Luan Maloku lindi më 1954 në fshatin Miratoc, komuna e Preshevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin në Preshevë e në Kamenicë. I vazhdoi studimet në Universitetin e Tetovës, drejtimi Letërsi dhe Gjuhë shqipe...Me shkrime u mor që nga fëmijëria.Shkrimet e tij janë botuar në revista të Kosovës dhe të diasporës. Është i prezantuar në Leksikonin e shkrimtarëve shqiptarë të Hasan Hasanit (2003) dhe në “Panoramën e krijuesve të Kosovës Juglindore Psherëtimë për tokën” të shkrimtarit Hysen Këqiku.(2004)
Është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve “Feniks”, Preshevë; Anëtar i “Atunis Lugina” me seli në Preshevë. Luan Maloku jeton dhe vepron përkohësisht në Zvicër.
Veprat letrare:
1.“Mllef i gjakosur” (poezi për të rritur), Iliriku, Prishtinë, 1996;
2.”Mbi një zemër bie borë” (poezi për të rritur), Iliriku, Prishtinë, 1997;
3.”Mërzi të trazuara” (poezi për të rritur). Feniks, Preshevë, 2013
4.“Çelësi i shpirtit” është libri i tij i katërt.
Poezi nga Luan Maloku
TË PRITA
Sa e sa herë të prita
Te Guri i Bardhë
Në çdo qelizë timen
Isha i mbushur dashuri
Ti je më shumë se ëngjëll
Zemra ime e përflakur
Po u vonove
Do të fundosem në xhelozi
E imja dashuri
SHPIRT I TRAZUAR
Shpirti im i trazuar
Gëzohu njëherë
Shtriju rrezeve të diellit
M’u si lulet
Pas shiut
Me shikim
Kah shtatë ngjyrat
E ylberit
Gëzohu shpirti im
KUR TË KTHEHESH
Nuk do të më gjesh
Në Miratoc
As në Preshevë
Vonë ke menduar
Për timen mungesë
Sot edhe toka është ndryshe
E përcëlluar me rreze të diellit
Kohët kanë ndryshuar
E ëndrrën
E kam futur në kornizë
Dashurinë për ty
Dardanit i lash amanet…
SERENADË
Më trokite në derë
natën vonë
e veshur
gjysmë lakuriqe
gjoksin zbërthyer,
e gjinj varur
gërshetin hedhur
Ç’fantazi
Gjumi më iku
Përzura dhe hënën
Se ti i ngjaje
Me tuat vetulla
Këtë natë
do bëjë serenadë
edhe pse më mungon kitarja
UNË PËR TY
Në këtë botë të vogël
Vetëm për ty
U trazova në shpirt
Dua të kem pranë
Dashuri
Mos ik
Nga ngrohtësia ime
Se me largimin tënd
Një dashuri
Shkatërrohet
SIMFONI E DASHURISË
Erdhe të mos më lësh
Të vetëm
Shpejtove
Rrugëve të gjata
Deri tek unë
Tani para teje
Tingujt e fundit i shpreh
Në simfoninë e dashurisë
NDJENJË E FORTË
Sonte
Ndjenjë e fortë
Si hekuri
Hyri në mua
Dhe largoi errësirën
Sonte
U çelën sa e sa rrugë
Për shtegtime të reja
MBRETËRESHË
Mbretëreshë të pagëzova
Nuk të mjaftoi
Unë shkela çdo normë
Zbrazëtirën që më le në shpirt
Do ta ndjek deri në amshim
NË SHIKIM
Në shikim
Të syve të tu
U futa në dashuri
Të xhelozoj mundem
Por jo dhe të harroj
Në shikim të syve të tu
Banon kujtesa ime
SA HERË
Sa herë
Thurja në vargje
Çaste dashurie
Për Ty
Ky poet isha vetë
Vargërues
I një himni
I një kënge
I një serenade dashurie
Për "Sofra shqiptare", Bilall Maliqi
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen