Samstag, 4. Januar 2014

Dokumentari "Molla e Kuqe"

















Çfarë dihet për toponimin "Molla e kuqe"?


Një nga të dhënat ka të bëjë me një histori në kufijtë e legjendës. Sipas kësaj historie, emrin Molla e Kuqe e kishin dy fshatra skajorë shqiptarë, njëri në veri dhe tjetri në jug të vendit. Data e këtyre toponimeve nuk njihet, por ato tregonin dy skajet kufitare të një Shqipërie që nuk ekzistoi më pas 1913-ës.

Fshati Molla e Kuqe në jug, i përket një zone që sot gjendet brenda kufijve administrativë të Greqisë, me emër të ndryshuar në Kalloreferis. Fshati tjetër, në skajet veriore të Shqipërisë, gjendet edhe ai jashtë kufijve të Shqipërisë së sotme, diku afër një vendi të njohur me emrin Novi Pazar.
 
Për këtë toponim flet edhe një shprehje shumë e përdorur dikur, por e rralluar ose e zhdukur në ditët e sotme: “Do rrish urtë apo të ta bëj shtëpinë matanë Mollës së Kuqe!” Shprehja përdorej sa herë duhej t’i thoshe dikujt që mund të dërgohej larg.
 
E dhëna e dytë është më e “freskët” në kohë. Ka të bëjë me një dekret të vitit 1968 të Presidiumit të Kuvendit Popullor të RPSH-së. (dekreti nr. 4381, datë 13.4.1968) Ky dekret bën disa ndryshime të rëndësishme në ndarjen administrative tokësore të vendit. Mes rreshtave gjetëm edhe një vendim që ka të bëjë me një fshat me emrin Molla e Kuqe. Vendimi mban numrin 6, në listën e 14 vendimeve që kanë të bëjnë me rrethin e Kukësit dhe thotë: “Fshati Mollë-Kuqe shkëputet nga lokaliteti i Fanit dhe lidhet me lokalitetin e Shëmirësë”. Do të thotë që një fshat me këtë emër ekziston edhe në këtë rreth.

/gazetadita.al/

Kurtesh Devaja - Te Molla e Kuqe

 
Nga Kurtesh Devaja
 
"Kur të rriteni dhe të shtoheni ju muhaxhirët e rinj, mos i lini trojet tona të Toplicës, se ato janë tokat e të parëve dhe kthehuni atje së paku t’i vizitoni varret dhe themelet e shtëpive të djegura e të bëra shkrumb e hi”. (Amaneti i muhaxhirëve të Toplicës). Problemet historike në jetën tonë kombëtare dhe shtetërore janë prezente në vazhdimësi. Këto probleme datojnë qysh herët, dhe ato kanë ndikuar në të gjitha proceset e zhvillimit të përgjithshëm shoqëror e kombëtar. Brezat e lindur dhe të rritur në vitet që po jetojmë, të ndarë politikisht me kufij shtetesh, të vendosur nëpër tokat shqiptare me vendimet e Traktatit të Shën Stefanit, Kongresit të Berlinit dhe Konferencës së Londrës, e quajnë të pakuptimtë mosangazhimin e duhur të politikës mbarëkombëtare për t’i korrigjuar padrejtësitë dhe gabimet historike që shqiptarëve iu imponuan gjatë shekujve. Nuk mund të them se është faji i brezave më të vonshëm, pse nuk e kemi ditur këtë, por do të mbetemi fajtorë nëse nuk e mësojmë sot drejt këtë padrejtësi që iu bë shqiptarëve gjatë shekujve të fundit. Sepse deri tash këto padrejtësi në librat e historisë e të gjeografisë i mësuam mbrapsht, ashtu siç na servuan dhe na mësuan të tjerët.

Por, sa më shumë që tash mësojmë, më shumë e kuptojmë se në ato libra nuk është shkruar drejt e si duhet e vërteta historike për shumëçka nga e kaluara jonë. Kjo u bë nga ata që e shkruan historinë me diktate politike e ideologjike. Por, njëkohësisht, fajtorë edhe më të mëdhenj janë ata që e falsifikuan historinë tonë kombëtare. Brezi ynë i sotëm do ta mbajë fajin nëse brezave që vijnë nuk ua shpjegojmë drejt historinë tonë. Pra, do të mbetemi fajtorë nëse për brezat që vijnë nuk i shkruajmë drejt librat e historisë e të gjeografisë sonë kombëtare.

Duhet të dihet qartë e mirë se shteti shqiptar në vitin 1912 u shpall në kufijtë edhe ashtu të tkurrur politikisht që përfshinte 4 vilajetet shqiptare, në një sipërfaqe prej mbi 90 mijë kilometrash katror. Mirëpo, pavarësisht kësaj, nuk pushoi zaptimi dhe grabitja e tokave shqiptare nga fqinjët, e që është më keq çështja shqiptare dhe këto padrejtësi ndaj kombit tonë vazhduan që nga  Paqja e Budapestit, më 1877, Traktati e Shën Stefanit, deri në Kongresin e Berlinit (1878). Çështja shqiptare u kalua shkarazi, duke u përmendur vetëm aq sa i prekte interesat e njërës, ose të fuqisë tjetër botërore. Ndërsa, Fuqitë e Mëdha kujdeseshin që t’i kënaqnin interesat e fqinjëve të shqiptarëve, duke u dhënë toka shqiptare. Nga e gjithë kjo, përfitime më të mëdha nxori hegjemonizmi serb, i cili gjatë shekujve gjithnjë i zaptonte tokat shqiptare. Prandaj, edhe vendimet që u morën në Kongresin e Berlinit, të cilat ishin shumë të padrejta, e shtuan zemërimin e shqiptarëve kundër Fuqive të Mëdha. Ky pezmatim u ndie dhe u theksua veçanërisht në viset ku ndodhi humbja e territoreve.
Prandaj, edhe plagët e rënda të pashëruara që vazhdimisht dhembin dhe ngacmojnë edhe sot trungun kombëtar, e që quhen Molla e Kuqe, Toplica e Sanxhaku i Nishit, ishin dhe mbeten preokupim i shumë gjeneratave, pasi zaptimi i asaj pjese të territorit shqiptar nga serbët, sot e gjithë ditën mbeten të paqartësuara dhe të pandriçuara sa e si duhet. Sepse, kjo pjesë e historisë së dhimbshme për shqiptarët, me gjithë përpjekjet, asnjëherë nuk u ndriçua drejt, qartë e mirë. Nuk u ndriçua drejt, e të mos them fare gjithë ajo që kishte ndodhur në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, në atë pjesë që ishte tokë shqiptare, e që u zaptua nga sllavët. Kjo çështje në vazhdimësi vetëm shkarazi përmendet nëpër disa dokumente historike, apo të autorëve të pakët shqiptarë, por edhe të atyre të huaj. Për më tepër detyrën që duhej ta kryente historia, i mbeti traditës gojore e cila aq sa pati mundësi e kurajë e kultivoi në kujtesën e vet popullore.
Që nga koha kur isha nxënës i shkollës së mesme, por edhe gjatë studimeve, e në veçanti gjatë bisedave të zakonshme, si në tubimet familjare, por edhe në ato më të gjera shoqërore, isha kureshtar të di për historinë e Mollës së Kuqe, që brez pas brezi përcillej nga të moçmit, duke e cilësuar si kufi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që nga koha e sundimit të Perandorisë Osmane. Por, asnjëherë nuk e kisha mësuar me saktësi të vërtetën se ku ndodhej kufiri që quhej si Molla e Kuqe. Për Mollën e Kuqe shpesh në opinion dolën edhe spekulime të ndryshme, kinse ajo është joekzistente etj. Nën trysninë e kësaj kureshtjeje dhe i interesuar për të vërtetën, vendosa që t’i qasem me një cikël dokumentari televiziv, që në verën e vitit 2011 u transmetua në 9 episode në televizionin publik, Radio Televizioni i Kosovës, e që u realizua në bashkëpunim me Radio Televizionin  e Preshevës. Kjo ishte një përpjekje që, sado kudo me të dhëna arkivore, biseda me historianë, demografë, etnologë, veprimtarë dhe nëpërmjet deklaratave të dëshmitarëve të gjallë, apo stërnipërve të atyre që e kishin përjetuar kohën e tmerreve dhe gjenocidit serb ndaj shqiptarëve në Sanxhakun e Nishit dhe Toplicës, ta prek këtë temë, e cila meriton më shumë se kaq. Në këtë cikël të dokumentarit u përpoqa që ta shtjelloj sado pak historinë e Mollës së Kuqe, por t’i prek edhe ngjarjet tjera që e kishin sajuar atë periudhë të dhimbshme për kombin tonë.

Nga puna që kam bërë, gjatë realizimit të ciklit të dokumentarit për Sanxhakun e Nishit, Toplicën dhe kufirin “Te Molla e Kuqe”, arrita të gjej shumë fakte historike në retrospektivë, për ato ngjarje lemeritëse që kishin shoqëruar atë periudhë historike. Do ta përmendja një element që hasa në vendet që vizitova, për të mbledhur dhe siguruar materialin, për ta shtjelluar këtë tematikë, vërejta se bashkëbiseduesit vazhdimisht ndjeheshin të trishtuar kur i përmendin ngjarjet që kishin përjetuar stërgjyshërit e tyre gjatë periudhës së dëbimeve në Sanxhakun e Nishit në vitet 1878-1889. Dhimbja dhe pikëllimi i tyre ishte i papërshkruar, për gjithë ata që ende ruajnë me tapitë e tokave dhe pasurive të tyre në Sanxhakun e Nishit e Toplicës, e që sot e kësaj dite, kjo e drejtë u mohohet vazhdimisht nga Serbia.

Fatkeqësisht, të vdekurit nuk mund të kthehen, por me kujtimin e tyre mund ta vazhdojnë praninë e tyre midis nesh. Sepse, ato ngjarje kanë qenë krim kundër shqiptarëve, e për këtë nuk mund të thuhet asgjë. Prandaj, edhe vendosa që në këtë libër të përfshij pjesët më të rëndësishme nga dokumentari im “Lugina e Preshevës, dikur dhe sot”, i transmetuar në vitin 2011 në Radiotelevizionin e Kosovës. Pjesa që ka të bëjë me rrëfimet e ngjarjeve është autentike. I vetëdijshëm për punën e bërë, nuk dua të jem përjashtues për kritika, ose rrëfime tjera që gjërat i ndriçojnë ndryshe, ose pretendojnë se përshkrimet dhe analizat e tyre janë më të sakta, seç i kam paraqitur në këtë libër. Personalisht vetëm do të përfitoja dhe do të më kurajojnë për hulumtime më të hollësishme në këtë lëmi shumë të ndjeshme dhe të dhimbshme për kombin tonë, në përgjithësi.
Por, njëkohësisht, vatrën e ngrohtë të stërgjyshërve tanë në Sanxhakun e Nishit dhe Toplicës e konsideroj se duhet ta ngremë dhe ta mbajmë gjallë si çështje kombëtare dhe të kërkojmë me argumente të fuqishme në të gjitha institucionet ndërkombëtare që të aktualizohet çështja e kthimit të shqiptarëve në trojet e tyre etnike në Toplicë dhe në Sanxhakun e Nishit. Në elaborimin e kësaj çështje shumë të vështirë, por me interes kombëtar dhe shkencor me sugjerimet e veta substanciale dhe me këshillat përmbajtjesore kontribuuan edhe recensentët e këtij libri, historianët e spikatur Prof. dr. Muhamet Mala dhe Prof. dr. Jahja Drançolli dhe veprimtari Reshat Avdiu, për çka u jam shumë mirënjohës.
 

(Parathënie e librit “Te Molla e Kuqe, 1878-2012)”, Faik Konica, Prishtinë, 2012. Zgjodhi për ZSH: B. Y.)
 
Huazuar nga zemrashqiptare.net

Freitag, 3. Januar 2014

Riza Lahi

RIZA XHEVDET LAHI
16.10.1950 - 31.12.2013

Lindur në Shkodër dhe ka ndrruar jetë në qytetin e Tiranës.
1998 - 2007 ka punuar në OSBE – ODIHR
2000 - 2002 Gazetar profesionsit në shtypin ushtarak
1970 - 2000 Oficer – pilot i klasit të dytë në FA
1997 ( 21 ditë) Përkthyes në OSBE në kuadrine fushatës së zgjedhjeve
1994 ( dy muaj) Përkthyes pranë trupave amarikane në aerodromin e Gjadrit
1977 – 79 Shkollë filozofie
1968 – 1970 Shkolla ushtarake e aviacionit

Ka kryer disa kurse kualifikimi brënda dhe jashtë vëndit gjatë kohës që ka qënë pilot. Autor i 31 librave dhe publicist. Është ftuar disa herë jashtë atdheut si shkrimtar dhe gazetar.
Ka dhënë kontribut të pandërprerë në çështjen e romëve duke mos patur asnjë lidhje gjaku me ta apo interesa materiale.
Ka qenë antar i “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë”, i Bortit drejtues së “Shoqatës Botërore të Poetëve”( Ëorld Poet Society - ËPC)dhe i Antar I Kongresit të “IWAA” (Shoqatës Botërore të Shkrimtarëve dhe Artistëve)
Ishte anëtar i “ Albanian – American Academy of Arts and Sciences “. Krijimtaria dhe shkrime të tij janë botuar në Sllovaki, Greqi, SHBA, Indi, Iran, Itali, Kosovë, Ceki, Zvicër, Koreja e Jugut, Maqedoni e ndokund tjetër.
Fitues i disa çmimeve të niveleve lokale dhe kombëtare, zv President i ansamblit folklorik “Shqiponjat” dhe në stafin drejtues të revistës kulturore “Obelisk”.
Shkruante pandërprerë në shtypin e përditëshëm dhe ruante me kujdes pozicionin e shkrimtarit të pavarur.
Në vitin 2102 është çertifikuar me diplomë nga IWAA – Shoqata Botërore e Shkrimtarëve dhe Artistëve me këtë motivacion: “This Diploma is to certify that in 2012, RIZA LAHI, who has demonstrated distinguished achievement within the principles and purposes of the International Ëriters and Artists Association, is recognized as THE BEST TRANSLATER INTO ALBANIAN OF ALBANIA”
Kontributet në letërsi – Poezi për të rritur dhe fëmijë, tregime për të rritur dhe fëmijë, shqipërime poetike, artikuj kritikë, esse dhe romane.
Riza Lahi ka punuar për tridhjetë vite pilot në Forcat Ajrore të vëndit, dy vite gazetar në shtypin ushtarak, si edhe, disa kohë në OSBE. Tematika që ai ka rrahur më shumë në prozë dhe publicistikë është ajo e aviacionit, ngjarjeve heroike, dramave të njerëzve të nderëshëm e të dëshpëruar dhe e çështjes kosovare. Në poezi ushtronte më shumë lirikat, poezinë meditative dhe atë luftarake; ooperon me vargje të rregulla dhe të lira.
Ka mbajtur gradën ushtarake të nënkolonelit.

Veprat e botuara

Tregime, përralla për fëmijë
“Legjenda e Zerdelisë”, 1985
“Ledia në një natë me hënë”1995
“Aventurat e rosës Monda” ( Shqipërim nga E. Bosse) 2001
Vëllime me poezi gërshetuar me tregime
“Kosova, e fejuara ime”,1994
“Drenica, qeleshja kosovare”, 1998
“Trëndafilë”1996
“Trëndafila nga Tirana”2009
“Hannibal Antes Portas” – poems and stories in English and 8 other languages – Tirana, 2011


Tregime

“Ëngjëjt me krahë duralumini”, 2000
”Fluturime mbi qilimin persian” 1998
“Nën hënën e Ulqinit”, 2001
“Ylli që sheh mbi sheshin “Skënderbej” 2001


Romane

“Të shtunën në mesnatë në një yll”, 1997 – roman për fëmijë
“Vorri I Ashikut”, në katër volume - 2005
“Serenatë korçare në Nju Jork” - 2009


Biografi artistike

“Një violinë në Panteoinin e Orfeut”2008
“Dinosaurët e fundit” 2003
“Maratonomaku nga Shkodra”, 2008
“Piloti i katër presidentëve”
Shqipërime
“Poezi për fëmijë nga vëndet anglishtfolëse “( dy vëllime) - 2006
“Në shiun e argjentë” ( vëllimet e mësipërme, botuar në një të vetëm, në Rep e Maqedonisë) 2005
“Mbrëmë I pëshpërita një Ylli” – Poezi të zgjedhura nga Xhelaludin Rumi 2002
“Fluturoi qielli nga cepi I velit tim” - poezi të zgjedhura nga F. Forughazd 2006
“Golgota shqiptare” nga Leo Freundilch, 1990
“Ikja massive” nga Hans Peter Rulmann 1997
“Ëngjëlli i Mostarit” nga Sally Becker 2000
“Nuk ka ëngjëj në këtë botë” nga Sally Becker 2007
Në Konkursin Kombatar, 1994, ka fituar ëndin e parë në Republikë me pjesën teatrale për fëmijë, botuar më pas nën titullin “Të shtunën në mesnatë në një yll”
Ka fituar edhe cmime të tjera të niveleve të ndryshme, si edhe ka botuar pandërprerë në shtypin letrar apo faqet letrare të gazetave.
Pjesë nga krijimtaria e R Lahit janë botuar edhe në Zvicër, Greqi, SHBA, Iran, Rumani, Indi, Sllovaki, Ceki, Korea e Jugut, etj.
Është autor i disa teksteve këngësh, kryesisht serenatash.
Është antar i Shoqatës Botërore të Poetëve dhe i “Akademisë shqiptaro – amerikane të shkencave dhe arteve” me qëndër në Nju Jork.
Është prej shumë vitesh bashkëpunëtor i rregullt i shtypit të pavaruar dhe kryeredaktor i revistës së romëve “Amaro Dives”, e cila, për arësye fondesh, ka disa kohë që nuk botohet.
Ka marrë pjesë në sumë aktivitete ndërkombëtare në lidhje me folklorin, letërsinë dhe në përkrahje të romëve, megjithëse nuk ka asnjë lidhej gjaku me romët.
Në vitin 2102 është çertifikuar me diplomë nga IWAA – Shoqata Botërore e Shkrimtarëve dhe Artistëve me këtë motivacion: “This Diploma is to certify that in 2012, RIZA LAHI, who has demonstrated distinguished achievement within the principles and purposes of the International Writers and Artists Association, is recognized as THE BEST TRANSLATER INTO ALBANIAN OF ALBANIA”.





Poezi nga Riza Lahi

MOJ NËNË

Moj nënë, shpesh më thua: “Po, lëri tash vjershat
Po lodhesh, dëshpërohesh, s’tu botua asgjë!”
Po, prap rri me mua dhe me llampen e ndezur
Tek grindem me vete gjer më dymbëdhjetë a më një

Kur nxitoj për shkallësh drejt marrshimeve të gjata
Lehtë – lehtë , si mbaron tëra punët e shtëpisë
I mbledh fletët e mia të shkruara e të bardha
Dhe lehtë i ujdisë  tek syndyku i nusërisë
 
1971, Shkodër


ÇVIT - ÇVIT

Jo rrallë ulem te lulet
e shplodhem i menduar...
Sa shumë dallandyshe
në vapë shpërthejnë tër’ gaz:

Çvit – çvit, - çvit – çvit!

Ca vërtiten mbi mua,
sa u shoh sytë e zgjuar...
Pastaj shkojnë tutje - tutje...
Papritur kthehen prap:

Çvit – çvit, - çvit – çvit!

Po, pse, sa herë i shoh
Diçka më bien nga ti
Ma lënë diku këtu
S’arrij t’i falënderoj:

Çvit – çvit, - çvit – çvit!

Diçka nga shkumbë e detit
Diçka kur nxiton ti
Diçka nga qeshja jote
Me mëndje bëlbëzoj:

Çvit – çvit, - çvit – çvit!

Në gjumë të parë, nga qielli
Më vijnë gjith’ dallandyshet,
Në mes tyre, dhe ti
Me një palë krahë si tyret:

Çvit – çvit, - çvit – çvit!

Më lidh një shall te gusha,
Më kruhesh te qerpikët...
Dhe...i rreh krahët e ikën
Me një këngë dallandyshesh

Çvit – çvit, - çvit – çvit !

1978, Tirane


PEISAZH NËN KALANË E SHKODRËS

Rrjedh Buna, rrjedh ëmbël, rrjedh  shtruar, menduar
Drejt gjoksit të leshtë të Drinit të rrëmbyer...
Një vajzë me buzën e lehtë të Mona Lizës
Nga libri i saj një faqe ka kthyer

Pulëbardhat i sillen përqark dhe asaj
Dhe Bunës, që plagë po më çelin pa faj...
Dhe Bunës... Ky Drini për beli përfshin
Stolirat dhe ojnat vajërore të saj.

Si plagë trëndafilash këto buzë buzë Bunës...
Ç’lexojnë mbi libër këto vetulla si shtiza?
Mes lotëve të shelgut i heshtur rri unë
Mes lotëve të shelgut buzëqesh Mona Liza.

Po, kush do t’i puthë pa i vrarë ato buzë
Fare lehtë...sa një fllad...jo si Drini lugat
Por ...vajza me dorë thërret djalin e saj
Dhe Buna shkujdesur po shkon për në shtrat.

Këto plagë, pse m’i çelën dhe vajza dhe Buna
Pyes vete dhe buzën kafshoj gjer në asht...
Pulëbardha krahëbardha fluturojnë drejt bedenave
Zemërbardha kridhen në qiellin e  lashtë...
 
1980

 

SULMI QË NUK I REZISTON ASKUSH

Ujrat ecin qetë
Shtruar, si një jare e lashtë

Pranvera po afron

Pulëbardhat sulen pingul
Njëra pas tjetrës
Në këtë spektakël të heshtur dhe
Pafundësisht të bukur

Pranvera po afron

Një peshkatar e hodhi sërish në ujë cironkën e vogël
Ai është rritur me muzikës ujrave
Dhe është kaq i dhimbsur për këtë cironkë
të vockël sa një flutur e bardhë

Pravera po afron

Ujrat po ulen ngadalë
Dhe shelgjet
Po presin qetësisht sa të rrethohen nga bari i madh dhe grafullonjës

Pranvera afron
Duke ndryshuar gjithëçka ëmbël, bukur, pa zhurmë
Njerëzit i hoqën vetë palltot e dimrit që i shtërngonin aq shumë nëpër dimër
Dielli i fton të gjithë të këndojnë
Kur të duan,
si të duan,
sa të duan,
vetëm të duan dhe
sipas zërit të tyre

Ky është sulm.

Edhe ky  është sulm
Është sulmi i bukur i pranverës.

22 – 23 mars 2010, Tiranë


 
ÇFAR MË KA MBETUR NGA SHKODRA IME

Të vetmet që më mbetën nga Shkodra ime
Janë këto këngë
Këto shkodranet e mia të gjalla, të bukura dhe që ecin duke spërdedhur belin
Si një grup biblilash pylli.
Këto këngë
që vijnë qënga blirët e gjimnazit, piaca, vështrimet e ngulura te një dritare
dhe më rrëmbejnë nga kthina ime ku shkruaj....

Nisem për Shkodër.

Askush nga këta djem nuk e di se kam qënë dikur si ata
Se e kam dashuruar para tyre  ”Motrën Tone”;
Para tyre si i çmëndur
Kam ndënjur me orë të tëra pa u ngirë para saj
Ata flasin për sex ndërsa
Para tyre shkojnë vajza gjysëm të çveshura
Ata se dijnë se i gjallë në botë nuk kisha ardhur këta çaste nëpër Shkodër
Po të mos më rrëmbenin këto këngë
Që rinia ka nisur t’I harrojë
Të harrojë edhe Motrën
Që unë e kundroja me orë të tëra
Megjithse ajo ishte e mbuluar
Po plot zjarr
Si shkodra ime
E cila nuk e di
Përse më rri kaq larg

Dhe këto lotë që vijnë qënga rinia ime.

28 tetor 2010


JESHILNAJË...

Zogj me pendë të jeshilta
Shelgje jeshil
Me flokët e mrekullueshëm të jeshiltë
Që përkulen mbi ujrat jeshil
Dhe ujrat e jeshiltë ende flënë
Si një vajzë e bukur
Që i janë hapur mbi jastëk e argjentë
Flokët e jeshiltë të shelgjeve

Mes barit të jeshiltë
Vajzat më të turpëshme dhe më kokëulurat e botës
- disa lulevjollca.

Ora 07.00 , 22 mars 2010, buzë vënndit ku Buna ndahet përj së ëmës, liqenit...


PRANVERË

E shoh pranverën...

Te lulet e çelura
Te bilbilat e rinj që këndojnë ngado
Te vërshimi i dallëndysheve, tollumbaceve dhe
Te rekrutët që pagujanë ryshfet
Për në Afganistan dhe Irak
Të marrin apo të lënë kokë
atje.

Tiranë, 11 prill, 2010


NËNA IME

Të lutem
Rro edhe pak
Se ndryshe
Sa herë të shfaqem
Te ura e Bahçallëkut
Ajo do të tronditet shumë

Unë do të përkulem mbi ujrat e Drinit të shpërlaj lotët

Rozafa
Do të më shikojë akoma më shumë me dhimbje

Ajo është mësuar të më shikojë duke qeshur
Duke kënduar mbu urë
Duke llustruar këpucët, duke fshirë pluhurin, duke u krehur
Para se të hyj në qytet

Rro edhe pak nëna ime
Që unë të jem ende djalë shtëpie përmbi këtë urë
Jo mysafir i largët

I largët dhe i përlotur.

Shkodër -  Tiranë, 20 - 21 mars 2010


DASHNORI  I PERANDORESHËS

Ua, sa pyll pafund i mrekullueshëm
Me kurorat si kodrina prej kaçurrelash të blerta

Si dashnor  për të cilin bëjnë një kompromis të heshtur dhe të prerë
Bota ajrore
Dhe bota e ujrave.

Para pak muajsh   dielli
më kot i dërgonte poezi dashurie
mes rrezeve
qënga kangjellat me dry të reve të shiut.

Para pak muajsh ka qënë në perandorinë e ujrave
në shoqerinë e cironkave, mëlyshëve, gjucave, krapuliqëve, bretkockave
mes të fshehtave,
intimiteteve,
kërcënimeve,
premtimeve,
thithjeve,
puthjeve,
epsheve
të perandoreshës  së ujrave
perandoreshës që  e mbante ditë e natë shtërnguar mes kofshëve...

Sa puhizë e ëmbël ajore
nën këtë blerinë pyllnajore!
Gardalina -  cicërojnë papushim
Dallandyshe - koloviten dhe këndojnë
Lejlekë si kajmaklie
sipër ... nëpër
kaçurrelat e dëndur  si t’ia ketë dhruar ndonjë oaz nga orienti;
flutura...fluturaaaaa...fluturafluturaflutura....sidomos flutura të kaltra
si dhurata mëngjesore nga qielli i këtij agimi

Por do  te vijë perandoresha  sërish!

Do të vijë me taborret e reve të zeza
me tamtamet e luftës së bubullimave
e etur për dashuri
do  vijë perandoresha  e ujrave
për ta futur në kështjellën e saj këtë pyllnajë
për ta shtërnguar fort
mes krahëve të saj
mes gjirit të saj
mes kofshëve të saj
rretheqark duke u sjellur si eunukë
cironkat, mëlyshët, gjucat, krapuliqët, bretkockat

dielli do të struket pas reve duke i shkruar poezi dashurie papushim
lejlekët, dallandyshet do të  kenë ikur përtej….

Përmbi  këto kurorëza
duke prekur me pendë ujrat
do të sillet plot guxim
zogu me i shëmtuar i dheut
dhe më besniku

trumbcaku....

30 korrik 2010  - liqeni artificial, shtëpi
Tiranë


 
QENTË  E  RRUGËS

Sa më vëjn keq për qentë e rrugës
Janë më shumë se sa duhet të edukuar
Ta lirojnë rrugën si njerëz
Të shikojnë me sy fëmije
Nuk lehin kurr
I ka edukuar e njëjta dorë
- rruga tmerrësisht jo livadhore e kryeqytetit.

Ata iu qahen me sy, me të lutur
Qenëve që shëtitin me qafën me zinxhirë
Që e kanë një strehë dhe ushqim
Por dhe n jë oborr për të lehur
 

 
POR LIQENI NUK KA DALLGË

Liqeni ende flë
Kanë nisur ngacmimet e lehta të diellit nëpër gjethe
Por ujët me sytë gjysëm mbyllur ende ëndërron
Po të kishte dallgë
Dallgë shumë
Do të ngrihej prej shkumbëve të tyre  për të ardhur tek unë
Afërdita
Me qerpikët, buzët , sytë dhe flokët e derdhura gjer në fund të këmbëve
Krejt  prej shkumbësh
Prej zambakësh të bardhë që kanë vetëm dallgët.
Që andej do të ngrihej mbretëresha e  bukurisë
Bija e Poseidonit
Përbindëshit të detrave
.

PESHKATARËT E UJRAVE TË ËMBËL

Liqeni u paska falur sot në mëngjes peshkatarëve
shumë peshk,
shumë peshk,
shumë peshk
të qeshura dhe rrjeta shumë

Taraboshi nga larg
si një dallgë
që ka dalë nga liqeni
dhe është ngurrosur atje

Shelgu buzë Bunës
si një vajzë që sapo ka dalënga ujrat
duke vërvitur pas me një të lëvizur vjzëror të kokës ajore
flokët e gjatë , të shumtë dhe të gjelbër….


REJA ISLANDEZE DHE UJRAT NË SHKODËR

Qielli i botës
Kërcënuar ngado prej resë
Që nxorën nga dhimbja e tmerrëshmë dherat
Atje
Por ujrat e Shkodërs sime janë zbukuruar
Nga sytë e kulluar të pranverës

A thua i dhimbset Shkodra  kësaj pjelle të egër të nëntokës?
Apo ka rënë në dashuri
Në një dashuri platonikë
Siç bijnë përbindëshat?


E ÇMËNDURA DHE NJËZET DJEM

Ata qeshin me të madhe
E thërresin me emër
E thërresin të gjithë

Kavaleria Rostikano e ka mbushur bulevradin
Me të qeshura

Pietro Maskanji ka vdekur
Kavaleria qeshën me të madhe.

Ajo i  ka lyer  buzët me të kuq
mban një trëndafil në dorë
përkulet me reverancë
deri në tokë
si aktoret e Romës klasike
dhe trëndafilin
ma zgjat
mua

Të vetmit që po qaj
ndërsa Kavaleria Rostikano
tund bulevradin e  Shkodrës me të qeshura

 
DALËNGADALË

Rrugët...
E Ndjej
kanë nisur të më presin
përditë dhe më ftohtë

Po ec nëpër rrugët e qytetit më të panjohur të botës
- nëpër rrugët e qytetit tim

Vetëm ujrat nuk më paskan harruar
Dhe shokët e fëmijërisë
Të mplakur që të gjithë
Dhe që kthehen në adoleshëntë menjëherë
Si ujrat e Drinit
Sapo nisin papritur shirat.

 
 
ZOGU

Kam filluar të këndoj te një dritare tjetër, atje
ku më duan të gjithë dhe më përkëdhelin të gjithë

Atje ku këndoja më parë
U mësuan me këngën time
A nuk ia vunë veshin kurr

Ka nisur t’u vrasë veshët kjo qetësi absolute
Ka nisur t’i marrë malli për mua

Kalojnë poshtë dritares ku po këndoj unë
Ngrënë kryet
Dhe i ulin sytë poshtë
Me përjashtim
Të së dashurës së parë
Që më lutej të këndoja edhe një këngë
Kur më qeshnin të gjithë...


PILOTËT E VJETËR

Hodhën nga një grusht dhe në varrrin e hapur
ku qanin të gjithë.

Iu afruan të heshtur tavolinës së mortit.
U ulën
Pikëlluan ca
Pinë dhe nga pakëz raki
Dhe bënë shaka.

Kishin luajtur me vdekjen tër jetën.

Unë ua njoh të gjithëve:
Mëritë,
Djallëzitë,
Modestitë,
Egoizmin,
Pisllëqet,
Furinë,
Plogështinë
Fuqinë
Dobsinë
Të qeshurat
Lotët

Që të gjithë këta
E patën një të dashur
Që i treguan gjithëçka
Që i falën gjithëçka
Që i qeshën gjithëmonë
Që nuk e tradhëtuan kurr...

Hapsirën mbi atdhe.


LAMTUMIRË
Ledias, me rastine  mbarimit të maturës
kujtim nga babi   5 shkurt 2010

Lamtumirë gjimnazi im “Qemal Stafa”
Lamtumirë mësues, shokë, ti, banka ime
Kushedi hapat e mi, kur do m’i ndjeni prap
Hapat e vajzës që notonte në ëndërrime

Mësuesit e mi, gjer të mësoheni pa mua
Do pyesni njëritjetrin, po... ku shkoi?
Me aromë mimozash do përgjigjet pranvera:
E katërta shtatë dhe… ajo…oh…fluturoi

Po kur një ditë do më keni harruar
Qemalsja juaj do të vijë te dera
Ngadalë , hutuar, do të ngjitet te shkallët
E drejt te banka ku rrinte përhera

Në mos paça me vete t’u sjell lule
Të freskëta , të bukura siç  i rrit saksia
Të rrahura zëmre do t’ dhuroj pafund
Dhe lule të zbehta nga thinjat  e mia

Do të pyesë roja plak, ku e kam parë
Këtë zonjë që s’qesh si nxënësit e tjerë?
Do t’i them :më lër, më lër të hyj, o plak
Qemalse edhe unë kam qënë një herë

Lamtumirë, lamtumirë gjimnazi im
Të erdha e ndrojtur,   e vogël , si manare
Më rrite… Lehtë  një ditë  më puthe flokët
Dhe nëpër botë më lëshove krenare.


AH...SI U HAKMORR MJERIMI!...

Mjerimi u hakmorr më shumë
ndaj kësaj gjysheje  me sy të ëmbël si zogj të ulur
në rrjetën e peshkatarëve të fytyrës së saj

Mjerimi nuk kish patur shpirt për këtë plakë të dashur
ishte treguar më mizor nga sa e priste ajo
më i pafytyrë
më i pacipë
më i keq
më i lig
ndaj kësaj gjysheje që ka një bohçe të madhe
nga xhepat e së cilës
gjithmonë del diçka e  vogël
për fëmijët e mëhallës

AJO...

Ajo po u lutet
Ajo po u lutet kolopuçëve
Ajo po u lutet kolopuçëve të mëhallës
të luajnë
të luajnë me këtë fëmijë
me këtë fëmijë të shëndetshëm,
të bukur,
të veshur bukur,
me lodra të bukura,
të heshtur,
të bukur
tëbukurtëbukurtëbukurtëbukur

Është nipi i saj
Ka ardhur për herën e parë
Për herën e parë që nga andej
“andej”
Dhe
nuk din
as edhe një fjalë nga gjuha
e  gjyshes..

Unë shtërngoj dorën e  nipit tim
është syblu,   kokderr,  gjithë tula
po e ngacmove si shumë të shanë “të qifsha robt”
gratë e lagjes duan ta puthin secila, ndërsa e marr nga kopështi
po ai  tulic,
nuk ia jep faqen asnjërës
me përjashtim të ndonjërës që i falë një lodër apo ëmbëlsirë
ia jep faqen  shpejteshpejt dhe
e fshin prap
me doçkë.

Ja, me këtë  tulipan të bardhë
që kam shtërnguar unë
ndërsa plaka u lutet fëmijëve
me sytë e përgjëruar….

30 – 31 korrik 2010




ÇINARI I TOPHANËS

…i heshtur
i frikshëm
madhështor
rrethuar me një gardh hekurash,
si tyrbe,
- vetëm poshtë,
te nyejt e këmbëve
rrethuar
me shenjtërinë e tyrbes.

Kushedi sa qindravjeçarë është ky burrë
që ka hapur gjoksin dhe
ka nxjerrë gjithçka ka në barkun e tij.

Kushedi sa xhenaze ka përcjellë
nën vetullat e tija prej cungjesh…

Dikujt i është dhimbsur
ky plak pa gjethe, gjysmak e mendimtar,
ia ka selitur vendin përqark me kujdes
e ka ujiur
dhe
i ka rënë sëpata nga dora si shtambë
kur po mendonte t’ia priste
atë degën atje,
mbi pullazin e shtëpisë.

Ah, sa e dhimbshur është zemra e shkodranëve
si Buna nëpër piskun e vapës!

Vështrojani të brendshmet këtij vigani
që ka hapur krahët përmbi pullazet e Tophanës,
ndërsa pranvera po vrapon drejt tij
duke e mbuluar me një peshqir gjethesh të vogla
si zogj…

Ai nuk do të hajë
nuk do të pijë
nuk do asgjë tjetër
vetëm të tregojë
burrërinë e tij
para vdekjes.

PLAKU MADHËSHTOR

Ky nuk është sulltan plak
as malësor
që i ka kërcyer të martohet prapë

qënga vetullat e tij të vrenjtura
është sulur
po argaliset pranvera.

Gjethet ledhatare
e kanë mbuluar
si gërsheta vajzash
trupin e tij vrarë lie
për ta përkëdhelur për të fundit herë
dhe për t’ia puthur
plagët nëpër trup
gjatë luftës me jetën
këtij plaku madhështor

Ky është çinari i Tophanës.



AGIM PRANË ÇINARIT

Rrathuar me hekura dekorativë
si brenda në një tyrbe
çinari ka sfiduar perandorinë e
të vdekurve.

Nga rrethina e botës inorganike
ka çelur kapanxhën e tyrbes
me trupin e ngrënë, të kafshuar
i fuqishëm
duke ulëritur për dashurinë,
O bota e qytetëruar e qiellit blu!

Ky ashik i vjetër
që e kujtonin të vdekur
Çinari i Tophanës
këtë mëngjes
të ka sjellë alamet dhurate
kurorën e tij madhështore.


KJO KOKË E BUKUR KAÇURRELE

Kjo kokë e mrekullueshme me kaçurrela vajze
Kjo kurorë e mahnitshme, plot me zogj tej e ndanë
Është e këtij trungu të tmerrshëm,
si shtëpi që po bie përbrenda
– çinarit vrarë lie të Tophanës.