Mittwoch, 18. Juli 2018

Bukurije Bushati

Bukurije Bushati

Bukurije Bushati ka lindur në Durrës 18 prill 1956 dhe prej 25 vitesh jeton në Frankfurt të Gjermanisë së bashku me familjen. Ka mbaruar në Universitetin e Tiranës, Fakultetin Juridik. Shkruan poezi, por më shumë i është përkushtuar prozës, në zhanrin e romanit dhe tregimeve. Shkruan edhe për fëmijët. Lexuesi e njeh krijimtarinë e saj në një vëllim me poezi, një përmbledhje tregimesh dhe disa romane. Tematika e krijimtarisë së saj janë temat sociale të aktualitetit me të cilat përballet shoqëria jonë sot. Kryesisht i kushton vëmëndje figurës së gruas dhe rolit që duhet të luajë ajo në shoqëri.

Botimet:

  • “Pafajësi nëne”, roman.
  • “Arta”, roman.
  • “Borjana”, 
  • “Enigma ime, Lira”, roman.
  • “Prostitut më bëri nëna”, roman.
  • “Një mik i mirë”, roman për fëmijë.  
  • “Buzëqshje, me gjurmë lotësh”, tregime.
  • “Shpirti im vagabond”, poezi.
  • “Pesh’ore shpirti”, ese poetike.
  • “3 gojë, të pangopurat e jetës sime”



Cikël poeziish nga Bukurije Bushati


Rutinë

Të njëjtët kalimtarë, 
Të njëjtat zëra,
Rrugës e njëjta frymë ngulçuar,
Postieri nxiton të kap kohën,
E një zarfi të vonuar.

I njëjti shkrim, 
Të njëjtat fjalë,
Përmbajtja e së djeshmes, 
Shkrirë në formën Sot,
Perëndimi tërheq ditën, 
Mbyll sytë,
Hijet fshijnë e rishkruajnë gjurmët,
Diku fshehur nga kjo botë.



Në Dje

Bebja syrit ndez fenerin,
E rruzullit të dritës,
Mjellmë në liqen,
Ngre qepallat e sheh;
Bota si dje!

Bashkon qerpikët dhe fle,
Përsëri kthyer atje.

Bota jashtë bërtet,
Paralelet harkut tërheq,
Qëllon meridianet,
Kontinentet ua vret,
Bebja syrit fle dhe pret,
Në botën e vet!

Orbita hedh zarin e radhës,
Tërheq fort një pe,
Bota zgjohet,
Përsëri në Dje!



Çfarë jemi?

Një histori ngarkuar në akrepat e orës,
Një ngarkim për një shkarkim,
Një kohëzgjatje shkruar kujtimesh,
Me një lot në ardhje dhe një lot në largim!
Jemi mosgjë e bëjmë shumë zhurmë,
Kot, fare kot,
Madje nuk dimë a ekziston, 
A është fantazia jonë kjo botë!



Lutje

Zemërimi i Poseidonit.

Atje kontinenti dridhet nën ethe,
frika ka futur duart e globit në korent,
e dridhet pa fund,
zemërimin përplas brigjeve Poseidon,
shkumë nxjerr buzëve,
tokën tund e shkund...

Mbaj dorën o Zot!
Zemërimin e Poseidonit kaloje shpejt,
sa më pak britma, sa më pak lot,
sa më pak humbje,
e nesërmja të jetë,
përsëri Jetë!

Jemi ndarë kontinenteve,
por zemrat bashkojmë në një,
dridhjet transmetojnë venat e globit,
jam edhe unë atje,
je edhe ti,
duart bashkuar qiellit,
lutemi në Perëndi.

Mbas këtij zemërimi duam qetësi,
duam buzëqeshjet e fëmijëve,
të ndrisë dielli,
të çelë lulja përsëri,
të jetë ditë e qeshur me zë,
Kjo Botë të jetë e bukur,
po lutemi edhe për të!

Shuaja zemërimin O Zot,
Ve dorën e shpëto këtë botë!



Drita

Në një pritë,
Zuri robinë një dritë...
Çfarë më duhet?
Pyet gjahtari;
Luan me të nëpër duar, 
E vendos në sy,
Sheh veten aty,
E shkul shpejt,
Çfarë gjeti në të  vërtetë?
Ajo që pa, 
Ishte hata,
Në skuta të errëta,
I shkonte jeta.

E hodhi përdhe,
E shkeli me këmbë,
E pështyu me inat,
Por drita veç ndriste,
Në shpirtin e tij mbytur natë.

Ishte një dritë,
Që e zuri robinë në pritë,
Çfare ishte drita,
Gjahtari s' e dinte,
E mbyste në ujë,
E përplaste në kallamishte!

Je imja robinë,
Thoshte i xhindosur,
Drita ngjitej qiellit,
Vazhdonte të ndriste dhimbshur,
Gishtat e tij gjakosur!



Malli

Malli mbath kepucët e shpejton hapat,
Me buzë prek qiellin, 
Zbret përsëri në tokë,
Kalon doganën,
Humbet në krahe shtrëngimesh, 
Ul flutura mbi flokë...



Me lotin lot vjeshta

Ti vjeshtën derdh syve,
Para shiut një çast mbetem trishtuar,
Të pyes; 
-Pse loti ka formë të rrumbullakët?-
Ti buzëqesh;
- Po te ishte me cepa, 
Do më kishte gricur faqeve,
Do më kish shëmtuar.-

Loti yt në pëllëmbën e dorës time,
Një bulëzë, një botë,
Një planet i rrumbullakët,
Jetëgjatë sa jeta,
Pse dhe kush ia vuri emrin Lot?

Me Lotin lot vjeshta,
Planetin e mallit as rrufeja s'mund ta godasë,
Unë e shoh tek ulet qerpikeve të tu mbrëmjeve,
E pres deri sa buzëve  pa faj të më shkas



Ky qytet...

Rrugët ma dinë numrin e këmbës,
Peshën e trupit,
Ajri, kapacitetin e mushkrive,
Qielli, qartësinë e mendimeve,
Është qyteti im, që më ka adaptuar,
Dhe unë nuk e gjeta dot veten bijë të tij,
Dhe pse e dua!

Po kthehem. 
Tërheq valixhen e rëndë,
Trotuarit drejt shtëpisë.
Dera ma njeh kodin e hapjes,
Ma njeh prekjen, buzëqesh lehtë,
Nga dritarja zgjasin lulet orchideetë.

Vendos valixhen në cep të derës,
Mendoj, përqark duke hedhur sytë;
A do ta marr guximin një ditë,
Lamtumirë, këtij qyteti t'i them,
E të shkoj të bie, atje mbi rrënjën time,
Atje ku ndjehem e përkëdhelur nga perënditë?

Ky qytet, ma njeh dhimbjen,
Mallim me mua e ndan vesës së mëngjesit,
Psherëtin gjetheve të oborrit
Dhe kur dhimbja më mbyt,
Fillon të gjëmojë qiellit
Dhe gjithçka përmbyt.

E dua edhe këtë qytet,
Nuk di, në do ta le me të vërtetë.



Gradaçelat

Përplasa qepallat syve,
U ndjeva milingonë e harruar,
Poshtë, nën këmbët e madhështisë,
Banore e hapësirave,
Arratisur rrugeve të gjera,
Nën gradaçela duke kaluar.

Vitet rodhen,
Edhe qyteti im u dashurua me gradacielat,
Sot pranë qëndrës,
Përballë bankës ku lahet leku,
Ngrihet kjo gradaçele,
Tani në beton gri,
Nesër, çfarë ngjyre do marrë, nuk e di,

Në qytetin tim,
Gradaçelat u ngritën,
Zgjatën shtatin,
Kapën retë,
Zunë rob diellin,
Duke mbjellur rrëze tyre,
Duart e fëmijëve lypës me lutjen nga qielli!

Tani nuk i dua më gradaçelat,
Më dhembin këmbëve të tyre ata lot,
Dëgjoj zhurmën e eshtrave të thyera,
Dritaret e tyre verbojnë me shkëlqim Dajtin,
Kapin qiellin duke vrarë këtë botë!
____
Për "Ora shqiptare", Sabit Abdyli