Dienstag, 23. Juni 2015

Opinion nga Jon Leka - Kur Zoti zbret në Llapushnik

Pushtimi qenka ai që paska ruajtur shqiptarët të mos ia hanë kokën njeri- tjetrit, në emër të féve të importuara prej gjithandej. Grupet radikale, të rinjtë në ISIS, mohimi, shembja, përdhosja e figurave të Nënë Terezes, Skënderbeut, tendenca e priftërinjve për të monopolizuar sa më shumë territor dhe historinë,  janë monumentet e ferrit të këtij realiteti.


Intoleranca prodhon histeri dhe kjo e fundit verbëron edhe racionalin më të ashpër.

Duket  sikur gjithandej ku ta lëshoj këmbën Zoti përdhos, çanë, çmend njerëzinë! Askush nuk e duron tjetrin dhe konflikti vendos pushtetin.

Mediat thanë se u dëmtuan varrezat – e aty nuk ishte varrosur askush. U shkrua se u prish themeli i një kishe – aty ku u prish murri i një ideje për tu ndërtuar një tempull fetar për katër – pesë familje katolike. Dhe të gjitha këto ndodhin mbi një copë dheu ku qenkan zhvilluar beteja të ashpra të vendorëve kundër pushtuesve të tyre. Aty paska bërë luftë UÇK kundër armatës dhe paramilitarëve serbë. Aty paskan lënë jetën dhe eshtrat shqiptarët e Llapushnikut për lirinë e tyre. Po në këtë liri që për kisha e xhami ne dje ia bëmë Llapushnikut fytyrën zi. Se e fyem, e akuzuam pse mbi atë tokë, ende të patharë nga gjaku i dëshmorëve të tij nuk lejon të ngritët një kishë, një kryq, një tempull që të gjakut e tij me fé ndryshe e kërkojnë si copë, seli për ata që i besojnë t’i kenë perëndi.

E shteti? Ky nxit me paaftësi, gjuan gurin fsheh kokën dhe le njerëzit të vriten si gjë e gjallë që nuk e kanë idenë çka të bëjnë me lirinë! E mediat: ato vend e pa vend ulërinë dhe sjellin faktet veç atëherë kur njeriun e kanë shndërruar në bombë që mezi pret ta bëjë kërdinë –  ngase tashmë ai si dinamit kërkon themelin e radhës që urrejtjen e akumuluar ta prek me fitil, ta ndezë, ta djeg çdo fije që lidhë njerëzit paqësorë për t’ua dhënë fjalën atyre që besojnë se kufomat janë ushtria më e denjë e Zotit që preferojnë!

*

Ngjarja sipas dokumenteve të botuara në të përditshmen Zëri.
 

Dokumenti i parë: Në vitin 2009 «Famullia e Lumja Nënë Tereza» në Llapushnik i bën kërkesë Drejtoratit për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë afatin sa më të shkurtër t’ia ndajë komunitetit katolik 5 hektarë tokë në vendin e quajtur «Boka».

 Çudi e madhe. Pse kaq minimalistë? Pse Ismet Sopi i Famullisë nuk ka kërkuar krejt Llapushnikun si zonë të Papatit? Pse në afatin sa më të shkurtër? Duhet me urdhëruar: që tash e gjithë Drenica shpallet pronë e Kishës. O bënja një herë si duhet o hiç.

Pse kërkohet ndërtimi i Kishës mbi një vend që u konsideroka si «vakëf» pasi aty paskan humbur jetën shumë vendorë në luftë?

Dokumenti i dytë: Reagon imami Musliu dhe llapushnikasit. Kryetari i BIK-ut Naim Tërnava i drejtohet Kuvendit Komunal me një letër me siglën, në njërën anë të gjitha gjuhët dhe në tjetrën vetëm në arabishte dhe kërkon që mos lejohet ndarja e tokës, respektivisht ndërtimi i kishës. Arsyetimi: 5000 banorët nuk kanë xhami e kërkesa qenka shty për ma vonë.

Falsifikatori i historisë, kryeimami gjysmëlegal, oligarku i larë me të gjitha ujërat e zeza dhe prindi i paguximtë që e shtyn të birin në vend të tij të bëjë apele për në ISIS arsyetim në letër nuk e ka as madhësinë e tokës, as se qenka rajon ku qenkan ushtruar betejat e UÇK. Ai kërkon që mos lejohet ndarja e tokës sepse implikueshëm aty e apska vendin një xhami që nuk qenka kërkuar që dikush të mos mendojë se bëhet revanshizëm. Ndaj kujt?

Loja vazhdon. Fillojnë punimet. Ndërpriten punimet. Kështu vite me radhë. Eskalon situata dhe llapushnikasit me ramazan e stomak të pabuktë e shkatërrojnë murrin – themelin e Kishës, që, siç thonë vendorët, qenka ndërtuar tinëz.

*

Në fakt historia e kësaj ngjarjeje është brum për një trajikomedi për ta shkruar ndonjë mjeshtër si Jeton Neziraj. Që skena të ishte sa më autentike si aktorë duhej të angazhonte po të njejtët injorantë: Ismet Sopin, Naim Tërnavën dhe Nexhat Demakun. Llapushnikasit do të luanin rolin e shikuesve e jo të statistëve; për të parë se çbëjnë primatët e tyre fetarë dhe politikë me ta. Në fund me gurr do t’i gjuanin ngase do të kuptonin se këta maskarenj tallen me lirinë dhe inteligjencën e tyre. I fyejnë ata. Janë për t’i dëbuar të gjithë.

Dhe jo vetëm kaq. Llapushniku sipërfaqësoi diçka që qe sa vite terrorizon shoqërinë kosovare; me vite teofilë paramesjetarë, gjysmë të shkolluar, të trajnuar shkollave të urrejtjes fetare përdhunojnë publikun me organizata, parti, ndërtojnë qindra xhami ilegale ku predikojnë fanatikë me mjekra estetikisht të gërditshme, priftërinj që ndajnë drejtësinë dhe historinë, kërkojnë monopol mbi atdhetari, patriotizëm, politikanë që rrejnë herë njërën e herë tjetrën palë për të mbushur thasët e grisur të tyre me sa më shumë pare.

Llapushniku nxori edhe diçka shumë më të rëndësishme në shesh, një të vërtetë që ndoshta shumë pakkush donë ta dëgjojë se: pushtimi, po robëria, qenka ajo që i paska ruajtur shqiptarët të mos ia hanë kokën njeri tjetrit në emër të feve të importuara nga gjithandej, e jo toleranca e tyre “gjenetike” siç e elozhojnë veten tirqebartësit e Ballkanit. Po kjo qenka e vërteta. Grupet radikale, të rinjtë në ISIS, mohimi, shembja, përdhosja e figurave të Nënë Terezes, Skënderbeut janë monumentet që e dëshmojnë këtë realitet.

Llapushniku nuk i ka fajet. Gjithë ne që dje shamë e përlamë Llapushnikun nuk na mbetet gjë tjetër se kokëulur tï kërkojmë ndjesë e të mësojmë se çka ndodhë, çka mund të ndodhë edhe më keq kur nuk egziston shteti. Llapushniku na dëshmoi edhe njëherë se nuk duhet të kemi asnjë fije tolerance ndaj intolerancës fetare. Kosova duhet të ndajë shapin nga sheqeri njëherë e përgjithmonë; o shtet sekular ku fetë, besimet janë private dhe hiç më shumë o le të vendos që vendi të shndrrohet në poligon idiotësh, fanatikësh paramesjetarë që duke kërkuar zotërat e tyre do tua hanë kokën tjerëve para se të ikin edhe vetë.

________________
Shkrimi është marrë nga gazetablic.com 
23 Qershor 2015

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen