Donnerstag, 23. Mai 2013

Anekdota popullore shqiptare (9)

 Nga librat: “Anekdota 1 dhe 2”, botuar nga Instituti albanologjik i Prishtinës,  dhe disa forume në internet .



                                              ALI PASHA DHE NAPOLEONI

            Napoleon Bonoparti i kërkoi Ali Pashë Tepelenës një sasi gruri për ushtrinë që kishte në ishujt grekë.
            Sekretari formuloi përgjigjen me terma të zgjedhura dhe nisi t’ia lexonte pashait.
            Aliu menjëherë e ndërpreu dhe i tha:
            - Nuk më duhen fjalët e mëdha, prandaj shkruaj këto që po të them:
            "Napoleon, dërgo paratë të marrësh grurin!"
 
 
 
THAJE NË KANDAR!
 
            Ni katunar e ço' do drith n'dugajë. Shërbetori e mat drithin. E she' drithi që a i lagët. Po i thot dugajxhisë:
            - Baca Rremë, kollomoqi kanka i lagët.
            - Thaje n'kanar, bacë, thaje n'kanar! - i tha Rrema.
 
 
 
UN-I E TI-HJA

            Ish kanë shkue njani musafir tu ni mik i veti. Tuj u falë nërmje'veti, po i thotë musafiri t'zotit shpisë:
            - Qysh jeni, more mik? A keni punue a keni vye?
            - Mirë jemi, po m'ka hi TI-hja n'shpi e do me m'qitë fare.
            - Pse? - e veti miku. - Nuk po t'marr vesh. Shka ashtë  kjo TI-hja?
            - A s'p'e din a? Qe po t'kallxoj shka ashtë; Kur e pata UN-in i pata punët n'terezi e u bana shpi.
            - Qitash ma hupe krejt. S'p'e di as shka ashtë TI-hja as UN-i.
            - Qe, bre mik. Sa herë u thojshna mashkujve: "Kush po shkon n'mal ose n'mulli, ja me ba naj punë tjetër", secili thojke: "unë po shkoj". Puna shkojke mirë e u bana shpi. E tash, kur po i porositi mashkujt me ba naj punë, ata po i thonë njani tjetrit: "Hajt ti e bane!", e ky: "Shko ti", ai "ti", puna po jet pa u krye. Unë jam tu fikë. Qekjo ashtë TI-hja që po t'qitka fare.


 
 
KAM’ËT HEJKIN PËR KRYE BUDALLË
 
            Niset njani pej shpije për ni punë. N’vên qi me sose punë shpejt e me i ra shkurt, nget gjithë ditën posht’ e përpjetë e gja s’un nreq. E nxe aksham’i n’ni katun. Bjen.. n’konak tu ni Mik i veti. Kur merr m’i shtrue miku me ra mas darke, ja shtro dyshekun edhe, ja qet jastakun. Ky muer me ra. Kamët i qiti n'jastak e kryet n’fun të dyshekut. Miku po i thot:
            - 0 mik, për si mrapshti je ra, se kryet duhet m’e, qitë n'jastak e jo kamët.
            - Jo, bre mik, se mirë jam, ra, ju përgjegj musafiri, se kam’ët hejkin për krye budallë. Gjith ditën kamët kanë hekë për kta krye budallë e tash kamët ne t’pushojnê rahat n'jastak e jo kryet, se se meriton.
 
 

GRUNI EDHE QITELI

            Ishin kanë niher tuj fshi grun do burra. Njani pej puntorve e kishte pasë ni qiteli me veti. Aty ish kanë ni bujk podrimcak që kurrë s'e kish pa qitelinë me sy. Si e pa u çudit fort edhe p'e vet t'zotin e qitelis:
            - Po shka është qeky sen, bre jaran?
            - A, bre shok, me ba me e pasë qet sen, kurr miza s'ta han grunin n'hamar.
            - Po qysh, bre, a ka kun me e ble, se vallah p'e blej nja, veç kallxom qysh shkon kjo punë, - po i thotë bujku atina shahirit.
            - E, more jaran, si ta blejsh qeta, meniher m'sohesh me i ra e si t'msohesh, kije me hup kohë mas ksaj. Tani as s'kije me mjellë as me korrë, as me fshi. E ku n'dreq t'mallkuem me pasë grun n'hamar tondin për me ta hangër miza.
 
 
 
ISA BOLETINI NË LONDËR

            Në marsin e vitit 1913, një delegacion shqiptar me Ismail Qemalin, Luigh Gurakuqin, Isa Boletinin etj., shkuan në Londër, ku mbahej konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha, të cilat do të caktonin edhe kufijtë e Shqipërisë. Kur delegacioni hyri në Ministrinë e Jashtme, sipas rregullit, Isa Boletini dorëzoi koburen. Ministri i Jashtëm, Eduard Grej i tha Isa Boletinit:
            - Gjeneral, nesër gazetat mund të shkruajnë se Isa Boletinin që s'mundi ta çarmatoste Mahmud Shefqet Pasha, e çarmatosën në Londër.
            - Jo besa, as në Londër jo, - u përgjigj Isai dhe nga xhepi i jelekut nxori nagantinë (koburen) tjetër.
 
 
 
M'PASKET NIMUE BOLL
 
            Ish kanë ni shpi, i kish pasë disa mashkuj, gjenjen e mirë e edhe mullinin e kishin t'vetin. Ni kojshi i tyne e çon ni  thes  për blojë. Për ni thes priton me e ngjitë penden e kijeve n' kerr, po e merr n'shpinë me e çue vetë. E len thesin aty dhe pvet:
            - Për kur bahet!
            - Për nesër.
            Nesër shkon ky me e marrë blojën. Thesin p'e ngjeh se asht i veti, por s'po ja merr menja se po i doket ish zvoglue tepër.
            Katër-pesë vllaznit n'mulli tuj punue; secili kish marrë ujem n'at blojë, pa e ditë qi kanë marrë edhe vllaznit tjerë ujem para tij.
            Njani vlla po i thotë:
            - Ky asht thesi yt?
            - Po, po.
            - Ani, a po don t'nimoj? (me e ngarkue n'shpinë)
            - Jo, bafsh hajr, se m'pasket nimue boll, - edhe  e muer e e çoi thesin.
 
 

PUNA PA DUER
            Ish kanë ni njeri fukara. Shpija e Jetullah Gjinit, praj katunit Tërpezë, e kishte pas majtë at fukara. Shkoi ni ditë Jetullahi, i tha Zymeri:
            - He, bre Zymer, mirë bane që erdhe me punue dishka.
            - Po s'po muj bre me punue! - i tha Zymeri, se ish kanë plakë e njeri i lodhun.
            - Hajt se ta gjajmë ni punë pa duer - edhe e shtini m'u pri kijeve.
            Ishte t'foftë i madh e fryjke veri. U thojke Zymeri njerzve prej gazepit t'ftoftit:
            - Qekjo kanka puna pa duer!


 
 
FUK E N'DUSHK
 
            Ni ditë nja dy veta i kish zanë pylltari tuj marrë dru në pyll pa leje. Iu drejtua njanit:
            - Si e ke emrin?
            - Fuk e ndushk, - ja priti ai.
            - Po ti? - i tha tjetrit.
            - Fill mas tij
 
 
 
NIKOLL KAÇORRI DHE FLAMURI

            Në kuvendin mbarëkombëtar me 28 Nëndor 1912, kur u shtrua për diskutim koha për ngritjen e Flamurit, patrioti i shquar Nikoll Kaçorri, ngrihet dhe thotë:
            "Burra, në qoftë për të vdekur nesër, më mirë vdesim sot!" dhe i zgjat flamurin Ismail Qemalit, i cili nga ballkoni i ndërtesës e shpalosi para mijëra njerëzve nga gjithë Shqipëria.

 
 
  TI MUNDESH ME U BA MBRET, POR NJERI KURRË
           
            Na ishte një herë një djalë i mbrapsht dhe i pa karakter. Nuk linte gjë të keqe pa bërë mbi tokë. Baba i tij, një pakë shumë i ndërgjegjshëm e qortonte përherë, duke i thënë se me këto sjellje të shëmtuara që je duke i bërë, ti kurrë emër të mirë nuk ke me i bërë vetit - kërkushi në jetë nuk ke me u ba, por ai as që ja varte atij dhe vazhdonte me shëmtitë e veta.
            Një ditë djali del prej shtëpisë dhe nuk kthehet më!...
            Pas një kohe, po vinë dy kasnec, po marrin plakun e po e dërgojnë tek mbreti. Kur çka me pa plaku i shkret - mbret ishte bërë djali i tij.
            Djali po i thotë , tash babës:
            - Hë babë, a po e sheh ku kam m’rri? Ti më thojshe se kërkushi në jetë nuk kam me u ba! Unë u bana mbret... dhe filloi të qesh me ironi.
            Plaku e shikoi pak, dhe ja ktheu:
            - Eh more djali jem - ti mundesh me u ba gjithçka, edhe mbret siç je ba tashti, por NJERI kurrë s’ke me u ba!
 
 
 
BOLL MA...
 
            Ish kanë ni katunar e e përziu drithin me dhe për me i ardhë ma rand e e çon n'magazin me e shitë. Magazinjeri ish kanë i drejtë. E kqyr drithin edhe e pa t'përziem me dhe. S'po i thotë: "Pse e ki t'përziem me dhe", po po e vet:
            - Sa vjet i ki?
            - Gjashtdhjetë.
            - Boll ma, - i tha magazinjeri - hiq dorë prej ktyne seneve sa vaktin a!
 
 
 
GJERGJ FISHTA DHE SHKRIMTARI SERB
 
            Poeti kombëtar Gjergj Fishta shkoi në një konferencë shkrimtarësh në Romë. Në konferencë merrte pjesë edhe një shkrimtar serb, i cili në një libër të tij kishte shkruar se shqiptarët janë me bisht. Kur të gjithë u ulën për të filluar konferencën, Fishta ndenji në këmbë.
            - Zotëri, a nuk keni karrige? - e pyeti drejtuesi i seancës.
            - Karrigen e kam, por nuk ka vrimë ku të fus bishtin, - u përgjigj Fishta.
            - Cilin bisht? - e pyeti i habitur drejtuesi i seancës.
            - Bishtin që kemi ne shqiptarët, për të cilin ka shkruar ky shkrimtari serb, - tha Gjergji duke shënjuar serbin.
            - Ju lutem zotëri, mos bëni shaka! - foli përsëri drejtuesi.
            - Nuk po bëj aspak shaka, - u përgjigj Fishta, - sepse serbi, o do të gjejë bishtin shqiptarëve, për të cilin ka shkruar, o të dalë përjashta i turpëruar.
            Shkrimtari serb nuk e zgjati, por kokulur dhe i mbuluar me turp, doli nga salla.
 
 

SI E NJOFTI MYSAFIRI TË ZOTIN E SHTËPISË

            U nis njani për udhë. E zuni nata e ra mysafir n'ni shpi. Thirri. Duel i zoti i konakut edhe e përcoll e e shtini mrena. U ungjën të dytë n'odë. I zoti i shpis nuk ja niske kurrfarë muhabeti. Edhe mysafiri nuk e dike se çka po menon ai, e mos po e ka mërzi këta si mysafir. Për mi çelë t'zotin e shpisë, me e kuptue se çka menon edhe çka është, po ja nis muhabetit për me nxjerrë fjalë. Tha:
            - Kah kam ardhë udhës, e kam pa njanin tuj livrue me dy kije çifta sikur molla.
            I zoti i shpis nuk foli. E kuptoi mysafiri që nuk është puntor .
            Masanej prap foli mysafiri:
            - Kah erdha udhës e takova njani me ni penë kual me kerr. Ish kanë tuj shkue për udhë e qekaq ishin kanë t'hijshëm kualt edhe qekaq shkojshin mirë saqi nryshe s'ban. Zemra m'met n'ta. Apet i zoti shpis nuk bani za. Apet mysafiri e kuptoi që nuk është puntor që punon me kual.
            S'treti herë mysafiri apet tha:
            - E kam pa njanin sot tuj gjuejtë me zagar. I kish dy zagarë t'mirë që zemra me tu rritë.
            Apet i zoti i shpisë nuk bani za. Apet e kuptoi mysafiri që nuk është gjuetar. Nejti pak mysafiri e foli prap:
            - I kam pa dy gra tu ni krue tuj la tesha saqi nuk ban mu kan ma t'mira.
            At'herë i zoti i shpisë u çue edhe tha:
            - Çfarë ishin?
            - Njana ish kanë e vogël e njana ish kanë e madhe.
            - Çfarë teshash kishin pasë?
            - Njana kish pasë qeso tashash, njana qaso teshash.
            - Apet i zoti i shpisë e veti, për me marrë vesh a ishin kanë bash ato që i ngjihke vetë:
            - A e kish pasë njana anterinë e zezë?
            - Po
            At'herë mysafiri e kuptoi që i zoti i shpisë as nuk ish puntor i tokës, as i kualve, as nuk ish i gjuetisë, po ish njeri që i njekte femnat.
 
 
 
PIJE, PIJE SE PO MENONI QË  KOLLAJ E KOM
 
            Ishte njëherë një njeri pijanec dhe dita ditës pinte çdo herë e më shumë dhe familja po e qortojnë, sepse i shkaktonte dëm vetes dhe dëme financiare familjes. Kur një dite del në qytet pijaneci me grua.
            Ulen për te pi. Kamerieri e pyet pijanecin:
            - Çka doni me pi?...  
            Ai po thotë:
            - Për mua dhe gruan time, nga një gotë raki...
            Pas pak kamerieri i solli pijet dhe pijaneci e çoi gotën. Derisa gruaja po provon ta pijë kthehu kah burri i thotë:
            - Çka osht??? - ...eh ky po ja kthen:
            - Eee pije, pije se po menoni që edhe unë kollaj e kom.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen