Samstag, 28. Juni 2014

Hamit Taka - Poezi


-Cikel nga Veriu

SI YLL VERIOR

Jugun e ndrrova me Veriun
Kjo ishte një ëndërr e vjetër
Nga Eposi i Kreshnikëve më lindi
Me vargje të shkruar në letër;...


Dikur shkëlqeja si një yll jugor
Në katund lexonin botimet e mia,
Dhe atij që mblidhte gërmat me dorë
Zemra i ndizej nga dashuria;

Ti pi lëngun diplomës sa dalluar
Dhe Medaljes që gjoksin ma ndrin:
Ah, kjo medalje, më thoshte nëna
Si skifter ta ha mushkërinë;

Po, nejse, prapë s’jam dhe aq keq
Si bëhet gjakmarrja e mësova
Dhe se vajzat shiten e blihen
Këtë veç këtu e dëgjova;

Po prapë ky pasioni përvëlues
Më djeg në zemër e damarë,
Si trëndafil i celur bubullues
Më del para një vajzë në acar;

Babait, o Zot, si t’ia themë
Të më dërgojë sa më shpejt ca para
Të ishte për nënën menjëherë
Do t’m’i dërgonte kursimet që ka;

As vajzat e lira s’i prekim dot më
Sot shteti ka ligje të rrepta
Po u lidhe me njërën dot nuk e lë
Në brazdë do t’më kalojë rinishkreta;

Sa për zakone nuk jemi aq larg
Pleqtë i nderojmë si shenjtorë
ç’do gjë bëhet me urdhër, komandë
Dhe Zotin e zbuam si një horr;

Oh, lamtumirë fëminia ime!
Adoleshencë, me tinguj harbuar,
Tani ndaj shtetit kam shumë detyrime
Nuk rend dot më fushës i harbuar...

Nënës i thartohet brumi në magje,
Mbi gazetë mbledh gërmat me dorë
Lodhet e shkreta e s’më gjen dot në vargje
Po prapë unë do të ndris si një yll verior;

 
 
VARGJE TE STISUR

Lashë kujtimin e nënës dhe jugën e butë…
Lamtumirë, nënë, ti prehu e qetë!
Për sytë e bukur të vendlindjes dhe të tutë
Zemra ime ngaherë plagë do të ketë!

Por nuk do të thurr më vargje të stisur
Për heroizma që bardët na shesin,
Do të këndoj agimet dhe përrenjtë e krisur
Që prej malit orteqe të bardhë zbresin;

Me bredhat e çveshur si shpata ngulur
Do të pikturoj vjeshtës peizazhin verior,
Do të vizatoj shtatë liqenjtë e Lurës
Nën një tis të verdhë hënor;

Do të këndoj borën, gjithçka që ndrin
Mbi një grimasë të akullt ylberore
Dhe atë jetë të gjallë, që poshtë lëvrin
Me mijra tinguj e këngë gazmore;

 
 
NE LURE

Mërmërit liqeni… Mbrëmje e qetë…
Feks pishnaja dritargjëndi
Nën një trishtim të butë, të lehtë
Zambakët hëna krejt i çmëndi;

Ti, fryj, puhizë njomështie!
Thuaja këngës, ti gjethnajë!...
Një thikë ma jep këtu në ije
I ftohti alpin shpejt do t’më hajë…
 
JUGE E BUTE

Një brengë malli më përpinë
Për vëndlindjen larg në Jug.
Dal e pres në një kodrinë,
Pres e pres jugën e burtë;

Damarët, shpirtin të m’i shkrijë,
Të sjellë vlagën për të mbjellë;
Breg më breg kur të arrijë
Aromën e nënës të më sjellë;

Aromën e ftoit në sepete,
Aromën e leshrave të rime,
Gjithë aromat që ka mbi vete
Futa blu e nënës sime.

* * * * * * *
“Përkundu, përkundu, varka ime”
Mbi ujanën rozë të Ulzës!
Ç‘mbrëmje-ëndërr, çfarë vezullime
Prekin lehtë flatrat e muzës!

Ç’kodra të gjelbra kaçurrela!
Ç’njomështi! ç’blerim hare!
Do pikturoj një varg manierash,
Do të krijoj një fe të re;

Eja, vashë e ylbertë jugore,
Në këtë magji-parajsën time,
Do të vesh me dritë yllore,
Me mëndafsh të luleve alpine!

Do të njoh me shtojzavallet
E Laçit, Bruçit dhe Urakës,
Do të shikosh duart e hënës
Se si shtyjnë velat e varkës;

Diga vetë do t’i japë çelsat
Të ndezësh dritat nëpër vargje,
Konstelacione yjesh do të zbresin,
Do kthehen befas në smeralde;

Përfund liqenit do të vallzojmë
Si ngjalë ti, unë si delfin,
Këngë turbinash do të dëgjojmë
Një brengë malli pa shërim;

Kjo bukuri që më mallëngjen!
Ky binom natyrë-njeri!
Në dhëmbje shpirti po ma ndjen
Se nuk do të kthehem më tek ty…
 
DO LE JUGUN, DO ZE VERIUN

Ah, e lodhshme fort jeta në Jug,
Mbjellje në vjeshtë, korrje në verë,
Në verë zheg e qiej të bruztë,
Në dimër shi, furtunë dhe erë;

Pa variacion, o jetë, më plake
Para kohe në monotoni.
Jo unë jetën s’e kam dhuratë
Rininë fushës t’ia bëj fli;

Do lë Jugun, do kap Veriun,
Do të blej një palë ski;
Dua borën, cingërimën,
Pranë oxhakut dimrit të rri;

Mish të tharë e të tymosur
Do të gatuaj në poçe balte
Dhe nën qiejt e çngjyrosur
Do t’i thurr unë bjeshkës vargje;

 
 
UJVARAT E BULQIZES

Ah, në Bulqizë kush ka qënë
Në pranverë, në prill e maj
Dhe mbresa, brenga s’i kanë lënë
Ujvarat si vajzat e saj!

Si ortekë nga malet hidhen,
Nën diell ndrijnë-harqe ylberi;
Kur prekin tokën treten, mblidhen
Pikla-pikla si lotë dreri;

Pastaj ecin luginës shtruar,
Gjarpërojnë në lugje, shtigje
Duket sikur janë penduar
Që lanë malet brigje-brigje;

 
 
JAM RRITUR NE MALE

Jam rritur në male me pyje e me borë,
Endërrat e mia mbajnë aromë trëndelinë;
Kam mbledhur me grushta qiellit vjeshtor
Yjet, që me dritë ma mbushën shtëpinë;

Jam rritur në kodra ku kullotat i kreh era
Dhe flladet trazojnë trifilin fije-fije,
Ku sorkadhja kërcen me lëvizje të prera
Në kërkim të partnerit me hove dashurie;

Jam rritur në fshat me bujq e blegtorë
Kam korrur grurin e thekrën duaj-duaj;
S’e mbaj mend ç’muaj, ishte maj a qershor,
Kur në lëmenj kam shirë drithin me kuaj;

Lëndina buzë përroit mbushur luleshqerra
Ishte qilim i butë, ku dielli pranë më ulej,
Me gishta më shpurpuriste leshrat kaçurrela,
Të më merrte në gji, mbi mua ai përkulej;

Në gjirin e natyrës kam lindur e jam rritur
Kënga e laureshës më ka nanurisur,
Ndan një gurre, ndan një shtegu duke pritur
Atje unë këngës herët ia kam nisur…

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen