Samstag, 28. Dezember 2013

Fadil Curri - Shkurt e shqip

SHQIPTARËT NUK JANË KOMB DORDOLEC ME IDENTITET EVRO-AZIATIK
 
   Nuk ka shqiptar me identitet evpropian e amerikan, as aziatik e australian ose afrikan, por ka shqiptar me identitet të mirëfilltë shqiptar. Nuk ka shqiptar me identitet lindor e perëndimor, as me verior e jugor, as me identitet islam e të krishter. Këtë bindje e mbaj kur e di se tipari shques themelor në trikohësi i nje etnie është gjuha. Së këndejmi, identiteti shqiptar nuk është krijuar për një vit, as për një shekull, as për një milenium, por shumë më tepër se këta. Nëse heqim dorë nga njëra pjesë e historisë ose gjeografisë shqiptare, identiteti shqiptar nuk do të ekzistonte i plotë, do ta bënim gjuhën shqipe e kombin, identitetin shqiptar që do të ngjante në një pemë me rrënjë e frute, por pa kërcyell e trung, gjë që do të ishte jodialektike, jo e traditës së trashëguar brez pas brezi. Çdo përpjekje për të copëtuar identitetin shqiptar në lindor e perëndimor, mbase të krijojnë një komb shqiptar dordolec me biografi memece sipas "artit" të tyre, ka paragjykim joshqiptar, mbase një ditë do të dalë edhe antishqiptar.    
   Disa njerëz donkishotianë harrojnë se para feve e kemi pasur gjuhën, historinë dhe, nëse duam ta gjymtojme identitetin tonë, atëherë duhet të ndahemi në identitet lindor e perëndimor, të kthehemi në komunizëm, në Jugosllavinë antishqiptare, në Luftën e Dytë e të Parë Botërore, të kthehemi në kohën e Pjetër Bogdanit, Sulltan Muratit e të Skenderbeut, të vitit 1054 me ndarjen e besimit të krishter të shqiptarëve në lindorë e perëndimorë, në Vitin Zero, në paganizëm e Iliri, që nuk do të na lejonte askush, mbase edhe ne do ta pengonim këtë hapërim, bile edhe ata që trumpetojnë të kthehen mbapa do të zmbrapseshin. Me këtë logjikë të tyre, të cilët historinë e konsiderojnë si një orë të tyre mekanike që kur duan ia kthejnë akrepat mbrapa, del se populli shqiptar edhe një herë u dashka të kalojë nëpër ato luftëra të mënxyrshme, të bëjë edhe një herë tkurrjen në vend të thurrjes së arealit të meritueshëm shqiptar. Jemi këta që jemi, me identitet të formuar rreth katër mijë vjet dhe, të këtillë si jemi, kaq sa kemi mbetur ende gjallë, jo që të grindemi ndërmjet vete, por që të duhemi e të ndihmnojmë njëri-tjetrin, duhet të bëjmë  përpjekje për avancimin e Shqiptarisë pa paragjykime të ulëta fetare, pa teokraci të domosdoshme egoste. Shqiptaria i ngjan tre vëllezërve të një gjaku nga nëna e babai i përbashkët; njërin vëlla e ka shtuar Zoti me fëmijë më shumë, tjetrin më pak, një tjetër pak më pak ose fare. Por, që të tre e kanë dashurinë vëllazërore dhe dhimbjen për tjetrin, e kanë të trashëguar nga atësia vullnetin për ndihmë të ndërsjellë, që në dasma e vdekje t'u gjenden bashkë.       
   Ekskluziviteti mendimor është i stilit komuinist të të menduarit mbi tjetrin dhe të lakmuarit vetëm për veten, që të vërtetën as e njeh, as e pranon, bile i shtytur nga kapriciet joargumentuese, lëre që bën dëm kolektiv, por ndoshta do të bindet vetëm kur e keqja ta prekë vetëm atë sajues të së vërtetës së paekzistueshme. Ky ekslkluzitet mendimor traditën e do pa trashëgiminë, pra selektueshëm e njeh, e jo  në vazhdimësi trashëguese, me jashtëkohësi evolutive. Jemi shqiptarë myslimanë, katolikë, ortodoksë, por e kemi edhe një shtresë jobesimtarësh  dhe ateistësh që flasin shqip, që edhe ata duhet të konsiderohen si njerëz tanë, të gjakut shqiptar. E mira e së mirës është të besojmë në një Zot, të shkojmë në kishë e xhami dhe nga mësimet e nxëna aty ta fisnikërojmë shpirtin tonë si kulturë e përditshmëri,  të lutemi shqip për mirësinë e mbarësinë kolektive shqiptare, në një gjuhë të vetme në botë, të mos lejojmë që vellai ynë i besimit tjetër të mos mund të shkojë në faltoren e preferuar, të mos ketë mundësi nga sëmundja ose censura e kanunit e regjimit të mos mund t' i lutet e falet Zotit me vëllezërit e tij në faltore.    
   Temat aventuriere mund të përshkallëzohen në marrëzi intelektuale(mjerisht që edhe ndionjë shkrimtar e inteltkual e gjejmë në "Vallen e djallit të engjëllosur") nga ithtarët, të bëhen kob, për më tepër nëse në to futen diletantët fetarë, mercenarët antikulturorë, jokombëtarë të gjeoetnisë shqiptare. Edhe nëse rreshtohemi në taborrin e një ëndjeje retrogarde të gjithë shqiptarët, nuk ndihmon gjë, përsa nuk e ndërrojmë besimin e përkushtimin në punë, përparim, besim të mirëfilltë në Zot; derisa nuk heqim dorë nga demagogjia e "përparësisë" pa mbulesë utilitare. Evropa e ka Lindjen e Perëndimin në vete, Amerika e ka Lindjen e Perëndimin në vete, Azia e ka Evropën e Amerikën në vete dhe bashkëjetojnë, i marrin të mirat e i flakin të ligat e ndërsjella, e duan më shumë trashëgiminë drejt së ardhmes se sa të tashmen kah e shkuara. E, pse ne shqiptarët të mos e kemi civilizimin lindor e perëndimor brenda vetes, kur jemi "rritur" me ta historikisht e gjeografikisht, duke ruajtur identitetin rrënjësor shqiptar, si çdo popull tjetër i gjallë sot në botë?

Rrahim Ganiu

Rrahim Ganiu ka lindur më 10.03.1945  në fshatin Mateç të Kumanovës, ku ka kryer pesë klasë fillore, ndërsa pjesën tjetër të arsimimit fillor deri në klasën e tetë e ka kryer në Kumanovë, kurse Shkollën Normale në Shkup. Ka punuar si mësues katër vjet në fshatin e lindjes, pastaj 6 muaj në administratën publike në Kumanovë si nëpunës, gjersa një ditë papritur e pa asnjë shkak e dëbuan nga puna dhe ia morën banesën. Pasi mbaroi fakultetin në vitin 1970, u punësua në Radio Shkupi, programi në gjuhën shqipe, ku punoi gjer në vitin 2009. Në këtë institucion ka kryer detyrën si gazetar, pastaj si redaktor i redaksisë, redaktor përgjegjës i programit, detyrë të cilën e ka ushtruar më shumë se tetë vjet, pastaj dhe përgjegjës i programit shkencoro-letrar.
Gjatë punës së tij ka transmetuar shumë përmbajtje të zhanreve të ndryshme gazetareske, si lajme, informata, intervista, reportazhe, vështrime e komente, si dhe emisione shkencore e letrare. Ka përgatitur më se 1000 emisione shkencore e letrare të sferave të ndryshme që janë transmetuar në emisionin e njohur “Horizontet e diturisë”. Prej vitit 1990 deri në vitin 1999 ka transmetuar çdo javë informata, vështrime, intervista, komente javore etj., kushtuar çështjes së Kosovës. Në program ka transmetuar edhe një sërë recensionesh. Me punime publicistike dhe shkencore është paraqitur edhe në gazetat “Flaka”, “Fakti”, “Rilindja” e Prishtinës, si dhe në revistat “Jehona” dhe “Vlera”. Ka marrë pjesë edhe në shumë simpoziume shkencore dhe publicistike duke u paraqitur me punime nga sfera e publicistikës, filozofisë dhe estetikës.
Jeton në Shkup.

 
Librat e botuara:
·         “Kthim në Pellazgji”, poezi
·         “Marramendje kohe”, poezi
·         “Sytë dhe yjet”, poezi
·         “Kushtrim shkëmbi”, poezi
·         “Ta vodha shikimin”, poezi
·         “Homeri i gjallë”, poezi
·         ,,Kur e sulmova terrin’’, poezi
·         ,,Baladë në gurë’’, roman
·         “Marramendje metafizike e artit”,
·         “Mendime filozofike e estetike për artin” (nga antikiteti deri sot).


Poezi nga Rrahim Ganiu

1. HARKU I MADHË

Modesti e ime
Pse më këshillon
Të largohem
Nga të gjitha dëfrimet
Që i ka krijuar zoti
E natyra

O pishtari e ime
Pse më mbronë
Nga ngadhnjimet e mia
Edhe kur janë të vogla
Minore
Ndoshta më ruan
Për një ngadhnjim
Të madhë
E kush
Nuk i nënshtrohet
Ngadhnjimit që e
Quajnë madhështorë
 

Unë që moti të kam thënë
Se jam pjekur e djegur
Për pranverën e madhe
Këngën time e kam murosur
Me kurreshtje të djerrsitur
Me jetë e zjarrë vullkani
Jam si qumshti në zjarrë
Vetëm sa nuk kam gufuar
E ç’ka fitoj në se derdhem
Në tokën e tokës
Kur këngën time e kam
Dashuri në njëmbdhjet ura
E nëntë beteja kthesa në mote
 

E ti modesti e ime e tepruar
Lejom të shndërrohem
Në shigjet zjarri të më gjuan
Harku i madhë magjikë
I lashtësisë sime
Ndoshta do të më shpien
Në oazën e lirisë së plotë
Dua të më largon
Nga rruga çdo mjerim
Të më kursen nga
Dridhjet në ankthë
E një fat i alivanosur
 

Sot e dua një mendim
Marramendës
Si agim mëngjesi
Ti shmangi erërat
E knetave të ndotura
Dhe soin që dredhisë i thotë
Epërsi
E shkreptima e pishtarisë
Të më shkëlqenë
Në sfidat e motit të ligë
Dhe askujt si përkulem
Kur flaka më bëhet
Ardhmëri e këngë lavdie
Urash
E dasëm nëntë palë krushqish
 

O pikllimi im ruajëm nga një udhtim
I ri që e ka shpikur gjarpëri
E muzgu im dehës të na ruaj nga gjumi
I tepruar
 

Në se një herë zgjohemi
Me siguri do të jemi të zgjuar
Gjithnjë
Dhe të gatshëm për një pranverë
Të madhe për një yll lot gëzimi
Ku fryma shkrihet e vlonë
Në zjarrin e brendshëm
Ta kuptoj zanafillën e ashtit
E këngën time dashuri yll vullkani




2. RRUGA E FATIT

Fati dhe përvoja ime
Janë kreshtë e ashpër
Që më shumë duhet të ngjitem
Sesa të eci me këmbë të lira

Nuk kam asnjë
Porosi
Për të ardhmen
Të kaluarën e kam
Në pëllëmbë të dorës
Po sot nuk e di se ku
Më shpien dita

Nga fati dhe përvoja ime
Mësova
Se çdo gjë në çdo moment
Mund të ndodhë
Çdokund është qendra
Unë di vetëm për gjëra
Të forta
E ulurima ujqish

Jam gjithmonë udhëtar
Që dua të riatdhesohem
Nganjëherë kërkoj atdhe
Edhe mbi yjet
E dhëmbët na ranë
Në shëtitje midis
Skillës e karibdës
Se di nëse u ngjitëm në një
shkallë

Qoftë e bekuar
Nga Zoti
Imtimja ime
Peshore e vërtetë
E ëndrrës sime
Fluturuese
E me këta dy duar
Do ta pastroj
Dimrin e madh
E do t’i dal zot
Drurit të pagdhendur
E urtësisë së vjetër
E të re

         


3. DASHURISË IA FALA NETËT PA GJUMË

Dëgjoma edhe pak
Rrëfimin tim
Unë duke u rritur
Dashurisë ia fala të gjitha
Netët pa gjumë
Jetën e vesha
Me shtatin e këngës sime
Fjalës me peshë
Nuk i thashë hesht
Dhe prita të flasin
Majat e lisave
Mbi krojet e gurëve
Ku shlyhet gjurma
E shejtanit
Që shkeli mbi lotin
E shenjtë
Të dy shpirtrave të djegur
Lulja nuk u përkul
I thashë nisu pulëbardha ime
Sonte do të prehemi
Në krahët e ylberit



3. LOTËT E NJË VASH

Dhe u zgjua bimësia
Nga lotët e një vashe
Që e dashurova në pranverë
U shtuan lumenjtë
Kur loti saj ra në skaj të lumit
Loti i saj ra në rrënjën e lules
Po atë ditë lulëzoi maji
Loti i saj ra në unazën time
E luta Zotin mos të më vrasin
Armiqtë natën në errësirë
Se nuk mund t’i mbyll sytë
Pa e puthur gojën e saj
Nuk mund të prehem pa i prekur
Flokët e pa i ledhatuar gjinjtë e saj
Nuk mund ta dorëzoj frymën pa i parë
Sytë e saj
Buzëqeshjen, shpirtin e virgjër
Loti i saj ra në vreshta
Atë ditë
U zgjua erosi, Dionisi buzën n’gaz
Fluturimi i zogjve më sjell trëndafil
Atlantidën e fundosur plot aromë
E blerim
E unë zgjohem lehtë në buzët e saj të zjarrta
Shëmtimin e shndërroj në bukuri të blertë
E dashuri me ngjyra ylberi
Do të jetoj edhe shumë shekuj gjer sa të
Shkrihet hekuri, të vijë fjala e qëlluar
Në dasmën time, një rreze e re dashurie



4. Ç’TË BËJ ME PLAGËN E PLAGËS

Më ngelën kujtimet
Ëndrra e shpresa
Kopshti i amshimit
Fama e mbretërve të mi
Ishulli i lavdisë
Plagët e babait tim
Në shekullin pa fat
Që nuk trashëgova asgjë
Veç fatkeqësive
Të gjyshit e stërgjyshit
Që i trashëgoi babai im
E pastaj m’i la mua
E unë s’di ç’të bëj
Me plagën e plagës

O Zot pse ngela jetim
Duarlidhur në plëngun
tim
Si do ta duroj heshtjen
Në cilin breg e përrua
Do ta gjurmoj flakën time,
Si mund të shndërrohem
Në varr pa emër e pa gjurmë
Ku më humbi emri
i gjakut
Si mund të ma grabisin
Legjendën time n’gur,
Si do ta gjej rrugën,
Drejt diellit si ta sfidoj
Gjunjëzimin
Si të dalë nga ky rrënim
Nuk marr përgjigje nga askush



5. PROLOG

Një mëngjes të bukur
U ngulfata në fjalë e iluzione
E duke dëgjuar tinguj
Pa kuptim ritmi as këngë
As valle, as gërnetë, as kitarë
Nuk e di si ta emëroj
Kur nuk është
As lot, as shpresë, as ngadhënjim
Si ta përqafoj akullin e akullit
Po si t’i numëroj gjithë ato hyjni
E betime hyjnish
Që edhe Olimpi i lartë mitoligjik
Do ua kishte zili
Plot heronj të vetëshpallur
Qeflinj e zhurmaxhinj
E bixhozxhinj
Kafenesh e bretkoca moçalesh
E ku u tret zëri i heronjve
Të vërtetë
Zëri i dijetarëve me vepra të dëshmuara
E bryma e mëngjesit nuk mund ta fshijë
Të vërtetën në kohë
Kur dijetari i vërtetë
Me zjarr në gjoks flakëron
Përmes blirit fluturon
Në yjet e blerta
E vrasësit naivë të vlerës
Kjo hije e errët mes nesh
Le të zhurmojnë pa çelës në zbrazëtirë
Larg oazës e diellit
Kur dijetari i vërtetë
Me zjarr në gjoks flakëron
Përmes blirit fluturon
Në yjet e blerta
E vrasësit naivë të vlerës
Kjo hije e errët mes nesh
Le të zhurmojnë pa çelës në zbrazëtirë
Larg oazës e diellit



6. KUR ISHA YLBER NË QIELLIN TIM

O Zot i Madhërishëm
Kur shqipes iu vërsulën
Hordhitë
T’’ia ngulfasin qiellin
Unë isha
Në kalanë e pamposhtur
Të krenarisë së etnisë
Ajo kishte lëshuar rrënjë
Shumë të thella guri
Me shtat të gjerë në qiell
Imazhi i blertë drejt
Lisave të gjatë
Preknin me lehtësi
Qiellin e kaltër, përjetësinë

Në një ditë të Zotit
Do të
Shkëlqej pallati im mbretëror
Si dielli pranveror, dritë
E blertë
Pas stuhive të një pasnjëshme makabre
Do të më shikoni yll
Në përjetësinë time
Unë i pari do t’i prijë valles
Me këngën time të zgjuar
E bota do të mahnitet
E ka për të kuptuar
E mësuar nga balada ime
Në këngë
Po tani kujdes nga një
Dorë
E errët
E një gjarpër i zi nga
Errësira
Ishin fjalët e fundit
Të mbretit tim të urtë
Mbreti i lavdisë
Ende nuk u kthye
Ndoshta nuk ka humbur
Në vegim
E mua ëndrra nuk më
Përfundon



7. MË JEP SHPRESË

Hyjneshë e mirësisë
E di vetminë si këngën
E heshtur
E dora ime pret shtrëngimin
E dorës
Së ritmit të zemrës
Unë erdha sot brenda
Në tempull
Të marr një grimcë
Shprese dhe besimi
Për buzët e thara nga qetësia
Që më vret mëngjesin

Me ritual grigjesh
Në shkrepore
Le të më rrëmbejnë
Sonte
Nimfat e burimit
Të ujit më të çiltër
Që krijoi i vetmi
Le të më vendosin
Atje ku nuk ka
Çoroditje
Do ta madhëroj
Çastin e bekimit
Hija të më bëhet
Pranverë
Para acarit fortune

Donnerstag, 26. Dezember 2013

Letërsia dhe roli i saj në diasporë

Mbresa nga simpoziumi shkencor

Shkruan: Raimonda MOISIU

Nën kujdesin e Kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe në bashkëpunim me prof. Haxhi Berisha dhe ndihmesën e poetit e aktivistit Dedë Elezaj, në mjediset e  Monro College, Bronx, Neë York, dt. 22 Dhjetor 2013 u bë e mundur mbajtja e Simpoziumit Shkencor me temë:”Letërsia Shqipe dhe Roli i saj në Diasporë”. Morën pjesë  një numur i konsiderueshëm shkrimtarë, poetë, autorë që janë anëtarë të Shoqatës,  por edhe jashtë saj, publicistë, historianë, studiuesë, piktorë, aktorë gazetarë, intelektualë, dashamirës e adhuruesë  të artit e letërsisë e kulturës shqiptaro-amerikane. Përvec pjesëmarrësve ishin ftuar mendimtarë e intelektualë të shquar të cështjes kombëtare figura të spikatura publike në fusha të ndryshme të jetës sociale e kulturore të Diasporës, si nga Federata Pan Shqiptare Vatra, Akademia e Shkencave shqiptaro-Amerikane dhe jeta social- ekonomike-politike e kulturore në diasporë! Na ndodh shpesh që evenimente apo aktivitete të tilla për artin e letërsinë  të na lënë mbresa të veçanta dhe përjetime të këndshme, që shërbejnë si një kumt për të shpalosur idetë,  përshkrimin  e një realiteti plot jetë. Realitetin mbresëlënës që mbart në vetvete magjinë e ndryshimit e të shpresës, surprizën e këndshme në kërkimet origjinale për t’i mëkuar ëndrrat me art, që gjithsecili nga ne dëshiron të arrijë në rrugën e krijimtarisë e të prurjeve të reja në letërsinë shqiptare. Sigurisht bëhet fjalë për realitet brenda librave dhe detyrimin që gjithsecili nga ne ka ndaj audencës së lexuesve. Dhe jo vetë kaq! Në vështrimin e përgjithshëm evidenton zërin e shpirtit qytetar,  intektual e krijues,vetëdijen e cilësive shpirtërore të shkrimtarëve, poetëve, gazetarëve  e publicistë, me vizionin, pozitën dhe historinë e identitetit e kulturës shqiptaro-amerikane. Gjejnë vend e hapësirë personazhet, jeta jonë në  artin e të përditshmes e të bukurës njerëzore,  në një status të barabartë me botën e qytetëruar amerikane. Evidenton  vazhdimësinë  e përjetësimit të traditës, kulturës, gjuhës shqipe, historisë, letrave shqipe, ashtu sikundër kanë bërë paraardhësit, në ecje me kohën e kanë dëshmuar potencialin e tyre intelektual, dijet, aftësitë krijuese, talentin e mrekullueshëm, vlerat dhe virtytet e tyre. Kësaj here Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë vuri rolin e kontributin e saj letraro-artistik-intelektual e qytetar, detyrimin e misionin e saj fisnik ndaj komunitetit në Diasporë, promovimin e vlerave në kompromis me idenë e një Simpoziumi Shkëncor, risi krejt e re dhe për herë të parë  pikërisht në zemër të Neë Yorku-t, të artit, dijes, kulturës e traditës e vlerave kombëtare mes gamës së  gjerë të kulturave dhe komuniteteve të ndryshme në shoqërinë demokratike amerikane -multikulturore. Është koha që  njerëzit e letrave shqipe, intelektualët e  komunitet shqiptaro-amerikan në Diasporë dhe në egzil kudo që ndodhen të pohojnë  rolin e tyre  pro-aktiv në shoqëri, të përhapin mesazhin e dashurisë e të bashkëjetësës jo vetëm në mbarë botën shqiptare por edhe në marrëdhëniet me kulturat e tjera. Ky Simpozium Shkencor për letërsinë ishte më i vecanti nga aktivitetet e tjera të kësaj natyre, ngaqë në atë sallë u deklamuan jo vetëm veprat e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë dhe të autorëve që jetojnë e krijojnë në egzil,  por kishim  bashkë tërë Diasporën-Kosovën, Çamërinë e tërë Shqipërinë etnike. Deklamuan bashkë vlerat kombëtare  dhe arritjet letrare të tyre që sikur po bashkojnë shpatullat e ndrydhura të Atdheut tonë të copëtuar padrejtësisht për shekuj  me rradhë. Ky Simpozium Shkencor ishte  reflektimi dhe studimi që lidh pazgjidhshmërisht letrat shqipe këtej e përtej Atlantikut me historinë, kulturën, traditat, jetën e përditëshme dhe shkrirjen e tyre në art e kujtesë historike në letërsi. Me një program të mirëpergatitur interesant e mbresëlënës nga Kryesia e Shoqatës, në përzgjedhjen e temave në të  gjinitë;poezi, prozë, publicistikë  e kritikë letrare që do të diskutoheshin e debatoheshin në Simpozium. Eksperiencë kjo  për të zgjeruar njohuritë e tyre dhe padyshim  për të qenë  ura lidhëse midis kulturës popullore dhe artit, konceptit intelektual, qytetar dhe mençurisë për të bërë grintën e fuqishme shpirtërore. Sigurisht gjetjet inteligjente dhe idetë origjinale, në përafrimin e tematikës së Simpoziumit  e bëjnë më të lehtë për të qenë më pranë, mes realistes e pragmatistes, shpërfaqën jo vetëm finesën letrare të thesarit shpirtëror të krijuesve por edhe fuqinë shprehëse por edhe frymën e kritikës letrare.

Simpoziumi u moderua me profesionalizëm  e inteligjencë nga i kudondodhuri në evente të tilla në Diasporë, krijuesi, dashamirësi i artit e letërsisë,  intelektuali Shkumbin Tetaj i cili që në fillim u shpreh posaçërisht: “Ndjehem shumë i nderuar, i vlerësuar dhe kam privilegjin, të moderoj Simpoziumin shkencor; “Letërsia dhe Roli i saj në Diasporë”, Falenderoj dhe shpreh mirënjohjen e thellë për besimin e Kryesisë  së Shoqatës së Shkrimtarëve. “Në mendjet dhe zemrat e kombit shqiptar, të njerëzve të penës e dijes, që me punën e tyre , nënkuptojnë të vërtetën e madhe, se brenda forcës së krahëve e duarve, mendjes dhe dijes ka shpresë, dashuri, dhimbje, mall, përjetësi, muzikë, gjeografi, histori, ka vizion, shprehi të një humanizmi thelbësor të ndërsjelltë multikulturor. –Mireseerdhet  dhe Suksese në këtë Simpozium shkencor letrar e historik-do të deklamonte moderator Shkumbin Tetaj. E kërkonte natyra e këtij Simpoziumi shkencor letrar dhe historik,  që të fillohej me disa të dhëna, nga këndvështrimi biografik krijues, që kanë të bëjnë me jetën dhe aktivitetin e cdo referuesi, të cilët do të prezantonin kumtesat e tyre sipas temave që ata vetë kishin përzgjedhur. Z.Tetaj pasi recitoi vargje nga poezia “Deti” e Adnan Mehmetit kushtuar poetit Zef Serembe, si edhe e shoqëroi me një bio të shkurtër të poetit e publicistit preshevar, mes të tjerave tha: “Poeti dhe publicist Adnan Mehmeti, konceptin filozofik për jetën,  e ka kthyer në parim jetësor e krijues. Ai mendon se nuk  mjafton vetëm të jetosh dhe se jeta matet me vepra. Lum ata që bëjnë vepra. Puna e shkrimtarit është e lidhur me librat,-thotë Mehmeti,-kështu do e përfundonte fjalën e tij moderatori dhe më pas ia jep fjalën z.Adnan  Mehmeti. Nga temat që kishte përzgjedhur Presidenti i SHSHSHA-ë,- ai   prezantoi  kumtesën përshëndetëse me temë;  “Potenciali intelektual e krijues, kontribut i cmuar për cështjen kombëtare dhe identitetin shqiptar në tokë të huaj”. Ja si u shpreh z.Mehmeti: “Mirësevini në Simpoziumin shkencor ”Letërsia shqipe dhe roli i saj në Diasporë”  që organizohet për herë të parë nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë,  ku do të trajtohen disa aspekte të letërsisë shqipe në Diasporë, përkatësisht në Amerikë, këtu ku letërsia shqipe për më shumë se 100 vjet krijohet. Krijimtaria është synimi ynë, është misioni ynë që vazhdon e do të vazhdojë. Ky takim i sotëm synon të shpalos vlerat e veprave të autorëve tanë. Njohjen nëpërmjet një bashkëbisedimi të mirë dhe të drejtpërdrejtë. Ky shkëmbim i përvojës dhe i vlerave mes krijuesve është frymëzim i nismës sonë që vazhdon e nuk ndalet. Një shkrimtar apo artist është dëshmitar për kohën e tij, dhe letërsia përbën një dëshmi të gjallë për njerëzimin. Shkrimtari, artisti e poeti e di se letërsia, vargjet poetike, peneli i piktorit janë më reale se historia, dhe pena e peneli i botës së artit bën kompromis vetëm me idealin e lirisë, patriotizmit e dashurisë njerëzore. Një falenderim të vecantë kam për kryesinë e Shoqatës, në krye me kryetaren e sapozgjedhur Raimonda Moisiu që janë edhe ideatorë  të këtij Simpoziumi shkencor për letërsinë dhe rolin e saj, duke angazhuar të gjithë njerëzit e letrave shqipe, për një qasje sa më serioze dhe shkencore, për një nxitje të re të letërsisë, për një interesim të vazhdueshem të autorëve në fushën e kritikës, por edhe aspekteve të gjinive tjera,” -përfundoi fjalën e tij, z.Mehmeti duke deklaruar njëkohësisht  edhe hapjen e Simpoziumit. 

Në fjalën e saj kumtuese shkrimtarja dhe publicistja Raimonda Moisiu-aktualisht Kryetare e SHSHSHA-ë, prezantoi kumtesën me titull : ““ SHSHSHA-e – Roli e kontributi i saj në Diasporë”. Zonja Moisiu pasi bëri një këndvështrim kultural e historik të  Shoqatës që prej Themelimit të saj e deri më sot,  e vlerësoi atë  për   rolin edhe kontributin  të një kronike të gjallë të letrave shqipe në të dyja kahjet e Atlantikut dhe në  komunitetin shqiptaro-amerikan. SHSHSHA-ë është shëndrruar  në një zëdhënëse  e jetës në Diasporë, po aq në atë të bashkimit të urave midis Diasporës dhe Atdheut, në rolin e bashkëbisedimit atdhetar, të shpalimit të pasioneve, dashurive njerëzore, të atdhedashurisë e patriotizmit, të krenarisë së të qenit shqiptar, të shtegtimeve magjike nëpër të fshehtat e muzës krijuese e të laboratorit krijues, të jetës midis vargjeve  e vatrave të kulturës, midis diplomacisë botërore e mbi të gjitha, midis vatrave  të çështjes shqiptare”.Dhe jo vetëm kaq! Por edhe domethënies kulturore nga koha në kohë dhe ndryshimin brenda konteksteve social-ekonomike-kulturore për të qenë të  barabartë mes të barabartëve, për të arritur qëllimin e përbashkët, – dinjitet e mundësi të barabarta me diversitetin e pasur multikulturor në Amerikë. Më pas Kryetarja e SHSHSHA-se znj. Moisiu do të vlerësonte opusin letrar të  Shoqatës të Shkrimtarëve, poetëve,  gazetarëve dhe publicistëve, që janë heronjtë  e heshtur me penë, që pavarësisht mundësive që ofron Amerika, ata përballen me vështirësitë që hasen në emigracion dhe  kontributi i tyre është më tepër angazhim vullnetar ekstra prej punës e obligimive të ndryshme familjare e ekonomike. Ata i shërbejnë, jo vetëm pretendimit legjitim për dinjitet e mundësi të barabarta mes kulturave të tjera në tokën amerikane, në Diasporë, por edhe atdheut tonë e gjithë trevave shqiptare të Shqipërisë etnike, -kombit shqiptar. Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë lindi në sajë të  devotshmërisë, forcës qytetare e intelektuale, kurajos e përkushtimit   të ritregojë  dhe njohë historinë- ngjarjet themelore të saj,  sepse duke i njohur ato-  u japim rëndësinë e vërtetë  marrëdhënieve universale, instikteve të tyre - mbështetur në idealet patriotike dhe atdhetare, vlerat kombëtare, kulturën, traditën e gjuhën, - dëshmi këto e trashëgimisë së kozmopolitizmit që forcon shpirtin dhe sikush kultivon në vetvete atributet për të njehsuar pikën e origjinës të  identitetit kombëtar të  kombit nga vjen, në afinitet me kulturat e tjera në Amerikën multinacionale. Shumica e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë i përkasin Letërsisë Postkomuniste të Diasporës,  ata ndajnë e tregojnë historinë nën efektin e karizmës dhe aureolës të rrënjëve historike dhe kulturës shqiptaro-amerikane, pohojnë të kaluarën e pararendësve, -elitës së shquar  të Rilindjes Kombëtare në tokën amerikane, që nga Fan Noli e Faik Konica, Arshi Pipa, Bilal Xhaferi dhe Prof.Isuf Luzaj, Zef Oroshi, Qerim Panariti, Sotir Peci e Peter Prifti, etj.etj.-do të shprehte mes të tjerave znj.Moisiu.

Por ajo ç’ka shqetëson sot letërsinë shqiptare është mungesa e theksuar e shkrimeve të kritikës letrare, për të njohur vlerat e vërteta të shkrimtarëve të vjetër e të rinj, të përfshira në gamën e gjerë në të treja gjinitë; prozë, poezi dhe publicistikë. Nga më të admiruarit, i vlerësuar e nderuar mes shkrimtarëve modernë e bashkëkohorë, me një kontribut të jashtëzakonshëm në letrat shqipe dhe bashkëthemelues i SHSHSHA-së  është edhe prozatori Ramiz Gjini. Në më shumë se një dekadë ai botoi gjashtë përmbledhje me tregime dhe dy romane, rikrijoi kohën këtej e përtej Atlantikut, përpjekjet e njerëzve të zakonshëm që u është kërkuar të sakrifikojnë rehatinë dhe çrrënjosin jetën e tyre, përpjekjet autentike në domethënien e natyrës njerëzore.Në këtë Simpozium ai prezantoi  kumtesën, që u prit me mjaft interes: “Punëtori i thjeshtë i shkrimtarisë ose Letërsia mes   meje dhe teje.* të ndarë në  6 nëntituj,-ku që në hyrje të saj  shkrimtari Ramiz Gjini, një figurë dominuese tashmë e letrave shqipe në Diasporë e tokën mëmë,  mes të tjerave nënvizoi: “Ndryshe nga socrrealizmi, që solli para lexuesit letërsinë e përcudnuar të marrëveshjes solide mes   pushtetit dhe shkrimtarit, pasnëntëdhjeta, krahas disa vlerave të lëna në hije, shfaqi edhe një dukuri masive negative, kryesisht në gjininë e prozës dhe poezisë. Mendoj, se lipset të merremi më shumë me të si dukuri, se sa duke e analizuar si produkt letrar me minivlerat dhe antivlerat e saj.Fjala është për një të ashtuquajtur letërsi të tipit hidh e prit me njëri-tjetrin, ose e thënë më troc, një letërsi mes   meje dhe teje.Kjo   lloj letërsie ka gjetur një shtrat vegjetimi sidomos në internet, në faqet e mediave të shkruara dhe në emisionet mbi   artin dhe  kulturën të mediave vizive në vendin amë, por edhe në diasporë, në vendet e Europës dhe Amerikës.Këta shkrues, mund te klasifikohen si punëtorë të thjeshtë të brigades së madhe të shkrimtarisë.

1. Punëtori i thjeshtë i shkrimtarisë - kështu nëntitullohej nëntema e parë e kumtesës, ku mes të tjerave z.Gjini tha: “E ashtuquajtura letërsi e realizmit socialist, që lakohet rëndom edhe sot me këtë term, nëfakt, nuk   ishte, dhe nuk duhet quajtur e tillë. Ajo letërsi, vetëm realizëm nuk kishte. Ajo qe një product propogandistik letrash i brigadës  së thjeshtë të shkrimtarisë, e cila bëri cfarë deshi kupola e pushtetit. Nëse ka ndonjë meritë, ajo qëndron në faktin, që një pakicë e bëri mirë, kurse shumica e bëri keq.Për shkak të rrethanave në të cilën u shkruajt kjo letërsi, pjesa më e  madhe  e  saj, sot është harruar  duke  mbetur  ato vepra, heronjtë e të cilave, nuk   mbartinin karakteristikat e njeriut të ri socialist,  por mbartin njeriun e vërtetë me problemet dhe hallet e tij të përditëshme. Ndryshimi mes   dy   kohërave qëndron, sepse në atë kohë, autorët shkruanin pak prej qejfit dhe shumë prej hallit, sot këto punëtorë të thjeshtë shkrimtarie, e bëjnë sepse thjeshtë, u pëlqen   të jenë shkrimtarë.”

2-“Miqtë” dhe  “Armiqtë” – nëntitullohej nëntema pasardhëse  e kumtesës, dhe  z.Gjini ishte thëllësisht kritik ndaj konsideratave personale të mbushura me superlativa, që miqtë  shkëmbejnë privatisht me njëri-tjetrin, dhe për të marrë vesh armiku   brenda  klasës së punëtorëve të thjeshtë të brigadës së shkrimtarisë. Brenda  këtyre dy   kategori lexuesish futen edhe lexuesit – shkrimtarë kolegë të autorit.Për vetë qëllimin, që ka lufta mes   “miqve” dhe “armiqve”, ajo gjithnjë ka atmosferë donkishoteske. Ajo   është shfaqur dhe vazhdon të shfaqet, sidomos,  në listat e internetit. Ne njohim raste kur në Tiranë,  janë botuar libra nga personalitete te  medjave dhe te politikes. Duke   qenë se kanë  patur në dorë mjetet e propogandës,  ata i kanë ngritur në qiell me bujë krijimet e tyre si vepra  me shumë vlera. Mirëpo kjo bujë, ka zgjatur, aq sa është dashur të binte libri në duartë e lexuesit, i cili,  i ka ndëshkuar me pluhurin e harresës.

3- “Të shkruarit si një zeje që mund ta bëjë gjithësecili.” –kështu nëtitullohej pika e tretë trajtuar me mjaft profesionalizëm: “Arti i të shkruarit, që normalisht  duhet  të jetë privilegj  i atyre, që talentin e kanë dhuratë prej Zotit dhe suksesin e arrijnë me punë të madhe e të palodhëshme, duket se është shndërruar në një zeje e lehtë, që pretendon ta bëjë gjithsecili. Kjo   formë arritje e punëtorit të thjeshtë në shkrimtari,  fatkeqësishtë, sot është bërë e  modës në atdhe, por jo pak edhe në diasporë.
Punëtori i thjeshtë i shkrimtarisë, bën, si të thuash, biznes  më vete: kultivon bimë shkrimtarie, frutat e të cilave, ndonëse të papjekura, memzi   pret tíia shese lexuesit  si fruta të arrira
.
4- Arti letrar si perceptim,
Punëtori i thjeshtë i shkrimtarisë, e përdor shkrimtarinë për të qarë hallet e tij, duke u përpjekur të trajtojë problematika të rëndomta të jetës së përditëshme.
Kjo   ndodh  sepse perceptimet intuitive për  të rrokur tema dhe ide, aktualisht paraqiten në nivele mjaft të ulëta. Në gjithë këtë masë gjigante produkti letrar, perceptimin e gjejmë më shumë të një karakteri  bajat, të përbashkët e masiv.
 
5- Kopjimi  me përpikmëri i realitetit  dhe  imagjinata
Disa shkrues, bëjnë libra, brenda të cilëve gjejmë një  realitet të kopjuar me përpikmëri Realiteti është në pamje të pare i rëndomtë,  ndaj është gabim i madh   ta kopjosh atë me përpikmëri.Duke   i qëndruar besnik rrealitetit, një shkrimtar,  nuk   mund të bëjë kurrë  letërsi të vërtetë.Realiteti, është gjëja më e parrokshme dhe asnjëherë e përcaktuar drejtë ashtu sic duhet. Por shkrimtari mund të flasë për një vezullim, që e ka burimin tek realiteti, për  një si  shfaqje e një momenti suksesiv, gjithnjë e dyshimtë dhe kurrë e përkufizuar ashtu sic duhet. Duke   shkruar keq  gjithshka ke parë e ke dëgjuar, nuk   bëhesh kurrë shkrimtar. Por nuk bëhesh as kur e shkruan mirë, sepse nëse ndodhia  nuk thotë asgjë, edhe ai që e shkruan, domosdo,  që nuk thotë asgjë.
Suksesi i një shkrimtari, nis kur ai vendos në punë imagjinatën e tij dhe e ka të qartë cfarë don të tregojë.  Në procesin letrar, imagjinata  është më e rëndësishme se njohja. Imagination is more important than knoëledge, thone amerikanet.

6- Të shkruarit si akt krejt personal
Të shkruarit, si cdo art tjetër, është një akt krejt personal. Dhe budallallëku më i madh
është gjithashtu, kur kërkon dhe pret mirkuptimin e gjithësecilit.
Një tjetër budallallëk, është, të shkruash qëllimisht për shijet e një publiku të zakonshëm. Prandaj le të përpiqemi të shkruajmë për të mbajtur nën kontroll inteligjencën tonë dhe jo duke u përpjekur të cudisim të tjerët. Le të shkruajmë për të ndërtuar jetën tonë rreth këtij zanati e për ta bërë krijimtarinë mënyrë jetese.

Kumtesë tjetër që ngjalli interes e vëmendje të vecantë ishte edhe ajo e prezantuar nga dr.Yllka Filipi, si një zë unikal në letërsinë modern shqiptare,  me titull: “Individualizmi si dukuri atipike në letërsinë bashkëkohore shqiptare”.Mes të tjerave ajo u shpreh: “Nuk janë shkronjat që përcaktojnë letërsinë. A nuk janë dhe shkronjat, një mekanizëm rrotullues, që fshehin në vetvete pafundësinë? Po a dinë shkrimtarë të bëjnë lëvizjet e duhura?Këto fenomene të spikatura krijuese, prurjet në gjini të ndryshme letrare, turbulluan ujërat e së shkuarës e ranë në sy si individualitete artistike unikale të cilët ndryshuan pothuajse kahjet e letërsisë shqiptare, duke u bërë kështu pararoja e guximit shpirtëror poetik.Ç’është individualizmi? Sipas Louis Dumont: Ka një sërë lidhjesh të tilla që na japin të drejtën të quajmë me fjalën “individualizëm” konfiguracionin ideologjik modern.Po ti refrohemi këtij autori mbi konceptin universal të indivudualizmit do të vinim në dukje dy kuptime të fjalës individ. E para si subjekt empirik i fjalës, mendimit, vullnetit, mostër e racës njerëzore, brenda botës dhe e dyta si qenie morale, e pavaruar, autonome, jo-shoqërore, pra jashtë botës, i ikur botës, (sipas konfiguracionit modern sui generis) pikë kjo e cila na intereson më tepër, pasi ka lidhje me formimin dhe zhvillimin e individit si krijues, në rastin konkret, arratisjen e tij jashtë drejtimeve të caktuara letrare, si një endacak i lirë dhe i vetmuar.Të jetë kjo një marrëzi, një lajthitje e pavullnetshme, një lloj destruktiviteti i traditës së drejtimeve të ndryshme letrare, si një traumë post-diktatoriale në kërkim të lirisë krijuese? Erich Fromm e justifikon gjithsesi marrëzinë si “normale”. Në Etika-thotë ai,- Spinoza ka qenë i pari, besoj, që shprehu konceptin e marrëzisë,  si: “normale”. Një lloj dissidence e gjithkohshme, u ndie edhe gjatë kësaj periudhe, si jehonë  e risive poetike që sollën poetët me kokë të prerë që  guxuan të dilnin kundër normave të letërsisë së soc-realizmit, e cila zgjati jo pak, por plot gjysmë shekulli: (po të kemi parasysh faktin se si kohë fizike ajo fillon menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore e shtrihet gjerë deri në vitet’90) Ky shpërthim i dukshëm poetësh dhe shkrimtarësh ishte gati masonic. Ja si shprehet enciklopedisti Moikom Zeqo për shkrimtarët: O sfinks i pagojë, cila është sintaksa jotë?/ Dijeni, muzgjet e currilave janë funerali im…Në vitet 2000 e në vazhdim vijojnë shkrimtarë dhe poetë me emra krejt të rinj, me një të ardhme tepër premtuese, duke eksperimentuar drejt abstragimeve artistike, nënvetëdijes së qenies, substancialitetit ekzistencial, qerthujve të subkoshiencës poetike, ujdhesave të brendshme të shpirtit si materie e tjetërsueshme, por e pazhbëshme dot nga fatet apo politikat kolektive të globalizmit.”Kumtesën për poezinë më rrymë shqiptare do e mbante poeti dhe shkrimtari Mëhill Velaj, autor i dhjetra librave me poezi, në gjuhën shqipe, angleze, frënge e  rumune, me prozë; në gjininë e tregimit e romanit, po ashtu edhe në publicistikë.Kumtesa titullohej: Poetët shqiptarë pjesë e identitetit të artit poetik  bashkëkohor në Diasporë. Mes të tjerave z.Velaj do të theksonte: “Të dy bashkë- poeti e poezia  përcjellin  mesazhin e mirëkuptimit, bukurisë, ngrohtësisë e dashurisë. Poeti e poezia, ka në esencë, besimin, përkushtimin, për t’i dhënë kuptim jetës, dashurisë, nderimit, respektit njerëzor, vlerave të një kombi, qofshin ato historike e kombëtare. Integriteti krijues i tyre është i domosdoshëm e i nevojshëm në afirmimin e letërsisë shqipe në botë, pikërisht nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme  ndërkombëtare –një  komponent vlerësues me konfliktin e vazhdueshëm  të perfeksionimit, për kulturat fisnike  të pazbuluara nga poezia, dhe të promovimit të vlerave të saj sipas artit poetik bashkëkohor. Duke prezantuar poetë si, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Xhevahir Spahiu, Ali Podrimja, Ali Asllani, Azem Shkreli,Tahir Desku, Din Mehmeti, Adem Gajtani, Ismail Kadare, Flutura Açka, Luljeta Leshanaku, Besnik Mustafaj, Preç Zogaj, Naim Kelmendi etj,etj,  në edicione të ndryshme apo simpoziume shkencore do të thotë të shprehësh shpirtin kozmopolitan e cila bashkon njerëzimin në kohë krizash dhe vazhdon të rrezatojë me mesazhe të reja njerëzore. Si nje dashamires i poezise si  nje krijues I saj , une e koleget e mij  ndjehemi krenar e se kur  vlerësohen emra të mëdhenj poetësh të vëndit tone  në barazim me emra poetësh të shquar  nga e gjithë bota, të cilët kane  një ndryshim, nderim e privilegj për të shkëmbyer eksperiencat e kulturave të tyre, për t’i vendosur në plejadën e poetëve të shquar. Kur vjen koha për të vazhduar traditën e bukur krijuese letrare, unë ndjehem me fat të jem mes poeteve te Diaspores, të lidhur  fort me traditën e kulturën e trevave të tjera të Shqipërisë etnike, me Kosovën time, ashtu si kanë bërë Rilindasit tanë, ashtu si kanë bërë gjeneratat e ndritura të  pararendësve  tanë.”

Poetja e studiuesja e imazhit të gruas nga mitologjia në ditët e sotme do të mbante kumtesën me titull “ Motrat Qiriazi, Parashqevia e Sevastia”, duke na sjellë zërat e parë krijuesë, femërorë e intelektualë, që nga Sevastia e Parashqevi Qiriazi e deri në ditët e sotme në Diasporë. Më pas referuan poetesha dardane Rita Saliu -simbol i gruas luftëtare të rezistencës popullore për liri e pavarësi në Kosovë , poetesha e dhimbjes patriotizmit e atdhedashurisë, aktiviste e shquar e cështjes kombëtare dhe të drejtave të gruas në mbarë botën shqiptare, e cila për meritat e saj është dekoruar me urdhërin “Nënë Tereza”, nga ish-presidenti Bamir Topi, – na solli eksperiencën e saj në disa evente kombëtare e ndërkombëtare gjatë 2013-s. Përshëndetën me poezi, poetët e aktivistët e  cështjes shqiptare,  sikundër Shpend Gjocaj, Merita Shkupi, Marjana Zeneli Bulku,  Ibadete Humolli Tetaj, Ramiz Mujaj, piktori Astrit Tota, studiesi e historiani Bajram Dokaj, djali i Camërisë Sali Bollati,etj. Simpoziumi u ndoq dhe u  pasqyrua nga TV Albanian Cultural, nën kujdesin e Adem Belliut dhe fotoreporterit Aleksandër Nilaj.

Raimonda MOISIU
HARTFORD CT USA
DHJETOR 2013
____________
Huazuar nga gazetadielli.com

Montag, 23. Dezember 2013

GËZUAR FESTA E KRISHTLINDJEVE, VËLLEZËR!

 Urim nga Portali „Ora shqiptare“ dhe Revista „AlbPlanet“

Stafi i Portalit „Ora shqiptare“ dhe i Revistës „AlbPlanet“ , të gjithë vëllezërve shqiptarë të besimit të krishterë, ua uron Festën e Krishtlindjeve.
Festa e Krishtlindjeve është ndër ngjarjet më të rëndësishme të komunitetit të krishterë dhe mbarë njerëzimit. Prandaj urojmë që toleranca, harmonia, paqja, mirëkuptimi dhe dashuria mes njerëzve të mbretërojë në këtë ditë të shenjtë!
Ne i bashkohemi lumturisë dhe gëzimit që sjell kjo festë, e cila mishëron idenë dhe ndjenjat e besimit në vlera hyjnore dhe njerëzore. G ë z u a r
!
 

Samstag, 21. Dezember 2013

Ali Huruglica

Ali Huruglica

(1930 – 1996)

Ali Huruglica është njëri ndër poetët më të frytshëm dhe më risimtar të letërsisë shqipe, në lëminë e krijimtarisë poetike për fëmijë, Ali Huruglica, u lind në vitin 1930 në fshatin Gjyryshec të Dardanës. Fëmijërinë, deri në moshën 12 vjeçare, e kaloi në vendlindje, si bari. Babai i tij, Salihu, e mësoi të shkruante dhe të lexonte në gjuhën shqipe. Gjatë vitit 1942 u regjistrua në klasë të dytë të shkollës fillore “Bogdani” në Gjilan, ku përjetoi masakrën e njohur të Gjilanit. Në dhjetor të vitit 1944, ai dhe motra e tij 5-vjeçare, Taibeja, u detyruan të largohen nga Gjilani. Shkollën fillore arriti ta kryen tek në vitin 1948.
Pas përfundimit të shkollës fillore ai mori përsipër detyrën e mësuesit, të cilën e kreu me sukses për 24 vjet me radhë. Shkollën Normale dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike, Dega e Letërsisë Shqipe, i përfundoi në Prishtinë, pa shkëputje nga puna . Më vonë shkoi në Shkup, ku punoi si redaktor i revistave për fëmijë “Fatosi” e “Gëzimi”. Më 1973 u kthye përsëri në Gjilan dhe u punësua në bibliotekën e qytetit, ku punoi një kohë të gjatë.
Në Gjilan ka udhëhequr Klubin letrar “Dardania” të qytetit si dhe organizoi një shkollë letrare për fëmijë, me të cilët edhe nxori dy numra të revistës “Ylberi” dhe një libër më shkrime të vijuesve të kësaj shkolle “Libri që po shkruhet…”
Huruglica shumicën e veprave të tij letrare ua kushtoi fëmijëve, vdiq me 15 dhjeto 1996.
Krijimet e tij janë përfshirë në disa nga antologjitë e poezisë shqipe për fëmijë, po edhe në gjuhë të tjera.
 



 Veprat letrare:

  • “Zani i zamarës” 1964,
  • “Kaçuba” 1966,
  • “Ylli m’ka tregue”1967,
  • “Kangët e plakut me lahutë” 1968,
  • “Pulëbardha” 1968,
  • “Shkurtabiqi zemërartë” 1968,
  • “Zogu i bardhë” 1969,
  • “Xhita me yll”1969,
  • “Bilbili i gëzimit”1971
  • “Kthimi në fëmijëri” 1971,
  •  “Qershia me çadër”1973,
  • “Këngët e shkronjave” 1973 (bashkë me Fejzi Bojkun),
  • ”Vjersha të zgjedhura” 1976,
  • “Princi i trandofilave” 1977,
  • “Dreri në mal” 1989,
  • “Jastëku i ëndrrave” 1996 ,
  • “Duar të bardha” 2002.
   

Poezi nga Ali Huruglica


PISHAT E VENDIT TIM

N’krahët tuaj dua t’pushoj, o pisha,
Dhe për ju natë e ditë të këndoj...
Sa ju dua! Kësula e këmisha
Të gjitha i keni njësoj...

Herë më dukeni si ushtarë,
Herë si nuse malësore,
Ju s’keni nevojë për margaritarë,
Ju vetë m’i stolisni male e bregore.

Në halat tuaja të blerta,
Zogu i bukurisë përherë pushon,
E mbi majat tuaja – hëna lulediell
Ëmbël, ëmbël qesh e vizullon.

Nën ju, në barë të butë
Dreri shtratin e ka në verë,
Në luhajat tuaja, pa tutë,
Kitra e vogël luhatet si n’erë...

 

DORA E USHTARIT

Për vend të vet
Për atdhe
Si shpatë
I bie flakës i bie zjarrit
Dora e ushtarit
Dora e ushtarit.

Ajo lojën e di lojë
E mahinë mahi
E nëse ka nevojë
Bëhet edhe rrufe
Që të na ruaj ne
Prej barbarit
Dora e ushtarit
Dora e ushtarit

E në paqe e në rehati
Kur s’ka drojë as tutë
Dorë e nënës është dora e tij
Dora e ushtarit – qengj i butë.

 

ZOGU I VOGËL

Degën e blertë
Po e përkund puhia
Në të zogu i vogël
Po flen si fëmija.

Nën degë - burimi
Ëmbël po gurgullon
Zogut të vogël
Ninullën ia këndon

 


LUTJE

Oj erë lum era
Fryj më ngadal’
Se zogu i vogël
Tash vlen në mal.

Nesër herët
Zgjohet me diell
Dhe në fushë e mal
Këndon me fyell ...

Oj erë lum era
Fryj më ngadal’
Se zogu i vogël
Tash flen në mal.

 

NËNA I KËNDON
CERGARIT TË VOGËL


Shpend
Sonte do të flejmë në fushë
E në çadrën tonë
Do të vijë një drenushë
Ty ajo dorën do ta lëpijë
Dhe ti do të bëhesh
Më i miri fëmijë.

Sy
Sonte do të flemë në livadh
E në çadrën tonë
Do të vijë një dre i madh
Një dre me shumë brirë
Dhe ka për të shëtitur
Nëpër fushë e lendinë.

Yll
Sonte do të flejmë në pyll
E mbi çadrën tonë
Do të zbres një yll
E ai do të shndrisë e do të shndrisë
E ti më i madh do të bëhesh pasha sytë.

Lule
Sonte do të flejmë afër burimit
E mbi çadrën tonë
Do të këndojë
Këngëtari më i mirë
Bilbili i gëzimit...

 

KËNGA PËR GJYSAGJYSHIN
 

Nipi e mbesa
mbrëmë për gjyshin janë përlarë
veç që s’janë rrahur
veç që s’janë sharë!
-Është gjyshi im, është gjyshi im!
Gjyshin unë më shumë e dua
Gjyshi duhet të flej me mua!
-Bre?! Ç‘ka thua:
Po unë më shumë se ti e dua
Gjyshi duhet të flej me mua!
Nipi e mbesa, qe besa
u përlanë e u përlanë
dhe gjyshin e ndanë...
Tash nuk kanë më gjysh
Mbesa ka një gjysagjysh,
nipi ka një gjysagjysh.

 
GJYSAGJYSHI I MBESËS
 
Gjysagjyshi eja të rrëshqasim nëpër borë!
(Ai ka një këmbë
ai ka një dorë)
Gjysagjyshi sharron në borë.
E mba në dorë
po nuk rrëshqet ai,
e hipi në sajë

në vend të rrëshqitjes vaj!
-Gjysagjysh një përrallë e dua!
Gjysagjyshi përrallën e nisë,
përralla - gjysë?!

-Pse përralla gjysmë
Gjysagjysh, kështu ku ke parë?!
(“Vetë më keni ndarë”)

Gjysagjyshi ia nis këngës
Kënga gjysmë;
ia nis lojës
loja - gjysmë;
ia nis valles
vallja- gjysmë?!
Mbesa mbushet plot hidhërim:
Kështu nuk ka kuptim!
Kur nisesh për diku;
Çka u muar vesh
nëse nuk arrin deri në fund?
(Pse u përlatë? Pse më ndatë?!

 
GJYSAGJYSHI I NIPIT

Një palë këpucë
Gjysagjysh blemi mua!
Gjysagjyshi fluturim
një këpucë ia blen në vetëshërbim
(Njërën këmbë mbathur
tjetrën zbathur!)

Gjysagjysh një palë rroba
unë i dua!-
Ai një palë rroba
ia blen në vetëshërbim
Nipi i veshi,
rrobat - gjysmë!
-Kështu –tha- nuk ka kuptim!

(Kush ju ka faj
që s’mirreni vesh?!)

E keqja kur njerëzit
nuk mirren vesh,
nis me flakaresh, e përshesh

Nipi e mbesa kuptuan
dhe u pajtuan:
gjyshin e bashkuan si më parë
çdo gjë u kthye mbarë.
Mbesa në njërën anë,
nipi në tjetrën anë -
si lule në saksi...
Thua se vërtetë ish gjyshi vetë
e jo në fotografi!

 
GISHTI DIV

Babi im
gishtin e ka div,
me gisht të tij s’ka mahi,
ai e ka zemrën plot fuqi.

Gishti i tij
natën e bën dritë
dimrin verë,
ai ngjall makinat nëpër kombinate
ai i lëviz trenat
nëpër rrafshe e shpate,
ai me ashensor
të çon në trembëdhjetë kate.
ai e nxen ujin në bojler,
ai bën dritë në lambadare,
ujë të nxetë të lëshon nga tushi
gisht më të fuqishëm askush s’ka se babushi.

Tak,
e prek sustën e termocentralit
në Obiliq
dhe në tërë Kosovën bëhet dritë,
deri në fshatin tim
e në Shahiq

Gisht të fuqishëm ka im at,
ai ndriçon qytet dhe fshat.

_________
Prezntimin e përgatiti shkrimtari Rrahim Sadiku
Fotografinë e shkrimtarit Ali Huruglia  na e dërgoj poeti Sinan Sadiku

Vaso Papaj

Vaso Papaj është lindur në Tiranë në janar 1945. Shkollën e mesme e ka kryer në Durrës dhe në vazhdim është diplomuar në degën e Matematikës të Fakultetit të Shkencave të Natyrës në vitin 1968. Që atëherë i ka provuar të gjitha llojet e profesioneve: Edhe punëtor edhe ekonomist, edhe tornitor edhe matematicien, edhe Kryetar Këshilli Rrethi edhe Prefekt, edhe i papunë edhe Drejtor Rajonal Arsimi. Vetëm mësues, kurrë. Në vitin 1969-1970 ka shkruar romanin “Një Dimër mes Dimrash” ose “Romani i murosur”, vërtet i murosur, për më shumë se 20 vjet, i çmurosur në vitet e demokracisë dhe botuar dy herë: më 1995 dhe më 2006. Ka përkthyer nga italishtja romanin “Ylli i mëngjesit” i poeteshës së njohur italiane Ada Negri, botuar më 2008, si dhe “Kasta” (Dosjè) të gazetarëve italianë Serxho Rico dhe Gian Antonio Stella botuar me puntata në gazetat lokale “Dyrrah” dhe “Sintagma”. Në vitin 2011 boton vëllimin poetik “Mbeta mik me shpirtin”, në vitin 2012 vëllimin poetik “Një tjetër diell” dhe në vitin 2013 vëllimin poetik “Koncert nën narkoze”.



Poezi nga Vaso Papaj
 
Joniane 

E ngopem, e zhytem,
Buzë më buzë me peshqit puthem
Sa dua këtu të ngulem!

E thekem, e kripem
Zënë gjinkallat dhe shastisem,
Sa dua të mos dalldisem!

E të mbetem burrë i kripur.
Të kërkojnë të më lëpijnë,
S’jam nga deti i dremitur,
Dielli këtu e ka shtëpinë.
 

Nuk e pashë Trojën,Enea*

Trojën nuk e pashë atë ditë, Enea,
Megjithëse i kalova fare pranë.
S’ doja të shihja një qytet të vdekur.
Vallë, për një grua ishte bërë kurban?!...

Po kioskat në rresht suvenire ofronin,
E bleva një kalë edhe unë, gjithsesi.
Ata kuaj më dukej akoma mashtronin.
Veç dy euro. Sa lirë, më e madhja pabesi!...

I ngjante kështjellës me vrima e kamare
Një kalë kuqalash me qeramikë të pjekur.
Sa e bleva, bir, e hodha tej, për fare,
S’ do t’ merresha kurrë me qytete të vdekur.

As ti mos u merr me ta, asnjëherë.
Shpëtove, ah, atë natë të pafund .
Mes flakësh që rrotull villnin veç tmerr,
Do të ngrije dhe ti një qytet tjetërkund.

Nuk e pashë, Enea, Trojën e vdekur,
Mos e shih atë asnjëhere edhe ti
Por as kalin me qeramikë të pjekur
Në kioska suveniresh kurrë mos e bli.

*Djali im që mban emrin e princit trojan

 
 
Kënga e nomadëve

Sa zhytet dielli, vjen e më kërkon
E dorë më dorë më shumë të ndjej.
Vallë nga i merr ato fjalë që më kon?...
Se unë mbi to më mjalt nuk gjej.

Ne si nomadë shkretëtirash ngjajmë,
Humbur rrugëve të qytetit
Dhe si dy shpirtra frymën ndajmë
Mes ëndërrës dhe realitetit.

E kohën vrasim, oaze kërkojmë
Me netë pa gjumë në qiell të hapur.
Atje ku duam, kurrë s’ përfundojmë,
Se Zonjën Liri prapë e kanë kapur.

Lirinë gabele me ngjyra - ngjyra.
A ka vallë liri me xhepa bosh?!...
Lirinë që paska aq shumë fytyra,
Lirinë që qenka veç për kodosh.

Nomadë të dashurisë ne jemi,
Udhëtarë që çajnë në çdo tallaz.
Të ndalemi, ne mendje s’ kemi,
Rebeles erë i shkojmë nga pas.

 
 
Valixhja e vjetër

Të shikoj valixhe e vjetër.
Dru me vrima, krimba shpuar.
Je kujtim nga një kohë tjetër,
Kur im atë qe i dënuar.

Ç’të kujtoj më parë, moj mike!?...

Gjithmonë gati në korridor.
Herë më erdhe, herë më ike.
Jeta jonë një fat mizor.

Burg i mbyllur tek qelia,
Ndaj për mua ke kaq vlerë.
Brenda më kish mbetë rinia.
Bëj t’a nxjerr e nuk e nxjerr.

Brenda teje flinin ëndrra,
Ngatërruar bukë e gjellë.
As u ndala as u trëmba.
Burg më burg i kam përcjellë.

Nuk të flas valixhe e rrjepur.
Nuk ke veshë e nuk ke gojë.
Si relike më ke mbetur.
Dua vite të t’zbuloj.

Hap e mbyll, i gjëmon fatit,
Rroba burgu, mall dhe lot
Të mungon kostumi i Gabit*.
Shkoi me atin tim n’atë botë.

*Gabi - Tregu i shitjes së rrobave të përdorura.

 
 
 
Jam si dikur

Çdo ditë më shpesh kujtoj përrallën time,
E çfarëdolloji qoftë, nuk reshtem t’a tregoj.
Vishem me ëndrra dhe kështu i ngjaj një fëmije,
Që krijon iluzione sikur po loz me heronj.

Ca shkrepëtima brenda meje më ngasin zgjimin,
Po dhe pse ndërroj fytyrë, prapë mbetem po ai.
Jam po ai që vjen përherë të më kërkosh harrimin,
Por poezi të tillë s’të shes, jam mbi çdo gjë zotëri.

Përtej kësaj maske, ti e di, jam unë, i vërteti,
Me gëzime, hidhërime dhe probleme boll.
Trukohem.., fundja ky i jetës sime është sekreti.
Mos u habit, jam si dikur, djalosh, atje në shkollë…

Me “gjest” e transformoj një realitet të stisur.
Mjaftojnë ca yje letre, ndrin qielli skaj më skaj.
Mos poezia ime rreket të shpikë krijesë të stolisur,
Që të mund t’a harroj botën me çmenduritë e saj?

Gjithçka jashtë teje mbetet ngrirë, s’lëviz.
E ti vazhdon: qan, qesh, këndon njëlloj si unë.
Në vogëlushe kthehesh dhe loti të bën vizë,
Vragën e tij më le tek jaka mbi kostum.

Prapa kësaj maske, mësoje, jam unë në mes.
Ç’kërkoj e ç’dua nga jeta ime, e di vetëm Zoti(?!...)
Çdo herë që do të lind, çdo herë dhe që do vdes,
Do them këtë përrallën time, mësuar prej qëmoti.



Po u pamë!?

Ndonjëherë dhe po u pamë,
As shëndet nuk do të themi,
Por mes turmës, siç u ndamë,
Ndoshta lot në sy do t’kemi.

Dhe po e thirra tëndin emër,
Do t’ma hedhësh fshehtë vështrimin.
Do t’bëj “tak” e jotja zemër,
Ndoshta ëndërron dhe kthimin.

Ja, qëlloi, në trotuar...
Ndala frymën dhe të prita
Dhe pa folur, pa u qarë,
Ndoshta sytë i thanë të gjitha.

E po m’ pyete, si po shkoj,…
Do të t’them, s’di të gënjej,
Do t’mundohem të t’harroj,
Veç harresën s’mund ta blej.


 
Erdha
(Në lamtumirën e Lirak Bejkos)

Erdha…
Pa këmishë të bardhë,
Por me dhimbjen fjalëmekur.
Shiu ndër ulluqe ngjante,
Sikur kishte vdekur.

Erdha…
Me dëshirën zjarr
Dhe me zemrën që s’qe shuar.
Njerëz të cfilitur vitesh,
Lule nëpër duar.

Erdha…
Trupi yt i shuar,
Në qivur qiri i tretur.
Atje lart në qiellin gri,
Shpirti i padjegur.

Erdha…
Kishe bërë një rrugë të gjatë,
Që nga Praga ardhur,
Që t’a sillje nëpër natë,
Një të fshehtë të zbardhur.

Erdha…
Qielli plumb si portë qelie,
Sot rëndoka ndryshe.
Shpirti yt simbol lirie,
Më ngjan dallëndyshe.

 
 
Zonjë Lumturi

N’ato vite të ferrit, kur qielli më qe mbyllur,
Dhe errësira e thellë më kishte dhënë lëndim,
Të preka dhe të ndjeva mes njerëzish kokëulur,
Zonjë Lumturi, më ishe brenda shpirtit tim.

E s’të kërkova, Zonja ime, kurrë nëpër motele.
As ndër bankete zhurmëmëdhenj edhe dinakë.
Shumë herë s’të gjeta ty as kioskave me zhele,
Zonjë Lumturi, ta dish, të kisha brenda, gjak.

S’harrohen provat e mëdha, mërzitë e trishtimet
Edhe çdo herë kam dashur të mbetesha njeri.
Më të mëdha ato, më të mëdha dhe gëzimet,
Zonjë Lumturi, pranomë, kam mbetur po ai.

Me mua, mikja ime, nuk ndahesh dot aq lehtë.
Herë duhemi pa fund, here jemi flak’ për flakë.
Ti më ke nxitur vetë, të kem guxim në jetë,
Të ndjek edhe të ngjaj me maratonomak.

 
 
Peizazh jugor

E zuri reja Llogoranë,
Si mike, s’e lëshon.
Me erën pika shiu vanë,
Gjer poshtë, te bregu Jon.

E bredhat nisën të vallzojnë,
Mbërthyer me ullinj.
U fshehën zogjt nën strehën tonë,
Gjinkallat në qetësi.

E tundu-shkundu këta ullinj,
Si t’ishin balerinë.
S’di ç’po shikonin sytë e mi:
Peisazh apo vegim?

Mbi supe pika shiu ranë,
Nis era të buisë.
I mbyllëm çadrat, brënda vamë,
Me freskun mbi kurriz.

Po dielli reve u shpëtoi,
Anuar përmbi det.
Ca rreze si shigjetë lëshoi,
Ia puthi faqet qetë.

E dalim, çadrat hapen prap,
Ky deti si pasqyrë.
Na lidhin rrezet në çdo hap,
Kemi ndryshuar ngjyrë.

Nuk ndërrohen këto ditë këtu,
Me muaj nëpër botë.
Gjithçka lëviz mbi skenën blu,
Të kemi afër Zot.


 
Qetësinë ta bëj të flasë

Do të doja krahë të fluturoj,
Po ja, nuk i gjej dot.
Mos mbeta ngulur pa përvojë,
I humbur në këtë botë?
S’e di nëse përpiqem kot,
Kuptim në jetë mos t’kem!...
Më sheh në sy, më merr për Zot,
Por Zot nuk mund të jem.

Me dhimbjen, të luftoj më fton,
Me poezi, pa lot.
Më puth e fort më përqafon
E prapë më quan Zot.
Por Zot, ta dish, unë s’mund të jem,
Besomë, nuk të gënjej.
Veç nëse dhimbjen pas do të kem,
Qetësia do t’më brejë.                                     

Ndaj, nis e qesh, në krahë të marr
E humb në hapësirë.
Në sy, si ti, dhimbjen kam parë.
Kjo më ka bërë të mirë.
Do të doja krahë të fluturoj
E lart, më lart të ngas.
E nëse rrotull ka qetësi,
Qetësinë ta bëj të flasë.

 

Shi i shpirtit tim

Shi i shpirtit tim,
Shi pa pranga…
Zbutmë plagët,
Plagët e përgjakura të mundit,
Mos i lerë të zenë merimanga.

Miku im i mirë,
Shi plot hir.
Shuama grahmën e dhembjes.
Freskomë qelizat e mendjes.
Të mos rend kuturu.
Ngreje vetullën tënde,
Ylberin,
Ja, kështu:
Bashkoja kreun dhe fundin,
Mirësinë dhe mëshirën…
Shi i shpirtit tim,
Për mua,
Bëje më të mirën!
Se je shi i shpirtit tim,
Shi pa pranga.
M’i zbut plagët,
Mos të kem më danga… 

 
Spaç…
(Në kujtim të Koç Papës dhe Gëzim Çelës,
që i mbijetuan këtij Ferri)

Spaç…
Tregomë ç’të duash, nuk kam më lot,
Po prapë s’m’i çlodhe kurrë mendimet.
Kujtimi yt Zotin s’ma ndot
E as më nxit në shpirt mallkimet.
Ndonëse më ngjan një tjetër Ferr,
Pa Ugolin e pa Ruxher*.

Spaç…
Një rreze dielli si prangë e zjarrtë,
Poeti ndrydh një shkulm prej vreri.
Qielli më ngjan - rrasë e acartë,
Mali - njëlloj kupolë bunkeri.
E prapë më dukesh tjetër Ferr,
S’ka Ugolin, s’ka as Ruxher.

Spaç…
Me Danten erdhëm dorë më dorë
E hëngrëm bukë me vesë pranvere.
Mbi ca gërmadha vumë kurorë,
Na ngrinë buzëqeshjet dhe kësaj here.
Se na u duke Ferr mbi Ferr
Edhe pse s’kish Kont e Ruxher.

Djall…
Hëngre tët bir si t’ish mëshqerë,
Ndaj duan të t’i fshijnë dhe shkronjat.
Po qumësht’ i nënës kurrë s’do t’shterrë,
Në mur, pa yll, gdhëndur shqiponjat.
E prapë më ngjan Ferr përmbi Ferr,
Ku qenkan bashkë Kont e Ruxher,
Që hanë vetveten këtë herë.

*Kont Ugolini dhe Peshkop Ruxheri,
personazhe të “Ferri”-t (“Komedia Hyjnore” e Dante Aligerit)




Furgoni niset n’orën shtatë

Furgoni niset n’orën shtatë
I përgjumur nga Berati
Këtë Tetor e solli fati
Të më kujtosh në orën shtatë
Të më kujtosh në orën shtatë
I përgjumur nga Berati...

Këtë Tetor e solli fati.

E pa pritur të gjeta prapë
N’ një lokal te “Myslym Shyri”
Porsa t’ pash, s’ma besoi syri
Dot s’ të fshehu e zeza natë
Dot s’ të fshehu e zeza natë
Rrath’t e syve ngjyrë plumbi
Porsa t’ pash, s’ma besoi syri.

Furgoni niset n’ orën shtatë
T’ gjitha puthjet seç m’i mori
M’i rrëmbeu semafori
Mbeta vetëm në Berat
Po më shpon si thikë ky shtrat
M’u përgjak krejt krahërori
Ç’i pashpirt ky semafori.

Furgoni niset n’ orën shtatë
I përgjumur nga Berati
Këtë Tetor e solli fati
Mos më kujto më n’orën shtatë
Mos më kujto më n’orën shtatë
I përgjumur nga Berati
Këtë Tetor e solli fati.


 

Më mungon

Më mungon,
Kur terri shuan gjurmët nëpër gurë,
Kur dielli valët detit ia përkëdhel,
Si hije më gjurmon, s’ më ndahesh kurrë
Dhe lodhja brenda vetes nuk më del.

Më mungon,
Në shikime, në buzëqeshje, s’ të kam gjetur
Në biseda lënë përgjysmë, më mungon
Në grykën time si një nyje më ke mbetur,
Bëj të të gëlltis e kurrë poshtë nuk më shkon.

Më mungon,
Mund të shtirem, se jam mirë, por më mungon.
Tani kuptoj seç është, të mos ndjesh’ një çast intim,
Mos më ndodhesh pranë, kur gjumi më harron,
Kur ecën këmbëzbathur brenda shpirtit tim.

Më mungon,
Ku të t’ kërkojë? Do gënjeja veten. Më mungon,
Je lutja ime në të ftohtët e mëngjeseve pafund
Për rreth, i arratisur ësht’ dhe ajri, më mundon.
Të të shoh edhe një herë, gjithë botën do ta shkund.

 
 
 
Tashmë
Tashmë
Në shtëpinë time je një hije,
Natyrë mort e varur në mur.
Je një lëngim poezie,
Varg i pashkruar kurrë.....


Tashmë
Për ty ndodhem larg
Dhe rrugët më nuk më gjejnë.
Nuk më ndërrojnë më zemrën,
As lotët lumenj.

Tashmë
Je një kujtim në letër,
Harruar diku në sirtar.
Një e re, mbetur e vjetër,
Një i prishur kandar.

Tashmë
Një vështrim në skaj kyçur,
Në jetën time një dyshim.
Një menteshë porte e ndryshkur,
Lule e tharë në kopshtin tim.

E tashmë
Je zjarr i shuar.
Sa jetuam bashkë, u dogj
Lëngim i kthyer në lutje,
Frut që stinës kurrë s’u poq!