Donnerstag, 23. Mai 2013

Anekdota popullore shqiptare (4)

UNË KUJTOVA SE PO THUE: “A E PA SHPINONJËN?”
 
            Njëri  e merr të birin dhe e qon në mal për t’i parë shtazët e egra se si po jetojnë. Këqyrin e këqyrin dhe dikur e panë një shqiponjë qysh e kish zënë një lepur dhe ishte duke e ngrënë. Pakë më larg e panë edhe një dhelpër që ishte bërë pupërr dhe shikonte. Kur fluturoi shqiponja, dhelpra u afrua te mbeturina e lepurit dhe filloi e po i merr erë e po ja lëpinë gjakun...
            Kur i shikuan mirë, plaku e muarr të birin dhe u nis për shtëpi. Duke ecur rrugës, priste çfarë po i thoshte i biri. Masë një copë rrugëtim, djali po i thotë:
            -Babë, a e pa dhelpën si e l’pike gjakun?
            Babës nuk i erdhi hiq mirë dhe ja ktheu me hidhërim:
            -Eu, bre bir, eu! Unë kujtova si po thue: “A e pa shpinonjën si e preu leprin” e jo “dhelpën si e l’pike gjakun”. Se unë kam qef t’bahash si shpionjë...
 
 
 
            QOU NJERI E HA PËRSHESHIN
 
            Ishte zgjuar një i Berishës në mëngjes i mrrolët dhe nis e po pinte duhan. E shoqja ja bëri kafjallin gati, bukë të misrit të ftohtë, e po i thotë:
            -Avytu njeri e ha kaftjall e t’shkojmë n’punë!
            Ky edhe kur e pa përsheshin me bukë misri, po i thotë:
            -Grue, largoma pash zotin qatë përshesh se telashet që i kam unë unë, n’men për bukë s’po m’bjen.
            -E pse njeri, çfarë telashesh ke ti? - e pyeti gruaja.
            -Qysh bre çfarë telashesh kam: A e di ti që na kanë dek t’part e fisit e m’ka metë fisi n’krye?
            Gruaja u kthye e po i thotë:
            -Çou njeri e ha përsheshin e dil n’punë, se n’koftë metë fisi n’ty, paskemi marue për shtatqin vjet!
 
 
 
            NJA, VLLA, EDHE ATA SAKAT
 
            Njëri po e pyet një të Gjakovës:
            -Sa djem i kie bre jaran?
            -Nja, valla, edhe ata sakat.
            -Po shka t’mirën ka?
            -Kurgja, e pinë duhanin, njanën dore gjithmonë e ka nxanë.
 
 
 
            QËLLOFSH TI E JO BABA
 
            Po e pyet djali babën:
            -Babë, me u rrah dy te mençur a duhet me ndërhy?
            Baba po i thotë:
-Jo djali i jem nuk ke nevojë se të mençurit nuk rrahën.
-Po me u rrah një i mençur e një budalla atëherë a duhet me ndërhy?
            -Jo - i tha prapë baba, se i mençuri gjen një shteg dhe lëshon rrugë.
            -Po me u rrah  dy budalla?...
            -E aty djali jem qëllofsh ti e jo baba.
 
 
 
            NJERIU I KEQ NUK I BAN DAM SALL VETES
 
            Kishte qenë zakon në një vend, kur dikush bënte ndonjë punë të keqe, nuk e qortonte kush, po thoshin : “Gjithsecili berr virret n’kambë t’veta”.
            Një ditë prej ditësh, njërit i mbushet kupa me ato fjalë dhe shkon e ta blenë një dash. E merr dashin, e pret, e rrjep dhe e varë në një lis. Pas disa ditësh filloi mishi i dashit të prishet (qelbet) dhe të kundërmoj aq shumë sa që e “qelbi” gjithë qendrën e atij vendi. Njerëzit u mërzitën dhe  u mblodhën e shkuan e po i thonë:
            Hiqe aq dash prej këtuhit se na more n’qafë prej erës  s’keqe.
            Ai u përgjigj:
            - Shka po ju banë dashi? Ai asht i varun n’kambë t’veta? Ju vet po thoni: “Gjithsecili berr varet n’kambë t’veta”. A po e kqyrni pra që ky dash, edhe pse i varun n’kambë t’veta, po e qelb krejt qarshin. Ashtu si ky, edhe njeri i keq nuk i ban dam sall vetit, po krejt miletit.
 
 
 
            KALI I KA KATËR COPË  EDHE HA DAJAK PËR DITË
 
            Një familje kishte ndërtuar një shtëpi të re, dhe, si ishte zakon, dëshironin ta varnin dhe një patkua kali mbi derë, si simbol që sjell fat dhe mbarësi. Por, para se me e vendos patkoin, menduan se është mirë me shkua me e pyet edhe Hoxhën e fshatit, si njeri i respektuar dhe me e marr edhe mendimin e tij.
            Shkuan në Xhami tek hoxha dhe po i tregojnë për dëshirën e tyre.
            -Çfarë more?! Doni me varë patkoin e kalit mbi derë t'shpisë a?
            E pse? -i pyeti hoxha.
            -Po thonë se o sevap o hoxhë. T ‘hecin punët mirë e marë kur e var ni patku mbi derë.
            -Sa budall që jeni! -po u thotë hoxha, -po kali i ka katër copë si ato edhe ha dajak për ditë, e ju po doni me ju hecun puna mirë e mbarë me nja.
 
 
 
            FAJIN E KA BABA QË SE KA ZGJEDH NANËN
 
            Një plak, dikur, bartte ujë më kënata. Sapo arrinte në breg... një fëmijë shkonte dhe ia  zbrazte kënatat... Plaku i urtë e i mirë nuk i bënte asgjë. Shkonte prapë që t’i mbushte me ujë.. 1 herë, 2 herë, 3 herë...  Të katërtën herë Plaku e pyeti fëmijën:
            -I kujt je bre djalë i mirë...
            -I filan fistekut... përgjigjet fëmija!
            -A e din çfarë babë të mirë ke e ti po bën këso sherresh?
            -Nuk kam faj unë axhë, fajin e ka baba që se ka zgjedh nënën...
 
 
 
            S’PATA QARE PA RREH  MAGJUPIN SE MA PAT RREH ASLLANIN
 
            Kishte qëlluar Ramadan Shabani në një odë të burrave, por aty kishte qenë edhe vëllai i tij, Asllani.
            Dhe Asllani (vëllai i Ramadanit), jo bash i mençur, kishte pas folur shumë.
            Veç fliste se si i kishte rrahur njerëzit, duke u paraqitur kështu trim i madh.
            Dikur i thonë burrat Ramadanit:
            -O Ramadan Shabani, e paske vllaun trim t’madh! Paska rreh shumë njerëz! Po ti Ramadan a ki rreh naj njeri?
            -Ramadani  po u thotë:
            -Po, unë e kam rreh ni herë ni magjup.
            -Qysh Ramadan me rreh magjupin... ti  burr pleqnar?
            -Ehhh more burra! S’pata qare pa rreh se ai magjupi ma pat rreh qet Asllanin, tha Ramadan
Shabani.
            Asllani uli kokën e nuk ju dëgjua zëri ma.
 
 
 
            UJKU VEÇ MERR E S'LE KURGJA
 
            Kur i kish pas ra njërit ujku në torishtë, bërtitke:
            -Ujku more heeejjj!...
            -Oooouuuu, çka u ba, more?
            -Më ka ra ujku o heeejjj.
            -A la, a muer gja?
            -Po, a je në mend heejjjj? Ujku veç merr e s'len kurrë kurrgja.
 
 
 
            PO DËGJOI ÇKA NUK KAM DËGJUAR, DHE PO SHOH ÇKA NUK KAM PARË
 
            “Një plak ishte ulur buzë rrugës dhe po shikonte kalimtarët e rastit që po kalonin aty pari. Dy mëzo burra, tek po kalonin aty pari e përshëndesin plakun dhe po ulën pak pranë tij. E  ndezën nga një duhan dhe njëri nga ta po e pyet plakun:
            -Mixhë, a je lodhur, a si po ia kalon?
            Plaku i mbetur vetëm po i shikon e nuk po iu përgjigjet fare!
            Tjetri, po i thotë, shokut të vet:
            -Po ti lëre he burrë, a nuk e sheh se e paskan lënë veshtë.
            Ai, prapë po i thotë:
            -Mixhë, a po dëgjon, a po sheh?...
            -Po, mor bijtë e mi - ua ktheu plaku:
      -Po dëgjoi çka nuk kam dëgjuar, dhe po shoh çka nuk kam parë, kurrë më parë në jetën time!
 
 
 
            KOT KËRKON NATËN ATY KU NUK MUND TË GJEJ UNË AS DITËN
 
            Shkrimtari i madh Francës Honore de Balzak, siç e dimë, tërë jetën ishte ballafaquar me probleme financiare dhe kurrë i shkreti nuk kishte pasur para.
            Një mbrëmje, derisa Balzaku po flinte, kupton se në banesë i kishte hy një hajdut dhe po kontrollonte nëpër dollap. Duke mos mundur të përmbahet, Balzaku fillon të qesh me të madhe. Hajduti i habitur nga kjo skenë por edhe pak i frikësuar, ashtu spontanisht po e pyet:
            -Çka këtu për të qeshur?
            Balzaku, duke qeshur vazhdimisht shumë këndshëm, po i thotë:
            -Qesharake është, se aty ku je ti duke kërkuar para natën, unë  nuk kam mundur t’i gjejë as në pikë të ditës! - dhe vazhdon të qeshet edhe më tej.
 
 
 
            SHKA ASHT HALLALL?
 
            Njëri po e pyet hoxhën:
            -Hoxhë, shka asht hallall?
            -Çdo gja qi fitohet me njerës, asht hallall.
            -Eh, hajër bafsh qi m’kallxove, bre hoxhë, se pramë e kemi vjedhë me bacin ni bletë e jemi kanë ba ujë pi njersve. Masi tek jemi njersë, hallall e paskemi, -tha edhe shkoi n’punë t’vet.
 
 
 
            DJATHI I NJELMËT
 
            Një fshatari një natë ia vodhën djathin. Të nesërmen ai shkoi te kroi e po ruante. Atypari kalojnë do burra e po e pyesin:
            Çka po ruen  k’tu, o mik?
            Ma ka vjedhë dikush djathin e po e reuj.
            Shko, more mik, e bjeri mas nëpër katun  e kshyr kush ta ka vjedhë e mos prit kot k’tu!
            Jo, jo, s’ashtë nevoja. Po e pres qitu, se i kam qitë shumë kryp djathit e qitash vjen me pi ujë tu kroni ai qi e ka vjedhë.
 
 Pjesa dërmuese e anekdotave që janë të vendosura më poshtë  janë të marra nga librat: “Anekdota 2”, botuar nga Instituti albanologjik i Prishtinës,  dhe disa forume në internet .
 
 
            MA MIRË TË M’HANË DREQNIT E MI
 
            Një fshatar shiti tokë e shtëpi në Arllat e shkoi e zuri vend në katundit Lloznicë. Qëndroi nja dy vite e nuk mundi të bëhet rehat as aty. E shiti edhe aty tokën e shtëpinë e u kthye prapë në Arllat. Një plakë po e pyet:
            -Pse e pate lshue Arllatin e dole n’Lloznicë?
            -Pse m’u paten lye me m’hangër pesqin dreqën.
            -Po pse s’nejte n’Lloznicë e erdhe prap n’Arllat?
            -Se atje i gjeta nimij dreqën e thashë: “Ma mirë le të m’hanë pesqin dreqnit e mi”, edhe u ktheva prap n’Arllat.
 
 
 
            PSE S’PO M’VETNI PËR RRAFSH?
 
            Një plak i urtë ishte pas nisur për rrugë. Rrugës po takohet me disa udhëtar të tjerë dhe gjatë bisedës këta po e pyesin:
            -O mixhok, a kie ma qef me hecë përpjetëz a teposhtës?
            Plaku po e quar kokën po iu përgjigjet:
            -Lanet i koftë njanës edhe qetrës! Po pse s’po m’vetni për rrafsh?

1 Kommentar:

  1. Njeriu duhet pas kujdes kur shruan ose i prezenton opinionit te gjer. Keq enterpretimi ose dizinformimi shkakton pknaqsi tek dashamiret, adhuruesit e e kesaj pasurie kombetare - anekdotave. Kurse emrat, qe disa i keqperdorin, i lendon shum familjaret, ne ket rast kur permendet i madhi Ramadan Shabani. Sa per informat, ai i ka pas edhe kater vllezer, te gjith te menqur e burra te fjales, te urt e te respektueshem. Ishte fjala per Asllan Shabanin, i cili pas vdekjes se vllaut Ramadanit, me plot sukses dhe respekt, vazhdoj rrrugen, ne pajtimin e gjaqeve. Pra, nuk qendron fare ajo qe ju prezentu opinionit. Kte duhet kerkuar, dhe e gjen diku tjeter, me siguri.

    AntwortenLöschen