Ali Sh. Berisha u lind më 20.05.1949 në fshatin Llukar, komuna e Prishtinës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin, SHLP-dega e Albanistikës, Fakultetin filologjik - Dega Letërsi dhe gjuhë Shqipe në Universitetin e Prishtinës.
Nga viti 1971 e deri në vitin 1976 punoi në Normale të Prishtinës, nga 2 shkurti i vitit 1976 e deri më 5 korrik 1990 punoi në Televizionin e Prishtinës, në vitin 1992 dhe 1993 punoi në Qendrën për Informim të Kosovës, nga viti 1993 punoi arsimtar i gjuhës shqipe në Shkollën fillore "Zenel Hajdini" të Prishtinës, nga fillimi i vitit 2003 e deri në gusht të vitit 2005 punoi në Radiotelevizionin e Kosovës kur edhe migroi në Gjermani për shkak të martesës.
Për pjesmarrje në demonstratat e vitit 1968 dhe për udhëheqjen e referendumit për pavarësi në Kodrën e Trimave më 1991 u dënua me burg.
Me kultivimin e poezisë u mor qysh si gjimnazist dhe vazhdon edhe sot. Kultivoi prozën e shkurtër për fëmijë si dhe shkroi tregime për të rritur, të cilat i botoi nëpër gazetat dhe revistat e kohës. Nga viti 1990 u mor me hulumtime trashëgimore e historike dhe si rezultat botoi monografinë "Bashkia e Llukarit" në dy pjesë si dhe Gallapi i Prishtinës në tetë pjesë sipas periudhave historike.
Gjithesej ka botuar 21 tituj. Libri i fundit i tij është "I kujt është dielli".
Poezi nga Ali Sh. Berisha
Atdhe
Aty ku ama të lëshoi mbi dhe
aty ku ajrin thithe për herë të parë
aty ku zërin nxore me të qarë
dhe u qumështove quhet atdhe
Aty ku të ngrohën sytë e nënës
aty ku të ndritën rrezet e hënës
aty ku të bëri hije krahu i shqipes
quhet atdhe ai kopsht i rritës
Aty ku fjalën e parë shqiptove
aty ku një abetare fillimisht shfletove
aty ku një aeroplan ëndërrove
dhe qiellin e pa anë quhet atdhe
Do të më gjesh
Po të shkoi mendja
Do të më gjesh
Ulur anës oxhakut
Me kokën tym
E zemrën prush
Nëse s'më gjenë mua
Do gjesh hijen time
Gojë mbyllur
Me xixa në sy
Ajo brushë
Ajo brushë që në kaltërsi të qiellit
nxjerr yje, hënë e diell
dhe i fsheh me re t'purpurta e të zeza
me flakë, murmurima e shi
fusin bojë në sytë e mi
Ajo brushë që bën mrekulli
që ngjyen gjelbër, remtë e me bardhësi
nuk harron edhe mua të më bojatisë,
me push e zjarr
thinjat t’mi brymosë mbi ballin ugar
t'më nxjerr sumbulla e t'më vë krahnez
tek më mbulon me napë të zezë
Unë e kam gjetë hënën time
Nuk kishim zili askend
në rrugën e qumështit
në bashkimin e orbitave
brenda galaktikës sonë
E gjeta a më gjeti zoti e di
dhe që të dy kënaqemi
kur galaktika yjë e hëna pjellë
brenda orbitës së dashurisë
Përpiquni të keni orbitë të njejtë
por kurrësesi kopje jona
se mund të keni vetëm përplasje
dhe djegie e fikje me dhemb
Ta njoh vargun
Ta njoh cigmën kallkan
puhinë nëpër lule tek harbon
diellin që të përvëlon
dhe vjeshtën që ëmbëlson
bilbil i të gjitha stinëve
në vargun që mbëlton
Ta njoh vetëtimën që shkrepë
zjarrin që t'ngrohë e pjek
valëçmendurën që të rrëmben
thellësinë që e arrinë
bilbil i të gjitha stinëve
në vargrrezen që shtrinë
Urtaku
Urtaku kërkon të mësojë
fjala që rrjedh të jetë prej guri
e dlirë dhe pa bisht
për të zbardhë fytyrën
e ndjekur mënxyrën
E shikon xixën që guri nxjerr
tek qorton ashpër fajësitë
e kokave inatçore
dhe bukurinë e saj e tjerr
në furkën e urtësisë prore
Zgjithë nyjet që nxjerrin rrufe
qetëson gjakun nëpër damarë
dhe ylberin që harkon
me lule plagët kuron
që t'ketë qiell pa re
Pamje trishtuese
Është natë e vonë
nga larg shoh dritë të zjarrtë
tek zgjërohet mbi Nekavestheim
Hëna e plotë derdhë rreze
të shpërthejë terrin deri në tokë
po reja me flakë merr kontura kuçedre
t'i hajë krijuesit e vet
Është natë e vonë
hëna e yjet në qiellin e kthjellët
mbi Nekavestheim dhe Kastriotin tim
luftojnë kuçedrën që zehër derdhë mbi dhe
Iku brend me pamje lufte
mes bukurisë që falë kthjelltësi qielli
kërcënimit që vjen nga mendja njerëzore
për të vrarë vetvetën
24.05.2013, Horkheim
Vendqetësi
Gërmoj nëpër vendqetësitë e vendlindjes sime
dhe takoj vrullet e heshtura nën tokë
rrafshuar e shënjuar me kunja të kalbur
me gurë të ngulur që masin hijet
me gurë të mermert që flasin shkurt
përmes dorës së mjeshtrit
emrin dhe mbiemrin e pushuesit përjetshëm
ndonjë lutje që fare nuk e kuptoj
Unë edhe më tej gërmoj nxehtë
historinë e jetës që heshtë errët dhe ftohtë
kur kuptoj kohën e harbimit të eshtrave mveshur me mish
gëzohem se kam arritë t'ringjallë
identitetin e nëpërkëmbur nga të gjallët
edhe pse e di se një ditë
do të pushojë harbimi im nëpër varreza
e më s'do të mund të pështyjë filozofinë ogurzezë
të mendjeve të mykura
28.08.2013, Heilbronn
Maj i blertë
Thuhet nga balta ka lindur njeriu
nga gjelbërimi engjulli
por unë jam nga ashti e mishi
që të digjem e piqem
për blerimin që zë fill në maj
e kurrë s'vyshket
po n'dritë shkrihet
Maji përsëritet e përsëritet
e unë lutem e lutem
shëndetshëm si hithi
e fort si hekuri
ndërsa engjulli im çelë pesëshe
me mjaltin në gjuhë
me agimin në sy
4.05.2013
Ejani
Pranveren mos e ndalni
femijet thërrasin me klithma
unë me buri
Ajo vjen me diell e shi
të thurë gjelbërim e lule
dhe këngë zogjësh
Pranverën që ta kemi n'shpirt
cicërimën tonë ta ruajmë
ta flasim e shkruajmë
Ju pandehni
Ju pandehni se kam harruar
se ç'më shkon për të qeshur
dhe për të qarë
Keni të drejtë të pandehni
të heshtni të çirreni e shani
të bëni ç'farë të doni
Kot të shkelësh nëpër prush
t'i fusësh duart në ujë të valuar
pëshurrshi hijen tuaj
Heilbronn, 17.gusht 2013
Një ditë me shqotë
Nje ditë me shqotë
Ty të lagte streha e një shtëpie të vjetër
Mua më rrahte veriu i egër
Nën atë strehë mbetën
vetëm gjurmat e atleteve që kishe mbathur
dhe loti im si pika strehe
Trete siç u tret bora e atij dimri
E për ty s’mësova nga motet që vraponin
as nga dallëndyshet që shtegtonin
Rigjetja
Pikërisht atëherë kur qëllonin
Shtatin tim mënxyrat e mileniumit të ri
Nga humbëtira një zë më erdhi
Në trurin tim u kthyen gjurmat
E mbetura nën strehën e shtëpisë së vjetër
Dhe loti i varur aty e askund tjetër
U kthye dëshira për rrezet e diellit
Që nga Thanishtja si rilindje shpërthenin
E me tërë ngrohtësinë më mbërthenin
Njejtë
Edhe sot si atë tetor kur kërkoje nëpër vitrina
Drithërimën e harruar nën strehën e vjetër
E rishton si asnjëherë tjetër
Më s’ka ankth shqote as lot të gurt strehe
Ka ngrohtësi të zemrës së gjetur
Dhe rikthim kujtimesh të kohës së fjetur
Ka diell përbrenda zemrash e në shuplaka
Ka pranverë në sy e gjelbërim në hapa
Ka gurrë biluri në gjuhën që rrjedh
Në një sallë turku
Në një sallë turku
Ku shfletohet përditë libri i shkretëtirës
Dhe shijohet hëna që përcëllon shpirtin
Qëndrojnë gozhduar Skënderbeu me gjokun n'vrapim
Ismail Qemali me lotët në sytë e skuquar
Ibrahim Rugova me dardhë ukere në gojë
Dhe Adem Jashari me pushkë në dorë
Tek u thotë të parëve nën pelerinë
Asgjë s'është si në vegim
Daullet pushojnë derisa fjalët me zhurmë vriten
E flamujtë fallso të fabrikuar n'Kinë valviten
Për njëqindvjetorin e pavarësisë turma me qaraveshje
Ngritet më hozhgjolldën e Krisgot
Me derset që palohen nën gëzhojë të egos
Dhe bajatohet folklori përcjell me KRAG
Valle e zanave që në prag
Flamuri i qullur n'gjak përparëse bërë
Ngjallë afshet që kulmojnë në dihamë
Në arenën e ngushtë rënduar ethshëm n'frymim
Pushtuar nga lëkurbardhat e ftohta me sy të akullt
Nën vështrimin e fëmijëve që mes rreshtave vrapojnë
E klithin aq thekshëm sa nuk dëgjohen
Nën kupën e qelqtë ku humbin konturat e kuqlimit
Për ëndrrën që s'ka perënduar
Truri më bëhet këlli para librit të hapur në tavolinë
O si ta çliroj shpirtin që proteston -
Një zë nga brenda më thotë
Të dal në freskë nën shqotë
Larg zgërdhirjeve që ashtin gërryjnë
E gjak lirie përlyejnë
Me egot e fanatizmin që pllakos
Dhe shkollën e kombëtares afshëm baltosë...
Ashti im i vjetër
antropologët masin e peshojnë
ashtin tim të gjetur në shkëmb
sa shkëmbi të vjetër
pushtuar nga tregime dhembjesh
e hulumtojnë
si bazë dhe majë të piramidës
që s'shembet po përtrihet si kullë qëndrese
dhe aromon lindjen me polenin e mbjellë
që të rritet deri te e vërteta
Fosil i gjallë
jam fosil varrosur e përlindur këtu
edhe hi urne jam
i shpërndarë si polen lulesh
me krahë të shtrirë edhe përtej lindjes
edhe përtej perëndimit
kam mbledhë rryma ajri e detesh
edhe akullin e dy poleve
në hemoglobinën time
Kroi mbi mëhallë
Kroin me qynga dheu mbi mëhallë
sa herë kthehem të pi ujë
e gjej të shembur nga thundra kuajsh të zi
përvjeli duart dhe ia largoj llucën
ia largoj duhmën
e pres derisa të kthellet
që sytë t'i ngopë sërish me njomësi
sërish përvëlimin ta kthej n'gjelbërim
Në atë krua me qynga dheu
ngjyrën e bjeshkës e vjel
marr rrezet e virgjëra të mëngjesit
pastaj i kapem qiellit të kaltër
me zogjtë që më mbushin ëndrra
dhe kthehem sërish
baltën e pjekur ta puth në currjel
Heilbronn, 28.I.2013, ora 03.26
Kujtesë
Nga përplasjet e vala ngrita shtat
siç kishte ngritur shtat mali i vajit e këngës
me lindjen që s'e mba mend
as Dheu i bardhë tek Udhët e bardha
e në kujtesë nuk pati kurrë vend
as për fshesën e dhembjes -
se përsëritet sa herë më bie të përzë
kuajt e zi që s'ndalojnë të harbojnë
Duke ndjekur gjurmat
Asaj dhiareje që lahej me rrezet e para
dhe të fundit që e kapte hija
ndiqnim hapat e njëri-tjetrit
gulqueshëm kah shtegu i dritës
që rrëshqiste deri prapa dyersh
Ecnim dhe endnim fijet e një ëndrre
që zgjateshin nëpër gjurmat e reja
pa tretur në thanë thurja e lulesës
e ngritej bërthamë dielli
të djeg e pjek hapat n'shpejtim
Tashti ecim krahas e kërkojmë dhiaren
e tretur në themele çerdhesh
dëgjojmë përkundje djepash e ninulla
tek lahen puthjet me rreze
e xhamat shndërrohen në ylber
Eja valë
Eja valë me oshtimë
Hidhu rrëfeshëm në trupin tim
Po s’më rrëzove mbi këtë zallë
Do të ngritem Jezu i gjallë
Do t’u qeshem kuajve t’bardhë
Mos ndiej mëshirë po hidhu
Mbi trupin tim si të duash përdridhu
Nuk po më mbetet fare merak
Lartësi egoje për të prekur
Veç verbërimit të syrit gjak
Që s’do tjetër pos hekur
Nuk jam Jezusi
Andaj le të më rrahin zallë e valë
Trupin tim n’kryq për ta kall
Fund pusi që t’mos shoh
Tek shndërrohem në çerep
Zjarr i zjarreve tek më pjek
Dhuratë
(Razalisë për ditën e të dashuruarve)
Dhuratë për ty kam emrin Razali
kam syrin që t'falë dashuri
zemrën deri n'amshim
zërin për galdim
gishtërinjtë që lule mbjellin
dhe për ty aromë sjellin
si sot gjithëherë
në çdo stinë gjithnjë ylber
Heilbronn, 14.2.2013
Rrapi im
Rrapi im kishte një kurorë
Nga Nishi në Janinë
Nga Manastiri në Kotor
Të huajt ia curruan deg'të
Ia hodhën në zjarrë
Pikoi loti që s'do tharë
Rrapi im nxjerr pipa t'ri
Rrriten pa blerim e diell
E frytnohen për liri
Trungu im i lashtë
Nëpër shekuj plagët e marra
Po i kuron ëndrrat e vrara
Me fat
dashuri e dhembje më përcjellin
me bukën e mbështjellë
bashk me urimin rrugës para agimit
e diellin nuk e shoh
nëntoka më pret
me fat
futem në zgafellë dhe eci e eci
me llamb karbiti nëpër terrin e nëntokës
pastaj përthyej shkëmbin
djersë e xehe më shtresohen
tek kafshoj bukën e ditës
e me sy ha kristalet
sërish gërmoj ndoshta edhe varrin tim
për dashurinë time
Kur dal dielli veç ka perënduar
edhe unë iki nga zgafella rëndë
duke bartur me vete
brendinë e nëntokës
dashurinë e fjalës së ngrohtë
eci e eci e trokas burrërisht
nëpër dyert që duhet të hapen
për diellin e nëntokës që s'perëndon
po ngrohë dhembshëm
për dashurinë e madhe
me fat
27.02.2013, ora 01,25.
Loti i Ilirides
Loti i Ilirides rrëshqet
kur zogjët e saj nuk jetojnë qetë
në çerdhen e vet
mërzitet në Majebardhë
kur grindjet s'pushojnë
e dashuria s'nis
dhe në mes të zogjëve
dreqi ojna qëndis
Loti pikë e pikat nuk pushojnë
kur sojsorollopi qëllon
e gjakosë qetësinë
dhe s'ndëshkohet
po shndërrohet
n'ulurimë
Rrjedhin lotët e gërryejnë Iliridën
e lënë në mëshirë
të Erës së thiut
teksa zogjtë e saj shahen e grinden
për thërmijat e lëna
e s'ja njohin dhembjen nënës
po edhe më tej
bëhen ushqim i gjëmës
02.03.2013, ora 02.43
Kur
Kur flakët lëpijnë qiellin
e toka bëhet hi
nuset grisin velin
për të rënë shi
Në tokën e djegur
farë dielli e mbetur
nisë ëndërr të re
me rreze të krehur
E nis së qepuri vel i ri
prej gjaku e diliri
prej djersës që rrjedh
në vetëdije derdhë
Kur bari gjelbërohet
e nëna s'përvëlohet
me zjarre rikujtohen
flijimet mos t'harrohen
07.03.2013, ora 00.06
Çdo natë
Çdo natë
më ikë nëpër terr
nëpër shi
dhembja më zë
në gjoks e në sy
kthehesh me ag
ëndrrën më ndjek
në zemër
më fut fresk
Lodhjen e shtrinë
në karrocën e artë
e diellin shijon
kur lë horizontin
pas kafesë
dhe një rriske buke
lyer me djersë
dhe dhembje
Me tu afruar mbremja
ankthi më shtrëngon
si kurora Jezusin
se e di
që naten
do ta kem krejt terr
deri në agun e ri
18.03.2013
Kujtesë
Në kujtesë ende kullifitet kafeja
dhe dielli i ngrohtë si një bukë ndore
mbi mrizin e bardhokave
rrethuar me plepa të gjatë
e qerdhe kumrijash
Ende ndër duar më rrinë gështenjat e egra
tek pikun e qërohen në kalldërm
ndërsa unë përkulem thellë
i zgjedh binjaket e kafta
dhe i vë përballë
në tavolinën si dielli
Në kujtesë ende kullufitet kafeja e harruar
që pret ta lexoj letrën e ardhur
nga fundi i botës
dhe një nga një më nxjerr lotët
të më rrëshqasin në gotën e porcelant
njelmtë e ëmbël bashkë
Kroi i Jetës
bie në gjunjë dhe përkulem
derisa buzët të të puçin syprinën
dhe pi
diell
e qiell
zemrën flladis me ty
e lindem
dhe rilindem
me syrin që shprehë kroin e jetës
gjuhën e ëmbël
që deri në ekstazë
dehë
Zarfa më mbyllte syrin
Shportën e vendosa në ulësen e parë
Vetën e lash nën dritën që pas pak do fikej
Ti hyre dhe e ndeze makinën dhe ike nëpër terr
Unë vrapova vetëm deri te qoshja e shtëpisë
Shndërruar në erë e akull
U ktheva me zemrën quar peshë
Fika zërat që gërvalleshin nga Shkodra në Butrint
Evliatë tek qitnin fall te hamami turk n'Prishtinë
Trazova eshtrat e Ahmet Shtimes
Derisa lavatriqja lante pluhurin tënd
Mbusha shportën me djersen tënde
Ngjita shkallët e drunjta
Me veshët picërr në pritje t'një fjale
Ndeja rrobat dhe vetën
Në heshtjen që ngulfatë e vret ngadalë
Në zbritje fika dritën e zbehtë të tavanit
Pastaj edhe atë të korridorit
Veshët s'më zënë cingërimë telefoni
As gërvalljet në Ballkanin çmendurak
Pos eshtrave të Shtimjanit vrarë në pritë
Tek shoh orën e harruar
Ndiej zukatjen në veshët e lodhur
Pushimin e eshtrave të shkapërderdhura
Pranë telefonit që vazhdimisht hesht
Pranë zarfës që syrin më shkel
Tashmë është vonë për rojen e dështuar
Për fjalën e kapërdirë
Për qetësimin e erës nën qiellin plumb
Për pranverën që akull ka zënë
Përveç përplasjeve që trurin më gërryjnë
Dua të shtrihem dhe zukatjet nga koka t'i shporr
Por terri se ç'më hyn nëpër dritare
Dhe më mbështjell me perden e qetësisë
Që nesër me agim të dëgjoj frymëmarrjen
Të shoh në sy një kokërr gëzim
6.04.2013, ora 01.40
Pellgu i ferrit
Po nisej kolona me bekim të satanës
në Frontin e Adriatikut për të ndjekur erë të derrit
po nisej kolona pa bekimin e atmes
për në pellgun e ferrit
Qeleshebardhët lëviznin
si të ecnin majet e gurta të bjeshkëve
dhe vetëvetën mërtypnin
ngapak mish dhije te kripur me tym eshke
Lëviznin qeleshebardhët skaj Drinit
të përvëluar nga etja
iu falnin opingat e grisura shkrepave e vërrinit
tabanët e përgjakur shpuar në thepa
Udhës së Pajtonëve ia falnin ndonjë qeleshe
të shpuar nga krismat e zeza
ndonjë buzë të djegur peshqeshe
ndonjë sy të shkimur bukureza
Një qeleshe mësyente kroin zemërzhuritur
po plumbi ia vriste diellin
ujin ende pa arritur
të njomte gojën shkrum pa parë ylberin
Kolonës së qeleshebardhëve për kujtim i ndalte
secili shkrep nga nje copë lëkurë
toka e ëndërruar gjakun ia pinte
Ia shkimte ylberin Shkodra e shpresës si kurrë
Tufa e qeleshebardhëve po ecte drejt flijimit
në kampin e "Monopollit"po ngujohej
me plumba e bajoneta ngriteshin në kult të krimit
në Tivar etja për jetë po shitohej
Po fikeshin yjet me bekim të satanës
që qizme pushtuesi luleqeleshbardhët të shkilte
po zbardhej deti me bekim të rrotës s'amës
që tokën e begatë të tyre ta milte
Të gjallë e të vdekur heshtnin
vetëm Tivari e deti me kasapët llokoqitnin
që diellit ia përlyenin faqet e arta
ndërsa hënës e shkrepave faqet e akullta
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen