Freitag, 23. Januar 2015

Shaban Binaku

Shaban Binaku (1851-1910) ishte trim e mendimtar i rrallë, bir i Malësisë kreshnike dhe luftëtar e prijës i paepur shumëvjeçar i betejave më të ndritshme shqiptare. Ai, si për jetën e bujshme ashtu edhe për veprën e tij historike do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e Kombit. I tillë do të përshkruhej edhe nga pleqtë e kohës, si dhe ata që e njohën më për së afërmi, këtë burrë të përmendur, nga ata që me kohë e kuptuan rëndësinë e vërtetë të luftës për liri. Ishin motet, kur në Malësinë e heronjve të kësaj treve kreshnike, midis kullave të bardha të Bujanit, shkëlqente si yll i pashuar polar, kulla-kala e Binak Alisë, në të cilën u lind e u rrit Shaban Binaku.

Ai erdhi në jetë më 1851, në Bujanin e historisë, si djali më i ri i Binak Alisë së Krasniqes së madhe të Malësisë së mirë, siç do ta quante me krenari Binak Alia. Ndërsa u nda përgjithnjë nga jeta, i kapur me tradhti, për t’u dënuar me vdekje dhe ekzekutuar me varje në litar, nga organet pushtuese xhonturke, më 27 nëntor të vitit 1910, në Pazar të Gjakovës.


Dy varre historike 

Tash e mbi një shekull më parë, vetëm pak hapa larg Urës së Tabakëve edhe sot e kësaj dite qëndrojnë dy varre historike, binjake dhe të ndërtuara pothuajse ngjitur me njëra-tjetrën, ashtu siç e patën edhe vetë heronjtë jetën, të pandarë asnjëherë, deri në rënien e tyre heroike.

Shaban Binaku dhe Abdullah Hoxha ecën një jetë të tërë së bashku, në çdo tubim e përpjekje kombëtare, kudo që i thirri zëri i Atdheut. Ata ditën të flisnin burrërisht në kuvende e të udhëhiqnin shumë beteja, si dhe të luftonin trimërisht si kreshnikët e motit, në ballë të çdo lufte për liri.

Pikërisht këta dy burra legjendarë të Malësisë, u kapën me tradhti nga xhonturqit dhe dënuan me varje, nga organet pushtuese osmane. Ndaj, që nga ekzekutimi i tyre në fund-nëntorin e vitit 1910, në një largësi krejt të shkurtër me themelet e Urës së Tabakëve, edhe sot e kësaj dite qëndrojnë varret e këtyre heronjve, si përmendore të një kohe të ndritshme kombëtare e cila tanimë po i buzëqeshte lirisë së afërt.

Ndaj, edhe rënia e tyre u gdhend me pietet, në kronikat e moteve heroike dhe luftërave epike të kreshnikëve për çlirimin e vendit, me të kaluarën e ndritshme, që ata kishin, duke hyrë kështu përjetësisht në historinë më sublime kombëtare.

Varret e tyre nuk u vendosën rastësisht atje ku qëndrojnë edhe sot, por ishte historia ajo e cila aty ua përcaktoi “tapitë” e përjetësimit. Kjo do të ndodhte në çastet më vendimtare, kur Kombi ynë, pas shumë kryengritjesh të pareshtura, kishte filluar t’i numëronte ditët e fundit të pushtimit 500-vjeçar osman, pas të cilave duhej të vinte liria e trojeve shqiptare.
Kurse historia, në kalendarin e saj, numëronte vetëm edhe një ditë, për fillim-zbritjen e dy viteve të fundit të robërisë otomane, para se Shqipëria Etnike përfundimisht të shpallej e lirë dhe e pavarur.

Ishte 27 nëntori i vitit 1910, kur dy burra viganë e legjendarë, si Shaban Binaku dhe Abdullah Hoxha, të cilët njiheshin nga të gjithë shqiptarët si luftëtarë dhe prijës e mendimtarë të rrallë të Malësisë kreshnike e më gjerë, pasi që kishin bërë emër të mirë dhe treguar zotësi të pashoqe në shumë përpjekje e beteja për lirinë e trojeve të veta kombëtare, do të lëkundeshin pa jetë, të varur mizorisht nga organet pushtuese xhonturke, në mesin e pazarit të Gjakovës.

Ata të lindur e të burrëruar në njërën nga trevat më kryengritëse shqiptare, nuk pranuan asnjëherë pushtimin e atdheut. Vendlindja e tyre, shumë herë do të digjej e shkrumbohej për liri dhe çlirim nga pushtuesit, për t’u ngritur përsëri po aq herë si feniksi nga hiri i tij, për të lënë gjurmë të pashlyera në historinë e këtij populli, rritur dhe përkundur në djepin e ëndrrave të lirisë së përjetshme.

Shabani ishte djali më i vogël i Binak Alisë, njeriut të bëmave të mëdha kombëtare dhe drejtësisë e pleqërimit tradicional shqiptar, i cili jetoi dhe veproi gjatë shekullit të 19-të, në Bujanë të Malësisë së mirë dhe më gjerë. Atë rrugë do ta ndiqnin djem e nipa ,e në mesin e tyre do të dallohej djali Shabani dhe nipi Zeqir Halili, të cilët do të binin që të dy heroikisht, në altarin e lirisë së Atdheut.

Ashtu si Binak Alia edhe bijtë e pasardhësit e tij, ishin dhe mbetën deri në fund, ushtarët më besnikë të Lidhjes së Prizrenit dhe Çështjes madhore Kombëtare, në përgjithësi. Ndaj, me të dëgjuar për arritjen e Mehmet Ali Pashë Maxharit, në fund-gushtin e vitit 1878,në Gjakovë, mi cili kishte për qëllim dorëzimin e Plavës dhe Gucisë, Malit të Zi, Shaban Binaku, ndër të parët, do të shkonte atje ku vendosej e ardhmja e atyre trojeve.

Ai dhe luftëtarët më besnik të Lidhjes, do t’u kundërviheshin me të gjitha forcat dhe dufin e tyre atdhetar mureve të zymta të kullës së Avdullah Pashë Drenit, të cilat pabesisht dhe në kundërshtim me interesat kombëtare, mbanin brenda armikun e të gjithë shqiptarëve, në ato kohë të liga.

Madhështinë e heroizmave të Familjes së Binak Alisë, do ta rrisnin dhe ngrisnin lart e më lart, flijimet e pareshtura të pinjollëve të saj, të cilët ranë duke luftuar me vetëmohim për idealet e lirisë, kundër cilitdo armik, që guxoi t’i mësynte trojet shqiptare, kudo qofshin ato, në Shqipëri, Kosovë dhe trojet tjera etnike, që sot mjerisht gjenden nën mal të zi, si Ulqini, Tuzi, Hoti, Gruda, Plava dhe Gucia etj.

Ata, u përballën trimërisht me pushtuesit turq, serbo- malazezë, italianë e gjermanë, për bashkimin e të gjitha tokave tona dhe krijimin e një shteti të lirë e të përbashkët, për të gjithë shqiptarët.

Ndaj edhe në tubimin e mbajtur përkujtimor, me rastin e 100-vjetorit të rënies së Shaban Binakut dhe Abdullah Hoxhës, në Gjakovë, prof. dr. Isuf Bajraktari do të theksonte, me të drejtë:
“Të 100 vitet e kaluara, tregojnë më së miri historinë e dhimbshme dhe kohën e gjatë të vuajtjes së popullit tonë, nga luftërat e shumta e të pareshtura kombëtare, që bijtë e tij më të mirë zhvilluan, si dhe heroizmin e familjeve më të njohura nga Malësia dhe viset tjera shqiptare, të cilat u sakrifikuan për lirinë e Atdheut”.

Ndaj, siç e thotë edhe dr. Bajraktari, përkundër të gjitha përjetimeve të dhembshme, ashtu si nuk kishin të ndalur dhuna e terrori dhe të gjitha përgjakjet e popullit tonë nga pushtuesit osmanë, edhe kryengritjet e shqiptarëve për lirinë dhe të drejtat tyre nuk pushuan asnjëherë, deri në përzënien përfundimtare të otomanëve dhe çlirimin e përjetshëm të Shqipërisë nga Perandoria Osmane.


Ardhja në pushtet e xhonturqve, me ndihmën e shqiptarëve

Organizata politike e turqve të rinj ose xhonturqve, siç njiheshin ata, ishte formuar në Stamboll, që në maj të vitit 1889, nën emrin “Bashkim e Përparim”. Në vitet e 90-ta, ajo do të vendosej në Paris dhe vepronte jashtë Perandorisë Osmane, për rrëzimin e Sulltan Hamitit II. (Shqipëria.com, "Revolucioni i turqve të rinj (1908) dhe shqiptarët").

Megjithëse për ndihmën, që do të ofronin në rrëzimin e Sulltanit, xhonturqit premtonin futjen e reformave, ndryshime kushtetuese dhe pranimin e të drejtave të popujve tjerë nën Perandorin Osmane, deri në qershorin e vitit 1908, këtë ofertë ata nuk do ta shpalosnin edhe për shqiptarët, ani-pse në Lëvizjen Xhonturke, merrnin pjesë një numër i madh i tyre.
Por, duke parë se pa ngritjen e shqiptarëve nuk mund të arrinin rrëzimin e Sulltan Hamitit II, Lëvizja Xhonturke, më në fund në qershorin e vitit 1908,u detyrua që përmes nenit 16-të,të programit të saj, i cili parashihte të drejtën e mësimit në gjuhën amtare, zhvillimin e kulturës kombëtare dhe organizimin politik të popujve nën Perandorinë osmane, t’u premtonte edhe udhëheqësve të popullit tonë të drejta kombëtare dhe hapjen e shkollave në gjuhën amtare, të cilat deri atëherë mungonin vetëm për shqiptarët.

Ndaj, të “armatosur” me shpresën se, pas rrëzimit të Sulltan Hamitit II, përveç shkollimit në gjuhën e tyre dhe të drejtave tjera që u takonin si popull, do të realizonin edhe autonomin shtetërore, nën udhëheqjen e Isa Buletinit, ku do të merrte pjesë edhe Shaban Binaku e Abdullah Hoxha, nga 14 deri më 22 korrik të vitit 1908,në Ferizaj do të organizohej një tubim masiv. Në datat 20- 22 korrik, ai do të arrinte në mëse 30 mijë shqiptarë të armatosur, që kërkonin vendosjen e kushtetutës, e cila njihte të drejtat e tyre gjuhësore dhe kombëtare. Me atë rast, do të mblidheshin edhe mbi 1500 nënshkrime të pjesëmarrësve, për rrëzimin e Sulltan Hamitit II. Madje, në kulmin e këtij organizimi, më 22 korrik të vitit 1908, nga Kuvendi i Ferizajt, shqiptarët do t’i dërgonin edhe një telegram kërcënues Sulltan Hamitit II. Përmes të cilit, ata i kërkonin me këmbëngulje shpalljen e menjëhershme të kushtetutës, para se 30 mijë burrat e armatosur nga Ferizaj të niseshin në drejtim të Shkupit, për çlirimin e tij nga forcat pushtuese të Perandorisë.

Kështu që nën presionin e madh të kryengritësve nga Kosova e Malësia, si dhe nga frika se mund të shpërthente ndonjë kryengritje e përgjithshme e shqiptarëve, më 23 korrik të vitit 1908, Sulltan Hamiti do të detyrohej që ta shpallte Kushtetutën (Hyrjetin) dhe pas 32 vitesh sundimi, si sulltan fuqiplotë, të kufizonte të drejtat e tij sunduese. Me atë rast, ai pranoi edhe vendosjen e turqve të rinj (xhonturqve) në pushtet si dhe mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në të gjithë Perandorinë.


Tradhtia e xhonturqve

Por, me të marrë qeverisjen e vendit në duart e tyre, turqit e rinj (xhonturqit), ende pa kaluar as dy muaj sundimi, më 15 shtator të vitit 1908, ata do të sillnin një ligj diskriminues zgjedhor, i cili i kufizonte të drejtat e kandidimit të jo-turqve në Parlamentin Perandorak.
Ky ligj nuk i njihte kombësitë e tjera dhe të gjithë popujt nën Perandori i shpallte osmanlinj. Kurse kandidatët për deputetë, para se të konkurronin në zgjedhje, duhej ta pranonin “kombësinë” osmane, në mënyrë që të kishin të drejtë kandidimi për deputetë në Parlament. (Shqipëria.com, “Shqipëria gjatë zgjedhjeve të vitit 1908 dhe kundërrevolucionit të prillit të vitit 1909”).

Madje, pa kaluar shumë kohë, njëlloj si paraardhësit e tyre të njohur për tradhtitë dhe qëndrimet e tyre antishqiptare, edhe xhonturqit, me t’u rehabilituar në pushtet, vendosën që të gjitha shkollat në gjuhën shqipe dhe klubet e sapo-hapura kombëtare, t’i mbyllnin me forcë, duke nisur që në pranverën e vitit 1909.

Sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, ata ndërmorën edhe ekspedita të mëdha ushtarake kundër shqiptarëve, si ajo e Xhavit Pashës, që në qershorin e atij viti do të arrinte edhe në Malësi. Në mbrojtjen e vendlindjes së tij, ashtu si në shumë beteja tjera anë e këndë trojeve shqiptare, do të qëndronte fort dhe shkëlqente me trimëri edhe Shaban Binaku.

Sulltan Hamiti II, duke parë pakënaqësinë e shqiptarëve ndaj ekspeditave ushtarake të xhonturqve, me shpresën se ata do të ngriheshin kundër tyre dhe ai do të përfitonte për të rimarrë edhe një herë pushtetin e plotë, që kishte deri më 23 korrik të vitit 1908, më 27 prill të vitit 1909, do të organizonte në Stamboll një kryengritje të dështuar.

Pas përfundimit të saj, ai do të shkarkohej përfundimisht nga froni i Sulltanit, duke u zëvendësuar nga i vëllai, Mehmeti V, i cili çuditërisht, do të nxirrej nga burgu, ku e kishte katandisur për shumë vite Sulltan Hamiti II, për tu shpallë kështu Sulltan i plotfuqishëm dhe Kalif i Perandorisë.

Është interesant të theksohet se, sipas shënimeve biografike të këtyre dy sulltanëve, të cilët ishin vëllezër dhe bij të një nëne shqiptare, vëllai i madh, pra Sulltan Hamiti II, do ta (mbyllte) burgoste në të ashtuquajturin “Konak Sindshirli Kuju”, për hiç më pak se 45 vjet, vëllain më të ri, Mehmetin V, në pjesën evropiane të Stambollit, duke e thyer atë fizikisht dhe shpirtërisht, deri në fund. (Vikipedia, „Mehmed V.“).

Por, përkundër ndarjes së tij të stërgjatë kohore, nga njerëz dhe ngjarje e cila nuk ishte hiq më pak se gati gjysmëshekulli, Mehmeti V, nga xhonturqit do të emërohej Sulltan fuqiplotë dhe Kalif, sado që ai psiqikisht as fizikisht nuk ishte në gjendje të orientohej, veprojë as gjykojë realisht dhe si duhet, e lëre më të ushtronte poste shtetërore ose të udhëhiqte edhe Perandori.

Megjithatë, xhonturqve do t’u mjaftonte që Mehmeti V-t, të qëndronte si emër aty, kurse Perandorinë ata dëshironin ta qeverisnin vetë, derisa paralelisht postin e sulltanit dhe të kalifit, ai do t’i mbante deri më 1918, kur edhe do të shkarkohej nga Kemajl Ataturku, për shkak të humbjes së pothuajse të gjitha luftërave dhe shumicës së territoreve të Perandorisë.

Le tu kthehemi edhe një herë mashtrimeve të paskrupullta të xhonturqve, të cilët para se të vinin në pushtet, u kishin premtuar shqiptarëve se do t’ua linin duart e lira, ashtu si edhe popujve të tjerë, për të zgjedhur vetë alfabetin e gjuhës së tyre.

Por me ardhjen në pushtet, vetëm rreth katër muaj më vonë, pra aty nga fundi i vitit 1908, përmes Ministrisë së Arsimit të Perandorisë, ata do të urdhëronin që në të gjitha shkollat shqipe të mësohej me alfabet arab. Madje, një urdhër i tillë do të përsëritej edhe një herë në muajin shkurt të vitit 1909, pas të cilit do të mobilizohej jo vetëm administrata shtetërore dhe klerikët radikalë islamikë, por edhe oficerët më të lartë të ushtrisë.

Madje, ata ndërmorën edhe ekspedita të mëdha ushtarake për ndalimin e alfabetit shqip, shkatërrimin e të gjitha klubeve shqiptare, mbledhjen e taksave me dhunë dhe rekrutimin e të rinjve me forcën e armëve. Veprimet si këto, nxitën pakënaqësi të mëdha te të gjithë shqiptarët, të cilët, sipas rapsodit popullor, Portës dhe mbretit do t’i dërgonin këtë porosi:

Le ta dijë Porta dhe Mbreti,
Se si kondisim ne, këtij Hyrjeti!


Megjithatë, sikur të mos mjaftonin ekspeditat e përgjakshme ushtarake të Xhavit Pashës, që do të zgjasnin gjatë gjithë verës, në vjeshtën e vitit 1909 xhonturqit nxorën edhe dy ligje të rrepta ndëshkuese, të cilat, kryekëput, rëndonin vetëm mbi shqiptarët:

1.Ligji për “Bandat”; përveçse ndalonte rreptësishtë organizimet e armatosura kundër Perandorisë dhe dënonte ashpër pjesëmarrësit dhe pjesëtarët e familjeve të tyre, ai ndalonte edhe veprimtaritë shkollore dhe klubet kulturore të shqiptarëve. Çuditërisht dhe për arsye të pakuptueshme, vetëm shqiptarët konsideroheshin rrezik për Perandorinë, por jo edhe popujt e tjerë, të cilët lirisht mësonin dhe shkolloheshin në gjuhën amtare.

2.Ligji për “Shoqëritë”; ndalonte të gjitha format e organizatave kombëtare, përveç atyre me kombësi turke ose përkatësi osmane.
Rrezikimi i shkollimit amtar dhe shkronjave në gjuhën shqipe do t’i detyronte atdhetarët shqiptarë që, nga 2 deri më 10 shtator të vitit 1909, të thirrin Kongresin e Shkollave në Elbasan i cili do të merrte vendim për hartimin e programit unik të arsimimit kombëtar dhe vendosi dialektin e të folmes së Elbasanit, standard të mësimit në gjuhën shqipe për të gjithë shqiptarët.

Po kështu, aty u vendos edhe për hapjen e Normales së Elbasanit. Falë ndihmës së madhe dhe përpjekjeve të gjithanshme të atdhetarëve të vendit, në mesin e të cilëve shkëlqeu patrioti Hasan Prishtina, duke mos kursyer mundin as pasurin e tij, ajo do të përjetësohej vetëm tre muaj më vonë, pra në dhjetorin e vitit 1909.

Por xhonturqit nuk do ndaleshin me obstruksionet e tyre. Për të penguar përhapjen e shkollave kombëtare dhe ndalimin e alfabetit shqip, si dhe imponimin e abetareve me alfabet arab, ata nxitën edhe reagimin e klerikëve islamistë shqiptarë, që nga Vlora e Manastiri, deri në Dibër dhe Prishtinë.

Kështu që nuk do të vononte shumë dhe klerikët antishqiptarë e turkomanë të përbetuar, përmes qarkoreve dhe mitingjeve të organizuara, do të bënin thirrje që të kundërshtohej alfabeti shqip dhe të imponohej ai arab.

Me gjithë fushatën e madhe antikombëtare të klerikëve të shitur, histori e hidhur kjo që si traditë e keqe, mjerisht edhe sot në shumë pjesë të vendit përsëritet, përhapja e shkollës shqipe dhe përvetësimi i alfabetit të saj nga shqiptarët, nuk kishte të ndalur. Ndaj, në shkurt të vitit 1910, Valiu i Kosovës, i dëshpëruar nga mosngulfatja e arsimit kombëtar, urdhëroi mbylljen e të gjitha shkollave në gjuhën amtare. ( Shqipëria.com, Histori, Kreu XI, “KRYENGRITJA E KOSOVËS E VITIT 1910”).

Para se të shpërthenin luftërat e reja me pushtuesit osman, shqiptarët për mbrojtjen e shkronjave shqipe të lindura rishtazi dhe shkollës së sapofilluar në gjuhën tonë, me moshën e saj të njomë dhe traditën vetëm njëvjeçare, nga 1 deri më 3 prill të vitit 1910, me nismën e klubit "Bashkimi", nën udhëheqjen e Dervish Himës, do të organizonin Kongresin e Dytë të Manastirit, ku do të kërkohej me këmbëngulje mbrojtja e mësimit në gjuhën amtare dhe ruajtja e alfabetit shqip, si dhe mospranimi i zëvendësimit të tij me shkronja arabe, siç kërkonin qeveria xhonturke dhe disa klerikë antishqiptarë, të ndërsyer dhe të vënë në shërbim të xhonturqve.

”Na kanë shpallur luftë në fushën e shkronjave”, thekson Dervish Hima, në Kongres, prandaj ....”Ne që jemi mbledhur këtu, bashkë me gjithë atdhetarët shqiptarë, do t'i mbrojmë me çdo mjet shkronja tona kombëtare...” Ato ishin, njëherazi, një paralajmërim për kryengritjen e armatosur , që do të shpërthente në pranverën e vitit 1910.( “Në vigjiljen e 100 vjetorit të Kongresit të dytë të Manastirit”, Parajs.com, 15.03.2010, Dr. Nebi Dervishi)
Besëlidhja e madhe shqiptare, te Verrat e Llukës (prill 1910).

Urdhëresa për mbylljen e shkollave në gjuhën amtare, mbledhja e taksave me forcë, përfshirë edhe taksat e dy viteve të mëparshme, si dhe detyrimi për rekrutimin e të rinjve shqiptarë në ushtrinë perandorake turke, kishte nxitur popullin tonë që t’i bënte gati edhe njëherë armët, për vetëmbrojtje nga pushtuesit otomanë.

Të vetëdijshëm se lufta shqiptaro-turke ishte në prag, para se ajo të shpërthente, për ta përballuar ekspeditën e madhe ushtarake, që Perandoria përgatiste kundër Kosovës dhe trojeve tjera etnike, shqiptarët e panë të nevojshme që, sa më parë, të merrnin masa urgjente organizative për mbrojtjen e tyre.

Kështu, në mesin e muajit prill të vitit 1910,nën udhëheqjen e Isa Buletinit, Shaban Binakut, Abdullah Hoxhës, Sylejman Batushës etj., do të mbahej një tubim i madh gjithëpopullor, në vendin e quajtur “Verrat e Llukës”. Madje, jo vetëm se një tubim si ky, deri atëherë nuk kishte njohur historia, por edhe Besa e dhënë aty, nuk u thye për asnjë çast.

Zhvillimi i tij, nën moton “BASHKIMI BËN FUQINË”, i unifikoi fort të gjithë shqiptarët në mes veti. Kjo histori do të përsëritej edhe me 1 maj të vitit 1990, kur me të njëjtat ide dhe qëllime do të tuboheshin mbi 500 mijë shqiptarë të Kosovës, por tanimë për luftimin e një pushtuesi tjetër, siç ishte Serbia.

Në tubimin e vitit 1910, të udhëhequr nga prijësit më të njohur të Kombit, si Isa Buletini, Shaban Binaku, Sylejman Batusha etj., u vendos për pajtimin e gjaqeve dhe bashkimin e të gjitha krahinave shqiptare, për mbrojtje të njësuar nga ekspeditat e Perandorisë Osmane, të cilat ishin gati të nisnin.

Ndaj, kujtimi i saktë i kronikave edhe pse të pashkruara popullore, për ngjarje madhore si kjo, do të ruhej dhe përcillej me besnikëri përmes këngës, e cila tubimin e vitit 1910, te Verrat e Llukës, do ta përshkruante kështu:

Mbledhë shqiptarët bit e vij,
Në Mitrovicë deri në Guci...
...............................................
Te Verra të Llukës janë mbledhë të tanë,
Kanë lidhë Besën anë për anë!

Megjithëse, atëbotë, gati kishte shkelur në të 60-tat, me vitalitetin e një djali të ri dhe vendosmërinë prej malësori, duke zgjedhur me kujdes fjalët më të mira mobilizuese, që kërkonte situata e para gjendjes së luftës, aty ku për ngjarje me peshë të veçantë kombëtare bashkoheshin Kosova e Malësia dhe të gjithë shqiptarët, do të fliste edhe Shaban Binaku, i biri i Binak Alisë, urtakut të njohur të rrafshit verior të Shqipërisë së 
Epërme, i cili ndër të tjera, do të thoshte:

“Të merremi vesh (të kuptohemi) mirë burra; bisha është plagosë, por fati i trojeve tona varet nga ne, që jetojmë këtu. Vendi ynë rrezikohet nga shumë armiq, ndaj o sot o kurrë, duhet të bashkohemi dhe t’i dalim zot atij me çdo gjë, që kemi dhe gjithçka mundemi, të gjithë pa përjashtim. 
 Pra, plumbi do plumb, kurse unë si bir i Krasniqes, ua them këto fjalë nga zemra dhe shpirti; pajtimi dhe bashkimi i shqiptarëve, sot na duhet më shumë se kurrë, pajtim e bashkim nga të gjithë pa dallim, për mbrojtjen e fëmijëve tanë dhe tokave të Atdheut, nga sulmet osmane, që janë gati të fillojnë mbi ne, pa dëshirën tonë”.


Mësymja e Malësisë, nga forcat osmane.

Qeveria e turqve të rinj, nuk do të ngopej vetëm me shkeljen e premtimeve të dhëna pak kohë më parë, për të drejta dhe përmirësimin e jetës së shqiptarëve. Kështu, vetëm një muaj pas ardhjes në pushtet, që në gushtin e vitit 1908, ajo do të sillte ligjin për thirrjen e të rinjve shqiptarë në shërbimin ushtarak të Perandorisë, për të vazhduar rritjen e zullumit ndaj popullit tonë, në fillim vitin 1909, me ngarkimin e taksave të pa-mbledhura edhe për dy vitet paraprake. Këto fakte do ta keqësonin gjendjen aq shumë, sa që shqiptarëve të mos u mbetej më asnjë rrugëdalje tjetër, përveç organizimit për vetëmbrojtje, me armë dhe kryengritje të reja.

Ndaj, për shtypjen e pakënaqësisë së tyre në Kosovë dhe Shqipërinë Veriore, qysh në pranverën e vitit 1909,për gjashtë muaj rresht, duke filluar nga muaji maj e deri në muajin tetor të atij viti, do të dërgohej antishqiptari i përbetuar dhe komandanti i divizionit të 18-t, në Mitrovicë Xhavit Pasha. Ai shoqërohej nga 10 batalione këmbësorie dhe 32 topa të artilerisë osmane. Me kërcënimin se do t’ua digjte pasurinë dhe shtëpitë, tentonte që t’i detyronte shqiptarët për pagimin e taksave dhe dërgimin e djemve të tyre ushtarë të Perandorisë, kërkesa të cilat ata nuk do t’i pranonin, pa u përballur si burrat në fushë të mejdanit me armikun.

Sikur të mos mjaftonte barbaria e Xhavit Pashës, nga mesi i muajit prill të vitit 1910, kur numri i ushtarëve osmanë, që do të mësynin Kosovën, tanimë, kishte arritur në 40 mijë veta, Shefqet Turgut Pasha filloi sulmin e përgjithshëm kundër forcave kryengritëse shqiptare, në Kaçanik dhe Carralevë. (Shqipëria.com,"Historia Shqiptare”, Kreu XI, "KRYENGRITJA E KOSOVËS, E VITIT 1910")

Për mbrojtjen e tokave të tyre, nga 6 mijë trupat vullnetare, sa llogaritet që kishin udhëheqësit shqiptarë nën komandë, 3 mijë nga ta, me në krye Idriz Seferin, do ta zinin Grykën e Kaçanikut. Kurse 3 mijë të tjerë, me në krye Isa Buletinin, do t’u zinin pritë forcave pushtuese osmane, në grykën e Carralevës.

Në mesin e luftëtarëve të radhëve të para të Isa Buletinit, edhe këtu ishte Shaban Binaku, i rreshtuar në vijat e para të luftës. Luftëtarët shqiptarë, nga 7 e deri më 10 maj të vitit 1910, edhe pse përballë një ushtrie me epërsi të mëdha forcash ushtarake dhe armatimi modern, për tri ditë dhe tri net lufte heroike, qëndruan trimërisht, me ç`rast do të plagosej edhe vetë Isa Buletini. Megjithatë, ata nuk do t’i lëshonin pozicionet e tyre dhe për asnjë çmim nuk do të lejonin kalimin e forcave pushtuese osmane përmes Grykës së Carralevës, deri në çastet e fundit dhe atëherë kur përveç mungesës së ushqimit, veshmbathjes dhe forcave ndihmëse, të cilat ishin penguar t’u shkonin në ndihmë, kishte filluar tu mbarohej municioni dhe rrezikoheshin me rrethim të tërësishëm nga armiku.

Kështu që vetëm më 10 maj të vitit 1910, pas tri ditë e tri net qëndrese biblike dhe një beteje të tmerrshme, e cila do të zgjaste gjatë tërë asaj dite, kryengritësit e mbetur pa municion, barna dhe ushqime, me Isa Buletinin në krye edhe pse i plagosur, në orët e mbrëmjes do ta çanin rrethimin dhe bartnin të plagosurit tjerë.

Edhe pas kësaj beteje, qëndresa e shqiptarëve do të vazhdonte e pa ndalur ,në vende tjera, me kryengritje të njëpasnjëshme dhe heronj të rinj, deri në çlirimin përfundimtar të Atdheut nga Perandoria Osmane.

Numri i trupave që ministri osman i luftës sillte, sa vinte e rritej. Madje, kur ai do të arrinte në Gjakovë dhe Pejë, kishte jo më pak se 50 mijë ushtarë dhe 70 bateri artilerie, me një pjesë të madhe të të cilëve, tanimë, përgatitej ta mësynte Malësinë dhe Shkodrën. Kështu, në qershorin e vitit 1910,trimat e Krasniqes dhe Gashit të Gurit, nga Malësia e mirë,(siç do ta quante plaku i urtë Binak Alia), me rreth 2000 burra, të komanduar nga Bajram Curri, Zeqir Halili, Abdullah Hoxha e Shaban Binaku, do të zinin pritë në Qafën e Morinës, për të ndalur depërtimin e ushtrisë osmane në trevat e tyre.

Para një numri aq të madh forcash armike, kryengritësit në Qafë Morinë, pas një qëndrese të fortë, u detyruan të tërhiqeshin përkohësisht, por trupat pushtuese turke do të ndesheshin përsëri me shqiptarët edhe në Rrafshin e Dukagjinit e Qafë të Kolshit, duke pësuar edhe shumë humbje tjera.


Tradhtia osmane, ndaj Shaban Binakut dhe Abdullah Hoxhës.

Megjithëse kryengritja e vitit 1910, në masën më të madhe të saj do të thyhej, por jo edhe të shuhej tërësisht, qeveria osmane në këtë gjendje do të detyrohej që t`i bënte disa lëshime para shqiptarëve. Por, paralel kësaj, ajo përdori edhe mashtrime për kapjen me tradhti të udhëheqësve të dalluar të tyre.

Në vjeshtën e vitit 1910 së pari, xhonturqit bënë sikur do të hiqnin ligjin e ashtuquajtur “Për bandat”, i cili ndalonte veprimet e klubeve gjuhësore dhe grupimeve tjera kulturore, duke lejuar hapjen aty-këtu, të ndonjë shkolle në gjuhën shqipe, por gjithmonë nën pretendimin që mësimi të zhvillohej me alfabetin arab, duke ndërpre përkohësisht çarmatosjen e shqiptarëve dhe rekrutimin ushtarak të djemve të tyre.

Madje, në atë kohë, qeveria osmane hoqi dorë edhe nga grumbullimi i taksave dhe premtoi ndërtimin e shtëpive të shkatërruara nga lufta e pranverë-verës së atij viti. Kurse, për të penguar një ri-shpërthim të kryengritjeve, dërgoi edhe disa komisione ndërmjetësimi, të cilat sikur kishin për mision qetësimin e gjendjes dhe rehabilitimin e kryengritësve, përmes marrëveshjeve me krerët vendorë. (Shqipëria.com, "Historia Shqiptare”, Kreu XI, "KRYENGRITJA E KOSOVËS E VITIT 1910").

Premtimet xhonturke, edhe për Shaban Binakun e Abdullah Hoxhën, u bënë zgjidhje e detyrueshme prej njërës nga dy të këqijat, me të cilat ata ballafaqoheshin. Si udhëheqës të zonave kufitare, përballë pretendimeve territoriale malazeze ndaj tokave shqiptare, ata ishin në luftë të përhershme me Malin e Zi. Ndaj, megjithëse një numër udhëheqësish të kryengritjes për tu shpëtuar ndjekjeve turke, kishin kaluar andej, ata nuk mund të rrezikonin dhe të binin në duart e malazezve. 

Kështu që, të ftuar pikërisht në emër të programit xhonturk për qetësimin e gjendjes nga vetë Turgut Pasha, Shaban Binaku si prijës i Krasniqes dhe Abdullah Hoxha si Prijës i Gashit, të mashtruar edhe me ofertat për falje si dhe kërkesën e përmbarimit të marrëveshjes së lartcekur në zyrat e organeve të pushtetit osman në Gjakovë, me të arritur atje, ata që të dy do të burgoseshin tradhtisht dhe dënoheshin pabesisht, me varje në Pazar!

Ky, ishte udhëtimi i tyre i fundit, pa lamtumirë dhe pa kthim prapa, në shtëpi e familje. Ata, megjithëse nuk u besonin pashallarëve osmanë, shpresonin pak a shumë që, pas gjithë këtyre luftërave, më në fund, Perandoria Otomane do t’i përmbahej kushtetutës, amnistisë së shpallur nga vetë ajo dhe programit për qetësimin e gjendjes, në marrëveshje me prijësit e krahinave shqiptare.

Shaban Binaku edhe sipas këngëve të rapsodëve popullorë, dëshmon mosbesimin që ndjente ndaj pushtetarëve turq, ndaj qysh para nisjes për t’u takuar me pashain osman, ai do t’ua linte lamtumirën përgjithmonë krahinave, ku kishte jetuar e vepruar, shokëve, miqve dhe gjithë vëllazërisë së tij:

Lamtumirë, Rekë e Malësi,
Se ma s`keni me më pa me sy! 

Mosbesimin e tij do t`ia rikujtonte edhe fisit të vetë, të cilit do t’i çonte fjalë:

Në qoftë se doni të më shihni gjallë,
Të dielën herët, ju me dalë në Pazar...

Mjerisht, përkundër ngjarjeve tragjike, që ndodhnin me aq shpejtësi në ato ditë të vështira për të, Malësinë dhe të gjithë atdhetarët shqiptarë, përkundër përpjekjeve të tij, si një shqiponjë e plagosur, Zeqir Halili nuk do të arrinte ta shpëtonte xhaxhain, Shaban Binakun dhe bashkëluftëtarin e tij, Abdullah Hoxhën. Kjo ndodhi sepse pushteti osman, duke e njohur potencialin kryengritës të Malësisë, do t’i ekzekutonte me shpejtësi, që të dy këta burra legjendarë.

Megjithatë, edhe para kërcënimeve me varje në litar, Shaban Binaku e kishte të freskët porosinë e Binak Alisë, i cili para se të vdiste do t`ua linte të bijve amanet, që për çështjen Kombëtare dhe lirinë e Atdheut, të vdisnin me nder e të panjollosur në jetë. Ndaj, ashtu si nuk pranuan dikur paret e krajlit për shitjen e tokave shqiptare, edhe tani, ai dhe Abdullah Hoxha, nuk do t’i pranonin as paret e pashait osman, për nënshtrimin e Malësisë dhe dërgimin e djemve të saj në ushtrinë e Perandorisë. Madje, siç e thotë kënga popullore, edhe në çastet më të vështira para konopit turk, e vetmja gjë, për të cilën Shaban Binakut do t’i vinte keq, ishte fakti se i qëlloi (Abdullah) Hoxha me veti, të cilin e kishte dashur gjithmonë pa hile. Ndaj do të mundohej që edhe në ato momente , t’i jepte forcë mikut të tij, anipse as ai vetë nuk i besonte Turgut Pashës:

Qëndro, Hoxhë e banë gajret,
Se neve pasha s ‘un na pret;
Nuk na vret ne Sulltan Mehmeti,
Se në rrejt murtati, nuk rren Hyrjeti....

Por, fatkeqësisht kur ishin në pyetje atdhetarët e Kombit, rrenin (gënjenin) të gjithë. Madje, nuk kishte ligj as kushtetutë, që i mbronte shqiptarët atdhetarë, nga inatet e sëmura të pashallarëve osmanë. Megjithatë, burrëria e Shaban Binakut shkëlqeu edhe në kulmin e fatkeqësisë. Ai nuk u ligështua as para litarit armik, fakt ky që këngëtari ynë popullor do ta pasqyronte me aq realizëm dhe krenari, i cili trimërisë së tij do t’i këndonte kështu:

Ai Shabani, si gjylja e topit,
Rreptë ecë trimi drejt konopit!

Nderim i merituar nga brezat

Lufta dhe përpjekjet e vazhdueshme për çështjen Kombëtare Shqiptare, që ata kurdoherë zhvilluan për popullin dhe vendin e vet, sado që martirizimi i tyre dhemb edhe sot, vepra e Shaban Binakut dhe Abdullah Hoxhës i bën përjetësisht krenarë të gjithë shqiptarët, duke gjithmonë pasur parasysh faktin se Malësia kreshnike pati e dha bij të tillë edhe në kohët më të vështira për Atdheun.

Ndërsa lidhur me prerjen në besë, që atij i bëri pashai osman, Shaban Binaku do të linte këtë porosi për të nipin, Zeqir Halilin: 

Fjalë Zeqirit me mi çue,
Një taborr me shkri për mue!


Dhe vërtetë nuk do të kalonte shumë kohë, kur kryengritjet më të reja për çlirimin përfundimtar të tokave shqiptare nga Perandoria Osmane do të lidheshin zinxhir njëra pas tjetrës. Kështu që, pas më pak se dy vitesh, bazuar në vendimet e Kuvendit të Junikut( 21-25 maj 1912), luftëtarët e Krasniqes, Gashit e Bytyçit, nën udhëheqjen e Bajram Currit dhe Zeqir Halilit, më 9 korrik të atij viti, nga fshatrat e Hasit, do t’i suleshin garnizonit osman në Qafën e Prushit, të cilin do ta shkatërronin tërësisht. Atë ditë, do të kapeshin robër , jo vetëm shumë ushtarë, por edhe disa oficerë të lartë osmanë.

Ushtarët e thjeshtë, pas çarmatosjes, do të liroheshin, ndërsa një numër prej tyre si shqiptarë që ishin, do t’u bashkoheshin kryengritësve të Atdheut.

Kurse, Zeqir Halili, i cili ende kujtonte me dhimbje porosinë e xhaxhait të tij, Shaban Binakut, do të zgjidhte tre nga oficerët e lartë osmanë, të cilët do t’i dërgonte në Bujan, që t’i varte në degët e një mani 100-vjeçar.

Ky ishte shpagimi i ekzekutimit me tradhti të Shaban Binakut dhe Abdullah Hoxhës, nga ana e xhonturqve. Eshtrat e këtyre oficerëve do të gjendeshin në vitet e demokracisë, gjatë gërmimeve nga makineritë e rënda për rregullimin e infrastrukturës së kësaj pjese të Malësisë, siç tregon Agim Mulosmanaj, njëri nga pasardhësit e familjes së nderuar të Zeqir Halilit, derisa për lidhshmërinë e kësaj historie me eshtrat e gjetura të oficerëve osmanë në atë vend, do të ri-dëshmonin edhe një herë, pleqtë më të vjetër të asaj ane.

Ndaj, të kujtojmë edhe me këtë rast, se me gjithë kalimin e kohës, emri dhe vepra e këtyre burrave të Malësisë nuk do të harrohen asnjëherë. Madje, me rastin e 100-vjetorit të rënies, falë nismës së intelektualëve të Komunës, me 27 nëntor të vitit 2010, Kuvendi i Gjakovës, në shenjë nderimi, do të zbulonte memorialin e tyre përkujtimor dhe do të emëronte një shesh, me emrat e heronjve, Shaban Binaku dhe Abdullah Hoxha.

Po ashtu, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ministri i atëhershëm shqiptar i mbrojtjes, Arben Imami, në mesin e dhjetëra personaliteteve të shquara për ndihmesë të veçantë ushtarake dhe luftëtarëve më të dalluar popullorë, të cilët dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut, më 23 nëntor të vitit jubilar 2012, e shpalli Abdullah Hoxhën “Dëshmor i Atdheut”, si dhe e dekoroi Shaban Binakun me Medalje, “Për shërbime të shquara dhe kontribut të çmuar për liri dhe pavarësi” të vendit.

Ndaj , i emocionuar nga kjo ngjarje madhore, Agim Çeku, ish-shefi i Forcave të Sigurisë së Kosovës, do të shprehej: “Gjatë rrugës, kur po vija në Shqipëri, po mendoja për këtë ditë, po mendoja se sa i madh është nderi dhe lavdia e këtyre burrave të mëdhenj të Kosovës dhe viseve të banuara prej shqiptarëve, që sot me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë të nderohen me dekoratën dhe statusin e “Dëshmorit të Atdheut”.(www.mod.gov.al/arkiv/index.php) “Ministri i Mbrojtjes Imami vlerëson dhe dekoron 38 figura të shquara të luftës për liri dhe pavarësi”).

Pra, bazuar në ato sa u thanë, dhe akte të tjera trimërie e heroizmi, që lanë pas vetes, me siguri ata meritojnë edhe shumë nderime të tjera. Si Shaban Binaku, ashtu edhe Abdullah Hoxha, megjithëse do të vdisnin me dëshirën e paplotësuar për ta parë Atdheun e tyre të lirë, për të cilin luftuan dhe u munduan gjatë tërë jetës, gjenin e trashëguar kryengritës nga vendlindja dhe shpirtin liridashës prej malësori, nuk arritën ta thyenin, dënimi me vdekje as varja barbare në litar edhe pse në mënyrën më barbare të shkëputur tradhtisht nga jeta dhe shuar pabesisht nga dora kriminele e pushtuesve osmanë.

Ndaj, rënia martirizuese e këtyre heronjve ,me rastin e 100 vjetorit të parë u përkujtua me nderimet më të larta, për të hyrë kështu edhe më bujshëm në shekullin e dytë të përjetësisë së tyre. Veprat heroike, si këto që përmendëm shkurtazi, mbeten të paharruara përgjithmonë, kurse varret e përndritësuara në historinë e heronjve më sublimë shqiptarë, që nga flijimi i Shaban Binakut dhe Abdullah Hoxhës, vazhdojnë t’u flasin brezave, përherë me krenari dhe vetëm kombëtarisht.


Burimet:

1. Shqipëria.com, "Shqipëria gjatë zgjedhjeve të vitit 1908 dhe kundërrevolucionit të vitit 1909"
2. Shqipëria.com, "Historia Shqiptare "K reu XI,"Kryengritja e Kosovës, e vitit 1910”
3.„Harry Bajraktari , “ Dokumentar për Binak Alinë, Shaban Binakun. Malësia e Gjakovës, Part II“ youtube.
4. gazetadielli.com, “Roli historik i klubit bashkimi te Manastirit, drejt bashkimit shpirtëror të Kombit”, Dr. Vebi Xhemajli.
5. “Në vigjiljen e 100-vjetorit të Kongresit të Dytë të Manastirit”, Parajsa.com, 15.03.201, Dr. Nebi Dervishi.
6. “Ministri i Mbrojtjes Imami vlerëson dhe dekoron 38 figura të shquara të luftës për liri dhe pavarësi”, (www.mod.gov.al/arkiv/index.php)
7. ”Historia e popullit shqiptar-II“, Tiranë 2002
8."Historia e Perandorisë Osmane", Tiranë 1997
9.“Nderohen bijtë e Malësisë, Shaban Binaku e Abdullah Hoxha”,, “Bota Sot”, 14.12.2010 .
10. Dul po vetë Sulltan Hamiti (Youtube).
11. Dul po vetë Dergut Pasha (Youtube).
12.Vikipedia, „Mehmed V.“

Nga: Gani Bajram Qarri, Cyrih, 1 tetor 2014

Mittwoch, 21. Januar 2015

Marin Shpani

Njëri ndër gjeneralët më të shquar të Skënderbeut

Marin Shpani ishte i biri i Brajkos, vëllait të Pjetër Shpanit që kishte vdekur para vitit 1415. Në atë kohë, xhaxhai Pjetër Shpani nuk kishte fëmijë dhe i kishte premtuar se do t’ia linte krejt pasurinë si trashëgimi. Me lindjen e djemëve të tij gjendja ndryshoi, sidoqoftë marrëdhëniet në mes të xhaxhait dhe nipit qenë gjithnjë miqësore. Në luftën e Torviollit kundra Ali Pashës, me 29 qershor 1444, Marin Shpani përmendet si një nga komandantët më trima. Ai komandoi rezervën e këmbësorisë të përbërë nga 1700 luftëtarë. Sipas planit të luftës, forcat e tij dhe te Vrana Kontit do të hynin në veprim atëherë kur ushtria armike të ishte në të thyer e sipër.

Marin Shpani me 1700 këmbësorë dhe Vrana Konti me 1300 kalorës ndodheshin të fshehur në pyllin e Kotjelit, pas kodrës së Karikut. Në kushtet kur ushtria shqiptare ndodhej në vështirësi, Skënderbeu u dha sinjalin për të hyrë në veprim. 


Në vitin 1448, Skënderbeu e la Marinin bashkë me Hamzanë me 5000 ushtarë për të meremetuar e fortifikuar kështjellën e vjetër të Balëzit afër Drishtit, me qëllim që ta kishte si bazë operacionesh. Synimi ishte që përmes kësaj kështjelle t’i mbante venedikasit në gjendje pasigurie të vazhdueshme. Me të mbaruar përgatitjet, vetë Skënderbeu u kthye në rrethimin e Danjës

.
Marini kundërshtoi veprimin e Hamza Kastiotit për të pushtuar me kokën e tij dhe pa lejen e Skënderbeut kalanë e Drishtit., por Hamzai nuk i dëgjoi këshillat e tij.
Pas largimit të Hamza Kastriotit me një pjesë të forcave në rrethimin e Drishtit, u njoftua nga xhaxhai Pjetri që bashkëpunonte me venedikasit se ata do ta sulmonin Drishtin. Dhe duke gjykuar se nuk kishte forca të mjaftueshme, u tërhoq e shkoi me ushtrinë e tij në rrethimin e Danjës.


Marin Shpani ishte luftëtar i shkallës së parë dhe besnik ndaj Atdheut e Skënderbeut. Ra dëshmor në luftën kundër Moisiut, më 20 maj 1465. Barleti shkruan: “ Marin Shpani ishte një nga komandantët më trima të Skënderbeut”.


Portreti i gjeneralit Marin Shpani është realizuar nga piktori Pjetër Marku.

Përgatiti: Nikollë Loka

Montag, 19. Januar 2015

Binak Alia

Malësia, kjo amë e trimërive, ngjarjeve historike, kalitjes së heronjve dhe nxjerrjes së pleqnarëve më me nam që njohin trojet tona, ishte dhe mbeti një trevë e veçantë e mbrujtur përjetësisht me histori dhe legjenda të pashembullta, për pleqërim, dije dhe qëndresa të mëdha.

Krasniqja e madhe dhe Malësia me Binak Alinë, u përjetësua edhe si kampion i dijes popullore dhe peshore precize e ndarjes së drejtësisë me tapi autoktone, në gjithë shqiptarinë.


Binak Alia u lind në Bujan në vitin 1805, në njërën nga familjet më të njohura në veri dhe verilindje të Shqipërisë etnike, e cila nderohej që nga Tivari, Ulqini, Plava e Gucia, deri në Dukagjin dhe Kosovën anë e mbanë.


Ai vdiq më 1895, po atje në Malësinë e tij heroike, pasi dha çdo gjë që mundi dhe diti, për lirinë ,paqen e brendshme, çlirimin e atdheut dhe mirëqenien e popullit shqiptarë kudo.
 

Ky burrë i madh i takonte një krahine e cila tash e sa kohë çmohet lartë si vendlindje burrash dhe heronjsh legjendar, ndër më të mëdhenjtë që njohin shqiptarët e këtyre trojeve gjatë 210 viteve të fundit.

Binak Alia erdhi në jetë si vëllai i katërt dhe më i vogëli nga të katër djemtë sa kishin prindërit e tij, i cili qysh në rinin e hershme u dallua për aftësitë gjykuese, prirjet për drejtësi popullore, dinjitetin burrëror dhe vendosmërinë njerëzore e kombëtare prej malësori.
 

Biri i Krasniqes ishte çdo herë atje ku fjala dhe vepra e tij më së tepërmi kërkohej, në të gjitha trevat ku atëbotë me shkronja të arta do të shkruhej historia më sublime kombëtare dhe bëhej luftë e pa kompromis e përpjekjeje mbinjerëzore për çlirimin e atdheut dhe lirinë e popullit shqiptar.

Në kohën kur ai ishte ende i ri, në Malësi, trevat e Shqipërisë së epërme dhe të Kosovës në përgjithësi, sipas traditës vendore, djemtë e ri vetëm pas moshës 16 vjeçare kishin të drejtë pjesëmarrjeje në kuvende burrash, por në rastin e Binak Alisë do të veprohej ndryshe.
 

Familja e tij, më 1820, kur ai ishte vetëm 15 vjeçar, sapo kishte përfunduar ndërtimin e kullës së famshme të Krasniqes, ndaj duke njohur zgjuarsinë e veçantë e cila ishte e rrallë për djemtë e asaj moshe, bashkëfamiljarët do të insistonin që Binak Alia të pranohej një vit më herët në kuvend, dhe burrëria e tij bashkë me Kullën e re të përuroheshin njëherazi solemnisht, edhe pse ai ishe ende i ri.

Pas shumë përpjekjesh, paria e Malësisë, me vështirësi kishte pranuar ta thyente "sullin" e kuvendeve dhe vetëm nën kushtin që Binak Alia ta kalonte testin e "pjekurisë“, duke u përgjigjur në tri pyetje të cilat do t`ia parashtronte "komisioni i burrave të zgjedhur", me ç `rast duhej të epte edhe arsyetimin për secilën përgjigje, në mënyrë që ato të pranoheshin si të sakta.


Pyetjet që do ti shtroheshin ati dhe përgjigjet e Binak Alisë, ishin këto:


1. Dru është e dru nuk është- cili dhe pse?!

"Kaqa", do të përgjigjej Binak Alia! Dru është- dhe dru nuk është, sepse për dru nuk mund të shitet.

2. Mish është e mish nuk është-cili dhe pse?!
Shpretka, ishte përgjigja e radhës! Mish është e mish nuk është, sepse për mish nuk mund të shitet.


3. Burrë është e burrë nuk është-kush dhe pse?!
Burri që nuk mbanë fjalën! Burrë është dhe burrë nuk është, sepse thotë "po" por nuk rri në "Po" , thotë "jo" por nuk rri në "Jo"! Ndaj, burrit të tillë i mungon burrëria dhe nuk pranohet për "Burrë" në kuvende.


Kështu, Binak Alia edhe pse i ri në moshë, do të përgjigjej aq saktë dhe bindshëm sa që do të habiste komisionin me arsyetimet e përgjigjeve të tij, duke mos lënë asnjë shteg për hamendje, ndaj njëzëri do të pranohej, para kohe në Kuvend Burrash.


Paria e befasuar nga përgjigjet e djaloshit 15 vjeçar, pasi që të pranuarit në kuvend kishin të drejtë edhe të pleqëronin raste të cilat atyre mund tu besoheshin, do ta ftonte solemnisht Binak Alinë, të betohej para burrave në Besën dhe Traditën Shqiptare për mbajtjen e fjalës së dhënë dhe trajtimin me drejtësi e dinjitet të cilës do ngjarje që atij mund ti binte ta pleqëronte.


Qysh nga ajo kohë, kulla e tij do të bëhej një nga selitë kryesore ku do mbaheshin qindra kuvende dhe merreshin po aq vendime me rëndësi, sa që ajo të kthehej në mit kuvendesh, kurse Binak Alia në legjendë të drejtësisë dhe pleqësisë popullore.


Dija e trimëria dhe virtytet e tij njerëzore, bënë që ai dhe Ali Ibra, jo vetëm të ndërmjetësonin me sukses në sa e sa raste, kudo që ata u ftuan, por edhe të dërgoheshin si përfaqësuesit kryesor të Malësisë në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku do të zgjidheshin që të dy anëtar të këshillit të lart të kësaj Lidhjeje Kombëtare që nga themelimi i saj.


Si ai vet, edhe të katër djemtë e Binak Alisë, nipërit e bashkëfamiljarët, vëllazëria dhe bashkëpunëtorët e tij, do ti qëndronin përherë besnik të pa lëkundur kombit, nga kushdo që ai mund të rrezikohej, disa prej të cilëve u flijuan trimërisht duke dhënë edhe jetën për atdhe. 


Familje me traditë qindravjeçare luftërash
 

Binak Alia pati 4 djem; Halilin , Aliun, Qerimin e Shabanin dhe që të gjithë shkuan rrugës kombëtare të babait. Në Kullën e Binak Alisë u lind dhe rrit edhe nipi i tij i njohur Zeqir Halili, djali i djalit të madh të Binakut , i cili si prijës i Krasniqes për 30 vjet me radhë nuk do ta lëshonte pushkën nga dora duke luftuar fort dhe trimërisht kundër forcave turke dhe atyre serbomalazeze, për lirinë e shqiptarëve dhe mbrojtjen e tokave të tyre stërgjyshore.
 

Si patriot i dëshmuar dhe orator i lindur, edhe pse në moshë të shtyrë, Binak Alia ishte ndër të parët në të gjitha tubimet e kohës me karakter kombëtar, ku do tu fliste me arsye e njohuri, si dhe gjuhën e argumenteve bashkëkombësve të tij kudo, qoftë në kuvende kushtrimesh për qëndresë kombëtare apo edhe ato për pajtimin e gjaqeve si në Kuvendin e Junikut më 1877, të cilin ai edhe do ta kryesonte. (“BINAK ALIA DHE ELITA E TIJ HISTORIKE”.. - YouTube),

Burri i Krasniqes, do tu fliste me zjarr shqiptarëve në të gjitha tubimet e organizuara të Lidhjes së Prizrenit, për mbrojtjen e tokave të rrezikuara nga pushtimet malazeze; Ulqinin, Plavën, Gucinë, Hotin ,Grudën etj, si dhe për çlirimin e atdheut në tërësi nga Turqia.
 

Binak Alia ishte jo vetëm trim e atdhetar i madh, por edhe një pleqnar i rrallë dhe mendjehollë i pa shoq në të 12 fiset që njihnin shqiptarët. Ky Burrë i Malësisë u dallua edhe si ndërmjetësues i zoti dhe pajtues i denjë i shumë gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave ndërshqiptare, i cili për emrin e mirë që kishte bërë me veprat e tij, do të shndërrohej në legjendë të drejtësisë dhe kryepleqnar i Malësisë dhe Kosovës.


Masakrimi i shqiptarëve

Binak Alia, atëbotë ishte vetëm 17 vjeçar, mirëpo kishte kohë që flitej e përflitej gjithandej se edhe në Malësinë e tij, kërkoheshin mercenar nga Perandoria turke dhe njerëzit e Kara Mahmut Bushatliut, për të luftuar kundër një Pashai tjetër të madh Shqiptar në jug të trojeve tona etnike.

Mjerisht, gjaku i shqiptarëve, derdhej ndër vite pa reshtur në të gjitha anët, madje jo vetëm në kohën e rënies së Ali Pashës dhe pashallëkut të tij, kur shqiptarët luftonin kundër shqiptarëve ,për rrëzimin nga froni pas 30 vjet sundimi të këtij Luani në Janinë, për të cilin do të dëgjonte me dhimbje mbi tradhtitë me të cilat më 24 janar të vitit 1822,ishte mundur ai dhe disa vite më vonë, për makinacionet otomane përmes të cilave do të eliminoheshin edhe qindra prijës të tjerë shqiptar, nga forcat pushtuese turke.


Fatkeqësia më e madhe, ishte se Luani i Janinës nuk u tradhtua vetëm nga organizata greke “shoqëria e miqve” që luftonte për çlirimin e Greqisë nga Turqia, të cilës në kohët më të vështira Ali Pasha i kishte ofruar mundësi veprimi në pashallëkun e tij, ndihmuar në përgatitjet për çlirim dhe krijimin e shtetit grek, me të cilën që në vitin 1818,kishte lidh edhe një marrëveshje bashkëpunimi, por ai do të tradhtohej edhe nga shqiptarët, djemtë e tij, miqtë dhe shokët më të ngushtë, me përjashtim të pak vetave që do të pranonin të vdisnin me të duke luftuar.


Madje, Jani Koletin,(Joanis Koletis;1774-1847) kryeministrin e ardhshëm grek, Pashai i Janinës, për disa vite me radhë e kishte punësuar si shef të financave të pashallëkut të tij, por pas ardhjes në pushtet, më 1844,vet Koleti do të shpallte “Megali idenë”-greke dhe kërkonte aneksimin e tokave të Shqipërisë.


Në Pashallëkun e Janinës, do të stërvitej edhe Marko Boçari (1789-1823) luftëtari i njohur arvanitas i Sulit të Çamërisë i cili fatkeqësisht do të vritej edhe ai duke luftuar për interesat greke, kundër shqiptarëve.


Për aq më keq, sikur mos të mjaftonte që sulmeve turke kundër Pashait të Janinës, me urdhër të Sulltan Mamutit II- (1808-1839),iu bashkuan ushtarët e Mahmut Bushatliut, pashait të Shkodrës, në ditët më të vështira, Ali Pashë Janina do të tradhtohej edhe nga kryekomandanti i forcave ushtarake, Omer bej Vrioni, bashkë me 15000 trupat elite të pashallëkut të tij.


Por, para mësymjeve turke quan duart edhe dy djemtë e Aliut, Veliu dhe Myftari të cilët megjithëse u dorëzuan ndër të parët, do të vriteshin nga sulltan Mahmuti II, me tradhti.
Pashain e lodhur, e tradhtuan edhe shokët më të ngushtë të tij, si; Ago Vasjari, Tahir Abazi, Zylyftar Poda, etj.


Ndaj, përkundër rezistencës së pashpresë, para gjithë atyre tradhtive që iu bënë, nën rrethimin e forcave të Hurshid Pashës, megjithëse në moshë të shtyrë, duke hetuar fermanin e falsifikuar nga sejmenët turq, kinse sulltani i falte jetën atij, Ali Pashës nuk i kishte mbetur tjetër përveçse edhe në pleqërinë e thellë, para kapjes me tradhti brenda manastirit të Shën-Pandelejmonit në ishullin e liqenit të Janinës, më 24 janar të vitit 1822,të luftonte i vetmuar si luan, duke vdekur si burrat.


Koka e prerë e Ali Pashë Janinës-pas mundjes së tij, një muaj më vonë, më 23 shkurt të vitit 1822 do ti dërgohej Sulltanit në Stamboll, ku pas ekspozimit publik disaditësh, prej dhembjes koka e Pashait, do të blihej me para nga një dervish shqiptar për tu varrosur pas 30 vjet qeverisje të pavarur mbi gjysmën e trojeve të jugut të Shqipërisë etnike, pran bijve të tij të vrarë poashtu me tradhti nga turqit, në Stamboll.


Megjithatë, shqiptarët kishin ngelë në kohë dhe feudalë e bejlerë, nuk morën mend as nga katrahura e ndodhur ndaj Ali Pashë Janinës, kështu që ata vazhdonin avazin e vjetër të luftimit të njëri tjetrit edhe atëherë kur popujt fqinj dhe ata më të largët, bashkoheshin në luftë për çlirimin e vendeve të tyre nga pushtimi turk.


Por me gjithë kaosin ndërshqiptar që mbretëronte pas vdekjes së Ali Pashë Janinës në jug të vendit, siç do të dëshmohej disa vite më vonë, Perandoria osmane ende nuk kishte mbaruar punë me prijësit shqiptar, ajo vetëm sa kishte lënë pak kohë që të ftoheshin gjakrat e nxehura nga vrasja makabre e Pashait, për të mënjanuar eskalacionin e ndonjë kryengritje të mundshme në jug të Shqipërisë.


Ndaj, me të përfunduar lufta ruso-turke e vitit 1829,gjeneralë e vezir turq, kishin nxjerr mbi tavolinë planet e reja, për veprime sipas traditës së tyre të vjetër, për përgjakjen e mëtejme të shqiptarëve me tradhti, siç dinin ata.


Kështu që nga mesi i gushtit të vitit 1830, veziri i madh, Mehmet Reshit Pasha (1780-1839), sipas shënimeve në wikipedia, i lindur në Gjeorgjinë kaukaziane si djalë i një prifti grek, konvertuar dhe shkolluar në akademitë ushtarake osmane, do të arrinte deri në titullin vezir, për të vdekur në vitin 1839,në luftimet e organizuara kundër kurdëve në Sivas të Anadollit, i cili njihej për masakra dhe ashpërsi, me qëllim eliminimi, ai do ti ftonte qindra feudalë dhe bejlerëve shqiptar nga viset jugore të vendit, të veshur me uniforma solemne, të paraqiteshin në qytetin e Manastirit ku u kishte premtuar pritje me nderime ushtarake, ngritje gradash dhe pagimin e rrogave të vonuara , kinse nga telashet e luftës që Perandoria otomane kishte deri rreth një viti më parë me Rusinë.


Dhe, më 26 gusht të vitit 1830, derisa ata përcillnin paradën ushtarake turke, e cila zhvillohej kinse sipas sistemit evropian, pjesëtarët e gardës, sipas porosisë së Mehmet Reshit Pashës, do të ktheheshin nga tribunat dhe qëllonin në befasi, për të vrarë me këtë rast, mbi 500 feudalë dhe bejlerë të pranishëm shqiptarë.


Brenda pak minutave u shfarosën kështu me tradhti më tepër se 500 feudalë e derebej, kokat e të cilëve u dërguan në Stamboll. „Masakra e Manastirit" Wikipedia.


Për këto krime, në librin e saj “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike”, do të shkruante edhe Edit Durham e cila shprehet se si më 26 gusht të vitit 1830,Mehmet Reshit Pasha, në masakrën e Manastirit, vrau në mënyrë të pabesë 500 krerë shqiptarë.


Megjithëse Binak Alia dhe Malësia mbarë, nga tragjeditë e shkaktuara otomane me tradhti të dëgjuara gjithandej trojeve tona, kishin marrë shumë mësime të hidhura dhe përpiqeshin ditë natë për bashkimin e sa më shumë trevave shqiptare për ta luftua pushtimin osman, kontinuiteti i eliminimit të prijësve shqiptar me metoda të tilla nga organet pushtuese turke, nuk do të pushonte deri në ditët e fundit të tyre në Ballkan.


Një tragjedi e ngjashme me tradhti,80 vite pas Masakrës së trisht të Manastirit, do ti ndodhte edhe djalit të Binak Alisë, trimit dhe luftëtarit të pa epur kombëtar- Shaban Binakut, i cili bashkë me Avdullah Hoxhën e Gashit të Gurit, nga fundi i vitit 2010 do të ftoheshin kinse për konsultime me organet e pushtetit të atëhershëm otoman në Gjakovë, mbi të drejtat e shqiptarëve të cilët nuk i pushonin kryengritjet, dhe në kohën kur Perandorisë pushtuese turke nuk i kishin mbet më as dy vite të plota, para se ajo të dëbohej përgjithmonë nga trojet tona, ata do të tradhtoheshin nga pushtetarët osman dhe vareshin që të dy, në mes të pazarit të Gjakovës. 


Binak Alia, prijës luftërash.

Gjendja për shqiptarët në të gjitha trojet e tyre, sa vinte e keqësohej, dhe tani ata nuk kishin më vetëm perandorinë pushtuese turke si armik që priste e korrte pamëshirshëm, por edhe shtetet hegjemoniste fqinjë që sapo kishin fituar pavarësinë nga kjo perandori, duke filluar nga principata e vogël e Malit të Zi, Serbia dhe Greqia, të cilat suleshin rrezikshëm për zgjerimin e kufijve të tyre në kurriz të tokave shqiptare.


Në anën tjetër, ende pa u terur mirë gjakrat shqiptare që vazhdonin të derdheshin ndër vite në trojet e tyre, pas presionit të fuqive të mëdha Perandoria turke do të organizonte të ashtuquajturat reforma të qeverisjes, apo Tanzimatin, promovimin e të cilit do të bënte me shumë pompozitet në vitin 1839,para se të vdiste në luftë me kryengritësit kurd- Veziri i madh Mustafa Reshit Pasha, në oborrin e pallatit të sulltanit të njohur si "Gjylhane"-apo shtëpia e trëndafilave, pranë bregdetit të Marmarasë.
Meqenëse u lexua këtu, u quajt ferman i Gjylhanese. (Hatt-i sherif-i Gjylhanesë). http://sq.wikipedia.org


Por, Tanzimati, në Kosovë dhe Shqipërinë e mesme e veriore, do të "arrinte" më 1843,i cili nuk parashihte asgjë të mirë as për këto troje, përveç rritjes së taksave, heqjen e armëve dhe rekrutimin e të rinjve shqiptar për shërbime shumëvjeçare ushtarake në vende të huaja dhe të largëta arabe të perandorisë së pafund pushtuese otomane, prej nga shumë djem të ri nuk do të ktheheshin më kurrë.


Ndaj, shpallja e Tanzimatit nxiti njërën ndër kryengritjet më të fuqishme në Kosovë dhe trevat lindore të Shqipërisë etnike, me ç`rast Dervish Cara me 10 mijë trimat e tij, në periudhën nga 21 korriku i vitit 1843, deri në shkurt të vitit 1844, do ta çlironte Shkupin, dhe afro gjysmën e trojeve shqiptare. “Kryengritja e Dervish Carës,1843-1844". Qëndresa kundërosmane në Shqipërinë e Veriut” Shqipëria .com


Për fat të keq, as kjo kryengritje nuk arriti të shtrihej në të gjitha trojet tona dhe pas një qëndrese heroike, më 1844, do të shtypej me gjak si shumë kryengritje tjera të më hershme. Ndaj Burrit të Malësisë, të rënduar nga shumë fatkeqësi që binin pa ndërpre mbi atdheun, i shtoheshin obligimet dhe vështirësitë e gjetjes së mënyrave adekuate për shpëtimin e vendit kudo që mundej dhe arrinte.


Në vitin, 1844,Serbia nën përgatitjen e ministrit, atëbotë të brendshëm të saj, Ilia Garashanin(1812-1874) do të shpallte programin e “Serbisë së madhe” të njohur me emrin “Nacertanie” e cila rritjen e shtetit serb e parashihte përmes zaptimit të tokave tona me shpërnguljen dhe asgjësimin e popullit autokton shqiptar, siç do të vepronte gati njëkohësisht edhe Greqia me paraqitjen e të ashtuquajturës "Megali ide" para mbretit Oto Friedrich Ludwig, nga kryeministri grek dhe ish ministri i financave të Ali Pashës, Jani Koleti, (Joanis Koletis),program analog me “Nacertanien”-serbe, të cilat nuk do të vonin shumë dhe do tu krijonin shumë tragjedi shqiptarëve në të gjitha anët.


Oto Friedrich Ludwig 1815-1867, ishte princ gjerman i lindur në Salzburg si djali i dytë i familjes mbretërore të Bajernit, i cili do të emërohej Mbret i Greqisë dhe sundonte atje nga 27 maji i vitit 1832 deri më 23 tetor të vitit 1862.


Por ti kthehemi edhe një herë figurës së çmuar të Binak Alisë, të cilit në këto vite të turbullta kombëtare do ti duhej të merrej me shumë detyra dhe të gjendej me kohë në të gjitha vendet dhe drejtimet duke vepruar me krejt mundësitë që kishte, ku mundej dhe arrinte sipas rasteve që kërkonin angazhimin e tij, qoftë në kuvende burrash, pajtim gjaqesh apo edhe udhëheqje luftërash, sa herë që tokat tona u mësynë nga armiqtë e shumtë të cilët sa vinin e shtoheshin.


Tanzimati shkaktoi dy kryengritje të mëdha, edhe në Malësi e rrethinë, me ç `rast nën udhëheqjen e Binak Alisë së Krasniqes u bashkuan Gashi, Bytyqi ,Hasi dhe Reka, të cilat në muajin Maj të vitit 1845,me rreth 8000 kryengritës malësor, do ta përzinin garnizonin turk dhe çlironin përkohësisht Gjakovën.


Por, pasi që Valiu i Rumelisë, nuk arriti ta mbronte atë qendër me ushtrinë e vet, ai rekrutoi mijëra mercenar shqiptar nga vise të ndryshme të vendit, për rimarrjen nën kontroll të këtij vendbanimi të dominuar nga malësorët. ( “Kryengritja e Dervish Carës (1843-1844). Qëndresa kundërosmane në Shqipërinë e Veriut” Shqipëria .com)


Pasojat e Tanzimatit ndiheshin kudo në trojet shqiptare, ndaj duke mos arrit të liroheshin në asnjë mënyrë nga taksat e rënda dhe marrja nizam e të rinjve, një grup intelektualësh shkodran të udhëhequr nga Pashko Vasa, Zef Jubani dhe abati atdhetarë i Mirditës Gaspër Krasniqi, do të përpilonin një plan sipas të cilit në pranverën e vitit 1862,kryengritja kombëtare shqiptare e radhës, do të duhej të shpërthente në Mirditë, prej nga mendohej të përhapej edhe në malësitë përreth.


Madje, ishte paraparë që kapedani i Mirditës Bibë Doda, të ngrinte flamurin e kryengritjes dhe shpallte një principate autonome ose të pavarur shqiptare, në mënyrë që ti bashkoheshin edhe pjesët tjera të vendit.


Por pasi që Bibë Doda, ishte pasha i Perandorisë turke dhe merrte rrogë nga Porta e lartë, jo vetëm se u tërhoq nga plani i kryengritjes, por për të përmbushur urdhrat e sulltanit, ai u mundua të rekrutonte edhe disa grupe vullnetaresh në Mirditë për plotësimin e reparteve ushtarake osmane.


Ndaj nën udhëheqjen e abatit patriot, Gaspër Krasniqi, atje shpërtheu një konflikt i ashpër dhe shumica e popullsisë së Mirditës u rreshtua kundër kapedanit, i cili akuzohej nga banorët për përvetësimin e rrogave të vullnetarëve dhe dërgimin e tyre në vdekje, kështu që Bibë Doda u detyrua të ikte nga Mirdita dhe kërkonte shpëtim tek valiu turk në Shkodër, i cili arrestoi abatin atdhetar të Mirditës për çka mirditasit e mllefosur u vunë zjarrin shtëpive dhe pronave të Bibë Dodës në Kallmet.


...... arrestimi i abatit Gaspër Krasniqi i cili ishte bërë udhëheqës i lëvizjes në Mirditë, nuk e qetësoi, përkundrazi, e acaroi edhe me shume gjendjen. Patriotet shkodranë nuk ngurruan të akuzonin Bibë Dodë pashën si “vrasës të popullit të tij” e qeverinë e sulltanit si “shtypëse të pamëshirshme te kombit shqiptar” ...... Histori: LeVIZJA KOMBeTARE SHQIPTARE Ne VITET 30-70 Te SHEK. XIX. KREU III “Lëvizja e vitit 1862 ne Mirdite”


Pas dështimit të kryengritjes në Mirditë dhe viset përreth, duke parë se Malësia tanimë kishte mbet edhe një herë e vetmuar në qëndresën e saj të përhershme, Perandoria Turke në vitin 1862, do të dërgonte Maxhar Pashën me një ushtri të madhe të armatosur me topa dhe artileri, për pushtimin e Bujanit dhe Krasniqes së Madhe si dhe nënshtrimin e gjithë Malësisë, vjeljen e taksave dhe rekrutimin e të rinjve me forcë edhe në atë zonë.
Edhe pse të pa përgatitur për luftë, me mungesë të madhe armësh dhe municioni, vendosmëria e malësorëve për të luftuar deri ne vdekje për mbrojtjen e tokave te tyre, jo vetëm se tregoi një qëndresë të pamposhtur por nën udhëheqjen e Binak Alisë, ata edhe thyen keq osmanët duke vrarë dhe mbytur në lumin e Valbonës mbi 1500 zapti osman, kurse pjesa tjetër do të merrte ikën, nga ndjekjet hap pas hapi të malësorëve trima.
Në këto luftime, Binak Alia u dallua si udhëheqës i madh, emri i të cilit u bë i njohur në Malësi, Gash, Krasniqe ,Bytyç dhe Kosovën anë e mbanë, ndërsa Mic Sokoli, nipi i Binak Alisë, edhe pse ishte i ri, tregoi një trimëri të paparë deri atëherë. (Pjesë nga shkrimi “Histori e patriotit të njohur të Malësisë së Gjakovës, Binak Ali Mulosmani”) www.gazeta55.al 20 nëntor 2012.55


Kështu Malësia dëshmoi edhe një herë fort dhe bindshëm se ajo kurrë nuk vendosi asgjë para kombit dhe lirisë së atdheut, por në çdo kohë- jetoi dhe u sakrifikua me shpirt e zemër për tërësinë e Shqipërisë Etnike.



Mençuria e Binak Alisë
 

Binak Alia, do të bënte emër të madh edhe si pleqnar i rrallë dhe promovues i denjë i drejtësisë tradicionale shqiptare i cili me dijen dhe njohurit e tij, disa herë do të kalonte edhe caqet e kufijve kanunor, duke zbatuar ide dhe zgjidhje personale, të domosdoshme për pajtimin e zënkave dhe vendosjen e paqes në mes njerëzve kudo, e ndonjë herë edhe brenda së njëjtës familje.

Për këtë arsye, me të drejtë për Binak Alinë u tha gjithnjë se ai nuk la rast pa zgjidhur, i cili kudo që u ftua për pleqërimin e çfarëdo rasti u kthye në çelës të shuarjes së çdo zënke dhe ngatërrese.



Përvetësimi i fëmijës

Edhe sot në shumë ndeja e tubime, citohet shpesh një rast i veçantë brenda një familje e cila kishte dy djem të martuar në të njëjtin kohë, dhe që të dyve pas një viti, do tu lindte nga një djalë. Por njëri nga djemtë e posa lindur ishte më shëndetlig, ndaj nëna e tij xheloze, derisa të dytë fëmijët ishin ende të vegjël, kishte vendosur që në njërën nga netët e errëta t`ia vidhte djalin kunatës, duke e ndërruar atë me djalin e saj.

Por, me të dalë drita, kunata do ta kuptonte edhe më mirë se fëmija që mbante në duar nuk ishte i veti, megjithatë për shumë kohë, askush nuk do ti besonte fjalët e saj, ndaj sa më shumë që rriteshin djemtë ,rritej edhe ngjashmëria me prindërit, kështu që gjendja në familje do të përkeqësohej deri aty sa që do të fillonin të ziheshin gjithnjë e më shpesh edhe vëllezërit me njëri tjetrin.


Askush nuk e dinte më me saktësi se sa herë ishin bërë be rrëfe ,nga të dy gratë, se djali i takonte secilës nga to, dhe problemi assesi të sqarohej me gjithë përpjekjet e shumë pleqve të njohur, ndaj nuk kishte mbet rrugëdalje tjetër përveç se të thirrej edhe Binak Alia për gjetjen e një zgjidhje.


Binak Alia duke parë se ishin shterë të gjitha mundësit kanunore për zgjidhjen e këtij rasti dhe të dy vëllezërit, pas 8-9 vitesh konflikti të pareshtur, kishin vendosur që të mbyteshin me njëri tjetrin për djalin e kontestuar, ai u tha se djali duhej vendosur në mes të dy nuseve pretenduese dhe të vritej sepse “zgjidhje tjetër” nuk shihte. Sado që me shumë dhembje dhe vështirësi ata u pajtuan. Binak Alia, vendosi djalin në mes të dy nuseve dhe u tha t`ia epnin dorën atij secila në anën e saj.


Thuhet se ai ngriti pushkën dhe në vend se të merrte në shenj fëmijën u bërtiti nuseve; mbajeni fort djalin, se kam vendosur ta vras! Në atë moment, ajo që e kishte vjedhur si fëmijë djalin i cili, në momentin kur po ndahej drejtësia thuhet të ketë qenë ,8-9 vjeçar, jo vetëm se nuk e mbajti por ia lëshoi dorën fare dhe iku në anën tjetër, kurse nëna e vërtetë e tij, doli përpara mbuloi djalin me trupin e saj dhe me lot në sy, do ti thoshte Binak Alisë - më vrit mu të lutem, por jo djalin!
 

Binaku i lehtësuar në shpirt, duke kuptuar se ajo ishte nëna e vërtetë e vogëlushit, uroi nusen; ia pash hairin fisnike, se ky vërtetë qenka djali yt.
 

Qëndrimet burrërore dhe vendimet e nxjerra nëpër oda nga Binak Aliu, për shumë kohë ishin dhe mbetën themel i ndarjes së drejtësisë autoktone vendore, në të gjitha trojet tona, ku nuk gjenin vend ligjet pushtuese të perandorisë otomane. Vendimet e tij edhe sot janë shembull për pajtime, shuarjes së ngatërresave dhe pushimit të hasmërive me drejtësi dhe mirëkuptim në mes të shqiptarëve kudo. 

Martesa e "detyruar" e Binak Alisë

Puna e gjatë dhe angazhimet e mëdha, sado që ndihmuan shumë këndë në ditët e vështira të tyre, nuk ishin të lehta dhe pa sakrifica personale edhe për Binak Alinë, mandej nganjëherë ato kishin edhe konsekuenca jo të lehta në familjen e ngushtë të tij.
Ndaj, si pleqnar i njohur që ishte, jo rrallë do ti binte që me ditë e net të tëra të mbetej larg bashkë-familjarëve, për çka do të shkaktonte pakënaqësi edhe te gratë që kishte, thuhet se deri atëherë pati tri, të cilat me një rast, pas një vonese disa ditëshe, kishin vendosur që as të mos i flisnin kur ai të vinte në shtëpi.


Dhe, në një rast, pasi që kishte zgjidhur një problem bukur të rëndë i cili kishte kërkuar disa ditë kohë, ai do të kthehej i lumtur në shtëpi, por asnjëra nga gratë nuk shkoi ti fliste. I lodhur nga rruga e pagjumësia, atë natë ai do të flinte në dhomën e pritjes së mysafirëve, kurse të nesërmen herët në mëngjes, pa e prishur shumë terezinë nga ajo sa i kishte ndodhur mbrëmë, do ti hipte kalit dhe ngjitej në Gash për të kërkuar një nuse tjetër.
 

Para se të arrinte në fshatin ku ai ishte nisur, në bjeshkët e Gashit do të takonte njeriun tek i cili ishte nisur, dhe pasi që do të ndërronin nga një cigare kutie me të, Binaku do t’ia shpaloste qëllimin e shkuarjes dhe kërkonte bijën e Gashjanit për nuse.

Gashjani i habitur, duke mos u besuar veshëve për ato sa kishte dëgjuar, do të pyeste edhe një herë Binakun i cili atëkohë thuhet se ishte 60 vjeçar, me shpresë se mund të kishte ngatërruar fjalët dhe vajzën e tij e kërkonte për djalë, e jo për vete.


Por Binaku përsëriti edhe një herë se vajzën e tij e kërkonte për vete, ndaj Gashjani i ngushtuar sa s`ka, ngase atëbotë nuk ishte e lehtë ta ktheje Binak Alinë, i tha se së pari donte ta bisedonte me Vajzën këtë punë.


Edhe Binaku ishte pajtuar me propozimin e mikut të ardhshëm, por për çudinë e Gashjanit, vajza të cilën e kishin kërkuar shumë djem të rinj e të njohur, dhe ajo nuk kishte pranuar asnjërin nga ta, u përgjigj se pranonte të martohej me Binak Alinë.
 

Prindi i ngushtuar sa s`ka, të cilit me gjithë respektin për Binakun, i dhimbsej shumë e bija, që ta martonte me një njeri në moshë aq të shtyrë, do t`ia përsëriste edhe disa herë të bijës se Binaku kishte mëse 60 vjet dhe ishte i vjetër për te.

Megjithatë e bija nguli këmbë se përkundër moshës së shtyrë të tij dhe grave tjera që ai kishte në shtëpi, ajo kishte vendosur të martohej me Binak Alinë.


Ndaj, i `ati i shokuar ,do ta pyeste të bijën për herë të fundit me kureshtje se si do ta qonte jetën me një plak si Binak Alia, kurse ajo do ti përgjigjej;
Baba, sa herë të më shoh mua Binaku, ai do përtërihet, e sa herë ta shohë unë Binakun do të plakem dhe kështu do të mbarojmë të dytë përnjëherë. Ndaj, ajo edhe do të bëhej nusja e 4-tërt e tij.


Malësia ishte dhe mbeti një trevë e veçantë e mbrujtur përjetësisht me histori dhe legjenda, tregime mbi trimëritë e shumta dhe qëndresa të mëdha, e cila me Binak Alinë, u përjetësua edhe si kampion i dijes popullore dhe "matës" preciz i ndarjes së drejtësisë me tapi autoktone.


Sinqeriteti dhe paanësia balancuese e Binak Alisë, si ndonjë peshore e magjishme precize, për pak vite ishin bërë aq të njohura sa që nuk do të kalonte shumë kohë dhe ai do të shndërrohej në figurë mitologjike të ndarjes së drejtësisë autoktone dhe tradicionale shqiptare. 


Dardhat e buta

Falë besimit që njerëzia shprehnin ndaj Binak Alisë, thuhet se ishte i betuar që para cilit do ndërmjetësim, të mos hante as pinte, në mënyrë që çdo herë dhe në çfarëdo rast dyshimi nga cilado palë, ti kishte duart e lira për tu “larë me be” se puna e tij ishte e pastër dhe nuk kishte pranuar ryshfet apo çfarëdo formë pagese a shtytje, për t`ia mbajtur krahun cilësdo anë në mënyrë të pa drejtë.


Por me kalimin e kohës ,mosha dhe largësia do ta bënin të veten dhe Binak Alia nuk mund të arrinte çdo kund, kështu që aty këtu, sidomos te njerëzit e tij, ndonjë herë ishte detyruar që ti dërgonte edhe të bijtë për ndërmjetësim apo pleqërimin e ndonjë ngjarje.
 

Një familjeje e njohur nga malësia, e vendosur në Rrafsh të Dukagjinit, kishte një vajzë të mençur e punëtore, por jo të pashme e të bukur sa duhet, ndaj kishin vendosur që ta martonin dikund larg (thuhet) në Rahovec, ku nuk i njihnin rrethi dhe miqësia.
 

Por, pas pak kohësh, djali i pakënaqur, do ta detyronte të atin që t`ia kthente Malësorit të bijën.

Mirëpo, në ato kohë, sipas traditës dhe kanunit, lirimi i një nuse mund të bëhej vetëm për shkaqe të forta, si p.sh. mos-puna, hajnia, pandershmëria etj, por jo edhe për dukjen e sajë, e për aq më tepër një mashkull që nuk mbante një grua të dobët, ai nuk konsiderohej burrë.
Ndaj malësori kishte ftuar Binak Alinë për ta pleqnu këtë problem, i cili nuk ndjehej mirë dhe dërgoi njërin nga bijtë e tij.


I zoti shtëpisë duke ditur se djali i Binak Alisë ishte merak në dardha, por edhe për ta forcuar punën, ngase për te, ky nuk ishte problem çfarëdo, kishte mbledhur dardhat më të mira nga kishte mundur dhe ia lëshoi përpara pleqnarit të “ri” i cili derisa erdh miku nga Rahoveci, do ti hante pa të keq, një pjesë prej tyre.


Dhe pas ardhjes së rahovecianit djali i Binak Alisë do ta pyeste se për cilën nga arsyet e pranuara me kanun, djali i tij kishte vendosur ta lëshonte të bijën e malësorit.
Rahoveciani i zënë ngushtë ngase nuk ishte asnjëra prej tyre, nuk diti se ç`të thoshte tjetër, përveçse të sajonte një arsyetim se si nusja e paska koritur atë si vjehërr- sepse derisa vinin rrugës, ajo kinse nuk paska mundur ta mbante ujin e hollë dhe ishte lagur mbi kali në të cilin ishte hipur.


Djali i sprovuar me shumë shtjellime pleqnish nga i ati, pyeti në cilin vend dhe në çfarë rrethanash kishte ndodhur aj rast?!...


Rahoveciani duke dashur ta bënte sa më bindës arsyetimin e tij, u tha se kjo kishte ndodhur derisa kalonin Urën e Shenjtë.


I biri i Binak Alisë, i lehtësuar nga përgjigja, do t`ia kthente; dëgjo mik, ajo qenka e fortë dhe vetëm qenka lagur, se po të ishim ti apo unë mbi lartësinë e Urës së Shenjtë dhe hipur mbi kali, ne jo vetëm se do lageshim, por ndoshta do fëlliqeshim krejt edhe pse jemi burra.
Pra-mik, na paske koritë neve dhe veten, pasi që në momentin kur ke ardhë te ura, nuk e ke zbrit rejën nga kali, ndaj merre nusen e ik se fajet i paske ti e jo gruaja.
 

Sado që pleqnia ishte përfunduar me sukses, thuhet se një ditë Rahoveciani kishte dëgjuar për dardhat dhe i mllefosur që nuk kishte mundur t`ia kthente të bijën malësorit, do ti qonte fjalë Binak Alisë e ti thoshte; Pleqninë e ndave, por i hëngre dardhat e buta!
 

Me të dëgjuar Binak Alia, që nga ai moment e deri sa ishte gjallë, do t’ia ndalonte të birit ndarjen e pleqnisë, i bindur se aty ku më parë hahen dardhat, nuk mund të ndahet si duhet drejtësia.

Ndaj me të drejtë “ligjet” e Plakut të pa korruptuar të Krasniqes së Madhe, janë ruajtur origjinale siç ishin dhe në mënyrë të merituar, duke u praktikuar me vlerësimin më të denjë edhe pas luftës së dytë botërore, sidomos në trojet e pushtuara shqiptare të mbetura pa dëshirën e tyre nën okupimin sllav.


Gjykimet e Binak Alisë nga Malësia edhe sot pas gati 2010 vitesh të vdekjes së tij, gjejnë përdorim dhe çmohen lartë, në shumë vise shqiptare si të drejta dhe të pa kontestueshme kudo që ato ende praktikohen.



Autoriteti i Binak Alisë

Veprat e mira që la pas vetes, bën që autoriteti i këtij gjyqtari popullor, jo vetëm të bëhej i pa kalueshëm për kohën, por të mbetej i pa lëkundshëm edhe pas vdekjes së tij dhe të ruhej si relikt origjinal e i pa zëvendësueshëm në të gjitha vendimet shqiptare, si shembulli më i mirë i ndarjes së drejtësisë autoktone, e cila u përcoll me xhelozi nga gjenerata në gjeneratë për shekuj me radhë deri në ditët tona ndër shqiptarët kudo.


Rrokullisja e Vorbës nga bjeshka

( Enë-apo vegësh i vogël-nga dheu i pjekur, për zierje ushqimi.)

Me gjithë diturinë e madhe që kishte Binak Alia dhe aftësitë e tij të pafund për pleqërime nga më të vështirat, më ka rënë disa herë të dëgjoj gjatë vizitave në familjet e Qarrit të Hasit, të cilat edhe para viteve të veprimtarisë së Bajram Currit, ku ai do të vendosej dhe kalonte disa kohë, mbanin lidhje të ngushta me Krasniqen e Madhe të Malësisë dhe vizitoheshin herë pas here edhe nga Zeqir Halili, nipi i Binak Alisë, pasi që përveç ndihmës së anasjelltë, dy palët i takojnë të njëjtit fis, se si pati të paktën një rast kur edhe vet heroi i pleqërimit, do zihej “ngushtë” me ndonjë pyetje, të cilës nuk e kishte të lehtë ti epte përgjigje adekuate.


Pasi që ai ishte martuar me nusen më të re nga Gashi i Gurit, thuhet se kishte rastisë që atij ti shkonin disa miq të cilëve ajo u bënte kafet me xhezve në prush të oxhakut, dhe njëri nga mysafirët duke e menduar për vajzën e Binakut apo njëra nga mbesat e tij, për tu siguruar se e kujt ishte dhe a ishte e fejuar, të cilën mendonte ta kërkonte për djalë, do ta pyeste në mënyrë të tërthortë dhe metaforike Binak Alinë;


        - O Binak Alia, a është kjo vorbë e shtëpisë dhe a ke gjet “kapak” për të?!


Binaku e mori vesh mirë se për çka e pyeste miku, por u vonua të përgjigjej duke u menduar ta gjente një mënyrë të përshtatshme që t`ia bënte me dije se ajo ishte gruaja e tij, ndaj malësorja e kuptoi gjendjen e të shoqit dhe pa Binakun në sy, të cilës ai i bëri me shenj që ajo të fliste.


Bija e Gashit, jo vetëm se ishte shumë e ndershme por edhe e mençur, kështu që u kthye me respekt nga mysafiri dhe i tha:


        - Po, mik i nderuar, vorba që po sheh ti, ka rënë (është rrokullisur) nga malet e Gashit në Bujan të Krasniqes dhe ka gjetur kapakun në Kullë të Binak Alisë.


Binakut i kishte pëlqyer aq shumë përgjigja e saj, sa që nuk do ta largonte më asnjëherë malësoren nga Kulla, pa marrë parasysh se kush do ti vinte mysafir, me të cilën thuhet se kishte edhe djalin e vogël dhe më trim të tij - Shaban Binakun e famshëm, i cili pas një lufte disa vjeçare kundër turqve, do të varej nga otomanët bashkë me Avdullah Hoxhën, më 2010 në Pazar të Gjakovës.


Binak Alia, në çdo rast pajtimi punoi në Emër të Zotit, bazuar në traditën dhe ligjet autoktone shqiptare, i betuar me dorën e sinqeritetit në zemër, për paanësi dhe drejtësi të barabartë për të gjithë, për të varfër dhe të pasur-pa dallim, ndaj ishte e kuptueshme se pajtimet që ai realizonte “zinin vend” dhe “flinin paqësisht përgjithmonë” gjithkund dhe në çdo kohë , duke mos lënë dyshime dhe ngatërresa pas tyre asnjëherë.



Familje me tradita lufte kundër armikut 
dhe misionare e paqes ndërmjet shqiptarëve

Sipas një dokumentari në Youtube, edhe mbajtjen e njërit nga kuvendet më të mëdha në Junik më 1877, një vit para formimit të Lidhjes së Prizrenit, për pajtimin e gjaqeve në mes të shqiptarëve, do ta udhëhiqte me shumë sukses, Pleqnari më i njohur i kohës dhe Pajtimtari më i madh që mbajnë mend shqiptarët, Burri i Krasniqes së Madhe të Malësisë-Binak Alia. (www.youtube.com/watch?v=qriAwWXDP44)

Po ashtu, si në Prillin e vitit 1880,kur në betejat që zhvilloi Lidhja e Prizrenit në Slivovë e Shtime kundër forcave turke, ku përveç Mic Sokolit do të luftonin trimërisht edhe katër djemtë e Binak Alisë, njëjtë nipërit dhe stërnipërit e tij, luftë pas lufte e betejë pas beteje, nuk do të pushonin asnjëherë përpjekjet, deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë nga Perandoria turke, si dhe mbrojtjen e trojeve etnike nga vërsuljet serbomalazeze deri në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore.


Qëndresa e tyre u shoqërua shpesh herë edhe me vrasjen e kreshnikëve më me nam të këtij gjaku dhe kësaj familjeje atdhetare nga Malësia, duke filluar me Mic Sokolin, Shaban Binakun e Zeqir Halilin, shembujt sublim të të cilëve do të mbeten për herë të pa harruar kudo në trojet tona kombëtare.



Binak Alia në Lidhjen e Prizrenit

Megjithëse atëkohë ai ishte në moshë të shtyrë dhe mëse 72 vjeçar, emri që kishte bërë me veprat e tij në luftë kundër armiqve dhe sukseset për pajtimin e shqiptarëve kudo, Binak Alinë e bënë të pazëvendësueshëm edhe për Këshillin Kombëtar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila do ta caktonte në kryesinë e këshillit të saj drejtues që sapo krijohej.
Kjo Lidhje Kombëtare, pati nderin që jo vetëm atë, por edhe Mic Sokolin, si dhe djemtë e Binak Alisë ti kishte nga komandantët më trima të luftës kundër forcave pushtuese turke dhe atyre serbo malazeze, qysh nga kushtrimi i dhënë për daljen zot Plavës e Gucisë në vitin 1879 si dhe betejat e lavdishme të vitit 1880,për mbrojtjen e tyre në shesh të mejdanit, nga forcat malazeze, me ç`rast në krye të qindra luftëtarëve nga Malësia qëndronte djali i tretë i Binak Alisë, Qerimi, krahas të cilit luftonin vëllezër dhe kushërinj të tij, në mesin e të cilëve shkëlqente edhe legjendari Mic Sokoli.


Edhe pas mbledhjes së mbajtur nga krerët e Plavës dhe të Gucisë, kur do të epej kushtrimit për mbrojtjen e tyre, dera e parë ku delegacioni i kryesuar nga Jakup Ferri, do të trokisnin për ndihmë, ishte ajo e Kullës së Binak Alisë së Krasniqes, i cili në krye të 600 luftëtarëve nga malësia do të vendosej i pari në Plavë e Guci për mbrojtjen e tyre nga malazezët, pas të cilit do të mbërrinte edhe Kadri Bajri me 300 rugovas. ("PLAVA E GUCIA NE VITET E LIDHJES SHQIPTARE TE PRIZRENIT“ Portali „Malësia e Madhe“)



Kur të mëdhenjtë shkruajnë për emrin e nderuar të Binak Alisë

Figura e tij, jo vetëm se do gdhendej me shije dhe në mënyrë të stërholluar nga shkrimtari më i madh që nxori kombi shqiptar me renome ndërkombëtare, i famshmi Kadare në romanin e Prilli i Thyer, të realizuar dy herë edhe në filma artistik, por për veprën dhe burrërinë karakteristike të Binak Alisë, do të mbanin shënime interesante edhe diplomat, historian e misionar të huaj, që do ta njihnin personalisht këtë burrë të Malësisë, gjatë udhëtimeve të tyre për studime shkencore në tokat e Shqipërisë.

Edhe botuesi famoz i romanit të Ismail Kadaresë, “Prilli i Thyer”, francezi Erik Faye do të shkruante me admirim për bëmat e Binak Alisë, për të cilin, si njëri nga figurat më të shquara të rilindjes së Shqipërisë në shekullin XIX, do të deklaronte se personazhi tij nuk ishte mit, por një emër i vërtetë i huazuar nga realiteti i kohës, mu atëherë kur shkruhej historia e ringjalljes kombëtare të shqiptarëve.


Për kontributin e tij të pazëvendësueshëm në ndërtimin e një ligji të pa shkruar, por të drejtë dhe të pranuar nga të gjithë si themel i pa lëkundshëm për paqësimin e shumë konflikteve, vrasjeve dhe zënkave, Binak Alia do të nderohej aq shumë dhe kujtohej me aq devotshmëri, sa që sipas historianit Jusuf Bajraktari, edhe ngushëllimet pas vdekjes së tij do të zgjasnin hiq më pak se tri vjet, si për asnjë figurë tjetër shqiptare.


Siç kemi dëgjuar e mësuar disa herë nga historia, edhe ne mund të konkludojmë me krenari se në familjen atdhetare të Binak Alisë nuk lindën vetëm ideator për pajtime gjaqesh dhe zgjidhje të ngatërresave njerëzore ndërshqiptare, por edhe heronj e dëshmorë të disa luftërave kombëtare për liri e pavarësi të atdheut.


Madje, bijtë e saj, përveç kundërvënies së pushtuesve të huaj, me gjithë rrezikimin e jetës së tyre, ata nuk hezituan ti kundërvihen edhe vet regjimit shqiptaro-komunist, i cili la nën pushtimin sllav, trojet më kombëtare të popullit shqiptar dhe pjesën më patriotike të bashkëkombësve nga Dardania e vjetër të cilët bashkë me heronjtë e Krasniqes, Gashit, Bytyqit dhe gjithë Malësisë, u ngritën kurdoherë të parët për lirinë e vendit, dhe ruajtjen e tërësisë së atdheut, ashtu siç e kishte krijuar Zoti për shqiptarët.


1.historia.shqiperia.com/rilindja/kreu_3.php


2. „Masakra e Manastirit" Wikipedia


3. Edit Durham “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike”


4. “BINAK ALIA DHE ELITA E TIJ HISTORIKE”.. - YouTube


5 .“Qëndresa kundërosmane në Shqipërinë e Veriut” Shqipëria.com.


6. ”Lëvizja Kombëtare Shqiptare në vitet 30-70 të shek.XIX. Kreu III.


7. "PLAVA E GUCIA NE VITET E LIDHJES SHQIPTARE TE PRIZRENIT“ Portali „Malësia e Madhe“


8. “Kryengritja e Dervish Carës (1843-1844). Qëndresa kundërosmane në Shqipërinë e Veriut” Shqipëria .com


9. “Letra/Historia e patriotit të njohur të Malësisë së Gjakovës, Binak Ali Mulosmani” 20 nëntor 2012. www.gazeta55.al


10. Histori: LeVIZJA KOMBeTARE SHQIPTARE Ne VITET 30-70 Te SHEK. XIX. KREU III “Lëvizja e vitit 1862 ne Mirdite”

 
Autor i shkrimit është Gani Qarri 
Shkrimi është marrë nga gazeta Bota Sot