Freitag, 14. November 2014

Sabri Hamiti

Akademik Sabri Hamiti lindi më 10 maj 1950 në Dumnicë, Podujevë, nga baba Hamit Hamiti dhe nana Mehreme Duriqi. U rrit në familje bashkë me tri motra e dy vllezër.
1957 Hyri në shkollën fillore në vendlindje.
1968 Mbaroi gjimnazin në Podujevë dhe u regjistrua në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Nisi botimet letrare në Bota e re e në gazetat e revista të tjera. Mori pjesë në demonstratat e studentëve në Prishtinë. I ndjekur nga policia, disa muaj jetoi duke u fshehur te të dashurit e tij.
1972 Diplomoi me sukses të shkëlqyeshëm në Universitetin e Prishtinës, në gjuhë e në letërsi shqipe. Botoi veprën e parë letrare te Rilindja e Prishtinës. Regjistroi studimet pasuniversitare me temë “Poetika e re shqipe” në Universitetin e Sorbonës, në Paris, mirëpo për mungesë parash u kthye në Prishtinë.
1973 U martua me Kumrije Rugovën, moshatare dhe mike e studimeve. Hyn në punë në shtëpinë botuese Rilindja të Prishtinës. Nis studimet pasuniversitare në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, të cilat studime i kreu pas dy vitesh.
1980 Për një vit akademik specializoi teorinë e formave letrare në École des Hautes Études en Sciences Sociales, në Paris. Mori Diplomën e Shkallës së Lartë për letërsi frënge e qytetërim frëng në Universitetin e Sorbonës në Paris.
1987 Doktoroi me temë nga letërsia bashkëkohore shqipe në Universitetin e Prishtinës.
1989 Hyn në lëvizjen për Pavarësinë e Kosovës, të prirë nga Ibrahim Rugova, mik i tij i studimeve. Më vonë, gjashtë herë me radhë (1992, 1998, 2001, 2004, 2007, 2010) u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës, ndërsa nga viti 2006 është anëtar i Kryesisë së Kuvendit .
1993 Zgjidhet profesor i letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Po ashtu ligjërues në studimet postdiplomike të letërsisë.
1995 Si anëtar i Komisionit Kombëtar punoi për njësimin e programeve shkollore të lëndëve nacionale dhe për hartimin e teksteve të përbashkëta për të gjitha shkollat shqipe.
Më 24 shtator 1998 persona të panjohur të Sigurimit të fshehtë serb i bëjnë atentat në shkallët e banesës së tij në Dardani të Prishtinës. E shpëtojnë mjekët shqiptarë me ndihmën e Zotit.
2000 Zgjidhet anëtar korrespondent i Akademisë të Shkencave e Arteve të Kosovës.
2008 Zgjidhet anëtar i rregullt i Akademisë të Shkencave e Arteve të Kosovës.

Sabri Hamiti jeton e punon në Prishtinë.


Veprat letrare

Poezi 
  • Njeriu vdes i ri, 1972
  • Faqe e fund, 1973
  • Thikë harrimi, 1975
  • Trungu ilir, 1979
  • Leja e njohtimit, 1985, 1985
  • Lind një fjalë, përzgjedhje, 1986
  • Kaosmos, 1990
  • ABC Albetare për fëmijë të rritur, 1994
  • Melankolia, 1999
  • Sympathia, 2004
  • Lulet e egra, 2006
  • Litota, 2007


Roman
  • Njëqind vjet vetmi (Sabri Hamiti), 1976


Drama
  • Futa, 1988
  • Misioni, 1997
  • La Mission, 2007, Paris, Editions l’Espace d’un instant


Kritikë/Eseistikë/Studime
  • Variante, 1974
  • Teksti i dramatizuar, 1978
  • Kritika letrare, 1979
  • A-ZH, Romanet e Nazmi Rrahmanit, 1982
  • Arti i leximit, 1983
  • Njeriu kryengritës, 1987
  • Vetëdija letrare, 1989
  • Faik Konica: jam unë, 1991
  • Tema shqiptare, 1993
  • Poeti i nemun Bilal Xhaferri, 1996
  • Letra shqipe, 1996
  • Lasgushi qindvjeçar, 1999
  • Bioletra, 2000
  • Studime letrare, 2003
  • Shkollat letrare shqipe, 2004
  • Tematologjia, 2005
  • Presidenti Ibrahim Rugova (Memento për Rugovën), 2007
  • Letërsia moderne, Tiranë, 2009
  • Albanizma, 2009
  • Poetika shqipe, 2010
  • Utopia letrare, 2013
  • Zef Pllumi, 2013


Tekste shkollore
  • Letërsia e vjetër shqipe, 1995,
  • Letërsia moderne shqipe, 1998,
  • Letërsia romantike shqiptare, 2004


Vepra komplete, 2002
  • Vëllimi i parë: Poezi
  • Vëllimi i dytë: Poezi
  • Vëllimi i tretë: Poezi
  • Vëllimi i katërt: Roman
  • Vëllimi i pestë: Drama
  • Vëllimi i gjashtë: Kritika letrare
  • Vëllimi i shtatë: Letësia filobiblike, Letërsia romantike
  • Vëllimi i tetë: Letërsia moderne
  • Vëllimi i nëntë: Letërsia bashkëkohore
  • Vëllimi i dhjetë: Letërsia bashkëkohore 
   
 Studime për veprën e Sabri Hamitit
  • Dr. Ibrahim Rugova "Sistemi poetik i Sabri Hamitit", Tiranë 2013.
  • Dr. Nysret Krasniqi "Sabri Hamiti", Prishtinë 2011
  • Muhamed Çitaku "Strategjitë e rrëfimit: romani Njëqind vjet vetmi i Sabri Hamitit", Prishtinë 2010

Tekste të Sabri Hamitit në gjuhën shqipe
  • Sabri Hamiti: Shkollat letrare shqipe
  • Sabri Hamiti: Monumentet e kulturës së identitetit shqiptar
  • Sabri Hamiti: Fraza e pambaruar
  • Sabri Hamiti: Njeriu meditant, njeriu militant


Tekste të Sabri Hamitit në gjuhë të huaja
  • Sabri Hamiti: Albanian literary schools (Përkthyer nga Dr. Muhamet Hamiti)
  • Sabri Hamiti: Les écoles littéraires albanaises (Përkthyer nga Dr. Halit Halimi)
  • Poezi të Sabri Hamitit në anglishte (Përkthyer nga Dr. Robert Elsie)
 

Mirënjohjet
  • Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit
  • Urdhri "Gjergj Kastrioti Skënderbeu"
  • Çmimi kombëtar "Azem Shkreli", për vepër jetësore në fushën e letërsisë nga Ministria e Kulturës e Kosovës, 2010
  • Çmimi i Madh për Letërsinë për vitin 2010 nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë për veprën letrare "Poetika shqipe" 

Biografia e autorit është marrë nga WIKIPEDIA


Poezi nga Sabri Hamiti

KURR MË

Ernesto Sabatos

E di: Kamy të donte shumë, e desha Kamynë.
Ti mik i llogarive të pastra si loti,
banor i Tunelit, që jetën e përbiron tinëz
shpirtkëputur në mes të Trimave e Varrtarëve
me pishë në dorë duke përmbysur terrin
zbret shkallë shkallë siç Zbritet në Ferr
shenjon të humburit numëron deri në nëntë mijë
e thur nëpërmjet dhembjesh librin Kurr më,

a e di: jetën e jeton secili veç e veç
deri në mbarimin e saj të pa marrë me mend,
nënat sillen në rreth në Shesh të Fitores
shenjat e bijëve i mbajnë përmbi zemra
e fotoset kraheqafe vetëm për të dëshmuar
se jeta ka qenë aty pranë e nuk është më
ato nuk do të lexojnë kurr librin Kurr më
se njohin vetëm jetën që jetohet në vetmi
duke i rrjetuar kujtimet me lotët në varg,

a e di: plaga sa një shpellë e zezë
po hyn në zemër e në bark të kujtesës,
më thuaj sa shigjeta kishe në zemër vetë
kur zbrite shkallëve nga libri në jetë?

O miku im i mikut tim të panjohur!



T E U T A 

I kërkoj syte tu te kalter syte tu të zi
Qe kishin pare Diellin kur u mbyt ne det
Ushtari apo femija kush t`i zbuti gjijte
Kur dole lart ne Mal te gjuaje gjarpijte
Ishe e para si Nane po gjuhe a nuk pate
Per Yjet qe fiken diten si ne pike nate
As fjalen e vetme qe pres me shekuj Te dua
Kur kthetra te urrejtjes me zene per fyti mua
Si vdiset duke dashur si duhet duke vdekur
Vetem pernjehere apo perdit pak nga pak
Apo ne endrrat e gruas shihje vetem vere
Qe nuk di per Akullin qe do te vinte vrap
Ne gjirin tend te forte stoli ishte shpata
Aty fshihej zemra qe e pershkoi dashuria
Fryma i vret pleqet e si buzeqesh femija
Ne mynxyren e kohes ligjeron vete nata
Koha ta njohu emrin qaforen vare ne gushe
Hallhallen ne dore kohen trollin e shtepine
Une te desha gjithhere si grua me sy te zi
Qe jeten puthi ne ball e vdekjen puthi ne gji
E di se te kisha Nane se me kishe femije
Kur shkoje lart ne Mal te gjuaje gjarpij
Shenja Trup e Shpirt te mos mbeten huq
Kerkoj ta shoh syrin tend te zi te kuq
Qe kish pare Diellin kur u mbyt ne det
Kur femijeve te mocem koha u jipte jete
Thesari si pluhur Yjesh u derdhet nder duar
Flasin gjuhen plot me pezm gjuhen e zemruar
Teuta u te ta ata te u teta u tuta eu Teuta
Ilire e lire e liri truri turi uri te Teuta 


               Nga përmbledhja poetike Leja e Njohtimit 1985
 



EQREM CABEJ

Ku ndriqon plisi perthekon guna
Ku buka eshte buke e uji uje
Ku digjet qiriu e tymon una
Rrjedh lume Drini rrjedhe lume Buna


Hesht Ili Iliri flet vete Albani
Ne valle Lisi ku feston fisi
Merr ne thua e bie tirani
Ne male te bardha bardhon plisi


Ne naten e zeze del para Abeja
Ti thur ballin me kujtime e gjak
Midis krahrorit te shkrep rrufeja
Klithjen e moqme e zgjon ne prak.


Ku ndriqon plisi perthekon guna
Ku buka eshte buke e uji uje
Ku digjet qiriu e tymon una
Rrjedh lume Drini rrjedh lume Buna


Vallezon shqipja ne teatrin antik
Me bukuri te thurur fije me fije
Ne shi furtune kerkon nje mik
Per heshtje urti per bese e dije.


E shpresa syrin e hap ne diell
E ne naten me peshe te vone
Fjala fluturon flet vete ne qiell
Kengen e moqme e ben jehone


Ku ndriqon plisi perthekon guna
Ku buka eshte buke e uji uje
Ku digjet qiriu e tymon una
Rrjedh lume Drini rrjedh lume Buna


Ne vete thur vete-dijen e durimit
Si kengen e dhembjes se pafund
Ne boten e gjalle te humbjes shpetimit
I njohur rinjohur perdit pa mund.


Ku ndricon plisi perthekon guna
Ku buka eshte buke e uji uje
Ku digjet qiriu e tymon una
Rrjedh lume Drini rrjedh lume Buna.


               Nga përmbledhja poetike Leja e Njohtimit 1985 



FYTYRA E MIKES

Gabove kur më the mik
kur të thashë mikeshë
e duke njohur jetën 
duke gërryer kujtimet
na u përzien këmbët

mi pive lotët në faqe
ta mbulova varrën tënde
duke mbajtur dhembjet 
duke njehur klithmat
the po flet vetë jeta

zdeshe xhemperin e kuq
stolisur me dy shkronja
gjini të shtrëngoi këmishën
kokulur e i hutuar 
shkela fletën e kujtimit

bashkë e hëngrëm udhën 
detin dhe fushën 
duke e tjerrë kohën 
duke lodhur moshën
dolëm në ditën e parë

gabove kur me the mik
kur të thash mikeshë
e duke njohur jetën
duke gërryer kujtimet

na u përzien duart
sot jemi të sëmurë
nga kërkimi ynë
unë nga dashuria
ti nga xhelozia
ti moj mikeshë

Ti more mik!

                   Nga përmbledhja poetije "Litota", poezi të zgjedhura, Onufri, 2007. 


SQARIM:
Poezitë e autorit Sabri Hamiti janë marrë nga faqe të ndryshme në internet dhe i kemi vendosur në Portalin tonë ashtu si i kemi gjetur. Ndaj, i kërkojmë falje autorit nëse na është përvjedhur ndonjë gabim. /Redaksia e Portalit "Ora shqiptare"/

Donnerstag, 13. November 2014

Agim Gjakova

Agim Gjakova

         Agim Gjakova lind më 11 korrik 1935 në Kavajë. Shkollën fillore dhe të mesme, Normale, i kreu në Gjakovë. Punoi si mësues (1952-1954). Studioi në Beograd për gjuhë e letërsi frënge dhe letërsi botërore në Fakultetin Filozofik. Gjatë kohës që ishte në Beograd themeloi shoqatën e studentëve shqiptarë “Përpjekja”. U burgos tri herë dhe më në fund, më 1960, u dëbua në Shqipëri si person i padëshirueshëm për pushtetin jugosllav, duke mos i lënë shteg t’i mbaronte studimet.
         Punoi si mësues në Kavajë (1960-1962). Më 1966 kreu studimet në Fakultetin Histori-Filologji për degën e anglishtes në Tiranã. U mor si redaktor-përkthyes në Agjencinë Telegrafike Shqiptare (1966-1970), kaloi në arsim (1970-1978), në Kinostudion “Shqipëria e Re” (1988-1990), si skenarist.
          Në vitin 1999 erdhi në Kosovë. Punoi si redaktor për kulturë në gazetën “Bota sot” deri më 2006.
          Më 1965 u martua me Naime Dacin (e mbetur jetime në moshën katërvjeçare se i ati i saj, Jahja Daci, u zhduk nga regjimi jugosllav më 1945).
          Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri është ndjekur gjatë gjithë kohës nga Sigurimi i Shtetit. Për krijimtarinë e tij me temë nga Kosova dhe për frymën demokratike që e përshkonte ka qenë gjysmë i injoruar dhe gjysmë i izoluar.
          Në plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë më 1967, diskutoi për trajtimin në letërsi të subjekteve nga jeta e dhunuar e shqiptarëve të Kosovës. U prit shumë keq nga “elita partiake drejtuese”. U akuzua se po ngrinte çështje në kundërshtim me vijën e Partisë, ose që nuk i kishte ngritur partia. Madje iu përgatit edhe internimi (apo edhe arrestimi), urdhri i të cilit nuk u ekzekutua falë atyre njerëzve objektivë që argumentuan se diskutimi nuk kishte qenë tendencioz.
          Pas botimit të romanit “Në Kërkim të së vërtetës”, vepra u akuzua në plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve si ahistorike dhe që nxin realitetin. Në këtë vazhdë për përmbledhjen me poezi “Rrënjët përtërihen” (“I gjuaj ëndrrat me gurë”), së cilës iu ndalua botimi, me porosi të Plenumit të Komitetit të Partisë së Punës të Shqipërisë u akuzua se është kundër: Ideologjisë së Partisë, politikës së Partisë, ndërtimit të socializmit; si edhe për hermetizëm e luftënxitës (se paska dashur që Shqipërinë ta shtinte në sherr me Jugosllavinë).
         Që atëherë emri i tij u vu i pari në listën prej shtatë a tetë vetash si “krijues që është i destinuar të gabojë ideologjikisht” dhe, pasi veprat e tij nuk qenë në përputhje me oreksin e regjimit diktatorial, jo vetëm që nuk mundi t’i botonte të gjitha, por edhe u mbajt nën vëzhgim dhe në një formë izolimi e injorimi gjatë gjithë kohës, i mbikëqyrur në mënyrë të egër deri më 1990 nga Sigurimi i Shtetit të Shqipërisë.


Krijimtaria:

Përmbledhjet poetike 
  • 1.Dhe thonë se paqe ka në botë, 
  • 2. Kangët e Dinit të Bardhë, 
  • 3. Perspektivë, 
  • 4. Obelisk, 
  • 5. I gjuaj ëndrrat me gurë, 
  • 6. Deti, 
  • 7. Guxo e vdis, 
  • 8. Kufiri imagjinar, 
  • 9. Saga flurore.

Proza
  • 1. Dritëhijet e një qyteti (roman), 
  • 2. Në kërkim të së vërtetës (roman), 
  • 3. Herezi (roman), 
  • 4. A ka kund zot (roman), 
  • 5. Loja e kafkave (roman), 
  • 6. Korridoret e gjelbra (roman), 
  • 7. Mëhalla e kolegëve (roman), 
  • 8. Rrëfimet... (roman), 
  • 9. Nën hijen e pavdekësisë (tregime), 
  • 10. Shtëpia në udhëkryq (tregime), 
  • 11. Themelet e reja (roman për fëmijë), 
  • 12. Vjen përroi (tregime për fëmijë), 
  • 13. Përsiatje (ese filozofike-sociologjike), etj.

Drama e skenarë
  • 1. Ishulli i argëtimit (dramë), 
  • 2. Nusja (skenari xhiruar). 
  • 3. Guri i besës (skenar i xhiruar), 
  • 4. Fundi i një gjakmarrjeje (skenar i xhiruar) etj.

Publicistikë
  • 1. Kosova edhe e shkrumueme është e hijshme, 2. Publicistika I dhe II, etj.


Poezi nga Agim Gjakova



HIJA IME

(Koha e parë)

Patën një herë një gëzim të madh se ma zunë hijen,
unë po i shikoja në zgripc të kohës
lëmshit të shpirtit s’po m’ia gjenin fijen,

patën një herë një gëzim të madh
se ma shkelën hijen me këmbë
dhe me pesë hunj ma ngulën në dhé,
unë po fishkëlleja nëpër dhëmbë
dhe s’mundën të matnin
asnjë pëllëmbë të saj përbé,

patën një herë një gëzim të madh
se hijen me çarçaf ma mbuluan
veçanti, shenja, tallje, anekdota…
shkruan mbi të, shkruan e shkruan,
unë i këqyra fytyrat e tyre plot brenga
të gjitha shkrimet i kishte fshirë shqota,

e menduan pastaj si të ma zënë trupin
hije-tmerr me tërë mend u bëra atëherë!




MË THONË FJALË TË PA NGJYRË

Pareshtur bien flokët që i kisha si tel të fortë
e ruana Zot mos të na dalin mendtë prej kreje,
pa da më zbardhet mjekra e më kërcejnë kërcinjtë
e ruana qiell mos të na nxjerrin ndoj bidat tjetër feje,
pareshtur vijnë e më thonë fjalë të rrejshme pa ngjyrë
e ruana zjarr mos të bëhem një ditë me dy fytyra!

Hijen e ke shokun më të ngushtë
që nuk të shqitet deri në vdekje
prandaj mundohu t’i afrohesh
sa më afër diellit
të kësaj të vështire jete!




HIRI I SHTËPISË SË DJEGUR

(Portreti i veteranit)

Fytyra e tij është një arë
ku janë mbjellë farërat e historisë
në kokë i ka rënë hiri i shtëpisë së djegur
në faqe vuajtja vragët ia ka shkrehur,

fytyra e tij është një lëndinë
ku janë selitë lulet e trimërisë
vetullat e kërleshura baruti ia ka kallë
hapësirë e shpirtit i ndehet gjeregjatë në ballë,

fytyra e tij është një bjeshkë
ku janë brazduar istikamet e së ardhmes
sytë i shkreptijnë dy gaca të ndezura të mërisë
mbi ta qerpikët e ngritur shpata të hakmarrjes
qe hapën rrugë nëpër shekuj
ngjarjesh
që i bënë strehë fatit të Shqipërisë,

kjo fytyrë e bronztë ngërthen dhjetë romane
njëqind gazeta, një mijë diskutime
nuk mund të përfshihet tamam
në asnjë format fotografie
ngjyrat e saj janë malet, fushat,
madhësia, qielli
kujtim i shkruar me plumba, diçiturë lirie.




THESARI I EMRIT TËND NUK U GJET KURRË

Thesari i emrit tënd nuk u gjet kurrë
edhe pse stuhia shkretoi verën
edhe pse dimri erdhi pa borë

kur të buzëqeshin kaktuset
kur të qajnë lisat
do t’i jap ryshfet Perëndisë
me një email përshkënditës vetëtime

kurrë nuk qesh i lirë
edhe pse ende jam guximtar
dhe në thellësitë e mia
jehon zëri i një mijë ferreve

nuk dridhem nuk ëndërroj nuk tutem
zëri i gjykatësit nuk sjell frutat e parajsës
të më bëjë të shurdhër të më lërë pa përgjigje

diçka duhet të ekzistojë
që ngacmon vuajtjen
të mbizotërojë në pambarim.




NË PËRFYTYRIM TË MREKULLISË

Nuk e njoh e nuk dua t’ia dijë errësirës
as natën nuk e bëj ditë dhe as ditën
natë, nëpër vegime kalërojnë
buzëqeshjet e dikurshme që i lëshova kot dhe buzët
m’u thanë në pëshpëritje e në pritje
të thithnin pikat e shiut tek binte rrëshajë

as mirëdita as natën e mirë kambanave
që buçasin brenda kraharorit të zbuluar
askund fresk e koha e mbetur pezull
përçon ngjyrat e horizontit të përhumbur

shtrëngoj gotën dhe tund hapësirën
e pamatë që më gjarpëron përpara syve dhe
në përfytyrim të mrekullisë shtrihem
në kadifen e gjelbërimit të përjetshëm.




BJESHKË, MORI BJESHKË...

Athua vetëm për trimëri
keni zbardhur kokën me mjegull e borë
o Bjeshkët e mia!
Athua vetëm me këngë
keni çarë kurrizet me thepa madhështorë
o Bjeshkët e mia!
Sa shekuj mallkim
përplasën kohërat mbi majat tuaja
e ju nxorët nga brinjët vetëm urime
vetëm urime!
Sa shekuj tradhti
përplasën kohërat mbi shpinën tuaj
e ju nxorët nga gjokset vetëm freski,
vetëm freski!

Kur dua të hap zemrën
vij në gjirin tuaj
o Bjeshkët e mia,
besnike si heshtja
besnike si jeta
dhe fjalën time e ktheni në jehonë

e lëshoni ushtimë nën ato kreshta!




BJESHKË, MORI BJESHKË...

Athua vetëm për trimëri
keni zbardhur kokën me mjegull e borë
o Bjeshkët e mia!
Athua vetëm me këngë
keni çarë kurrizet me thepa madhështorë
o Bjeshkët e mia!
Sa shekuj mallkim
përplasën kohërat mbi majat tuaja
e ju nxorët nga brinjët vetëm urime
vetëm urime!
Sa shekuj tradhti
përplasën kohërat mbi shpinën tuaj
e ju nxorët nga gjokset vetëm freski,
vetëm freski!

Kur dua të hap zemrën
vij në gjirin tuaj
o Bjeshkët e mia,
besnike si heshtja
besnike si jeta
dhe fjalën time e ktheni në jehonë

e lëshoni ushtimë nën ato kreshta!




MOTIVET E QYTETIT TIM

Janë gurët e lumit që kanë marrë ngjyrën e historisë
janë degët e manave ku janë thyer hovet e dashurisë
janë rrënjët e hardhive ku kanë rrjedhë pika djerse
janë kalldërmet dhe boshtet e grave tjerrëse
janë gjilpërat që kanë shpuar sytë e vajzave në gjergjef
janë lotët e derdhur dasmave me def
vetmia është gdhendur natën në ndonjë bankë
balli është gjakosur e ka mbetur me dangë
itarë janë mbështjellë qafe e plumbi vësh në kraharor
ka rënë shi, vetëtimë, kanë çelë lule edhe nëpër borë
ka dalë diell, kanë krisë këngë plot zjarr...
dhe unë kam mbetur një motiv në emrin e tij varë!




LETËR E PADËRGUAR

mos ma përbuz dashurinë
që ta dhuroj pa interes e pa kamatë
në daç kur dielli ta rrezit fytyrën
në daç në mesnatë,

mos m'iu përvish zemrës
që është e hapur e hapur përjetësisht
në daç ngjite tënden përgjithmonë
në daç miqësisht,

mos ma ftoh shpirtin
që të mbulon dymbëdhjet shekuj ngrohtësi,
se gjaku nuk bëhet ujë
e unë s'ndryshoj dot në tjetër njeri.




AKUAREL

Ndodhet ujë urë e rrëzuar me topa
pranë sajë një shtëpi e rrezbitur me gjoba
ndodhet një mur i shembur nga yrrfija
pranë tij një lis i prerë nga bashkia
ngrihet murana ku vranë një grua
pranë saj i argjendtë buron një krua
varë në trug të kohës nga nuk e rreh shiu
sharkisë i vringëllojnë telat kur fryn veriu.



THIRRJE

O zog, ma jep ëmbëlsinë e çerdhes maje peme
po të bëj roje syhapë kundër gjarpërinjve
po t'i tremb sqifterët, sorrat, gjeraqinat,
shkarpat po t'i lyej me dyll blete
po t'i vesh palë palë, me lesh të butë
rryezë trungu ditenatë po të rri zgjutë!...

Era tund degën e çerdhes së verdhë
ia lëkund dy fije kashtë,
ciu-ciu shpërndahet lugjeve të çabratit...
i buzëqesh jehonës me këtë dëshirë të lashtë.




HAKI TAHËS

Kur mundohem të zhbij të vërtetën e përfytyrimit
rrëmbehem, dridhem, shkrihem "krejt s'dlirtit",
po të më vënë një bashkë resh në plagën e shpirtit
nga sytë do të më rigojë shiu i përmallimit.




ERDHE MOJ NËNË NGA GJAKOVA

Erdhe moj nënë nga Gjakova!
Rrudhat e tua
përrenjtë e lotëve dhe djersës
që rrodhën të rrëmbyer
nga malet e brengave
në lumin e jetës,
sytë e tu
burime të ngrohta të qëndresës
që gufuan pa u ndjerë
nga shpella e ngjarjeve
ende pa u rrëfyer.

Erdhe moj nënë nga Gjakova!
Hapi yt
gjëmim i tokës që s'heshti
as para kërcënimit të trefishtë të vdekjes,
duart e tua
mjeshtre që përkëdhelën djem të epokave
që u dogjën në diell të mesditës,
zëri yt
përmbledhje jehonash në këmbanë të kohës
që tingëlloi gjatë
si inçizim i sakrificave
në peshën e dashurisë së tokës.

Erdhe moj nënë nga Gjakova!
Flokët e thinjur si rreshta të rrallë
tezash të kësaj jete
paralele që sosën e zhyten në hemisferën-ballë
ku jetojnë tërë gëzimet e hidhërimet
që shekujve ka peshuar Kosova.




KUR VALVITET FLAMURI

Kur valvitet flamuri
hedhin valle të gjithë dëshmorët
me gëzim të mallëngjyer nënat qeshin
vajzat mëkojnë dashurinë e fortë si guri,
kur valvitet flamuri
petkun e luftëtarit burrat veshin
nuset lidhin shaminë e kuqe në kokë
fëmijëve sytë u xixillojnë
nën hijen e ti djemtë matin burrërinë.


Mittwoch, 12. November 2014

Figura e Edi Ramës si kryeministër i Shqipërisë...

NGA ANTIPATIA NE SIMPATI !

Opinion nga Haxhi MUHAXHERI 

  • Kryeministri Edi Rama, për të qenë i besuar, duhet të ju qëndroj besnik premtimeve të tij dhe ti shoqëroj ato me veprime konkrete! 
  • Edi Rama bashkë me qeverinë e tij, duhet të jetë më i përkushtuar në mbrojtje të interesave të komunitetit çam!  
  • Ai duhet të ketë kujdes më të madh në paraqitjet e tij publike dhe në veprimet e tij politike!
  • Edi Rama e ka shansin e madh për t'ja siguruar vetës vendin e merituar në historinë e politikëbërjës shqiptare. 

Para vizitës së tij në Beograd, për mua që nuk marr vesh nga politika, Edi Rama ishte figura më e neveritshme publike e politikes shqiptare! Arroganca dhe forma e tij komunikuese, me tmerronin. Kjo ishte arsyeja që unë, jo rrallë herë, ndërroja kanalin televiziv sapo ai shfaqej.

Dhe kurrë nuk e kam besuar se do të vije një ditë që të ndryshoj bindjen për Edi Ramen. Po, ja që ndodhi. Ndodhi që për dy ditë të qëndrimit të tij në Sërbi, Edi Ramën ta pranoj edhe une si kryeministër timin apo thënë ndryshe; ta respektoj edhe si kryeministër te të gjithë shqiptarëve!

Paraqitja dhe qëndrimi dinjitoz në Beograd dhe deklarimi e tij në Preshevë, se (në baze të Kushtetutës së Shqiperisë), do të mbrojë dinjitetin e të gjithë shqiptarëve kudo që ata jetojnë, bëri qe ai të fitoj përkrahjen dhe simpatinë e bashkekombasve të tij. Kesisoj, edhe skeptiket më te mëdhenjë filluan të shpresojnë për një ndyshimin pozitiv te mendësisë së politikës shqiptare.

Politikani Rama, kësaj radhe dëshmoj fuqishëm se nuk i mungon guximi intelektuar për ta thënë atë që e mendon, për ta mbrojtur të vërtetën edhe kur ajo mund të mos u pëlqej atyre që mendojne ndryshe, atyre qe nuk mund të heqin dorë nga mendësia primitive e miteve, atyre që nuk mud të lirohen nga paragjykimet hegjemoniste.

Kryeministri Rama, dëshmoj bindshmëm se për të qenë në shërbim te shtetit dhe interesave kombëtare, duhet dalur në mbrojtje te të drejtave të bashkëkombasve të tij, pavarësisht ku ata ndodhën.

Ndaj, Edi Rama bashkë me qeverinë e tij, duhet të jetë më i përkushtuar edhe në mbrojtje të interesave të komunitetit çam!

Edi Rama duhet te kontribuojë në forcimin e përgjithshëm të besimit ndërmjet shiptarëve. Duhet të ndihmojë në forcimin dhe bashkimin ekonomik dhe kulturore te tyre, në mënyre që nje shqiptar i Kosoves, i Lugines së Preshevës, i Malit Te Zi, i Maqedonisë apo i trojeve tjera shqiptare ku ata jetojne; të ndjet i barabarte me qytetarët që jetojnë në shtetin ame dhe të trajtohën njësoj.

Edi Rama, tash e tutje, duhet të ketë kujdes më të madh në paraqitjet e tij publike dhe në veprimet e tij politike!

Kryeministri Edi Rama, për të qenë i besuar, duhet të ju qëndroj besnik premtimeve të tij dhe ti shoqëroj ato me veprime konkrete! 

Edi Rama e ka shansin e madh për t'ja siguruar vetës vendin e merituar në historinë e politikëbërjës shqiptare. Prandaj është edhe në interesin e tij qe të paraqitet me projekte sa më serioze dhe të na gezoj të gjithëve.

Une kam të drejt dhe dua të besoj për mundësinë e ndryshimit të diskursit politik, për një shpresë që edhe kreret e politikes shqiptare të na gëzojnë me qëndrimet e tyre të drejta dhe të paraqiten sa me fuqishem dhe denjësisht në mbrojtje te interesave të përgjithshme të shqiptarëve.  

Fundja, deshira ime e mire nuk është asgjë më shumë se një deshirë normale e një qytetari shqiptarë. Është një dëshirë që mund ta kenë edhe shumë te tjere qe nuk vuajnë nga komplekset apo paragjykimet dhe nga ngjyrat e kahjeve te politikes shqiptare. 

Unë jam i prirur të besoj vetëm të e mira, prandaj dua te më mbajë shpresa që Kryeministri i shtetit shqiptar nuk do te më zhgënjejë në të ardhmen, por do te punojë ashtu di duhet për interest e shtetit.

Përndryshe, kurrë nuk kam nguruar dhe nuk do te nguroi ti quaj gjërat me emrin që e meritojnë, pavaresisht se ndokujt mund të mos i pelqej. Po ashtu, asgjë nuk mund te më detyroj qe në të ardhmen të kem mendim tjetër për kryeministrin Rama,  gjithsësi nëse ai me bind se vepron në kundërshtim të asaj që ka premtuar. Uroj që kjo të mos ndodh! 


Uroj që kryeministri Rama, të kontriboj qartazi për të na kthyer besimin e humbur në kastën politike shqiptare dhe të mos na zhgënjejë me veprimet e tij në të ardhmën!

12 nëntor 2014

Enveri në Beograd na turpëroi, Edi na bëri krenarë.


Fjalimi i kryeministrit shqiptar në Beograd, sipas veprimtari Adem Demaçi, është një akt i guximshëm. Sipas tij, Rama i bëri të ditur botës se serbët vijojnë të luajnë rolin e hipokritit.   

Ish i burgosuri në kampet e ish-Jugosllavisë, veprimtari Adem Demaçi, në një intervistë për gazetën “Shekulli”, vizitën dhe qëndrimin e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, në Beograd, e ka cilësuar një akt burrëror, ndërsa vizitën e Enver Hoxhës në 1946 e quan tradhti kombëtare.

“E dija që Edi Rama do të guxojë të thotë në Beograd të vërtetën që e ka njohur dhe e ka pranuar e gjithë bota”, tha Demaçi.

Ai tha se ky është një rast i mirë edhe për Evropën që t’i tregohet se Serbia ka qenë shtet çetnik dhe politika e tyre nuk ka ndryshuar nga ajo e 200 viteve më parë.

“Me qëndrimin e tij në Beograd, Rama i dha fund iluzioneve qindravjeçare të politikës serbe se Shqipëria nuk duhet të flasë për Kosovën. Shqipëria i tregoi Serbisë se ajo është e pavarur nga Evropa dhe Edi Rama u tregoi atyre se çfarë duhet të bëjnë; u tregoi atyre se serbët duhet të shohin nga Evropa dhe u tha që të mos shohin ëndrra me sy hapur për Kosovën”, thotë Demaçi.

Sipas tij, Serbia vijon të luajë rolin e hipokritit dhe deklaratat e lajthitura të politikanëve serbë vetëm sa i shërbejnë faktorit ndërkombëtar për ta njohur më mirë megallomaninë e serbëve.
“Po shpresojmë që ky të jetë një mësim që të mos vazhdojë t'i bëjë lëshime Serbisë në dëm të shqiptarëve”, thekson Demaçi, për të cilin politika serbe nuk është kthyer 20 vite mbrapa, por është kthyer 100 vite.

“Disa e kanë konsideruar vizitën e Ramës me atë që bëri Enveri më 1946 kur e vizitoi ish-Jugosllavinë, e cila ishte një vizitë e turpshme. Hoxha ishte një servil dhe ishte i përulur ndaj serbëve. Ndërsa, kjo e sotmja ishte një vizitë e lavdishme dhe na bëri krenarë, pasi Rama u tregoi atyre se Shqipëria nuk do të përulet më ndaj askujt”. /Shekulli/

Huazuar nga telegrafi.com

Dienstag, 11. November 2014

Rama, kryeministër i të gjithë shqiptarëve!


Shkuan: Haxhi MUAHXHERI

Për dy ditë të vizitës së tij në Serbi, Edi Rama ishte pothuajse kryeministër i të gjithë shqiptarëve, sepase ai deklaroj bindshëm: “Do bëjmë çmos që ti japim një të ardhme të denjë çdo shqiptari pavarësisht ku ai jeton”.

Vizita e kryeministrit Rama në Sërbi ishte e tejet e sukseshme. Poashtu, edhe qendrimi i tij karshi politikës serbe ishte për tu admiruar. Prandaj, me plot bindjen, ai mund të quhet edhe triumfues i kësaj përballjeje jo te lehtë. Por kjo nuk i shlyen gabimet e mëhershme të Ramës dhe as e bën atë imun për te mos gabuar më.

Unë dua të besoj që Rama, ashtu si edhe tha, tash e tutje të jetë kryeministër që vërtetë di ti mbrojë interest dhe të drejtat e shqiptarëve kudo që ata jetojnë! Se, vetem kësisoj, ky do të mund të ishte një fillim i mbarë i tij në politikën shqiptare.

Sëkendejmi, të merresh me politikë, do të thotë të njohesh mirë mjeshtrinë e gënjeshtrës dhe lojës emocionole me masat. Kjo është arsyeja që unë nuk u zë shumë besë politikanëve, madje as kur ata ndonjëherë na gëzojnë me veprimet dhe qëndrimet e tyre...

Përndryshe, për dy ditë të vizitës së tij në Serbi, Edi Rama ishte pothuajse kryeministër i të gjithë shqiptarëve, sepase ai deklaroj bindshëm:
“Do bëjmë çmos që ti japim një të ardhme të denjë çdo shqiptari pavarësisht ku ai jeton”.

Nëse kryeministri Rama na bind për atë që tha, athere ai padyshim do ta ketë edhe admirimin, besimin dhe përkrahjen e të gjithë shqiptarëve.

Në ketë rast, nuk ka fare rëndësi se nga cili krah i politikës shqiptare vjen kryeministri. E rëndësishme është se sa ai u qëndron besnik obligimeve që ka përball Kushtetutës shqiptare, për të mbrojtur interesat shteterore, kombëtare dhe dinjitetin e qytetareve shqiptar.

Të presim dhe të shohim se a do të deshmohet dhe shoqërohet kjo me veprime konkrete apo do të mbeten veç fjalë te thëna me qellim të ngritjës së rejtingut përsonal politik të tij.

Kjo është mundësia e madhe e politikanit Edi Rama, për të na bindur se e meriton të jetë në krye të politikës shqiptare. 

Kjo është mundësia e madhe e kryeministrit Edi Rama, për të treguar në vazhdimsi se mund të jetë një burrështetas i vërtetë dhe i nderuar. 

Kjo është mundësia më e madhe e shqiptarit Edi Rama, për të dëshmuar se vërtetë dëshiron të jetë në shërbim të kombit dhe të atdheut... 

Edi Rama duhet ta shfrytëzoj ketë mundësi, pas suksesit të vizitës së tij në Sërbi. 

Edi Rama duhet te heq dorë nga zënkat primitive dhe nga interesat e ngushta personale e klanore, për ti pefaqesuar sa më dinjitetshëm shqiptarët përball botës,  sepse vetëm kësisoj ai do të mund t'ua kthehej bashkëkombasve të tij besimin e humbur në klasen e vet politike.

Uroj që veprimet e ardhshme politike të kryeministrit Edi Rama, të mos na zhgënjejnë!

11 nëntor 2014



Disa nga komentet ne Facebook:

MYZALJEN HOXHA: Në këtë vizitë në Sërbi, Rama i tha të gjitha me të gjithën e tyre. E vërteta me zë të lartë dhe të sinqertë bëhet më e efekshme dhe e ndjeshme për të gjithë, pra si për sërbët, ashtu edhe për shqiptarët.
Bravo Kryeministri i vendit tim !
Le të bëhet dritë - thoshte Gëteja.


XHEVAIR BAXHIA: Kjo vizitë e Kryeministrit Rama,përbënë një hap të guximshëm për të ardhmen e rajonit.Ai e tregoj vhten se është një burrë shteti serioz,që fjalët i mendon dhe i thotë me mënçuri,duke përcjell tek të gjithë shqiptarët,kudo që ata ndodhen,shumë shpresë,dinjitet dhe krenari ! 

MENTOR THAQI: Gjykimi im, ishte një kryerje e detyrës, ndryshe edhe nuk do guxonte të ndodhte, ishte në nivelin momentum të përgjegjësisë, megjithatë, baza ekonomike dhe një superstrukturë e shëndoshë, garantojn fuqinë e fjalës dhe vendimmarrjes! Sidoqoftë, kishte ngjallje shpresash se mos don Zoti e kthehemi kah e mbara ... por, kënaqësia humbë n´kuptim kur kalon nëpër Prishtinë dhe takon naivitetin përmbi Shtetin! 

REZART PALLUQI: Shume e drejte, na nderoi.

LUMTURI PLAKU: Me keni marre te gjitha fjalet mik i nderuar dhe i mençur Haxhi Muhaxheri. Pergezime per saktesine!

Shqipëria do të mbrojë të drejtat e të gjithë shqiptarëve

Preshevë, 11 nëntor 2014

Fragmente nga fjalimi 
i Kryeministrit Edi Rama
në Preshevë

Pasi mori në dorëzim titullin “Qytetar nderi” Rama, është zotuar në komunën e Preshevës së Shqipëria do të mbrojë të drejtat e shqiptarëve të Luginës.
Ai me ketë rast, ndër të tjera tha: 
Do mbrojmë interesat e vëllezërve dhe motrave tona në këto troje. Barrën e ndjej tani më shumë pas këtij nderimi. Tani ndjehem një nga qytetarët e ketyre territoreve.

Ndjehem thellësisht i privilegjuar që si kryeministër i Shqipërisë t’ju them t’ju siguroj se unë dhe qeveria jonë nuk do të rreshtim së punuari për të rilindur Shqipërinë, por edhe për të rilindur shpresat dhe besimin e çdo shqiptari kudo ku ai jeton.

Nuk është detyrim politik por kushtetues, bazuar në Kushtetutë që qeveria e Shqipërisë dhe cilido qoftë kryeministër të mos e harrojë se liria dhe të drejt ae çdo shqiptari kudo që jeton janë të paprekshme dhe duhet ti mbrojmë pavarësisht pengesave.

Jini të bindur, kini besim se do heqim të gjitha pengesat që një djalë me kombësi shqiptare të ndjehet i barabartë me çdo evropian pavarësisht se ku jeton.

Këtu para jush, në vendin ku shqiptarët sot hasin vështirësi nënvizoj me krenari se ne shqiptarët e Shqiqëprisë dhe Kosovës, të dy shteteve që janë garantë të paqes dhe stabilitet mund të jemi me plot gojën krenarë për mënyrën si i respektojmë minoritetet. Kemi të drejtën bazuar jo në letra por në fakte se në Shqipëri dhe Kosovë ka modele të admirueshëm për respektin e minoriteteve. Me ketë krenari kemi të drejtë duke u nisur nga vetja ta kërkojmë edhe nga të tjerët…Ne të gjithë jemi krenarë se atë që duam për veten tonë nuk ia mohojmë tjetrit, por atë që ia japim tjetrit asnjë tjetër nuk mund të na i mohojë neve.

Shqiptarët nuk kanë kërkuar kurrë diçka që i takon tjetrit. Nuk kanë rënë kurrë në kurthin e atij nacionalizmi që e bën njeriun, por që mund ta bëjë edhe një vend të tërë të verbër për të hapur luftëra jo për lirinë e vet, por për të mos e lënë tjetrin të lirë. Sot shqiptarët janë në këtë pozitë, të gatshëm për të shkuar më tutje, por dhe të fortë për të përballuar rrugën më tutje, kjo ka ardhur si rezultat i të qenit njerëz të besës me aleatët tanë strategjik SHBA dhe BE.

Kemi hapur një faqe të re për gjithë ata që me diplomën e Shqipërisë do duan të realizojnë ambicien e tyre. Diploma e Shqipërisë do jetë një dokument i njohur edhe në Serbi.

Pavarësisht vështirësive të kuptueshme mosdakordësive të njohura, jam besimplotë që kemi hapur një faqe te re në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë, kemi marrë përsipër përgjejgësinë që na takon. Të mos lejojmë që gjenerata e re e shqiptarëve dhe serbëve të trashëgojnë traumat e një konflikti të gjatë, që fëmijët shqiptarë dhe serbë nuk e meritojnë. Kjo është një përgjegjësi e plotë e qeverisë shqiptare, përtej atyre që mund të thonë ata të cilët preferojnë të jetojnë me slogane dhe retorika të së shkuarës. Do bëjmë çmos që ti japim një të ardhme të denjë çdo shqiptari pavarësisht ku jeton, në Kosovë, Serbi, Mal i Zi e me radhë.