Freitag, 25. Oktober 2013
Salih Zogiani - Anekdota 2
1. NGJITJA ÇFARE T’DUSHË, HAJDE MERRE KUR T’DUSHË
Ju kish pas prishë njenit depçiku i pushkës. E qojë te mjeshtri me ja ndrru dhe i tha mjeshtrit me ja ngjit depçiku. -Qfarë druri podon me ja ngjitë?, e pyti mjeshtri. Filloj ky me ja numrue llojet e drujve, që nuk ban me ja ngjitë: -as ahu, as bung, as frashnje dhe ja numërojë të gjitha llojet e drujve që ju kujtofshin. Le pushkën, se se ta rregullojë, i tha mjeshtri. -Kur me ardhë me e marrë?, i tha ky. -Mos hajde as t’hanën, as t’martën, as t’mërkurën, e ja numërojë të gjitha ditët. Tuj u shtye me fjalë, u ngtrruan me dhe u rrahën. I qunë te kadia dhe kur e pa kadiu se per shka janë zan, pruni vendim: me i shti me ni fuqi e me i lëshu prej një maje të lartë të një kodre. Tuj u rrutullu fuqia, ata i mëshonin njeni tjetri dhe prej dhimbjes thonin: -O ngjitja qfare të dush! -O hajde merre kur të dush!
2. PUNA E SHIPTARËVE SI PUNA E THANËS
Në një odë në Bardh të Vogël ishte zënë muhabeti për punë të Kosovës. Njëri kish pas thënë: - Sa shumë kemi luftu na shqiptarët me turq, shki, bugar, mirëpo apet kemi metë n’robni. Tash prap t’parët dolëm n’demonstrata, po kurgja s’u ba. Aty qëllon Osman Ajvazi i Miradisë, kur e merr fjalën, u thotë burrave në odë: - Shiptarët gjithmonë kanë luftu me anmiq, po puna jonë asht si puna e thanës. Thana lulon e para, po piqet e mrama. Me emër t’Zotit edhe puna jonë ka me u nreq, se i ka ardhë koha me u pjekë thana. Mirëpo, mbasi të çlirohemi, nuk e di se a do të mujmë me e qitë mendjën para inatit, për me hecë përpara,- u thotë plaku.
3. AI ME MUSTAQE MA KA KAJTË NANËN MU, AI TJETRI KREJT SHQIPTARËVE
Kishin shkuar do gazetarë kosovarë në Shqipëri, mbasi ra sistemi i komunizmit. I lut një gazetar i Shqipërisë të shkojnë në shtëpi për muhabet. Shkojnë këta, e kur hynë brenda, varur në mur i shohin dy fotografi, njëra e Enver Hoxhës dhe një tjetër, një burrë me mustaqe. I thonë këta kosovarët atij shokut: - Kush janë këta dy në fotografi?! - Ai me mustaqe ma ka kajtë nanën mu, e ai tjetri krejt shqiptarëve, - u thotë ai.
4. PA HIP NALT, NUK KËNDON
Rexhë Asllani i Kjevës, trashëgimtar i pleqnarit Ramadan Shabani, kishte pasur mysafirë. Duke bërë muhabet, Rexha, që ishte ulur afër oxhakut, i thotë Musës: - Musë, hajde e ulu qëtu afër meje. - Po nuk i takon Musës me u ul kryevendi, - i thotë njëri. - E di që nuk i takon, po po i tham me u ul këtu nalt, se po rrin me do njerëz t’mençëm e nashta ka ndi naj sen e na tregon, - u thotë Rexha. - Po le të flasë prej qaty, ku asht ul, - i thonë të pranishmit. - Jo, nuk flet prej atje, se e ka tabiatin e knusit, pa hip nalt, nuk këndon, - u thotë Rexhë Asllani.
5. LYPNE MA POSHTË
Mixha i Tahir Deskut kishte ardhur në Prishtinë. Mbasi i kryen punët, shkon te Fakultetit Filozofik për ta takuar Tahirin. Ndalet para fakultetit dhe fillon të shikojë mos po e sheh diku Tahirin. Kur e shohin disa studentë, e pyesin: - Kë po e kërkoni, o axhë? - E kam këtu ni nip student, ni Tahir Deskun, deshta me e takue, po nuk po e shoh kërkund. - Tregona çka studion, se ta gjejmë ne, i thonë ata. - E studion gjuhën shqipe, - u thotë ky. - Po në cilin vit është? - Po, ai neve na thotë se është në vitin e katërt, po ju lypne diku ma poshtë, kah viti i dytë, - u thotë ky.
