Shkruan poezi dhe kritikë letrare.
Veprat e botuara:
“Rrobat e engjëllit”, (poezi), klubi letrar “Nositi”,Dardanë, 2000;
“Shigjetat e lakmisë”, (poezi), “Brezi`81”,Prishtinë 2009;
“Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore shqiptare”(kritikë letrare),SHB “Beqir Musliu”Gjilan 2013;
“Etje e pashuar”, (poezi të zgjedhura nga krijuesit e Dardanës), bashkautorë (me Hysen Këqikun dhe Nexhat Rexhën), klubi letrar “Nositi”, Dardanë 2010.
Sinan Sadiku jeton dhe punon në Dardanë.
“Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore shqiptare”(kritikë letrare),SHB “Beqir Musliu”Gjilan 2013;
“Etje e pashuar”, (poezi të zgjedhura nga krijuesit e Dardanës), bashkautorë (me Hysen Këqikun dhe Nexhat Rexhën), klubi letrar “Nositi”, Dardanë 2010.
Sinan Sadiku jeton dhe punon në Dardanë.
Poezi nga Sinan Sadiku
STREHIM NË VARGJE
Më janë thyer
krahët e imagjinatës
kroi i frymëzimit
ka shterur
e muzat
më kanë braktisur
Çka t`i bëj
dhimbjes
çka t`i bëj
vetmisë e zhgënjimit
dashurisë e shpresës
kur të çohen në kryengritje
e të kërkojnë
strehim në vargje
DIMËR I BARDHË
Dimër i bardhë
ku e trete
edhe atë pak ngjyrë të verdhë
të gjetheve
Ku e fundose
fluturimin e larmishëm
të fluturave
I ke mbyt ngjyrat e jetës
ku janë e blerta e kaltra e verdha...
ku është e kuqja
Edhe e bardha
e ka humb bardhësinë
o dimër i bardhë
e ka tremb dallëndyshen
Dallëndyshen krahrrufe
e cila pret agimin e ngjyrës së blertë
dhe vjen bashkë me diellin
ngjyrat e jetës
e shiun
SHKOI PËR TË ARDHUR
Dëshmorit
Shkoi për të ardhur përherë
erdhi për t`mos shkuar kurrë
dhe mbeti në këngë në poezi
në takime në ndarje
në lojëra në valle
U bë oksigjen
që i ushqen
mushkëritë e lirisë
ilaç që i shëron
ëndrrat tona
engjëll që e përzë
trishtimin
Erdhi për t`mos shkuar kurrë
shkoi për të ardhur përherë
bashkë me engjëjt e lirisë
yllin e fatit
dhe pemët e buzëqeshjes
Është krua i pashtershëm
i frymëzimit dhe ngrohtësisë
Nga bëmat e tij
i marrim ngjyrat më të bukura
dhe e vizatojmë pranverën
Shkoi për të ardhur përherë
erdhi për t`mos shkuar kurrë
PËRBALTJA
Derisa e kaluam
këtë rrugë me baltë
të gjithë u përlloçëm
Dikush këpucët
dikush këpucët e pantallonat
dikush edhe këpucët
edhe pantallonat
edhe setrën
e dikush
të gjitha këto
plus fytyrën
Të gjithë u përbaltëm
dikush më shumë dikush më pak
dikush këpucët
e dikush fytyrën
derisa e kaluam këtë rrugë
MUSHKONJA
Gjithë ditën e lume
fshihet nëpër oazat e mykura
të territ
Kur vjen nata
e viktimat rehatohen flejnë
shkon ua pi gjakun
Askënd nuk e falë
… as fëmijët tanë
Energjinë për veprim
ia dhuron miku i saj i zi
terri
Përherë i lutet Zotit
të mos ketë ditë
të mos ketë diell
të mos ketë dritë
po të ketë vetëm natë
pa yje pa hënë
Të gjorës
fati ia ktheu shpinën
s`u bë as lakuriq i natës
DELET
Shkojnë
tatëpjetë lugajës
drejt pyllit
Pojata lart
në kodër
Ujku
ulur te një lis
vëzhgon e përjarget
ETJE
Qielli koprrac
ia dhuron pak freski gonxhes
Ajo
mu në mes të verës
vizaton lumin e mbushur me ujë
Ngjyra e hijes
vjen duke u zbehur
Në mes të lumit
duke ëndërruar shiun
shëtisin peshqit e gjorë
BALADË
Shiu
e shpoi
kulmin e kujtimeve
As këngë as melodi
as tekst as poezi
vetëm baladë e mërzitshme
lajmëtare e furtunës
SHIGJETAT E LAKMISË
Shigjetat e lakmisë
godasin lisa e plisa
dhe tallen me ne
Ende pa i numëruar të vrarët
vjen stuhia
luan me pakujdesinë tonë
kthen kohën e gurit
luftën me shtazë
... një fëmijë e rrëmbejnë qentë
E gjejmë vetëm skeletin
fëmijërinë e shuar
çantën e shqyer
dhe librat
të derdhur nëpër baltë
Asnjë ngushëllim
ardhmërinë s`po e mbajnë këmbët
po e zënë ethet
i janë mjegulluar sytë
ka rënë në agoni ardhmëria
nga kjo pamje
që vret
Fillon të rikthehet shpirti i humbur
nëpër humnerat gjigante të lakmisë
shigjetat e së cilës
godasin lisa e plisa
dhe tallen me ne
Një fillim i zbehtë i çastit
i luftës me qentë tanë
që çdo ditë na e kafshojnë ndërgjegjen
që çdo ditë na i vjedhin ngjyrat e jetës
I luftës të cilën nuk di kush do ta fitoj
ne
qentë
apo djalli
KOHA IME
Koha ime
të lutem
shumë të lutem
mos m’i prek plagët
e mbuluara me hi
se edhe gurët do të pikojnë gjak
e gjëma e tyre
do t’i pikëllojë yjet
e do t’i shterë lumenjtë
o koha ime
TEPRICË DHE MUNGESË
Sa shumë tepricë
Sa shumë mungesë
Tepricë patriotësh
Tepricë heronjsh
Tepricë robërie
Mungesë lirie
Sa shumë tepricë
Sa shumë mungesë
MJEGULLA
E humbëm rrugën
dhe e kërkojmë
e kërkojmë
e kërkojmë
E kurrsesi ta gjejmë
Jemi
në fshatin e lindjes
medet
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen