Lojnat popullore në vendin tonë janë të shumta. Nëpërmes tyre ne shohim shumë qartë dashurinë e popullit që në kohë të vjetra për sportin, forcën e tij të madhe organizuese e krijuese. Nëpërmes këtyre lojnave popullore, qysh në kohrat e vjetra njerëzit kanë plotësuar dëshirën e tyre argëtuese dhe farkëtuar cilësi të larta fizike e morale, si: burrërinë, trimërinë, ndershmërinë, vigjilencën etj. Sigurisht, zhvillimi i lojnave të ndryshme popullore është i lidhur ngushtë me natyrën e çdo vendi, klimën, relievin, bimësinë etj.
Në historikun e
rrethit të Tropojës, veçanërisht në aktivitetet fiskulturale-sportive, lojnat
popullore zënë një vënd të konsiderueshëm. Ndër lojnat popullore më të njohura
për malësorët tropojanë mund të rradhisim: kapuçat, rrasat (alat), rrumbat,
vizat, etj., si dhe sportet: hipizmi, gurapeshi, noti etj. Një ndër më
karakteristikët për Malësinë e Veriut në përgjithësi e për tropojanët në
veçanti është loja e kapuçave. Kjo lojë mund të zhvillohet në mes dy personave ose
të një numuri të pacaktuar pjesëmarrësish. Kjo mund të luhet kudo, brenda në
dhomë, ose edhe jashtë në një vënd të sheshtë.
Më parë përdoreshin
për lojë 10 qeleshe koke, të cilat tropojasit i quajnë “kapuça”. Më vonë
filluan të përdoren për lojë 10 dorca ose çorape të reja, të cilat vendosën në
një qilim, në dy radhë, 5 e nga 5, të patakuara njëra me tjetrën. Për
zhvillimin e lojës duhet një sferë plumbi me diametër rreth 1 cm. që quhet
“kokrra e kapuçave”. I gjithë qëllimi i kësaj loje është të gjesh ku e ka futur
kundërshtari kokrrën. Loja përfundon me 100 pikë që quhen “olhi” të kapuçave.
Kjo lojë ka patur një popullaritet të madh dhe veçanërisht është zhvilluar në
dasma, miqësira, festa të ndryshme, e në çdo rast gëzimi ku mblidheshin njerëz.
Për zhvillimin e
lojës ka disa rregulla.
Meqënëse në krye të
dhomës qëndrojnë gjithmonë miqtë, lojën e fillon i pari, si rregull ai që është
në krye të vendit, (në ballë të oxhakut). Ai e fut dorën me radhë në të gjithë
kapuçat dhe në njërën prej tyre, sa të mundet pa u kuptuar, e fsheh plumbin.
Kundërshtarët kanë të
drejtë ta shohin atë që fsheh plumbin dhe të ndjekin çdo lëvizje të tij.
Me qëllim që loja të
mos përfundojë pa asnjë “olhi” si rregull ata që ndjekin plumbin në fillim ju
takojnë 10 “olhi” që quhen “10 të gjyshes”.
Lojtari që fsheh plumbin, mbasi mbaron të 10 kapuçat, mund
të rrijë në vënd, ose, po pati frikë se mund ta diktojnë në sy, ku e ka fshehur
plumbin, mund të kthehet prapa ose edhe të largohet derisa të zbulohet plumbi.
Kur mbarohet së fshehuri
plumbi, lojtarët kundërshtarë japin mendime se ku mund të ketë lëshuar plumbin.
Kapuçat për të cilët mendohet se mund ta kenë plumbin quhen “ishqila”.
Kjo lojë është luajtur që në kohra të lashta, përpara se të
dalë llampa me vajguri, kur për ndriçim përdorej pisha. Këtë e tregon edhe
shprehja që edhe tani shpesh përdoret “mbaje pishën”, kështu i thotë lojtari që
merr plumbin, kundërshtarit, i cili është i detyruar të sigurojë ndriçimin
derisa të marrë plumbin.
Koha e fshehjes së
plumbit është e pacaktuar dhe me cilën dorë të duash. Nuk lejohet qëndrimi i
lojtarëve anash kur fshihet plumbi sepse mund të shohë atë.
Shumë kujtime ruhen
nga loja e bukur e kapuçave. Kjo sjell kënaqësi jo vetëm për ata që e lozin po
edhe për ata që e shohin.
Ali Hoti nga
Shkëlzeni kujton duke lojtur në shtëpinë e tij luftëtarët Azem Gjalicën e Qorr
Iljazin, kurse shumë pleq të tjerë veteranë, kujtojnë plakun e maleve Bajram
Currin, të cilit i pëlqente shumë dhe e njihte mirë këtë lojë. Bile në
historinë e kapuçave ka hyrë stili i Bajram Currit. Ai kur merrte “testet” i
merrte me të dy duart përnjëherësh. Edhe tani përdoret shprehja: “po ju bie
Bajram Currshe”.
Pas përfundimit të çdo loje bëhen 10-15 minuta pushim.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen