KUR POPULLI TË PËRGJIGJET
ME HESHTJE…
Thuhet në një rrëfim popullor se mbreti shpesh i paska bërë tebdilë(të maskuar) këshilltarët e vet, bile edhe vet bëhej i tillë dhe dilte të maste mendjen e shijen e popullit pahetueshëm, të bënte ndonjë sondazh të realtë, si do t’ i thonin mediat e agjencitë e opinionit e të hulumtimit sot. Me të kthyer herën e parë hulumtuesit nga populli, u ulën përballë mbretit:
“Hë, çfarë mendon piopulli, -i pyeti mbreti kureshtar të autorizuarit e tij.
“Zotëri mbret, populli është i pakënaqur, shan qeverinë, kërcënohet…”, - iu përgjigjën hulumtuesit.
“Asgjë nuk është kjo, - iu përgjigj mbreti. – Nuk qenka puna pisk ende, ndërsa kanë energji të shajnë e të tubohen.
Një ditë mbretit nga një mbështetës besnik i kishte ardhur letra se populli ishte i pakënaqur. Këtë mbështetës nuk e njihte fare, nuk e kishte parë asnjë herë, as ai mbretin, por u besoi fjalëve të tij, sepse i shkruante me bindje e njohuri të rrethanave popullore. Ndaj, i nxori hulumtuesit në popull, të vërejnë çfarë bënte ai, ç’ mendonte. Bashkëpunëtorët e mbretit shkuan nëpër faltore, tregje, takime festive dhe përpiqeshin të bisedonin me popullin. Mirëpo, nuk ishte si më parë, sepse nuk shante populli, nuk kërcënohej, nuk bënte shamatë. Ndaj, me këtë përshtypje u kthyen para mbretit.
“Hë, të dashurit e mi, çfarë mendonte populli, si ishte ai?”, - e pyeti tërë kureshtje mbreti.
“Zotëri mbret, gjendja në popull ishte shumë e lakmueshme”, - iu përgjegjën si me një zë hulumtuesit. - Disi ishte qetësuar dhe më nuk shante, nuk kërcënonte dhe nuk bënte shamatë. Ishte qetësuar shumë nga hera e parë dhe nuk dukej me shumicë nëpër faltore, treg e vendtubime popullore. Sikur ishte mbyllur nëpër shtëpi dhe i shikonte hallet e veta.
Mbreti plak i shikoi disi përqeshës hulumtuesit e tij, ndezi një cigare në qelibar, e mori bastonin dhe iu drejtua të pranishmëve.
“Më dëgjoni të besuarit e mi, - nisi të flasë me gjithë mendje, si kurrë më parë. - Kur populli hesht, diçka bluan në mendje ai, atëherë flet heshtja e tij dhe ka rrezik të rrebelimi të tij. Heshtja e popullit është përgjigjja më e mirë që na është dhënë, është pasojë se ju nuk keni qenë shpesh në mesin e tij, nuk i keni vërejtur dhembjet e mungesat e tij, nuk ua keni plotësuar dëshirat. Tani bëhuni gati që sa më me pak dhembje të përballeni me dënimin e tij nëpër bajraqet tuaja zgjedhore. Nuk keni më shansë të jeni afër pushtetit të mbretit. Ai, pra populli, nuk flet shumë, por bën shumë përpjekje, kërkon e gjen zgjidhje për veten e vendin, jep vërejtje pushtetarëve se kanë gabuar dhe nuk i duhen më atij”.
Vërtet ndodhi ngjashëm. Sovrani organizoi zgjedhjet dhe këshiltarët e tij nga bajraqet e vilajetet më nuk morën votën e popullit, sepse shumë nuk dolën të voitojnë askë, disa ia dhanë një tjetri, kurse kishte që edhe për inat të tyre ia dhanë kundërshtarit.
“Zotëri mbret, te ne shpesh kanë ardhur njereëz duke na trimëruar se na duan dhe na përkrahin, asnjë herë nuk ka ardhur kush të na shfaq pakënaqësinë”, - pati guxim të shoreh befasinë njëri nga këshilltarët.
“Ata që kjanë ardhur, me disa prej të cilëve edhe kam biseduar unë, kanë qenë puthadorë dhe njerëz me njëqind fytyra”, - iu përgjigj mbreti. - Kanë ardhur na shfaqin dashurinë e tyre ndaj nesh, por kanë ardhur që të mund të marrin ndonjë mirësi nga unë ose nga ju. Mirëpo, ata kanë mundur të jenë 100 e 1000 veta, por jo me milionë njerëz. Me miliona veta kanë qenë populli që kurrë nuk ka ardhur në pallatin mbretëror të ankohet, por që punët i zgjedh në heshtje larg nesh, pa iu dëgjuar fare zëri. E, pikërisht ata që ishin këtu, që thonin se ju duan, se e duan mbrtetin, janë varrmihësit e pushtetit tonë, e që ju nuk e keni hetuar këtë. Populli kur të vie këtu, ju nuk keni vend në pallat”, - fliste mbreti, të cilin as edhe një herë më parë nuk e kishin dëgjuar e parë të rreshtonte fjalitë me kaq njëmendësi e pjekuri.
Ende pa i mbaruar fjalët, jashtë oborrit u dëgjua zhurmë e padëgjuar deri më atëbotë. Populli kishte ardhur dhe kërkonte dorëzimin e pushtetit.
“Ja, ky është populli që nuk na ka ardhur kurrë, e jo si lëvduesit tuaj puthadorë që për çdo ditë na vinin, - iu drejtua mbreti këshilltarëve të tij, duke i curruar veshët te dritarja e rezidencës. – Ikni nga dyert e mbrapme dhe lëshojani pushtetin popullit pa asnjë grimcë përballjeje me të”.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen