Mittwoch, 18. September 2013

Si u internua Abdyl Këllezi

SI U INTERNUA NE KOTE ABDYL KËLLEZI  ANËTARI I BYROSË POLITIKE, KRYETARI I KOMISIONIT TË PLANIT
TË SHTETIT SHQIPTAR
 

Nga Gëzim Llojdia
 

1.
Kota është një qytet,dhe një fshatë. Ndodhet buzë Shushicës dhe ka një vjetërsi moshe prej 50 vjet. Është krijuar si fillim fermë blegtorale e Llakatundit aty nga viti ’61. Më vonë ndahet dhe bëhet më vete fermë bujqësore e blegtorale. Një soj bashkimi ku ata nga fshatrat që nuk e hanin dot punën atje gjenin marifetin dhe zbritnin ne fermë. Kota ka qenë një vend i heshtur. Aty nga viti ‘20,kur u bë lufta,u vendos një garnizon ushtarak dhe është vrarë një gjeneral. Një shqiptar nga Shkoza me emrin Kanan Mazeja theu nofullat thonë aty pikërisht ku ka qenë porta e fermës gjatë luftimit me italianët,aq deshën rapsodët që ti bënin rapsodi si :”Kanan Mazeja nga Shkoza me një nofull copa-copa...,dhe këtë vend që ishte i humbur e shkretuar i vunë edhe bejte të tilla si :”Obobo se çënka Kota më e mirë se Europa.... Thoshin këta,pra bejtexhinjtë. Emri i saj ka një legjende interesante dhe intriguese. Unë këtë e kam lexuar nga një mësues tërbaciot vite më parë,italianët e kishin ngritur garnizonin e quanin kuotë 860 m ,ajo ishte kodra,duke u shqiptarizua ajo erdhi dhe u quajt nga kuotë në Kotë...Kota ka qenë një qendër e internimit. Peta që ishte një sektor i saj ka pasur vetëm të persekutuar. Në Kotë u internuan zv/kryeministri i diktaturës Abdyl Këllezi deri ditën që u muar dhe u pushkatua. Një pasdite maji sollën në këtë qytezë të vogël dy skoda,ngarkuar me rraqe. Në Kotë ,thonë për vaki dhe rrahje mblidhen të gjithë .Në fakt nuk ishte asgjë nga të dyja .Kishin sjellë anëtarin e byrosë politike, zv/kryeministrin,kryetarin e komisionit te planit të shtetit shqiptar,Abdyl Këllezin. Në atë fermë internuan edhe familjen e Vasil Katit,madje Pranverën ,në Tiranë e njihni, ishte shpallur mis Tirana në fshehtësi. Ndërkaq në këtë fermë u mbyllën me internim edhe motra e Xhevdet Mustafes ,dhe gjyshërit e Tedi Papavramit, doktori plak dhe e shoqja, vuajtën ikjen e nipit në Francë. Ferma buzë Shushicës kishte një sektor të sajën që quhej Petë dhe e kishte vetëm me të internuarit ordiner,siç i quante regjimi qindra familje që ikën pas viteve ’90 nëpër fshatrat dhe qytetësit e tyre ose mbeten atje mes baltës në dimër dhe pluhurit të zhegut. Kjo e fundit ka mbetur gërdallë. Sot atje në atë sektor pa ujë të pijshëm, por me dy liqene artificiale,jetojnë vetëm dy familje.
 


2.
Zv/kryeministri ishte me bashkëshorten Safeten e thërrisnim ne një grua fisnike nga Kosova. Dhe tre djemtë,Leonin,Yllin dhe Maksin. Si dhe nusen e djalit dhe një vajzë të vogël. Njëri nga tre fëmijët e zv/kryeministrit ra në dëshpërim dhe kaloi një depresion gjithë kohën e internimit .Zv/kryeministrin i dhanë një hyrje të zgjeruar dhe pas disa ditësh ai filloi punë si drejtor i fermës së Kotës. Ndërkaq tre fëmijët e tij dhe nusja e djalit u sistemuan në punë shtetërore. Këllezi doli ditën e parë për të shkuar në punë me një kostum të zi .Shkoi në fermë dhe pyeti:”Ku janë forcat sot në korrje gruri,ku ne Buallar? Mori administratën e hypi në makina dhe u nis vetë .Të nesërmen përsëriti këtë pyetje:”ku janë forcat sot korrje gruri në Petë, hypi administratën dhe rinis kështu një punë duke e bërë fermën të ndriste. Të gjithë këto ndryshime u raportuan lartë. Mirëpo dihet se fati ishte paracaktuar .Kështu vunë spiunët që në atë fermë nuk mungonin të ishin të paktë,për t’u kundërpërgjigjur;Punon armiku për të fshehur të vërtetën...Një ditë atij i erdhi gjysma e keqe,urdhri i trishtimit. Hiqej nga drejtor ferme dhe vendosej shpërndarës karburanti,pra të zihej me zetoristët e shoferët që ai regjim i kishte nën hyqmën e tij .Megjithatë ai gojë kyçur çdo ditë shkonte i përpiktë të hapte rubinetin e naftës dhe një mbrëmje korbi erdhi më i zi se i pari lajm. E morën. Që nga ajo natë ai nuk u pa më në vajtje ardhjet e tij në fermë e vogël. Lajmi i pushkatimit të tij u muar vesh në një biçim salle kulture që kishte ferma. I kishin dërguar edhe familjes lajmë që të vinte. Erdhi bashkëshortja Safetja dhe djemtë. I deleguari lexoi letrën e KQ të PPSH ku thuhej se armiku Abdyl Këllezi u dënua me pushkatim dhe u ekzekutua,sall buçiti ;”Poshtë armiku” dhe i binte këmbëve në çimento,ndërsa asaj bashkëshortes së tij i ndrisnin pikëzat e lotit. Të nesërmen bashkëshortja vuri në kokë një shall të bardhë,shenjë zie. Ç’praj asaj dite djemtë dhe nusja e djalit ju vunë punës,i mbyllën në shtëpi dhe fituan një respekt që askush nuk mundi ti haronte, për edukatën,moralin dhe normat e larta të jetës,sado që i provokonin,i ndiqnin e i torturonin nëpër punesat më të zeza,ata mbetën deri në fund fisnik të një jete internimi.
Pranvera e vitit 1975. Orët e fillimit të internimit dhe zhdukjes nga skena politike të ish-ministrit,anëtarit të Byrosë politike .Ditë maji. Dy skoda me rimorkio lëvizin nga dyert e bllokut të udhëheqjes shqiptare. Ndërkaq dy automjetet e rënda morën drejtimin për në jug të vendit. Blloku dhe rojet e armatosura mbyllën portat. Atje udhëheqësi sapo ishte zgjuar kur u shua zhaurima e skodave. Enigma e kureshtarëve kur ndiqnin automjetet, që largoheshin .
-Iku dhe një nga Byroja politike!
Tani automjete do të shtegtonin nëpër asfaltin e butë tej kryeqendrës së vendit. Njerëzia brenda tyre shikonte brengosjen deri në dridhjen nga pikëllimi. Në sytë e tyre,vërtet lexoje:
-Për ku ishte drejtimi i automjeteve?
Të dhëna në dy automjetet ishin 7 pjesëtarë të familjes Këllezi, të tjerët punonjës të sigurimit. Në automjetin e parë udhëtonte ish-kryetari i komisionit të planit të shtetit me bashkëshorten në tjetrën, tre djemtë, Leoni me bashkëshorten Marjetën dhe vajzën 6 muajsh,Ylli dhe Maksimi.
15 qershori 1975 flitej se ishte lexuar një buletin nëpër të gjithë institucionet shtetërore, ku godiste si armik Abdyl Këllezin. Vetëm ca kohë më parë po më konkretisht në maj të vitit 1975 ,Abdyl Këllezi u shkarkua nga detyra e anëtarit të byrosë politike. Tre djemtë e tij dhe nusja e djalit Marjeta u hoqën nga puna për ti përcjellë në internim .Leoni asaj kohe punonte në Institutin e fizikës bërthamore. Ishte specializuar në Kinë. Leoni më kishte folur për jetën në Kinë. Me tregonte anekdota dhe kinezërit e pafund.
Ne ,tha kishim me vete mjeshtrin e uzinës traktori që do të bënte kopje sepse kinezët nuk i jepnin gjithçka. Mjeshtri shikonte me sy kur dhe i vizatonte në hotel gjithë çfarë kishte parë me sy. Një herë tjetër na shpunë për të vizituar fshatin e lindjes së Maos .Udhëtuam me tren,me avion me makinë,tre ditë për të mëritur në Shaoshan. Atje nuk kishte kuzhinë evropiane. Ata kishin dëgjuar që shqiptarët hanë pilaf dhe na kishin përgatitur një lloj çorbe d.m.th pilaf, që notonte në gjalpë . Leoni i rrëfente bukurish bukur ndodhitë .Ylli gjendej gjatë asaj kohe në universitete më ngjanë në inxhinieri. Kur përfundoi zborin ushtarak e fakultetit shkoi direkt në internim. Ndërsa Maksimi pësoi një traumë të rëndë.
 

3.
Kur dy skodat me rimorkioi qëndruan në buzë mbrëmje në një qytezë të tipit socialist, kallaballaku, që u mblodh aty pyeste kurioz se kush po vinte për internim. Bëhej fjalë për zv/kryeministrin e qeverisë, anëtarin e byrosë politike. Në pallatin dy kate ndërtuar në vitin 1962, tip sovjetik në katin e dytë kishte ditë, që skuadra e ndërtimit po meremetonte hyrjen ku do të strehoheshin të internuarit, mirëpo nuk njihej se kush do të ishin banorët. Në atë zonë sillnin shpesh të internuarit e regjimit por ca më larg saj në një sektor ku vdisje për ujë dhe të hante të gjallë balta në dimër dhe pluhuri në zheg të verë,quhej Petë. Qyteza, quhej Kotë dhe ishte krijuar vetëm në vitin 1961,si ndërmarrje blegtorale fillimisht dhe më vonë bujqësore. Aty ishte administrata, zyrat, rrjeti i dyqaneve të shërbimeve të NTSH, pallate banimi, ofiçina, furra e bukës, kinemaja e vjetër te vatra e kulturës, shkolla 8 vjecare, postë-PTT .
Gjendej në këmbë të fushë së Ahmete, poshtë ishte lumi dhe sipër maja e gjatë. Atë ditë unë kam parë zv/kryeministrin, që u fut direkt në banesë. Abdyl Këllezi i emërua drejtor I fermës bujqësore:”Kanan Maze” të Kotës. Ishte operativ. Që ditën e parë pyeti:
- Ku punojnë forcat e punës?
-Në korrje gruri.
Urdhëroi dy makina mblodhi administratën dhe vetë shkoi në krye të punëve. Kështu veproi çdo ditë.
Ku janë kombajnat sot?
-Në Brusnje. Makinat dhe administrata shkonte ku punonin njerëzit dhe nxirje buka e gojës. Vetëm pas ca muajsh erdhi urdhëresa ,që Abdyl Këllezi hiqej nga drejtor ,çuditërisht dërgohej të furnizonte me naftë automjetet e fermës. Më datën 4 shtator Abdyl Këllezi arrestohet. Abdyl Këllezi ish-ministër dhe zv/kryeministër i Shqipërisë në vitet 1945-1975, i ekzekutuar me pushkatim në vitin 1976 si "armik i popullit. Atë ditë vjeshte e thirrën si zakonisht.
-Të kërkojnë te karburanti. Ish-anëtari i Byrosë politike morri çelësat e cisternës,xhaketën e hollë dhe dolli nga pallati .Mirëpo bc e degës ishte fshehur pas pallatit të parë ku ishte edhe rruga. Aty i hodhën prangat lexuan akuzën në emër të popullit , ndërsa anëtari i Byrosë politike shikonte për të fundit herë banesën ku kishte lënë,bashkëshorten ,tre djemtë, mbesën e vogël 10 muaj dhe nusen e djalit. Një ditë të vitit 1976 buzë-mbrëmje fronti thirri një mbledhje për të lexuar një nga të shumtat buletine, që përcilleshin në popull direkt nga udhëheqja e lartë. U thirrën edhe familja e Këllezit ndërsa i deleguari lexoi buletinin ku flitej se Abdyl Këllezi ishte pushkatuar. Bashkëshortja dhe djemtë mbajtën një qëndrim burrëror.
Unë i kam njohur në internim tre djemtë e familjes Këllezi. Nusen e djalit Marjetën dhe Holtën e vogël dhe më pas Dorianin ,që lindi në atë qytezë të vogël. Për këtë familje fisnike është folur gjatë. Qëndrimi i tyre atje ka qenë i pashembullt .Pasqyra e punës dhe qëndrimit të tyre na rrëfen lëndën që ka dhuruar tek ata Zoti ynë. Ndrit pasqyra. Tek shpirti i diellit. Unë do t’u rrëfej atë që ata e kanë bërë pak ose aspak nëpër medium. Marjeta, Leoni, Ylli arrin të realizonin nga dy-tre norma në ditë në punët më të vështira siç ishte qilizma,hapja kanali etj. U ngrinin normën. U ngritën normat,mirëpo ata të tre arrinin të bënin nga tre norma në një ditë. Në këto kushte u rritë edhe Holta Këllezi në atë qytezën e vogël ,që zgjerohej buzë lumit. Çapkënia vajzë. Mësuesit u vunë përpara një dileme të madhe. Ç’duhej bërë me këtë vajzë të shkëlqyer?
10 ishte pak nga njohurit e saj që i dhuronin të dy prindërit.
Marjeta Kellezi ka Studiuar në Universiteti i Tirane .Fakulteti i shkencave te natyrës .Dega fizike. Lindur më 1952.

4.
Holta Këllezi është mbesa e ish-anëtarit të Byrosë politike të Shqipërisë. U lind në bllok. 6-7 muaj shkoi në internim në një nga fermat bujqësore në jug të vendit. Dielli i praruar lind në lindje,ndonëse gjelbërimi zë fill në mërmërin pranverore. 16 vite pra diku në vitet ‘91 më vonë,mbante statusin e të qenit e lirë në vendin e vet. “Kreshtat” përmbi biografin e saj nuk do të njolloseshin më me nënshkrimin:”mbesa e armikut të popullit”.U shkollua dhe sot punon në Kanada.
Disa të dhëna :Ka Studiuar në University of TiranaI.e martuar me Gjergji Vani.Flet Albanian,English,Italian.Lindur më Dhjetor 16.
Përshëndetje Holta
Dua të bëjë një interviste me ty.


1-Pyetja: Ju keni lindur ne bllok por u rritet ne internim. Ç’farë mund të thoni për këtë Kontraste?

Holta Këllezi:
Unë nuk e kam njohur jetën e bllokut, pasi kam shkuar në internim 6-7 muajsh kështu qe nuk kam arritur kurrë te bej dallimin midis këtyre jetëve. Unë njoh vetëm një jete fëminore, atë të internimit.

2-Ju keni shkuar ne internim rreth 7 muajsh dhe u larguat ne vitet ‘90.Si ishte jeta ne internim?
Jeta në internim ishte e vështirë sidomos vitet e para te fëmijërisë i kujtoj si tepër te vështira dhe jo në perspektiven e jetës së gjithë familjes sime por në perspektiven e një fëmijë që mundohej të kishte një jetë normale, por që në CD hap i bëhej me dije, që ishte jo si gjithë të tjerët.

 3-Ju u kanë mohuar të drejtat si nxënëse e dalluar a mund të thoni disa raste...

Ishte pak e vështirë ta kuptojë pasi në moshë të vogël nuk arrin të perceptosh pse ti duhet të jesh ndryshe nga të tjerët. Mbaj mend, që deri në klasë të parë asnjë fëmijë s’luante me mua dhe jo se nuk donin por sepse prindërit kishin frike ti lejonin fëmijët e tyre të luanin me mua .Kur kam shkuar në klase të parë e të dytë, kam filluar të kem shokë dhe ja di për nder mësueseve të mija të shkollës fillore, që u thonin fëmijëve te shoqëroheshin me mua .Me pas duke u rritur kam pasur shoqëri shumë të mirë, që vazhdoj ta mbaj dhe tani.

4-Si e kishit menduar jetën nëse nuk do te hapej vendi ynë drejt Evropës?
Me thënë te drejtën do duket ndoshta pak e çuditshme, po unë gjithmonë kam besuar në ato vite me pafajësinë e një fëmije që po të mësoja patjetër do më jepej e drejta e shkollimit të lartë,kurrë nuk më shkonte ndër mend që do jetoja përjetë në fshat,ndoshta ka qenë një sens i brendshme që më fliste,se di, po kurrë s’kam qenë pesimiste si tip. Nuk më shkonte në mend kuptohet, që do ndodhnin gjithë ato ndryshime por fakt është që shpresa e mban njeriun gjallë ,prandaj ndoshta dhe motoja e jetës sime gjithmonë ka qenë:bëj gjithçka ke në dorë dhe më e mira do të ndodhi"

5-Me se merrni aktualisht?

Aktualisht kam prej vjetësh që jetoj ne Toronto_Canada,jam e martuar me dy çuna dhe punoj ne fushën e stomatologjisë .Jam e kënaqur me jetën time dhe e jetoj jetën ne maksimum.

6-Prindërit tuaj kane vuajtur mjafte dy intelektual u dërguan direkt ne punët e bujqësisë si e kane përjetuar dramën e vuajtjes.

Prindërit e mi janë shume te shtrenjte për mua, sa je fëmijë nuk e kupton se ç’farë kane bërë apo ç’farë kane arritur ne jete .Duke u rritur kam kuptuar më shumë dhe kam arritur ti vlerësoj në maksimum jo vetëm për sakrificat që bënë në jetë por mbi të gjitha për ata çka janë. Dy njerëz të mrekullueshëm që megjithëse sistemi i goditi shume fort nuk ndryshuan po ngelën po ata të mrekullueshëm. Ajo çka vlerësoj më shumë ke ta është qe më mësuan të mësoj ,punoj fort, të jem e ndershme ,të respektoj gjithë njerëzit pavarësisht prejardhjes apo statusit te tyre social,të kem një buzëqeshje në fytyre dhe mbi të gjitha, të mos urrej asnjë e askënd. Kjo e fundit është një arritje e madhe për mua pasi vuajtjet e bëjnë njeriun shumë lehtësisht të urrej. Dua të përmend pak njeriun me të cilin kaloja pjesën më të madhe, të kohës në internim,njeriun që ishte i pari të më dilte në mbrojtje kur dikush më ngacmonte dhe që më përcolli një fortësi mendore,gjyshen time të dashur, që tani s’jeton më. Them se kam qenë me fat, që në jetën time jam rritur nga prindër të këtij niveli dhe nga një gjyshe, që çdo kush do e kishte zili.

Faleminderit Holta.

Zyba Hysa

Zyba Hysen Hysa indi në fshatin Kokrevë të rrethit Librazhd më, 26 qershor 1955. Mësimet e para i mori në vendlindje, më pas në Elbasan, ku në vitin 1974 merr diplomën e mësuesisë. Në 1979 mbaron kursin filozofik dhe më pas ushtron profesionin e mësuesisë në lëndën gjuhë shqipe, në fillim në Vulçan, Polis Gostimë të Librazhdit dhe që nga viti 1999 në Vlorë.
Krahas punës së mësuesisë, është marrë edhe me veprimtari të shumëta kulturore e shqërore dhe ka bashkëpunuar me shumë gazeta dhe revista.
Krijimet e para poetike i ka botuar qysh në vitin 1972 në gazetën “Shkumbini” të Elbasanit.
Deri më tash ka botuar këto libra:  “Shkreptima Dhembjeje” (poezi) 2002, “Festa e Abetares” (poezi për fëmijë), “Erë Shqipërie” (poema) 2004, “Dritë në Llakatund” (poezi për fëmijë) 2005, “Kur Shpirti Vallëzon” (monografi artistike) 2006, “Obelisku i Bektashizmit” (studime) 2007, “Sikur...” (poezi) 2009, “Nënë Engjëllore” (poemë) 2010, “Lumi Kërkon Detin” (poezi), “Mbretëresha ime” (tregime), “Sharrajt në Jetën e Kombit” (studim historik).
Është anëtare e Institutit të Kulturës Mbarëkombëtare. Jeton në Vlorë

Kliko dhe lexo ==>> Poezi nga Zyba Hysa



Sonntag, 15. September 2013

Dy kandidate shqiptare për Parlamentin e Austrisë

DONJETA KRASNIQI
DHE RILINDA REXHEPI

 Shkruan Ramiz Selimi

Mësimi i gjuhës shqipe prioritet

Në zgjedhjet parlamentare në Austri me 29 shtator konkurojnë mbi 2000 kandidatë nga 14 parti gjithsej. Ky numër është me i madh se në zgjedhjet e kaluara. Kjo rritje ka të bëjë kryesisht me faktin se partitë në radhët e veta kanë emëruar kandidat edhe nga emigracioni.
 
Përderisa gjenerata e parë e emigracionit pati vështirësi me nostrifikimin, integrimin dhe adoptimin, gjenerata e dytë edhe pse në numër jo të mjaftueshëm po arrin gradualisht të marr përgjegjësi në drejtimin e jetës së tyre. Në zgjedhjet e ardhshme kemi një numër të kandidateve që vijnë nga viset shqiptare si: Donjeta Krasniqi nga (SPÖ) dhe Rilinda Rexhepi nga (ÖVP)

Po e bëjmë prezantimin e kandidateve shqiptare nga Austria e Epërme për Parlamentin Austriak.
 
Donjeta Krasniqi e cila kandidon për Partinë Socialiste të Austrisë (SPÖ) është 24 vjeçare, studente e Fakultetit Juridik në Linz, ka emigruar si dy vjeçare me prindërit e saj nga komuna e Pejës. Ajo gjendet në listën Federale të SPÖ-s në numrin 29, kurse në listën e Landit të Austrisë së Epërme me numrin 11. Është kandidatja me e re në moshë dhe brenda partisë së saj Donjeta e gjen veten në krahun e majtë.
 
Rilinda Rexhepi kandidon për Partinë Popullore të Austrisë (ÖVP) është e martuar dhe nënë e dy fëmijëve, ka përfunduar shkollën e lart ekonomike, është drejtoreshë e kompanisë REX. Rilinda ka emigruar si 8 vjeçare nga komuna e Prizrenit. Ajo gjendet në listën e ÖVP-s me numrin 32. Si drejtoreshë Rilinda është konservative dhe i përket krahut të djathtë.
 

Fushatë e përbashkët e kandidateve në Steyr dhe Kirchdorf
 
Pas fushatave që kandidatet kanë patur në Linz, shoqata “Mergimi” nga Steyri me kryetarin e saj Miftar Zagragja dhe shoqata “Albafol” nga Kirchdorfi me kryetarin Ymer Aliu organizuan tubime me bashkatdhetarë nga këto anë për të ndihmuar fushatën zgjedhore të kandidateve.
 
Shoqatat thanë se do të angazhohen maksimalisht për të ofruar mbështetjen e kandidateve dhe u bënë thirrje anëtarëve të tyre që të votojnë për kandidatet shqiptare, duke besuar që ato do të angazhohen seriozisht për të zgjidhur të gjitha problemet që kanë. Në emër të shoqatës Miftar Zagragja tha se :” Ne do të mobilizojmë anëtarësinë për të ju votuar, por njëkohësisht ne kemi edhe kërkesat tona. Kërkojmë nga ju nëse hyni në Parlament që të angazhoheni në riformulimin e ligjit për aplikimin e vizave për të martuarit dhe fejuarit nga Kosova. Jemi i vetmi shtet në Europë që jemi të kufizuar me moshën 21 vjeçare për të marr vizën. Ju dëshirojmë fat dhe sukses ne zgjedhje”.
 
Zoti Aliu nga shoqata ”Albafol” tha se:” Është i lumtur dhe krenar që më në fund edhe nga komuniteti ynë dalin kandidat serioz për Parlamentin Austriak. Shpresojë shumë që programet e juaja dhe puna e juaj, të na ndihmojnë në ruajtjen e identitetit. Ne do të bëjmë të pamundurën që të sensibilizojmë anëtarësinë tonë për të ju votuar juve. Kërkesa e jonë është ndalja e diskriminimit në shkolla dhe punë, duke ju afruar mundësi të barabarta secilit nga ne”.
 
Në fjalën e tij publicisti Ramiz Selimi ju tha kandidateve:” Për komunitetin tonë nuk është aspak me rendësi se për cilën parti ju garoni. Për ne është me rëndësi dhe jetike të na tregoni hapur se, a e keni mbështetjen dhe hapësirën e nevojshme nga partia, të merreni seriozisht me problemet dhe hallet tona? Neve nuk na duhen kandidat vetëm sa për sy e faqe, neve kemi nevojë të jashtëzakonshme në angazhimin e juaj të pa rezervë në rritjen e numrit të atyre që vijojnë mësimin në gjuhen shqipe, nga 6% tani në 50% në vitin e parë, e pse jo pas dy viteve në 80%. Elektorati i juaj është komuniteti shqiptarë, ju duhet ti kontaktoni ata, ti bindni për programet dhe qëllimet e juaja sepse vetëm ata mund të ju dërgojnë në parlament, e jo programi i Partisë.
Ftojë të gjithë komunitetin shqiptarë në Austri të shfrytëzojë drejtën e votës, duke votuar motrat tona. Ne në Austri të Epërme jemi një numër i mjaftueshëm shqiptarësh për të ju mundësuar atyre hyrjen në parlament”.
 

Programi i Donjeta Krasniqit, kandidate nga SPÖ

Pastaj kandidatet shpalosen programin e tyre duke filluar me Donjeten, e cila tha se, do të angazhohet për azilkërkuesit, ku pas kërkesës për azil dhe pritjes gjashtëmujore ti lejohet e drejta e punës. Ajo e kujton periudhën trevjeçare të babait të saj si të papunë dhe vështirësitë e shumta që atë kohë hasen. Nuk është  njerëzore dhe në dinjitetin e njeriut që t`i pamundësohet dikujt të drejtojë vetë jetën dhe fatin e vet tha ajo, çdo azilkërkues pa marr parasysh se nga vjen duhet të punojë dhe të financojë vet jetën e vet.
 
Përvojat e saj në arsim gjatë shkollimit të saj nuk janë më të mirat, ka raste kur është ndier e diskriminuar, ajo dëshiron që këto dukuri ti minimizon në shoqërinë Austriake. Donjeta tha:“Si e re dhe emigrante kam përjetuar se si sistemi shkollor ka provuar të më nxjerrë jashtë binarëve të tij. Sistemi ynë shkollor provon që t`i ndajë fëmijët si egjrën nga gruri dhe kjo është gabim. Për këtë arsye kam konstatuar se mund të ndryshoj diçka vetëm nëse luftoj vetë kundër saj”
 
Si çështje tjetër të cilën do ta ngrehte në parlamentin e vendit, në rast se do të zgjidhej, ajo thotë se do ti ndihmonte familjet që kanë studentë, duke ju dhuruar atyre ndihma familjare deri në moshën e 26 vjeçare. Kjo ndihmë ka qenë praktikuar më parë por ndërkohë është hequr. Siguria sociale është temë jetike për studentët, thotë ajo.


Programi i Rilinda Rexhepit, kandidate nga ÖVP

Rilinda Rexhepi tha se nuk do ta lexojë programin e Partisë Popullore (ÖVP) siç bëri kundër kandidatja, por do të përqendrohet në prioritetet e saj për komunitetin shqiptarë. “Duke e parë rrezikun potencial të asimilimit, unë prioritet numër 1, kamë vendosur arsimin plotësues të gjuhës shqipe. Pse? Pasi që vetë vij nga një familje si shumica e familjeve tjera kosovare, gjatë shkollimit tim kamë arritur ti identifikojë problemet që unë hasa. Shumë fjalë që flisnim në familje nuk gjendeshin në fjalor, ato fjalë që nuk i kuptoja gjermanisht nuk mund ti përktheja në formë korrekte për shkak të mungesës së gjuhës letrare. Është jetike për fëmijët tanë, për ardhmërinë e tyre, që së pari t’a mësojnë gjuhën shqipe mirë, pastaj nuk do të kenë pengesa në mësimin e gjuhës gjermane dhe shkollimin e dëshiruar. Do të bëjë të pamundurën që mësimin shqip ta bëjmë obligues në Austri. Unë nëse zgjidhem deputete, do të angazhojë një ekip në teren, duke kontaktuar të gjitha familjet shqiptare që kanë fëmijë, për ti bindur ato për rendësin e mësimit të gjuhës shqipe.
 
Pika e dytë në programin tim është integrimi i shëndoshë dhe pa rrezik asimilimi në shoqërinë austriake. Kur them integrimi mendoj në kyçjen dhe marrjen pjesë të komunitetit tonë në të gjitha nivelet e shoqërisë, duke filluar nga subvencionet e deri të vendimmarrja. Këtu nuk është punuar sa duhet deri me sot, nga ata që kanë pasur përgjegjësinë e integrimit, me anashkalimin e komunitetit tonë. Me ardhjen time në Parlament këto gjëra do të ndryshojnë, sepse ne meritojmë shumë më shumë, se kaq.
 
Prioritet i tret është kontaktimi i trurit nga komuniteti ynë në Austri, për ti inkurajuar ata në bërje të biznesit. Unë do të jem në shërbim të tyre, kamë informacione se një numër i bashkatdhetarëve është mirë i kualifikuar, por ata janë të detyruar të bëjnë punë tjera, në mungesë të informacionit. Unë do jem krahu i fort i tyre, që ata të guxojnë të formojnë kompani, pse jo pas një kohe të bëjnë edhe partneritet me kompanitë nga vendlindja”.
 
Ato kërkuan njëzëri daljen e sa më shumë qytetarëve në zgjedhje dhe të votojnë për kandidatin e tyre. Votuesit duhet të kenë parasysh se nëse votojnë për Donjetën, duhet të votojnë Partinë SPÖ dhe poshtë shënohet emri i Donjeta Krasniqi, kurse ata që duan Rilindën votojnë Partinë ÖVP dhe poshtë shkruajnë emrin Rilinda Rexhepi.