Elena Gjika, e njohur me pseudonimin letrat Dora d'Istria, është shkrimtare dhe publiciste përparimtare rumune me origjinë shqiptare. U lind në Bukuresht, në vitin 1828), dhe vdiq në Firence 1888. Mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kulturore të Evropës si kundërshtare e sundimit despotik dhe të shtypjes kombëtare. Përkrahu nxehtësisht lëvizjen kombëtare shqiptare, mbajti lidhje të ngushta me veprimtarë të shquar të saj, si: Jeronim De Rada, Dhimitër Kamarda, Zef Jubani, Zef Serembe, Thimi Mitko etj., dhe rrahu mendime për organizimin e lëvizjes kombëtare, sidomos në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Sipas Wikipedia-s, Dora d’Istria vuri në dukje nëpërmjet këngëve popullore/historike luftën shumëshekullore të popullit shqiptar kundër sundimit osman. Është e njohur para opinionit me në varg studimesh: “La nationalité albanaise d'après les chants populaires” (“Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore”, 1866), “Les ecrivains albanais de l’Italie Méridionale” (“Shkrimtarët shqiptarë të Italisë Jugore”, 1867), “Gli albanesi in Rumenia” (“Shqiptarët në Rumani”, 1873) etj. Në shenjë mirënjohjeje për ndihmesën e dhënë në njohjen e çështjes shqiptare nga opinioni publik botëror, patriotët rilindës dhe arbëreshë të Italisë e të Greqisë i kushtuan librin “Dora d'Istrias – Shqiptarët” (“A Dora d'Istria - Gli Albanesi”, 1870), një përmbledhje vjershash patriotike.
Shkrimet e Elena Gjikës (Dora d’Istrias), e afirmuar si shkrimtare, publiciste dhe shkencëtare e reputacionit të madh evropian, janë studime të gjera mbi folklorin dhe jetën materiale e shpirtërore të popullit rumun dhe atë të popujve të tjerë të Evropës Juglindore. Duke u mbështetur në baza të shëndosha kritike e shkencore, ajo shkroi për manastiret e Evropës Lindore, duke iu kundërvënë dogmatizmit, formave skolastike dhe jetës së mbyllur. Vepra voluminoze e Dora d’Istrias, “Femeile in Oriente” (“Gratë e Orientit”, Paris, 1860), është një libër atraktiv, në të cilin shprehet adhurimi dhe dashuria ndaj krejt grave të siujdhesës ballkanike, humanizmi dhe mendimi progresiv i autores për emancipimin e tyre. Shkroi pastaj kujtime, studime dhe mbresa udhëtimi nga Alpet e Zvicrës, të Gjermanisë, romane dhe artikuj të panumërt, të shpërndarë nëpër gazeta dhe revista të ndryshme me renome botërore, krejt këto të mbështetura mbi një edukatë të shëndoshë, talent të fuqishëm dhe kulturë të gjerë.
Veprat e Dora d’Istrias janë të mbrujtura me idenë e shenjtë të emancipimit kombëtar e ndërkombëtar, të përparimit dhe bashkëpunimit kulturor ndërmjet popujve. Shkrimet e saj gëzojnë një famë të madhe dhe vlerësim të lartë evropian, ndërsa autorja e tyre, sipas mendimit të disa komentatorëve, qëndron krahas autoritetit të Zonjës Stawl dhe George Sanda. Për Elena Gjikën, shqiptarët kanë botuar një sërë monografish, si: Vehbi Bala, “Jeta e Elena Gjikës Dora d’Istrias” (“Mihal Duri”, Tiranë, 1967, 5..000 kopje), Cristia Maksutovici, “Un nume pe nderpet uitat: Dora d’Istria”/“Një emër i harruar me të padrejtë - Dora d’Istria” (“Ararat”, Bukuresht, 1997), Kristia Maksuti, “Elena Gjika dhe Shqiptarët e Rumanisë”, (Çabej, Tetovë, 2001), Ahmet Kondo, “Dora d’Istria për çështjen kombëtare shqiptare”, (“Flesh”, Tiranë, 2002), Cristia Maksutovici, “Dora d’Istria”, (“Kriterion”, Bukuresht, 2004), etj.
Princesha e kulturës evropiane
Elena Gjika ishte një enciklopedi e gjallë. Përveç shqipes e rumanishtes, komunikonte edhe në pesë gjuhë tjera evropiane. Posedonte një vullnet të hatashëm për hulumtime shkencore dhe mbante korrespondencë e lidhje të drejtpërdrejta me dijetarë e personalitete të shquara të kohës. Për Elena Gjikën ka shkruar për hijeshi poeti Cezar Boliac, shkrimtar dhe personalitet i njohur i kulturës transilvanase, Gheorghe Baritiu, poeti, romancieri dhe eseisti Radu Ionescu, autori i historisë së parë të madhe të Bukureshtit, Grigore Peretz, i cili e filloi përkthimin në rumanisht të veprave të shkrimtares, duke botuar brenda viteve 1876-1877 dy vëllime të mëdha “Operele Doamnei Dora d’Istria” (“Veprat e Zonjës Dora d’Istria”), me një kapacitet prej afro 1.400 faqesh. Para apo pas vitit 1877, sporadikisht janë botuar edhe shkrime e përkthime të tjera të Elena Gjikës. Kah fundi i shek. XIX dhe fillimi i shek. XX, janë botuar artikuj të shumtë, si dhe studime të mëdha në formë broshurash, përkushtuar Dora d’Istrias e të nënshkruara prej dijetarit të madh evropian Nicolae Iorga, kritikut letrar Gheorghe Calinescu, publicistit Magda Nicolaescu Ioan, A. Vasculescu (i cili hartoi për të një broshurë në kuadrin e koleksionit “Njohuri të nevojshme”).
Elena Gjika ishte një humaniste e pashoqe. Kishte vizione të qarta politike në shërbim të popujve të vegjël. Studionte një varg kombësish evropiane, sipas folklorit të tyre, duke mos i harruar edhe shqiptarët. Shndrit në këtë drejtim vepra e saj “Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore” Sipas prof. univ. Dimitrie Păcurariu, Elena Gjika është mbretëreshë e kulturës evropiane. Ajo shkroi jo vetëm për emancipimin e femrës rumune, shqiptare e serbe sipas këngëve popullore, por edhe për atë hungareze, bullgare, greke, turke etj. Ajo i ka njohur mirë popujt e Evropës Juglindore, dhe në shkrimet e veta ka përfshirë aspekte nga jeta, historia dhe kultura e këtyre popujve, duke e përkrahur luftën e tyre për liri, pavarësi dhe përparim. Për shembull, në serinë e studimeve mbi këngët popullore të kësaj pjese evropiane, Elena Gjika është orvatur ta deshifrojë karakterin kombëtar të krejt kombeve në mënyrë të barabartë, pa ambicie e xhelozi, duke u mbështetur në reflektimet e krijimtarisë anonime të këtyre popujve. Mu për këtë gjest të hijshëm të dashurisë ndaj popujve të kësaj zone, Dora d’Istria ka qenë shumë e çmuar në shekullin e saj, si nga ana e shkrimtarëve, po ashtu edhe nga ana e qarqeve intelektuale dhe personaliteteve politike të shquara të Evropës.
Në njërin nga librat e saj bëhet fjalë edhe për prejardhjen e moçme shqiptare
Elena Gjika u lind në Bukuresht, më 2 janar të vitit 1828, ku edhe e kaloi fëmijërinë dhe adoleshencën. Ajo ishte e bija e guvernatorit Mihalache Ghica, i cili nga ana e tij ishte vëlla me sunduesin e Muntenisë, Grigore Ghica (1822-1828) dhe sunduesin e Vllahisë, Alexandru Ghica (1834-1842). Në kohën e sundimit të Aleksandrit, babai i Elenës ishte ministër i Punëve të Brendshme, por, kur ai ra nga posti ministror, familja Gjika u detyrua ta braktisë Bukureshtin. Megjithatë, në shkrime të panumërta të saj, Elena e ka evokuar me një nostalgji përdëllimtare vendlindjen e saj, Bukureshtin e fëmijërisë, shëtitjet e saj, takimin me romancierin e madh rumun, Jon Heliade Rădulescu, për të cilin në studimin “Letërsia rumune” thotë: “Që fëmijë rrija pranë nënës dhe dëgjoja se si Rădulescu, me regëtimë zemre recitonte poemat e veta. Ishim asokohe në afërsi të Bukureshtit, në vilën e poetit, e rrethuar kjo me lule e hije dhe e strehuar prej vapës përvëlimtare të korrikut. Dëgjoja vetëm zërin e tij dhe me sytë e shpirtit ia shihja fantazmat madhështore që riftoheshin prej imagjinatës së tij krijuese. E ruajta me xhelozi kujtimin e këtyre çasteve të çmuara dhe jo më kot, ato ma mësuan dashurinë ndaj lirisë dhe kultin ndaj çdo gjëje që është e madhërishme dhe e shenjtë.”
Ion Ghica është memorialisti më i madh rumun, i shekullit XIX, kushëri i Elena Gjikës. Në një monografi dedikuar Ion Ghikës, Dimitrie Păcurariu e ka përshkruar gjenealogjinë e kësaj familjeje, duke theksuar se familja Gjika ka tradita të vjetra në historinë e trojeve rumune. Dega e saj shquhet që nga shek. XVI, duke dhënë figura autoritative në Moldovë e Vllahi. Në njërin prej librave të veta, Elena Gjika bën fjalë për prejardhjen e moçme shqiptare, të kësaj familjeje të rumanizuar përgjatë gjeneratave, me anë të martesave të përziera me rumunë. Në gjirin e kësaj familjeje kanë lindur edhe shkrimtarë tjerë të shquar, si memorialisti Jon Ghica, i cili në shkrimet e veta e përkujton edhe vëllanë e vet, Pantazi Ghica, dramaturg, prozator dhe publicist i njohur i shekullit XIX. Elena Gjika ndërkaq, mbetet figurë markante e kësaj familjeje, ngaqë ajo për herë të parë, përmes prizmit kritik, argumenteve shkencore dhe artit letrar, i nxori në dritë vetitë më të mira pozitive të popujve të Ballkanit.
Dora d’Istria për çështjen kombëtare shqiptare
“Meqë bashkatdhetarët e Skënderbeut janë pellazgë, ata nuk duhet të harrojnë se familjes së ndritur pellazge i është dashur ta mbrojë vendin e të parëve të saj, jo vetëm nga sulltanët, por edhe nga pushtuesit sllavë. Serbi Dushan i ka rrëmbyer Shqipërisë më shumë krahina se padishahu i Stambollit”. Dora d’Istria bën fjalë për Serbinë okupatore të Car Dushanit, për Çamërinë shqiptare, për Tivarin shqiptar, për preokupimet e dijetarëve gjermanë lidhur me prejardhjen dhe betejat legjendare të shqiptarëve kundër pushtimit osman, për Mirditën si “Zemra e Shqipërisë Katolike”, për Katër Shqipëritë (Gegëria, Toskëria, Labëria dhe Çamëria), të cilat Rexhep Voka i Shipkovicës, që para një shekulli i konsideronte si “Katër Kalema”. Elena Gjika është gruaja fisnike që bën fjalë për shqiptarët trima e bujarë, për shqiptarët komb ushtarësh, për këtë popull krenar e sypatrembur. Çfarë mrekullie sikur të ishim të gjithë të këtillë! Kaherë do ta kishim Shqipërinë reale e origjinale, unike e demokratike.
Një monografi me vlera të larta shkencore
Të shumta janë gratë shqiptare që ia shtojnë namin Shqipërisë dhe shqiptarizmit, që nga mbretëresha Teuta e Ilirisë e deri te Dora d’Istria e Rumanisë. Sinqerisht, po qe se analizojmë faktet, konstatojmë se Rumania ka dhënë dhe është duke dhënë kontribut të madh, edhe për çështjen shqiptare. Duke e falënderuar shkrimtarin elbasanas Milianov Kallupi, na ra në dorë libri më i bukur që kanë shkruar shqiptarët për princeshën rumune me prejardhje shqiptare: Dora d’Istria (1828-1888), e njohur në botën magjike të dijetarëve me dy përkatësi etnike dhe me dy emra të bukur: Elena Gjika (emri origjinal) dhe Dora d’Istria (pseudonim letrar). Është gruaja që bën fjalë për shqiptarët “trima e bujarë”, për shqiptarët “komb ushtarësh”, për këtë popull “krenar e sypatrembur”. Çfarë mrekullie sikur të ishim të gjithë të këtillë! Kaherë do ta kishim Shqipërinë reale e origjinale, unike e demokratike.
Dora d’Istria për çështjen kombëtare shqiptare (autor Ahmet Kondo, botoi “FLESH”, Tiranë, 2002), është një libër me vlera të larta shkencore. Autori i saj është historian i mirënjohur, bashkëpunëtor i vjetër shkencor në Institutin e Historisë në Tiranë, autor i një numri të madh botimesh shkencore me karakter historik, pjesa dërrmuese e të cilave i përkasin periudhës magjike të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Zoti Kondo shquhet në botën tonë shkencore me monografitë “Flamuri i Arbrit” (1883-1887), “Drita”-“Dituria” (1884-1885), “Dora d’Istria për çështjen kombëtare shqiptare në letërkëmbimin e saj me Jeronim de Radën” (1971), “Çështja Kombëtare në faqet e shtypit të Rilindjes” (1980), “Lufta kundër analfabetizmit në Shqipëri” (1985), etj. Libri që mban në dorë sot lexuesi (“Dora d’Istria për çështjen kombëtare shqiptare”), është varianti i plotë, i zgjeruar dhe i përpunuar, me burime origjinale mbi shijet paranojake të pansllavizmit dhe panhelenizmit që përgjatë shek. XIX. Në monografi del në pah admirimi i Perëndimit katolik ndaj shqiptarëve, propozimet e Elena Gjikës për hapjen e Akademisë shqiptare në Itali etj. Libri i zotit Kondo mbi Elena Gjikën ka 220 faqe ngjyrë qumështi, të një cilësie të lartë, si dhe do kopertina të bukura me portretin e autorit dhe atë të Dora d’Istrias, këtë të fundit, të riprodhuar nga piktori shqiptar, Zef Shoshi. Redaktore e botimit është Vera Ibrahimi, ndërsa përgatitjen kompjuterike e ka bërë Laurita Hudhri. Flamur Hudhri ndërkaq ka realizuar aspektin grafik të kësaj vepre, e botuar në sajë të mbështetjes financiare të fondacionit për kulturën dhe artet “Fan Noli”. Dora d’Istria bën fjalë për Serbinë okupatore të Car Dushanit, për Çamërinë shqiptare, për Tivarin shqiptar, për preokupimet e dijetarëve gjermanë lidhur me prejardhjen dhe betejat legjendare të shqiptarëve kundër pushtimit osman, për Mirditën si zemra e Shqipërisë katolike, për admirimin e vashave të Shkodrës ndaj princeshës rumune, për Katër Shqipëritë (Gegëria, Toskëria, Labëria dhe Çamëria), të cilat Rexhep Voka i Shipkovicës, që para një shekulli i konsideronte si Katër Kalema.
Militante e shquar e lëvizjes shqiptare për çlirim kombëtar
105 letrat me karakter atdhetar të Dora d’Istrias dërguar De Radës, si dhe 65 faqet e komentimit të korrespondencës, ku bëhet fjalë edhe për portretin intelektual të kësaj princeshe, përbëjnë lëndën e librit në fjalë. Këto letra, të shkruara frëngjisht, Dora d’Istria ia ka dërguar De Radës brenda viteve 1865-1887, nga Zvicra, Livorno, Venediku, Torino, Firence etj. Ato ndodhen sot, të përkthyera në gjuhën shqipe, në Arkivin Qendror Shtetëror të Tiranës. Po japim vetëm një fragment nga letra që ia drejton De Radës nga Firence, më 7 nëntor 1876, një vit para se ta intensifikojë zullumin Serbia kundër shqiptarëve të Toplicës: “Zotëri! Kam marrë shumë ekzemplarë të Manifestit arbëresh-italian, për të cilin më flisni. Në qoftë se shqiptarët ishin sllavë, atëherë Shqipëria mund ta shqyrtonte çështjen, nëse kombet sllave të gadishullit tonë kanë interes ta përkrahin pansllavizmin. Por, meqë bashkatdhetarët e Skënderbeut janë pellazgë, ata nuk duhet të harrojnë se familjes së ndritur pellazge i është dashur ta mbrojë vendin e të parëve të saj, jo vetëm nga sulltanët, por edhe nga pushtuesit sllavë.. Serbi Dushan i ka rrëmbyer Shqipërisë më shumë krahina se padishahu i Stambollit” Dhe më tej, po në të njëjtën letër vazhdon: “S’ka dyshim, zotëri, se asnjërit nga ne nuk i ra ndërmend t’i sigurojë Perandorisë Osmane, të shkatërruar prej shekujsh nga despotizmi, një jetë të amshuar. S’ka dyshim se ne do të gëzoheshim, sikur filosllavët e Bullgarisë dhe serbët e Bosnjës të arrinin të gëzonin të drejtat që u takojnë gjithë popujve. Por, para së gjithash, ne duhet të punojmë për vetëqenien e shqiptarëve si komb.” (faqe 158-159). Edhe pse për figurën e Dora d’Istrias kanë shkruar studiues të ndryshëm shqiptarë, rumunë dhe të huaj, në këtë libër figura e saj trajtohet për herë të parë në aspektin politik, si militante e shquar, e lëvizjes shqiptare për çlirim kombëtar, dhe atë në dritën e letërkëmbimit të saj me Jeronim de Radën. Varianti i parë i këtij libri e pa dritën e botimit në vitin 1971, mirëpo, Elena Kadare dhe Jusuf Vrioni, ndërkohë shprehën mendimin që në ardhmëri libri të rimerrej përsëri në dorë nga autori, dhe të ribotohej me i plotë, dhe me kritere shkencore më të përpunuara, gjë që u krye. Kjo vepër u ribotua me të njëjtin titull, por me një hyrje të gjerë studimore, me shënime dhe komente të shumta, me një përmbledhje në gjuhën angleze dhe me ilustrime. Libri në fjalë synon të paraqesë në mënyrë më të plotë një figurë të shquar, e cila gjatë tërë jetës u përpoq të bëjë të njohur Shqipërinë dhe popullin e saj në luftën për liri e pavarësi kombëtare, duke vënë në dukje edhe punën e madhe të intelektualëve shqiptarë dhe arbëreshë në shërbim të kombit tonë. Nëpërmjet letrave dërguar De Radës dhe artikujve të shumtë, të botuar në shtypin evropian dhe amerikan, del në pah edhe krenaria e saj për origjinën shqiptare të familjes Gjika të Rumanisë. Dora d’Istria për merita të larta është vlerësuar me shumë dekorata dhe vlerësime të tjera nga vende të ndryshme të botës, madje edhe në Shqipëri. Elena Gjika dhe albanologu Grigore Brenkush, që të dy nga Bukureshti, e kanë konsideruar Shqipërinë si atdheun e tyre të dytë, dhe atë, me dhjetëra libra e qindra studime. Po qe se shkenca nuk ka atdhe, njeriu i shkencës duhet të mendojë përherë për krejt atë që i sjell famë atdheut të vet. Që të dy janë dijetarë, dhe te çdo dijetar i madh do të gjeni para së gjithash një patriot të madh.
“Albanica”
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen