Dienstag, 20. Februar 2018

Bajram Sefaj

Shkrimtari Bajram Sefaj
Bajram Sefaj (1941), emër i njohur si gazetar, publicist dhe shkrimtar. Deri me tash ka botuar disa libra letrarë, kryesisht me tregime të shkurtra, tri romane, një libër me novela, një vëllim me poezi dhe një përmbledhje me tregime fëmijërie, një dramë. 
Jeton dhe krijon në Francë. Edhe sot bashkëpunon me shtypin e ditës dhe revistat, në Kosovë dhe Shqipëri.  

Tregime

  • Tri pika. (Rilindja, Prishtinë – 1980); 
  • Rruga deri në kallëzim, (Rilindja, Prishtinë, -1983): 
  • Java ka shtatë ditë,(Rilindja, Prishtinë – 1985): 
  • Blu e gri. (Rilindja, Prishtinë – 1995)


Novela

  • Shëtitje ëndrrash, (lsha të Shqipërisë, Tiranë - 1997); 
  • Sa është ora, (Shkëndija, Prishtinë – 2006).


Romane

  • Parisi kot, (Rilindja, Prishtinë – 2003
  • Parisi kot, është përkthye në rumanisht dhe ka titullin nparisul in zadar (librarium haemus, Bukuresht – 2007).
  • Parisi kot, është përkthye edhe në kroatisht, mban titullin Isenljenik, pret botimin.
  • Terra nullius. (Rozafa, Prishtinë – 2009); 
  • Ani çka. (Rozafa, Prishtinë – 2012).

Poezi

  • Në ecje, (mkrs, Prishtinë – 2005).


Dramë

  • (s’)ikën dritat, (Shkëndija, 2011).


Tregime fëmijërie


  • Udhëtim i Bardhë, (libri shkollor, Prishtinë – 2004).


Publicistikë

  • Shenjë kohe, (Rilindja, Prishtinë – 1998); 
  • Gazetaria ime, (Rozafa, Prishtinë – 2007); 
  • Plot Shqipëri, (Rozafa, Prishtinë – 2008); 
  • Shpend udhëtar, (Rozafa, Prishtinë – 2014).







Fjalë burrash

(Kush ka pela, botën ka...!)

(I)

(Shkëputje nga libri me tregime në sajim, me titull pune: “Prozë u urbane”)

E pyesin nji herë kalin:
       - Kur ke qenë ma ngushtë? Kur t’kanë ra me tërkuzë t’lagtë, kur t’kanë vu barrë t’randë e përsipër barrës ka hipë edhe i zoti, a kur t’kanë lanë n’shi?
       - Të trija s’janë kurgja, - u gjegj me idhnim kali. - Ma e randa asht kur m’kanë qitë gomarin para e s’më lëshonte udhë me kalue. (idhnimi i kalit).

                                                                                                                (kuksjane)
*


Rrëfimit i prinë anekdota.

Një i moshuar, shumë i rrëzuar, papritmas e furishëm hyn në barnatore dhe farmacistes se re shtalb, me një palë sy blerosh, si të maces se llastuar, i drejtohet: ma jepni një gjysmë viagre!

Farmacistja së re, gjimadhe, belhollë e faqekuqe, veç sa nuk çahej shëndeti, ia kthen: Qenke zotëri plak. Azgan qenke!

Si e inatosur, krejt e mërdhezur, me rrëmbim e rrufeshëm, ngjet shkallët. Shkon më lartë se që duhej për të mbërri barin e kërkuar në raft. Si të nisej drejt qiellit të shtatë!

Më shumë për inat e mos durim, se që i thoshte qejfi atë çast të vetmuar, bythët e rrumbullakët e mish fortë, që mezi ia zënin zap një palë brekë sa grima, minimalka sa për adet, dane, gaqice, slip, quillote, boxers, caleçons, a si djallin i quajnë ato, të rinjtë tani, të rinjtë e sodit, në gjuhë të sodit. Lirisht mund të thuhet se, më parë i shkundi se që i tundi bythët.

       - Ja gjysmë e viagra, por si ta llogaris çmimin tani, egër e me pezëm në buzët që i dridheshin nga mëria, i drejtohet plakushit beter!

       - Llogarite si të duash, ia kthen plaku dhe hallin ia qanë me përtesë, tamam sikur në buzë t’i varej një dënesë peshërëndë: gjysmë (0/50) viagre me duhet sa për të ma lehtësuar një çik të pshurren (urinimin), e jo për tjetër, harroje atë punë, se nuk është punë që e bëjnë të moshuarit!

Me buzëqeshje vaji, me zë të mekur, shkrumb nga lakmia: ju të rinjtë, grahni! Sikur denjoi të thoshte, deri sa jeni të ri e nepsi ju vlon, jepni pa pushim seksit, kur të lumtë ju, nuk keni nevojë për viagra as dorë tjetër ndihme!

Me ilaç në dorë i moshuari doli nga barnatorja më e pasur e qytetit dhe hallin në trup: si ta pi sa më parë atë gjysmë ilaçi që urinimin e radhës t’ia bënte më të lirshëm, aman!

Por, në anën tjetër, edhe farmacistja e bukur, kur çaste më parë, lirisht mund të thuhej se nuk ishte gjithaq e sjellshme, për të mos thënë paksa arrogante, ndoq me sy plakushin derisa nuk i humbi të bërryli i parë të rrugës. Fjalë e tij me eshkë porosie mbi to, i jehuan thekshëm e pika të imta kristalore lotësh ia brumosen sytë e saj të shkruar...

*
(Vërehet se, desh pshurrësh se qeshuri. E vë dorën mbi gojë, sikur do të frenosh të hedhes glasa mbi këtë që lexon. Por nuk është bash ashtu. Po të gjurmosh e të gërvishtësh pak më thellë se që është cipa rreth trutharit,më parë duhej hedhur në pus të madh dhe të pafund dhimbje e gjëme, për njeriun kur është vetëm vdekatar, vetëm vdekatar, kur as viagra dhe zbuloi njeriun ynë nga Gostivari, zotëri F. Murati, kur as viagrat dhe as barërat, kokrrat dhe ilaçet e krejt botës nuk të shpëtojnë nga gropa! Pa çaraveshje, aman. Pa zdeshje dhëmbët si gomarët në Pukë, në shi a në diell, krejt një. Këtu situata është serioze, për të mos thënë dramatike, edhe më keq, tragjike. Kallëzimi për gjysmë viager, nuk është tjetër veçse një pretekst!).


2.

Për punë pelash, sigurisht!

Ngjarje e kallëzimit pasues (vijues) është aq reale sa të bëhet se pëlcet nga vërtetësi hiri!

Ne një kohë e në një vakt, jo aq të moçëm e të harruar nga historia, jo se jo, por as nga bashkudhëtarët e asaj epoke, e rrëfejnë aq shpesh, sot e gjithë-ditën, në raste të shumta... Sa here që diçka gazmore u pikë nder mend nga periudhë e kaluar dhe shumë e hidhur komuniste!

Edhe andejpari, paska pasur gazmore, a?

Jo, nga andej gjithmonë, (jo vijnë, ato gjithmonë janë aty!), marroqe, habitore, ogurzeza, çnjerëzore!

Por, nejse, ja se ndodhë, si ndodhi...

Një mesdite, kur vakti i drekës po avitej, kur zorrët ne bark nisën t’i kërcasin, si në kor të zhabave, në buçallën e themeleve të TOB (Teatrit të Operë dhe Baletit, në Prishtinë!), një politi(qen)kani të lartë në hierarkinë (atëbotë) krahinore, papritmas i pikë ideja, shpejt e shpejt, për ngut e urgjencë, të merr rrugë për në Prizren!

Ashtu e lypte puna e ngutshme! Nga se atje peshku, po e zëmë, gatuhet mirë, (si ia thonë fjalës andej nga i bie Shqipëria natyrale). Atje zihen e përzhitën, gjellët e përgatitën specialitetet më të mira kulinare në mbarë Kosovën, gjithnjë e përherë, martire.

Llogariste i gjori, të mbajë një mbledhje, në çfarëdo niveli komunal, qoftë edhe të një kolektivi më të skajshëm, të përziejë një buçkurish fjalim, çfarë do qoftë e, shpejt e shpejt, te gjuhej ngultas në detin e çullit..., që ndërkohë zihej e përzihej nergut për të në kuzhinën e restorantit (jugosllav) në Landovicën legjendare të dy heronjve.

Landovicë, (frymëmarrje e thellë deri në qiell!), a i pa, oj, dy trima, dy hero...!

Jo, ore ç’mut heronjsh, kush po të pyet për atë punë, por atje, midis hardhish fletëmëdha të rrushit të ëmbël e verës bojëgjake, me të vërtetë zihej e piqej mirë, qoftë edhe bashkim vëllazërimi i stisur dhe, kryekreje i imponuar!

Në rrugë (jemi) për në Prizren.

Për një çast politi(qeni)cienit, plak matuf, i ngjau se rruga u zgjat si shumë, si e pasosur të ishte. Papritmas e me zë të lartë plot ethe, iu dredh vozitësit të ri, të cilin, bënte be në Parti e Bashkim e Vëllazërim, se e shihte për herë të parë: po ti çun, prej nga je, sa kohë punon të na, në Komitet?!

Shoferit të ri, në stazh provues pune, veçse pika sa nuk e godit në zëmër. Ec e fshije brymën e djersëve që ia vërshuan ballin e ngushtë.

Ec e shkoqi duart nga timoni kur kishte të lidhura për të si me kllapat e burgut të egër të Burrelit, Alkatrazit a të Semanit, njësoj!

Shoferi i ri, stazhier hesapi, ishte aq i kujdesshëm, sa përpiqej që as mizën, se më pulën a macen t’i shkelte, hiç se hiç, pa ia nda shikim xhadesë për asnjë çast, pa shikuar as djathtas as majtas, veç drejt, kur papritmas e preu si me thikë në fyt pyetja e pa pritur fare e politikanit matuf: a i sheh ato pela të bukura si i janë qepur kullose në shpat?

       - Po, i shoh, tha shoferi i ri, pa i parë fare, duke pritur në hall së çka do të pjellë nga kjo pyetje (u tremb kur si shigjetë nëpër mëndë i flakëroi mendimi se do t’i thoshte se më mirë do të ishte, po të ishe bari pelash, se shofer në Komitet!

Por, jo!

Nuk doli ashtu si pritej. Funksionari i lartë, pasi që shoferin e pyeti se a ka stazh pune si shofer, e përsëdyti pyetjen, tashti direkt: a i sheh ato pela si janë mallua shpatit. Po, tha me ngut shoferi i ri dhe, me plotë shqetësim e dridhje priti vazhdimin, në pritje se çka fshihej pas kësaj pyetje me drojën e provokimit. Eh, psherëtiu funksionari “shtetëror”, sikur të bekuarat të ishin me afër malit, e na (të dy) me afër tyre, mirë do të ishte...!

Shoferi i ri, i stepur, krejtësisht i shtangur, si meit të ishte, sakaq u shkri, si të dilte nga një anestezion i fortë, dhe me një lehtësi, më parë se e shikoi, e mati me sy, funksionarin.

Edhe ky, ua paska hatrin pelave, a?

Po i yni qenka shejtani, tha në vete, dhe, si t’ia hiqte dikush me dorë perden e trashë të dergjës se drojës dhe etheve që e mundonin deri në atë çast.

Aty e andej, shoferit i pushuan të dridhmat e trupit. I ikën të dridhurat e duarve, si shkarpa në ujë...

Makinës ia ndërroi marshin, e bëri fërtele. Tanimë nuk ishte ajo makinë e plogësht që ecte ngadalë e me droje, sikur brenda të kishte tabutin e një xhenazeje e jo trupin e funksionarit të shendosh, si një derr, ka a buall!

I gëzuar që shoferi mori krah të ri dhe se rruga deri në Prizren, shkurtohej më të shpejt, i frikësuar nga fugimi i shpejt, ia hodhi shoferit: si je mbërthye ti (mbas pelave!), nuk do të ndalesh në Prizren, as në Kukës, do të mbërrish në Tiranë!

Edhe atje do të mbërrijmë një ditë, me kësmet zotit! Ditë e madhe festë do të jetë – bloi në vete shoferi!

!?!

Kur fytyra e funksionarit të lartë, atëbotë krahinor, u ngrys shumë, u bë mavi si qielli para një stuhie të frikshme, shoferi e ngrëni gjuhën dhëmb, veçse nuk e këputi në rrënjë: e pat puna ime! Si mi piu sorra mëndet e thash se do të mbërrijmë edhe në Kukës e Tiranë!

Kuku!

Kishte të drejtë i gjori shofer i ri e i papërvoje!

Asokohe më parë mund të shkoje në hënë apo në ndonjë planet tjetër, akoma të pazbuluar, se të shkoje në Kukës e në Tiranë.

Kuku, kuku për mua të mjerin, bloi shoferi i ri, që sapo bënte ditët e para të punës në Komitet. Po si mi rrufiti sorra mëndet. Pse fola.. Pse nuk hezitova. Nuk mendova. Po ky djall funksionari, ky derr i majmur, ndoshta deshi të me provokoi, të vë në peshojë devotshmërinë time, besimin në bashkim vëllazërimin e stisur jugosllav.

Kuku, për mua të mjerin, çka me gjet në ditën e sodit!

Derisa shoferi po maste e çmaste, derisa në mendje i ëndeshin mjegulla endacake e të zeza futë, për atë fjale të kobshme që i kishte ikur goje, makinën e ngiste si i fantaksur të ishte. Jo vetëm shenjat e komunikacionit që nuk i shihte dhe i kalonte lehtësisht pa i vërejtur fare, kur vetëm pas një kohe relativisht të shkurtër, u gjenden në qendër të Prizreni.

       - E tash, shok..., tuta ia kishte thare pështymën në gojë, nuk dinte si ta pagëzonte.

       - Tash mirë boll, ia ktheu shkurt funksionari dhe duke ia hedhur dorën në krah, priti e i tha: qenke djalë i zoti, duke e porositur të gjejë parking dhe ta pres këtu!

Me gjasë ishte e kënaqur që kishte mbërri në Prizren, para kohës se paraparë madje! Sikur menjëherë kishte nuhatur erën specave dollma e specialiteteve të shumta të skarës!

Shoferi i çlirua krejt kur i shkoi mendja se edhe në Kukës e në Tiranë, sigurisht se ka pela, vetëm se atje mbase janë më hanëme se këto tonat në Kosovën martire, ia bëri vetës qejfin shoferi dhe ndrydhi marshin e makinës, më shume se që duhej aty ku ishte!

E çka u bë në takimin me aktivin e Komunistëve të komunës mbi Lumbardhë, kush e merr atë merak!

Shoferin e ri aq më pak...!

I ngrenë e i pirë, gjithandej duke lëshuar ere të këqija, duhma të renda qepesh e hurdhash të mbytura, në mesnatë, mbërrijnë në Prishtinë.

Nesër në mëngjes lajmërohu te sekretaria ime.

Të pres në zyrë!

Kuku, klithi në vete shoferi i ri e, gjithë natën e lume, nuk shtiu gjumë në sy!


3.

Se shqiptarët trima, me shumë vriten për çështje të imëta pronësie se në arena fushëbetejash duke luftuar për atdhe e për vatan, kjo më dihet, kjo është njohur gjithandej.

Në një fshat andej nga i bie Rrafshi, një ditë prej ditësh, ndodhë një mosmarrëveshje, gjithnjë për çështje pronësore, sa kanoset të përfundojë tragjikisht. Si rëndom, edhe kësaj radhe, fjala ishte për një pëllëmbë tokë. Për një sinor (mëxhë) që i kishte humbur gjurma, shenjë e dok gjithandej, sa i moçëm ishte. Por, ja kishte ardhur dita që toka të ndahet dhe, njëherë e përgjithmonë, të dihej se cila është e kujt.

“Komisioni” e përbërë nga burrat më në zë nga tri-katër copë katunde, kurrqysh nuk arrinte të zgjedh problemin e ti bie në fije se ku ishte ai kufi i mallkuar midis atyre dy parcelave të mallkuara. Gjakrat ishin ndeh, më parë und të thuhej se ishin skuqur, dhe belaja midis vëllazërisë, kushërinjve të një gjaku e të një barku, mund të shkrepe sakaq e për pasojë të kishte edhe të vdekur e të lënduar sa të dush!

Pa ndaluni burra, frenoni pak, t’i dalim në pritë kësaj fatkeqësie me pasoja të paparashikueshme, priti anëtari më moshuar dhe më me përvojë i këtij komisioni!

Mendja më vajti tek plaku më i moçëm këtij katundi në Rrafsh, ta dhe vazhdoi: mos do zoti e ai na ndihmon në kë punë!

Propozimi i anëtarit të komisionit ndërmjetësues, kur ishte më i mençuri dhe më me përvojë në këto ngatërresa, u aprovua njëzëri, jo qind për qind, por njëqind e dyzet për qind, ashtu si aprovohej çdo propozim i Enver Hoxhës në epokën e diktaturës se egër të tij!

Pa i treguar fare se për çfarë është fjala, pos në midis është një dëshmi shumë e rëndësishme tij, tjetër nuk i thanë plakut të moçëm, fort të moçëm, që kishte ditë nuk ishte ngritë shtrati! Me njëqind gazepe plaku ngritët shtrati. Ia i hodhën krahëve një qebe të shkundur, kryet e thatë si poçeri ia mbështollën me një avlli plot njolla e shoka zdrale. Në njërën dorë skeletore, një grumbull eshtrash të thatë, të mbështjell nga lëkur e hollë, si e tejdukshme, mbahet për bastuni, kurse në anën tjetër e kishe zënë për krahu një burrë i fuqishëm.

Ashtu zvarrë, mbase pa i prekur këmbët për tokë fare, plakun më të vjetër të fshatit (nuk dihej se kur i kishte mbaruar të njëqindat!), e sollën më n fund në pikën e problemit që, për pak mund të shendohej në buçallë gjaku e hasmërie midis kushërinjsh.

Kallëzo, axha Urat, trego: ku është, këtupari diku, apo saktësisht ku është kufiri (sinori) mes dy parcelave, fol!

Plaku denjoi t’i jepte një krehër dore mjekrës se thinjur e të rralluar krejt, por nuk kishte si, nuk kishte takat, dora e tradhtoi. U kollit, (që ta bënte këtë nuk e kishte të vështirë me sa e kishte të vështirë t’ia kriste një pordhe të thatë e të gjatë pleqërishte),e çuan disa hapa andej, disa këndej, derisa plaku, me në fund e nguli bastunin e tha: këtu është sinori!

Të gjithë bën seri, u habiten shumë me këtë precizitet dhe vendosmëri të plakut.

Po si e pse, pati sa të duash, nga të gjitha anët!

Ngule hunin se këtu është sinori, po ju them!

Po si e di kaq me precizitet, kaq me këmbëngulje!

Plaku me bëri me bastun ku të ngulet guri e, me zë të dridhur vaji, shpjegoi: kur ia kam majtë pelën gjyshit tim Haxhi, me kujtohet si të kishte ndodhur në ditën e sodit, ishte këtu, mbi këtë bos!

Shpupurisni pakëz dheun...!

Jo kështu, jo ashtu, të gjithë ranë dakord se sinori kontestuese kishte qenë aty ku thoshte plaku e kurrkund tjetër!

Fjala e plakut që dëshmon për dy gjëra njëkohësisht: sa vjetër është dashuria ndaj pelave ndër ne, para dhe, e dyta, sa vend historik mund të jetë ajo pikë gjithsesi ku ka ndodhur ky akt sublim...

Ti qeshu e zgërdhihu sa të duash, por, kështu është!


4.

Në koloninë e artistëve, që gjendej nën qerpikun e vargmaleve me të hijshme të atdheut tonë të dashur...

Për çdo vit, në pjesën e tij më të bukur, në belin e tij, në unazën e artë të tij, kur stina e verës i jep flakën kalimtare i jep stinës tjetër vijuese, asaj të vjeshtës, aty mblidheshin poetë, shkrimtarë, piktorë... nga gjithë etnia. Nuk ishte zgjedhur rastësisht ky kënd i atdheut për këtë qëllim. Ditët e kolonisë aty ndiznin flakë emocionet. Trazonin ndjesitë, shungullonin muzat... në zemrat e krijuesve tanë, midis të cilëve kishte edhe krijues nga vendet mike, kryesisht nga Blloku socialist, kuku për to!

Gjatë ditëve të Kolonisë, aty rendnin panda politikanë e funksionarë krahinorë e federativë! (Ngjarje që merr rreshtat e rrëfimit në vijim, ndodhi shumë përpara se të shërbej kulla e fildishit të komunizmit zhgënjyes!).

Mysafir i radhës i krijuesve në Koloni, sot ishte funksionari i lartë, revolucionari legjendar, mbrojtësi më i devotshëm i bashkim vëllazërimit jugosllav, por, në të njëjtën kohë, kishte dalë zëri në të katër anët, edhe jashtë Kosovës se, atëbotë, të robëruar, si pusht i madh, dashamir i “ujit të bekuar” dhe i qejfeve pa hesap! Kishte shtegtuar atje, midis krijuesve i gjori me qëllim që të zhvatë një racion të mirë dreke, gjithnjë të spërkatur me raki rrushi të kualitetit të rrushit, të ngrit ndonjë dolli dhe të mbaj fjalim rasti që, kuptohet, për kryefjalë kishte porosinë e mësuar përmendësh: ruajtjen e bashkim vëllazërimit të shpifur dhe, dhe helbete të zinte ndonjë poete zemërthyer që kurrqysh nuk ia dilte të qes në dritë një biçim poezie tre-katër vargjesh e, aq më pak e besueshme t’i këtë shkruar me dorë të vetë! Agjentët ishin rreshtuar dhe rrinin gatitur, sa të zënë shikimin e tij të ndalej në fytyrën e poetes, natyrisht me poezinë e saj më të re, që nga pena e saj, kishte dalë asaj paradite me diell, atje ndër pishat e Deçanit. Natyrisht se, sa ta lexojë edhe njëherë, funksionari do të shprehet më së miri që di, për poezinë, derisa “autorja” të përplase qerpikët e gjatë ne sytë e përlotur...

Kur të gjitha këto ceremoniale (province) ishin kryer me sukses dhe në diskrecion perfekt, ishte koha për kafe e muhabet të lirë, spontan dhe pa protokoll, me kolonët!

Si e do rëndi bisedës i hapi hullinë e parë, mysafiri i lartë!

       - Hë, mor ti, poeti i Rrafshit, si u mbeti (u bë) puna e pelave në kullosë... (Legjenda e plakut drenicas që sapo ishte ringjallur, ishte akoma e freskët..!).

       - Dikush me pela, dikush me b..., shok kryetar iu përgjigj poeti drenicas që shquhej për zgjuarsi dhe humor të lehtë...

Mysafiri i lartë e uli kokën, si qeni plak, me nxitim zgjati dorën nga tepsia plotë me mëze të pasur. Me gjasë qëlloi në një spec të djegës... Kjo u vermejtë nga shokat e trasha që iu shfaqen në fytyrën e lëmuar, pa asnjë shenjë burrërie në te, si bythë foshnje të ishte...

*
Tash këtu, në këtë pikë, jam në pikë të hallit: të vazhdoj rrëfimin për biseda burrash a të fus (ndërkalli) diçka si biçim intermezzo-je. Jo, jo, nuk do të bëj asgjë, pos...


5.

Tash, sikur vetvetiu e spontanisht t’i ketë ardhur vakti të kallëzohet, po e rrëfej atë rrëfimin e gjatë të një funksionari të lartë e të gjatë, po ashtu. Nuk do ta zgjas e rrotull pas bregut. Do të përpiqem që jem sa më i shkurtër efikas dhe i qartë, para se gjithash...

Të gjitha këto kondita i plotësoi, shpresoj, pasi kallëzimin e gjatë, sa është i gjatë relacioni, i kaluar me makinë udhëtarësh, nga Dubrovniku deri në Prishtinë.

Me funksionarin e lartë, atëbotë, krahinor, rastësisht u takuam në Dubrovnik. Nuk ishte stinë vere as turistike ku në këtë margaritar turistik, ngjanë jo rrallë, të takohen edhe njerëz që nuk janë parë e takuar me vjet të gjatë, mbase edhe me decenie të tëra.

Ishte stine dimri, kur edhe në Dubrovnik, në këtë mekë të turizmit Adriatik por edhe mesdhetar e më gjerë, numri i turistëve mund të numërohet sa zënë vend gishtat e një dore! Kur shtrat të lirë fjetje mund të gjesh edhe në hotelet me të shtrenjtë e luksozë, e lerë më. Në instalimin privat. Mos e diskuto atë punë!

Unë dija pse në atë fillim të muajit tetor 1991, gjendesha në Dubrovnik. Atje me kishte sjellë në rrethane fatlume, mund të quhej. Në një takim të shkrimtarëve të Evropës juglindore, (a kështu, disi) që e organizonte Lidhje e Shkrimtarëve të Kroacisë, pritej të merrte pjesë edhe shkrimtari ynë me famë botërore, I. Kadaré. Të gjitha formalitet rreth pjesëmarrjes se Kadarésë në këtë takim, ishin kryer shpejt dhe me efikasitet marramendës. Shkrimtari ynë ishte kontaktuar. Kishte pranuar ftesën, pse jo. Çdo gjë ishte në rregull. Vetëm pritej çasti që në kalendar të pikë dita e takimit...

Meqë, ato ditë, rastësisht, gjendesha në Zagreb, kur me shumë sukses, shumë shikues, shfaqej filmi “Ballkani, kjo bure baroti” i regjisorit kroat, R. Grliq!) në buzëmbrëmjen, pra, të shpërthimit të luftës qytetare, vëllavrasëse (midis kombeve dhe kombësive të vëllazëruara jugosllave!), krejt spontanisht e fare papritmas, lindi ideja që në Dubrovnik, të gjendem edhe unë: unë në rolin e përkthyesit (terzimen!) i Kadarésë. Ma kishte ana të shkoj në Dubrovnik në mos për tjetër, atëherë, ky ishte rasti i parë që në jetën time do takoja, shkrimtarin tonë. Ani, tani edhe me detyrën e përkthyesit (ndërmjetësuesit). Kjo me jepte kënaqësi të madhe dhe njëherazi me mbushte fytyrën të qeshura pa pushim: Kadaré, që kishte mbaruar studimet e larta midis Moske, në rrugën Gorki, më të gjatë, gjerë e më solemne të saj, kishte nevojë për ndihmën time! Haj, kuku, haj. Aq më parë ai njihte edhe frëngjishten dhe anglishten, nga të cilat gjuhë edhe kishte përkthyer vepra të njohura, sikurse është “Plaku dhe deti” novelë e njohur e E. Hemingwe-jt, sa për ilustrim, fjala vjen...

Sido që të jetë unë isha në Dubrovnik dhe mbresën e madhe nga ai takim, përpos që e prishi mos pjesëmarrja e Kadarésë (ju kujtohet: më një tetor, 1991 ekzakt!), kishte braktisur Shqipërinë dhe kishte kërkuar azil politik në Francë. Sa e egër dhe katile, njëkohësisht, tingëllonte ajo fjalë e huaj me gjithsej katër shkronja dhe acarin frikësues që jo të mbështillte zemër e mushkëri.

Të gjitha ato e kanë një qare, arnohen disi por, ne atë çast jetik, me brente kasaveti si t’ia bëj hallit të kthehem sa më parë në Prishtinë. Thoshin se një herë në javë, qarkullonte një autobus i drejtpërdrejt Shkup-Dubrovnik dhe anasjelltas. Por ec e qëlloja asaj dite të javës. Ndryshe, relacioni Dubrovnik-Prishtinë duhej të bëhej në etapa: Dubrovnik-Podgoricë (atëbotë, gjithë ditën quhej Titograd!), e pastaj të shohim e të bëjmë!

Në kryqin e këtij halli, midis Straduni (sheshi i njohur ne qendër të Dubrovnikut të Vjetër) shfaqet ai, funksionari i lartë dhe i gjatë krahinor nga Kosova, të cilin e njihja mirë nga se ishte shumë mirë dhe se, si gazetar kisha shkruar për shumë aktivitete që ai kishte zhvilluar përgjatë karrierës se gjatë politike. Kur me tha shkurt e trup se ai ne në Dubrovnik kishte ardhur sa për t’u kënaqur, për fundjavë hesapi, edhe për pak çaste, bashkë me një mikun e tij, udhëtonte për Prishtinë, një gur i madh, sa më i madhi gur i shkëmbores Srxh që Dubrovnikun e merr në gji, ra prej zëmrës sime!

E pse ai ishte në Dubrovnik, vetë e di më se miri. Për pikën e qejfit ishte, ja pse ishte. (Shyqyr zotit rrëfimi i motivacionit të tij, pse ishte në këtë qytet lashtësie, ishte shyt, ishte më i shkurt, shumë më i shkurt, se i imi, gjatësia e të cilit, pos që mi mori mëndet, ma vodhi edhe pjesën më të madhe të hapësirës së paraparë të rriskës së këtij rrëfimi.

Akoma pa u akomoduar si duhet në bordin e makinës, mbase pa i ra në fund pjesës se derdhur të qytetit, si e çfarë ndodhi nuk më kujtohet, kur funksionari i lartë (dhe gjatë) mori në thua në temë dashuriçkash. Zgjatjen e rrëfimeve te tij, jo me orë, por duhej matur me kilometër. Paj relacioni Dubrovnik-Prishtinë, ia nja katërqind e tehu, kilometër. Tash të larisim baskë, çdo kilometër rrugë shtrohej një kallëzim i tij dashurie. Katërqind kilometër, katërqind dashuri. Në ato katërqind rrëfime nuk kishte hile. As trillim, as shtirje e teprime e hijeshime, nuk kishte. Çdo gjë ishte e vërtetë. Nuk kishe si mos ti besoje dreqit kur ishte aq i bukur, i gjatë sa një lis me rremba, përherë rruar dhe i qethur mirë, me kallaballëk flokësh pis të zinj që ia bulonin veshët, i veshur dhe i mbathur mirë e me shije, sipas krikut të fundit të modës! I mbajtur mirë. As i trashë, as i thatë. Sa mirë i rrinin ato rroba, gjithmonë kat, si të ishte manekini special me angazhim të përhershëm nga shtëpia më njohur parisienë e modës, gjithmonë i spërkatur me parfumet e shtrenjta të firmave me të njohura...

E njihja mirë dreqin. E njihja që nga rinia e hershme e tij. Kur akoma ishte nxënës i shkollës se mesme në qytezën piktoreske, kur jo vetëm gjimnazistet, por përgjithësisht, vajzat e asaj ane, ishin më të bukura në shtetin tonë që akoma ende nuk e kishim shtet... Secila ishte e dashuruar në të, secila e donte për vete, pa e nda me askënd, qoftë as me prindërit e tij që, e kishin lindur e sjell në jetë... Ani, kur filloi të merret me politikë. Hap pas hapi. Shkallë, shkallë... Gjithnjë në rini e me të rinj, sa ishte i ri. E kur u burrërua nuk zbriti nga horizontet më të larta, politike e shoqërore... Gjithkund e gjithmonë ishte e rrethuar nga femrat me te bukura. Prandaj për të rrëfye atë kishte për të rrëfyer, e shkurtër ishte rruga deri në Prishtinë. Ajo mund të vazhdonte deri në Sofje e Stamboll, deri në Shkup e Athinë...

Kur iu afruam krejt Prishtinës, pak pa e shkel pragun e saj, prita e thash rrënimtarit: krejt çfarë rrëfeve zotëri është e vërtetë e kulluar, por unë për një gjë tjetër ta kam pasur lakmi, ore vëlla!

!?!

Që je i gjatë, më parë se që je i bukur dhe që i ke nderuar pozitat e larta kurrë pa zbritur...

Kur ke dashur, bre vëlla, t’ia teshës ndonjë e kë mbërri më të parën e nuk ke pasur probleme si unë shkurtabiqi kur jam detyre të kacavarëm e të hip mbi ndonjë gardh, të shtroj duaj, duaj krëndesh, duaj talle..., a pelën të afroj skaj ndonjë grumbull plehu...

Pasi gazi në veturë, kurrë pa pushuar deri sa mbërritëm në qendër të Prishtinës. Funksionarit të gjatë, në këtë rast, më parë se të lartë, këtë ia thash pa ngurrim e pa kasavet fare, nga se sado pozita e poste të ketë nderuar, ai ishte prej nja një decenie më ri me moshë se unë... E, se i thash kështu është e vërtetë prej biluri, aq shpesh e kam përsëritur deri me sot, o zot i lumë, sa që rrëfimin e di përmendesh...


6.

Kallëzimi për ish liderin e gjatë (dhe të lartë) që kishte ligjëruar mbi njëmijë e njëqind ndodhi dashuriçkash, pa lakuar të vërtetës askund, në asnjë lak e që unë ia kisha lakmi pse çdo herë e në çdo vakt ishte në gjendja t’ia rrafshoi pelës pa pasur nevojë të kacavarej në gardh a në ndonjë, vadë a stom të ngritur bri rrugës, disi vetvetiu dhe detyrimisht imponon kallëzimin dykrerësh të malësorit trupshkurtër e mendjehollë, të talentuar për shumë punë të mbara e sidomos me prirje të hatashme për artin e muzikës në terë shtrirjen e saj në livadhin e gjerë. Lëre atë pjesë të rrëfimit, kur thotë se bëhej rresht i gjatë (deri në katërmbëdhjetë të ri), secili me i ri e më shëndosh se shoqi, në arën e madhe, nën arrë, në pritje që, njëri pas tjetrit, t’i kërcenin pelës se urtë që, nga lezeti a dreqi e marrtë vesh pse, me orë të tërë nuk lëvizte vendi as nuk qiste me bisht qoftë edhe sa për t’i tutë mizat. Pra, e lë anash atë orgji kolektive dhe disi tingëllon si punë e pa perde, si e pacipë, nga se, seksi me pelë, si çdo marrëdhënie tjetër seksuale, është akt tepër sekret dhe intim, madje dhe në mbretërinë e botës shtazore por edhe asaj bimore. (Por, për këto fenomene, do të bëhet fjalë, një herë tjetër, diku (e dikur) në vazhdim!).

*

Bisedë burrash vazhdon...

Për punë pelash, sigurisht. Me një prelud, gjithsesi!

Ju kujtohet, madje shumë mirë ju kujtohet, sidomos atyre të gjeneratave të mëhershme, melodia fort e popullarizuar, “Moja kobila Suzi, (Pela ime, Suzi!), në interpretim të mrekullueshëm të këngëtarit të njohur, Stjepan Xhimi Staniq, kroat dhe, “Rexha i Nënës në grazhd të kalit” në interpretim, po aq, mahnitës të rapsodit legjendar, Dervish Shaqa, shqiptar!

Ndalemi bashkë e, mbi ketë pikë, meditojmë, nëse duhet edhe kacafytemi e debatojmë deri në përleshje të hidhur, madje. Por, pa e quar deri të e keqja (luaj e mos u nxeh!), pa fije mëdyshjeje, të gjithë, absolutisht të gjithë, jo vetëm në lugun e Ballkanit shkëmbor (brengë e madhe e shtatë Evropave!), por mbarë hapësira planetare (e Planetit tonë Tokë!), të gjithë banorët e familjes se madhe njerëzore, pa dallim feje, ngjyre lëkure e moshe, kanë nga një Pelë, nga një Kobillë, nga një Atki ... apo si i thonë asaj, në polifoninë e melodisë shumëzërëshe në botë!


7.

Pa pela!

Do të këtë edhe biseda e fjalë burrash, do të vazhdojnë edhe me kallëzimet, gjithnjë burrërisht, pos që, kësaj radhe, jo me pela e mbi to (pela), por, brenda tyre!

Keni dëgjuar për Aronia (Beriries, 100%, Organic, Agroplant – Hërticë, tel: 049 733 733, (Made in Kosova) deri në njëzet e pesë korra në ditë, gratë shtatzëna më se shumti pesë kokrra: keni dëgjuar për një bar çudibërës nga Amerika maxengetlemen, Cialis 1X1; legjendën për midhjet, pa harruar,natyrisht, Viagren, aq më parë kur zbulues i saj është me origjinë shqiptare. Emrin e ka Ferid Murati dhe është nga Kërçova jonë...

Për të gjitha këto keni lexuar apo dëgjuar. Apo, ndoshta për asnjërën prej tyre, nuk keni lexuar as dëgjuar kurrë deri me sot.

Mjafton të ktheni në bufenë e një institucioni informativ të shtetit tonë të ri, gjersa ngeshëm gjerbni kafen e mëngjesit apo të merreni me racion vakti, drekë a darkë, të zëni një stol aty bri tavolinës tyre dhe të mbani veshë dhe të dëgjoni fjalë burrash se jo mahi!

Rreth asaj tryeze janë ulur, jo pak e çfarëdo burrash, por adalet burra. Të gjithë, pa përjashtim, ose janë gazetarë e redaktorë, komentues e analistë, ose janë akademikë, madje disa prej tyre edhe të veshur me tituj të lartë shkencor, prej magjistrave e përpjetë deri në doktor shkencash. Kjo është e vërtetë, ani pse, në mesin e tyre ka edhe asi që të kishin ditur sa lehtë është të merret grada e doktoratës, nuk do e lënin pa diplomuar, (si na mëson deklarata e përvojës anekdotike të një lideri tonë të lartë politik!) qoftë në fakultetin e agronomisë apo të pylltarisë. Ata janë njerëz me shkollë e dije, bre vëlla. Janë bjerrakohës me pagesa, herë-herë shumë të larta, mujore. Ata i dinë sendet, bre vëlla.

Kur ia krisin muhabetit, ruana zot, bisedat e tyre s’kanë të ndalur. Ani kur e lënurin temën e tyre të preferuar, si sot, seksin dhe efektivat e tij më të efektshme. Zakonisht më i zëshmi në këtë muhabet, është ai, më simpatiku dhe i dashuri ndër të gjithë, në nofkën e të cilit fshihet emri i një gatese tradicionale me shije të ëmbël tradicionalisht. Ai, zakonisht e hapë dhe, zakonisht e mbyll vallen e bisedave plotë ritëm e befasi lidhur me temën e shtruar dhe të trajtuar, në njëqind mënyra të mundshme.

Ai sot nuk flet mbi barërat dhe medikamentet provinciale, për ato që i kemi afër dhe i ndeshim për çdo ditë. As një fjalë, fjala vjen, mbi Aroninë e Hërticës, mbi Cialis 1X1, as për forcën mahnitëse të midhjeve(!), madje nuk do e thotë as të vetmen një fjalë mbi viagrën, nga se konsideron se kjo temë është përtypë boll dhe se rreth saj nuk shumë te panjohura dhe se interesimi për të është në të sosur. Me përjashtim (kjo beftë i piku ndërmend!), së bashkatdhetarin tonë, të dashurin e të respektuarin Feridin tonë, atje larg në Amerikën e madhe e të teknologjisë se zhvilluar e kishte rrokur paniku i impotencës, sëmundje e re e shekullit të ri¨, e ish hedhë në gjetjen dhe shpikjen e kësaj sëmundje që, të rrimë shtrembër e të flasim drejtë, pak gjasa ka që të jetë ilaç shpëtimi për atë botë të madhe njerëzit që l... nuk u qohet. Ai ndoshta mund të ndikojë pozitivisht tek ata ë dikur, sa ishin të ri, kishin potencë (kur madje ishin prepotentë në potencë) por, çfarë të bëhet me atë pjesën tjetër që potencial të fortë seksual nuk kishin pasur kurrë, as në rini, as në pleqëri. Kjo dilemë është temë e denjë për një trajtim a studim madje të veçantë. Nejse. Mund të shtohet se në fillim të këtij zbulimi sensacional, njeriu ynë në bashkëpunim me një amerikan, u nderuar me çmimin prestigjioz për atë vit! Të gjithëve u kujtohet zhurma, potera dhe jehona që iu bë këtij zbulimi epokal dhe optimist për pjesën mashkullore të opinionit se iu gjet ilaçi, më në fund, sëmundjes që deri sot, konsiderohej si e pashërueshme. Këtyre bisedave të pafund të fillimit, gjithnjë e më shumë po iu shuhet flaka dhe ato, gjithnjë e më shumë po i mbulon hiri derisa edhe ai të ftohet një ditë. Dihet se shumë përdorues të dozave të mëdha, Viagra i ka mbuluar me dhe. Midis të cilëve edhe ndonjë vëlla tonin!

       - Jo, or vëllazni jo, hiquni asaj pune, Vigër e thash e thëna (kash' e lash), pallavrave e të tjera dallavere!

Bari shpëtimtar për këtë punë e ka emrin Maxengentlemen dhe vjen direkt nga Amerika, zoti e bekoftë!, ua thotë vëllai ju!

(Deshi të shtoi se ky ilaç erdhi pikërisht nga Amerika që na e solli lirinë e munguar përgjatë gjithë jetën dhe na çliroi nga robëria shekullore. Nuk tha se kurrgjë. Ua la liderëve tanë politikë le ta thonë!).

       - Besoni vëllezër, ilaçi për të cilin po ju flas ( drejt për Amerike me ka ardhur përmes disa miqve e dashamirëve) ka aso fuqie çudibërëse kur jo vetëm që zgjon prej gjumit të thellë, jo vetëm që ta forcon e ta bën si degë thëne, por dhe ta rritë e shton aletin, për disa centimetër. Mos i hapni sytë e, besoni o mos besoni, por mua ma rriti po për nja katër centimetër të mira. Për këtë që po ju flas, kam madje edhe dëshmitarë okularë!

Të gjithë ata që përherë të parë e dëgjonin rrëfimin fantastik të magjistrit me nofkë të një gatese me fije të ëmbla brenda sa, veçse nuk e hëngrën përse gjalli narratorin dhe menjëherë u kthyen me fytyrë nga Perëndimi, me shikim pyetës: nga i bie Amerika!
Edhe unë bashkë me ta!

Një mendje me thotë ta lë anash krejt punën e pelave e të merrem me diçka të më me dinjitet, më serioze e të denjë për letërsinë tonë bashkëkohore. Një mendje tjetër me thotë të vazhdoj e të eci përpara. Hajt, pasha bacën, ec përpara. Mos merr mërzi. Sa të ketë pela, do të këtë edhe biseda, fjalë burrash. Pse këta (shkrimtarë) që merren me letërsi serioze e në sajimet e tyre artistike trajtojnë tema serioze me taban kombëtar dhe historik, e bënë namin, a?

Ku janë ata? Nxirrmi para sysh. Edhe atyre që rrahin gjoks se janë shkrimtarë të mëdhenj dhe u dalin përballë temave kapitale kombëtare, jo njëherë ju ka ngjarë që t’u ndodhin parasysh tragjedi edhe më të mëdha kombëtare se që është kjo më e reja, e mos të bëjnë vër me gojë, as shkronjë të zezë mbi letër të bardhë mos të qesin. Ja që unë, me hallin tim, kur jo që me pranojnë se jam shkrimtar, por as që jam fare midis të gjallëve, ngrita zërin e mospajtimit për zbrazjen më të re të Kosovës. E pse as për ketë rebelim timin kush nuk do ta varë dhe aq që do merr në shqyrtim madje, prapë është, faji është im e askujt tjetër. Po i kujt tjetër të jetë, të lutëm shumë!



8. 


shalgjati

“Mbrapa çdo pasurie të madhe ka një krim”.
                                         Honoré de Balzac

Ani pse nga facebook-u (sa shpëtimtar aq edhe shkatërrimtar, njësoj!), mëson se, që nga mosha shtatëmbëdhjetë vjeçe, kur ai sendi mashkullor, paska shtatin më të gjatë, (kulmin, majën), aty e andej, merr teposhtën, kur nis të tkurret e të zvogëlohet!

Sa zgjatë ky proces rrënimi, më se mirë e dinë pleqtë e të moshuarit jetikë që jeta i ka zënë pisk e kanë mbetur pa kulm (varri!) mbi kokë. Ai gjithnjë, herë-herë pa arsye madhe e argumente të forta, vazhdon rrugën me kokën (bosh) përpjetë e, me kryelartësi naive dhe budallaqe, të quhet Madhëria e tij K..., me shkronjë të madhe, madje!

Vazhdon të quhet Krijuesi i popullit e kështu më radhë, duke u thurur rreth mullarit të tij epitete dhe ndajshtime të shumta duke e madhëruar rolin e tij në revolucionin botëror!

Nuk dihet pse e si, në gjuhën e përbashkët, në gjuhën (mbarë)planetare, gjithkund në botë, thuhet për Te se është seksi i fortë, kur dihet mirë se këtë cilësim, më parë se kush tjetër, e merito seksi femëror që, i lumi ai, nuk plaket kurrë. Kurrë nuk zvogëlohet, (pos që rritët e zgjerohet paksa!).

Kërkohet mbajtja e një simpoziumi me taban të fortë shkencor, të shlyhet, njëherë e përgjithmonë dilema shekullore: cili është seksi më i fortë e cili është seksi më dobët!

Pavarësisht prej rezultatit dhe kokluzioneve përfundimtare të këtij simpoziumi, ngaherë të pritur, botëror, një gjë dihet qysh tani dhe është e njohur gjithandej se pa atë vrimën a vullkanin siç e pagëzoi poetja shqiptare, atë sendin e grave (femrave) në leshin e Marisë mund të ishte Krijuesi i njerëzimit!

Jo, kurrë e përjetë të jetëve!

Pse, andaj kjo rrenë e kulluar të zë rrënjë aq të thella e aq të pashkelshme deri me sot?

Një lajthitje, si shumë të tjera, në jetë, ishte kjo!



Bajram Sefaj, në verandën e një kafeneje në Lisbonë të Portugalisë – pranvere, 2016, foto: Fatmir Alijaj

Montag, 19. Februar 2018

Rexhep Hoti

Rexhep Hoti

Rexhep Hoti ka lindur në Krushë të Madhe më 12 Janar 1964. Ai ka mbaruar studimet në Universitetin e Kosovës për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, ndërsa magjistraturën në shkencat filologjike po në këtë universitet, me temën «Kombi dhe shteti në krijimtarinë e Kadaresë».
Nga viti 2013 është duke ndjekur studimet e doktoratës në Departamentin e Shkencave Politike dhe Ndërkombëtare në Universitetin Europian të Tiranës.
Hoti ka një biografi të pasur me angazhimet e tij në fushën e medieve, të studimeve, të artit dhe të publicistikës. Si student ka nxjerrë gazetën e parë universitare të shtypur, me titull «Fundamenti» në Fakultetin e SHMN-së në Prishtinë.
Në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, me Ukshin Hotin udhëtojnë në Lubjanë, ku fillimisht ishte Lektor i revistës së njohur «Alternativa» e më pas edhe redaktor i revistës «Demokracia Autentike», ku njëherësh ishte edhe bashkëthemelues me Ukshin Hotin.
Hoti ka themeluar edhe gazetën e përditshme «Infopress», të përditshmen «Tribuna shqiptare», të përditshmen «Sport», revistën «IPmagazinë» etj.
Hoti ka qenë edhe këshilltar politik i kryeministrit Bajram Rexhepi, ka hapur zyrën e parë të Qeverisë së Kosovës në UNMIK dhe ishte njëri prej hartuesve të dokumentit «Standardet për Kosovën», hartues i dokumentit «Strategjia e Bashkëpunimit Qeveri-UNMIK», koordinator i Zyrës Ndërlidhëse Qeveri-UNMIK, deputet i Kuvendit të Kosovës, Drejtor i Akademisë Diplomatike Shqiptare, Zyra Rajonale Kosovë, Zëvendësministër në MKRS-së etj.
Hoti është autor i disa librave, i shumë punimeve shkencore si dhe pjesëmarrës në mjaft Seminare dhe Konferenca Ndërkombëtare. Librat e tij më të njohur janë: «Visore të shthurura», «Nata e Kosovës», «Tempulli i fjalës», «Kosova përballë vetvetes», «Pesha e konsensusit», «Përzierje e trishtë», «Gjenitë dhe drama e Kosovës», «Flirti civil dhe ambasadori», «Ndëshkimi i kujtimeve» etj.
Është i martuar, ka tre fëmijë, jeton në Prishtinë.
E-mail: rexhephoti@hotmail.com



Poezi nga Rexhep Hoti


Kurora e lamtumirës!

E çoj peshë krijimin botëror,
Piktorët me radhë që i mbajmë për shenjtorë;
Askush nuk e krijoi dot pamjen tënde;
Mbete e vetme!
Dhe mbi vargun tim me ankth të pafund,
Të derdha florir në kurorë!

Zbrite nga qielli me shkallë prej reve drejt e në Arbëri!
Bukuria jote i krijoi stuhitë mbi stinët e kësaj bote;
Arti mbeti i varfër dhe jetim!
Përfundi hijes sate asnjë gjeni,
Të vëzhgoj nga larg,
Drita e syve më mbetej pa frymë
E vetme qëndroje ti!

Ishe në këtë dhé kur mitologjia mori fund!
Një popull u zhbë për hiret e tua;
Askush gjer më sot nuk të pikturon dot;
Vetëm unë me blunë e syve prej mendjes,
Të prek!
Të shoh!
Të njoh!
E vetme je ti!

Rri pranë përkrenares së Skënderbeut;
I përshëndet zotat e Arbrit me radhë;
E ndëshkon buzëqeshjen e Helenes për flirt;
Unë brengën ta puth e në buzë s’të shoh;
Kam dhimbje të tmerrshme në shpirt!
E vetme je ti!

I fshiva të gjitha mendimet për ty,
Siç fshinim dikur me buaj në lamë;
Veç dashurinë e jetës ta lash peng,
Të ma thërrasësh njëherë në jetë,
E kurrë më,
Vetëm emrin që kam!
E vetmja ti!

Epikja e vargut nuk ta zë bukurinë!
S’dua të ikësh si njeri i plagosur,
Asgjë prej teje me vete s’dua të marr!
Lamtumiren s’dua të ta jap si Jesenini;
Dua ta shijoj gjallë
Me motin e erës së katundit,
Kur zemrën të ma shkulësh me thonj,
Largimin prej teje ta ndjej palca e loçkës,
Atë vuajtje të njëhershme gjer në varr!
E vetmja je ti!

Asgjë nuk është e mjaftueshme për ty!
S’mund ta fajësoj askënd në tokë!
Mijëra vjet drite ishe larg në thellësinë e kaltërsisë,
Rrezoje si Kometa e Halley-t,
Dhe e leje prapa klithjen si bisht qiellor;
Dashurinë e pathënë gjersa e prek në gjoks,
Mbi të cilën të qëndron malli i bymyer për mua,
Ah, i mbështjellë nën shami me të artat flokë!
E vetmja je ti!




Vitet e fshehura...

Ta shijoj padashje bukurinë e kohës së njomë;
Ecim përditë kundër rrjedhës,
Siç notojnë peshqit nëpër lumë
Dhe një ditë kur të jesh e dashur në martesë,
Mos harro,
Moshën e njomësisë tënde e ke të arkivuar tek unë.

Mos ke brengë për vitet e fshehura,
Besën e kam të trashëguar në trung,
Në shpirt kam vënë kasafortë të veçantë për ty.
Dhe kur të jesh pjekur më në fund
E fëmijët të ndjekin përdore nëpër rrugë,
Do të vij të ta lë ‘Dosjen e Rinisë’ në stolin e kopshtit,
Në atë vend ku ti mediton dhe mediton,
Dhe e vetme rri!

Mos e hap atë mbërthim të palosur me kujdes,
Siç ta shpalosja gjoksin dikur,
Sikur rrezon hëna, siç thotë poeti popullor;
Shtrihu në bar e shkronjat brenda zarfit mos i lexo;
Ke mallin tënd me dhimbje të gdhendur aty;
Merri erë kuptimit si luleve nëpër rreshta
Dhe do ta ndjesh dashurinë e pa thënë
Atë dhuratë të jetës së lënë peng,
Si dëbora mbi të ashprat kreshta!

Mos e kthe kryet pas
Ah, dashuria ime e vjetër aty nuk jam,
Kam ikur sërish;
Nga retë të vështroj si një engjëll,
Por edhe kjo është një rreng;
Kam leje për të të parë vetëm një herë;
Unë jam në ferr,
Atje i ndëshkuar në vuajtje jam,
Dhe ti ta dish e gjithëkohshmja ime,
Jashtë shpirtit kurrë s’të kam lënë.




Bjeshkët e Nemuna i mbulon me flokë?

Terri ikën me hidhërim prej yjeve,
Si hakmarrje e solli bukurinë e natës në tokë;
Madhështia e hirtë e rënë me pamje perri,
Ta çmendë vetminë e thellë;
Mendimet e fajësojnë njëri-tjetrin në kokë!

Më dërgon me urgjencë një shenjë;
Poshtë saj lexoj fjalën «Të lutem!»,
Duket si një përgjërim suprem i përulësisë.
Çfarë troket në këtë klithje të vonë?
E vetja mu duk me brengë si Gjorg Berisha;
Nëpër malet e Oroshit fillova të ngutem.

S’e marr vesh çfarë frike ka në zemër,
Përse i merr ngrykë Bjeshkët e Nemuna,
Si Doruntina vëllezërit kur iku për nuse;
I kalëron e vetme ato me kalin gjok
Dhe shkrepat gjersa puth me retë i mbulon,
Si falangat dardane nen rrethim,
Me të bukurat flokë.




Sonte...

Sonte ishte shpërthimi i fjalës!
E përkule edhe vargun e kreshnikëve;
«Fort po shndrit njaj diell e pak po xe’!»,
E mbaja për të shenjtë të shkruar në një letër,
Sonte e përdor për ty, si një bekim të shenjtë.

Mos e merr askë ngrykë për suksesin;
Bëhu ikonë e braktisur në këtë natë;
Sonte je e paatdhe!
Fshihe me një thes të arnuar
Thellësinë e aromës magjepsëse që ke.

Mbi zjarrin e gjoksit tënd,
Asnjë moshë s’mund të marrë frymë;
Si t’i kacavirrem sërish lartësive
E të dal në beharin e stinës,
Për të thithur ajrin,
Aty ku taket tua shkelin kalldrëmin për drejtpeshim!

Sonte s’kam dëshirë të lëshohen perdet,
Në dritaren tënde mos u zëntë drita;
Kam frikë;
Është mbrëmja që flirtin e deh mik;
Në shpëtofsh e pakafshuar nga vampirët veç sonte,
E nesërmja kurrë nuk do të ikë!



Princesha ime!

Më duhet t’i prish kufijtë e Europës,
Mjaft është shtrirë gabimisht ajo;
Me ty nuk na nxë dot Shqipëria përbrenda;
Pashai Ali ishte trim me fletë,
Por gabimisht e provoi!

Për ty
Do ta bëjë mbretërinë e territoreve tua!
Nuk ta lë pamjen tende perri të rri kruspull;
Arbëria do ta ketë Vajzën e bukur mbretëreshë;
Unë do ta shndërroj në farë magjinë,
Do të mbjellë nëpër territoret e robëruar
Për ta fituar lirinë!

Ti mos ndalo!
Mos i sjellë rrudhat mbi sy,
Më dashuro princesha ime!
Kjo është magjia jote që më jep fuqi
Të vdes e të lind për çdo ditë
Për ty,
Ah, ti më je
E vetmja,
E imja,
Dashuri!




Të ikësh pa ardhur!

Mos mendo si do të vish tek unë,
Mendo më parë si do të ikësh më pas;
Rruga e largimit kalon nëpër dhimbje;
Unë jam i krisuri poet!

Po e ndaj në dysh ngjyrën dhe fletën;
Me poezinë do ta ndash fatin;
E di!
Kur të zgjohem në mëngjes,
Të dyja do të jenë të shkrira në shtratin tim!

Kuvendojmë sa të duash,
Kohën kur ta kesh
Më mirë ik ti,
Edhe ashtu do të më lësh një ditë.

Porta ku ti troket nuk është më gjashtëmbëdhjetë;
Gurët nuk flasin më me askënd,
Nga frika e flamës numri është strukur në shpirt;
Para portës fishkëllen një vagabond!

Mosha e shekujve lëviz rëndë-rëndë nga pesha,
Qyteti qëndron i mbirë me çati përtokë,
Ti, moj e bukura e Shqipërisë,
I bëre vitet, por nëna t’i krehë ende ato flokë!




Mos ma prek zemrën!

Mos ma prek zemrën
Me heshtjen që e mban të mbërthyer,
Me ato duar në gjoks?!

Ah, kam një thesar të çmendur aty
E shtrenjta ime,
Janë vargjet e frymëzimit tënd,
Është një thëllim i tmerruar aty,
Është miniera jote e paanë,
Mban një planet me dashuri!

Mos më pushto me shikim në zemër,
Mos mu kacavar aty me ngrohtësinë e gjoksit tënd,
Ah, ajo aromë e ngrohtë,
Sa një botë!

Oh, jam i ndjeshëm në shijimin e së padukshmes!
Mos më nga!
Më lejo të rri mbështetur në skeptërin tim;
Ti nuk e përthekon dot mendimin
Peshën e fjalëve që kam brenda;
Mos ma zgjidh!
Ato e shembin madhështinë e së bukurës,
Nga antika gjer më sot?!

S’dua ‘e bukura’ ta humbë shenjtërinë,
Mbylli të gjitha portat,
Jam mbjellësi i dhimbjeve të mëdha;
Krejt mos më mbyt?!

Më lërë një dell gjallë,
S’dua më shumë;
Një pulsim më mjafton
T’i ngrij njëherësh të gjitha stinët
Dhe mbi gjoksin tënd ta varë një kafshim;
Të të përcjellë si një engjëll me besë
Gjersa ti në këtë jetë të marrësh frymë!




Më mjafton aroma...

Nuk e ndërroj me puthje!
Më jep vetëm atë përqafim me shkronja.
Gjithçka rreth meje po shpërfytyrohet,
Drita e pamjes sate me bie nga mendja.

Të marr aromën e trupit tënd;
Të marr shpirtin në gji,
Të mbjell fort shtrëngimin në bel
Kaq dua,
Jo më shumë;
Përqafim!
Zoti të dhashtë..., si thotë Migjeni ynë!

O, më shkruaj në njëjës, të lutem!
Më “ju” s’arrij kurrë te gjoksi yt;
Vetëm kështu vitet do ta humbin kuptimin
E numrave midis nesh,
Stinët nuk do të kenë moshë,
Ngjyrat do të jenë plotë erë
E ne do të bëhemi
Një në përqafim.




Puthja e aromës

Do ta sjell Tokën më shpejt,
Mëngjesi dua të agojë më herët,
Nesër kam takim me Buzëqeshjen tënde.

Do ta mbaj frymën pezull
Deri sa të vjen te porta;
Hyn brenda,
Dardhishta në dimër të mërdhin.

Ti më shpërfaqesh përpara shikimit
Më shumë se e vërteta për Trojën,
Aroma jote me puth në prag
Pa më pyetur hyn përbrenda meje
Siç zë vend mjalti në hoje.

Ah, ky çast, sa një botë!
I mbyll sytë,
Mbështet qafen në aromën tende,
E ndjej përpëlitjen e frymëmarrjen,
Si ashensor ikën poshtë e ngjitet.

Thyhem në ngrohtësinë e buzëve si xham,
Në mijëra spira grimcohem unë;
Po hyj në hapësirën e amshimit të paanë,
Aroma më rrëshqet si shtjellë e verbuar,
E mëndafshtë më qëndron përmbi.

Më vret ky nektar;
Ti s’je veçse fantazmë e frymëzimit.
Askush s’do ta di si ka lindur ky krijim;
Poezia do të mbetet si gur varri,
E ti nuk do të thuash më kurrë
O, Dielli im!



Puthja e dritës

Me ty dua të flas vetëm me dritë!
S’dua të nxjerr zë, as klithma;
Shpërthimin e mbytur të tingullit s’dua ta rys;
Kam frikë mos shija përlyhet nga britma!

Shqyerja e nyjëtuar mund të ketë pagjakësi;
Ngjyra mund të jetë tretur në vetvete;
Thirrje e dredhur prej tejzave s’ka drejtpeshim,
Ajo ndjesinë e shpirtit mund të ta mbysë.

Ti e ndjen gjuhën e dritës përbrenda;
Ato fjalë të praruara me rreze
Shkëlqejnë për ty me adhurim,
Të përpijnë me prekje nëpër mollëza, në gushë
Të puthin, të puthin
Ata sy,
Gjersa të mos pikojë prej zemrës tende prush!

Ti ikën me çantën e varur në sup;
Ajo është shoqja besnike e shpirtit,
S’të braktisë, as kurrë s’të fletë,
Teksa e kuqja të zbret nëpër fytyrë,
Puthja e dritës të ka zhveshur lakuriqi,
Është e rënda plumb, ajo,
Haj, medet!

Largohesh nëpër muzg me erën gjithë gaz,
Vetëm takja azgane të dëgjohet nëpër vuth;
Përndezja të ka zbritur prej gjoksi rreth belit
E syri i qiellit të kafshon, në zemër të puthë.




Më thërret...

Mbrëmja e mbulon Tiranën me butësi,
Dhjetor është e terri nuk bëhet fut i zi;
Ka frikë nata të zhytet në errësirë prej vajzave;
Ajo s’ka dëborë për dashurinë e tyre,
Flirton me shkëlqimin e dritave,
Me stoli plastike, me dëborë prej leshi.

Ti më shkruan me shqetësim që andej.
Natyrisht, tronditem në Prishtinë!
Çfarë është kjo fjalë unë «s’vras poetë»,
Kur më mall të mbytë!
Dhe fotoja më pas me gota vere mbi tryezë,
Pa fytyra njerëzisht,
Si të ishte ajo pamje huazim nga bota në apokalips.

E ndjej mungesën e dëborës
E ndjej mallin që ti ke,
Kristalet e ngrira s’kanë ide për prushin e buzëve tua,
Mendojnë se deti është fajtor;
Ato nuk e dinë se je ti ajo,
Që me zjarrin e puthjes kohën ngrohë!




Vetëm poeti!

E ndjen
Rrjedhën nëpër gërvishtjen e penës?
Është vraga që nxjerr prej zemre poeti;
Është bota e dhimbjes së bukur!
E dashur,
Pikon gjurmë nëpër shijimet e adhuruesve
Është tryeza e shpirtit të ndjeshëm!

Sonte mos u mbulo me asgjë,
Shiu çfarëdo qoftë përjashta le të bie,
Lëri pikat le të rrjedh nëpër trupin tënd,
Kanë etje poret e magjishme;
Frymëmarrja jote e thithë kupën e qiellit përmallshëm
Që andej po sjellë furtunë dashurie.

Janë metafora me magmë,
Lagështi e mugullit të stinës,
Janë puthjet nëpër luginat e shtatit,
Klithja e fillimit të ri me vlagë!
Poshtë fundbarkut tënd që po vije!




Kthimi

Po kthehem pas shumë vitesh te poezia,
Ah, besnikja ime!
As më fal s’mund të të them,
Vetëm muskujt e mjekrës më tradhtojnë,
Ato më dridhen pa me pyetur vazhdimisht,
Siç lëvizin gjethet në mbrëmje nga puhia.

Mos më thuaj!
E ke mbajtur të paprekur vendin,
Kthinën ku unë shkruaja dikur;
Ah, poshtë tryezës së drunjtë e dëgjoj sërish
Rrjedhën e lumit të rrëmbyeshëm;
Uvertura e një simfonie sapo filloi.
Mos të lutem!
Mos më përqafo me zhaurimën tënde,
O shpirt i muzës,
Më lerë në plehrat e jetës
Të vdes nga malli,
Nga dhimbja,
Nga mëria!

E kam bartur të ndryrë në vetvete vargun poetik,
Atë tharm që e bekoi vetë Perëndia,
Në pjesën e nëndheshme të karantinës së shpirtit,
Si një faj tragjik;
Ku s’merr frymë as vesa e mëngjesit,
Ku nuk kallet e praruar në flakë as mollëza e vajzës,
Ku atdheu s’derdh më as lot nga dashuria!

Kam ikur bashkë me të nëpër botë si nizam.
Atëherë liria nuk mbillej dot në tokën tonë;
Kam ikur si çiftet e pa dekretuara para ligjit,
Për ta ruajtur lumturinë;
Adhurimin për fjalën e konservova në zemër,
Braktisur!?
Nuk e kam kurrë,
Mik!

E sjell ngadalë pamjen e zbehtë të izolimit,
I mbledh me kujdes puthjet e terura nëpër varg,
Belet e këputura të zanorëve i rreshtoj si ushtarë;
Ato të ngrira derdhen në buzëqeshje
Zoti i tyre mbërriti!
Të mpira janë kujtimet e balsamosura prej pritjes,
Ato kanë etje të pa skaj të pengut;
Sot atdheu im ka nevojë për peshën e fjalës,
Sot atdheu im ka mall.




E shkel vetminë me zemërim!

Po ik i vetëm në këtë dimër!
Rruga është e hapur,
Është bosh.

Mbi të e shkel vetminë me zemërim!

Porta e saj nuk hapet,
Është e mbyllur
Me shule,
Me dry,
Me kode
E mbi krye
Dëbora më bie
E më bie me fjolla flokësh si ndëshkim!

Je ngujuar përbrenda,
Mbase nga xhami i avulluar me vështron
Si gapthetem me veten,
Teksa e ruan ende aromën tonë.

Ti nuk dëshiron ta pastrosh atë,
Ta heqësh nga trupi atë djersë;
Është një copë e qenies sime,
Një skorie e lëngshme e klithjes,
Qe me mëri të thyer është shtrirë në shpirtin tënd.

Të sheh tek ecën nëpër hapësirat e paana të pallatit,
E lakon qafën,
E përkul kryet mbi supe,
Me sy të mbyllur
E frymon!

Vajzë!
S’të shkul,
Nga zemra,
Nuk të hedh dot!
Më je ngjitur në shpirt
Siç ngjitet gjuha e një budallai
Në shtyllën e një llambadari të ftohtë!

Shkaku yt s’mund ta heq as zemrën,
Ta plas tutje në tokë si mish për qentë
E të them me zë gjersa kupa të çahet:
Më e Bukura e njeriut nuk më duhet më!
Të mbaj si mallkim përbrenda kraharorit
Tik-tak, tik-tak, kot,
Krejt kot,
O Zot!




Dehja prej malli!

Ti më sillje vazhdimisht mesazhe.
Ato vijnë nga kryeqendra e izoluar e Europës.
I shfletoj në rradake shenjat e sjella prej gishtërinjve të blinduar
Me thonjtë e lyer,
Të mbuluar me gurë vezullues që pulsojnë shkëlqime
Si të mbanin nën kontroll alarmin e mburojave të brirta,
Prej ku fshehtësia e kodeve merrte jetë mbi tastierë.

E ndjej atë shndritje si të ishte një lot në sy
Gjersa gishtat e tu të bukur vallëzojnë me shkronja
Pa to, jashtëtokësoret mund të shihnin që lart gjithçka!
E ndër buzë më bëhet se më shfaqet një brengë kot.
O ç’më kënaqi kjo pije me çokollatë, më thua befas
Dhe poshtë rreshtave në ekran të celularit lexoj:
Ua, harrova të të them, e pashë simpatinë time të vjetër sot!

Në fillim e mora si mahi të sajuar aty për aty.
Vajzat e kanë peng të ngjitur në dorë
Mosbesimin për dashurinë.
Një provokimin i lehtë do të ishte
Për t’i dhënë pak flakë emocioneve.
E vërteta tjetër me shtriu përtokë:
Ajo e kishte ngrysur ditën në kafenenë e qytetit
E dehur prej malli,
Duke pirë tërë kohën e lum
Vetëm kafe e çokollatë të ngrohtë!



Lajthitja e gjithësisë!

Mbrëmja është përndezur prej vardisjes,
Melodia më vjen nga kopshti i kafenesë me puhinë;
Ti nuk je pranë meje,
E vera e kuqe më derdhet mbi plagët e mallit,
Si helm i bërë veçmas për tragjeditë e Eskilit,
Për t’i mbytur hyjnitë!

Jam vetëm me ndërgjegje të shprishura përreth.
Askush këndej nuk vuajtka për dashurinë;
Më keq se mospërfillja jote,
Sonte me bën roje epshi i kërleshur,
Më nxit i dehur gjer në skaj,
Të ik në shtrat me tradhtinë?!

Nuk e di nëse do ta ndal këtë tundim!
Ajo më zhvishet brenda shpirtit me perri.
Përthyerjet e shtatit e rrëqethin harkun e violinës,
Yjet alarmohen nga ky provokim i rëndë në Gjithësi.

Dhe dekreti befas shpallët nga Pafundësia:
Rruga e Qumështit urdhërohet:
Sonte të mos shënohet asnjë mëkat në galaktikë.
Le të ketë shancën e vet të barabartë,
Rregulli, rebelizmi dhe anarkia!

Më në fund mund të rrëshqas i lirë,
Të shembem në epsh i kryqëzuar përbrenda,
Si besimtar i devotshëm të thellohem pa ndjenjën e fajit,
Të pushtoj magjishëm si një Perëndi!

Dhe mbi jehonën e afshit të luginave të bymyera,
Kacavirrem si balta që në vjeshtë këpucët pushton,
Të ngjitëm përmbi
Me britma, me djersë, me mundime,
Dhe etjen ta shuaj barbarisht
E më pas të dukem i pamëkatë, i pafaj, djalë i mirë,
Gjersa kthehem me duar në xhepa te ti!



Varja e mëkatit

Përthyerjet e largimit tënd i sfiduan ëndrrat.
Gjurmët krijojnë prapa qytetin e trishtë
Mbi bregoret e pushtuara prej frymëzimit,
Tutje rrjedhës së lumit,
Të rrahur pa nda prej frymës së egër të thellimit.

Nata ka rënë në pritë.
Hëna është kafshuar prej qenve endacakë;
Lagjet përhiten me dritën e lehjes së verbuar,
Bota poshtë këmbëve bartë surrealizmin e Borgesit
Shkronjat, si fidanishte të egra mbillen gjithandej
Nëpër gjakun time si ndëshkim!

E shoh dëborën e frikësuar,
Ajo bie e mpakur mbi kuisjen që terri nxjerrë pabesisht;
Fytyra jote përndizet si shpikja e mendimit.
Atje është qyteti i fantazmës;
Ia ujisë rrënjët e nëntokës,
Puthja është varur prej mëkati
Si teshat kur terën nëpër parmakët e dritareve në Venedik.

E bërë komunikimin të vdesë!
Kishe frikë prej tij!
Jetën e kafshoje si në ëndërr,
E tmerruar mos mbi dheun e të pareve
Do të rigojë qetësi.

Profecia ishte shkruar përfundimisht pa fatësi!
Rrugët nuk vraponin më drejt qëllimit;
Ndjenja nuk shijonte më me gjuhë të shpirtit!
Gjithçka ishte shkruar në Kuran, në dhiatat e krishterimit?!
Kryqohuni, faluni bijtë e mi!
Amin!