6. QENKE BURRË I MIRË E DUA TË VIJ TË BUJ NJË NATË
Njëri po çonte drithë në mulli për të bluar. Derisa po kalonte me qerre druri afër Korroticës, i thyhet osi i qerres. E sheh Mexhid Syla i Korroticës se iu ka thyer osi e shkon për t’i ndihmuar. Mexhidi kish qenë mjeshtër, i merr aletet dhe ia ndreq osin. I ndihmon edhe t’i shkarkojë e t’i ngarkojë thasët. Niset ai me qerre e, kur shkon nja dhjetë metra, i ndal kiet e po e pyet Mexhidin: - Allahile, qysh e pate emrin? - Unë jam Mexhid Syla, - i thotë ky, po pse po pyet për emër? - Valla, m’u duke burrë i mirë e ndoshta vij ndonjë natë të buj.
7. E KAM BA ME LANG T’PULËS T’TAFILIT
Një Tafili i anës së Karadakut e kishte pasur një shok në Bujanofc. Merr vesh se i është sëmurur shoku e shkon për ta parë. Ia kishte pas çuar një pulë të pjekur. Kur u kthye Tafili, u kallëzoi se qysh u ka ardhur mirë, e kanë pritë mirë e që i kanë bërë muhabet. Mbasandaj ia nisën po i shkojnë këtij të Bujanofcit edhe kushërinjtë e Tafilit, kur shkonin në pazar, e dikur ia nisën edhe të shkojnë e të bujnë, te shoku i Tafilit. Sa herë shkonin të bunin, për t’ia kujtuar se kush janë, i thoshin: - Jemi kushërinjtë e Tafilit, ai që ta ka pas pru atë pulën e pjekun. Një ditë, mbasi i kryejnë pazaret, i shkojnë nja tre kushërinj të Tafilit, për të bujtur. Kur e hanë darkën, njëri prej tyre i thotë: - Zoti t’dhashtë bereqet, se jemeku koka kanë fort i shishem. - I shishëm, se e kam ba me lang t’pulës t’Tafilit, - u thotë ai.
8. PO TUTNA MOS IA KA LUE KUSH KUNGJIN
Në do kohë të shkuara nuk kanë pasur sahate, po janë orientuar, për kohë, me hije. Njëri kishte pasur argatë, për të prashitur. Para se të nisej për të shkuar në arë, gruaja i tha burrit: - Në çfarë kohe me e prue bukën në arë? Për të ditur kohën, mbasi nuk kishte orë, burri e nguli një kunj në oborr, e i tha gruas: - Kur t’vje hija e shtëpisë te kungji, bjere bukën. Dikur argatët i mori uria e ia nisën të thoshin se u vonua buka. Atëherë, burri u tha argatëve: - Valla, more burra, unë, para se me ardhë në arë, ia kam lanë nji shejë grues, ia kam ngul ni kungj e i kam thanë se kur t’bjen hija e shtëpisë te kungji, me e prue bukën, po, mbasi u vonue kaq shumë, po tutna mos ia ka lue kush kungjin!
9. O, TI DREQI ME MJEKËRR T’ZEZË, QYSH E PATE EMNIN?
Kishin shkuar do njerëz, goxha kallaballëk, në një të pame. Duke shkuar, e bëjnë llaf kush do t’u prijë, kur të hyjnë në odë, dhe të flasë në emër të grupit. I thonë njërit, që ishte më i moçmi: - Ti ki me pri. - Jo, bre, se nuk ia di emnin kërkuj. - E ki kallaj me e njoftë t’zotin e shpisë, e ka emnin Brahim, e ka mjekrrën e zezë edhe ja sheh n’kry kapuçin e haxhive. Veç ati i thue n’emen, - edhe ia mbushën mendjen që t’u printe. Kur hynë brenda, ky e pa cili ishte i zoti i shtëpisë, sipas mjekrës e kapuçit, po ia harroi emrin. Prej inatit, i tha: - O, ti dreqi me mjekërr t’zezë, a po m’nimon pak, qysh e pate emnin, se harrova?
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen