Dienstag, 25. Juni 2013

Abdullah Konushevci

!958 - 2013

Abdullah Konushevci lindi në vitin 1958 në Prishtinë, është shkrimtar i shquar shqiptar. Në Prishtinë mbaroi shkollimin fillor, të mesëm dhe të lartë. Studio letërsinë krahasimtare në "Universitetin e Zagrebit" dhe punoi mbi 20 vjet si gazetar në “Bota e Re” dhe “Rilindja”.

Vëllimet me poezi:
  • Pasqyrë dhe diell (poezi, "Rilindja", Prishtinë, 1979},
  • Rënia e mollës (poezi, "Rilindja", Prishtinë,1981),
  • Pad jabuke (serbisht, "Jedinstvo", Prishtinë 1982),
  • Qerrja e diellit (poezi, "Rilindja", Prishtinë,1983),
  • Loja e strucit (poezi, "Rilindja", Prishtinë,1987),
  • Të qenët të mosqenë (poezi, "Rilindja", Prishtinë, 1990),
  • Pikat AD (poezi, "Papyrus", Prishtinë,2002),
  • Dashni dhe vdekje (poezi. "Nositi", Prishtinë, 2011)

  • Tekste shkollore dhe kritikë letrare:
  • Gjuha shqipe XI (libër shkollor, "Dukagjini", 2004, 2009)
  • Demaçi, vepra letrare (monografi, "Nositi", Prishtinë, 2008)
  • Për poezinë (kritikë letrare, "Nositi", Prishtinë, 2008)
  • At Gjergj Fishta 1871-1940 (monografi, përgatiti për shtyp Abdullah Konushevci), NOSITI, Prishtinë, 2011)
  • Romani 'Gjarpinjtë e gjakut' i Adem Demaçit (artikuj të zgjedhur letrarë nga Abdullah Konushevci, kritikë letrare), NOSITI, Prishtinë 2011)

  • Pëkthimet nga anglishtja:
  • Rabindranath Tagore: Gitangjali dhe Mbledhja e frutave (“Rilindja”, 1988);
  • Ernest Hemingway: Dielli lind përsëri (botoi “Rilindja” në vazhdime, 1989);
  • Ikona e lotëve (film dokumentar” (2006), përkthyer nga shqipja në anglisht
  • Ludo Hupperts: Koncerti dhe tregime të tjera, SHB "Nositi", Prishtinë, 2008.

  • Pëkthimet nga kroatishtja:
  • Teofrasti: Karakteret (“Rilindja”, 1983),
  • M. Slaviçek: Pse të mos jemi derisa jemi (“Rilindja”, 1990),
  • Grup autorësh: Historia e letërsisë botërore, V (“Rilindja”, 1989) dhe
  • Milan Shufflay: Histori e shqiptarëve të Veriut ("Nositi", 2009)

  • Ka botuar me qindra artikuj dhe recensioni për letërsinë e shkruar dhe gojore, për gjuhën shqipe, si dhe ka përgatitur për shtyp (radhitje, faqosje) një numër të madh veprash e revistash letrare. Shumë poezi të tij janë përkthyer anglisht, spanjisht, gjermanisht, rumanisht, sllovenisht, kroatisht, sllovakisht dhe turqisht. Për veprat e Abdullah Konushevcit kanë shkruar: Sylejman Syla, Xhemail Mustafa, Ibrahim Rugova, Vehap Shita, Hysni Hoxha, Ali Aliu, Abdyl Kadolli, Merxhan Avdyli, Sabri Hamiti, Ramadan Musliu, Rushit Ramabaja, Milazim Krasniqi, Ismail Belaj, Ismail Syla, Salih Bytyçi, Emin Azemi, Nazif Zejnullahu, Medi Memishi, Rrustem Geci etj.
    Abdullah Konushevci ndërroj jetë me 1.12.2013.


    Poezi nga Abdullah KONUSHEVCI

    TRADHTIA

    E përcolla me një pikëllim të fshehur
    Në sy në buzë nën bark
    I shihja gjurmët e tjetrit

    Kur u ktheva
    Në dhomë kishte rënë stuhia
    Shtrati sikur ishte kthyer përmbys
    Banja merrte frymë me vështirësi
    Si një i sëmurë astmatik

    Hodha shpejt e shpejt në shportë
    Brekët këmishët çarçafët
    Shtratin e shtrëngova mirë për këmbësh
    Po hija po era e saj ishte kudo

    E di se më nuk do ta takoj
    Se tjetri në sy në buzë nën bark
    Do të lexojë me pikëllim
    Gjurmët e mia

    Prishtinë, më 27 tetor 2010



     Vdekja e dytë e Gjergjit*

    Kur derdhet atdheu në det
    Shkulet shkëmbi fusha mali
    Terri derdhet me shtëmba
    Dhe thikat vezullojnë

    Vlorën e zënë ethet e dridhet
    (Babi, do t'i kenë tretur
    Gjergjit eshtërat
    Se Atdheu po derdhet
    Përsëri në det)
    Drilonit s'mund t'i them
    Ji i fortë
    Dritoni është bërë dhé

    Dhe ata po e shohin
    Se s'është kjo më
    Lojë me qen e mace

    * Vjershë për eksodin e madh në Shqipëri



    Duke pritur Gjergjin e Ri

    Ai do të vijë
    Ti do ta çosh patjetër
    Ne do të dalim dhe do ta presim
    Me tupan e me zurna
    Do ta marrim do ta hipim
    Lart mbi supe
    Do t'i brohoritim
    Derisa të mos kemi zë

    Ai do të vijë
    Se ne e presim
    Si Shpëtimtarin si Shëlbyesin
    Do të shkelë këmbëzbathur
    Mbi Dheun tonë
    Do të ndezë qirinj
    Te varret tona

    Ai do të vijë
    Ne e shohim ëndërr përnatë
    Është kripëgjatë
    Dhe nuk i trembet bishës
    Që s'na lë të dalim
    Nga portat e qytetit

    Ai do të vijë
    Ta therë në fyt bishën
    Do t'i pastrojmë puset
    Do të gjuajmë peshk
    Dhe shpesë dhe kafshë
    Do t'i njomim flitë përsëri

    Ai do të vijë
    Se ne e presim
    Se ne vdesim përditë e më shumë
    Se qyteti bie erë kufomë



    Si e krijoi Zojsi Dardaninë

    Nuk dihet
    Nga koka a nga kofsha
    Zojsi nxori Dardaninë
    Dhe e deshi, e deshi, shumë e deshi
    Nga dashuri e madhe
    Kish rrezik ta mbyste

    Sot e atë mot
    E varim në dardhë
    Dashurinë e tij të madhe
    Dhe kryqin e marrim në shpinë
    Duke pritur të ndodhë mrekullia
    Eshtrat i bëjmë grumbull
    Në Kodrën e Kafkave


    Kthimi i dritësorëve

    Dritësorët do të kthehen
    Me leshra të kërleshur
    Me thonj të paprerë
    Me trup-duar-fytyrëdheu

    Do të përplasen brenda
    Do të na zënë për fyti
    Do të na shkulin për flokësh

    Dhe ne s’do t’i shohim
    Se ata janë prej drite
    Se nuk bëjnë hije mbi dhé

    Ata e kanë pushtuar
    Zemrën e tokës
    Dhe kupën e qiellit

    Dritësorët do të kthehen
    Të na mësojnë zejën e vdekjes
    Të na japin pak zemër të tokës
    Pak kupë të qiellit

    Të dehemi dhe ne

    Me hirin e zjarrit
    Të mos jemi vetëm hije mbi dhé

    Ëndrra... pastaj Vlora

    Diqysh shkuam në një planet tjetër
    Ku kishte bukë qumësht mish
    Dhe s’kishte milicë

    Shqiptarët ishin shumë të mirë
    Preheshin hijeve
    Hidhnin valle shesheve
    Bënin dashuri të mëdha

    Disi... kur hyri Vlora në dhomë
    Babi mbrëmë me dy orë natë
    Na shkallmuan derën përsëri
    Ata që s’mund t’u zë emrin në gojë



    Zonja Mëmë

    Jam lodhur duke pritur
    Zonja Mëmë
    T’i nisësh shërbëtorët e Tu
    (Dhe unë shërbëtor Yti jam)
    Të m’i këputin hekurat

    Jam bërë një ashtlëkurënajë
    E ka rëndë
    Dhe toka të më mbajë
    Ku ta këput kokën
    Mbështetur për muri

    Ti Zonja Mëmë
    Mos resht të m’i ledhatosh shpresat
    Po mbahem për një fije floku
    I bindur se është floku Yt i thinjur

    Zonja Mëmë
    Mendimet për Ty
    M’i vrasin në rrugë
    Po malcimet e plagëve
    Ti m’i ndien
    Dhe ballin rrëzon në shuplakë

    Ti duhet ta dish
    Zonja Mëmë
    Kur më hipën zjarrmia
    Ai kroi i cemtë
    Që rrjedh dikund aty pranë
    Je Ti

    Kur më ngushtohen rrugët
    Dhe e kam pisk

    E di se Ti
    Zonja Mëmë
    Do të më hapësh një shteg
    Se me Ty është liria
    Dhe dashuria ime për Ty


    Mungesa e lirisë

    Ti ishe
    Një mëngjes i freskët
    Që lëshonte
    Tinguj të kthjellët

    Dhe ishe një kopsht i derdhur
    Zot sa i derdhur
    Me erë me ngjyrë
    Mbytje çdo gjë përreth

    Nga duart nga yjet
    Si nga një libër i hapur
    Mund të parathoshe çdo gjë

    Si fatthënë e rysur që ishe

    Po jepeshe lehtë
    Si një kafshë
    E lodhur nga ndjekjet
    Se në flokë
    Në ballë
    Në sy
    Kudo
    Të vihej re
    Mungesa e lirisë

    Skicë për një elegji

    Ja
    Kjo shtëpi
    Ka një të vrarë
    Dhe kjo këtu
    Dhe kjo pranë saj
    Dhe kjo tjetra
    Dhe kjo dhe kjo dhe kjo

    Ja
    Dhe ajo shtëpi
    Ka një të vrarë
    Dhe ajo atje
    Dhe ajo pranë saj
    Dhe ajo tjetra
    Dhe ajo dhe ajo dhe ajo

    Keine Kommentare:

    Kommentar veröffentlichen