Samstag, 25. Mai 2013

Idriz Seferi

Idriz Seferi lindi në vitin 1847 në fshatin Sefer të krahinës së Karadakut të Shkupit dhe vdiq në 25 mars të vitit 1927, ishte atdhetar i dalluar, udhëheqës ushtarak popullor i Lëvizjes Kombëtare.
Idriz Seferi lindi në fshatin Sefer në një familje me tradita patriotike. Që në moshë të re mori pjesë në qëndresën popullore kundër shtypjes ekonomike e kombëtare që sollën reformat e Tanzimatit. Më 1875 u burgos nga autoritetet osmane.
Mori pjesë në kuvendet e në veprimet luftarake të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe të asaj të Pejës. Ishte një nga udhëheqësit kryesorë të kryengritjes së Kosovës të 1916 dhe u shqua për aftësitë luftarake, si strateg popullor në betejën e Kaçanikut, si edhe në betej at e Karadakut (Drenogllavës) e të Moraves. U dallua si një ndër udhëheqësit kryesorë edhe në Kryengritjen e përgjithshme antiosmane të 1912 në Kosovë, mori pjesë në çlirimin e Shkupit, Kumanovës, Gjilanit, Preshevës e Ferizajt.
Në tetor 1912 në krye të mijëra luftëtarëve shqiptarë luftoi kundër pushtuesve serbornëdhenj në rajonet e Bujanovcit, Gollakut, Llapit e Kumanovës, ku i shkaktoi humbje të ndjeshme armikut.
Udhëhoqi çetat kosovare në luftë kundër zgjedhës serbomadhe në, vitet 1913-1915 dhe kundër pushtuesve bullgarë në vitet 1916-1918. Vazhdoi luftën për çlirimin kombëtar të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi deri në fund të jetës së tij.

Burimi: Wikipedia
                                                            

Ibe Palikuqi

Ibe Palikuqi
(1927 - 1944)

Veprimtare e vendosur e Luftës ANÇ, Heroinë e Popullit. Lindi në qytetin e Dibrës. Që nga 1942 shtëpia e saj u bë bazë shokësh ilegalë dhe ajo vetë propagandiste trime e ideve të luftës çlirimtare. U arrestua së bashku me nënën dhe u burgos (1943). Pasi doli nga burgu, vijoi veprimtarinë revolucionare. U rreshtua në batalionin partizan të Dibrës dhe me organizimin e Brigadës XVIII S (1944) u caktua zëvendëskomisare kompanie. Në të gjitha luftimet u shqua për guxim e trimëri të rrallë. Ra heroikisht në luftë kundër nazistëve gjermanë dhe tradhtarëve për çlirimin e Kërçovës në Maqedoni, më 23 shtator 1944.

Burimi: WIKIPEDIA

Donnerstag, 23. Mai 2013

Haxhi Zeka

MULLA HAXHI ZEKA  

 (1832-1902)

             Myderriz, Mulla Haxhi Zeka është shembull për besimtarët, shembull për atdhetarët, shembull për të gjithë shqiptarët…

 Myderriz, Mulla Haxhi Zeka është shembull për besimtarët, shembull për atdhetarët, shembull për të gjithë shqiptarët…
Lindi në vitin 1832, në katundin Shoshan, të Krasniqës, rrethi i Tropojës, Malësia e Gjakovës.
Emri i tij është Zenel, ndërsa Myderriz, Mulla janë titujt e tij, siç janë edhe titujt të tjerë të tij: Hoxhë e Haxhi…
Është djali i Mehmetit, të Byberajve, që ishte djali i Abedinit, që ishte djali i Hysenit, burra të Malsisë, parardhësit e Haxhisë, që ia  zbardhi faqën Shqipnisë…!
Haxhi Zeka fëmijërinë e kaloi në Pejë të Kosovës, sepse që në vitin 1835, familja e tij ishte shpërngulur nga Malsia e Gjakovës…
Mësimet fillestare i kreu në mejtep, në Pejë. Si nxënës, ishte një fëmijë shëndetlig, por një fëmijë i dalluar, për virtyte, për cilësi, aq sa të gjithë e kishin lakmi…Një ditë, Hoxha i tij publikisht kishte thanë:
            ”Kur të rritet ky djal ka me ba namin
              Shtatë kralat kanë me ja ni zanin…”
Mësimet e larta i kreu në Medresën e Madhe të Gjakovës, e cila i ka dhënë dritë krejt Kosovës…
Mulla Haxhi Zeka, përveç që kreu studimet në Gjakovë, aty u martue me Rukijen, të bijën e familjes së njohur Canhasi të Gjakovë dhe më vonë shkoi në Pejë për të punuar, me atë njohuri që kishte mësuar, studiuar…
Në fillim ka shërbye si hoxhë, imam, mësues, në administratën lokale si nëpunës dhe sekretar i pronës së familjes shumë të pasur, Sheremeti të Pejës, por që janë me prejardhje nga katundi Sheremetaj i Gjakovës…
Të gjitha këto shërbime edhe pse kanë rëndësi,  por nuk kanë aq rëndësi sa ka shërbimi i tij që bëri për Kosovë, për Shqipni…!
Mulla Haxhi Zeka, edhe pse ishte Myderriz, Mulla, Hoxhë, Haxhi, ky burrë trim malsorë, luftoi me pushkë n’dorë, për liri, për Shqipni…
Ka qenë jo vetëm pjesëmarrës, por ndër udhëheqësit kryesor në dy besëlidhjet shqiptare, të cilat e zgjuan vetëdijen kombëtare, siç ishin “Lidhja e Prizrenit” (1878-1881) dhe “Lidhja e Pejës” (Besa-Besë” (1899)…
Për këto ngjarje madhështore, përveç dëshmive historike, ka edhe shumë këngë, vargje, poezi, ku përmendet Haxhi Zeka, si luftëtar për bashkim, për liri…
Poeti kombëtar, At Gjergj Fishta, vetë prift katolik, françeskan, por për këtë hoxhë, që luftoi vatan, për bashkim, për liri, për Shqipni, ndër të tjera, shkruen në këte poezi:
”Dil e piqu n’Haxhi Zekën 
Grish Kosovën, bashko Rekën
Lsho kushtrimin n’Toskë e Gegë
Mblidhu tok si kokrrat n’sheg…”
 
           Ndërsa në një këngë popullore me titull:
          NA KTI VENI DUHET M’I DALË ZOT
         (Kushtuar Myderriz Mulla Haxhi Zekës),
         Këndohet, shkruhet e thuhet:

N’grykë t’Pejës, more, u dhez rrfeja
Shqiptarisë, more, ju forcue beteja.
N’kam na u çue, o vëllazën, Haxhi Zeka,
Nisi fjalë, more, shqiptarëve po u man:
- Ngoni knena, o vllazën shqiptarë,
N’kit ven juve o qi u kam marrë,
N’kit ven juve o qi ukam thirrë;
Fjalë me dhanun, besa-Besëb me lidhë.
Për me lidh-o ni Besë të Zotit,
M’i dal n’ball, more, o anmikut t’sodit
si n’kohën e Gjergj Kastriotit.
Na kti veni duhet m’i dalë zot;
Dy syt, more, ju mbushën me lot.
Atëherë Isa koka çue n’kam:
- Ngo mor Zekë, unë çka po t’tham,
I madh e i vogël, tanë n’kam m'u çue,
Për tokë tonë kena me liftue,
Me derdh’ gjakun, more, bash si prrue!
Kem m'U kallë tan’, more, si cigare,
s’kem me lanë anmik n’tokë shqiptare!
Fort u gzue, more, trimi Haxhi Zekë
Nxuerr alltin, more, paj qiti përpjetë:
- Ktu koftë lidhë, more vllazën, Besa-Besa.
E nau nisën trimat, more, çeta-çeta,
shkon t'u pri, more, trim-o Haxhi Zeka.
Haxhi Zeka o ni zog shqiptari
O për Kosov’ o n’luftë ma i pari.

 
Për veprimtarinë e tij për bashkim, për liri, për një Shqipni, Mulla Haxhi Zeka u arrestue dhe për disa vjet në Stamboll u internue, por edhe pas lirimit prej internimit nuk u qetësue, nuk u rehatue, ai vazhdoi me luftue, deri në Mal të Zi, për Plavë e për Gusi…
Haxhi Zeka, përveç se ishte dijetar, atdhetar, luftëtar, ishte humanist, bamirës, besimtar…Si besimtar, ka vizituar Qabenë, vendet shenjta, Mekkën dhe Medinën, në Arabi, ku e fitoi edhe titullin Haxhi. Me titullin Haxhi, emri i tij hyri në histori…
Me 16 shkurt 1902, në Pejë, Mulla Haxhi Zeka u vra nga dora e gjakatarit, Adem Zajmi, kapiten i xhandarmerisë, që thonë se ishte argat i Sërbisë…

Marrë nga Ereniku.net

Hasan Tahsini

Hasan Tahsini (1811-1881), ka qenë personalitet i rëndësishëm i lëvizjes nacionale shqiptare me ndikim të fuqishëm në jetën publike osmane të shekullit XIX. Periudha kohore në të cilën ai jetoi është shumë e rëndësishme për të kuptuar jetën intelektuale të Perandorisë Osmane, marrëdhëniet lindje-perëndim dhe padyshim ato çfarë ai ka bërë për lëvizjen nacionale shqiptare. Hasan Tahsini ka qenë njohës i qytetërimit lindor dhe perëndimor. Shteti osman për shkak të nivelit të tij intelektual e përzgjodhi dhe e dërgoi në Paris me synimin për të sjellë në Perandorinë Osmane filozofinë dhe racionalizimin evropian. Kurba e aktivitetit të tij intelektual kulmoi me emërimin në pozicionin e rektorit të parë të Universitetit të Stambollit.

“Është befasues fakti që shkalla e njohjes që kemi brenda Shqipërisë për këtë personalitet është në raport të zhdrejtë me aktivitetin e tij intensiv në shumë plane dhe fusha si nacionalist shqiptar, dijetar islam, shkencëtar, filozof dhe personalitet publik në Perandorinë Osmane”, thotë studiuesja Genciana Abazi-Egro gjatë referimit që mbajti dje në 200 vjetorin e lindjes së Tahsinit. Në historiografinë shqiptare dhe turke është vënë në dukje që Sami Frashëri është ndër pionierët e modernizimit të jetës intelektuale në Turqi. Por Hasan Tahsini, një brez para Sami Frashërit, është një teolog islam që u shkollua në Francë dhe që futi shumë praktika të reja perëndimore në pedagogjinë osmane. Për më shumë kemi bërë një bisedë me studiuesen Genciana Abazi-Egro, e cila ka bërë një vëzhgim mbi dimensionin gjuhësor të Hasan Tahsinit dhe lidhjen e ngushtë me Lëvizjen Nacional Shqiptare.

Sipas studimit tuaj si e ka trajtuar Hasan Tahsini çështjen e gjuhës shqipe?

Çështjen e gjuhës shqipe Hasan Tahsini e ka trajtuar në nivel kulturor, shkencor, por dhe si elementin kryesor të konforbimit tek shqiptarët. Këtu duhet theksuar se Hasan Tahsini nuk ka qenë vetëm teoricien, i cili hartonte alfabete apo parashtesa për rëndësinë e gjuhës. Ai të qënurit dijetar e ka konceptuar të bashkërenditur ngushtë me njeriun e veprimit politik. Kjo ka bërë që të jetë ndër nacionalistët e parë shqiptarë që krijuan një komitet për shkrimin e shqipes më 1864, dhe më pas të jetë aktivë në çdo iniciativë tjetër në këtë drejtim, deri në përpjekje konkrete për mësimin dhe përhapjen e gjuhës dhe shkollave shqipe më 1874.

Si u trajtua alfabeti me të cilën do të shkruhej shqipja?

Ndërsa gjuha gjatë gjithë lëvizjes nacionale shqiptare është cilësuar si elementi kryesor bashkues i shqiptarëve dhe si element i cili dallonte nga kombet e tjera, alfabeti me të cilin do të shkruhej shqipja u trajtua si në aspektin politik ashtu dhe në atë kombëtar. Alfabeti u cilësua si një mjet bashkues për të gjithë shqiptarët dhe si hapi i parë drejt gjuhës letrare e më pas asaj standarde. Prandaj nuk është rastësi që Kongresi i Manastirit i vitit 1908 që përcaktoi zyrtarisht alfabetin me të cilin do të shkruhej shqipja, shënon dhe sinjalin më të qartë për pavarësinë e Shqipërisë më 1912.

Pra alfabeti i parë shqiptarë nuk është përcaktuar rastësisht. Po përsa i përket pikëpamjes politike?

Nga pikëpamja politike, zgjedhja e germave të alfabetit, një çështje teknike në dukje, përcakton dhe krahun e orientimit të shoqërisë dhe politikës shqiptare. Në këtë kuadër duhet analizuar dhe alfabeti sui generis domethënë unikë që Hasan Tahsini përgatiti për gjuhën shqipe. Madje këtë e mbështesin dhe dy citatet të cilat ia ka bashkangjitur alfabetit të tij. I pari, i Laibnicit i cili citohet të ketë thënë: “më jepini një palë shkronjëza të mira e tju jap një qytetrim fort të mirë”, kurse citati i dyti është i Volneit sipas të cilit “gjithë shkronjat e Evropës janë maskarallëqe, domethënë me të meta”.

 Cilat janë arsyet që Hasan Tahsini mron iden e shkrimit të shqipes me germat sui generis?

 Hasan Tahsini që në fillimet e veta për alfabetin e shqipes ka mbrojtur idenë e shkrimit të shqipes me germat sui generis që nuk i kishte përdorur asnjë më parë, dhe më pas këtë pikëpamje e konkretizoi edhe me alfabetin e mirënjohur të tij. Arsyet që parashtron HasanTahsini për këtë zgjedhje të tijën janë : së pari, alfabeti i veçantë do të theksonte më shumë idenë e mëvetësisë tek shqiptarët. Ai mendonte se shqiptarët janë një popull i veçantë me një gjuhë të veçantë dhe për këtë arsye dhe alfabetin duhet ta kenë të tillë. Së dyti, germat sui generis do të theksonin karakterin teknik të alfabetit dhe nuk do ta ngatërronin atë me veshje të ndryshme ideologjike në këtë mënyrë dhe funksioni përbashkues i alfabetit tek shqiptarët do të ishte më lehtë i realizueshëm. Së fundmi ishte një arsye thjeshtë praktike. Germat e veçanta shkruhen me më pak lëvizje domethënë më të lehtë dhe më shpejt kështu u sjellin përdoruesve të tyre kursim në kohë, dhe duke zënë më pak vend librat e shtypura do të kishin një vëllim më të vogël dhe do ët shtypeshin më shpejtë. Kështu kishte dhe kursim ekonomik.

 Këtë arsyetim e sjell nëpërmjet ndonjë krahasimi?

Këtë e vë në pah me anë të një krahasimi me alfabetet që përdorin gjuhë të ndryshme të botës. për shembull alfabeti arab që përdorej për të shkruar turqishten në atë kohë kishte nevojë për 486 lëvizje të dorës, alfabeti frëng 444, alfabeti grek 438 kurse alfabeti i propozuar nga Hasan Tahsini kishte 245 lëvizje. Hasan tahsini mendonte se shqipja duhet të shkruhej ashtu sikurse lexohej domethënë sipas parimit fonetik. Alfabeti i tij pasqyron në mënyrë të saktë nivelin fonologjikë të gjuhës shqipe. Sipas studiuesit të gjuhës shqipe Tomorr Osmani alfabeti i Tahsinit ka 36 shkronja, ndërkohë që ka përdorur shumë shenja për shpjegimin dhe përdorimin e tyre. Madje ka përshkruar edhe lëvizjet që duhet të kryejë dora për secilin shkronjë.

Si i klasifikon shkronjat?

Ai ka quajtur alfabet metodik të shqipes dhe kjo ka qenë përcaktuese edhe për vetë mënyrën e paraqitjes së tij. Shkronjat nuk jepen sipas rendit alfabetik sikurse jemi mësuar t’i shohim, por i ka klasifikuar në zanore dhe në bashkëtingëllore. Kurse bashkëtingëlloret i rendit sipas mënyrës së nyjëtimit të tyre. Në të vërtete një paraqitje e tillë ë e sistematike është e domosdoshme për alfabetet sui generis, pasi paraqitja grafike e shkronjave është e panjohur për lexuesin.

Ku është njohur fillimisht alfabeti i Hasan Tahsinit?

 Alfabeti i Hasan Tahsinit u njoh kryesisht në jug të Shqipërisë dhe veçanërisht në Filat, Janinë dhe Konispol. Mendohet që gjatë qëndrimit të Hasan Tahsinit në Shkodër e  Berat është paraqitur dhe në këto qytete. Kurse materiale të shkruara nga ky alfabet nuk ka. Studiuesi Hasan Kaleshi në një përpunim të tijin bën me dije dhe për ekzistencën e një abetareje të hartuar nga Hasan Tahsini, por që nuk është gjetur deri tani. Ideja e shkrimit të shqipes me germa të veçanta për herë të parë është shfaqur në Elbasan në mesin e shekullit të XZIII.

Cilat janë funksionet e gjuhës sipas Tahsinit?

Sipas tij, dy funksionet kryesore të gjuhës janë ai i komunikimit dhe i formësimin të mendimit. Pasi sikurse është njohur transmetimi i mendimit realizohet gjithnjë nëpërmjet gjuhës. Kjo lidhje e ngushtë dhe e ndërsjellët e gjuhës me mendimin bën që gjuha të jetë mjeti kryesor për studimin e mënyrës sesi i artikulon njeriu dhe më gjerë për psikologjinë dhe identitetin e përdoruesit të saj. Ndjeshmërinë ndaj gjuhës Hasan Tahsini i ka shprehur në mënyrë shumë të qyrtë në një pjesë të veçantë në punimin e tij mbi psikologjinë, të botuar në vitin 1894, pas vdekjes.

Ai ndalet në vetin përgjithësuese që ka gjuha në sajë të përdorimeve të koncepteve e cila ka favorizuar të menduarin abstrakt të njeriut gjë që ka sjellë zhvillimin dhe civilizimin e njerëzimit. Sipas Hasan Tahsinit këto funksione dhe veçori të gjuhës e bëjnë të domosdoshme kujdesin ndaj gjuhës dhe mënyrës së funksionimit të saj. Në këtë kuadër ai projekton dhe cilësitë që duhet të këtë një gjuhë në përmbushje të mirë të misionit të saj. Së pari pasurimi i vazhdueshëm për të lehtësuar funksionin komunikues të gjuhës. Së dyti thjeshtësinë në mënyrë që të jetë e kuptueshme si nga elita ashtu edhe nga njerëzit me një arsim të kufizuar. 

Jeta

Hasan Tahsini (1811-1881), lindi në Sarandë. Ishte rilindës, filozof, dijetar e atdhetar i Rilindjes Kombëtare. Themelues i të parit universitet shtetëror në sulltanatin osman si dhe i “Xhemijet-i Ilmijje-i Arnavudijjê” (Shoqëria e Dijetarëve Shqiptarë apo Kuvendi Shkencor Shqiptar). Ishte ndër të parët që mbolli dhe përhapi në masë mendimin e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar. Tahsini punoi për alfabetin shqip dhe donte ta kishte të ndryshëm nga alfabetet e gjuhëve të tjera për të treguar personalitetin e popullit të tij. Tahsini ka qenë mësues i Abdylit, Naimit,Samiut, Vaso Pashës, etj.
 
Marrë nga Shqiperia.com

Hasan Prishtina

Mësimet e para (mejtepin) dhe disa klasë të progjimnazit (iptida) i mbaroi në Vushtrri, me sukses të shkëlqyeshëm. Qysh si nxënës u tregua i vrullshëm dhe i guximshëm, duke kundërshtuar disa herë hoxhën. Ai pati fat që mësues letërsie ta kishte profesorin nga Prekazi, Hafëz Arifin, nga i cili edhe u frymëzua me ide atdhedashurie. Meqë mësonte mirë dhe kishte mundësi materiale, ai do të vazhdonte shkollimin ne gjimnazin grek të Selanikut ku do ta mësoi edhe gjuhën frënge e do të njihet me veprat e iluministëve francezë, Volterit, Monteskie, Zhan Zhak Rusos, etj; dhe në Stamboll, ku u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë, përkatësisht në Fakultetin e Shkencave Politike – Juridike. Gjatë shkollimit fitoi kulturë të gjerë dhe u brumos me ide revolucionare e përparimtare evropiane, sidomos sa ishte në Selanik. Ishte ithtar i ideve të Revolucionit Francez (1789-1794). Të gjitha këto u gërshetuan harmonishëm me edukatën e tij të lartë e të thellë familjare, me shumë tipare atdhetare duke formuar kështu një personalitet liridashës. Ai njihte shumë gjuhë: anglishten, arabishten, çerkezishten, frëngjishten, greqishten, gjermanishten, italishten, serbishten e turqishten. Brenda një kohe të shkurtër zuri pozita të rëndësishme në administratën turke dhe arriti të bëhet edhe kryekonsull në shtetin e Turqisë. Në kryeqytetin otoman krijoi lidhje të ngushta me bashkatdhetarë të dalluar dhe do të lexojë shpirtërisht veprat e vëllezërve Frashëri, Pashko Vasës,Hoxhë Tahsinit, etj.
 Hasan bej Prishtina ka qenë një nga personalitetet dhe figurat më të shquara të Lëvizjes sonë Kombëtare. Ky ideolog i shquar, dhe udhëheqës i palodhur i kryengritjes së përgjithshme për pavarësinë e tokave shqiptare, tërë pasurin e dha për çështjën kombëtare shqiptare. Lirisht mund të thuhet se veprimtaria e tij luftarake gjatë muajve maj-gusht 1912 e përgatiten ngritjen e Flamurit në Vlorë. Hasan Prishtina lindi në Vushtrri, por familja e tij, ishte nga treva e Drenicës, Polaci (tani Hasaprishtina). Mbiemri i vërtet i Hasan Prishtinës ka qënë Berisha, por me largimin e gjyshit të tij Haxhi Ali Berisha nga Polaci në Vushtri, mbiemrin e ndryshoi nga Berisha në Polaci. Por mbas zgjedhjes së tij deputet në Kuvendin Popullor Turk (1908-1912), ai e ndryshoj mbiemrin përseri, por kësaj here nga Polaci në Prishtina pra, edhe u njoh si Hasan bej Prishtina. Studimet politiko-juridike i kreu në Stamboll. Shovinizmi i xhonturqëve kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë, nxiti një urrejtje të deputetëve shqiptarë, antarë të Kuvendit Popullor turk, të cilët ndërrmorën një takim të fshehtë për fillimin e Kryengritjes (1909-1912) në Shqipëri. Esat Pashë Toptani morri përsipër krahinën e Shqipërisë së Mesme dhe krahinën e Mirditës, Myfti Beu, Azis Pasha dhe Syrja Beu, morrën përsipër krahinën e Toskërisë. Ismail bej Qemali u nis për në Europë, për të mbledhur të holla dhe armë për kryengritjen. Hasan bej Prishtina morri përsipër organizimin e kryengritjes në Kosovë, bashkë me Barjam Currin dhe Isa Boletinin. Kjo kryengritje do të kurorëzonte më 28 nëntor 1912 shpalljen e pavarsisë së Shqipërisë së zvogëluar. Në vitin 1913 u ngarkua me detyrën e Ministrit të Qeverisë Kombëtare të Vlorës. Hasan Prishtina ka qenë drejtor i së përditshmes ’’ZUKRE’’ (Afërdita) që ka dalë më 1911. Për arësye të gjendjes së jashtëzakonshme brenda dy vjetëve gazeta e ndërroi emrin rreth 20 herë, ku dolën 412 numra. Dhe emri i drejtorit shkruhej gabimisht si; ’’Pessembe Mebusu Hasan’’ (deputeti së enjtes). Në vitin 1914, kur vjen për të drejtuar Shqipërinë princ Vidi, Hasan Prishtina zgjidhet ministër i punëve botërore të qeverisë së Durrësit. Më 1918, Hasan Prishtina, Kadri Prishtina (Hoxhë Kadriu), Bajram Curri dhe shumë të tjerë formojnë Komitetin “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” me përfaqësuesit e tyre në Romë dhe në shtetin mëmë Shqipëri, ndërsa në dhjetor të vitit 1919 Komiteti e ngarkoi si kryetar të delegacionit të tij në Konferencën e Paqës në Paris, ku kërkoi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Mori pjesë në përgaditjen dhe organizimin e Kongresit të Lushnjës (1920) dhe në prill 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar. Ai u shqua si luftëtar për mbrojtjen e “zonës neutrale” të Junikut nga forcat serbe dhe ato zogiste, si udhëheqës i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës kundër sundimit serb. Hasan Prishtina më 7 dhjetor 1921 u zgjodh nga Kuvendi Popullor Shqiptar kryeministër dhe ministër i jashtëm, por më 10 dhjetor 1921 ai jep dorëheqjen mbas kundërshtimeve të disa deputetëve që i kryesonte Ahmet Zogu. Kështu, për të shmangur gjakderdhjen midis shqiptarëve, Prishtina mbetet vetëm deputet i atij Kuvendi. Me vendosjen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Mbretërisë Serbo – Kroate – Sllovene më 1922 Qeveria e Ahmet Zogut dhe e Xhaferr Ypit u hoqi të drejtën e deputetit në Kuvendin Popullor shqiptar, Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Hoxhë Kadriut dhe shumë udhëheqëve të tjerë nga Kosova dhe filloi ndjekja për eleminimin e tyre. Kjo ishte marrëveshja që bëri kryeministri Ahmet Zogu me ministrin e jashtëm të mbretërisë Jugosllave z.Ninçiç më 1922. Në janar të vitit 1922 qeveria e Tiranës lidhi marrëveshjen që ushtria serbe ta ndiqte Hasan Prishtinën dhe udhëheqësit e tjerë kosovarë edhe brenda territorit të shtetit shqiptar. Në fund të muajt shkurt 1923, Hasan Prishtina dhe Barjam Curri u ngritën kundër rregjimit serb në Kosovë. Kjo kryengritje u shtyp sepse qeveria e Ahmet Zogut nuk i mbështeti. Mbas kësaj 3500 shqiptarë të Kosovës u përzunë nga trojet e tyre për në Turqi.
“TRADHËTARI” HASAN PRISHTINA Më 26 shtator 1924 krahas Fan Nolit, Luigj Gurakuqit ishin dhe Hasan Prishtina, Bajram Curri, Bedri Pejani në Lidhjen e pestë të Kombeve në Gjenevë. Përfaqësuesit e Kosovës Hasan Prishtina, Bajram Curri dhe Bedri Pejani kundërshtuan për genocidin që ndiqte Beogradi ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Mbas rrëzimit të qeverisë së Nolit më dhjetor 1924 dhe ardhjen e Zogut me ndihmën e serbëve Hasan Prishtina largohet përgjithmonë nga toka e mëmëdheut, për t’u vrarë më 13 gusht 1933 në Selanik nga dorësi i Ahmet Zogut. Deri në vitin 1962 Hasan bej Prishtina ishte cilësuar tradhëtar i kombit shqiptar. Kështu mbreti Zog e vrau, atëherë qeveria e asaj kohe e Enver Hoxhës e rivrau, sepse pseudohistorianët shqiptarë shfrytëzuan deri më 1962 dokumenta jugosllave dhe ruse për të bërë historinë e Shqipërisë dhe vlerësimet e disa figurave të ndritura politike shqiptare. Shumë dekada pas vrasjes së Hasan Prishtinës, eshtrat u sollën nga Selaniku për t’u rivarosur në një copë tokë në Kukës, pranë kufirit me Kosovën.
 
PASURIA E HASAN PRISHTINËS NË SELANIK
Shkrimi i më poshtëm është marrë nga gazeta greke “Maqedonia e Re’’ e datës 14 gusht 1933, një ditë mbas vrasjes së Hasan Prishtinës, në Selanik, ku është shënuar se ai është pronar i ndërtesës së sotme “Shkolla e të Verbërve’’. Hasan Prishtina ka qenë shumë i pasur, por pasurinë ai e shkriu për çështjen kombëtare shqiptare. Ai pat mbledhur të holla për të çuar në shkollën normale të Elbasanit’ djemtë shqiptarë nga Kosova. Pasuri e patundëshme që i ka ngelur ende dhe që njihet botërisht është një ndërtesë shumë e madhe që ndodhet në qendër të Selanikut, anës detit në rrugën Vasilis Ollga (dikur zonë e privilegjuar). Ndërtesa është trekatëshe dhe rrethohet prej një oborri gjigant me siperfaqe rreth 1500 m katrorë, vlera e saj në tregun e shitjeve të banesave me truall arrin në shumë miljon dollarë amerikan. Thuhet se mjaft vite më parë pronën e kërkoi e mbesa e Hasan Prishtinës, por shteti grek nuk ia dha. Sot shtëpia është pronë shtetërore dhe funksionon si shkollë dhe Instuticion bamirës për personat shurdhmemecë dhe të verbër. Kjo ndërtesë për shqiptarët ka një vlerë historike. Vendosja në murin e saj të jashtëm e një pllake memoriale është gjëja më elementare për indentitetin e ndërtesës dhe kujtimin e këtij personaliteti. Është e drejtë dhe detyrë që përfaqësuesit e Kosovës të kërkojnë që kjo pronë e njeriut që nuk e ndali luftën për bashkimin e trojeve shqiptare të njihet dhe të zotërohet. Dhe fitimi i së drejtës do të ishte një shpërblim i merituar, një peng nderimi për këtë burrë të shquar shteti.
 
VRASJA E ATDHETARIT HASAN PRISHTINËS
U vra më 14 gusht 1933 në Selanik nga një “mik” i tiji, Ibrahim Çelo. Vrasja u krye në orën 2 mbasdite më datë 13 gusht 1933. Në rrugën Çimisqi u pa një zotëri i moshuar, i mbajtur mirë dhe me tipare simpatike, të ecte përkrah e të fjaloste me një person të veshur mirë, i gjallë, sa e tradhëtonte dhe toni i zërit. Arritën në kryqëzimin e rrugës Çimisqi-Vogaxhiku dhe po drejtoheshin për tek bakallhane “IVI” dhe në largësi dy hapa nga kinkaleria e invalidit J.Janopullo. Njeriu me pamje të zymtë nxorri rrufeshëm revolverin e markës “SMITH” dhe shtiu kundrejt bashkëbiseduesit 4 herë, i cili ishte Hasan bej Prishtina, që ra në trotuar. Kalimtarët e mbledhur nga të dy të shtënat, panë vrasësin të turret me mizori të parrëfyer mbi viktimën dhe t’i zbrazë edhe tre plumba të tjerë, dy në kraharor dhe të tretën në kokë, si e shtënë vdekjeprurëse, për të qenë i sigurtë për përfundimin e aktit të vrasjes. Fill pas krimit të tij vrasësi, që t’i ikë rrezikut prej turmës së mbledhur që u vu për ta kapur, ia dha vrapit nga rruga Vogaxhiku.
Në vitin 1977 eshtrat e tij u sollën nga Selaniku në Shqipëri.
 
Marrë nga Fjala e Lirë

Haki Stërmilli

Midis të paktëve prozatorë të letërsisë së periudhës së Pavarësisë, Haki Stërmilli ndonëse jo më i shquari u bë një nga më të njohurit me romanin "Sikur të isha djalë". Haki Stërmilli lindi në Dibër të Madhe më 1895. Pasi mbaroi gjimnazin e Manastirit i ushqyer me idetë e Rilindjes, ai u mor me veprimtari atdhetare. I detyruar nga mizoritë e shovinizmit serb, ai largohet nga vendlindja dhe vendoset me gjithë familjen në Shqipëri. Më 1920-24 mori pjesë në lëvizjen demokratike shqiptare dhe u zgjodh sekretar i shoqërisë "Bashkimi" pas vrasjes së Avni Rustemit. Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit Stërmilli si shumë demokratë shqiptarë iku jashtë vendit.
I ngarkuar me detyra politike, Haki Stërmilli shkoi në Jugosllavi, po aty u arrestua nga autoritetet serbe dhe iu dorëzua qeverisë së Zogut, që e dënoi me burgim. Pas pushtimit të vendit nga fashistët ai u hodh në lëvizjen nacional-çlirimtare dhe u bë kryetar i Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar të qarkut të Dibrës. Pas luftës ai u zgjodh deputet i Kuvendit Popullor dhe punoi si drejtor i Biblotekës Kombëtare. Vdiq në vitin 1953.

Baton

Prijës i fisit ilir të desidiatëve dhe udhëheqës kryesor i kryengritjes së madhe të ilirëve në vitet 6-9 e.r. E filloi kryengritjen i pari dhe arriti të vihej në krye të saj me luftën e tij të paepur kundër pushtuesve romakë. Si komandant ushtarak energjik Baton korri disa fitore dhe zbatoi me sukses taktikën e luftës popu llore, duke kaluar nga grupe të mëdha luftëtarësh në grupe të vogla, herë në Veri e herë në Jug. Gjatë kryengritjes u mbrojt edhe në kështjellat, duke u shkaktuar humbje të mëdha legjioneve romake. E udhëhoqi kryengritjen deri në fund, kur romakët arritën ta zënë rob. Me emrin Bato njihen edhe prijësa të tjerë ilirë, si Batoja i fisit të breukëve, Batoja sundimtar i dardanëve etj.

Gjon Buzuku

Gjon Buzuku është autori i parë i njohur deri më sot i letërsisë shqiptare. Veprat në gjuhën shqipe gjatë shekujve të parë të pushtimit osman janë të pakta. Më e vjetra prej tyre që ka mbëritur deri në ditët tona, është "Meshari„ i Gjon Buzukut (1555). Kush ishte autori, nga ishte, ku punoi, mbi ç'baza arriti ta shkruante e ta botonte librin e vet, janë pyetje që ende nuk kanë gjetur një përgjigjje të plotë. ndonjë gjë të paktë që dimë për jetën e autorit, për vështirësinë që hasi, për punën, qëllimin dhe për kohën kur e shkroi ose e botoi veprën e vet e mësojmë vetëm nga pasthënia e librit. Gjon Buzuku ishte një prift katolik, një famulltar i thjeshtë, që, me sa duket, punoi në Shqipërinë e Veriut, jo larg vendit ku e botoi veprën e tij ndoshta në trevën e Ulqinit e të Tivarit. Siç na thotë vetë, veprën e filloi më 20 mars 1554
Dhe e mbaroi më 5 janar të 1555, koha që punoi për shqipërimin, ose për botimin e saj nuk del e qartë.
Libri, ashtu siç është sot, ka 188 faqe, i mungojnë 16 faqet e para, por edhe disa të tjera nëpër mes. Kështu që, duke mos pasur as kopertinë, as faqen e parë, nuk dimë as titullin e tij të vërtetë dhe as vendin e botimit etj. Është kjo një fatkeqësi apo fatmirësi, s'mund ta themi dot. Ndoshta, po t'a kishte kopertinën ose edhe faqen e parë, libri mund të ishte zhdukur, sepse, me sa duket, ka qenë në listën e atyre librave që kane qenë ndaluar nga kisha katolike e Romës.
Kështu që janë zhdukur nga qarkullimi të gjitha kopjet e tij dhe mbeti vetëm kjo që është e gjymtuar. Kjo , ndoshta është arsyeja që ajo sot gjendet vetëm në një kopje, të fshehur e të harruar që i ka shpëtuar syrit të inkuizicionit.
Kopja që gjendet, me sa duket ka qenë përdorur shumë.
Veç fletëve të grisura, në shumë faqe anash ka shënime e emra priftërinjsh që, me sa duket , e kanë pasur nëpër duar.
Përmbajtja e librit është fetare dhe kryesisht me pjesë liturgjie, pjesë që lexohen e recitohen vetëm prej klerikëve në shërbesat kishtare. Përkthim i një libri latinisht i shkruar me alfabetin latin. Për disa disa tinguj të shqipes, si: q, gj, th, dh, z, x, etj; që nuk i ka gjuha latine, autori përdor pesë shkronja që kanë përngjasim me disa shkronja të alfabetit cirilik. Gjuha e veprës është ajo e dialektit të Shqipërisë Veriore e Perëndimore. Këtë alfabet do ta përdorin edhe autorët pas tij, me ndonjë ndryshim të vogël.
Përmbajtja e veprës dëshmon për përdorimin e shqipes në shërbesat fetare. Jemi në kohën kur në Evropë kishte shpërthyer lëvizja për t'u shkëputur nga kisha katolike e Romës, lëvizja që njihet me emrin protestantizëm. Një nga kërkesat kryesore të kësaj lëvizje ishte që shërbesat kishtare të bëhen në gjuhën amtare. Edhe Buzuku, me sa duket, ecën në këtë rrugë, edhe pse kjo është në kundërshtim me urdhërat e Vatikanit. Nga ato që thotë në pasthënie, duket se Buzuku nuk hyri rastësisht në këtë rrugë.
Në rrethanat që ishin krijuar në Shqipëri nga pushtimi osman, kisha katolike e Romës ishte e detyruar të bënte lëshime për t'i vënë fre islamizmit të popullsisë shqiptare. Këtë gjë e kuptoi dhe e shfrytëzoi Buzuku, i nisur jo vetëm nga qëllime fetare por edhe atdhetare.
I ndikuar nga idetë e lëvizjes protestante, Buzuku iu vu punës qe besimtarët shqiptare shkrimin e shenjtë ta merrnin drejtpërdrejtë në gjuhën amtare. Nga ana tjetër, si atdhetar, ai desh të bënte dicka për popullin e vet dhe është i vetëdijshëm se me punën e tij do t'i shërbente popullit të vet, jo vetëm për të dëgjuar e kuptuar përmbajtjen e disa ceremonive kishtare, por edhe se ajo përbën pikënisjen e shkrimit të gjuhës shqipe drejtuar masave shqiptare. Me veprën e tij ai mundohej të afirmonte individualitetin shqiptar. Vepra e Buzukut nuk ka vetëm meritë letrare, por është edhe një hap i guximshëm kulturor, që bën pjesë në luftën e popullit shqiptar për çlirim e përparim. Këto probleme e kanë munduar për një kohë të gjatë autorin, prandaj ai shkruan në pasthënie <<…U Doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut , tue u kujtuom shumë herë se gjuha jonë nukë kish gjo të të ndigluom (që të jetë dëgjuar) nse shkruomit shenjtë, nse dashunit nse botëse, sanë, desha me u dedigune përsa mujta me ditune, me zbritunë (me ndriçue) pak mendetë e atyne që ndiglojinë …>>
Të ndriçojmë mendjet e njerëzve, pra ky ka qenë edhe njeri nga qëllimet për të cilin e shqipëroi dhe botoi Buzuku veprën e tij. Madje Buzuku ecën edhe më përpara. Në Mesharin e tij gjendet dhe kjo lutje që nuk gjendet në asnjë meshar të botës: Gjithë popullsinë e krishtene, ndër Arbanit ata n'mortajet largo, ty të lusmë. O Zot. Te Arbëria, pra aty i rreh zemra Buzukut. Nga të gjitha këto del qartë se me veprën e Buzukut kemi një vazhdimësi të kulturës shqipëtare dhe në kushtet e vështira të pushtimit osman, kulturë që te humanistet u përfaqësua me vepra kryesisht në gjuhën latine, që ishte gjuha e kulturës së kohës dhe që u pasurua më vonë me veprat e Budit, Bardhit, Bogdanit et , në gjuhën shqipe.
Që nga botimi deri më 1740, gati dy shekuj Meshari ishte një vepër e humbur, një vepër e panjohur. Më 1740, atë e zbuloi në Biblotekën e Propaganda Fides afër Romës autori gjakovar Gjon Kazazi. Ky zbulim bëri bujë të madhe, sepse është libri i parë në gjuhën shqipe. Pas kësaj çështja mbeti përsëri në heshtje edhe për më tepër se një shekull deri më 190 , kur e rizbuloi arbëreshi Pal Skiroi po jo më në Biblotekën Propagada Fides, por në Biblotekën e Vatikanit, në Romë, ku gjendet edhe sot. Me 1932 libri u fotokopjua në tri kopje, njëra nga të cilat gjendet në Biblotekën tonë Kombëtare. Më 1968 gjuhëtari ynë i shquar Eqerem Cabej, bëri një botim shkencor të veprës së Buzukut, duke e shoqëruar me një studim më të gjerë për gjuhën dhe meritat e autorit.
Gjuha e pasur e librit dhe drejtëshkrimi përgjithësisht i ngulitur dëshmojnë se kjo vepër duhet te jetë mbështetur në një traditë të mëparshme të shkrimit të shqipes kishëtare, traditë që rrebeshet e kohërave të vështira që kaloi vendi ynë, me sa duket e kanë marrë me vehte. Por edhe libri i Buzukut krijoji padyshim një traditë për autorë që erdhën pas tij. Të shkruaje në shqip një libër fetar në një kohë kur kjo gjuhë nuk ishte lëvruar si gjuhë kulture, nuk ishte e lehtë. Buzuku ia doli mbane veç të tjerash edhe pse shfrytëzoi pasurinë e gjuhës pupullore si dhe mjaft fjalë të lashta, që ndoshta, i përkisnin traditës së shkrimit të shqipes para tij.
Gjuha e veprës ka në bazë të folmen e Shqipërisë Verilindore, por të bie në sy përpjekja për ta ngritur atë mbi dialektin nga është nisur. Në veprën e Buzukut gjejmë ndonjëherë edhe pjesë të një proze tregimtare, të një proze me vlera letrare, që dallohet për mjeshtërinë e përdorimit të fjalës, dhe sigurinë e ndërtimeve gjuhësore pak a shumë të qëndrueshme. Meshari i Buzukut ka rëndësi shumë të madhe për historinë gjuhës së shkruar shqipe. Duke krahasuar gjuhën e Buzukut me shqipen e sotme, vërehen zhvillime të ndryshme që ka pasur gjuha jonë që nga shekulli XVI e deri më sot, gati për pesë shekuj.
 
Marrë nga Shqipria.com

Gjergj Kastrioti

Gjergji i dinastisë së Kastriotëve ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit dhe i princeshës Vojsava. Ai kishte trashëguar emrin e gjyshit, Gjergj Kastriotit i cili mori pjesë në Luftën e Kosovës të vitit 1389. Ishte më i riu  në mesin e katër vëllezërve e pesë motrave. Mendohet se lindi më 6 maj 1405 në Mat. U mor peng si jeniçer pas humbjes së Betejës së Gjon Kastriotit nga Sulltan Murati i Dytë. Në vitin 1421  u dërgua në oborrin e Sulltanit në Adrianopojë. Atje, zgjuarsia dhe shkathtësia e çuan Gjergjin në shkollën e sulltanit (içogllanëve) që përgatiste komandantë e nëpunës.
 
Natyra i kishte dhënë dhunti mendore e fizike. Atje mori emrin Iskënder, në emër të  Lekës së Madh, Aleksandrit, për të cilin Pjetër Bogdani ka shkruar se ishte me origjinë nga Mati i Shqipërisë. Pas mbarimit të shkollës, Gjergj Kastrioti, kreu detyra ushtarake në Ballkan e në Azinë e Vogël, duke u dalluar për trimëri dhe për këtë arsye iu dha titulli bej që do të thotë princ ose fisnik pra Skënderbeg do të thotë Aleksandri princ ose fisnik. Ai nuk e harroi vendin e tij të dashur dhe priste me padurim rastin të kthehej në tokën që e lindi. Me vdekjen e të atit, ai shpresonte t'i zinte vendin, por në fakt sulltani e emëroi sanxhakbej jashtë tokave shqiptare. Skënderbeu nuk hoqi dorë nga ideja për t'u kthyer në Shqipëri në fronin e të atit, deri në vitin 1443 kur ai u nis kundër Janosh Huniadit nën komandën e bejlerbeut të Rumelisë.
 

 

 
 
Më 3 nëntor 1443 në afërsi të Nishit, u ndeshën dy ushtritë. Ushtria osmane u shpartallua dhe u tërhoq në panik. Skënderbeu filloi të zbatonte planin e kryengritjes, së bashku me 300 kalorës shqiptarë e me të nipin Hamza Kastrioti, u kthye në Dibër, ku populli e priti si çlirimtar. Mori masa për përforcimin e rrugëve nga mund të vinin osmanët, dhe prej andej iu drejtua Krujës. Me një ferman të rremë shtiu në dorë qytetin e garnizonin dhe kështu më 28 nëntor 1443 u shpall rimëkëmbja e principatës së Kastriotëve. Mbi kështjellën e Krujës u ngrit flamuri me shkabën e zezë dykrenare i Kastriotëve.
 
Kryengritja u përhap shpejt në viset e tjera dhe feudalët e tjerë u ngritën gjithashtu. Gjatë dhjetorit, Shqipëria e Mesme dhe e Veriut u spastruan nga forcat osmane, u çliruan njëra pas tjetrës kështjellat e kësaj zone. Skënderbeu ishte organizatori i Kuvendit të Arbërit, në të cilin u zgjodh si prijës i Lidhjes Shqiptare të Lezhës. Ai u martua me të bijën e Gjergj Arianitit me Donika Arianitin për të forcuar lidhjet e tij me principatat e tjera.
 

 Në janar të vitit 1468 Skënderbeu u sëmur gjatë zhvillimit të një Kuvendi të thirrur nga ai, në të cilin ishin të ftuar të gjithë princat shqiptarë. Vdiq me 17 Janar 1468 në Lezhë. I mbuluar me lavdi, ai u varros në Lezhë. Shqiptarët humbën prijësin e lavdishëm që i udhëhoqi për 25 vjet rresht. E shoqja me të birin emigruan, sikurse edhe një pjesë e parisë shqiptare, për në Itali. Rreth përkrenares ekziston ideja se e ka mbajtur për nder të Pirros së Epirit, pasi edhe ai ka mbajtur po të njëjtën përkrenare.
 

 
Epoka e Skënderbeut e shekullit XV dhe vetë figura e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut ndikoi fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve dhe për rritjen e vetëdijes kombëtare të tyre. Të frymëzuar prej tyre, intelektualë të shquar shqiptarë, i pasqyruan e i përjetuan ato në vepra historike monumentale, në të cilat nisi jetën e vet historiografia shqiptare.
 
Ishte Dhimiter Frângu qe shkroi i pari jetën e Skënderbeut, realisht si u zhvillua, sepse Frângu ishte bashkëshoqërues i gjithë jetës dhe luftërave të Skënderbeut, arkëtar e shoqërues në udhëtimet e Princit Shqiptar, ndrysh nga Marin Barleti ku ka edhe trillime. Shkrimet latinisht të Frângut të vitit 1480, 12 vjet pas vdekjes së Skënderbeut, mjerisht u përvetësuan nga të tjerë, dhe përkthimi dhe botimi i saj italisht u bë më vonë, pas vdekjes së Frângut. Patjetër se vepra e Barletit qe u botua latinisht ne fillim të shek të XVI (1504) kushtuar luftës heroike të arbërve për mbrojtjen e Shkodrës, (rrethimi i Shkodrës) pati jehonë të madhe. Por vepra që e lartësoi figurën e tij si historian humanist është “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, të cilën e botoi italisht në Romë rreth viteve 1508-1510. Kjo vepër voluminoze njohu shumë ribotime në gjuhë e në vende të ndryshme të Evropës. Veprat e M. Barletit u bënë burimi më i rëndësishëm ku patriotët shqiptarë mësonin historinë e epopesë legjendare të shk. XV, kur nuk ishte zbuluar e njohur vepra e Dhimiter Frângut. Periudha e Skënderbeut u përjetësua edhe në vepra të tjera historike nga bashkëkohësit e heroit. Siç e thame një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Skënderbeut, Dhimitër Frângu, shkroi latinisht, në frymën e ideve humaniste të kohës një vepër për jetën e Skënderbeut.
 
Një vepër tjetër e rëndësishme për të njohur shoqërinë shqiptarë të shek. XV është “Historia dhe gjenealogjia e shtëpisë së Muzakajve”, shkruar në italisht më 1510 nga bashkëluftëtari i Skënderbeut, Gjon Muzaka. Ajo mbeti në dorëshkrim dhe, për vlerën që ka për historinë mesjetare shqiptare, botuesi i saj i shek. të XIX më të drejtë e ka cilësuar atë si një “margaritar”.
 
Hero KombëtarGjergj Kastrioti - Skënderbeu (6 maj 1405- 17 janar 1468) sintetizon një epokë të tërë historike që mori emrin e tij: luftën njëshekullore kundër pushtimit osman (fundi i shek. XIV - fundi i shek. XV). Nën udhëheqjen e tij, lufta e shqiptarëve u ngrit në një shkallë më të lartë e më të organizuar dhe shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin politik të Shqipërisë.
 
Gjergj Kastrioti - Skënderbeu ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptarë që udhëhoqi më vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë. Ai realizoi të parin bashkim të shqiptarëve, Lidhjen Shqiptare të Lezhës, e cila hapi rrugën e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar, themeluesi i të cilit u bë ai vetë. Kujdes të veçantë Skënderbeu i kushtoi ruajtjes së burimeve të brendshme ekonomike, tek të cilat u mbështet lufta. Duke fuqizuar mbrojtjen në brezin kufitar, në lindje e në jug, ai i dha mundësi banorëve të viseve të lira të zhvillonin një veprimtari ekonomike deri diku normale.
 


 
Krahas mbrojtjes së vendit, Skënderbeu i kushtoi vëmendje çlirimit të viseve të pushtuara që ndikoi në formimin e mëtejshëm të lidhjeve më banorët e këtyre viseve dhe në forcimin e bashkimin e të gjithë popullit shqiptar. Aftësitë e Skënderbeut si burrë shteti spikatën edhe në marrëdhëniet me vendet e tjera. Duke pasur të qartë së rrezikut osman mund t’i bëhej ballë vetëm më sukses vetëm me forca të bashkuara, Skënderbeu kërkoi pareshtur pjesëmarrjen e vendeve evropiane në luftë kundër armikut të përbashkët.
 
Në kushtet e pabarazisë së theksuar ndërmjet forcave osmane dhe atyre shqiptare, Skënderbeu përpunoi strategjinë dhe taktikën e tij luftarake, në bazë të së cilës qëndronte mendimi se fitorja nuk mund të varej nga numri i ushtarëve. Ai mbante armikun në alarm të përhershëm, i priste rrugën e fuqizimet dhe, pasi e kishte futur në kurth, e godiste me sulme të fuqishme e të befasishme.
 
Skënderbeu u shndërrua në simbol të luftës për liri e pavarësi. Ai mbeti një figurë e dashur për shqiptarët edhe pas vdekjes së tij. Kujtimi i tij mbeti gjithnjë i gjallë nëpër këngët, gojëdhënat e tregimet e shumta popullore që i dhanë atij tiparet e një figure legjendare.
 
Vepra dhe figura e Skënderbeut kishte përmasa dhe rëndësi evropiane. Ai u vlerësua lart nga personalitetet e shquara evropiane të kohës. Këtë e dëshmon edhe fakti së për Skënderbeun është shkruar një literaturë e shumëllojshme, prej qindra vëllimesh, të botuara në shumë gjuhë, dhe në të katër anët e botës. Ndër autorët shqiptarë janë Marin Barleti, Fan Noli, Sabri Godo, Fatos Daci.
 
Thuhet se në një rast Ballaban Pasha i dërgoi Skënderbeut një dhuratë: katër kuaj arab së bashku me një pajisje të shkëlqyer për të nderuar Skënderbeut si një komandant, ndërsa Skënderbeu si përgjigje ìa kthen me një dhuratë të e përbërë nga një shkop bariu dhe një gunë, duke i dhënë të kuptoj Ballaban pashës se do të kishte qenë më shumë i nderuar të ishte një bari i thjeshtë në fshatin e tij, sesa të tradhtonte vendin e tij.
Për popullit shqiptare Skënderbeu bënte mrekulli me shpatën e tij. Ishte menduar se duheshin tre burra të ngrinin shpatën e tij dhe se ai mund të copëtonte shkëmbinj ose shpoj male me të. Në një ngjarje tjetër popullore është thënë gjatë negociatave për paqe Sulltan Mehmedin II, që kishte dëgjuar për shpatën e Skënderbeut i kërkoi atë si një nder Skënderbeut. Skënderbeu pranoi dhe dërgoi shpatën e tij si një dhuratë për sulltanin. Njerëzit e Skënderbeut pas dëgjimit të lajmeve ishin të shqetësuar. Ata i dolën Skënderbeut në lidhje me frikën e tyre se ai i dorëzoi shpatën e tij legjendare, por Skënderbeu qeshi dhe u përgjigj se ai i dorëzoi shpatën e tij, por jo krahun e tij.
Gjatë një betejë të furishme kundër turqve që zgjati përtej muzgut, Skënderbeu urdhëroi disa nga ushtarët e tij të gjenin një tufë me dhi, e u lidhën pishtarë të ndezur brirëve të tyre dhe dërgohen në drejtim të rreshtave të ushtarëve turq gjatë natës. Turqit besuan se u sulmuan nga trupa të shumta shqiptare dhe u larguan me mendimin se u mundën që në numër. Për shërbimin e rëndësishëm të marrë nga ana e këtyre kafshëve, heroin ynë vendosi të përvetësojë imazhin e kafshës si emblemë të tijën, në përkrenaren e tij.
Skënderbeu në shtrat të vdekjes së tij urdhëroi djalin e tij për t'i shpëtuar hakmarrjes turke të largoheshin për në Itali, tha se sa më shpejt të zbarkojë në ranishte të gjente një pemë ku të lidhë kalin e tij dhe shpatën e tij, dhe sa herë që të frynte era turqit të dëgjonin shpatën e tij në ajër dhe hingëllimën e kalit të tij dhe nga frika se nuk do t'a ndiqnin.
Me të përhapur lajmin e vdekjes së Skënderbeut, Turqit vendosën të sulmonin forcat shqiptare sa më shpejt që të përfitonin nga morali i ulët që ngjarja kishte prodhuar. Komandantët shqiptar vendosën të përdornin një dredhi të pazakontë: morën nga shtrati i vdekjes trupin e pajetë të kreut të tyre dhe e hypën mbi kalin e tij, nxitur në luftë me të gjithë ushtrinë e tij prapa. Turqit, u ndien të mashtruar me lajmin e rremë rreth vdekjes së tij dhe u tërhoqën

Fan Noli

Emri i Fan Nolit, Theofan Stilian Noli, është lidhur me gjithë kulturën e re shqiptare të shekullit tonë. Për fat të keq si shumë artistë të mëdhenj shqiptarë, ai lindi dhe vdiq larg atdheut. Por midis këtyre dy datave zemra e tij e madhe rrahu vetëm për Shqipërinë, shpirti i tij krijoi gjëra madhështore që e lartësuan dinjitetin e shqiptarit, kurse në veprimtarinë energjike të përditshme iu përkushtua pavarësisë e tërësisë tokësore të atdheut dhe sidomos demokratizimit të jetës shqiptare.
Vendlindja, Ibrik-tepeja ose Qyteza, një fshat shqiptar në Traki, afër Adrianopojës, si dhe disa fshatra të tjera afër tij ishin për Nolin nga mënyra e jetesës, zakonet e temperamenti, si një copëz e shkëputur nga Shqipëria. Aty shpirti i tij thithi të pastër botën shqiptare, kulturën e gjerë popullore, mori informacionin e parë për historinë e Shqipërisë e jetën e kryetrimit Skënderbe. Pasi kreu në greqisht shkollën fillore dhe gjimnazin, në vitin 1900, në moshën 18 vjeçare, ai u largua nga vendlindja për të mos u kthyer dot më dhe shkoi në Athinë.
Në gjimnazin grek ai ishte njohur me letërsinë antike greke, me letërsinë evropiane e sidomos me veprën e Shekspiri.
Kjo gjë i kishte ngjallur atij dëshirën për ta zgjeruar kulturën e vet, dëshirë që mbeti e zjarrtë në shpirtin e tij deri sa vdiq. Kështu ky djalosh i ri , me interesa të gjera, shëndetlig, por i guximshëm e me një intuitë të zhvilluar, i hyri rrugës së studimeve, që për të ishte mjaft e vështirë, sepse i mungonin mjetet financiare. Pikërisht prej kësaj mungese ai shpejt i ndërpreu ato, të cilat do të mund t`i vazhdonte shumë më vonë, në një moshë të madhe. (Vetëm më 1912 ai kreu studimet e larta dhe u diplomua për arte , kurse më pas në moshën 55-vjeçare, mbaroi konservatorin, dhe në moshën 63-vjeçare mori doktoratën e filozofisë për histori). Për të siguruar jetesën hyri në një shoqëri tramvajesh e me pas si sufler në një teatër. Herë-herë luante edhe ndonjë rol të vogël , por puna në teatër nuk i vleu më tepër, sepse e nxiti të shkruante dramën "Zgjimi", në greqisht, (e cila u ndalua të shfaqej sepse aludonte për lëvizjen shqiptare për liri), dhe me vonë dramën në shqip "Izraelitë e filistinë". Më 1903 shkoi në Egjipt ku punoi për dy vjet si mësues. Gjatë kësaj kohe ai u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit: Thanas Tashkon e Jani Vruhon, të cilët luajtën një rol të rëndësishëm për drejtimin që do të merrte jeta e Fan Nolit. Ata e lidhën atë me lëvizjen patriotike shqiptare edhe ai po në këtë kohë përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit "Shqipëria ç`ka qenë, ç`është e ç`do të bëhet". Më 1906 Noli u dërgua në Amerikë nga patriotët e kolonisë së Egjiptit për organizimin e lëvizjes kombëtare të shqiptarëve të atjeshëm. Brenda një kohe të shkurtër Noli krijoi shoqërinë "Besa-besë", që më pas u shkri në federatën "Vatra"si dhe gazetën "Dielli". Në Amerikë ai u detyrua të bëjë një punë të rëndë që të siguronte jetesën.
Nga gjithë veprimtaritë e kësaj periudhe të jetës politike të Nolit, më e rëndësishmja është shkëputja e kishës ortodokse shqiptare dhe lufta kundër propagandës shoviniste greke. Për këtë qëllimin më 1908 ai u dorëzua prift dhe duke vazhduar traditën e nisur nga Kristoforidhi përktheu shumë libra të ndryshëm të kishës në gjuhën shqipe.
Kur u shpall Pavarësia, Noli përshëndeti qeverinë e Ismail Qemalit, ndërkohë që kishte bërë edhe një udhëtim nëpër Evropë për të mbrojtur çështjen shqiptare. Periudha më e rëndësishme e aktivitetit të tij në të gjitha fushat është dekada 1920-1930. Më 1920 ai, së bashku me patriotë të tjerë, u përpoq dhe arriti të sigurojë pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Më 1921 ai botoi edhe veprën e rëndësishme "Historia e Skënderbeut".
Gjatë viteve `20-24, në krye të opozitës demokratike, Noli zhvilloi një luftë të ashpër në Parlament dhe jashtë tij kundër gjithë forcave reaksionare dhe feudale, duke ngritur zërin për vendosjen e lirive demokratike dhe zbatimin e reformës agrare. Fjalimi i tij mbi varrin e Avni Rrustemit në Vlorë shënoi fillimin e Revolucionit Demokratik në Shqipëri.
Me fitoren e revolucionit Noli u caktua kryetari i qeverisë së re, që doli prej tij, që ishte qeveria me përparimtare në Ballkan. Ajo shpalli një program revolucionar e demokratik, por nuk arriti ta realizojë. Revolucioni Demokratik në Shqipëri u gjend menjëherë i rrethuar nga qëndrimi armiqësor i Fuqive të Mëdha, monarkive dhe qeverive evropiane të shteteve ballkanike. Nolit iu desh të bënte një përpjekje të jashtëzakonshme që qeveria shqiptare të njihej. Por ndërkohë gjithë forcat reaksionare të vendit, të kryesuara nga A. Zogu dhe të ndihmuara nga qeveria jugosllave si nga ana financiare, ashtu edhe me mercenarë bjellogardistë arritën ta rrëzojnë qeverinë demokratike, e cila duke mos pasur kohë të realizojë reformat e shpallura, sidomos reformën agrare, mbeti e shkëputur nga populli. Noli u detyrua të mërgojë jashtë vendit në Austri dhe u dënua me vdekje në mungesë. Gjithë demokratët revolucionarë në mërgim themeluan në Vjenë Komitetin Nacional Revolucionar (Konare) me Nolin si kryetar. Në organin "Liria Kombëtare"
Të këtij Komiteti që dilte në Gjenevë, Noli botoi shumë artikuj që demaskonin Zogun dhe armiqtë e Shqipërisë, fashizmin dhe reaksionin si edhe disa nga poezitë e tij më të mira. Noli u end nëpër Evropë plot tetë vjet, duke mos pushuar së punuari për Shqipërinë, me shpresë se do të vinte një ditë që ai të kthehej përsëri. Por më 1932, kur Zogu arriti të forconte mjaft pushtetin e tij despotik, ai e humbi shpresën dhe u largua për në Amerikë për të mos e parë më kurrë atdheun. Më mirë se gjithçka, gjendjen e rëndë shpirtërore të tij në këtë kohë e shpreh poezia "Moisiu në mal".
Noli
Kryeprofetit dita i ngryset
Dhe shpirtkëputur përdhe përmbyset
Me lot në sy, me zemër të ngrirë
I lyp mëshirë.
Pse kaçë gjatë, Zot, m`arratise,
Pse më përplase, më përpëlise,
Pse shpresën dyzetvjet ma ushqeve,
Dhe sot ma preve?
Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike e publicistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat e Omar Khajamit, Don Kishotin e Servantesit etj. Në gjithë këtë veprimtari politike, patriotike, artistike e shkencore Noli mbeti demokrat konsekuent. Vegjëlia ishte shtresa e vetme që ai vlerësonte, shtresa, tek e cila ai besonte, kurse feudalizmi ishte klasa që ai urreu për vdekje, klasa për të cilën ai s`pati kurrë ndonjë iluzion. Megjithatë si politikan e udhëheqës shteti ai humbi në ndeshjen me feudalizmin, pasi nuk deshi kurrë të përdorej dhuna.
Pasi u vendos në ShBA, u mor me krijimtari letrare, me studime të ndryshme, siç ishte "Bethoveni dhe Revolucioni Francez" etj. dhe me organizimin e veprimtarive të kishës shqiptare në Amerikë, e cila shërbente si qendër e lidhjes së kolonisë shqiptare. Fan Noli mbeti deri në fund të jetës së tij një demokrat i shquar.
Ky vigan i demokracisë e i kulturës shqiptare, te i cili vepron me të njëjtën forcë intuita e artistit shkencëtarit dhe e politikanit, ky patriot i madh që shkriu gjithçka për Shqipërinë, për fat të keq vdiq larg saj më 13 mars 1965 në ShBA, ku ndodhen edhe sot eshtrat e tij.


Marrë nga Gjuha Shqipe

Elena Gjika

Elena Gjika, e njohur me pseudonimin letrat  Dora d'Istria,  është shkrimtare dhe publiciste përparimtare rumune me origjinë shqiptare. U lind në Bukuresht, në vitin 1828), dhe vdiq në Firence  1888. Mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kulturore të Evropës si kundërshtare e sundimit despotik dhe të shtypjes kombëtare. Përkrahu nxehtësisht lëvizjen kombëtare shqiptare, mbajti lidhje të ngushta me veprimtarë të shquar të saj, si: Jeronim De Rada, Dhimitër Kamarda, Zef Jubani, Zef Serembe, Thimi Mitko etj., dhe rrahu mendime për organizimin e lëvizjes kombëtare, sidomos në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Sipas Wikipedia-s, Dora d’Istria vuri në dukje nëpërmjet këngëve popullore/historike luftën shumëshekullore të popullit shqiptar kundër sundimit osman. Është e njohur para opinionit me në varg studimesh: “La nationalité albanaise d'après les chants populaires” (“Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore”, 1866), “Les ecrivains albanais de l’Italie Méridionale” (“Shkrimtarët shqiptarë të Italisë Jugore”, 1867), “Gli albanesi in Rumenia” (“Shqiptarët në Rumani”, 1873) etj. Në shenjë mirënjohjeje për ndihmesën e dhënë në njohjen e çështjes shqiptare nga opinioni publik botëror, patriotët rilindës dhe arbëreshë të Italisë e të Greqisë i kushtuan librin “Dora d'Istrias – Shqiptarët” (“A Dora d'Istria - Gli Albanesi”, 1870), një përmbledhje vjershash patriotike.
 
Shkrimet e Elena Gjikës (Dora d’Istrias), e afirmuar si shkrimtare, publiciste dhe shkencëtare e reputacionit të madh evropian, janë studime të gjera mbi folklorin dhe jetën materiale e shpirtërore të popullit rumun dhe atë të popujve të tjerë të Evropës Juglindore. Duke u mbështetur në baza të shëndosha kritike e shkencore, ajo shkroi për manastiret e Evropës Lindore, duke iu kundërvënë dogmatizmit, formave skolastike dhe jetës së mbyllur. Vepra voluminoze e Dora d’Istrias, “Femeile in Oriente” (“Gratë e Orientit”, Paris, 1860), është një libër atraktiv, në të cilin shprehet adhurimi dhe dashuria ndaj krejt grave të siujdhesës ballkanike, humanizmi dhe mendimi progresiv i autores për emancipimin e tyre. Shkroi pastaj kujtime, studime dhe mbresa udhëtimi nga Alpet e Zvicrës, të Gjermanisë, romane dhe artikuj të panumërt, të shpërndarë nëpër gazeta dhe revista të ndryshme me renome botërore, krejt këto të mbështetura mbi një edukatë të shëndoshë, talent të fuqishëm dhe kulturë të gjerë.
 
Veprat e Dora d’Istrias janë të mbrujtura me idenë e shenjtë të emancipimit kombëtar e ndërkombëtar, të përparimit dhe bashkëpunimit kulturor ndërmjet popujve. Shkrimet e saj gëzojnë një famë të madhe dhe vlerësim të lartë evropian, ndërsa autorja e tyre, sipas mendimit të disa komentatorëve, qëndron krahas autoritetit të Zonjës Stawl dhe George Sanda. Për Elena Gjikën, shqiptarët kanë botuar një sërë monografish, si: Vehbi Bala, “Jeta e Elena Gjikës Dora d’Istrias” (“Mihal Duri”, Tiranë, 1967, 5..000 kopje), Cristia Maksutovici, “Un nume pe nderpet uitat: Dora d’Istria”/“Një emër i harruar me të padrejtë - Dora d’Istria” (“Ararat”, Bukuresht, 1997), Kristia Maksuti, “Elena Gjika dhe Shqiptarët e Rumanisë”, (Çabej, Tetovë, 2001), Ahmet Kondo, “Dora d’Istria për çështjen kombëtare shqiptare”, (“Flesh”, Tiranë, 2002), Cristia Maksutovici, “Dora d’Istria”, (“Kriterion”, Bukuresht, 2004), etj.
 
Princesha e kulturës evropiane
 
Elena Gjika ishte një enciklopedi e gjallë. Përveç shqipes e rumanishtes, komunikonte edhe në pesë gjuhë tjera evropiane. Posedonte një vullnet të hatashëm për hulumtime shkencore dhe mbante korrespondencë e lidhje të drejtpërdrejta me dijetarë e personalitete të shquara të kohës. Për Elena Gjikën ka shkruar për hijeshi poeti Cezar Boliac, shkrimtar dhe personalitet i njohur i kulturës transilvanase, Gheorghe Baritiu, poeti, romancieri dhe eseisti Radu Ionescu, autori i historisë së parë të madhe të Bukureshtit, Grigore Peretz, i cili e filloi përkthimin në rumanisht të veprave të shkrimtares, duke botuar brenda viteve 1876-1877 dy vëllime të mëdha “Operele Doamnei Dora d’Istria” (“Veprat e Zonjës Dora d’Istria”), me një kapacitet prej afro 1.400 faqesh. Para apo pas vitit 1877, sporadikisht janë botuar edhe shkrime e përkthime të tjera të Elena Gjikës. Kah fundi i shek. XIX dhe fillimi i shek. XX, janë botuar artikuj të shumtë, si dhe studime të mëdha në formë broshurash, përkushtuar Dora d’Istrias e të nënshkruara prej dijetarit të madh evropian Nicolae Iorga, kritikut letrar Gheorghe Calinescu, publicistit Magda Nicolaescu Ioan, A. Vasculescu (i cili hartoi për të një broshurë në kuadrin e koleksionit “Njohuri të nevojshme”).
 
Elena Gjika ishte një humaniste e pashoqe. Kishte vizione të qarta politike në shërbim të popujve të vegjël. Studionte një varg kombësish evropiane, sipas folklorit të tyre, duke mos i harruar edhe shqiptarët. Shndrit në këtë drejtim vepra e saj “Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore” Sipas prof. univ. Dimitrie Păcurariu, Elena Gjika është mbretëreshë e kulturës evropiane. Ajo shkroi jo vetëm për emancipimin e femrës rumune, shqiptare e serbe sipas këngëve popullore, por edhe për atë hungareze, bullgare, greke, turke etj. Ajo i ka njohur mirë popujt e Evropës Juglindore, dhe në shkrimet e veta ka përfshirë aspekte nga jeta, historia dhe kultura e këtyre popujve, duke e përkrahur luftën e tyre për liri, pavarësi dhe përparim. Për shembull, në serinë e studimeve mbi këngët popullore të kësaj pjese evropiane, Elena Gjika është orvatur ta deshifrojë karakterin kombëtar të krejt kombeve në mënyrë të barabartë, pa ambicie e xhelozi, duke u mbështetur në reflektimet e krijimtarisë anonime të këtyre popujve. Mu për këtë gjest të hijshëm të dashurisë ndaj popujve të kësaj zone, Dora d’Istria ka qenë shumë e çmuar në shekullin e saj, si nga ana e shkrimtarëve, po ashtu edhe nga ana e qarqeve intelektuale dhe personaliteteve politike të shquara të Evropës.
 
Në njërin nga librat e saj bëhet fjalë edhe për prejardhjen e moçme shqiptare
 
Elena Gjika u lind në Bukuresht, më 2 janar të vitit 1828, ku edhe e kaloi fëmijërinë dhe adoleshencën. Ajo ishte e bija e guvernatorit Mihalache Ghica, i cili nga ana e tij ishte vëlla me sunduesin e Muntenisë, Grigore Ghica (1822-1828) dhe sunduesin e Vllahisë, Alexandru Ghica (1834-1842). Në kohën e sundimit të Aleksandrit, babai i Elenës ishte ministër i Punëve të Brendshme, por, kur ai ra nga posti ministror, familja Gjika u detyrua ta braktisë Bukureshtin. Megjithatë, në shkrime të panumërta të saj, Elena e ka evokuar me një nostalgji përdëllimtare vendlindjen e saj, Bukureshtin e fëmijërisë, shëtitjet e saj, takimin me romancierin e madh rumun, Jon Heliade Rădulescu, për të cilin në studimin “Letërsia rumune” thotë: “Që fëmijë rrija pranë nënës dhe dëgjoja se si Rădulescu, me regëtimë zemre recitonte poemat e veta. Ishim asokohe në afërsi të Bukureshtit, në vilën e poetit, e rrethuar kjo me lule e hije dhe e strehuar prej vapës përvëlimtare të korrikut. Dëgjoja vetëm zërin e tij dhe me sytë e shpirtit ia shihja fantazmat madhështore që riftoheshin prej imagjinatës së tij krijuese. E ruajta me xhelozi kujtimin e këtyre çasteve të çmuara dhe jo më kot, ato ma mësuan dashurinë ndaj lirisë dhe kultin ndaj çdo gjëje që është e madhërishme dhe e shenjtë.”
Ion Ghica është memorialisti më i madh rumun, i shekullit XIX, kushëri i Elena Gjikës. Në një monografi dedikuar Ion Ghikës, Dimitrie Păcurariu e ka përshkruar gjenealogjinë e kësaj familjeje, duke theksuar se familja Gjika ka tradita të vjetra në historinë e trojeve rumune. Dega e saj shquhet që nga shek. XVI, duke dhënë figura autoritative në Moldovë e Vllahi. Në njërin prej librave të veta, Elena Gjika bën fjalë për prejardhjen e moçme shqiptare, të kësaj familjeje të rumanizuar përgjatë gjeneratave, me anë të martesave të përziera me rumunë. Në gjirin e kësaj familjeje kanë lindur edhe shkrimtarë tjerë të shquar, si memorialisti Jon Ghica, i cili në shkrimet e veta e përkujton edhe vëllanë e vet, Pantazi Ghica, dramaturg, prozator dhe publicist i njohur i shekullit XIX. Elena Gjika ndërkaq, mbetet figurë markante e kësaj familjeje, ngaqë ajo për herë të parë, përmes prizmit kritik, argumenteve shkencore dhe artit letrar, i nxori në dritë vetitë më të mira pozitive të popujve të Ballkanit.
 
Dora d’Istria për çështjen kombëtare shqiptare
 
 “Meqë bashkatdhetarët e Skënderbeut janë pellazgë, ata nuk duhet të harrojnë se familjes së ndritur pellazge i është dashur ta mbrojë vendin e të parëve të saj, jo vetëm nga sulltanët, por edhe nga pushtuesit sllavë. Serbi Dushan i ka rrëmbyer Shqipërisë më shumë krahina se padishahu i Stambollit”. Dora d’Istria bën fjalë për Serbinë okupatore të Car Dushanit, për Çamërinë shqiptare, për Tivarin shqiptar, për preokupimet e dijetarëve gjermanë lidhur me prejardhjen dhe betejat legjendare të shqiptarëve kundër pushtimit osman, për Mirditën si “Zemra e Shqipërisë Katolike”, për Katër Shqipëritë (Gegëria, Toskëria, Labëria dhe Çamëria), të cilat Rexhep Voka i Shipkovicës, që para një shekulli i konsideronte si “Katër Kalema”. Elena Gjika është gruaja fisnike që bën fjalë për shqiptarët trima e bujarë, për shqiptarët komb ushtarësh, për këtë popull krenar e sypatrembur. Çfarë mrekullie sikur të ishim të gjithë të këtillë! Kaherë do ta kishim Shqipërinë reale e origjinale, unike e demokratike.
 
Një monografi me vlera të larta shkencore
 
Të shumta janë gratë shqiptare që ia shtojnë namin Shqipërisë dhe shqiptarizmit, që nga mbretëresha Teuta e Ilirisë e deri te Dora d’Istria e Rumanisë. Sinqerisht, po qe se analizojmë faktet, konstatojmë se Rumania ka dhënë dhe është duke dhënë kontribut të madh, edhe për çështjen shqiptare. Duke e falënderuar shkrimtarin elbasanas Milianov Kallupi, na ra në dorë libri më i bukur që kanë shkruar shqiptarët për princeshën rumune me prejardhje shqiptare: Dora d’Istria (1828-1888), e njohur në botën magjike të dijetarëve me dy përkatësi etnike dhe me dy emra të bukur: Elena Gjika (emri origjinal) dhe Dora d’Istria (pseudonim letrar). Është gruaja që bën fjalë për shqiptarët “trima e bujarë”, për shqiptarët “komb ushtarësh”, për këtë popull “krenar e sypatrembur”. Çfarë mrekullie sikur të ishim të gjithë të këtillë! Kaherë do ta kishim Shqipërinë reale e origjinale, unike e demokratike.
 
Dora d’Istria për çështjen kombëtare shqiptare (autor Ahmet Kondo, botoi “FLESH”, Tiranë, 2002), është një libër me vlera të larta shkencore. Autori i saj është historian i mirënjohur, bashkëpunëtor i vjetër shkencor në Institutin e Historisë në Tiranë, autor i një numri të madh botimesh shkencore me karakter historik, pjesa dërrmuese e të cilave i përkasin periudhës magjike të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Zoti Kondo shquhet në botën tonë shkencore me monografitë “Flamuri i Arbrit” (1883-1887), “Drita”-“Dituria” (1884-1885), “Dora d’Istria për çështjen kombëtare shqiptare në letërkëmbimin e saj me Jeronim de Radën” (1971), “Çështja Kombëtare në faqet e shtypit të Rilindjes” (1980), “Lufta kundër analfabetizmit në Shqipëri” (1985), etj. Libri që mban në dorë sot lexuesi (“Dora d’Istria për çështjen kombëtare shqiptare”), është varianti i plotë, i zgjeruar dhe i përpunuar, me burime origjinale mbi shijet paranojake të pansllavizmit dhe panhelenizmit që përgjatë shek. XIX. Në monografi del në pah admirimi i Perëndimit katolik ndaj shqiptarëve, propozimet e Elena Gjikës për hapjen e Akademisë shqiptare në Itali etj. Libri i zotit Kondo mbi Elena Gjikën ka 220 faqe ngjyrë qumështi, të një cilësie të lartë, si dhe do kopertina të bukura me portretin e autorit dhe atë të Dora d’Istrias, këtë të fundit, të riprodhuar nga piktori shqiptar, Zef Shoshi. Redaktore e botimit është Vera Ibrahimi, ndërsa përgatitjen kompjuterike e ka bërë Laurita Hudhri. Flamur Hudhri ndërkaq ka realizuar aspektin grafik të kësaj vepre, e botuar në sajë të mbështetjes financiare të fondacionit për kulturën dhe artet “Fan Noli”. Dora d’Istria bën fjalë për Serbinë okupatore të Car Dushanit, për Çamërinë shqiptare, për Tivarin shqiptar, për preokupimet e dijetarëve gjermanë lidhur me prejardhjen dhe betejat legjendare të shqiptarëve kundër pushtimit osman, për Mirditën si zemra e Shqipërisë katolike, për admirimin e vashave të Shkodrës ndaj princeshës rumune, për Katër Shqipëritë (Gegëria, Toskëria, Labëria dhe Çamëria), të cilat Rexhep Voka i Shipkovicës, që para një shekulli i konsideronte si Katër Kalema.
 
Militante e shquar e lëvizjes shqiptare për çlirim kombëtar
 
105 letrat me karakter atdhetar të Dora d’Istrias dërguar De Radës, si dhe 65 faqet e komentimit të korrespondencës, ku bëhet fjalë edhe për portretin intelektual të kësaj princeshe, përbëjnë lëndën e librit në fjalë. Këto letra, të shkruara frëngjisht, Dora d’Istria ia ka dërguar De Radës brenda viteve 1865-1887, nga Zvicra, Livorno, Venediku, Torino, Firence etj. Ato ndodhen sot, të përkthyera në gjuhën shqipe, në Arkivin Qendror Shtetëror të Tiranës. Po japim vetëm një fragment nga letra që ia drejton De Radës nga Firence, më 7 nëntor 1876, një vit para se ta intensifikojë zullumin Serbia kundër shqiptarëve të Toplicës: “Zotëri! Kam marrë shumë ekzemplarë të Manifestit arbëresh-italian, për të cilin më flisni. Në qoftë se shqiptarët ishin sllavë, atëherë Shqipëria mund ta shqyrtonte çështjen, nëse kombet sllave të gadishullit tonë kanë interes ta përkrahin pansllavizmin. Por, meqë bashkatdhetarët e Skënderbeut janë pellazgë, ata nuk duhet të harrojnë se familjes së ndritur pellazge i është dashur ta mbrojë vendin e të parëve të saj, jo vetëm nga sulltanët, por edhe nga pushtuesit sllavë.. Serbi Dushan i ka rrëmbyer Shqipërisë më shumë krahina se padishahu i Stambollit” Dhe më tej, po në të njëjtën letër vazhdon: “S’ka dyshim, zotëri, se asnjërit nga ne nuk i ra ndërmend t’i sigurojë Perandorisë Osmane, të shkatërruar prej shekujsh nga despotizmi, një jetë të amshuar. S’ka dyshim se ne do të gëzoheshim, sikur filosllavët e Bullgarisë dhe serbët e Bosnjës të arrinin të gëzonin të drejtat që u takojnë gjithë popujve. Por, para së gjithash, ne duhet të punojmë për vetëqenien e shqiptarëve si komb.” (faqe 158-159). Edhe pse për figurën e Dora d’Istrias kanë shkruar studiues të ndryshëm shqiptarë, rumunë dhe të huaj, në këtë libër figura e saj trajtohet për herë të parë në aspektin politik, si militante e shquar, e lëvizjes shqiptare për çlirim kombëtar, dhe atë në dritën e letërkëmbimit të saj me Jeronim de Radën. Varianti i parë i këtij libri e pa dritën e botimit në vitin 1971, mirëpo, Elena Kadare dhe Jusuf Vrioni, ndërkohë shprehën mendimin që në ardhmëri libri të rimerrej përsëri në dorë nga autori, dhe të ribotohej me i plotë, dhe me kritere shkencore më të përpunuara, gjë që u krye. Kjo vepër u ribotua me të njëjtin titull, por me një hyrje të gjerë studimore, me shënime dhe komente të shumta, me një përmbledhje në gjuhën angleze dhe me ilustrime. Libri në fjalë synon të paraqesë në mënyrë më të plotë një figurë të shquar, e cila gjatë tërë jetës u përpoq të bëjë të njohur Shqipërinë dhe popullin e saj në luftën për liri e pavarësi kombëtare, duke vënë në dukje edhe punën e madhe të intelektualëve shqiptarë dhe arbëreshë në shërbim të kombit tonë. Nëpërmjet letrave dërguar De Radës dhe artikujve të shumtë, të botuar në shtypin evropian dhe amerikan, del në pah edhe krenaria e saj për origjinën shqiptare të familjes Gjika të Rumanisë. Dora d’Istria për merita të larta është vlerësuar me shumë dekorata dhe vlerësime të tjera nga vende të ndryshme të botës, madje edhe në Shqipëri. Elena Gjika dhe albanologu Grigore Brenkush, që të dy nga Bukureshti, e kanë konsideruar Shqipërinë si atdheun e tyre të dytë, dhe atë, me dhjetëra libra e qindra studime. Po qe se shkenca nuk ka atdhe, njeriu i shkencës duhet të mendojë përherë për krejt atë që i sjell famë atdheut të vet. Që të dy janë dijetarë, dhe te çdo dijetar i madh do të gjeni para së gjithash një patriot të madh.
 
“Albanica”