Prof. Asc. Dr. Zaho Golemi
Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare, i drejtoi në datën 3 qershor 1920, komandës italiane në Vlorë një ultimatum: Të iki nga Vlora!
Gjeneral Piaçentini u përgjigj vetëm me fjalët: “Përgjigjen shqiptarët do ta marrin vetëm nga grykat e topave”
Akademia e Forcave të Armatosura
Në qoftë se Kongresi i Lushnjës foli me gjuhën e diplomacisë, gjashtë muaj pas Kongresit kishte ardhur koha të flitej me gjuhën e pushkës për të fituar atë që në gjuhën e historiografisë quhet “Pavarësia e Dytë shqiptare”. Për këtë qëllim patrioti Osmën Haxhiu, thirri më 29 maj 1920, kuvendin e Barçallasë, i cili me rreth 200 delegatët nga të gjithë fshatrat e Labërisë, zgjodhi Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare, Komisionin e Luftës me 12 anëtarë dhe Këshillin e Luftës me 30 anëtarë si dhe komandantët e çetave të të gjithë fshatrave.
Është fakt i njohur historik se për organizimin e kryengritjes së armatosur kundër pushtuesve italianë, 94 vjet më parë flitej në çdo shtëpi shqiptare. Italianët kishin pushtuar një pjesë të trojeve tona të jugut, qysh në vitin 1914, kur filloi Lufta e Parë Botërore. Për aksionin politik dhe ushtarak u fol dhe në Kongresin e Lushnjës në janar të vitit 1920. Por qeveria e Tiranës ishte lënë “mënjanë”, nga ky aksion ushtarak me vlerë themelore për ekzistencën e kombit shqiptar. Lufta përfshiu masivisht gjithë fshatrat e qytetet e jugut të Shqipërisë. Janë të evidentuar saktësisht 89 komandantët e çetave të luftës me një shtrirje mjaft të gjerë që i dhanë kësaj lufte formatin e kryengritjes antipushtuese të nivelit kombëtar. Në këtë Kuvend u vendos që Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare, t’i drejtonte komandës italiane në Vlorë një ultimatum, për t’i dalë borxhi kësaj të fundit, dhe të bëhej një zgjidhje paqësore. Në datën 3 qershor të vitit 1920 që nga Beuni ky ultimatum ju dërgua gjeneral Piaçentinit me anën e trimit dhe patriotit Mehmet Selim Mallkeqi, që e morri vullnetarisht këtë detyrë. Gjeneral Piaçentini u përgjigj vetëm me fjalët: “Përgjigjen shqiptarët do ta marrin vetëm nga grykat e topave”.
Kështu, mbas kthimit të Mehmet Selim Mallkeqit, u vendos që më 5 qershor 1920 do të bëhej sulmi i përgjithshëm. Zjarri i saj vazhdoi me heroizëm në Kotë, në Gjorm e Llogora që ishin tre nga betejat më të mëdha e më të rëndësishme të Luftës së Vlorës që çuan në shpartallimin dhe largimin përfundimtar të ushtrisë italiane nga Vlora dhe rrethinat e saj, më 3 shtator të vitit 1920. Krismën e pushkëve, topave dhe mitralozave në Vlorë e dëgjuan edhe Fuqitë e Mëdha: francezët, amerikanët, italianët dhe britanikët që ishin fitues të Luftës së Parë Botërore. Komisioni i Luftës kishte këtë përbërje: Osman Haxhiu - Vlorë Qazim Kokoshi – Vlorë, Murat Miftari – Tërbaç, Alem Mehmeti – Tragjas, Hamit Selmani – Dukat, Duro Shaska – Kocul, Hysni Shehu – Sevaster, Beqir Sulo Agalliu – Vlorë, Myqerem Hamzarai – Kaninë, Qazim Koculi – Kocul, Sali Bedini – Armen, Ali Beqiri – Velçë, Azbi Çano – Mavrovë. Komandant i Përgjithshëm i Luftës fillimisht u caktua Ahmet Lepenica, i cili pas gjashtë ditëve dha dorëheqjen dhe në vend të tij u zgjodh Qazim Koculi. Ai e kreu këtë detyrë deri në përfundim të luftës. Në nderin dhe respektin e thellë për 150 dëshmorët e Luftës së Vlorës, por dhe më shumë se 400 të plagosurve përkulet në çdo përvjetor shqiptarët. Lufta kishte heronjtë e vet të shquar e të çmuar si Zigur Lelo, Selam Musa- Salaria, Hodo Zeqiri, Kanan Mazja, Sali Vranishti, Osman Haxhiu, Sado Koshena, etj.. Duke gërmuar në shkrimet periodike të kohës gjejmë këtë pasazh të rëndësishëm nga Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, i cili përmend një fakt shumë të rëndësishëm: “Në vitin 1985 kur i madhi Petro Marko shëtiste nëpër rrugët e Vlorës, në Muradie, në shkollën "28 Nëntori" -tha se- "do vijë dita që në sheshet dhe rrugët e Vlorës dhe në shkollat tuaja ju do të shihni fytyrat e apostujve të shqiptarizmës, si Marigo Pozio, Jani Minga, Osman Haxhiu, Halim Xhelo, Zigur Lelo, Sali Vranishti dhe gjithë patriotëve të tjerë që me pushkë e penë bënë Shqipërinë”.
Ultimatumi i Luftës së Vlorës – vlerë për studiuesit.
Përmbajtja e ultimatumit e përmbledhur sipas librit "Lufta e Vlorës" të autorit Ago Agaj, të shkruar në Egjipt dhe të botuar në Toronto-Kanada:
“Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare
Nr. 6 i protokollit.; Shkëlqesisë së tij, Gjeneralit Settimio Piaçentini,
Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” i zgjedhur nga populli i Vlorës në mbledhjen e Barçallasë më 29 maj 1920, në ndodhjen e të nënshkruarve, ka nderin t’i deklarojë shkëlqesisë Tuaj sa vazhdon: ”Kur ushtria italiane zbarkoi në Vlorë më 1914, komanda italiane me anën e proklamatës zyrtare të saj na siguroi në emër e në nder të kombit italian, se Italia e lirë nuk kish asnjë qëllim zaptimi të Vlorës e, qëllimi i zbarkimit ishte nevoja e sigurimit strategjik të gjendjes ushtarake në rast armiqësie ndërmjet Italisë e të Austrisë. Populli shqiptar i lodhur prej grindjeve të brendshme dhe duke u dhënë besim nderit dhe premtimeve të qeverisë italiane që bëri me anën e proklamave të botuara njëra pas tjetrës, i’u desh më në fund të përulte kokën e të toleronte zbarkimin italian. Dhe gjatë pesë vjetëve toleroi dha vazhdon të tolerojë padrejtësitë e kryera prej italianeve në dëm të Shqipërisë. Prej pesë vjetëve Vlora, djepja e Pavarësisë së Shqipërisë është qeverisur si një nga kolonitë më të ulëta: përveç gjuhës, administrata dhe flamuri tonë na u mohuan nën kondita shumë të ashpra, me të këqija se ato nën sundimin turk, kur Turqia sundonte në Shqipëri. Por e ashtuquajtura Italia e lirë, pa u turpëruar ka provokuar copëtimin e Shqipërisë me traktate të fshehtë duke mos respektuar nderin e saj me anulimin e traktatit që ajo ka firmosur në Londër më 1915. Na e dimë se një populli vogël si populli shqiptar nuk mund të sulmojë me armët e tij një fuqi të madhe siç është Italia, por qeveria italiane sado e fortë që të jetë, nuk mundet kurrë të ndalojë popullin e vogël të Shqipërisë që të vdesë për idealin e lirisë së tij. Populli shqiptar e quan copëtimin e Shqipërisë një vepër të Italisë e cila duke ndjekur programin e saj imperialist përpiqet ta mbajë Vlorën si një koloni nën zgjedhën e saj. Por ky popull sot me i bashkuar se kurrë ndonjëherë nuk mundet të tolerojë më dhe ta shohë veten të nxjerrë në akant si kafshët në Pazar të Europës për të kënaqur lakmitë Italo-Greko-Serbe. Prandaj dhe ka vendosur të rrëmbejë armët e të kërkojë nga Italia lëshimin e administracionit të Vlorës, Tepelenës, Himarës, të cilat vende duhet ti dorëzohen sa më parë qeverisë kombëtare në Tiranë. Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” me mandat të popullit të Vlorës e të gjithë Shqipërisë, i mbledhur këtu dëshiron që shkëlqesia Juaj t’i përgjigjet kërkesës së tij deri nesër, 4 qershor përpara orës 19.00. Në rast të kundërt për çdo gjë që mund të ngjajë, Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare nuk merr asnjë përgjegjësi.
Me nderime: Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare
Osman Nuri, Qazim Kokoshi, Duro Shaska, Ali Beqiri. 3 qershor 1920
Kush e drejtoi Luftën e Vlorës?
Pesë Çetat më të mëdha dhe komandantët e fshatrave janë si mëposhtë vijon: (Duhet shënuar se Komandantët e vrarë u zëvendësuan menjëherë në fushëbetejë),
1.Çeta-Shullërit Komandant Kalo Telhai (dha dorëheqjen pas gjashtë ditëve) - Barjam Qamili, Ramica-Caush Tafili, Elmas Ademi, Bashaj-- Zigur Lelo, Zyber Musai, Dushan Qamili, Matogjin-Demir Mystehaku, Velçë-Caush Mehmeti, Hasan Hyso, Vajzë-Çoban Nuredini.
2. Çeta-Kudhës Komandant Rrapo Çelo, Sevaster-Hamit Mahili Dushkarak-Qëndro Fega, Shkoza-Kanan Maze, Mane Aliu Rexhepaj-Halim Rakipi, Mërtiraj-Salo Islami.
3. Çeta-Dukat Komandant Sheme Sadiku, Dukat-Hodo Zeqiri, Muhamet Maze, Tragjas-Yzeir Muço, Sinan Mete, Radhima-Bilbil Sinani, Xhafer Asllani, Imer Radhima.
4. Çeta-Lumi Vlorës Komandant Sali Vranishti, Vranisht-Azem Sulo, Daut Seferi, Bolenë -Mato Robi, Kallarat-Feim Çelo, Tërbaç-Selman Hyseni, Selam Abazi, Lepenicë-Sheme Jazo, Gjorm-Selam Hasani, Gumenicë-Bajram Mehmeti, Deli Bajrami, Lapardha- Selim Suleimani, Drashovicë-Hysni Fallani, Vërmik-Neim Braka, Brataj- Memo Meto, Kuç-Xhafer Aliko.
5. Çeta e Fëngut, Komandant Muço Aliu, Treblovë-Hakim Hyseni, Kocul-Lilo Hakani, Bylysh Latifi, Mavrovë - Isuf Rustemi, Romës- Mehmet Musai, Mallkeq-Mehmet Selimi, Armen-Fejzo Islami, Karbunar- Muhamet Cenaj, Gërnec- Dushan Kaçi. Të painkuadruara në këto pesë çeta ishin si mëposhtë vijon: Kanina-Komandant Beqir Velo, Muhamet Bedini, Mustafa Bega Topalltia- Kom. Neki Hoshtima Narta- Kosta Mano Çeprat- Vesel Çeprat Trevllazri- Kom. Qazim Ismaili, Ahmet Hoxha Në Vlorë erdhën shumë çeta nga të gjitha anët e vendit: Çeta e Salarisë me Komandant Selam Musai Kurveleshi- Kom. Riza Runa Mallakastra- Kom. Bektash Cakrani, Kamber Belishova, Hysni Toska Mallakastra e egër- Kom. Halim Hamiti Skrapari- Kom. Riza Kodheli Berati-Kom. Seit Toptani, Izedin Vrioni Peqini-Kom.Adem Gjinishi Gjirokastra- Javer Hurshiti, Xhevdet Picari Çamëri-Alush Seit Taka, Muharem Rushiti Korça Kom. Kapiten Ferit Frashëri Sami Koprencka, Tosun Selenica Tirana-Ismail Haki Kuçi, Ismail Haki Libohova.
Nga Fushëbardha kishte 78 luftëtarë që drejtoheshin Novruz Bello zëvendëskomandant çete, por dhe Dervish Kërpaçi, Kasëm Golemi, Manxhar Muho, Neshat Çarçani, Belul Golemi, Xhelo Baho, Manxhar Shalari, Murat Cama, Belul Onjea, Jupe Proda, Lufto Kondi, etj.. Për këtë kënga e popullit thotë “Merri Vlorë djemtë tanë,/78 jataganë..”. Ndërsa nga Amerika erdhi edhe një çetë me në krye Aqif Përmetin dhe Kareiman Tatzatin; me Luftën e Vlorës u bashkuan edhe çetat ordinere të Shaqo Llapit, Duro Durmishit dhe Myslym Çorrit. Kishte edhe një grup artiljerësh me Kom. Azis Çamin dhe zëvendës Elmas Ademi, me artilier Xhafer Xhuveli dhe Avduraman Çiraku. Policia e luftës komandohej nga Shero Emini e Ahmet Lepenica. Të gjitha këto çeta dhe komandantët e tyre komandoheshin nga 12 anëtarët e “Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare” dhe Komandanti i përgjithshëm Qazim Koculi. Në organizimin e luftës ishte edhe gjykata, me Kryetar Neki Xhenetin, prokuror Rasim Babameto dhe Avdul Kuçi anëtarë gjyqi Sif Kedhi e Agjah Libohova. Sekretar ishin Meçan Selami nga fshati Kallarat e Halim Xhelo nga fshati Tërbaç.
Pas luftërave të ashpra u çlirua Kota dhe Drashovica, komanda dhe qendra u vendos në Drashovicë. Pas disa polemikave u caktua Qazim Kokoshi prefekt. Një nga problemet më të rëndësishme të luftës ishte furnizimi me ushqime dhe municion. Xhafer Ypi, Prefekti i Beratit, vendosi t’i sjell deri në lum pranë Selenicës të gjitha ndihmat e qeveris. Kryeministri Sulejman Delvina dhe ministri i brendshëm Ahmet Zogu ishin dy njerëzit më të fuqishëm, që përkrahën pa rezerva Luftën e Vlorës. Dy nga anëtarët e “Komitetit” Sali Bedini dhe Duro Shaska bënë organizimin e Vllehëve të zonës, të cilët me në krye Kol Kitën, me karvanet e kuajve, e shpinin furnizimin në magazinat e Llakatundit, Picarit, Lubonjës dhe prej andej në Kotë ku merrej në dorzim nga Ali Gjiriti dhe Izet Borshi. Përfaqësus i luftës pranë qeverise ishte ministri fuqiplot Spiro Jorgo Koleka. Himara kishte përfaqësues të saj Naqe Konomin. Spitali në Kotë drejtohej nga Dr. Sezai Çomo, për mjekimet përdoreshin mjekët italian të zënë rob dhe dy amerikan që kishin ardhur për ndihmë me kryqin e kuq. Me ilaçe furnizonin farmacitë e Rexhep Hitos, Syrja Libohovës, Fadil Kotonit, Nazif Halites dhe Kryqi i Kuq Amerikan.
Në Vajzë u grumbulluan robërit dhe Komandant i kampit të robërve ish vendosur Rexhep Suleimani. Teksti i ultimatumit për Piaçentinin u përgatit nga Avdul Kuçi dhe u dorëzua nga Mehmet Selim Mallkeqi, i shoqëruar nga Halim Laze nga Kanina dhe Adem Aliko nga Vranishti. Përkthimin e ultimatumit e bëri Ulise Bozo i cili shërbeu si ndërlidhës ndërmjet shqiptarëve dhe italianëve. Ngjarjet e Vlorës gjetën jehonë edhe në shtypin e kohës. Kështu u pasqyruan në gazetën “Drita” të Veli Harshovës Gjirokastër, “Kuvendi” “Dielli” të Bostonit etj.. Lufta e shqiptarëve çudiste europianët se si një popull i paarmatosur po luftonte me një nga fuqitë e kohës e po triumfonte. Gazeta shkruanin për këto ngjarje të pabesueshme dhe jo vetëm. Lufta kishte hyrë në këngët e popullit:
“Europa shkruajnë e thonë,/ç’është kështu që dëgjojmë,/bëhet dyfek në Vlorë,/shqiptarët po luftojnë,/me një mbret dyzet milionë./Po me se luftojnë vallë?/Me sëpatë me hanxharë,/dyfeqet lidhur me gjalmë,/fishekët në xhep i mbajnë”.
Fakt është se Shoqëria “Vatra” e Amerikës dërgoi “Bandën muzikore” të shoqërisë së bashku me trupat vullnetare dhe bandën e drejtonte muzikanti Thoma Nasi. Në Vlorë ishte edhe një bandë e dytë muzikore që quhej “Afërdita” dhe kishte ardhur për ngritjen e moralit të luftëtarëve të Vlorës nga Elbasani. Nuk mbetën pas as fetarët e klerikët në këtë luftë, ku spikasin Babai i Teqesë Tepelenë Ahmet Turhani Baba Xhaferi Përmet, Don Marku, myftiu Osman Muka etj.. Një rol të veçantë pati edhe Xhovani Valencia, arbëresh magazinier në Panaja, i cili u dorëzoi magazinat e municioneve shqiptarëve, duke rrezikuar veten dhe familjen me këtë veprim plotësisht në interes të çështjes shqiptare.
___________
Marrë mga Gazeta Telegraf.al
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen