Dienstag, 25. Juni 2013

Agim Deva

Agim Deva

Agim Deva, lindi në vitin 1948 në Beograd dhe vdiq më 1 shkurt 2009 në moshën 61 vjeçare. Fakultetin Filozofik e kreu në Universitetin e Prishtinës – në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Magjistroi dhe doktoroi në fushën e letërsisë për fëmijë. Pas diplomimit në fakultet u punësua gazetar në “Zërin e rinisë”, e më vonë qe kryeredaktor i parë i “Gazetës së pionierëve”. Që nga viti 1973 punoi në Fakultetin e Filologjisë, së pari – asistent në Teorinë e letërsisë, e pastaj, ligjërues në lëndën Letërsia për fëmijë. Përveç kësaj, Agim Deva ligjëroi edhe Fillet e gazetarisë, Kritikën letrare, kurse në departamentin e gazetarisë zhvilloi lëndën Zhanret e gazetarisë. Ishte profesor ordinar në këtë Fakultet. Njëherësh, Agim Deva ishte anëtar i PEN- Qendrës së Kosovës dhe themelues e drejtues i OJQ-së “Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë” që nga viti 2000 e këtej. Poashtu, që nga viti 2005 ishte edhe anëtar i Shoqatës “Pranë fëmijëve”. Organizoi disa simpoziume e sesione shkencore mbi çështjet e letërsisë për fëmijë e të rinj.
Botoi një numër të konsideruar veprash letrare (prozë e poezi), antologji të ndryshme, panorama të poezisë botërore, vepra të ndryshme shkencore, monografi, kritika, recensione, ese, parathënie e pasthënie, një libër leximi për klasë të katërt fillore, dy libra për fëmijët e hendikepuar, libra ilustrativë për fëmijët e moshave parashkollore, libra me karakter ambiental dhe së fundi Abetaren. Që të gjitha këto shtrihen në 80 vëllime.
Mori pjesë në Simpoziumin Ballkanik të Letërsisë për Fëmijë të mbajtur në Tiranë ( në vitin 2000), si edhe në shumë manifestime letrare para fëmijëve tanë në Austri, Belgjikë, Gjermani, Zvicër, Itali, Francë etj. Për punën e tij letrare u nderua me një varg shpërblimesh në Kosovë dhe më gjerë. Poezitë e tij u përkthyen në disa gjuhë të huaja si në anglisht, gjermanisht, arabisht, italisht, rusisht, sllovakisht, rumunisht, kroatisht, turqisht, sllovenisht, maqedonisht, etj.
Dallohet si shkrimtar për fëmijë, me të cilin preokupim ai merrej deri ne ditët e fundit te jetës se tij. Ligjëroi, Letërsinë për Fëmijë në Degën e Letërsisë e të Gjuhës Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës.


Disa nga veprat:



  • Natyreza - Mars 2003 tekst mësimor
  • USA dhe Musa “Rilindja”, Prishtinë, 1987
  • Zonja  e livadheve‎, 1968
  • Panushi: roman për fëmijë, 1974
  • Parada e luajve, 1977
  • Fjala bëhet lule, libër leximi : për klasën IV të shkollës fillore‎ , 1979
  • Një mijë çerdhe : vjersha‎, bashkautor me Salih Lutolli, 1979
  • Rrota e historisë, vjersha për fëmijë, 1981
  • Zašto klupa ponavlja razred, 1981, serbisht
  • Poezia shqipe për fëmijë (1872-1980), 1982
  • Fjala e përjetimit, 1983
  • Vjersha të zgjedhura për fëmijë, 1984
  • Harta e zemrës, 1984
  • Tregu i xhinkave, bashkautor me Daniella Vajnevi, 1984
  • Çaste në trohalle, 1986
  • U këndojmë dëshmorëve, 1988
  • Dreri në mal, vjersha të zgjedhura për fëmijë, 1989
  • Njeriu i vjeshtës, 1991
  • Guri rrokulliset përpjetë, 1999
  • Fshati dhe rrufetë
  • Si shpëtoi meti
  • Orët e nënës
  • Fshehtësia: Tajna, bashkautor me Miroslav Antić
  • Buna
  • Pastaj, edhe dashuria e parë : A onda i prva ljubav, bashkautor me Miroslav Antić
  • Derisa ti flen
  • Fytyrëqeshur
  • Dhoma e gjyshit tim
  • Në botën e abetares‎
  • Plisi i zogut, Duart‎
  • Pse i dua Babadimrat‎
  • Romani ynë për fëmijë - 1977



  • Poezi nga Agim Deva


    DJEPI

    Më vjen vërtetë keq
    që nuk na kujtohen
    ato çaste te vokta
    që në djep jetohen
    Edhe pse të varfër (me tri-katër pula), 
    në djep na ushqente nëna me ninulla...
    E gjyshja gatuente
    nga një bukë qerepi,
    (kështu thonë, se mua
    s'më kujtohet djepi!)

    Mirëpo, sot, or mik,
    djepin kur e shoh
    gjithënjë, e më pak
    veten e njoh
    dhe vështirë, vështirë nënës i besoj
    se në të për spari fillova të rroj,
    Madje, n'jetë si foshnje
    shkela - trimërisht...
    Me ëndrra luftoja - 
    horizontalisht!...

    Djepi im i vogël!
    O djep i uruar!
    Po, vallë, një ninullëz
    s'e ke merituar?...
    "M'u rritsh bir' i nënës!", dheu rrita burrë,
    po ti djep i dashur nuk u rrite kurrë,
    mbete skutë sa grima,
    sa një bebzë në sy,
    sa ditët e para
    që i kalova n'ty!

    Më vjen vërtetë keq
    që nuk e mbaj mend,
    djepin ku prapë foshnjet
    ndërrohen me rend!...




    NATËN, KUR FLEN DESPINA...

    Natën, kur flen e bardha Despinë,
    natën kur kotën fenerët ndë kulla,
    natën, por jo n'mal as n'lendinë,
    kitra e ujku luajnë me pulla.

    Dhe kah mesnata arithi zgjohet,
    i fërkon sytë e i gëzuar thotë:
    - Sonte kjo natë duhet t'festohet,
    se përveç mjaltës gjeta kompot.

    Derri tund qetas laprat e veshit,
    e kujton vetin si derr me famë:
    - Pra unë nuk qënkam veç i përsheshit,
    surratin tim shihja n'reklamë!...

    Natën, vonë natën, kur flenën beci im,
    natën kur kotën fenerët ndër kulla,
    natën, shpesh ndodh që n'vetëshërbim,
    kitra e ujku t'luajnë me pulla.

    1 Kommentar:

    1. Si çohen hundët përpjetë?-Agim Deva
      Na ke blerë një setër t`re,
      Më s`je ai që ishe dje;
      Harron me shokë
      T`përshëndetesh-
      E për setër t`re mbështetesh,
      E harron se ajo setër
      Një ditë zhlyhet, shkyhet,
      Tretet,
      Ndërsa, ja ai shoku i vjetër,
      I përhershëm do të mbetet!
      Sot ai rrugëve të shikon,
      Ty të duket vetja mbret...
      Me një setër-
      Fluturon
      Sa poshtë, thua, bota mbet!
      Dhe lakmon këpucë të reja,
      Me një shall që n`erë përkundet,
      Prapë na thua,
      Sa janë prapa,
      Gjithë qytetet
      Dhe katundet!...
      Të kalojë dhe shoku i dytë
      Pa i thënë sot; mirëmëngjes!
      Ec pranë teje
      Tezja Nushë,
      T`kalon afër
      Me- mafes...
      Ty disi të la kujtesa,
      Dhe harrove shokë e miq,
      Me një setër
      Zure qiellin,
      S`je më rrugëve-
      Shkurtabiq !
      Po qyteti
      Të sheh ndryshe,
      Krejt të vogël
      - si lajthi,
      Të sheh edhe jotja gjyshe,
      Më të gjorin në shtëpi...
      S`je as n`korzo aq i nxehtë,
      Shoku yt zë një shok tjetër,
      Po a çohen
      Hund`t përpjetë,
      Hundët përpjetë
      - për një setër?!....
      Setrën e bajsh me shëndet!
      Shokun tjetër- gjeje vet!
      Po e gjete ruaje mirë,
      Se të duhet
      N`kohë t`vështirë;
      Edhe po s`tu desh ai kurrë,
      Ruaje që të mbetesh burrë,
      Se nuk ndërrohet
      Shoku i vjetër,
      As me-jetë,
      E jo për setër!

      AntwortenLöschen