SA PËR NJË LLAF
Një Drenicas, burrë i mirë e i urtë se të duash, por që e kishte gjetur e zeza dhe kishte mbetur vejan, pra i kishte vdekur e shoqja. Ai në fakt nuk ishte edhe aq në moshë, kaloi një kohë bukur e gjatë, dhe ai nuk po martohej. Pas disa kohe, në konak i shkojnë tre shokë dhe në bisedë e sipër njëri prej tyre po e pyet: Pse mor burrë nuk u martove deri tash, çka je duke pritur? Ti nuk je edhe aq i vjetër...
Po e shoh edhe unë mor burra se nuk bënë pa u martua, - po u thotë ai shokëve. Me ua thënë të vërtetën, jo edhe aq sa për ato “punët tjera”, por me pas dikë more burra e me ndërrua ndonjë llaf goje, se kam mbetur fillikat i vetëm tërë ditën e ditës e nuk po kam me kë ta bëj një llaf goje...
- Njëri nga ata shokët që ishte më shakaxhiu, po i thotë Drenicasit: Nëse na e jap besën që nuk hyn ma “thellë”, sa për najë llaf goje, na po t’i sjellim gratë tona me radhë!...
QYSH E DERDHI GRUNIN RIZA BLLACA
Kishte pas shkuar Riza Bllaca me shitë pak grurë në Suharekë. Grurin e kishte pas qitur në një thes. Pasi thesin nuk e kishte pas mbushur plotë, e kishte pas hedhur thesin në krah si duq: gjysmën para e gjysmën prapa. Sa hyn në treg, për dreq, i zgjidhet gryka thesit e i derdhet pjesa e parë. Rizahu ulet për ta mbledh grurin. Njëri që e njihte po e pyet:
-Qysh e derdhe grunin Riza?
-M’u derdh bre!
Nuk kaloi shumë e arriti një kumar i Rizahut. Po e shikon e po i thotë:
-Pash rizanë e zotit, kumar, qysh e derdhe grunin?
Rizahu pak i hidhëruar ja pret:
-Rizaja e zotit ta theftë qafën! Qe qysh e derdha.
E ta mori edhe gjysmën tjetër të thesit dhe e derdhi tërë grurin në tokë.
ATA I DINË GJËRAT MA MIRË SE NA!
Në një mbledhim odash elektronike (forum, si po e quajnë) , diku në perëndim, ishin mbledh anëtar e anëtare nga të gjitha anët e shqiptarisë e po bisedonin, diskutonin e debatonin për kontributin e partive të tyre në Epopenë e Lavdishme të UÇK-së. Disa prej tyre po diskutonin, pak ma me „zjarrë“, duke u munduar që me „mjeshtri“ t’i lartësojnë pak edhe liderët e vet, të cilët për luftën vetëm kishin dëgjuar, bile edhe në Beograd!
Dy pjesëtarë të UÇK-së që po i dëgjonin (lexonin) këto “diskutime”, po e pyesin njëri-tjetrin:
- Ku ishin vëlla këta lider kur ishte luftë, kur Kosova digjej flakë, pra kur luftonte UÇK-ja?
- Disa prej këtyre ishin edhe kundër luftës së UÇK-së atë kohë, bile ushtarët e lirisë i quajtën “grupe terroriste...”! Disa bënin qejf në Prishtinë... në Bon... e besa edhe në Tiranë.
- E si po kanë vëlla fytyrë e po krekosen për ta edhe sot e kësaj dite, 9 vite pas luftës! Bile po fyejnë pa fije turpi ata që sakrifikuan edhe më sublimen!
- Besa edhe kanë të drejtë - po i thotë ky tjetri.
- Gjatë gjithë luftës, ne kemi qenë në front, ballë për ballë me shkaun, e nuk kemi pas kohë me i pa gjërat si duhen, e këta “burrat” që po flasin, i dinë gjërat ma mirë se na, sepse, gjithë situatën e kanë përcjell përmes ekraneve televizive, dhe atë ulur në kolltuqe prej lëkure.
NJË PALË TIRQ...
Në Pejë, kishte pasur dikur artizanë të zotët, të cilët i punonin shumë mirë tirqit. Shkon një plak i anës së Pejës, veshur tamam si zotëri, me qelibar e kuti duhanit të bakfanit, shall e shokë, orë me qostek, bastunin dhe myhyrin në dorë e futet te një mjeshtër tirqish, duke i thënë: - unë dua një palë tirq tamam, si të Azem Bejtës!
- Si urdhëroni zotëri, - po i thotë mjeshtri, dhe filloi të ia masë. Mat andej e mat këndej, por kot, atij nuk po i binin tirqit si të Azem Bejtës, në fakt ky zotëria, nga prapanica ishte më i mbushur dhe... Terziu i tirqve u lodhë e po i thotë plakut: - dëgjo mor plak, ty tirqit si të Azemit, nuk të bien pasha bacën se Azem Bejtë Galica tjetër prapanicë ka pasur...
DHËNDRI GRYKËS
Kishte shkuar një dhëndër tek miku i vet. Vjen dreka e miku ja kthen bukën. Dhëndri kishte qenë grykës i madh. Atë ditë i kishin pas disa lloje gjellrash. Vjehrra ju shërbejke e rrike gjithë kohën në këmbë. Dhëndri për secilën gjellë që e qitnin në sofër, thoshte: “Qeky ma ka mytë babën” e t’ju lëshojke e ta hante gjysmën e gjellës. Kur e qitën së fundi hallvën, dhëndri i tha:
-Burra, në paçit qef m’i ditë, bash qekjo ma ka mytë babën, e s’kam si e lshoj! -e nisi të ha ngutshëm në të.
-Valla po m’dhimesh, more dhandër, -ia priti vjehrra -se t’u paska çkepë gjaku i babës e s’po ditke ku m’e lypë ma përpara.
ME LESH MJEKRE
Pas rënies së Komandantit, shumë veta provuan që me anë të mjekrës, ta emitojnë atë! – pra filluan njerëzit t’i lëshojnë mjekrat, e të ecin pak sa krekosur, sa nuk i zinte rruga! Disa provuan besa, brenda në Kosovë, por edhe në mërgatë të dalin me pamje të tilla e herë- herë provuan që edhe para publikut të bëjnë ndonjë monolog etj. S’ka dyshim se qëllimi ishte i mirë, por më duhet t’i kujtojmë se vetëm me lesh, nuk emitohet dot Komandanti Legjendar Adem Jashari, ngase ai leshin e kishte tanë dredha dredha mor vëllezër!...
A PASKA NAJ T’KEQE MJALTA?
Ferat Isufi i Runikut shkon në një gazmend në Suhogërllë. Pasi rraset mjaltë, kishte pas thënë:
-Qet t’mirë e ka mjalta si lahet kollaj, pej luge e pej kalanice.
Aty qëllon edhe Shaban Beja dhe i thotë:
-pse, a paska edhe naj t’keqe mjalta a?
MOS E HAPNI!
Dimër i vështirë, acar e borë e madhe. Nga kjo gjendje ishin mbyllur rrugët Tiranë-Kukës-Prizren, pra ishin bërë të pakalueshme. Ishte thirrur një mbledhje e të dy Qeverive, për të gjetur mundësinë e evitimit të gjendjes. Në një takim që ishte mbajtur, edhe në nivel komune, një plak nga Prizreni, ishte ngritur në këmbë dhe kishte kërkuar që mos të hapet rruga! - u habitën rreth qëndrimit të plakut, dhe i kërkuan sqarim për qëndrimin e tij.
- Po, po- tha plaku, unë jam i mendimit që rrugët mos të hapën, bile sikur të mundja me e mbyllur edhe skelën e Durrësit për ca kohë, në mënyrë që të pushojnë pak hajdutet e të gjitha instancave se na këputën duke na vjedhur, që nga Durrësi e deri në Prishtinë!...
UNË PO E THEJ QAFËN N’BOSTAN
Një zot shtëpie ua ndante punët meshkujve të shtëpisë në mëngjes. Gjithnjë punët më të lehta i ndante për vete. Një ditë po u thotë:
-Ti ke me shkue me berre, ti shko n’mulli, ju dy shkoni në arë e unë po shkoj e po e thej qafën n’bostan.
S’KANKA TI ME SHKUEN N’MAL
Një katundarë shkon në shtëpi të Azem Bejtes dhe e gjen aty vetëm nënën e tij. I lyp pak bukë.
-Bima do bukë se jam nisë me shkue n’mal me Azemin.
Plaka ia pruri një gjysmë buke, pak djathë dhe një sahan me qumësht. U ulë e filloi të haj, dhe e hëngri krejt atë bukë, atë djathë e atë qumësht.
Kur u ngritë, po i thotë nëna e Azemit:
- Uh, loke, t’baftë mirë. Po ti shko tu shpija jote e mos shko n’mal, se Azemi jem, me qita bukë qi hangre ti, gajshtë ditë qindron në mal.
NË ARKIVOL BRENDA!
Diku në anë të Deçanit, dy veta shkojnë për të marrë pjesë në një ceremoni varrimi. Të vdekurin e kishin vu në arkivol, dhe kishte ardhur koha që ta përcillnin për tek varrezat.
Tani kur kortezhi ishte gati të nisej, dy veta ishin rrokur mes vete! Secili mbronte qëndrimin e tij, duke i thënë shoqi- shoqit se duhet ecur para , apo prapa arkivolit?! Ata vendosen me shkua dhe me e pyetur hoxhën, pasi që ishte krijuar shamatë aty.
- Hoxha duke i njohur të dy që nuk ishin tamam në terezi, po ju thotë:
- Pasha zotin ju mor burra ma mirë ka qenë sikur të ishit në arkivol brenda qe të dy, por ja qe zoti këtë tjetrin e ka marrë gabimisht, e ju ndash ecni para e ndash mbrapa arkivolit!
A S’I KENI DY VEGSHA?
Njërit i erdhi mysafirë një jaran i madh. E kishte ndër mend me i bë muhabet e po ja pyet qefin:
-A don me t’shti mish e lakna a mish e pasul për darkë?
- Pse, jaran, a s’i keni dy vegsha a?
PO DIGJET DIÇKA
Në odë të Zekë Qubrelit, ia kishin mësyrë nja 7-8 burra të Mehajve të Prekazit, të cilët me Zekë Qubrelin ishin miq të vjetër.
Pas darke, t’ia krisen muhabetit, natë dimri, muhabet, çaj e duhan deri në mëngjes, duke pre e duke vra armiq tërë natën e gjatë...
Dikur u sos edhe duhani dhe Zeka ua nxori për para një kile duhan të grirë. Këta iu hodhën dhe nga mëngjesi e sosën edhe ata. Pas pak kohe, njëri po thotë:
- More burra, po më duket se po vjen një erë, si në të djegur, pra sikur po digjet diçka?
- Mos u shqetësoni burra, mos u shqetësoni se nuk ka çka digjet tjetër gjë ma, veç duhanit tim që u djeg e u bë shpuzë për tre sahat- ua ktheu Zeka.
PO DO ME M’YTË DUHANI...
Njëri prej Krasmirofcit po i thotë Hajdar Kozhicës:
-Hajdar, po do me m’mytë duhani, se p’i pi fort edhe ka nis me m’zanë n’fytë.
-Po le, bre dashamir, mos e pi ma kurrë!
-paç me lanë, po tutna si po m’lanë ment!
-Valla, bre shoq, edhe qato men si dalin pej marakut t’duahnit, boll pak men janë.
MIRË SE TË PRURI ZOTI!
Një Gjakovar, rastësisht në tregun e perimeve, takon një fshatar të cilin nuk e kishte edhe fort në qejf. Ishte gati mbrëmje, dhe fshatari nuk po i ndahej. Kur shkuan afër shtëpisë, Gjakovari po i thotë: Natën e mirë se unë eca, - u fut brenda dhe ia dha krahun derës. Fshatari po i thotë qe besa edhe unë mbas teje, po hape derën. Ai shtyje derën nga brenda, ky shtyj nga jashtë deri sa u lodhen! Dikur Gjakovari e hapi derën, dhe po i thotë:
- O mirë se të pruri zoti he burrë!
- Jo qe besa, erdha vet me pikë të zorit, se sa për zotin ti ishe duke më lënë në sokak...
QISAJ I THONË LANG E JO KAFE
Shkojnë Llausha te bajraktarët e Hotit. Hotjanët, për t’i provuar se çfarë burrash janë, ju qesin kafe me krip. Kur ua qojnë kafet me krip, ata pleqtë që ishin ulur tek oxhaku, ja filluan e po i pinë kafet me krip dhe nuk po bënin zë.
Një djalë i ri që ishte ulur në fund të çergës, kur e moria kafen për ta pirë dhe kur e pa që ishte me krip, tha:
-O mik, shko bima ni copë bukë ta ngjyjë se na qisajna i thomë lang e jo kafe.
Kur i dëgjoi miku këto fjalë që i foli djali i ri, u qua, e mori djalin dhe e uli në krye të oxhakut dhe i tha plakut që ishte ulur aty:
-Shtyju ma posht se sa ky vend për ty!
E HËNGËR ZALLIN!
Banorët e një fshati, kishin vendosur për ta shtruar rrugën e tyre me një gjatësi prej rreth një kilometër, e cila i lidhte me rrugën e asfaltuar më pas. Për këtë, ata ia besuan punimet një fqinjit të tyre, duke ia dhënë atij të gjitha mjetet për menaxhim- siç po i thonë tani!
Si duket, ky fqinji i tyre “ca nga lekët” i kishte futur në xhepin e vet, dhe pjesën tjetër i kishte shfrytëzuar për rregullimin e rrugës, e që në mungesë lekësh më pastaj nuk e kishte kryer tërësisht rrugën! U hap fjala si era, njerëzit filluan e po i thonë se i hëngër lekët e rrugës. Ky dikur u lodh e po iu thotë:
- Ikni mor burra se nuk u bë kiameti, Ministria e komunikacionit, ka hëngër asfaltin e krejt rrugës Mitrovicë – Pejë të gjatë rreth 100 kilometra e nuk po u thotë kush gjë, e ju më lodhët për një gjysmë kilometër rrugë zalli, që ka sa të duash në lumenjtë tanë!
E KAM NI XHEZVE MASLLAHAT
Një të barilevsit i shkoi një mysafir. Konakxhiu shtini xhezven me kafe në tagar, por u habit duke fol me mysafirin. Xhezvja gufoi dhe u derdhë pak. Po i thotë ky mysafirit:
-E kam ni xhezve masllahat; kallxon kur t’bahet kafja.
-Rueju mos prit me t’kallxue s’dyti, se s’paske çka qet ma n’filxhan! - i tha mysafiri.
QE DY DITË S’PO JA DAJNË PIJES!
Ishte një zotëri i pasur që kishte vetëm një djalë. Djali i kishte pasur disa “jarani” të cilët i vijnë në konak. E shtron për të pirë me ta në kopsht gjithë ditën. Në mbrëmje prapë në dhomë, e të nesërmen prapë në kopsht.
Kur ishin duke pirë këta, rrogëtari i dërgoi lopët për ujë dhe ju dha ujë lopëve. Del zotëria dhe takohet me rrogëtarin që ishte duke i kthyer lopët dhe po e pyet:
-Ku i pate?
-U dhash ujë - tha rrogëtari.
-Kthej apet e jepju ujë!
-Paj s’pinë ma.
Zotëria prapë i thotë:
-Ktheji!
Djali që ishte duke pirë me shokë, po i thotë babës:
-A je n’men o babë? Këto qetash kanë pi e s’pinë ma!
Atëherë babai iu kthye i po i thotë djalit:
-Kto, tuj kanë lopë, masi kanë pi ni herë, s’pinë ma, e ju, a s’po ju vjen marre qi s’po ja dani qe dy ditë pijes?
MË DENONCUAN
Një qytetar i Dardanës, po martonte djalin e vetëm, me këtë rast ai kishte ftuar shumë miq dhe kishte bërë një dasmë të madhe. Tërë natën nuk u ndal pushka, si me pas qenë Luftë!
Të nesërmen të zotin e konakut e rrethuan KFORI me tërë arsenalin e vet, dhe ia morën disa armë. Pasi ikën ata të KFOR-it, po e pyesin fqinjët:
- Ç’të ndodhi kështu mor fqinjë ynë?
- Më denoncoi dikush te policia e KFOR-it, si duket, dhe ata erdhën e mi morën armët!
- Jo, mor komshi, jo- po i thotë njëri prej të pranishmëve, ti denoncove vetën tënde. Po luftë ka qenë e lagja e juaj nuk ia ka bërë as edhe një kapsollë bam! Kurse tani në dasma, syneti, për vit të ri etj. Po doni me na plasur timpanet e veshëve, duke shtirë më armë pa ndalur.
DY VLLAZNIT PIJANECA
Dy vëllezër të Gjakovës ishin pijanecë dhe te dy pinin në një restorant. Vëllai i madh një ditë e piu një gjysmë litër raki dhe shkoi në punë të vetë. Pas pak kohe, erdhi vëllai i vogël dhe po e pyet kamerierin:
-A ke vllau jem ktu?
-Po.
-A piu hiç?
-E piu ‘i gjysmë kille.
-Qitma ni killë, - tha vëllai i vogël - se ai po do me na fikë, he zoti e marroftë!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen