Donnerstag, 23. Mai 2013

Anekdota popullore shqiptare (7)

 Nga librat: “Anekdota 1 dhe 2”, botuar nga Instituti albanologjik i Prishtinës


          JA LA N'DORË KAMET E ARUSHËS
 
            Ishin kanë dy vetë. Shkojnë n'mal me pre dru. Aty ish kanë ni arushë. Nget arusha me e kapë njanin, e ky ja ngjet për kamësh. Arusha n'at anë t'lisit e ky n'këtë anë me dy kamët e arushës n'dorë. Arusha s'mujke me luejtë. Ky i thot shoqit:
            - Silli e myte me dru!
            -S'po guxoj, - ja kthen tjetri.
            Hajde kapja kamët ti se i mshoj unë.
            Ai edhe shkon e ja kap kamët. Ky ja len kamët e arushës n'dorë shoqit, e vetë ik.
            Prej qat'herit ka metë fjala: "Ja lanë kamët e arushës n'dorë" për najnja qi e mashtron shoqin e vet.
 
 
 
            DERA E OBORRI  PA GARDH
 
            Nastradini e kish pasë marue shpinë e re. Derën e kish ba kah rruga, midis oborrit, e gardh s'kishte ba hiç. Dera tek, pa gardh, e pyeten:
            -Nastardin, shka ke ba, more, kshtu? Gardh oborri jo, e i ke vnue dyert e oborrit pa gardh?
            Nastardini u përgjegj:
            -Kush a me ftyrë, vjen  e hin nëpër derë t'oborrit. Kush a i paftyrë, nuk hin nëpër derë.
 
 
 
            VEQ NUSJA PASKA PUNUE

            Ni i vërbovcas ish kanë shpi e madhe. N'vakt t'korrave, hinë n'arë nja tridhetë argat, burra e gra. N'bisht t'renit, korrke ni nuse, qi e kishin marrë n'ato ditë.
            I zoti i shpisë, kah dreka,duel me kqyrë si po shkon puna n'arë edhe e pa si ish punue fort për gut edhe keq. U bërtiti fort, po krejt fjalët u munuen me ja lanë nuses.
            -Kush korri kaq nalt? -veti i zoti i shpisë.
            -Nusja valla! -i thanë.
            -Kush la kaq shumë kajzi?
            -Nusja.
            -Kush i qiti dorzat, kaq keq, nëpër duej?
            -Nusja!
            -Kur u kthyen dreka e u rrethekuen n'sofër, i zoti i shpisë i thei bukë veç nuses.
            -Pse s'po na then bukë edhe neve, po veç nuses?
            -Se veç nusja paska punue, e ju paskeni kqyrë.
 
 
 
            MERAKLIA N'GRA
 
            Ish kjen Cubo Jaha; ki pasë fort merak ën gra. Kur  do me dek e le amanet me e shti n'vorr ngat rruge, ka shkojnë gratë me marrë dru në shpinë, edhe ka kthehen.
            E dvesin:
            -Pse p'e le kshtu amanet?
            -Paj e kapi donja t'mirë për kame, edhe për s'dekuni- thotë.
            Ja godisin vorrin skaj rruge. Edhe sot a ky vorr n'Haxhaj, bash n'ni rrugë qi del katundit ën mal.
 
 
 
            DJE S'UM KA PA KUSH ME SY
 
            Bajram Bujupi i kish pasë ngjitë kijet me livrue. Arën e kish pasë n'stom t'udhës. Gjithë ditën kapercyen asajde turli njeri edhe nuk i tha kush "Puna e marë!"
            T'nesrit, shkon me ta edhe e shoqja, me i nimue edhe me iu pri kijeve. Por, at ditë, s'kaperëcei njeri pa i thënë: "Puna e marë!".
            Bajramit iu lodh goja tu' u thanë "O marë e t'mirë paçi!" E shoqja po i thotë:
            -N'koftë si t'thonë përditë qishtu "Puna e marë!", po dojshe me metë pa livrue.
            -Paj po m'thon sod si po livroj me ty, se dje s'um ka pa kush me sy. Bile, ma e udhës asht me u thanë ti "Mire  paçi se une.
           
 
 
            MOS KQYR SHI E DIELL

            Tu Babushi i Kosovës, shkuen disa pej nahijes 'Gjakovës me marrë drith, se ish kanë qesat. Babushi u tha:
            -Unë po u api drith, veç, për pa dalë me kcye nuk jau api.
            Ai pi bjen shoshës (n'ven defit) e po knon ktyne kah po kcejnë.
            Mos kqyr shi e diell, po ngjit kijet e miell.
            Ky tuj knue e ata po kcejnë. Dikur jau dha ka i'gjysë sheke drith.
            E muerën drithin n'shpinë e shkuen.
 
 
 
            TI E DI ÇKA BAN ME TA
 
            E kishin mytë njanin me sakica, se e kishin gjetë keq, n'qiler t'njanit. I kishin metë kti t'mytunit duart përpjetë.  Kur e merr hoxha me e la xhenazen, apet duart përpjetë. Po u thotë:
            -Bimani ni konop!
            -Çka po don, hoxh, a je tranue?
            -Pasha zoten s'jam tranue hiç, po s'p'e len hiç  qefinin.
            Ja prunë konopin. Ta kap e t'ia lidh duart pë trupi, me konop. Kur e quan tu vorri, tha:
            -O more i lumi zot, qeta ta pruna lidht si çausht e mretit qi i bishin lidht gjinen. Ti e di çka ban me ta (nuk ja thirri tallkinin se ish zanë keq).
 
 
 
            SHTRËNGONI BRRYLAT

            Njanit iu kish pasë ba ara pa shati. I bani argat' me e prashitë arën. Argat' punojshin me javashlluk. N'nifarë vakti masdite, gati me prarue dielli, po e shohin qi ara do me metë pa mbarue.
            Pa prarue dielli është edhe ni pushim i vogël për argat, "llullat e vogla" i thonë (e pushimi i masdrekës thirret "pushimi i madh").
            Njani pej atyne argatve po thotë:
            -Kqyrni burra, dojmë me lanë ket pushim, mos më e ba, e me krye arën. Nji tjetër tha:
            -Jo, adetet n'ven dojmë me i çue edhe arën dojmë me e marue, po shtrëngoni brrylat e grahni ma shpejt punës!
 
 
 
            HAJNAT E BORXHLIJT KRYET E MBAJNË ULËT
 
            Kur ish kanë Shemis pasha n'Mitrovicë, ishin kanë vjedhë dugajat natën shumë. Disa prej shehrit shkojnë e i thonë pashës:
            -Çka u ba kjo punë si na fikën hajnat? Me na i gjetë hajnat!
            -Bre burra, - u thotë Shemsi pasha, - une i kishna gjetë hajnat n'pikë dite, po m'u kan përzie me borxhlitë e s'po muj i daj.
            -Qysh kshtu përzihen hajnat me borxhlitë?
            - Se, si borxhlija që shkon me krye ulët e tuj u tutë se mos po e zatet borxhlinë e vet e nuk ka me ja pague, ashtu edhe hajnat shkojnë me krye t'ulët pej tute mos p'e ngjeh kush qi ashte hajn, edhe e kapin.
 
 
 
            SHPIJA PA BAGËTI,SHPI PA BUKË

            Bajram Selmani i Ucës a kanë burrë i mirë. Bjen n'gjak me do shokë. I merr do miq ni ditë e del pej shpije me shkue larg diku kaqkin. Tu ecë natën me ata miq t'vet, untohen edhe qillojnë n'ni katun t'panjoftun. Kur i afrohen ni shpije, donë m'e thirrë t'zotin e shpisë e me i lypë bukë. Bajrami thotë:
            -Mos thirrni dëri sa t'preki oborrin se e marr vesh a ka bukë a jo.
            Masi preku n'tokë,tha:
            - Mos lypni bukë këtu se s'ka.
            Shok't e ti nuk i besuen edhe e thirrën t'zotin e shpis. Kur i lypën bukë, i zoti i shpis u tha:
            -Qe besa, more burra, bukë s'm'ka qillue n'shpi.
            Vazhduen rrugën e teshen n'ni shpi tjetër. Prap po donë me lypë bukë. Prap hini Bajrami n'oborr edhe e preku me dorë oborrin. Oborri ish kanë me fërkema t'gjave, me llom e me dhe.
            U kthye kah shokët e u tha:
            -Kty lypni se ka bukë bollë.
            Edhe përnimen, kur e thirrën t'zotin e shpisë e i lypën bukë, ai u dha sa deshtën.
            Qysh e muer vesh Bajrami qi n'shpinë e parë s'do t'gjejshin bukë e n't'dytën do t'gjejshin? E muer vesh se, kur e preku oborrin e shpisë s'parë me bari e kuptoi se ajo shpi s'e kish kurrni gja t'gjallë. E kur e preku oborrin e shpisë  s'dytë, teshi n'gjurma qi kishin lanë gjaja e gjallë e menoi me veti qi, kur ka ajo shpi gja t'gjalla, ka edhe bukë.
 
 
 
            MU KA MSUE DORA
 
            Ni rahavecjan, sa herë hike n'dugajë t'ni kavaçi, ja vidhe ka ni patkue kali. Kavaçi, dej dikur i vike keq me i thanë, se hajni u dokke burrë i mirë e i pashëm. Po, kur e teproi, ni ditë n't'vetum, i tha:
            -Pse, bre zotni, po m'i merr patkojt?
            -Shko n'filan ven t'i kam lanë krejt patkoj e merri se mue s'um vyejnë kurrgja - i tha "zotnija", - po m'u ka msue dora pej vakti me marrë bile diçka, ku t'hi. Kur t'msohet dora, zor a m'i lanë kit t'shkretën hajni.
 
 
 
            I VJEDHI OPINGËT E MIJA
 
            Ni i shtupelas shkon për pazar n'Pejë. Kur kryhet pazari, kah mremja e merr ikën dathë nëpër sakaqe t'shehrit. Gjinja e hyqmetit po kujtojnë si ka vjedhë naj sen i fluken mas e zanë. Kah e bastisin, ja gjajnë ni parë opanga, si i kish pas  shti n'gji.
            E veten:
            -T'kujt i kije kto opanga?
            -T'mijat, valla.
            -Ani pse pra opangat n'gji, e vetë tuj ikë dathë.
            -Se atë dirë si kryhet pazari e s'un vjedhi kurrgja, pej inatit, i vjedhi bile opnagat e mija, e ngas sa t'muj me ikë tuj nga nëpër shehër.
 
 
 
            HAJT, KOSË BRE, RRAS PITE
 
            Ish kanë njani tu' kositë. Baqica i kish pa' thanë:
            -A po don me t'pru herët bukë e krypë a dikur ma vonë me t'pru pite për drekë? Kujtohet. Thotë:
            -Hajt se p'e pres piten dikur ma vonë.
            E ti n'grahi kosës. E muer uja e ment te pitja qi ka me i ardhë. I folke kosës: "Hajt kosë bre, rras pite! Hajt, kosë bre, rrasë pite", se ish tuj e pritë piten kur po i vjen. Edhe kositke me qejf.
            Baqica dikur i qoi bukë e krypë e lang, po i kish pa' ardh amël, sikur me kanë tu' hangër pite, se ish untue tuj punue.
 
 
 
            NESER JA NIEN ZANIN
 
            Nastradini hoxha ish kanë tu'e  vjedhë ni dugajë. Kur ish kanë tu ja pre drynin dugajës, asajde kalon ni njeri dhe e dvet:
            -Nastardin, çka po ban aty?
            -Po i bi lahutës - përgjigjet ai gjakftohtë.
            -Po pse s'po nihet zani?
            -Nesër ja nine zanin - tha Nastradini.
 
 
 
            QATY P'E DI QI NI DREQ ASHT
 
            E dveti njani tjetrin:
            -Allahile, bre dost, a din me m'kllxue, a ka zot?
            -Vallaha, more dosti jem, s'e di as vetë veç qysh po i la dorzat e grunit në pramje n'arë, në sabah s'po i gjaj. Qaty p'e di qi ni dreq i madh asht - ja priti tjetri.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen