Është arkeologja e parë dhe shkrimtarja e parë shqiptare në Kosovë që botoi përmbledhjen me poezi Sonte zemra ime feston (1972). Anëtare e PEN qendrës së Kosovës (2004-) dhe nënkryetare e saj (2009-), anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1973-). Ishte shknecëtare vizituese në Universitetin e Harvardit. Mori pjesë në International Writing Program 2005, University of Iowa, USA (2005). Përfaqësohet në antologjitë e autorëve shqiptarë e të huaj.
Deputete e Kuvendit të Kosovës (1992-1998, 2002-2004), Bashkëdrejtuese e Departamentit të Kulturës–UNMIK (2000-2001), Kryetare e Komisionit për Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Kosovës (2001-2004), Nënkryetare e Alternativës Demokratike të Kosovës (2004-). Ishte themeluese e Forumit të Gruas të LDK (1990) dhe kryetare e saj (1995-2000), si dhe organizatore dhe lidere e demostratave të shumta të grave kundër regjimit serb.
Në dhjetor të vitit 2012 zgjidhet anëtare korrespondente e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Veprat
Libra poetikë
Drama
Bashkautore
Autorja ka të publikuar edhe shumë artikuj shkencorë.
BUSTI ILIR
Sodis me ditë
me natë
bukuria më magjeps
Në përqafim të kohës
të solla unë
o
më more me vete
Buzëqeshja e vrarë
në mermer skalitur
Shikimi i zënë
vuajtjen ringjall
Sillet valle e fatit
Sy më sy soditemi
ti e veshur në mermer
unë mermer
Në ballin tënd pa rrulla
zhduken të miat
Syri i Natës, 1986
BABAI IM
Babai im
kishte shtëpi në Prizren
dhe një dyqan në Arastë
Babai im
nuk mbante plis
e nënës plakë “ana” i thoshte
Je turk! i thanë:
Shko në vatan!
Po babai im
lis e tis
me plis
qëndroi
Syri i Natës, 1986
RINGJALLJA
Bini daulle të fisit bini
jeni bërë nga lëkurë e trupit tim
prandaj bini fort e më fort
le të pëlcasë pëlhurë e shpirtit
dhe zemra me të
mbase sjellin ringjalljen
Dua të vallëzoj
në ritmin e tingujve paganë
sa të përgjaken thembrat
nga thepat e gurëve të zhvendosur
e trupi të përplaset
në muret e mendjes së mykur
Pastaj
le të më quajnë bishë
dhe le të qeshen gjarpërinjtë
aq më bën
Dua të bien daullet
Syri i Natës, Rilindja, Prishtinë, 1986
QERRJA E ZJARRTË
Sado që na bindin
Se Qerrja e Zjarrtë
është imagjinatë
ne e vendosim në të
Diellin e flakët
dhe i shtrijmë duart
të përflakemi
Nënqielli, Rilindja, Prishtinë, 1990
FILIGRANI
Fijet e shpirtit
thurin
stoli të drithëruara
të durimit të filigrant
që s’përtojnë të flasin
për ëndërrimet e ditëve
hijen e shijen e moteve
frikën e lutjet e shekujve
E blatuar me gjuhë pagane
në rrjetë është zënë gruaja
trekëndëshi i strukur në ornamente
lut plleshmrinë e vonuar
edhe në Udhët e Kryqeve
Trajtat e rrumbullakuara
grishin pareshtur Diellin
me valë të pikëzuara
rrezatojnë amshueshmëri
Hapur ka krahët shqiponja
lacërat mbahen fort
për dritën e gurit me vlerë
Syin e Keq e hëngërt vetvetja!
Në përjetshmëri
Nyjëzohen
Fijet e moteve
Ç’thuret bota
E pa fill pa skaj
Nënqielli, Rilindja, Prishtinë, 1990
BLATIMI
Gjatë u prit nga Zoti
shumë u prit
të bëhet vjellës i vetvetes –
ta sjellë parajsën në tokë
Të rrallët që panë
se Zotin e kanë në vete
u futën nën rrotën e jetës
ta lëvizin njerëzimin
Blatimi i tyre
është shpresë
për tokën parajsë
Përjetësi, Dukagjini, Pejë, 2001
LOTI
Vaji i pa lotë
loti
barot
Syri i natës, Rilindja, Prishtinë, 1986
MITI I DJALLIT
Zhytem në mitet e botës
e rrëmbehem flakshëm
nga bukuria e fjalës së kulluar
e legjenda e jetës
S’është me rëndësi
a ishte Enkidu
duke gërmuar pavdekësinë
apo Ozirisi në kërkim të vetes
ishte Orfeu
që s’arriti ta kthejë Euridikën
apo vëllai i Doruntinës
që solli besën
Rishijohen mitet e botës
në shthurjet e kohës
Veç mitin djallëzor
mbi Kosovën
e përlan koha
Përjetësi, Dukagjini, Pejë, 2001
KOKA
S’dua të më hiqet qafe jo
sado që kam parakaluar ndonjëherë pa të
nga mosdija idhnake
o
tmerri i llahtarisur
Në ecejaket dhijare
e kam bartur barrë po
s’jam shtatore antike
që dita të më ndajë nga trupi
as mermer
që thehet
Nënqielli, Rilindja, Prishtinë, 1990
CARPE DIEM
Si ta zë ditën
të diellnojë çasti
ta prek krahun e futurës
pa drithërimë ta përkëdhel
faqen e butë të fëmijës
Eh carpe diem carpe diem
Si ta zë ditën
kur bëhet e shkurtër
ta shoh ringjalljen
Në betejën e moteve
luajnë me pjellën time
e dita bëhet tjetërfare
me motivet e vdekura vërshimë
Si ta zë ditën që ikën
e zhytur në mote
që ishin e s’ishin të mijat
Si ta zë ditën
pa diellnuar çasti
Eh carpe diem carpe diem
Përjetësi, Dukagjini, Pejë, 2001
NIAGARA
Në pranga e vuri njerëzimi
e ajo –
e ndara Niagarë
rrëmben hatashëm
Pa përfillur kufij
Njerëzimi i përgjysmuar
ia vështron madhështinë
e zvogëlohet
Përjetësi, Dukagjini, Pejë, 2001
FATI QË NUK ISHIM ZOGJ
Sulmi i policisë serbe në lagjen Ulpiana të Prishtinës, 25 shkurt 1990
Ora policore: 21.10
Dritat e qiriut
Përshëndesin hënën
në orët e ngujimit
Në banesën e ngrohtë
dy terroriste mprehin armët
unë lexoj „Uliksin“
vajza „Borëbardhën“
TV bluan në vete
“Shtëpinë për varje”
Ora policore: 21.30
Vetëtima çan qiellin
e predhat nga tanket
vjellin zjarr
në bebëzat e syve
Nata bëhet çmendi
e egërsisë së shekujve
dhe futet në banesë
pa fije turpi
Plumbat lotësjellës
përhapin helm
e nuk di
ka më shumë në ajër
apo në brendi të mitrës
Frymë, frymë!
tmerrohen muret,
vazot lotojnë dhunshëm,
qiriri drithëron vdekshëm
e Satiri zhvesh lëkurën
Frymë, frymë!
klith për veten
si bishë njerëzore e pashpresë
duke harruar frytin
Ora policore: 22.30
Nuk dëgjohet më cicërimë
zogu njëjavësh i ditëlindjes
ka shtrirë krahët
e përshëndetjes së fundit
Ëmë e bijë
hidhemi në përqafim –
loti i hidhërimit
dëbon lotin e helmit
lotët e frikës
bëhen lot dashurie
në natën e egërsisë serbe
Fati që nuk ishim zogj!
Përjetësi, Dukagjini, Pejë, 2001
PËRROCKAT E PRIZRENIT
Joshëse ishin kohërat
kur përrockat hapëronin
shtëpi më shtëpi
dhe freskinë ia dhuronin
ditës së lodhur
Në dëlirësinë e agut
u falej trupi
e gjyshet bënin roje
duke pritur lindjen
Fëmijët e qytetit tim
i sillte Zana e Ujit
mu në djep të lindjes
Nën këmbët e zambakëve
uji s’kishte të lodhur
motonte notin e jetës
dhe nxitonte
në përqafim të Lumit
Përrockat e vendlindjes së moshuar
ende rrjedhin kujtimeve të qytetit
dhe s’i ndal kush
që ta përqafojnë lumin
Nënqielli, Rilindja, Prishtinë, 1990
KALAJA
Shkëmb mbi shkëmb
u ngrite
më parë se kohë e gurit
mbi Lumin e Lotit përkulur
qytetin e fjetur vështron
Flij qytet flij
ushtar i lodhur
i kohërave
vashë e stolisur me shi
e stuhi veriu e jugu
Çfarë përjetoi kalldrëmi
me ledhet e larta
duke strehuar zambakë të bardhë,
Mos vallë flasin ledhet
krojzit pëshpëritin
lebetitin zambakët?
Më dëfto, kala
për lavdinë
E heshtur je si gjithmonë
me sy në zemër
nuse pa goje
Më rrëfe kur takove ilirët
sa të qeshi zemërguri gaz
Mësova sot një ditë
i hape kraharor malin
fëmijës së parë
E romakët kur i pe
që t’i vodhën fushat,
i luajte rrënzat
t’i dëbosh, t’i largosh
në theqafje
Dëfto, kala e pagojë
për topat mbi supe
e shpatat harkore
që t’i prisnin gjymtyrët,
për thepat
që i shkule nga gjiri
kur kuptove, ti urtësi e qytetit
se
perëndia nuk fliste shqip,
dëfto për tregtarët që i mbajte
në prehër
e të shitën në treg
I pe, kala, atëherë fluturimet
nga çdo anë ku kishin foletë
kur zbardhoi Prizreni zemërzjarr
Pastaj, i gjeta kala
në gjirin tënd
verigat e Avdylit –
të ndryshkura
si çdo të zezë që ndryshk koha,
të këputura
si çdo prangë që këput liria
Qyteti në ninulla ëndërron
e ti vështron, kala
hesht
e me heshtje të gurët flet:
me Muret, me Lumin, me Rrafshin
Nënqielli, Rilindja, Prishtinë, 1990
NË ULPIANË[1]
Peizazh i shkretë
tokë e çarë
ujë pa pa
Kallinj deri në bel
djerrë
Faji mbi supe të tokës
o
nën të?
Lavërtarët e dinë:
nuk rritet grurë mbi gur
e
ku është guri
çon krye muri
Lum Marcelin pendarti
u thuaj çfarë di
u thuaj ç’ke parë
Ta marr një gur thesar
t’u bie në lule të ballit!
Unë vetëm pragun e kërkoj
dyert kush i mbyll?
Lum Marcelin gojarti
gojëthati
shtoi fjalët
sheshi i mermertë
është këtu
nën grurë të thatë
apo në mendjeshterpësi?
Kohë kazmë
dërmo, nxito
sheshin duhet ta gjej!
Aty në mes
Qëndron një shtatore
pa kokë
kokën pa vaj e mbaj
hijerëndë, të rëndë
Syri i Natës, 1986
Burimi: Wikipedia
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen