndërkohë që “gjeniun e ardhshëm” e lakmonin edhe femra të tjera, vajza e të martuara e në perspektivë, e prisnin “dashuri të reja”, a thua se moskovitet do të dilnin ta prisnin me lule në aeroport të pakuptueshmin, prandaj dhe të paarritshmin kompozitor.
Kështu mund të gjykohet në pikëpamjen artistike dhe po në këtë pikëpamje, mund të thuhet që nuk ka qenë gjetje me vend që një kompozitor i ri shumë i talentuar të ndjekë fakultetin filologjik dhe të dërgohet për studime pasuniversitare për letërsi dhe të mos ndjekë studimet në Konservatorin e Tiranës, që i kishte dyert të hapura më 1958. Ndërsa nga ana faktike, me gjithë vlerësimet për hiret e Emës, bie në sy përpjekja pothuajse e hapur dhe këmbëngulëse, që nëpërmjet historisë së dashurisë, vajza të dalë e përkushtuar dhe djali i adhuruari i saj, vajza e predispozuar të bëjë ç’të dojë alter egoja e autorit, kurse ky të luajë me ndjenjat e saj si delirant, madje edhe ta frenojë dhe ta refuzojë, duke lënë të kuptohet se nuk është fejesa e vajzës me një tjetër, po ftohtësia, ambiciet dhe snobizmi i djalit shkaku i vërtetë i ndarjes, gjë që nuk duket e vërtetë. Sepse, po të merret “Mjegullat e Tiranës” si tekst paraletrar, del në shesh që nuk është mbajtur parasysh këshilla e të moçmëve që thoshin: “Në fatkeqësi ruhu nga mendjemadhësia”. Nga deliri i madhështisë, do të shtonim ne.
Nën këtë prizëm duhen parë edhe dy “argumentet lehtësuese”: Paragjykimet fetare të familjes së vajzës dhe pritja e ndryshimit tronditës në jetë: Udhëtimit në Moskë.
Prindërit e vajzës edhe mund të kenë pasur paragjykime fetare, po vetë vajza, që në klasat e para të shkollës së mesme del se i ka flakur dogmat e fesë. Së dyti, edhe nëse paragjykimet fetare kanë qenë pengesë, çështja nuk është shtuar kurrë lidhur me të ardhmen e dashurisë së çiftit për të cilin bëhet fjalë, as kanë ndikuar në marrëdhëniet intime të këtij çifti e në përfytyrimin që ka vajza për të ardhmen. Së treti, argumenti se vajza fejohet për të mos ua prishur prindërve, ajo ose nuk ka ndier dashuri të vërtetë, ose është një qenie pa personalitet të përfillshëm, çka do ta vulgarizonte të gjithë historinë e sublimuar në vjersha e në roman. Mirëpo, përkundër këtij argumentimi, autorit i është dashur përmendja e fesë për të nënvizuar mendimin se vajza jepte kokën për të, por qenë prindërit që e morën në qafë, megjithëse edhe pa këtë pengesë, dashuria, po sipas autori, qe e dënuar të mbaronte me ndarje. Parë nga ana faktike, edhe ndryshimi tronditës, udhëtimi në Moskë, më shumë se fakt është një pretekst post factum, sepse prishja ka ngjarë së paku nja tre muaj para se Kadareja të njoftohej se do të vente në Institutin Gorki. E dëshmoj këtë mbasi, në korrik 1958, kemi biseduar në LSHA me Llazar Siliqin për propozimet që do të bëheshin dhe për mundësinë, që ndër ata që do të venin në Moskë, të ishte dhe ndonjë i ri që kishte treguar prirje për kritikë letrare. Pra, edhe pritja e “ndryshimit tronditës” është një tjetër pretekst për të treguar se ishte ai dhe jo ajo shkak i prishjes, që gjithsesi kishte për të ndodhur. Veçse trauma e shkaktuar prej kësaj prishjeje dhe reagimi i Kadaresë ndaj saj flasin ndryshe, prandaj edhe në gjendje të tronditur cinike vajza “u përshëndet” në ditët e martesës me farmak vjeshtërie.
Kaq për “Mjegullat e Tiranës”, që në pajtim me autorin, do ta quanim “pjesë të jetës së njeriut, po jo të shkrimtarit”. Një tekst që e njeh lexuesin me një histori jetësore të Ismail Kadaresë dhe të konsideratave që ai ka për vetveten, po ende jo me talentin e tij dhe me frytet e këtij talenti në vitet që do të vinin. Për sa i takon shikimit të romanit nga lartësitë e kohës së sotme dhe në raport me ndryshimet e ndodhura në jetë e në letërsi gjatë më se gjysmë shekulli, për çka japin dorë deklarimet e shkrimtarit, mendimet e kuratores Viola Isufaj dhe polemika që është ndezur rreth tyre, do të na duhej të shkruhej një tjetër artikull, pa pasur qëllim të ndërhyjmë me anësi në debatin letrar e jashtëletrar që kanë shkaktuar disa pohime të Kadaresë dhe përqasje të pavërteta, të pahijshme dhe haptas tendencioze denigruese të romanit me ndonjë vepër tjetër shkruar para tij e me të tjera synime ideo-artistike.

Skënder Zogaj i lindur më 23.01.1950 në katundin Lladroc të komunës së Malishevës. Shkollën fillor dhe gjimnazin i ka mbaruar në Prizren, ndërsa studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Prishtinë dhe në Tiranë.
Punën e ka nisur si mësimdhënës i gjuhës shqipe në shkollwn tetwvjeçare të Carrallukës dhe në Gjimnazin “Naim Frashëri” të Malishevës (1972-1974). Nw shtator tw vitit 1974 kalon në Prishtinë dhe i përkushtohet gazetarisë: redaktor përgjegjës në gazetën e studentëve “Bota e re” (1974-1978); gazetar e redaktor në gazetën “Rjilindja” në Prishtinë dhe në Tiranë (1987-1997). Gjatë viteve 1993-1995 ka përfaqësuar Zyrën e Republikës së Kosovës në Shqipëri, e më vonë redaktor në “Revista ushtarake” të FARK-ut e njëkohësisht edhe Këshilltar për informim i kol. Ahmet Krasniqit, ministër i Mbrojtjes dhe shef i Shtabit të Përgjithshëm të FARK-ut në Tiranë (1997-98). Pas luftës kthehet në Kosovë dhe cxaktohet redactor i kultuës në gazetën kombëtare “Bota sot” në Prishtinë (1999-2000). Në zgjedhjet e para demokratike të Kosovës së cliruar dy mandate radhazi zgjidhet Kryetar i Komunës së Fushë Kosovës (2000- 2008), e pastaj Këshilltar Politik në Ministrinë e Pushtetit Lokal në Prishtinë (2008-2010) .
Skënder Zogaj është ndër themeluesit e parë të LDK-së dhe bartës i shumë detyrave me përgjegjësi të kësaj partie në nivel lokal dhe qendror: Themelues i Degës së Parë të LDK-së në Kosovë ( Degës së LDK-së në Fushë Kosovë) dhe kryetari i parë i saj (1990-93), Krahas punës gazetarisë dhe angazhimeve politike, intensivisht është marrë edhe me krijimtari letrare dhe publicistike. Krijimet
poetike të Zogajt janë përkthyer dhe botuar në shumë gjuhë botërore,
dhe është përfshirë në 18 antologji të poezisë bashkëkohorë shqipe.
Është
anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i Shoqatës
Mbarëkombëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë dhe të Rinj me seli në Tiranë.
Ka botuar këto libra:
- “Zogu i ekspozitës” – poezi për të rritur, “Rilindja”, Prishtinë 1983
- “Merrme vëlla përdore” – vjersha për fëmijë, “Naim Frashëri”, Tiranë 1994
- “Ora e qoftëlargut” – poezi për të rritur, “Eurorilindja”, Tiranë 1996
- “Adresa e dallëndyshes”- vjersha për fëmijë, botoi “Eurorilindja”, 1999
- “ Jusuf Uka Bregu” – monografi, “Faik Konica”, Prishtinë, 2004
- “Mali i tejdukshëm” – poezi për të rritur, “Spektri”, Prishtinë, 2005,
- “Puthjet e puhisë” – vjersha për fëmijë, “Vatra”, Prishtinë, 2007
- “Lacrima durerii” (Loti i dhembjes), poezi në gjuhën rumune,”Albanezul”, Bukuresht, 2011.
Poezi nga Skënder Zogaj
KENGA E TRUMCAKUT
Shumë shtirje ankthesh në mesfjalë
fluturojnë dhe nxijnë në heshtje
Zemrën që nuk bëzan
Nga presjet rrotulluese teh gijotine
mbi qafën time...
Pastaj gjithçka është lojë
Qeskë plasmasti e varur në degën e manit
që era e fërshëllen
andej e këndej Urës së Shenjtë.
Sorra është aty por kënga e trumcakut s'ndalet
As kur e varin për së gjalli në turrën e druve
as kur ia shprushin zjarrin
as kur ia mbyllin sytë...
Përtej vrimave të zeza qëndron
ndër shtatë palë toke e qielli
tek pjalmi i yjeve në kërkim
dritë Orfeu me gjet për të gjallët e vdekur
si copa të thyera xhami që rendin
në drejtpeshimin e funeralit.
Trumcaku i vogël i ka mbyll sytë
S’dëshiron mw me e pa qiellin e mrrolur,
as krye shyt s’do më me kërcu nga harku i urës
as shpirtin e syrgjynosur qoftëlargut me ia fal!
PASQYRA DHE FYTYRA
Një ditë do të ndodh dalja
Dhe do të takohen patjetër
Fytyra dhe pasqyra…
Atëherë ka me u pa
e padukshmja e thembrës së Akilit.
Dhe ka me u shfaq Drita
e përsosura e gjithëfuqishme
që kujdeset për shpirtin tonë
dhe na jep fuqi me e kafshua mollën
Sa herë që vjen Shën vjeshta.
Silueta e Gruas së bukur
e gërvishtur nga rrjedha e ujit
na njomë me mija herë dhe përsëri
kemi etje edhe për një hap më përtej
në drejtim të dendësisë së pyllit
për me e ngroh shpirtin e ndrojtur
me prekjen e mëndafshtë.
Kur pandeh se i ke marrë të gjitha
Prapë Pasqyra dhe Fytyra kanë më ra
në duart tua të zbrazura.
JETA ËSHTË LIBËR
Beso
dhe kurrë mos pusho së dhëni,
që të marrësh -
nga e padukshmja e dritës.
Jeta është copë xhami e thyer
si një libër i hapur,
që duhet të lexohet me zemër
dhe të bluhet me tru.
Sado i vobektë
që mendon se je,
në fundin e udhës e merr vesh
sa shumë gjëra të tepërta
ke bartur me vete
Dhe, ah!…, dilema -
rrëshqitje fyme nëpër duar
që ikë dhe të le!
KALBJA
Bymehen muret nën najllonin e zi
Bie shi e kalbet shpirti bredharak
Që lufton me venitje klorofilesh
Sytë e shterrun të nënave mbajne zi
Mes Gjymturësh të idhta
Në Pengun e nata ndrydhet dita.
Për kokën e demit të zi
nga cepi i detit te bythët e mbretit
Hardhucat e Kuqe shtrojnë gosti
Me speca djegës, dyll, hudhra
Rrush qeni e fara kungulli turshi
Ha e pi dhe shaj
qeflinjtë e kripën e ndryshin me allti
Për sytë
Që do t’ia nxjerrin me thikë.
O, zot! sa të trishtë
Sytë e përgjakur
Prapa xhamave të zinj.
ANDEJ E KENDEJ IBRIT
Stinë e frikshme bimësh të egra
Andej e këndej Ibrit
Brenda kafkës së kalbur
Sorrat e larme po krrokatin.
Burrëria shtatëqind dërhemshe
endet në Shkup e në Shkodër
me bukën e kuqe
nen sqetull...
Andej e këndej Ibrit
Nga lehjet e qenve të çartur
Shlyhen emrat
Thyhen zemrat,
dhe Fryma e Shpirtit të Shenjtë.
Por stina e frikshme do kaloj
Dhe i plot do të agojë dielli
Mbi Kodrën e Minatorëve
del Niketë Dardani e thërret Ezanin
dhe kurrë më, kurrë -
nuk do të këndojë hutini.
As iriqë e rriqra kurrë më
nuk do të ketë në Mitrovicë.
21 janar 2008
NË ZHAZHË TË ZVEҪANIT
Të dashur vëllezër e motra
Zhazhjanë t’urtë e krenar
... edhe pak duroni
derisa ta nxjerrim
me rrënjë
erën e qenit të coftë
nga oborri…
Pastaj zbardh drita
me këngë bilbilash
pranvera vjen -
dhe, kurrë më, kurrë
cerdhe korbash
s’do tw ketw nw Zhazhw
as strehw pwr zhapinj
në Zvecan.
(Zhazhë, Zvecan, 27 mars 2010)
DASHURIA E SHPENZUAR
"Sot, askush nuk e humb askënd,
sepse askush nuk e posedon askënd…”
(Paulo Coelhos)
Luftëtari i dritës ma tho troҫ
Kjo s’është eksperienca e vërtetë e lirisë!
Thirri mendjes dhe kupto
Je i humburi i botës,
Derisa të mos bëhesh i zoti
Për ta fituar atë që e dëshiron.
Kosova është fyell i bariut të mërzitun
Me vrima të panumërta kuqezi
Nëpër të cilat hingëllojnë kuajt e azdisur
Që në mes të udhës i zë kromja e qenit
Dhe e rrokullisin qerren në greminë!
Kjo është biografia e vërtetë
E dilemës që e kemi në gjak
Por nuk kemi zemër për ta shprehur
Sepse kemi ngrënë shumë hudhra
Dhe kemi vra shumë sokola tinës
Prapa shpinës së stinës…
Askush më për askend s’është i uruar,
Gjithë drita e shpirtit është shpenzuar!
8 maj 2013, Fushë Kosovë

Jeta edukimi nga shkolla - burgu dhe liria
Adem Demaçi u lind diku në gusht’shtator 1935, por zyrtarisht babai i tij Zeqiri e regjistroi më 26. 02. 1936. U rrit në rrethana tejet të varfëra, tipike për shqiptarët e asaj kohe. Pas okupimit italian më 1941, për herë, në plan të gjerë, në Kosovë u hapën edhe shkollat shqipe. Më 1942, me këmbënguljen e nënës së vet dhe me dëshirën e flaktë të vetë vogëlushit Adem, babai arriti ta regjistronte atë në shkollë, ndonëse për nga trupi ai dukej më i vogël se sa e kishte moshën. Në shkollë u tregua fort i zellshëm dhe i suksesshëm, por me guximin dhe kureshtjen e vet, shumë herë shkaktonte “skandale” politike”. Demaçi:Adem Demaçi, krahas krijimtarisë letrare, ishte shumë i gjallë në kontaktet e tij në mesin e inteligjencës së re dhe shumë i afërt me popullin e thjeshtë të Kosovës së robëruar. Ai nuk nguroi që në dasma, në të pame dhe ndeja të ndryshme, me guxim dhe haptas të dënonte padrejtësitë e shumta të cilat regjimi serb vazhdimisht, në mënyrën më të vrazhdë, ushtronte ndaj shqiptarëve. Dënonte shpërnguljen masive nën dhunë të shqiptarëve për në Turqi. Dënonte diskriminimin e shqiptarëve në çdo hap. Dënonte fushatën e ashtuquajtur të mbledhjes së armëve që ishte ushtruar në dimrin e 1955 – 1956, dënonte arrestimin e dënimin e grupit të studentëve me në krye Rexhep Latifin dhe Nysret Novakazin në Prishtinë dhe grupin e Burhan Pashollit në Shkup, sepse këto raprezalje frikësonin edhe më shumë turmat shqiptare dhe bënin që edhe më shumë të merrte hov shpërngulja e shqiptarëve për në Turqi. Në pranverën e vitit 1958, në revistën letrare me emër dhe me tirazh shumë të madh, „Jeta e re“ falë guximit dhe përkujdesjes së poetit Esad Mekuli, në dy numra rrjesht u botua romani i Adem Demaçi “Gjarprinjt e gjakut”. Romani ishte shkruar me shumë dialogje në gjuhën popullore dhe kjo bëri që ai të kuptohej shumë mirë jo vetëm nga inteligjenca, por edhe nga turmat e gjera të popullit. Romani, nën petkun letrar, me aludime dhe metafora pothuaj të hapta ishte në të vërtetë nje mesazh politik. Porosi ishte që shqiptarët t’i lenin më një anë mëritë dhe ngatërresat me njeri tjerin dhe krejt energjitë e tyre t’i drejtonin kundër pushtuesit. Regjimi policor serb nuk e pati të vështirë ta kuptonte sfidën e Demaçit. Pas afro njëzetë rrëfenjave dhe romanit të botuar, popullariteti i Demaçit u rrit fort jo vetëm në qarqet letrare shqiptare gjë që bëhej një pengesë jo e vogël për regjimin totalitarist. Emri i Adem Demaçit po lakohej me dyshim të madh nëpër zyrat e policisë sekrete serbe. Kupa po mbushej. Ai do të vihej, shumë shpejt, para provës dramatike jetësore: ose do të përkulej dhe do të inkorporohej në strukturën e regjimit, në funksion të vazhdimit të robërimit të popullit të vet, ose do të shqelmohej pa mëshirë nga regjimi dhe do të kalonte nëpër kalvarin e pafund të mundimeve
Burgosja e e Adem Demaçit
më 19. 11. 1958, në Prishtinë, “në emër të popullit” Adem Demaçi u arrestua dhe pas disa muajsh në hetuesi, u nxuar para Gjyqit të Qarkut nën akuzën se ka bërë delikt politik, i inkriminuar si “propagandë armiqësore”. Mirëpo para gjyqit, Adem Demaçi, nuk mori rrugën e mbrojtjes, por kaloi në sulm frontal kundër regjimit duke numëruar të gjitha të zezat që kishte pësuar dhe po pësonte populli shqiptar nga pushtuesit serbë dhe doli me kërkesën që nëse duam të mos derdhet gjaku dhe të ruhet paqja, Kosova duhet urgjentisht të shkëputet nga pushtimi jugosllav dhe të bashkohet me nënën e vet – Shqipërinë!
Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve
Nga pranvera e 1963, Adem Demaçi, bashkë me Ahmet Haxhiun (i ndjeri), Fazli Graicevcin ( i ndjeri), Zeqir Gërvallën, Selman Berishën, Azem Beqirin, Hilmi Rakovicën (i ndjeri), Emine Rakovicën, Rexhep Ukë Drenicën (i ndjeri), Tefik Karamanin, Xhaferr Mahmutxhikun, Dibran Bajraktarin (i ndjeri), Teki Dervishin (Kadri Kusarin (i ndjeri), Din Spahiun (i ndjeri), Isa Demajn (i ndjeri), Rexhep Elmazin (i ndjeri), Shefqet Strofcin, Avdyl Lahun (i ndjeri), Mustafa Venharin ( i ndjeri), Hysen Dacin, Mahmud Dacin ( i ndjeri), Durak Mazrekun ( i ndjeri), Mejreme Berishën, Sulejman Drinin ( i ndjeri), Elheme Shalën, Ali Sokolin (i ndjeri), Drita Halimin, Xheladin Dedën (i ndjeri), Ajshe Cakën dhe Nazmi Sejdiun, iu rrek punës së rrezikshme dhe tepër të vështirë për formimin e “Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”Sipas kujtimeve të nënës së tij kreshnike, Nazife Lahu’Demaçi Adem Demaçit me shokë. Pas dy-tre aksioneve, më 8 qershor 1964, ky u arrestua bashkë me shumicën e organizatorëve. Pas hetimesh të egra, gjatë të cilave, nga torturat pat vdekur Fazli Grajcevci, grupi u nxuar para gjyqit. Dënimet qenë vërtet drakonike (prej gjashtë deri në pesëmbëdhjetë vjet), mirëpo edhe efekti politik, si në opinionin e brendëshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm, ishte fort i madh. Në qarqet politike të kohës, regjimit të Jugosllavisë së atëhershme i duhej të përgjigjej ndaj shumë pyetjeve të pakëndëshme. Adem Demaçi, më 8 qershor 1974, doli nga burgu i Pozharevcit, gjendja në Kosovë ishte larg më ndryshe se në qershor 1964. Edhe pse dominimi jugosllav ende ishte mjaft i pranishëm, për sa u takon çështjeve thelbësore për lirinë e Kosovës, gjasat për të arritur lirinë përmes një evolucioni të shkallëshkallshëm nuk ishin të pamundëshme. Dukej se për Titon dhe për komunistët, tashmë të moderuar sllovenë, kroatë dhe boshnjakë, ideja dhe mundësia e pavarësimit të dalëngadalshëm të të gjitha njësive federale nuk ishte më diçka e huaj dhe e largët, përfshi këtu edhe Kosovën, deri në një lidhje konfederale. Kështu do t’i jepej fund të gjitha kundërshtive dhe kundërthënieve nacionale në ish’federatën jugosllave.
Denimi i sërishëm i Adem Demaçit
Më 6 tetor 1975, Adem Demaçi u burgos në Prishtinë për të tretën herë. Në procesin e kurdisur, pas hetimeve mizore, u dënuan, me dëshmitarë të rremë dhe në mënyrë të pamëshirshme, Adem Demaçi, Rexhep Mala (i ndjeri), Skënder Kastrati dhe 16 vetë të tjerë. Dënimet u prenë prej 15 deri në 5 vjet. Ndonëse fare i pafajshëm, Adem Demaçi, nuk hoqi dorë nga ideja e tij se shqiptarët kanë të drejtë të jenë të lirë dhe të barabartë me të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit dhe shqiptimin e dënimit ndaj tij prej 15 vjetësh.
Me 21 prill 1990, Adem Demaçi me shumë shokë u liruan nga burgjet e Kroacisë.
Adem Demaçi - Rojtar i Popullit të tij
Adem Demaçi, është një personalitet të cilin mund ta shohim në majat më të larta të aktiviteteve për çeshtjen kombëtare, e herë pas here, njerëz të caktuar të kuluareve të errëta që vijnë nga sherbimet sekrete të armikut përpiqën që emrin e Demaçit ta heshtin për jetë. Për gati 29 vjetë, në burgjet e ish-Jugosllavisë, Adem Demaçi u përballë me të gjitha të këqijat që i vinin nga okupuesi e nga servilet e okupuesit për ta larguar nga rruga e tij e drejt madje qoftë edhe për një periudhë të shkurtër.
Filozofia e mendimit politik te Demaçi
Nuk është rastësi që Parlamenti Evropian e shpërblen me çmimin “Saharov” në vitin 1991. “Gjatë jetës në burgje, Adem Demaçin, nuk kanë mundur t’ia thyejnë shpirtin e lirisë. Ai vazhdonte ta ngrinte zërin për të denoncuar një realitet të tmerrshëm: shtypjen e mbi dy milion shqiptarëve të Kosovës nga Serbia. Shprehja e fjalës së lirë është etapa e parë dhe e domosdoshme në rrugën e demokracisë. Pa shprejhje të lirë të fjalës, nuk ka dialog, pa dialog është vështirë zbulojmë të vetetën, dhe pa të vertetën progresi është i pamundur”. Filozofia e mendimeve politike të Adem Demaçit është shumë e thjeshtë dhe shumë e kuptueshme. Mendimet e tij politike nuk kanë nevojë të analizohen për ta kuptuar se çka ka dashur te thotë. Adem Demaçi nuk filozofon shumë për të kërkuar pak. Nuk flet pak për të thënë shumë. Flet vetëm atë që duhët thënë dhe atë më esencialen. Ai, kërkoi vetëm atë që popullit tonë i takon. Demaçi e flet atë që e mendon pa i llogariutur konsekuencat dhe pasojat që mund t’i vijnë nga njerëzit primitivë, qofshin nga tanët apo të palës se armikut. Çuditërisht, personalitetet politike evropiane e amerikane i citojnë mendimet politike të Adem Demaçit dhe i çmojnë si perla të filozofisë politike permes të cilave Adem Demaçi lenë gjurmë të pakontestueshme në luftën e tij të çlirimit kombëtar. Mendimet e Demaçit janë aq të vlefshme e të çmueshme sa ato do të qëndrojnë dhe rrezistojnë edhe në një ardhmëri shumë të largët.
Vlerësimi Evropian për Adem Demaçin
Me marrjen e çmimit « Sakharov », Parlamenti Evropian Adem Demaçin e radhit në piedestalin me të lartë të personaliteteve botërore, gjurmet e të cilëve do të mbesin perjetësisht në historinë e njerëzimit . Paradoksale. Kur inteligjencia evropiane e çmon mendimin e Demaçit, në Kosovë Demaçi margjinalizohet. E pabesueshme dhe krejtësisht e tmerrshme. Njeriu që çmohej si simbol i rezistencës kombëtare, sot injorohet. Njeriu nga i cili u inspiruan gjenerata e gjenerata se si duhet fituar lirinë sot askujt nuk i sherben madje as atyre që dikur u kishte sherbyer si model. E Adem Demaçit nuk i behet vonë, se ai e ka objektivin e tij qe e din ku shkon dhe pse shkon. Adem Demaçit i dhimbsen edhe ata që ishin dhe janë në rrugë të gabuar, ata që interesin personale i vejnë mbi ato kombëtare. Adem Demaçi nuk mburret për veprimtarinë e tij, por ai ende lufton për vetëdijsimin e shtresës politike që të lirohen nga folklorizmi i tyre primitiv e të shndërrohen në popull politik. Vetëm në këto momente Kosova do të bëhet Dardani, thotë Demaçi ne një intervistë (2004).
Themelues i shkollës së romanit modern në Kosovë
Në pamundësi për t’iu rikthyer politikës, në pamundësi për t’i ndihmuar popullit të tij përmes veprimtarisë politike, Adem Demaçi do t’i rikthehet fjalës së bukur artistike, si në vitët e 50-ta, që shquhej për tregimet e tij dhe pa asnjë dyshim Demaçi do te mbetët si themelues i shkollës së romanit modern në Kosovë. Vetëm në krijimtarinë artistike Adem Demaçi do të lundrojë i qetë e pa u penguar nga askush. Në krijimtarinë e tij artistike, do të futët thellë në botën magjike të shkrimit që lexuesit tonë t’ia afrojë përvojen e tij, vuajtjet dhe sakrificën jo vetem personale, por mbarëkombëtare. Kudo plaga e vuajtjeve kombëtare Adem Demaçin do ta shoqërojë e ne prozën tij kjo do të vërhet më së miri. Rikthimi në krijimtari, Adem Demaçit do ia sjellë lumturinë e humbur dhe prehjen shpirtërore që më në fund askush nuk ka mundësi ta pengon. Me rikthimi në letërsi Adem Demaçi jep prova se lufta për çlrimin kombëtar nuk duhet te ndalet dhe se ajo mund të zhvillohet në shumë drejtime. Adem Demaçi me punën e tij jo vetëm letrare, por edhe politike, është futur në faqet e historisë dhe emri i tij do të skalitët me shkronja të arta deri ne perjetësi.
Adem Demaçi, është një personalitet te cilin mund ta shohim ne majat më të larta të aktiviteteve për çështjen kombëtare, e herë pas here, njerëz të caktuar të kuluareve të errëta qe vijnë nga shërbimet sekrete të armikut përpiqen që emrin e Demaçit ta heshtin për jete. Mirëpo, nuk ekziston asnjë mjet, asnjë force e asnjë metode, qe Adem Demaçin ta demoralizoje nga dashuria e madhe qe ai e ka për popullin e tij. Për gati 29 vjet, në burgjet e ish-Jugosllavisë, Adem Demaçi u prrallë me të gjitha të këqijat qe i vinin nga okupuesi e nga servilët e okupuesit për ta larguar nga rruga e tij e drejt madje qoftë edhe për një periudhe të shkurtër. Kurrë Adem Demaçin nuk do ta shohim te lodhur: as atëherë kur ndonjë nga “shokët” do ia kurdisi grackën, as atëherë kur njerëzit tanë do t’i dalin si dëshmuar qe ka vepruar “kundër shtetit dhe popullit”, as kur ndonjë matrapaz me titull shkencor do të shkruaje për ta njollosur Demaçin, as atëherë kur u krijuan institucionet e Kosovës të cilat do ta margjinalizonin figurën dhe personalitetin e Demaçit. Jo. Demaçi është i pathyeshëm, Demaçi as qe hidhërohet me ata të çilet përpiqen ta njollosin. Kjo është një veti shume e rrallë, një veti që e kanë vetëm njerëzit e mëdhenj, vetëm njerëzit e mençur e te urtë.
Të tjerët për Adem Demaçin
Profesor, doktor, Hakif Bajrami, njohësi ndër më të mirët dhe ndër më të përkushtuarit e veprimtarisë atdhetare, filozofike dhe politike të Adem Demaçit shkruan: “Filozofia dhe gnoseologjia e veprës së Demaçit, janë një fushë, të cilën duhet ta hulumtojnë institucionet ose akademitë e shkencave. E them këtë, sepse një hulumtim si ky, individual, nuk do të mund t’i përfshinte të gjitha sferat, që të mund të kënaqnin lexuesit në të ardhmen e largët. Po e them këtë, sepse nga kjo afërsi kohore, rëndësia historike e Adem Demaçit, si institucion kombëtar, që ka vepruar personalisht dhe brenda burgut, sidomos për kauzën e lirisë në përgjithësi dhe njëkohësisht për kauzën kombëtare, jashtë burgut, me idetë dhe ndikimet e tij, në masat e reja të popullit, kjo disi nuk mund të përthekohet. (Dr. Hakif bajrami:“Epoka e Adem Demaçit”, Prishtinë, 2009, f.6.)
Selatin Novosella, ish i burgosur politik dhe autor i disa librave, në të cilat ka trajtuar veprimtarinë ilegale në Kosovë e më gjerë, është po ashtu njohës shumë i mirë i jetës dhe i veprave të Adem Demaçit. Ai në një prononcim të tij për medie, lidhur me veprën e tij, “Demaçi Metaforë lirie”, ndër të tjera ka shkruar: Sado që të shkruash për të, kurrë nuk je i sigurt që ke thënë mjaft, meqë jeta dhe vepra e tij është një minierë e artë. Sado që ta hulumtosh, cilësia e arit del më e pastër dhe më kualitative dhe më e qindpërqindtë. Kështu, jeta dhe vepra e Adem Demaçit, në esencë është histori e Kosovës”... Shembulli jetësor i Adem Demaçit, me plotë të drejtë, atë e ka shndërruar në INSTITUCION në vete, çka nuk mund të thuhet, qoftë edhe për një njeri tjetër në Kosovë. (S. Novosella: Demaçi, Metaforë lirie, Prishtinë 2006.)
“Me humanizimin e tij, Adem Demaçi i sfidoi të gjithë, madje edhe atëherë kur u keqkuptua. Kur të gjithë prisnin prej tij që të paralajmëronte një luftë revolucionare, ai nga burgjet serbe paralajmëronte një mision afatgjatë historik kundër Jugosllavisë së mbështetur nga Lindja dhe Perëndimi. Kur të gjithë prisnin prej tij që të kundërshtonte Jugosllavinë si shtet dhe si përbërje etnike, duke përfaqësuar individin që nuk lufton për demokracinë jugosllave po për lirinë e popullit të vet, ai mbështet mendimin e disidencës jugosllave për lirinë dhe çlirimin e të gjithë popujve. Edhe pas rënies së sistemit komunist dhe madje fillimit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, kur të gjithë prisnin prej tij që të niste në fushatë kundër populizmit serb, ai i identifikon ata si ‘vëllezër’ të një misioni të përbashkët. Edhe kur Serbia merr shtyrjen e fundit ndërkombëtare, kur prej Demaçit dikush priste hakmarrjen e fundit kundër atij sistemi dhe atij populli që e kishte mbajtur tri dekada në burgje, ai u bë fryma e humanizmit dhe lirisë së Kosovës: përfaqësues i zyrës së UÇK-së, në të cilën bashkoheshin kërkesat e luftëtarëve të lirisë, ndërmjetësuesit e diplomacisë ndërkombëtare dhe madje kërkesat e qytetarëve serbë”. Myrvete Dreshaj-Baliu, Begzad Baliu: Adem Demaçi dhe kulti i frymës së tij. “Fjala e lirë” 17. 4. 2012.
Veprat:
Fërkime,
- Gjarpijtë e gjakut,
- Libër për Vet Mohimin,
- Heli e Mimoza,
- Nëna Shegë e pesë gocat,
- Shkrumbnajë e dashur,
- Dashuria kuantike e Filanit,
- Alb Prometeu,
- Politika dhe Pushka
- Tung vargu im.