Freitag, 31. Januar 2014

Pandeli Koçi

Pandeli Koçi, (emri letrar-Sazan Goliku), lindi në Vlorës më 6 janar 1942. Shkollën fillore, tetëvjeçare dhe të mesme i mbaroi në Vlorë. U diplomua në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, dega e gjuhë-letërsi. Ka kryer disa specializime në fushën e gazetarisë dhe botimeve. Ka punuar mësues, punonjës kulture, gazetar si dhe redaktor letrar në SHB "Naim Frashëri" e gjetkë.
Që nga viti 1970 është marrë me botimin e letërsisë shqiptare të botuar në Kosovë dhe ka qenë ligjërues i këtij krahu të letërsisë shqiptare në UT.
Nga viti 1981 deri në 2002 ka punuar në sektorin e shtypit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Ka shkruar dhe vazhdon të shkruajë e të botojë poezi, prozë e publicistikë në shtypin shqiptar e sidomos në faqet e revistës "Krahu i shqiponjës". Vazhdon të shkruajë edhe letërsi për fëmijë dhe tekste këngësh. Është marrë me kritikë letrare, recensione dhe ese. Është fitues i disa çmimeve kombëtare dhe vendore.



Disa nga botimet e këtij autori:

"Im bir Artani", poezi, 1982 

"Aventurat e lirisë", tregime, 1995
 "Epidemi kozmike", poezi, 1996
 "Ëndërr dashurie", poezi, 1996
 "Komitët e Malit të Bardhë", roman, 1999
 "Petalet e rëna", poezi, 2001
 "Aventurat e një mëngjesi", poemë, 2002, ISBN 99927-54-43-5
 "Trekëndëshi i qiellit të zi", tregime, 2006, ISBN 99943-620-7-0
 "Turbull", poezi, 2007




Poezi nga Pandeli Koçi

 
ALIASLLANÇE PER ALI ASLLANIN
 
Me qerpikun e një vashe mbushur dritë e derdhur lot
thuri rrjetën mjeshtërore ky poet i brishtë, i fortë.
 
Me një krah pulëbardhe deti, me një pendë shqiponje mali
vargje shkroi e vargje gdhendi nëpër faqe derdhur ari.
 
Ku i gjeti, ku i vodhi ato fjalë që rrjedhin mjaltë?
Zemr' e tija fluturonte Labërisë atje lart.
 
Ku i mblodhi, si i torri ato vargje valëzore?
Nëpër shkrepa e sallone hoqën valle dorëpërdore.
 
Burokrati dhe poeti në kafaz të trupit tij
si dy tigra kokat hanin me urrejtje xhelozi.
 
Ç'armë pati, si qëlloi drejt në zemër vashërinë?
Me magjinë e bukurisë ndezi flakë dashurinë.
 
Nëpër rreshtat e ylberit, kuq e zi kur flakëronte,
ngrehej, ndrinte nder' i kombit: "Vlora! Vlora!" kur gjëmonte.
 
Trokëllinte mbi kalldrëm shkop' i thatë i zyrtarit.
Çelte sythe, hapte lule shkop' i gjallë i këngëtarit.
 
 
 
BALADË BUKURIE
 
Mbi një lule fushe kundroja një flutur.
Qenkish mrekulli e brishtë!
Ajo mblodhi krahët sipër
sikur donte të më thoshte: Kapëm!
Me dy gishtat - dridhshëm
e zura, e ngrita lart
me frikën mos më ikte
(pa e kuptuar se po prishja një magji,
pa e ditur se po mëkatoja).
 
Pluhuri shumëngjyrësh i krahëve nën diell
u daravit u shtjell ylber dashurie...
 
Flutura
pa ngjyrë
flatroi
rrugës
së bardhë
të asgjësë.
 
 
 
AFËR LARG
 
Ajo - vjedhësja e diellit
rrezet-flokë mbi supe hedh.
Nuk djeg supet mermer gdhendur,
sytë e mi i verbon krejt.
 
trëndelinë që derdh aromë
afër larg drejt zemrës qiellit.
 
 
STINË
 
Muaj shkurt ende nuk kishte dalë.
Në klasën e 5/C
nxënësi Adam puthi në buzë nxënësen Eva.
"Nuk ndjeva asgjë!" – tha ai.
Ajo ia ktheu me një shpullë.
"Nuk ndjeva asgjë!" – tha ai.
 
Muaj mars ende nuk kishte hyrë.
 
 
 
TRIPTIK
 
Vajzat e reja ende pa bërë dashuri
shkruajnë fshehurazi vargje
në fletoren e matematikës.
 
Në vorbullën martesore të fëmijërritjes
do t'i kenë harruar ato vargje
ndërsa thurin vargojtë e halleve.
 
Kur të plaken …eh, kur të plaken
do t'i kujtojnë
e do të qeshin dhimbtas me to.
 
 
 
TË NGORDHËSH NËN DIELL
 
Ethet e bukurisë më zunë nga sytë e tu
shëtitores me pluhur e zhaurima
                                                buburrecësh metalikë.
Ishte zheg i hirtë me diell të verbuar.
 
Ç'kërkon nga unë, o sëmundje e bukur?
O përbindësh që nuk të mund dot
me shpatën time të ndryshkur.
Bëhem dhe unë në ëndërr përbindësh
                                                që ngop dëshirat e tua
atje ku bashkohet e ndahet zanafilla.
 
Nuk e di kur do më lëshojë ky virus bukurie!?
Mbeta një vezë e thyer nga syri
                                                në gojë të nepërkës.
 
 
 
 
HAMENDJE
 
Nga rubineti i vjetëruar i banjës rrjedh e rrjedh
një curril i hollë uji.
Bëj ta mbyll e s'e mbyll dot.
Një curril dashurie rrjedh e rrjedh dhe tek unë.
Bëj ta ndal e s'e ndal dot.
 
Edhe atje te të pajetët,
do të rrjedhë kokëfortësisht
ky curril.
 
 
 
E PARATHËNA
 
Kujt ia ke vjedhur ngjyrën e syve,
qiellit engjëllor pa re
apo detit të egërsuar
në tërbim epshor?
Në muzg do të shuhesh si deti
pas fshehjes së diellit në horizont.
Në ag do të çelesh
me sytë e sat bije.
 
 
 
URDHRI I GJAKUT
 
Sterna Paradisea –
një shpend i vogël, më pak se njëqind gram,
dy herë në vit shtegton njëzet mijë kilometra
nga Spanja në Australi dhe anasjelltas,
veç për të bërë dashuri.
 
Nuk ka frikë nga grabitqarët fluturues,
aq më pak nga erërat e pabesa,
frikësohet vetëm mos e braktis
e dashura.
 
 
 
MAGJI 13
 
Kjo flutur e bardhë rreth portretit tënd
lëngun e buzëve qershi kërkon të gjerbë,
erëmimi i bukurisë e deh me xhelozi –
Jetëshkutëra ëndërron
 jetëgjatësinë tënde.
 
Deri kur kjo magji e bardhë
do t'i ngazëllejë ata që magjeps?
 
Pse m’u shfaqe ashtu mirazh
lakuriq lakuriq lakuriq
apo vetë zoti donte i tillë t’i fanepsej
njeriut mëkatar me sy estetikë?
 
Grabite shpirtra -
ende lëngojnë,
rrënove dëshira -
i flake përbuzshëm
në hone kotësie...
 
Cila fatthënë i këndoi të ardhmen
asaj që të lindi statujë të mermertë nga valët?
 
 
 
EKOLOGJIA E SHPIRTIT
 
Gurëzit e buzëdetit të vrisnin shputat e këmbëve
dhe ti kërceje ëndshëm vallen e dhimbjes gudulisëse.
Sa u zhyte në ujë,
u bëre delfinkë që kërkon delfinin.
 
Te puthja e njelmët
i ka rrënjët gjaku.
 
 
 
ELEGJI
 
Në "pub" duke kërcyer nën tingujt çmendurak
përleshur me vallen e dritave mashtruese,
tinëzisht djaloshi e puthi vajzën në sup,
bash aty ku qafa bardhoshe zgjatej krenarisht.
Ajo ngriu si lulja mes akujve,
dritat u shkrin n'errësirë,
në heshtje shurdhuese u kthye muzika,
buzët e djaloshit – dhëmb ujku në mish.
 
Diku në një luftë pa kuptim po jepte shpirt
i dashuri.
Në sytë pa jetë i ishte fiksuar fytyra e saj.
 
 
 
ZHGËNJIM
 
Pas shiut mbetën pika pika pika.
Petlat e luleve të ngopura
i vunë pikat si vadhë t'ia tregonin diellit
sa të delte befas pas reve.
Saora  dielli
shpërfillës i avulloi.
 
 
 
MAGJI 33
 
...të çelësh nën hënë
lule të zeza mishngrënëse
me polen helmi e dhëmb nepërke
dhe nesër në ag
të gdhihesh luleshqerë
vesuar nga drita
gjalluar nga ajri...
 
 
 
AKT 3
 
Ajo ia nisi nga bula e veshit.
Lëpi e kafsho, sharro e lëpi...
Ai dëgjonte rënkimet e shekujve -
vinin së thelli nga gryka e saj.
Dy pyjet e flokëve nisën të vallëzonin
mbi prushin e buzëve shndritur nga llava
që shtrihej e ngrihej së brendshmi
para shpërthimit zemërak.
Ai s'dëgjoi asgjë tjetër
veç urdhrit të pathyeshëm
të krijuesit misterioz.
 
 
 
XHELOZI
 
Trokëllinte tiktaku i takave...
Teksa  takonte të tjerë të ftuar
ajo i gëlltiste të gjitha bukuritë
veç njërës.
 
 
 
DEHJE
 
Buzëdetit mes dallgëve e shtrirë lakuriq
me bërrylat mbi zajet e bardhë farfuritës
ajo përplaste këmbët dhe
ujët shkumëzonte gëzueshëm.
 
Nga sipër kundroja, i dehur bukurie
sytë e saj dhe detin:
dhe të kaltër dhe të gjelbër,
dhe të hirtë dhe të yjëzuar.
 
Në thellësitë e syve,
në largësitë e detit
bluja e errët priste pa mëshirë si me sharrë
horizontin.
 
Vallja lozonjare e ngjyrave
prush e zjarr më ndezi
ashtu më këmbë nën teshat e bardha.
 
Së fundi u binda. Shpirti
nuk qenka tjetër veç trup.
 
 
 
TINGUJ
 
Tinguj pa zë
ylber para shiut
cijatjet e bravës
shkëndija që nuk shuhen
gonxhe
lule
një gotë verë për dashurinë
 
 
 
FATLUMET
 
Në rrjetën e merimangës në pyll
ranë
dy miza të çiftuara.
Sa afër dashuria e vdekja!
Përpëliteshin dridheshin zukatnin krahlehtat –
shumëkëmbëshja thurte epshin e vet.
Befas
një rreze dielli çau rrjetën mortore.
Mizat fatlume flatruan
njëra nga veriu e tjetra nga jugu dhe
nuk u kthyen më kurrë.
 
 
 
PARA TEJE...
 
Hape derën,
mos u druaj nga bukuria.
Nesër Afërdita e rrudhur
do t'i hapë vetë kanatat,
por ti s'ke për të hyrë.
Shkretëtira e verdhë do të shpaloset para teje...
 
Dhe në këpucët e tua me thembra të ngrëna
do të ketë hyrë rërë.
 
 
 
PA FILLIM E FUND
 
Misteri i dashurisë së verbër
pa fillim e fund
hekurosi si jakën e këmishës së larë
trutë e mi të dhjamur
njëqelizor.
 
 
 
DRAMA
 
I dashuri përplasi pjatën murit të xhelozisë.
U bë copa-copa.
Po dashuria e saj ishte kristal i rrallë.
U kthye në rërë të imët, të verdhë
që nuk ribëhet sërish zemër.
 
Ish i dashuri i ngjiti copat e pjatës së thyer.
Në të hodhi ashtu të pazier
mishin e plakur të dashnores së re.
I mbeti në fyt.
 
 
 
LARG TEJE
 
Në odën perëndimore
valët e mendimit kanë ngrirë.
Lulet e ndjenjave
shpërthejnë
me ngjyra
e aroma
demoniake.
 
Djallushi i dashurisë zgjati krahun e purpurt.
Në dorë mbajti diellin inatçor
që po turrej i etur mbi malet e kaltër,
gjersa u shuan flakët epshore
në fytyrën plot dritë të Afërditës.
 
Vdekja vëzhgonte ziliqare te vrima e çelësit
dhe tretej dhe shuhej dhe vdiste...
Mbi plepin karshi
sorrat krrokatnin pa pra -
muzgut të dridhshëm kërkonin
degën e dashurisë së humbur.
 
Në odën perëndimore
valët e mendimit vërshuan të liruara...
Hiri i ndjenjave – fir nëpër natë.
 
_________________
Biografia e autorit është marrë nga Wikipedias, kurse poezitë nga Revisata "Admet"

Sonntag, 26. Januar 2014

Marie Shllaku

K O S O V Ë,
GJAKU IM TU BAFTË DRITË !

Marie Shllaku (1922 - 1946) Jeta veprimtaria dhe lufta e Marie Shllakut është padyshim një metëor në qiellin tonë,një rast i pashembullt i gruas shqiptare,i vajzës 24 vjeçare që për 4 vjet rresht punoi dhe luftoi me një heroizëm të rrallë. Një rast i papërsëritshëm në historinë tonë sa të dhimbëshme aq dhe krenare. Është dhe mbetët shembulli më ideal i nacionalizmit të mirëfillt shqiptar. Vendlin...dja e saj ishte çdo pëllambë toke ku flitej shqip. Partia e saj ishte Shqipnia Etnike. Prandaj ajo bashkëveproi me të gjitha forcat politike,që me përkushtim ishin dhe mbronin tokat tona,që të parët na e lanë. Marie shllaku për ato që bëri për atdheun mbetet për ne Orleania Shqiptare. Historia jonë duhet të zbardhet,të zënë vendin e merituar ato figur madhore që gjatë Luftës së II Botërore dhanë më të mundshmen e tyrne në të mirë të kombit tonë. E ndër këto figura ishte Marie Shllaku.


Cila ishte Marie Shllaku?

Për Marie Shllakun deri më sot janë shkruar katër libra: “Marie Shllaku” nga Ibrahim Metaj ,1995; “Shqipnia e Marie Shllaku” nga Ramiz Kelmendi e Viktor Gashi,Prishtinë 1995; “Marie Shllaku,bijë e Shkodrës,martire e Kosovës” nga Tomë Mrijaj,New York 2003”; “Heroina Marie Shllaku nga Shefqet Kelmendi,Tiranë 2004. Historia jonë njeh gra që kan bërë emër në kujtesën e kombit,siç ishte Nora e Kelmendit,Tring Smajli,Shote Galica etj. Ndër to rasti i Shote Galicës na del më i plotë. Ajo për vite me radhë luftoi kundër pushtuesve serb. Por pa e zvogluar heroizmin e saj dihet se luftoi në vendlindjen e saj në Kosovë e për lirinë e Kosovës,luftoi përkrah burrit të vet dhe vdiq natyrshëm. Vajza 20 vjeçare intelektuale,bragtisi studimet dhe kënaqësinë që të ofron mosha,dhe u hodh në zjarrin e luftës. Ju përkushtue lirisë së Kosovës dhe për të pa iu dridh qerpiku, u flijua si heroinë e vertetë.

Marie Shllaku e përshkoi Kosovën pëllambë për pëllambë, në qytete e fashatra kurdoherë sypatrembun. Kurrë se lëshoi zemra as edhe një herë sju shmang rrugës që vetes i kishte vu si qellim: gjithëçka për lirinë e Kosovës. Madhështia e kësaj figure duhet shikuar edhe nga një këndvështrim tjetër. Si e pranuan një vajzë të vetme në mesin e tyre ato çeta të armatosura me burra zemërmëdhenjë, shumica e të cilëve ishin të pashkolluem? S’ka dyshim se ndikoi jo pak Prof. Ymer Berisha,ideologu i mbarërrezistencës popullore në Kosovë,gjatë viteve 1945 - 1947. Profesori e kuptoi se Marie Shllaku ishte një vajzë e veçantë,një intelektuale largëpamëse,e shumë e guximshme, e cilas kishte vendosur me u flijue për lirinë e Kosovës. Guximi dhe oratoria e saj ju imponuan komandantëve zemërmëdhenjë siç ishin Shaban Polluzha,Mehmet Gradica, Ndue Përlleshi, Ukë Sadiku e shumë të tjerë.

 

Trungu familjar.

Shkodra mijëvjeçare,qyteti i kulturës dhe i diturisë,i burrërisë e i qëndresës,ka lindë burra të shquar në të gjitha lamitë që ka jeta,tue i dhënë dritë e krenari mbarë vendit. E kur flasim për Shkodrën duhet të kemi parsyshë edhe fushat e malet që e rrethojnë. Janë një e të pandamë,kan një shpirt e një frymëmarrje. Aty kah fundshekulli i XIX,për arësye ekonomike,si shumë malësor të tjerë,nga Shllaku kish zbritur në Shkodër Simon Shllaku,me të birin Markun dhe ishin vendosur në lagjen Badre,të qytetit. Në kët lagje u rritën burrat e shquem Luigj Gurakuqi,Justin Rrota,Ernest e Mikel Koliqi, e shumë të tjerë. Do të rritet Marku e do të marrë veten disi ekonomikisht dhe do të martohet me Dilën,me të cilën do të ketë katër fëmijë: Ndocin,Rozën,Marien, dhe Luvien. Ndoci e Luvia do te vdesin heret. Edhe prindërit Marku e Dila,do të largohen kësaj jete,në vitet e para pas Luftës së II Botërore ( se,s’po mund t’i them çlirim). E re do të vdesë edhe Maria nga plumbat e shkaut. Gjatë do të jetojë vetëm Roza, (vdiq me 5 mars 1999). Do të jetojë dhimbjen e saj.

 

Jeta dhe veprimtaria e Marie Shllakut.

Maria e bija e Markut dhe e Dilës u lind në Shkodër,me 22 tetor 1922. Që e vogël – (tregonte motra e saj e madhe Roza),ajo dha shenjat e një vajze sa e zgjuar,e të shkathët,aq dhe guximtare. Te motrat Servite mori edukatën parshkollore,kurse të mesmen e kreu shkëlqyeshëm në kuvendin e Motrave Stigmatine,ku jepnin mësim profesorë të dëgjueshëm. Ishte krenaria jonë. Jetonte me hallet e shtëpisë. Pradaj edhe bragtisi studimet e, që 20 vjeçare filloi punën. Po rrjedha e jetës së saj mori drejtim tjetër,u muer me politikë – përfundon Roza. Në maj të viti 1942 punësohet në Tiranë,në Ministrinë e Punëve Botore,si sekretare. Në nëntor të vitit 1942 e pushojnë nga puna pa arsyetim,dhe me 25 shkurt 1943,me sugjerimin e Nacionalistëve,Maria për herë të parë shkon në Kosovë. Ishte koha kur Kosova kishte shumë nevojë për kuadro të aftë e nacionalistë të vërtetë. Do të punësohet në Prizren si financier për tërë Kosovën. Me 6 maj 1944 do ta pushojë nga puna Ministria e Brendëshme,e do të shkojë në Shkodër e mandej edhe në Tiranë,e do të befasohet kur do ti thonë se e kishin pushuar për motive politike. Më vonë do të takohet me njerëzit e Abaz Kupit, e me ndihmë të tyre serish do të shkojë në Kosovë,nga ku nuk do të kthehet kurrë më. Natyrshëm na lindë pyetja: Çka e shtyri këtë vajzë të shkonte në Kosovë,kur tani puna s’e priste,kur lufta ishte në mbarim e sipër,e dihej se vendin do ta gllabëronte murtaja e komunizmit? Pra ajo nuk mendoj për të ardhmen e saj si vajzë,po me vetëdije shkoj drejt tymit të flakës,në mbrojtje të Kosovës. Në Prizren do të njihej me shumë nacionalistë,do të shkojë në Gjakovë ku do të krijojë njohje të reja. Në fillim të nëntorit 1944 e shofim në Pejë. Aty do të njihej me meshtarin e Pejës At Bernardin Llupin,me të cilin gjithënjë do të jetë i lidhur,së bashku edhe do të pushkatohen në Prizren natën e 24 – 25 nëntorit 1946,(me ta edhe Kolë Parubi e Gjergj Martini). Kur Brigada e III Sulmuese e Shqipërisë “çliroi” Pejën,me 17 nëntor 1944,për t’ja dorëzue më vonë serbit – vëlla të idealit të komunistëve,Maria do të kalojë në ilegalitet e shoqëruar me komandantin zëmërmadh Mehmet Gradicën,e me shumë të tjerë. Në katundet e Pejës Budisalc e Novosellë,do të mbajë fjalime,që në hetuedi do t’i kujtojë: “Burra! Ne pranojmë me vdekë me ju,e ju me ne! Se nuk janë marrë të gjitha katundet e qytetet. Mos ti dorëzojmë këto fusha të bukura! Armët tona në asnjë mënyrë mos t’ja dorëzojmë shkjaut!” Në Gllogjan me njëqind e sa burra të armatosur,bije në pëerpjekje me forcat armike,dhe aty plagoset – plaga e saj e parë. Do mjekohet në shtëpinë e Dan Pjetrit në Dabërdol të Ujmirit, - Qendër e Kom. Dem. Shqiptare. Në shtëpi do të qëndrojë afër 6 muaj,ku do të takohet me shumë drejtues çetash,do të mbaj shënime,do të dërgojë letra andej – këndej për bashkimin e forcave. Maria arriti me i pajtue dy komandantët zëmërmëdhenj: Shaban Polluzhën me Mehmet Gradicën. Se ky i fundit,nacionalist që në fillim,nuk kishte shumë besim tek Shaban Polluzha, i cili kishte luftue përkrah Fadil Hoxhës. Do t’i bjerë në sy OZN-ës,aktiviteti i Maries,vendi ku ajo strehohej,në shtëpinë e dan Pjetrit dhe ta kontrollojnë shpesh,në mënyrë të befasishme. Por familjarët e kishin menduar që më parë ketë. Gjithmonë një grua e asaj shtëpie ndodhej në gjini,e Maria kur bëhej kontrolli parqitej me veshje fshati e si nuse shtëpie.

 

Viti 1945 i përgjakur dhe rezistenca popullore. 

Fill pas mbarimit të luftës drejtuesit e Partisë komuniste Jugosllave,i vunë në veprim planet që kishin bërë me kohë. Shpejt u hapën tri vorre masive: TIVARI; në Mal të Zi; STARI BEQAJ në Vojvodinë,dhe në GORICA,të Sllovenisë. Veç këtyre,terror në mbarë Kosovën,në qytete e fshatra. Njerëzit i errte nata e nuk i zbarrdhte dita. Shqiptarët pushkatoheshin pa gjyq. Filloi edhe çarmatimi i popullsisë me dajak.Filloi edhe mobilizimi i të rinjve për ushtar. Por populli rezistoi.
Në Pejë f.v Sali Ukella e Sefa i Najës shkruan epopenë e tyre. Luftohej në Rugovë,në Anamoravë,në Drenicë,Shaban Polluzha protestonte dhe i thonë se janë bërë “gabime”,se do të denoheshin fajtorët,por ai me vullnetarët e vet duhet të shkonte kah Sremi,në ndjekje të mbeturinave të ushtrisë gjermane. Por pikërisht kur po pregatitej me u nis,i vjen lajmi se serishmi në Drenicë po bëheshin masakra. Lajmin e hidhur ua thot vullnetarëve të vet. E ata njëzëri thonë: “Na prijë drejt Drenicës sonë,e jo drejt Sremit të Serbisë!”



Kuvendi i Drenicës, lufta.

Kuvendi u mbajt në Rrëzallë të Drenicës,në janarin e vitit 1945. Aty folën shumë burra,mes tyre dhe Marie Shllaku. E nga ky fjalim do të kujtojë më vonë në hetuesi: “Të gjithë vllaznit shqiptarë me tanë fuqinë,duhet me e luftue pushtuesin sllavokomunist,me i largue partizanët jugosllavë nga Kosova,se çdo pus të Kosovës e kan mbush me krena shqiptarësh...” Dhe më tej: “Partizanëve të Serbisë po u ndihmojnë partizanët e Shqinisë.” Kuvendi doli me vendimin e prerë: luftë deri në vdekje. Këtu pos vendimeve,u ndalën më shumë për këtë luftë të madhe,ku u vranë 430 burra,pos të plagosurve. U vranë edhe dy komandantët zemërmëdhej: Shaban Polluzha e Mehmet Gradica,gjysh e nip,të moshës (74 vjeç i pari,33 vjeç i dyti).

 

Kuvendi i Dobërdolit.

Është padyshim një ngjarje me rëndësi historike. Duheshin riorganizuar forcat. E kjo u arrit në sajë të punës organizuese, kryesisht të profesor Ymer Berishës. Muarën pjesë afro 200 burra nga Kosova,Mali i Zi dhe nga Maqedonia. Kuvendi u mbajt në Llugën e Dan Pjetrit në Dobërdol,nga 24 – 26 gusht 1945. I pari e mori fjalën Ukë Sadiku e pastaj shumë të tjerë me rradhë. Por fjala kryesore ishte ajo e prof. Ymer Berishës. Në kuvend foli dhe e vetmja vajzë në atë tubim,Marie Shllaku pjesëmarrsja e mbledhjes. Fjala e saj zgjati 62 minuta. Maria me ato që tha i ndezi të pranishmit. E nga ky fjalim i rëndësishëm në hetuesi ajo do të kujtojë: “Motra deshiron me vdekë me ju,e ju me të! Vetëm dorëzimin sllavokomunistëve mos me jua ba sa të jemi gjallë! Ma mirë me vdekë me gra e fënijë, e me i pa si po desin se sa serbi me na i pre! Po së shpejti ne do të fitojmë!” E burrat thanë: “Ti motër shqiptare na ke ndihmue në kohët më të vështira. Ti pranove vdekjen me ne,edhe ne pranojmë vdekjen me ty! Rroftë motra jonë!” Më poshtë heroina sqaron se si qe përpjekur me sheshue shumë nga mosmarrveshjet,që kishin lindur në mes të disa drejtuesve të çetave,dhe ia kishte arritur qellimit.

 

Marie Shllaku në shënjestër të OZN-ës.

OZN-a e kishte kuptue rolin e rëndësishëm të kësaj vajze në “bandat terroriste” – siç i quanin ata luftëtarët e rezistencës popullore. Në fillim i bënë thirrje që të dorëzohej,me premtimin se do të gëzonte privilegje,se po të deshironte mund ta përcillnin edhe në Shkodrën e saj,ku edhe atje do ti siguronin punë e mirëqenje. Kur kjo nuk u eci,provuan një manovër tjetër. Shefi i OZN-ës së Pejës Alush Gashi,me disa të tjerë dalin në “mal”, si “të zhgënjyer” nga fitoret e luftës dhe për bashkim forcash,kërkojnë me u bashkue me Marie Shllakun. E për këtë rast Heroina do të kujtojë në hetuesi: “duket se unë kisha le përpara dhelpnës”. E kur edhe kjo su eci,për me ja mbush mendjen që të largohej nga lufta,arritën tja sjellin edhe të atin nga Shkodra,Mark Simonin,që ta merrte të bijen me vete. Maria fshehtas,pa dijeninë e OZN-ës,u takua me të atin në Zllakuqan të Pejës,dhe nuk pranoj të kthehej në Shkodër. Kishte vendosur që jetën e saj ta flijonte për lirinë e Kosovës.

 

Beteja e Qelisë së Siqevës (Drenicë).

Maria në këtë kohë ishte në çetën e Ukë Sadikut. E ky i fundit bashkë me prof. Ymer Berishën e disa të tjerë,kishte shkue në takimin e Pashtrikut,me qellim që ti bashkonin forcat,në luftë kundër pushtuesit. Drejtimin e çetës Ukë Sadiku ia la të vëllait Shabanit. Në këtë kohë ndodheshin në Qeli të Siqevës. Këtu edhe i rrethuan brigada e Bokës së Kotorrit,të ardhur nga Mali i Zi. Kjo ndodhi me 12 shtator 1945. Sulmi i befasishëm filloi në mesnatë dhe vazhdoi deri në mëngjes. Qe një luftë e ashpër. Nga çeta u vranë 28 luftëtarë lirie e shumë të plagosur. Po armikut i lan shumë të vrarë. Vetëm oficerë u vranë 11 vetë. Maria e plagosur ndihmohet nga Mushi Hoti i Resnikut,edhe vetë i plagosur rëndë,dhe çajnë rrethimin. Mbas pak Mushi Hoti vdes nga gjakderdhja e madhe,dhe Maria përfundon tek një mjekja popullore nënë Hota. Ajo ja kish mjekue edhe plagën e parë në përpjekjen që kishin patur në Gllogjan. Mbas dy-tre ditësh ashtu e dërmueme,merr rrugën për Doberdol,dhe për fat të keq takon faqeziun e Aqarevës,Xhemal Bajramin,i cili e dorëzon në OZN –ën e Skenderajt. E prej aty,të nesërmen e asaj dite përfundon në burgun e Mitrovicës.

 

Gracka e OZN-s.

Se si e organizoi OZN –a këtë grackë vite më vonë,më 1965,do të na sqaroj Gojko Medenica, kryeudbashi për Kosovën, në “Veqerni Novosti” i Beogradit,në disa numra,si dhe tek “Rilindja” e Prishtinës e po atij viti. E keqtrajtuan në hetuesi,po heroina nuk hapi gojë. Atëherë të shqetësuar se mund tu mbetej në dorë pa vjelë të dhëna të rëndësishme nga ajo sajuan këtë grackë. E shtrojnë në spital të burgut të Mitroviocës,gjoja për ta mjekuar për plagët e luftës. E një natë spitalin e burgut e sulmojnë “ballistët”,të armatosur,të cilët me krisma armësh hyjnë brenda,i lënë përtokë disa “të vrarë tërë në gjak”, e duke fol shqip e nxjerrin që andejmi Marijën dhe e strehojnë në një shtëpi në Mitrovicë te një “ballist” dhe largohen. Por Maria do të shkruanë,se në fillim kishte dyshuar për këtë aksion aq të guximshëm. Do të dyshojë edhe tek strehuesi “ballist”,që i sherbente me devotshmëri e pa fjalë,pa u bë fare kurreshtar për jetën e saj. E ushqente,ja blente ilaçet,dhe ja plotësonte çdo dëshirë të saj. Strehuesi,ndonse nevrik nga natyra, e luejti për mrekulli rolin që ja kishin mësuar eprorët e tij. Kështu kaloi një javë krejt e qetë,pa sagjë të veçantë që ta bënte me dyshue vajzën e re. E ditën e tetë tani disi e bindur se aksionin e kishin krye vërtetë forcat balliste,i kërkoi strehuesit laps dhe letër,shkruan diçka dhe ja dorëzon strhuesit,me adresën e At Bernardin Llupit në Pejë. Frati befasohet kur e vërejti letrën,dyshon edhe pse e nihte kaligrafinë e Marijës,dhe ja kthen një përgjigje të shkurtër,të thatë,pa përmbajtje të rëndësishme. Maria e pa se frati po dyshonte në suksesin e aksionit, e që të bisedonte bashkë me letrën e dytë,ia dëgon edhe medalionin e qafës,të cilën meshtari e njihte se ia kish parë gjithnjë në qafë. Kështu ai u bind se vërtetë paskësh ra në dorë të sigurtë. Dhe përgjigja e dytë qe e hapur. Ndërruan disa letra,të rëndësishme këto për OZN-ën. Shumë vonë Maria e kuptoi grackën e OZN-ës. Strehuesi ishte faqeziu Nazmi Kursani,kapiten i OZN-ës.

 

Të dhëna nga gjyqi.

Gjyqi u zhvillua në Prizren nga 29 qershori 1946,deri me 13 korrik 1946,kurse vendimi u dha dy ditë më vonë me 15 korrik. Në shënimet e hetuesisë vlen të përmendet përgjigja që ju ka dhënë për pyetjet: Qysh kur je marr me politikë? “ Po,qysh heret,që në moshën 20 vjeçare jam marrë me politikë,në se mund të quhet politikë dashunia për atdheun,përpjekja ime për një Shqipni Etnike,të bashkueme,me pjesët e saj të shkëputuna,- Kosovë e Çamëri”. E në çfarë kushte i tha këto fjalë!... në hetuesinë e përbindëshave sllavokomunistë.. – me plagë lufte në shtat ende të pashërueme..- e vetëdijshme se do ta pushkatonin. – Dhe kjo një vajzë 24 vjeçare! Në bankën e të pandehurve 27 vetë. Në krye At Bernardin Llupi, Marie Shllaku, Kolë Parubi, e Gjergj Martini. Kah fundi të rinjtë gjimnazistë të Pejës. E në fund fare më i vogli, me moshë e me shtat, shkruesi i këtyre rradhëve, nderë e kënaqësi e veçantë për mue.

Ja disa të dhëna nga ai gjyq dhe nga procesvërbali prej 127 faqesh: - Pse keni luftue kundër partizanëve? – Me ju rëzue nga pushteti. –Ke bashkëpunue me gjermanët? – Unë nuk due kurrfarë pushtuesi në trojet tona. – Pse ke qenë kundër luftës Nacional Çlirimtare? – Në filim e kam përkraë. Po kur pash se ata mbanin yllin e kuq,me drapën e çekiq,u bana kundërshtare e vendosur e tyne. – Pse nuk u bashkuat në male me çetnikët se edhe ata janë kundërshtarët tanë? – Mos i ngatërroni çeshtjet zotni prokuror! Me çetnikët ne nuk na bashkon asgja. Nuk e dij cili prej jush na ka vra ma shumë,për ne jeni njësoj. – Çfarë the në Kuvendin e Dobërdolit? – Në falimin tim bana thirrje për bashkim forcash, e për qëndesë në luftë me ju deri në vdekje për çlirimin e Kosovës. – A e di se për këto krime ty veç plumbi të pret? – Nuk më trembet syni. Jam krenare që për Kosovën martire bëra aq sa munda. Por heret a vonë ne do të fitojmë.! Kur fliste përpara trupit gjykues,dy polic e mbanin për krahësh,që të mos rrëzohej,aq e shkallmueme ishte!...Toka nuk e kalbë të vërtetën. Fjala e fundit e Marie Shllakut përpara tytave të kuqe: “ Kosovë! Sa shpresmadhe të gjeta e sa zemërplasun po të la! Po edhe në këtë çast të mbramë po i lutem Zotit: GJAKU IM TU BAFTË DRITË!”


Burimi:
Shefqet Kelmendi,”E djathta shqiptare në mbrojtje të Shqipërisë etnike-(3)”,fq.417- 426