Tonin Nikolli |
Tonin Nikolli ka lindur në Gjadër të Lezhës në vitin 1960. Në vitin 1975 mbaron shkollën tetëvjeçare në vendlindje, për të vazhduar mëpastaj studimet ushtarake deri në vitin 1982. Është autor i nëntë përmbledhjeve poetike dhe bashkautor ne nëntë antologji, tre prej të cilave, në gjuhën italiane.
Jeton, krijon dhe vepron në Verona të Italisë.
Veprat:
- Përtej shpirtit
- Gur pendimi
- Pylli im i bardhë
- Emri yt
- Malli i ka rrënjët larg
- Një pëllëmbë jete
- Dashuria ime quhet Drin
- Në oborr të shiut
- Qielli im i gërvishur
Poezi nga Tonin Nikolli
URATA E PARAGJUMIT
Zot, bëje shqiptarin burrë!
Të mbajë lart,
të papërlyer,
VETËM NJË FLAMUR!
KUFIRI
Ka kufij me vizë,
pe,
gardh,
mur…
Ka kufij pa asnjë shenjë,
që nuk preket kurrë…
LUMI
Lumi i lindur,
kurrë nuk shterr…
As n´dimër pa reshje,
as n´thatësirë në verë…
ZJARRI
Që nga zbulimi,
duke fërkuar drutë,
zjarri më s´u shua,
veçse ndez keq…trutë…
MULLIRI
Në ditë të fundit,
pasi të bluajë kokrrën e drithit tëfundit,
për t´mos bluar thatë,
do shkul eshtrat e trupit,
e mokrra të bluajë,
miellin e fundit të bardhë…
GUR...
Ne diten,
Kur brenda trupit tim,
Do gjesh gurin,
Do pendohesh,
Pse,
Padrejtesisht,
Me gjuajte...
VJESHTЁ E PLOTЁ
Netët zgjatën edhe vjeshta,
pushtetin vendos ngado…
Qielli me tupane t´shpeshta,
mbledh retë, grindet me to…
Nuk e di,zogjtë që u nisen,
në e kanë kryer udh´timin…
Nuk e di, n´vatrër t´braktisur,
ndez kush zjarr..a e fryn tymin…
Netët zgjatën edhe vjeshta,
i zhvesh degët me të shpejtë…
Në shtrat trupat, bashkë ngjeshën,
E flenë ngrohtë, qetë – qetë…
Veçse jashtë, prapë, nuk e di,
përgjatë udhëve nëpër terr,
Ti, a gjen diku një brinjë,
shtrihesh, gjumi a të merr…
Apo luan në shtrojë gjethesh,
pa kuptuar se je në grackë…
Kur del drita, 100 palë ethe,
ke në trup e t´ftohtët n´palcë…
NJERI
Dikur paskam pasë thanë,
se jam njeri ujnash
e m´pelqen me shkue me rrjedhën…
Tash,
fjalën kam fillue me e ngranë,
se eshtnat, copa cungujsh,
anej e knej, perplasen bregut
e pa drejtim,
n´vorbul shkaparderdhen…
VITET
(Lojë hajdutësh)
Nuk e di, pse me vitet,
shpeshherë sillemi barbarisht…
I fshehim, si gjë që vidhet,
hajdutrisht, hajdutrisht…
Pa kuptuar, një nga një,
na braktisin vjedhurisht…
Hakun marrin, krejt pa zë,
hajdutrisht, hajdutrisht…
GJURMЁ M…
Nuk e di,
ku e vura gabim këmbën...
Gjithë ditën lë pas gjurmë muti
e për dreq,
nuk bie shi,
të heqë kërmën...