Samstag, 2. Februar 2019

Selajdin Shabani

Selajdin Shabani

Selajdin Shabani u lind më 29 shtator të vitit 1969 në fshatin Runicë të Kumanovës. Shkollën fillore dhe të mesme ka mbaruar në Kumanovë e Gjilan, ndërsa Fakultetin Filologjik, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Prishtinë. Për më shumë se një dekadë ka punuar në Radio Shkup dhe për dy vite në Televizionin e  Maqedonisë, programet në gjuhën shqipe. Gjatë kësaj kohe paralelisht ka punuar edhe në gazetën “Flaka”, në  gazetën “Koha Ditore” botimi në Maqedoni; gazetën “Lajm” Maqedoni/Kosovë dhe së fundi në gazetën “Shqip”. 
Ka marrë disa çmime për gazetari dhe poezi.

Veprat:
  • “Ndrydhje”, (1999),poezi, 
  • “Mes stinëve të një gazetari”, (2006), libër me shkrime për konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni
  • ”Përtej Momentit”, (2008), skica e reportazhe nga periodiku i kohës
  • “Më shumë se Unë” (2014), poezi,
  • “Të kam thënë... Lajdins”, (2018), poezi


Poezi nga Selajdin Shabani


JETA ME SHUMË DYER...

Jeta ka më shumë dyer e më pak çelësa,
por pak puthen njëri me tjetrin,
jo të gjithë hyjnë e dalin dhe dyert mbeten të ndryshkura.
e vrimat e derës mbeten frymëmarrje e ndonjëherë edhe shpresë.

Jeta ka edhe deriçka
që sa herë mërzitesh 
ta gjen një ngushëllim.

Jeta ka edhe pirg, ku TI,
mund të shikosh e të mos flasësh
e miku im veç shikon
dhe kërkon shfajësim,
e jetës nuk i mungojnë as dritaret
me perde të bardha e të zeza
ku shikimi tretet larg dhe kthehet në pikën e takimit.

Jeta ka edhe reze dhe lëviz si brava të ndryshkura
me pak dhe shumë borxhe...



NDJESIHOLLË DHE HESHTJE DASHURIE

Dhe mund ta di saktë frymëmarrjen dhe shikimin tënd
por s’po dua ta di, edhe pse e ndjej,
se mendja pastaj më bëhet vërdallë, 
i kam frikë vetes,
Se mund të të trokas vakt e pa vakt
si muzë poetike
të lodrojë e notojë si në baltë
që edhe ashtu s’di të vallëzoj.
Hesht, por endem përreth teje
Si një i huaj, 
që kërkon një të njohur dhe s'e ka takuar moti kohë.
E di se ndjejmë bashkë, 
ndjesihollë dhe heshtje dashurie!

LOJA ME GJARPRIN 

Sa e sa herë kam hy në lojë vdekjeje, 
me ty gjarpër,
edhe kur na kanë thënë se je i shtëpisë dhe mbrojtës i saj, 
dhe të kam sjellë qumësht në shtrofullën e oborrit, të bunarit e arrës 
por unë s'të kam besuar, 
as kur na kanë mësuar, 
se ti nuk sulmon i pari,
kur kam mund ta shuaj etjen dhe të pimë ujë bashkë.
Jo rrallë më ke goditur në sy, 
edhe pse ti i verbër 
më ke mbështjellë për qafe si bollë
dhe më ke kafshuar me dhëmbët helmues:
Edhe në gurë, edhe në lumë, 
edhe në besë, edhe në fushë.
Ti nuk i zbulove gjurmët 
edhe pse ishe me dy kokë edhe në gjumë 
dhe loja me ty mbeti e pafund
Mos i zë besë gjarprit!?
E unë vazhdoj të luaj përsëri me ty, pa ditur se do fitoj ndonjëherë, Gjarpër!?



HESHTJA SI MALLKIM

Sa e sa herë kemi heshtur
Kur është dasht të bërtasim deri në kupë të qiellit
sa e sa herë jemi kallur në heshtje
dhe kemi duruar kafshimin e gjarprit e të qenit
dhe jemi fërkuar si eshkë dimri.
Heshtjerëndë mes nesh:
heshtje varri, heshtje sehiri,
heshtje guximi e heshtje lufte,
heshtje dashurie e heshtje heroi,
duke shkelur nëpër mote,
duke pritur pikat e shiut,
por asnjëherë nuk jemi shterur si pus
dike duruar më shumë se heshtja në heshtje 
duke u mekur në mallkim
e, ne frymojmë në heshtje



TINËZISHT

Duam të jetojmë si në ëndrra e zhgjëndërr,
dhe të dukemi si fisnikë,
por të veprojmë tinëzisht,
hetojmë e jetojmë: herë si gjarpër - me dy kokë, 
t’i fshehim gjuhën dhe këmbët 
dhe të kafshojmë pak nga pak dhe prapë të dukemi faqe e hisebardhë!
Duam të jetojmë: herë si mace nën sofër,
herë si engjëll e herë si dreq
herë si prift e herë si hoxhë
herë si bollë e herë si mollë.
Syrin e kemi shqiponjë,
mendjen vërdallë, 
shija nuk na dihet,
shijojmë çfarë na vjen dhe bëhemi aktorë
herë ëmbël e herë pelin e me naze
ty e mua ndoshta s’na pëlqen
por, na jemi këta në gjen!



DASHURI NË SHIKIM TË PARË

Takimi ynë ishte i rastësishëm
Në një nga rrugët e vjetra të qytetit
shikimet tona u puqen si në
telat e rrymës,
si në pikëpjekjen e shigjetave,
duke u stepur në mes të udhëkryqit 
duke ndalë edhe kalimtarët,
asnjëri nuk lëviznim nga stepja dhe të gjithë na vështronin!?
Kishim harruar se ku jemi:
as që dëgjonim, as nuk lëshonim rrugë
derisa ty të ranë lulet nga dora
të cilat i kishe për dikë tjetër dhe desh mi fale me të dy duart,
dhe mua fishkëllima e tjetrit
më kishte zgjuar nga kllapia, 
ku nuk kisha dëgjuar as orën e dorës që mu thye
duke u ndalë e puqur në 14 e 14!
Unë ika në njërën anë 
por me kokën kthyer pas teje,
por mbeti dashuria në shikim të parë 
duke e kërkuar njëri-tjetrin deri sa u gjetëm te guri dhe rruga e dashurisë!



PËRBETIM I RREJSHËM

Sa e sa herë kemi bërë BE rrejshëm 
në Emër të Zotit 
dhe kemi bërë akte tinëzisht në emër të tij
Sa e sa herë jemi përbetuar në emer të babës e nanës
dhe kemi vjedhur pak jetë
dhe kemi vrarë si shumë dashurinë
dhe kemi e s'kemi kërkuar falje
sikur asgjë nuk ndodh.
Fshihemi pas lotëve, pasqyrës, qëndrimit, dyshimit e lutjeve,
hedhim gurin dhe fshehim dorën
dhe sikur harrojmë 
se Zoti është dëshmitar,
Por edhe Zotin jemi munduar ta gënjejmë,
ashtu siç e kemi gënjyer veten një jetë të tërë e mote pa fund
duke u vonuar në kohën e duhur!


MË SHUMË SE NJË HERË

Kam falur më shumë se një herë
po edhe aq herë kam ulur kokën, 
kam mbyllur sytë sikur që s'po shoh, 
duke vënë syze dielli
kam heshtur edhe kur kam pas të drejtë
por edhe kam bërtitur deri në kupë të qiellit, 
kam ngjirur andej e këndej,
si aktor në një teatër
kam këlthitur me zë e pa zë
si një i trandur përballë vdekjes
kam çjerrë nëpër udhëkryqet e jetës
duke gërvishtur në tokë e në qiell
duke lënë një gjurmë kohe
kam ofshamur e psherëtitur deri sa kam fishkëllyer,
dhe nuk di a kam qenë i mirë apo i egër
për vete apo për të tjerë 
dhe jeta eci si lojë që s’e fiton kurrë!



ME ZJARRMI NËPËR FYTYRË

Si nuk ke një pikë mëshirë?
Ëndrrat për t’i shkrirë!

Si nuk ke një pikë dëshirë?
Ëndrrat për t’i shtrirë!

Si nuk ke një pikë të ngurtë?
Ëndrrat për t’i shthurë!
E ëndrrat vazhdojnë të mbesin ngrirë,
ku as Dielli nuk t’i shkrinë.

Ti vazhdon të mbetesh ngrirë?
Me zjarrmi mbi e nën fytyrë!



IKJE NËPËR HIJEMOTE

Të pata thënë Lajdins
shumë e shumë herë,
se, ikja (s’)është shpëtimi yt,
në një mot e përjetë!
Sa e sa herë pate sprovuar ikjen, Lajdins,
me shpirt e pa shpirt,
po aq herë ishe ndrydhur,
duke mbetur i trandur.
Kohë hijerëndë, Lajdins,
je gjurmë dhe hijëz e kohës.
Ikje: kemi ikur dhe po ikim
si hijelehtë nëpër yje
për të frymuar si shtat e si fije 
dhe për të(mbi)jetuar në retë e vjeshtës.
Po ikim si stinët e vitit, 
me plagët e kriposura,
ikje në heshtje, ikje përtej detit,
ikje si fantazmë, folenë s’e le!
Lajdins!?: SA E URREJE KËTË IKJE!
por, Shqiponja a ik, Lajdins!?



NJË COPËZ JETE

Jeta të jep më pak se e meriton Lajdins
ani pse ke ëndrra dhe ëndje
askush s’të pyet,
edhe pse të gjithë të duan e të lajkatojnë,
kur TI, u duhesh!

Jeta të shtrydh e të ndrydh, Lajdins
ani pse TI je i dashur dhe këndshëm
ajo vjen e fryrë dhe si e gëzuar
por të vret pa mëshirë.

Jeta të vret për ditë nga një ditë, Lajdins
e të fikë ditë e natë,
të shtrëngon si në ankth
dhe të lë pa gjurmë.



PUTHJE SI LUMË

Sa herë të kam puthur
Jam etur edhe më shumë
Nuk jam ndalë si përroskë,
kam vazhduar si lumë
në flokun dhe trupin tënd
edhe në gjysmëdritë, edhe në gjysmëhënë,
edhe në mëngjes, edhe në gjumë!
Kur të kam puthur
Frymëmarrja sa herë më është ndalë,
Po aq herë më është rritur
si tension i zemrës së lartë!

Puthje si lumë



RIKTHIM I VONUAR I DASHURISË

S’të kuptova,
kur koha dhe ora kërkonte t’i puqnim buzët dhe këmbët
dhe të lidheshim si me kthetra,
si mish e thua.
Ika duke të lënë në stuhi toke, 
si krua duke pritur të eturin,
e t'i përballove mote e sfida duke më prit
se do të kthehem një ditë se do të kthehem një stinë
dhe vërtet unë u ktheva ditëve dhe një fundjavë gushti:
më shijove një ditë - tri puthje e ca përqafime,
një ditë tjetër ledhatime
dhe një fillimjave tjetër dashurinë.
Dhe më s'doje t'ia dije për mua
dhe më nuk po takohemi
koha shkel pa dritën e saj
duke të pritur përsëri me një kumt.
Por t’i s'vjen e nuk dukesh askund
dhe nuk lëshon asnjë zë,
pos që më vërtitesh si peng i dashurisë së vonuar!

Freitag, 1. Februar 2019

Demir Reshiti

Demir Reshiti

Demir Reshiti, lindi më 24 qershor 1963 në fshatin Bresanë të komunës së Sharrit (Dragash, Kosovë). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Sharr dhe Skenderaj, ndërsa Fakultetin Ekonomik, Fakultetin e Gazetarisë dhe studimet postdiplomike për gazetari në Universitetin e Prishtinës. 
Shkruan kryesisht poezi, prozë dhe publicistikë. 
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. 
Laureat i çmimeve të para për poezi për fëmijë në “Takimet e Gjeçovit” dhe në manifestimin tradicional “Ora e Tahir Deskut”. 
Libri i tij “Abetaka” është ribotuar nëntë herë.
Aktualisht, punon në Radio Kosova.

Veprat: 
  1. Trung i ndarë, 1992 
  2. Ofshamë,1995
  3. Abetaka, 1995 
  4. Reshje nën Pikëllimë, koautor, 1996
  5. Ngutëm ta kapërcej kohën, 2000
  6. Libri i Mrekullive, 2001 
  7. Libri i Gjeneratës, monografi, 2009
  8. Mik me Diellin, 2012
  9. Luleborë Sharri, monografi - koautor, 2016
  10. Libri i Mrekullive, vjershave të zgjedhura për fëmijë, 2017 
  11. Endje, kritikë letrare, 2019


Poezi nga Demir Reshiti


MË FAL KOSOVË 

Me ujin e pavdekshëm ia lava sytë jetës 
E shkova ta pres pranverën ndër male 
Me mallin për ty u nisa me të gdhirë 
Që ujkun e zi ta godas në ballë 
Përtej çdo vetmie përtej çdo trishtimi 
Ikën ditët, netët, kohët... 
Kalorës kohërash u bëra tërë jetën 
Ç’nuk bëra për ty Kosovë 
Detit ia vodha thellësitë e pafund 
Kur fushës vinte vdekja 
E lumit rridhte gjaku 
Kur korbat nxinin qiellin 
E trishtimi qe bërë pjesë e jetës 
Më fal Kosovë 
Nëse s’kam bërë sa duhet për ty 




MIK ME DIELLIN 

Loti i shpirtit m’u lag nga thatësia 
Mbështetur pas grilave të harresës 
Kokën e shtrydhur nga bindjet e mia 
Terri ma shtyn përtej vdekjes 
Dielli përgjumshëm ngjitet drejt qiellit 
Mëngjesin e mugët qorton 
Përbuz poshtërueshëm këngën e gjelit 
Dita e re sot po vonon 
Gjithë këto vite mbyllur pas grilave 
S’di se çfarë dite çfarë stine çfarë muaji 
Shok kam bërë diellin një rreze të tij 
Më tregon mëngjeset s’më le të vuajë 




UNË I BURGOSURI QË MA KANË PRERË GJUHËN 

Gjumi ka mërguar s’di se ku 
Dhimbja mbi mua shkel me thembër 
Plagët më nxijnë si retë e mugëta të qiellit 
Eshtrat më kërcasin pamëshirshëm në humbëtirë kohe 
Heshtja trishtimin ma shton 
Një pikë e ftohtë djerse shkëputet nga balli që rënkon 
Rri i hutuar si një zog i mërdhirë 
Unë, i burgosuri që ma kanë prerë gjuhën 
Sodis zërat e ujërave që rrokullisen strehëve 
Përgjumjen ma shkund një kërcëllimë shuli 
E dyerve të blinduara që mbyllen si në kor 
Gardiani Daut me një grumbull çelësash në dorë 
Më vështron dhimbshëm 
Mua të burgosurin që ma kanë prerë gjuhën 
E unë i heshtur 
Cicërimat e zogjve mundohem t’i hedh në vargje 
Një klithmë gërryese kapërcen grilat matanë 
Dhe përbuzjen derdh tej portës së blinduar 




MALLIN PIKTUROJ

Mallin pikturoj në një copë qiell
Një shi i ftohtë ma ngrin buzëqeshjen
Dhimbjet i shkruaj në copëza letre të verdha
Dhe si pa kohë nisem rrugës së gjakut tim
Drejt perëndimit të kuqërremtë
Shaloj Kalin e Trojës
Deri te një hije shelgu
Ku merr fund pikturimi
Dhe nis fshirja e kufijve
Këtu
Nën hijen e shelgut vajtues
Këputet kënga e përvajshme
Këtu...




NËNA MIJËVJEÇARE 

Një nënë si zanë mali 
Dallon nga të tjera gra 
Grua që i ndrit balli 
E s’mposhtet si një kala 

Një gruaburrë që lindi titanikë 
E me sy shemb barrierat 
Shpend gjigant sokoleshë 
Një grua jo si të tjerat 

Tërmetet pluhurin ia shkundën 
Që ndër shekuj e kishte në kraharor 
Dallgët e trazuara plagët ia shpërlanë 
Që nga luftëra të gjata kish marrë 

Një shqiponjë jo si të tjerat 
Që pezull rri fluturim 
Dy krahë që na përkëdhelin 
Dy sy që falin dashuri 

Një nënë jo si të tjerat 
E bukur si zanë 
Një nënë mijëvjeçare 
Është nëna jonë 

Mittwoch, 30. Januar 2019

Rifat Ismaili

Rifat Ismaili

Rifat Ismaili ka lindur me 24 mars 1968 në Durrës. Prej vitit 1986 ka filluar të shkruaj dhe të publikoj në gazetat dhe revistat e kohës. Njëkohësisht, është marrur edhe me përkthime.
Nga viti 1991, jeton në Itali. 

Veprat:
  • Tregime, Dea 1997
  • S'jam gjithnje Kolomb, poezi - ese dhe perkthime, Dea 1998
  • Nje vend burrash, roman, Amfioni&Zeti, 2002
  • Dilemat e lirise njerzore, ese dhe shkrime, DDS 2011

Përkthime:
  • Asnje kenge dashurie, tregime nga Carl Bukovski, Naim Frasheri 2002
  • Postieri i Nerudes, Antonio Skarmeta, Ideart 2003


Poezi nga Rifat Ismaili


NË SYTË E MI, KODRAT E TUA, SHQIPËRI

Kaq shume pranvere ne zemer te Firences
Vec dimer kam une ne fytyre
Vjeshta i shkul nga pemet fletet
Nga trupi im me shkul dhe miqte.

Ne syte e mi, kodrat e tua, Shqiperi
Ulen si pellumbat mbi statujat e vjetra
Ne qiell ngrihem me to perseri
Humbim permes endrrash te fshehura.

Nuk i kam as engjejt ketu prane
Te me conin diku ne shtrat perendish.
Te flija gjume me nje pate te bardhe
Te shkruaja i dehur mbi qafa perrish.

Por asgje s'po ndodh ne kete qytet
Vec une endem kot neper muzg
Ne fole dritash ti me rreshqet
Diku brenda meje bie dhe humb.

Dhe une se c'kam tani nje dhembje
Qe dot se bej te arte mengjesin
Marr lumin ta ngjis si ylber ne qiell
Pikat e ujit pa u ngjitur lart vdesin...

C'me shkon mendja tek ty atje
Tek te pafundmet tonat dashuri
Tek te shkurtrat dite te perjetshme
Ku ti si nje meteor i fshehur rri.



LUTJE

Kjo lutje ne heshtje eshte
Per tere ata qe vdiqen
Qe shkuan e u harruan
Per tere minutat e heshtjes
Qe shpirtin ma munduan...
Per joshjen e pare te gruas
Me druajtjen e purpurt te agimit
Per fshehtesine e tingujve
Qe i perngjajne burimit...




DO HYJ NË ZËMRËN TËNDE

Do hyj ne zemren tende
Do hyj e me s'do dal
Se ti me le pa mendje
Se ti me le pa fjale.

Se ti me le pa gjume
Se ti me le pa zjarr
S'kam me c'te mbulohem
Kam ftohte edhe mall...

Se ti me me buzeqeshe
Si nje diell i ngrohte
Ra nje zog ne mbremje
Mbi mua si lot.

Do hyj ne zemren tende
Do hyj e me s'do dal
Si nje kupe me vere,moj
Afsh e endrra me fal.

Hajde,bukuroshe,hajde
Eja mike,vec nje here
Si krua rridh mbi mua
Me laj me pak pranvere.




NUK DUA...

Nuk dua me vere
As veshtrime s'dua te pi
Eja ti hon brenda me merr
Te jem si hici i lire.

Eja ti murg me percill
Ne qiellin pa rikthim
Dua te ndjek pa shprese
Yje e zogj ne udhetim.

Te ndjek kuajt e eres
Kur mbesin larg pa fryme
Ti ve zjarrin vetes
Te bie tokes si bryme.

Se dua lakuriqesine
Nuk dua as fjale te pi.
Do bej dhe pa dashurine
Pa gaz une prape do rri.

Nje shkrep dua te jem
Nje thike mbushur me gjak
Te godas pareshtur veten
Per veten te marr hak.




ME QIRI TË SHUAR

Udheve te panjohura si ere shkoj
Ne trup kam vec gjelberim
Shpesh, kerkoj dicka qe s, eshte
Qe shkon dhe vjen si enderrim.

Shpesh, dhimbjet si rete e zeza
Ne qiellin tim rriten vazhdimisht
Prej vjeshtes, muzgjet e nderprera
Me shkojne si metafora, natyrisht.

Ikjet e mia ne te tjera vende
Ku diell do kete me shume se cdo here
Me mbeten ne mendje si unaza te shkelura
Qiejve bredhin si yje pa shprese.

Porsi shkembinj tek flijohen ne det
Ashtu ne cdo kohe shemben iluzionet
Kerkoj permes permbysjes veten
Me qiri te shuar oreve te vonshme.

27 tetor 1993




LODRA HESHTJEJE

...a s'te duket
se ben ftohte
dicka thyhet
dhe kercet
sado bute
sado lehte-
shkel mbi toke...

Besnik Camaj

Besnik Camaj

Besnik Camaj (1960), është ligjërues i informatikës grafike në Universitetin e Shkencave të Aplikuara, në Yverdon-les-Bains të Zvicrës. Në botën letrare, është i njohur si Bes Camaj.

Veprat:
  • “Grimca të rinisë”,  poezi, 1979, Dukagjini, Pejë, 2011.
  • “Diellit tim”, poezi, Konica Color, Tiranë 2009.
  • “Rrugës jam”, poezi, Toena, Tiranë, 2015.
  • “Leksikon i autorëve shqiptarë në Zvicër”, me bashkautor Shefqet Dibrani, Faik Konica, Prishtinë, 2016.
  • “Strehë dashnie”, OM, Prishtinë, 2018.


Poezi nga vëllimi "Strehë dashnie"


NË KËTË BOTË

të marrë
unë jam rrugë
e ti strehë
që veç pikon
e deh




Kurrë

nuk u bëmë bashkë

sa i ngushtë ky shteg
për t’u ça

sa e shkurt kjo jetë 
për t’u nda




Republikë

strehë e dashnisë sime të pambarueme

anipse copë-copë
kam ra n’dashni me ty edhe pa t’pasë
më ke ngrohë
m’ke dhanë dije e m’ke ba hije
më thërret n’emën e mbiemën
m’i mbron rrënjët edhe fijet
e sa herë dua me t’përshndetë
bahem pluhun i rrugëve tua
t’kapi për strehe
e ngreh kryet me t’pa
e me ta ba me dorë
sakaq shi e breshën m’godet në kokë
bahem qull
rrugë me gropa

kajherë edhe ndoj fërfëllizë
m’i shkund flokët
e m’i çnduk një nga një
veç atyne t’fortave
që janë tha n’qëndresë
e n’pendesë 
kanë marrë ngjyrë shkëmbi 

po unë nuk të lëshoj doresh
se kështu m’ke gatu
edhe nëse të heq ndojherë kur djersij
të vë prapë mbi kokë
s’mundem pa ty

edhe ashtu kimet janë rrallu
të mbramat janë me fat
shkretina po hapnohet nga shkujdesja
tash krejt çka bie mbi
rrëshqet curril
kajshëm e skajshëm

ta dish
aty mbas veshit
i kam mbledhë tana pikat e shiut
e i kam shpërnda në tela t’shpirtit
me u tha e me u tretë bashkë me erën
dhe me atë shijen që s’më hiqet
asnjëherë nga mendja

e dashtun
t’kam ruajtë 
ashtu si kam mujtë
me krahë e pa krahë
në breshën e stuhi
me njëqind mijë telashe
e me shumë kufij

bukur shpesh 
m’asht dridhë zemra
nga veshët e mureve
nga telat shpues
dhe nga anijet e pa kthim

po edhe nga ikja e çasteve 
kur kapeshim për asnji gja
e nuk shiheshim sysh
kur folnim pa mendu
e i kthenim shpinën njani-tjetrit 
në vend që t’i kuronim plagët
pa këmbana
e të jetonim bashkë
me mendje t’ndritun
e dashni t’pafikun

ma e dashtuna ime
të vë prapë mbi kokë
po tash të plotë 
me tana skajet
dhe nuk të heq më
që të më mbrosh
e të më ruash bjeshkët
me gjithë ata shtigje e ata brigje
ku e lashë frymën time
n’vrap me këngë 
për lule t’bukura
dhuratë për gjyshet
nanën
dhe për disa mësues të mirë

dua të m’i ruash 
dhe kthjelltësitë
e Ujit të Ftohtë
të Synit Kaltër n’veri e jug
e të burimit të Drinit
ku futja kambë e duar
për t’nxjerrë një troftë
që s’e kish’ kush atëbotë

dua të ma ruash edhe tamlin
e atij gjini që pikon gurkalanë
dhe ajrin që mban peng atë princeshë
si dhe drithërimat mes mureve
të kanionit tetujvarësh
dhe gjithë ato kështjella 
e mrekulli të tjera
që me një t’hedhun sysh 
m’i përpijnë fjalët
e ma tejmbushin shpirtin fllad

streha ime e dashnisë
edhe matanë
kam me t’mbajtë mbi kokë
mbi vete
deri sa të tretem
në kristalet polifonikë 
të trupit tand
e të bahem gati me rimbi
në një botë tjetër 
me ma shumë dashni

këtu po ndalem pak 
me marrë frymë
e po i bie shkurt 
kësaj rruge të pasosun
me vargje t’mbushuna
që kanë nisë me iu dridhë shkronjat

në fund t’fundit le ta dinë të gjithë
se të dua shëndetplotë
dhe dua me t’pa në dritë t’synit
kur t’mi mbyllësh qepallat
për t’fundit herë

Prishtinë, 11 mars 2017



Në det

u zhyta krejt
mandej
ngrita kryet
si përgjumshëm
hapa sytë 
e brita
pak ujë se vdiqa



N’ecje

çdo ditë 
bregut t’lumtë
e shoh 
nji njeri t’urtë
me një libër të pashkruem 
e të harruem nën sqetull
dhe një tjetër n’dorë

kohë-pas-kohe
e shfleton nga pak 
flladit djersët
merr frymë
e ftyra i del 
n’shesh
tue ça 




Si

shi sigjim
kacavaresha
ujvarës së qiellit

atë ag
ajo 
ofshau butshëm

për të dytën herë
doli në terrasë

vnoi mbathjet mbi tel
e cigaren mbi buzë

dhe më thau tanë jetën
e lume