Donnerstag, 23. Mai 2013

Anekdota popullore shqiptare (10)

 Nga librat: “Anekdota 1 dhe 2”, botuar nga Instituti albanologjik i Prishtinës,  “Anekdota popullore (2)” të autorit Mehmet Bislimi dhe nga disa forume në Internet.



          KUR T'BAHET SHPIJA UK, ÇKA T'VYEN RRNESA?

            Ish kan Xhemajl Izbica e Asman Zeka i Kllodernicës e shkojnë me bujtë ni natë te tezja e vet.
             Ata rrinë tri net ngjim te tezja e, kur banë m'u çue, i thanë tezes:
            - A po len Asmanin t'shkojmë me bujtë n'Izbicë nja dy tri net?
            - Jo, se s'ka kush i kqyr gjanë edhe nestra ka mej ngjitë kijet e me livrue.
            - Qysh s'pi len me ardhë Asmanin te unë? A p'i sheh që unë nejta tri net te ti e ky pse s'vjen me nejtë tri net te unë?
            - Jo, bre teze ta pafsha hajrin! - i tha tezja. - Unë po pritoj mi lanë Asmanin me ardhë dej n'qat derexhe që je ardhë ti e s'kije kurgja kryeshpirti, se, kur t'bahet me t'u ba shpija jote uk, çka t'vyen rrnesa?
 
 

            SALËN E KAM PËR VETI
 
            Ni i mramoars e çon djalin te ni kojshi me ja lypë ni shalë.
            Djali  ish kanë pak si belban. Fjalët si u nisshin me "sh", ai i niske me "s". Shkon te kojshia e po i thotë:
            - O baca Man, tha baba ama salën, se po don me shkue diku me kali!
            Gruaja e Manit e kish pas emrin Salë, e Mani tash po i thotë k'ti djalit:
            - Thuej ti babës tan, edhe pa kali kishe me marrë udhë me Salën po unë s'po muj ta dhanë, se Salën e kam për veti.
 


 
            DE T'ÇOHET MUSAFIRI E DE T'PI VETË!

            Ish kanë ardhë ni musafir tu ni Ramë Dema i katunit Strellc.
            A'kanë burrë i mirë ai Ramë Dema, burrë me za edhe shpi e mirë, mashkuj bukur shumë ka pasë.
            Kishin pa' hangër darkë t'mirë, koha e dimnit, mish e lakna.
            E merr etja musafirin. Me britë t'madhe e me i thanë atij n'fun sobë: "Qitma do ujë",' i ki pas ardhë marrë. I thotë qatij që e kish ngat veti:
            - Ibish qitma 'i tas ujë!
            Ibishi ki' pa' pritue m'u çue; i thotë t'vllajt, përfuni tina:
            - Dervish, qitja do ujë!
            Edhe ai priton m'u çue e i thotë tjetrit vlla:
            - Mustafë qitja musafirit do ujë!
            Edhe ai priton m'u çue. N'fun koka kon ni Mehmet. I thotë:
            - Mehmet, qitja do ujë musafirit!
            - De t'çohet musafiri e de t'pi vetë! - thotë s'mrami Mehmeti.

 
 
            KUSH E KA MA S'ZORI...?
 
            Rexhë Hysenin e Bellopojës e kishin pasë vetë:
            - Kush e ka ma s'zori, pej burrave t'mençur?
            - Binak Alija - tha Rexha - e ka ma s'zori, se Ali Binakun e ka pasë babë. Ai u kanë burrë i mençur edhe trim. E tash, Binaku duhet m'i rue veten edhe babën e vet.
 
 
 
            SJAP PAK E MAL SHUMË

            Ni çoban i ruejke dhitë. Ni ditë i hupi sjapi. Kthehet m'i lypë sjapin n'mal. Kur shkon afër bjeshke, nalet e po kujtohet. "Ahu kjo bjeshkë shumë e madhe e sjapi i vogël!". Menohet me vedi e nuk ja merr menja hiç me hi n'bjeshkë e m'e lypë sjapin. Kur kthehet tu shpija, p'e vesin:
            - A e gjete sjapin, more?
            - Jo, valla, as s'ja fillova m'e e lypë hiç se sjapi i vogël e pylla e madhe - mal shumë e sjap pak, e lash e erdha pej shpije.

 
 
            HAJT, NANË, HAJT, VETË FOL E VETË ZAVITU
 
            Ni nanë e kish pasë ni djalë lazdran. Kur vike dimni gjithë ditën zavitej me saj e i shkyjke teshat. Nana e qortonjke përditë, po për 'i pare. Ni ditë djali duel n'ni breg ngat shpisë me u zavitë. Pahiri i pshton saj teposhtë. P'e thirr nanën:
            - Oj nanë, pash kryet tan e temin hajde mirma sajin!
            Nana shkon e ja çon. Kur mrrin n'breg ish lodhë e ish mushë frymë. Djali i tha:
            - Ungju  n'saj e pusho pak!
            Nana u ungj. Ky e shtyni teposhtë me gjithë saj. Po i bërtet:
            - Hajd, nanë, hajt, vetë fol e vetë zavitu!
 
 

            DJALI PËRTAC

            Ni babë i kish pas dy djem: i madhi Hamza, i vogli Hasani.
            I tha plaku 'i mramje djalit t'vogël:
            - Qitma, Hasan ,'i gotë ujë!
            Hasani ish kanë lodhshëm. Bani kishe s'po nin e s'luejti venit.
            - Uh, bre babë! - ja priti djali i madh, Hamza, - po ti e di mirë që sa hajri i Hasanit. Qou vetë e pi uj, e qitma edhe mue 'i gotë.
 
 
           
            NUK I THRRAS KOB NANËS TANE
 
            Ni i verbofcas shkon asker edhe, kur mërzitet fort, ja çon babës ni letër edhe po i thotë:
            - Lum baba, çoma ni telegram thuej se nanën e kam fort smutë, tuj dekë, e nashta m'leshojnë naj ditë me ardhë te shpija!
            Baba iu përgjegj:
            - Jo, biro, jo! Nuk jam unë budallë e me i thirrë kob nanës tane!
 
 
 
            PO UNË KËTË  PO E BEJ EDHE TASH!!!
 
            Një i pasur shkon për pushime në një vend bregdetar.
            Duke pushuar nën çadër po e sheh një peshkatar që ishte shumë i shkathët në përdorimin e grepit!... I afrohet peshkatarit dhe i ofron që të bëjnë biznes! I thotë atij se do zënë peshk dhe do fitojnë para...
            - Po pastaj? - e pyet peshkatari!
            - Pastaj do blejmë grep më të mirë e do zëmë peshk më shume dhe do shumëfishojmë paranë! - ja kthen i pasuri.
            - Po pastaj, pastaj? - prapë e pyet peshkatari!
            - Pastaj do blejmë anije e do zëmë peshk me tonelata e do bëhemi shumë ta pasur - po i përgjigjet i pasuri.
            - E kur të bëhemi kaq të pasur, pastaj çfarë do bëjmë? - vazhdon me pyetje peshkatari.
            - Pastaj do ulemi bashkë e do peshkojmë për qejfi - po i thotë i pasuri!
            - Po unë këtë  po e bej edhe tash!!! - u përgjigj peshkatari...
 
 
 
            TË DY KANË TË DREJT!
 
            Në Kuvendin e Kosovës, kishte ndodhur një incident verbal mes dy deputetëve që iu takonin subjekteve të ndryshme politike.
            Pas një debati të nxehtë, njëri nga deputetë, po e fyente deputetin tjetrit:
            - “Rri aty e mos fol, mor hut, gënjeshtar, huligan, rrugaç e injorant, dallaveraxhi e zagar, hajn e kusar!”...
            Ndërkaq, deputeti tjetër, duke treguar mos përmbajtje ia kishte zbrazur tjetrit, po në të njëjtën masë:
            - “Ëëë, mor imoral e tradhtar, naiv e zagar, maskara e shpifës, intrigant e pis, t’i thyej hundët dhe dhëmbët, hajdut e injorant!”...   
            Në një odë burrash, tek po e përcillni seancën për mes TV-ës, njëri nga të pranishmit, po i drejtohet një plak të urtë që kishte rastisur aty:
            - Hë, axha Rifat, çka po ta merr mendja ty; cili ka më shumë të drejt?
            - Qe besa mor djalë, më ke futë në siklet, por megjithatë këtë pleqni, nuk është vështirë me e nda, pasi që të dy kanë të drejt?!
            - Si kanë të dy të drejt, këta po shpifin njëri- tjetrin?!- po e pyet ai me habi Rifat plakun.
            - Jo qe besa, këta nuk po shpifin njëri-tjetri as pak, krejt çka po i thonë njeri-tjetrit, janë të sakta, prandaj që të dy kanë të drejt!- ia ktheu përgjigjen atij Rifat Plaku.
 
 
 
            KUJT I FRIKOHESH MË SHUMË
 
            Para shumë kohësh dy burra të armatosur po bisedonin ndërmjet vete dhe njëri po e pyet  tjetrin:
            - Pashë besën, a nuk më thua kujt i frikohesh më së shumti në këtë jetë?
            - Pasha besën grave! - ia ktheu tjetri.
            - Pse grave? - po e pyet ky krejt i habitur
            -Sepse, gratë lëre se t’i heqin armët, mor burrë, por t’i heqin edhe pantallonat e të lënë vetëm në brekë, e besa edhe të shtrijnë përdhe!...
            - Po, ndonjë burreci edhe mund t’i ndodhë kjo, por jo edhe burrave të vërtetë,- ia ktheu tjetri!...
 
 
 
            KU PO SHKON AXHË?
 
            Një plak ndalon një taksi:
            - Për ku je nisur axhë? - e pyeti taksisti.
            - Për në Skenderaj, - ia priti plaku.
            - Mirë, ikim, por ta kesh para sysh axhë, nëse na ndalojnë milicia serbe, ti mos thuaj se po shkon në Skenderaj, por në Serbicë se pastaj mund të na dalin fjalë me milicinë e Serbisë.
            Plaku kishte qenë paksa i “sertë” dhe ia ktheu taksistit:
            - Jo, djali i mirë, unë po shkoi në Skenderaj, të dalë kush të dalë dhe pikë!
            Aty nga mesi i rrugës taksistin e ndalojnë milicët serbë dhe, pasi ia kontrollojnë dokumentet e taksisë, e pyesin edhe plakun:
            -Ti plak ku po shkon? Plaku e vërejti se hesapi mund t’i dali shtrenjtë dhe u ngatërrua e po u thotë atyre:
            - Unë po shkoj, po shkoj në Skenderbicë!...
 
 
 
            ABDYL FRASHËRI NË DIBËR
 
            Rrugës për në Prizren, Abdyl Frashëri fjeti një natë në Teqenë e Vleshës në Dibër. Aty u mblodhën mjaft fshatarë, të cilët dëgjuan me vëmendje Abdylin, që foli për qëllimin e lartë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pas fjalës së Abdylit, njëri nga pleqtë e fshatit iu drejtua:
            - Abdyl bej, pas fjalëve të mira që na the, të japim besën se, edhe diellin sikur ta ketë në dorë sulltani, prej tij nuk e duam.
 
 

            ELEZ ISUFI DHE DIPLOMATI

            Një diplomat i huaj, i shtyrë nga politikanët serbë i thotë patriotit dibran, Elez Isufi:
            - Elez Aga, Bjeshkët e Sharrit është mirë t’ia jepni Jugosllavisë kundrejt një shpërblimi të mirë.
            Bjeshkët e Sharrit edhe sikur te jenë çifligu im, kurrë nuk i shes, lëne ma që ato janë pronë e kombit shqiptar, - ia ktheu Elezi.
            Diplomati për të ndërruar bisedë tha:
            - Zoti Elez, ku e ke qepur kaq bukur këtë kostum shajaku?
            - Ne Galican te Dibrës, - ia ktheu Elezi.
            - Interesant, - thotë me mëndje diplomati, - kurrë s'kam parë njeri me veshje Galicani dhe me mëndje europiani.
 
 
 
            TRYEZA E REZERVUAR

            Një përkthyes dhe shkrimtar i njohur polak Tadeusz Boy Zelenski po rrinte në një kafene. Vjen kamarieri dhe i thotë:
            -Zotëri, kjo tryezë është e rezervuar!
            -Ashtu, atëherë hiqe që këtej atë - i tha qetë-qetë shkrimtari, dhe me sill një tryezë tjetër.
 
 
 
            LAVDIA DHE TAULETI
 
            Një damë e bukur e pyeti një herë perandorin:
            - Madhëri, po si është e mundur që juve, që keni korrur kaq lavdi, kërkoni ende lavdi të tjera.
            Dhe Napoleoni ia priti:
            - Po ju zonjë që jeni kaq e bukur, përse vazhdoni të bëni gjithnjë tualet për t'u zbukuruar?
 
 
 
            DYMA PËR KRITIZERËT

            Një herë një kritik, po mundohej të ulte vlerat e njërës prej veprave të Aleksandër Dymasë.
            Ai citonte këtë frazë vazhdimisht:
            - “Ishte një boshllëk plotë dhembje”, të cilin autori e kishte përdorur dhe thoshte:
            - Si ka mundësi që një boshllëk të ketë dhembje?
            Atëherë shkrimtari iu kthye:
            - Po ja, ju, a nuk ankoheni për dhembje koke?

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen