Mittwoch, 30. Januar 2019

Besnik Camaj

Besnik Camaj

Besnik Camaj (1960), është ligjërues i informatikës grafike në Universitetin e Shkencave të Aplikuara, në Yverdon-les-Bains të Zvicrës. Në botën letrare, është i njohur si Bes Camaj.

Veprat:
  • “Grimca të rinisë”,  poezi, 1979, Dukagjini, Pejë, 2011.
  • “Diellit tim”, poezi, Konica Color, Tiranë 2009.
  • “Rrugës jam”, poezi, Toena, Tiranë, 2015.
  • “Leksikon i autorëve shqiptarë në Zvicër”, me bashkautor Shefqet Dibrani, Faik Konica, Prishtinë, 2016.
  • “Strehë dashnie”, OM, Prishtinë, 2018.


Poezi nga vëllimi "Strehë dashnie"


NË KËTË BOTË

të marrë
unë jam rrugë
e ti strehë
që veç pikon
e deh




Kurrë

nuk u bëmë bashkë

sa i ngushtë ky shteg
për t’u ça

sa e shkurt kjo jetë 
për t’u nda




Republikë

strehë e dashnisë sime të pambarueme

anipse copë-copë
kam ra n’dashni me ty edhe pa t’pasë
më ke ngrohë
m’ke dhanë dije e m’ke ba hije
më thërret n’emën e mbiemën
m’i mbron rrënjët edhe fijet
e sa herë dua me t’përshndetë
bahem pluhun i rrugëve tua
t’kapi për strehe
e ngreh kryet me t’pa
e me ta ba me dorë
sakaq shi e breshën m’godet në kokë
bahem qull
rrugë me gropa

kajherë edhe ndoj fërfëllizë
m’i shkund flokët
e m’i çnduk një nga një
veç atyne t’fortave
që janë tha n’qëndresë
e n’pendesë 
kanë marrë ngjyrë shkëmbi 

po unë nuk të lëshoj doresh
se kështu m’ke gatu
edhe nëse të heq ndojherë kur djersij
të vë prapë mbi kokë
s’mundem pa ty

edhe ashtu kimet janë rrallu
të mbramat janë me fat
shkretina po hapnohet nga shkujdesja
tash krejt çka bie mbi
rrëshqet curril
kajshëm e skajshëm

ta dish
aty mbas veshit
i kam mbledhë tana pikat e shiut
e i kam shpërnda në tela t’shpirtit
me u tha e me u tretë bashkë me erën
dhe me atë shijen që s’më hiqet
asnjëherë nga mendja

e dashtun
t’kam ruajtë 
ashtu si kam mujtë
me krahë e pa krahë
në breshën e stuhi
me njëqind mijë telashe
e me shumë kufij

bukur shpesh 
m’asht dridhë zemra
nga veshët e mureve
nga telat shpues
dhe nga anijet e pa kthim

po edhe nga ikja e çasteve 
kur kapeshim për asnji gja
e nuk shiheshim sysh
kur folnim pa mendu
e i kthenim shpinën njani-tjetrit 
në vend që t’i kuronim plagët
pa këmbana
e të jetonim bashkë
me mendje t’ndritun
e dashni t’pafikun

ma e dashtuna ime
të vë prapë mbi kokë
po tash të plotë 
me tana skajet
dhe nuk të heq më
që të më mbrosh
e të më ruash bjeshkët
me gjithë ata shtigje e ata brigje
ku e lashë frymën time
n’vrap me këngë 
për lule t’bukura
dhuratë për gjyshet
nanën
dhe për disa mësues të mirë

dua të m’i ruash 
dhe kthjelltësitë
e Ujit të Ftohtë
të Synit Kaltër n’veri e jug
e të burimit të Drinit
ku futja kambë e duar
për t’nxjerrë një troftë
që s’e kish’ kush atëbotë

dua të ma ruash edhe tamlin
e atij gjini që pikon gurkalanë
dhe ajrin që mban peng atë princeshë
si dhe drithërimat mes mureve
të kanionit tetujvarësh
dhe gjithë ato kështjella 
e mrekulli të tjera
që me një t’hedhun sysh 
m’i përpijnë fjalët
e ma tejmbushin shpirtin fllad

streha ime e dashnisë
edhe matanë
kam me t’mbajtë mbi kokë
mbi vete
deri sa të tretem
në kristalet polifonikë 
të trupit tand
e të bahem gati me rimbi
në një botë tjetër 
me ma shumë dashni

këtu po ndalem pak 
me marrë frymë
e po i bie shkurt 
kësaj rruge të pasosun
me vargje t’mbushuna
që kanë nisë me iu dridhë shkronjat

në fund t’fundit le ta dinë të gjithë
se të dua shëndetplotë
dhe dua me t’pa në dritë t’synit
kur t’mi mbyllësh qepallat
për t’fundit herë

Prishtinë, 11 mars 2017



Në det

u zhyta krejt
mandej
ngrita kryet
si përgjumshëm
hapa sytë 
e brita
pak ujë se vdiqa



N’ecje

çdo ditë 
bregut t’lumtë
e shoh 
nji njeri t’urtë
me një libër të pashkruem 
e të harruem nën sqetull
dhe një tjetër n’dorë

kohë-pas-kohe
e shfleton nga pak 
flladit djersët
merr frymë
e ftyra i del 
n’shesh
tue ça 




Si

shi sigjim
kacavaresha
ujvarës së qiellit

atë ag
ajo 
ofshau butshëm

për të dytën herë
doli në terrasë

vnoi mbathjet mbi tel
e cigaren mbi buzë

dhe më thau tanë jetën
e lume

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen