Donnerstag, 4. Juli 2019

Ragip Ramaj

Ragip Ramaj

Ragip Ramaj u lind në vitin 1953 në fshatin Klinë e Poshtme të Skenderajt. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Kurse pak para se të përfundonte shkollën e mesme në Skënderaj,  e largojnë nga bankat e gjimnazit për bindjet e veprimtaritë e tij, pasi ishte arrestuar disaherë nga policia. I detyruar të lëshojnë Drenicën, u vendos në Prishtinë, ku kreu studimet për letërsi. Ka punuar gazetar në Programin për fëmijë të TVP-së. Pas demostratave të vitit 1981, e përfshinë vala e spastrimeve në TVP dhe për disa vjet i ndalohet puna e gazetarit në Televizionin e Prishtinës.
Me shkrime ka filluar të mirret si nxënës, duke bashkëpunuar me të gjitha gazetat e revistat në gjuhën shqipe që botoheshin në Prishtinë e Shkup.
Ragip Rama është fitues i disa konkurseve letrare dhe botues i revistës për fëmijë "Doruntina".


Veprat:
  • Do ta blej një gjysh, Rilindja 1982
  • Dy këmbë në një këpucë, Rilindja1987
  • Cicërrima të shqetësuara, Doruntina 1999
  • Atdheun e kam në Zemër, Doruntina 2002
  • Koridoret e Shpirtit, poezi për të rritur, Doruntina 2003
  • Mollë e Kafshuar, poezi për fëmijë, Doruntina 2003
  • Gjerdan Malli, poezi për fëmijë, Doruntina 2003



Poezi nga Ragip Ramaj


MOZAIKU I ATDHEUT

Ec e ec e ec - shtegtar malli.

Nata më përkund në djepin e atdheut
fle ngrohtë në gjirin e shtëpisë 
ku qava për herë të parë.

Në mëngjes
mbledh copat e ëndrrave të kujtimeve të fëmijërisë.

Bëj mozaikun
e portretit të dashurisë.



PËRQAFIMI I ATDHEUT

Sonte i kam duart
më të gjata se kurrë.

I zgjas mbi fusha, male, dete
e përqafoj atdheun.

E puthi në faqe
dëgjoj zjarrfikun¹) e prushit.

Shuaj blozën e buzëve
sa shumë kishin zjarrmi.

Lundroj në detin e mallit të tij
drejt Kepit të Shpresës.

Me duart e mia të gjata
sonte e përqafoj atdheun.

________
¹) Zjarrfiku - Zhurma që lëshon prushi, gaca etj. kur fiket me ujë, lëng apo mjet tjetër.



LIRIA E KOSOVËS I HA LUFTËTARËT E VET

Pas rrebesheve të shfrenuara
me lumenj gjaku dalë nga shtrati
mbi fusha, male, gërmadha
rigojnë rreze Dielli
nga qielli i vrarë i Kosovës.

Liria e Kosovës nuk është si liritë e tjera.

U nis kur u nis shekulli
(nuk) mbaroi kur mbaroi shekulli.

Liria e Kosovës nuk është si liritë e tjera.

Në liritë e tjera 
luftëtarit i qendisin gjoksin me medalje 
dhe shpallet hero
në lirinë e Kosovës 
luftëtari i saj gjithë vitet i kalon 
duke i shëruar plagët nëpër gjyqe e burgje
var veten në trekëndshin e skamjes
këputet si gjethi në vjeshtën e vonë
shtrihet mbi sofrën e varfër të fëmijëve
dhe u thotë
hani plagët e mia
Liria nuk më dha gjë tjetër.

Liria e Kosovës nuk është si liritë e tjera
Liria e Kosovës i ha luftëtarët e vet.



VETË LIRIA NA ERDHI MELEZE

Rrena i ka këmbët e shkurtëra
kështu që moti kanë thanë,
por se duart i ka të gjata
sa Kosova anë e mbanë.

Njëra dorë e shtrëngon n`fyt
as s`e lëshon, as s`e mbyt,
dora tjetër shumë e dëlirë
ka gjithçka, përveç mëshirë.

E shpëtuam nga gojë e ujkut
dritë i dhamë në krye të shekullit,
sot është kthyer në plaçkë tregu
rropollimë mes valëve t´detit.

Është fryrë lumi ka dalë nga shtrati
Ka vërshu` fushave t´Evropës
gjithë Kosova po ngel në pleq
janë ba bashkë melaqe e dreq.

Seç na u bë edhe jeta hibrid
vetë liria na erdhi meleze
Janë përzi` dreqi e i biri
rreth tryezes me mish e meze.

Qani fusha, rënkoni male
qaj Prekaz, dridhuni varre,
mbi Kosovë ka vu` kulm errësira
shkëlqimvrarë sot është Liria.

Ku ta gjej një plakë malësie
një vajtojcë zemërplasur,
t`i qajë hallin kësaj copë Shqipërie
që po e hanë tuj u gajasur.



LUFTËTARIT QË BËRI VETËVRASJE

(Të gjithë luftëtarëve, që pas luftës bënë vetëvrasje)

E ndiqte vdekja në istikame
në zjarrin e flakën që digjte Kosovën
në netët e akullta të robërisë
kur luftohej që dielli e hëna
të udhëtojnë lirshëm mbi qiellin e Kosovës
kur luftohej për krahun e thyer të fluturës
mbetur pengvarur në degëzën e një trëndafili
dhe kapërcyllin e vrarë në bulim.

Ai i sfidoi të gjitha vdekjet
që e ndiqnin hap pas hapi
deri maje Bregu
kur e pa Diellin që po e barte Lirinë
siç e sjellin krushqit nusen
dhuratë për tokën që kishte rënë
aq shumë shi i vakët
dhe kishin rrjedhur aq shumë lumenj gjaku
nëpër unazat e shekujve.

Ai kurrë nuk e kishte marrë me mend
se në Liri
sofrën e fëmijëve të tij
do ta shtrojë me mjerimin e tyre
e vdekja mund të fshihej
pas petaleve të luleve e Diellit në Pranverë.

Ai kurrë nuk e kishte marrë me mend
se do ta hajë, ah, ajo
për të cilën i sfidoi të gjitha vdekjet...


Liria!...




PLAGËT E KOSOVËS I SHPËRNDAJ NËPËR EVROPË

(E shkruar në një prej netëve pa gjumë)

Me trastën në krah mbushur plagë të Kosovës
çapis nëpër Evropë
dhe i shpërndaj 
nëpër tavolina bisedash e kuvendesh
nëpër salla konferencash
në festa e morde
në shkolla e biblioteka 
laboratoriume e muzeume.

Me plagët e Kosovës shtroj rrugët e Evropës
mbi të cilat delegacionet ngarendin për të marrë vendime
ua fus në çantë edhe komisioneve
të veçanta e të përbashkëta
ia hedh në tavolinë edhe Federica Mogherinit
që t´i njohin plagët e Kosovës
që të dinë ç´është plaga e Kosovës
ç´është dhunimi i rrezeve të diellit
nën hijen e hënës së përgjakur
fëmija i gjallë si nxirret me maje të thikës nga barku i nënës 
si thith fëmija qumështin e vdekjes nga gjini i nënës
si lufton një ushtri vrastare kundër pleqve, grave e fëmijëve
si ma kafshojnë tokën e babës nën dritën e vetëtimave 
me dhëmbët e shekujve të lakmisë
ua tregoj projektet e gjetura në varret masive
e si varroset i vrari në disa varre
se i vrari atje nuk e ka vetëm një varr
i them Evropës se e gjithë kjo dramë u lu´jt në teatrin tënd
me aktorë nga Akademia e Egër e Shkencave Karpatiane
dalë nga lluci i gënjeshtrave
nga liqeni i gjakut dhe pusi i pafund i etjes për toka të huaja.

Plagët e Kosovës mbulojnë fushat dhe qiellin e Evropës
hynë nëpër shtëpitë e reja e të vjetra
dhe flasin, ah, flasin e flasin
dhe klithin, ah, klithin e klithin
shpërndajnë gjëmat e nënave e motrave tona të dhunuara
klithmat e fëmijëve në gojë të hienave të vdekjes
flakët që djegun dhe tokën dhe emrin e gjakut tim.

Plagët e Kosovës pyesin Evropën
pse toka dhe emri im dergjen në qelitë e dhembjes e të pafundësisë
pse liria jonë nuk e ka ngjyrën e diellit dhe puhinë e pranverës
pse doni të ma kafshoni prapë trupin tim të cfilitur e të ndarë copa-copa
cili është mëkati im që nuk po e lajnë shekujt
Nuk po e lajnë as vrushkujt e lirisë dalë nga lumenjtë e gjakut...

Evropë
unë që të dhashë emër e gjuhë
që të dhashë nam histori e gjeografi
që të dhashë diell e shkëlqim
që të dhashë papë e perandorë
që të dhashë Skënderbeun e Shënjëtreshën Tereze.

Evropë
mos më shto dhembje të reja
pashë lumenjtë e gjakut tim
pashë klithmat nëpër shekuj!...

Mos ma kafsho prapë trupin tim të copëtuar!...

(Hameln, janar 2019)



SI TA GJEJ RRUGËN E ATDHEUT

Nëpër rrugët plot kryqëzime 
zigzage e me kthesa të Evropës
e kërkoj rrugën e AtDheut.

Gjurmoj nëpër tërë gjeografinë rrugore
kaloj të gjitha hyrjet e daljet
kot - s`e gjej dot 
as rrugën e Atit 
as rrugën e Dheut.

I pyes kalimtarët e rastit
hënën, yjet, qiellin
Universitetet, Akademitë, Parlamentet
heshtje
kot, ah, s´përgjigjen dot.

Ç`është kjo heshtje?
Ç`është ky ngurrim?
Ku është rruga e AtDheut tim?

Si quhet ajo rrugë?
Apo ndoshta Via Evropa
që kalon mespërmes këtyre fushave
e këtyre maleve
shtrihet deri në fund të Gadishullit Ilirik
atje ku deti takohet me det
e malet e larta me qiellin.

Eci mes për mes Evropës
sipër këtyre rrugëve 
shfaqet mizore historia
mbi kurrizin e këtyre rrugëve
janë shtrirë gurët e AtDheut tim
mbi të cilët lodrojnë: 
regjisorë
politikanë
ushtarakë
teologë
historianë
rrobaprerës
e
rrobaqepës
dhe kudo hasi
në kopsat e këmishës së AtDheut tim
të pëlcitura nga agushia
e tepërngushtësia deri në ngulfatje.

Mbi trupin e AtDheut tim
kryqëzohen rrugët e Evropës.

Ndanë rrugëve
rrjedhin lumenj gjaku dardanë e arbëror
e mbi ta tragjikisht noton historia.

Eci rrugëve të Evropës
e mbi to shtrihen mijëvjeçarët
dhe dëgjoj thyerjen e shpatave
gurgullimën e lumenjve të gjakut
hingëllimat e kuajve
klithmat dardane e vajet e nënave
gërzh-gërzhin e gërshërve
që prejnë këmishën e AtDheut tim,
dëgjoj, ah, gjëmat e Arbërisë.

Kudo nëpër këto rrugë të Evropës
që unë sot eci i huaj
e fshij djersët që pikojnë 
në tokën e të parëve të mi 
nën Lisin Plak tek këmbët e qytetit Arber*
së bashku me artifakte AtDheu
gjithë natën e lume rrimë së bashku
në zjarre betejash
në klithma e britma fëmijësh e nënash
duke e shikuar AtDheun, ah, si tkurret
sikur një hartë plastike në zjarr
digjet edhe lëmshi i mendimeve të mia
që nuk tretën dot as në ëndërr 
sepse, ah, dikur këtej kanë ecur të parët e mi
me gjak, emër, flamur e tapi
mbi këto rrugë që nisin
aty ku takohen Germany e Illyricum
dhe shtrihen tejpërtej Evropës
deri atje ku puqet deti me det
e bjeshka me qiell
e maje bjeshke çerdhja e shqiponjës
me syrin pishë e shikimin diell.

Eci i huaj rrugëve të Evropës
mes gjëmave e thirrjeve 
kërkoj rrugën e AtDheut.

_______

* Arber (Großer Arber, Kleiner Arber), qytet në Bavari të Gjermanisë.




BUZË ELBES

Buzë Elbes
Unë, Vetmia e Zalli

Kujtimin e vret Etja
Etjen e kall malli.



HIJA

Iku robëria
si kudra me bisht ndër këmbë.

Hija e saj
përdridhet Atdheut.



KURBETI

Ai është zjarri
urna e tij jemi ne.

Flakëte tij prej malli
shkrumbojnë në ne.

Dhe askush nuk i sheh.



VETVETEN VRANË

Thanë:
do ti vrasim jasharët!
kështu vrasim drenicën!

nëse vrasim drenicën
kemi vrarë kosovën
dhe shqipen maje kreshtave!

as vranë jasharët,
as vranë drenicën,
as vranë kosovën,
as shqipen mbi kreshta
vetveten vranë!