Anekdota te zgjedhura nga pesë librat e botuara nga autori Salih Zogiani (Vazhdimi i gjashtë)
1. TAHIR BERISHA E I PODRIMSI
Në kohën e fashizmit, Mark Zefi i Shpenadisë e takon njërin që po shkonte në Drenicë e i thotë:
- Shko te Tahir Berisha në Berishë e i thuaj Tahirit:
- Të ka përshëndetur Podrimçaku dhe më ka porositur të ta këndoj një këngë. Kur shkoi ky te Tahiri, ia përcolli fjalët e Mark Zefit dhe ia këndoi këngën që e kish porositur:
- Moj e mira qi shkon me edha,
t’lumtë na t’lumtë na erdh pranvera!
Tahiri, kur e përcolli, i tha:
- Kur të shkosh në Podrime, përshëndete atë dostin tim dhe këndoja një këngë qysh po të them unë:
- Moj e mira qi shkon me dhen,
tërta-vërta kurrni sen!
Kur u kthye ky në Podrime e ia këndoi këngën, qysh e kish porositur Tahiri, Marku menjëherë u mrrol, e mori vesh se puna nuk ishte bash mirë, qysh kishte menduar ky, se nuk kishte ardhur liria e vërtetë.
2. JAM MERZITUR KUR E KE KAPËRCYER ÇAKORIN
Halil Hima i Vranocit shkon në pyll e merr një krah dru. Derisa po kthehej, e ndal pylltari. Ai kishte qenë malazez. Ia shkruan Halilit që i ka prerë dyqind e dyzet copa dru. I tregon se çka ka shkruar dhe e pyet Halilin:
- A po mërzitesh që do të dënojnë rëndë?
- Jo, i thotë Halili, nuk po mërzitem hiç, jam mërzitur fort atëherë kur e ke kapërcyer malin e Çakorit e ke hyrë këndej, se tash, mbasi ke hyrë, shkruaj çka të duash.
3. MIKO, A PO M’NIMON ME E MAJTË MIQASINË
Aziz Veliqi i Shkarashnikut ishte bërë mik me Haxhi Hasin e Gllogofcit. Kur shkonte Haxhiu mysafir te Azizi, kur çohej për t’u kthyer, ai e përcillte deri te autobusi, gati gjysmë ore rrugë.
Mirëpo, kur shkonte Azizi te Haxhiu, ky i thoshte “udha e marë” te dyert e oborrit. Një ditë, duke e përcjellë Haxhiu Azizin, e duke i thënë ‘udha e marë’ te dyert e oborrit, Azizi i tha: - Miko, a po m’nimon ta majmë miqasinë, se veç unë nuk muj me e majtë.
- Po pse po thue k’shtu, çfarë gabimi kam ba? - e pyet Haxhiu.
- Kurgja nuk m’ke ba, po unë po t’percjelli gjysë ore rrugë, e ti kqyre ku po m’thu udha marë, te dyert e oborrit, - i tha Azizi.
4. SHUNI, SE KA DASHTË ME U REGJISTRUE SHKA
Në regjistrimin e popullsisë të vitit 1971, një Brahimi i Kotorit të Drenicës, ishte regjistruar turk. Vëllai i tij, Qerimi, mundohet ta bindë se aty s’ka pasur turq kurrë, po kot, ai nuk e dëgjon dhe regjistrohet turk.
Mbasandaj, shpeshherë nëpër ndeja, i bënin vërejtje Qerimit, duke i thënë:
- Qysh, bre Qerim, e lejove vëllaun me u regjistrue turk!?
Qerimit i vinte mërzi që ia përmendnin shpesh e u thoshte:
- Shuni, se ka dashtë me u regjistrue shka.
5. A U KULLE, A M’U DOK?
Duke biseduar dy veta, të moçëm, për punë të dynjallëkut, e pyeti njëri tjetrin: - a fleni bashkë me grue, a damas?
- Jo, s’flejmë bashkë, po damas, - i thotë ai.
- Po qysh merrni vesh mes veti? - e pyeti ky.
- Merremi vesh me temsil, me t’kullme, kur kullna unë, ajo e merr vesh e vjen te unë.
- Po, kur don gruja, si e kini temsilin, a kullet edhe ajo, si ti?
- Jo, ajo s’kullet, po m’drejtohet mu e m’thotë:
- O ti njeri, a u kulle, a m’u dok? - e unë e marr vesh temsilin.
6. XHENETLISË I BJEN LËKURA
Njëri kishte pasur rast vdekjeje. E thirr hoxhën për ta larë kufomën. Ia çuan hoxhës kusinë me ujë të valë, duke menduar se e provon dhe e voktis si i duhet. Mirëpo, hoxha nuk e voktis hiç po ia qet ujin nxehtë, valë. Si ia qiti hoxha ujin, kufomës filloi t’i binte lëkura. Kur e panë, ata që i ndihmonin, se po i bie lëkura, i thanë hoxhës:
- Hoxhë, çka u ba kështu!
Hoxha e kuptoi se uji ishte shumë i nxehtë, po, për t’u nxjerrë diqysh, u tha:
- Ky rahmetlia koka xhenetli, se xhenetlisë i bjen lëkura kur e lajnë.
7. TASH PO JU KCEN EDHE KIEVE
Njëri e kishte pasur një tarak të vështirë. Ku shihte ndonjë lopë, e ndiqte e i kërcente edhe pa u ethur.
Një ditë i zoti i shtëpisë e çoi mëzatin për ta tredhur, e i tha mjeshtrit: - Allahile, tredhe mirë, se s’po kryhet tuj i njekë loptë e huja e po u kcen, ethë e pa u ethë.
- Mos ki dert, se, kur ta tredhi unë, ka me u rahatu meniherë, - i tha mjeshtri, - edhe e trodhi. Mirëpo, taraku nuk u rehatua hiç.
Mbas do dite, shkoi ky te mjeshtri, e si e pa mjeshtri, i tha: - A t’u rahatu taraku, qysh t’kam thanë?
- Jo, more, - i tha ky, - nuk ke ba kurgja, përpara u kcejke veç lopve, e tash ia ka nisë e po u kcen edhe kieve.
8. GRUJA JEME ASHT VETËM E JEMJA
Në kohë të Shipnisë, një i Babushit kishte pasur dasmë. E kishte thirrur në dasmë një kushëri të vetin, që kishte dalë moti në Shipni. Ai kushëriri e merr edhe një kojshi të vetin, të Shipnisë.
Kur hyjnë në odë, ai i Shipnisë ua bën dasmën për hair e i pyet: - Pse k’tu n’konak paska veç burra, ku i kini gratë?
- Te na asht adet burrat rrinë veç, - i thotë i zoti i shtëpisë.
- Ky adet s’asht i mirë, se te na n’Shipni rrimë bashkë, burrat edhe gratë, se ata që i pranon n’konak janë si anëtar t’familjes. Pse me u nda, kur nana e jote asht edhe nana e jeme, motra e jote asht motër e jemja, gruja e jote asht edhe gruja e jeme.
- Jo, qe besa, nuk asht bash qashtu, se gruja e jeme asht veç e jemja, - i tha i zoti i shtëpisë.

Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen