Donnerstag, 23. Mai 2013

Anekdota popullore shqiptare (3)

   Pjesa dërmuese e anekdotave që janë të vendosura më poshtë  janëmarra nga librat: “Anekdota 2”, botuar nga Instituti albanologjik i Prishtinës,  dhe Anekdota popullore (2) i autorit   Mehmet Bislimi  (që pret të dal nga shtypi në fillim të vitit 2009) . 


DO T’U TREGOJ TË GJITHËVE
 
            I kishte pas thënë njëri një shokut të vet:
            -Po t’kallxoj dishka n’besë, po ti kërkuj mos i kallxo!
            Ai tjetri po i thotë:
            -Besa do t’i kallxoj tanve. Masi s’po mun e ruan ti fjalën, kah ta ruaj unë?
 
 
 
            AS MEN AS HIÇ
 
            Kish pas thënë një i Prizrenit:
            -Katunari, kur po bjen n’shehër, pe pinë ni kove raki edhe po bëhet  pijan, e na, shehërnjanët, pe pimë ka ni killë edhe as men as hiç.
 
 
 
            NASTRADINI ME T’BIRIN E MAGARIN
 
            Ishte nisur njëherë Nastradini me djalin e vet dhe me gomarin për udhë. I thotë djalit:
            -Dil e ngute magarin! -E vet në gomarë.
            Po i dëgjon njerëzit ka po thonë:
            -Ma magar kënka ai qi i ka hipë magarit se magari qi p’i qon. Po qysh ai vetë n’magar e djali po ec?!
            Shkoi më tutje e po zbret nga gomari. I thotë djalit:
            -Hip ti n’magar, se unë p’i ngrehi.
            Djali i hipi gomarit e ai duel e po e ngreh. Duke ecur më andej po i dëgjon disa punëtorë tjerë duke thënë:
            -Qy, qy, po budalla qi koka! Shih, plaku vetë e ngreh magarin e djali a hipë n’magar.
            Ecin edhe pak e i hipin te dy gomarit. Prapë po i dëgjon disa tjerë duke thënë:
            -Qy,qy,qy, po budallt qi kënkan! Dy vetë i kanë hipë magarit.
            Ma andej zbresin te dy nga gomari; te dy po ecin pas gomarit. Po i dëgjojnë, prapë do tjerë, kah thonë:
            -Po budallt qi kënkan! Dy vetë shkojnë mas magarit, e magari thatë.
            E tash po thotë Nastradini:
            -Nash hipi, nash zhdrypi magarit, se gjithë nuk bahesh me tanë i mirë.
 
 
 
            SHYQYR QI S’JA DIN LEZETIN...
 
            Kishe qenë një gjakovarë dhe e kishte pas pirë rakinë bukur fort. I kishte pas thënë nëna  e vet:
            -mos e pi rakin bre bir, se hem po i ba zarar shnetit e hem po e fik veten.
            Po i thotë ky nënës:
            -Shyqyr, mor nanë, qi s’ja di ti lezetin sikur unë se, me kanë me ja ditë lezetin edhe ti, mos me pas me shka me ble, edhe dimitë tua i kishe shitë edhe se kishe lanë pa pi raki.
 
 
 
            VEÇ ME PI MË NUK MUNDEM...
 
            Ishin mbledhur disa shokë- thjeshtë për aheng. Kishin ngrënë e pirë bukur mirë, dhe kur erdhi koha për t’u ndarë, nga vera e kuqe, ishin bërë bukur qejfli. Ata ikën secili në drejtimin e vet, dhe Rexhep Lata merr makinën dhe niset në drejtim të shtëpisë së vet. Në një kënd të rrugës e ndalojnë policia e komunikacionit dhe po ia kërkoni dokumentet e makinës- ky edhe ishte gjysmë i dehur, dhe e vërejti mirë se s’kishte më rrugë tjetër- e po u thotë:
         -  Unë u jap dokumentet e çka të doni, veç me pi ma nuk mundem, se kemi pirë së bashku
me disa shokë, sa  jemi bërë xurxull!
 
 
 
            REXHEP HODIÇI E XHEMAJL IZBICA
 
            Kishte pas shkuar Rexhep Hidiçi prej Kline tek Xhemajl Izbica. Duke bërë muhabet ndërmjet veti Xhemajli i thotë Rexhepit:
            -Azem bejta ish kanë shumë burrë i fortë edhe trim i madhë.
            -Jo, abu Xhemajli, Azemi s’vyen kurgja. Hajn dhe cub a kanë.
            Xhemjl Izbica i thotë:
            -Valla ky Mehmet Delija a’trim i fortë!
            Rexhepi prapë i thotë:
            -As ky s’ka vye kurrgja. Plaçkaxhi edhe hajnë a kanë.
            Kësht Xhemajl Izbica të gjithë trimat i përmendi e Rexhepi asnjë nuk ja pranojke.
            Dikur Xhemajli, duke u kujtuar i tha:
            -Rexhep, bre, a veç ti je matë n’drenicë a? Edhe ti mos kofsh, e zoti shpirtin ta marrtë!
 
 
 
            NJAT PUNË BËJ...
 
            Në Tiranë në kohën e tranzicionit, në përgjithësi në Shqipëri si kudo në botë në këto faza, njerëzit humbasin arsyen, ca nga frika e ca nga dezorientim, kështu që lindin hajna, keqpërdorues, kriminel e shumë shtresa tjera të cilët nuk zgjidhnin mjete për të ardhur deri të „pasuria“- tregonte një miku im Ramadan Sula.
            Një ditë, - thoshte ai, doja të shkoja në spital për të parë një mik që ishte i shtrirë atje. Hipa në autobus, pas pak me ofrohet një djalë i ri i cili ngadalë ma kishte futur dorën në xhep. Për fat unë lekët i kisha në xhepin tjetër. E zura dhe po e shikoi: - më e rrahur, nuk kisha fuqi, pastaj ku dinte njeriu i zi, sa veta mund të ishin ata së bashku në autobus?... Ç’të bëja? Më në fund i thash: - ikë or djalë, se edhe axha njat punë bënë!...
 
 
 
            E BAJSH ME SHNET SHAMJEN!
 
            Njëri i kishte pas thënë shokut të vet:
            -T’ka sha filani ty.
            -E bajsh me shnet, se t’paska sha ty, se unë se kam nie - ia ktheu ky.
 
 
 
            M’U NGJIT DHIMTA N’KRYE
 
            Njëri i dhembte këmba. Shkoi te njëfarë mjeku për ta mjekuar. Por mjeku kishte pas qëlluar llafazan i madh, e në vend se me i shikuar këmbën, ja nis e po fletë nja një orë.
            Ky i sëmuri e dëgjoi deri sa u lodh, dhe dikur u çua.
            -Pse po çohesh? A je ardhë m’i shnosh kamën a jo? - po i thotë mjeku.
            -Po, po më mejti kama. Pej fjalve tua dhimta m’u hoq prej kame e m’u ngjit n’krye.
 
 
 
            HASANI PO BËRTET PËR TRI PENT
 
            Në një ndej, njëri folke shumë edhe bërtitke fort sa nuk e la kënd me e qelë gojën. Dikur, ata që e dëgjonin, u mërzitën prej tij, e njëri prej tyre i tha tjetrit:
            -Po na fol edhe ti dishka, se u bamë bajat tuj e ngue veç njanin!
            -Po, po flas edhe unë dishka: Ishin kanë nja tre vetë t’Vraniqit tuj livrue në ni arë, po njani prej tyne, ai ma i mbrami, bërtitke fort. Dikur i zoti i arës i tha kti t’parit:
            -Grahu pak ma tepër, bre bac, se s’ta njeva sot zanin!
            -Boll janë tuj ecë, o mixhë, e sa për za, Hasani po bërtet për tri pent.
 
 
 
            SIKUR TË ISHIM VETËM DY!
 
            Dy shokë të ngushtë, të cilët zakonisht i gjeje bashkë, si në rrugë, punë e ndejë. Ata shpesh shëtisnin në shëtitoren e Gërmisë, dhe bisedonin për gjëra të ndryshme politike. Një ditë duke shëtitur i kishte zënë një mot i lig me shi e erë. Ata, nuk e ndërprenë fare shëtitjen! – ishin lagur deri në palcë, dikur njëri po thotë:
             -  A nuk e sheh, se nga i gjithë populli ynë, vetëm unë e ti jemi duke shëtitur në këtë kiamet!, a nuk jemi ne të dy ca budallenj          -  Jo, e ke gabim, ka më shumë, sikur të ishim vetëm ne të dy, me kohë do të ishte
rregulluar çështja jonë kombëtare, e po besa edhe moti!...
 
 
 
            NUK BAN ME HANGËR GJITH NATËN SALLAT
 
            Erdhi një mysafirë në odën e Ibrahim Bajraktarit i cili kishte qenë llafazan. Ai fliste e fliste e mulla Sherifi e dëgjonte. Hoxha kishte qejf edhe vet me fol, se ishte mësuar nëpër oda, po ai mysafiri nuk ia lëshojke rendin. Dikur e pa edhe vetë që e teproi e tha:
            -Hoxhë, unë jam sallat e mos ma zi për t’madhe.
            Mulla Sherifi atëherë ia priti:
            -More burr, unë kujtoja qi sallatë duhet me qitë ni sahan t’vogël n’sofër, me i dhanë lezet jemekit, e jo me e qitë ni  gjyveç t’madh e me hangër gjithë natën sallatë.
 
 
 
            KRUSHJANI SHET BOSTAN
 
            Një krushjan kishte pas mbjell shalqinj, dhe i bëhet bukur mirë. Kur u poq, e mblodh, e ngarkoi në gomar dhe doli në Prizren për ta shitur. Kur hyni në një lagje të qytetit filloi me bërtit:
            -Hajde bostan, hajde bostan, kush do me ble!
            Duke bërtitur ky me të madhe, në atë moment edhe gomari palli. Tu çua ky e po i thotë:
            -Po ti mor i ngranë i dreqit, a je tuj shitë ti bostan, a unë?
 
 
 
 
            10 MJEK PËRMBI!
 
            Në një fshat të largët, burrë e grua, tek po e shihnin një emision televiziv shkencor për botën shtazore, ku mbi dhjetë mjekë kishin mësy një majmun. Ata po kontrollonin gjendjen e tij shëndetësore.
             - Çka po i bëjnë atij majmuni gjithë ata mjek, o ti njeri, që i paskan hipur përmbi? Me pas kanë njeri, nuk e kishin prekur me dorë, jo-jo, u prishë dynjaja shumë - shfryu halla.
              - Njerëzit nuk i këqyrin, lum plaka ime, se njerëzi ka sa të duash. – të paktën njerëzit tërë bota është duke u munduar se si me i zhdukur, kurse majmunë ka pakë në këtë dynja ( mos shiko ti këtu të ne, që janë bërë me bollëk) – ia ktheu plaku
 
 
 
            FJALA E GRUAS HIN N’VESH E DEL N’GUHË
 
            Dy vetë bisedonin ndërmjet veti. Njëri po e pyet shokun:
            -Cili asht ndryshimi i veshit t’gruas me t’burrit?
            Ky, pasi mendoi pak, tha:
            -Te burri, fjala hin në njanin vesh e del në tjetrin, e te gruaja, fjala hin në njanin e vesh e del n’guhë.
 
 
 
            A E KE BRISKUN TË ÇELIKT?
 
            Njëri shkoi tek berberi për tu rruar. Berberi e kishte pas briskun e keq e këtij të shkretit i digjte lëkura. Dikur nuk u durua e po e pyet berberin:
            -A mos asht qaj brisk prej qeliku a?
            -Ku po e di ti? -ja priti berberi.
            -Po e di se po ja shoh xhixhat para syve t’mi.
 
 
 
            MOS PO E RRUAJ EDHE AT QEN?
 
            Ishte njëri duke u rruar. Berberi e kishte pasur briskun e pa mprehur e këtij i digjte lëkura sa s’bëhej ma. Duke u rruar, ky njeri e dëgjon një qen duke piskatur në rrugë. Atëherë foli:
            -Athua, more çka ka qaj qen qi po pisket? A mos po e rrujnë edha ata a?
 
 
 
            MOS FOL MA!
 
            Në një shtëpi të madhe në Drenicë, meshkuj shumë e të pa punë, jetonin vetëm nga bujqësia.
Mirëpo, ata i kishin punët mirë, ngase e kishin pasur një mashkull në Zvicër, i cili ishte më i riu nga të tjerët, por kur futej ai në odë, nuk ndihej kush për së gjalli, vetëm ai fliste, e besa filluan e po thonë: Qetësi se po fletë baca!...
            Mirëpo, se si ndodhi nuk u mor vesh, dhe ky „baca“ e humbi Zvicrën! Tani baca kujtonte se do ta respektojnë si përpara, dhe vazhdoi të fliste në odë. Dikur njëri nga meshkujt po i thotë:       
            - Të këna dëgjua sa ke qenë në Zvicër, tash mjaftë e mos fol ma, e besa mos e tepro se të
fshijmë dajak e të bëjmë tokë të zezë- s’ka Zvicër, s’ka më bacë!
 
 
 
 
            TË RROFT JANUZI!
 
            Januzi ishte berber por nuk kishte pas ditur të rruaj hiq. Njëri se kishte ditur dhe kishte shkuar për tu rruar tek ai.
            Januziu e mori briskun, doli në oborr e ja nisi për ta rruar. Sa herë i mëshonte me brisk, syri i këtij  qitke lot. Nganjëherë Jonuzi i thoshte:
            -Ktheju pej drite (n’midis t’oborrit).
            Ky i shkreti, që kishte shkuar për tu rruar, duroi sa duroi, e në fund kur u rrua, tha:
            -Aman jarabi, pse thonë hallku për shkado sen: “T’rroftë dreqi!” tu kanë me thanë: “T’rroftë Januzi!”.
 
 
 
            PO T’RRUEJ EDHE UNË TY
 
            Shaban Baja kishte hyrë tek berberi për tu rruar. Pe sheh berberin që ishte bërë më parruar se myshteriu. Kur u rrua, hoqi me e nxjerr qesen e me ja la paratë, po nuk i kishte qëlluar asnjë metalik. I thotë berberit:
            -Qe besa, more mjeshtër, se s’paskna n’xhep asnjë metalik me ta dhanë.
            -Ani çka me ba tash? -e pyeti berberi.
            -S’di -i tha Shabani -çka me ba tjetër, veç ungju se po t’rruaj edhe unë ty!
 
 
 
            QYASH T’I PRIJSH  ASHTU T’DEL
 
            Njëri u takua me hoxhën në mëngjes. Ishte ditë e premte (xhuma).
            -Nadja e mirë, hoxhë!
            -Nadja e mirë!
            -Hoxhë, a ashtë mirë me i ngjitë kitë sot?
            -Mirë a.
            Sa kalo ai erdhi një tjetër. I tha:
            -Hoxhë, a asht keq me i ngjitë kitë sot?
            -Keq a, bre bir.
            -Po pse i the atij: “Mirë a”, e mue: “Keq a?”
            -Ai i prini mirë e i del mirë. Ti i prine keq e t’del keq. Mos gabo kur t’i prijsh se, qysh t’i prijsh asht t’del.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen