Sonntag, 21. Juli 2013

Maku Pone

Maku Pone - (lindur më 1 Mars 1939 në Fier, Shqipëri) është poet, prozator dhe dramaturg shqiptar. Femijërinë e kaloi ne qytetet e Fierit, Pogradecit dhe Tiranës. Studimet e mesme i kreu në Shkodër, studimet e larta ne Moskë për inxhinieri nafte. Ka studiuar gjithashtu për filozofi. Pasi u diplomua punoi si inxhinier për një periudhë relativisht te shkurtër në industrine e naftes. Në vitin 1974 filloi punë si kryeredaktor ne gazetën e qytetit te Fierit. Pas debutimit me disa drama që u vunë në skenat profesioniste, ne vitin 1983 filloi punë si libretist (dramaturg) pranë teatrit “Bylis”. Më pas punoi ne televizionin rajonal TV Apollon. Pavarësisht nga punët që ka kryer ne vite, krijimtaria letrare ka qënë drejtimi kryesor i jetës së tij.
Në letërsi ka botuar qysh ne vitet pesëdhjetë. Ne vitin 1969 ka dalë me librin e tij te parë poetik Kur buzëqeshin shoket. Perveç
poezive ka shkruar mjaft për teatrin dhe një kohë i është kushtuar edhe letersise për fëmijë.
Ka fituar pesë çmime te ndryshme në konkurset-kombëtare në gjininë e poezisë (2 herë), ne prozë (2 herë) dhe në dramaturgji (1 herë).


Poezi

  • Kur buzëqeshin shokët (1969),
  • Yje mbi bar (1973),
  • Në brazdat e kësaj toke (1975),
  • Lulëzim (1982),
  • Gjaku i verdhë i lulediellit (1998),
  • Në portat e erërave (1999),
  • Çeku i reve (2001),
  • Dëbora e Orientit (2005),
  • Triologjinë poetike (2009),
  • Qiparisat e muzgut,
  • Muzikë dimri,
  • Një kafe me gurin.

  • Dramarturgji

  • Shpërthimi (1976),
  • Fundi i sinorëve (1977),
  • Asgjë nuk është harruar (1979),
  • Atje ne Ebro (1979),
  • Natë e pagjumë (1980),
  • Udhë të mbarë (1982),
  • Shokë dhe vite (1984),
  • Dosja 63 (1985),
  • Shqetësimet e një mjeku (1988),
  • Një vajzë e fyer (1990).

  • Prozë
  • Shtëpia midis mollëve (1984) (novelë),
  • Trëndafilat e mesnatës (1987) (roman),
  • Motër e vëlla (2003) (roman),
  • Balona me bedena (2004) (tregime).
  •  

    Letërsi per femijë

  • Naftëtarët e vegjël (1969),
  • Ne jemi gjeologë (1969),
  • Postieri ynë (1970),
  • Na thërret trumpeta (1971),
  • Pushimet dimërore (1971),
  • Motër e vëlla (2003).


  • Poezi nga Maku Pone

    MULLAGA

    Mos e beso, s’është lulemullage
    kjo mëllagë
    është një njollë e kuqërremtë
    që pikon gjak,
    që ra nga mushkëritë e mia
    dhe ra nga zemra ime.

    S’është verë kjo verë
    është dimër i ngrirë dhe vrasës
    dhe i mbushur me tortura,
    si në një dhomë në terr
    dhe pse gjithkund ti sheh mullaga,
    por a s'ta thashë që s'janë mullagë,
    është zemra ime që s'të gjen
    e gjakun shter.

    DRYNA NË DERË

    Atje brenda është kalbur
    dhe është mykur gjithçka
    nën pushtetin
    e krimbave.
    Në derë
    ende rri roje vigjëluese
    dryni
    i ndryshkur, i ngrënë, pakëz tragjik
    në atë qëndresë të hekurt,
    për të mos lënë kënd të hyjë,
    të bëjë batërdi,
    atje brenda,
    ku as minjtë s'kanë ç'të hanë
    më.

    Kohë
    e drynave në derë.
     
     
    FYTYRË NGA PASQYRA
     
    Kënaqësia del nga krehri
    dhe ngjitet në pasqyrë.
    Le të krihet dhe pasqyra,
    të heqë nga vetja
    aq e aq leshra të rrezuara,
    pale të thinjura.
    Të zbukurohet kjo pasqyrë.
    Të ndrijë nga bukuria.
    T'i hiqe një trëndafili
    në lëkurë.
    Dhe unë që e shoh,
    të ndihem
    pakëz më i fortë,
    pakëz më burrë
    nga kjo fytyrë
    që më vështron nga pasqyra.
     
     
    SHPËTIMTARI
     
    Ju e prisnit shpëtimtarin
    ja ku vjen
    me sytë në tehun
    e thikës,
    me duart në këmbëz
    të revolverit,
    gjinjtë mbushur me bomba.
    Ndërkohe bëjuni zë zjarrfikësve
    të shtrijnë zorrën e ujit
    në bulevard.
    Do të kenë goxha punë
    zjarrfikësat
    me zjarrin përpirës diçka,
    por dhe me gjithë atë
    gjak.
     
     
    TEL
     
    Ajo rrobë e bardhë,
    a është e bardhë,
    a je i sigurtë?
    A thua të mos jetë e zezë
    dhe sidomos
    a nuk skuq?
    Unë pashë vetëm thikën
    që vetëtiu,
    asgjë tjetër.
    Asgjë.
    Më shumë do të kenë parë të verbrit,
    a kanë dëgjuar ndoshta shurdhmemecët.
     
     
    GRUAJA KRIHET NË PASQYRË
     
    Gruaja krihet në pasqyrë.
    Pa shih! Ishte muzg
    dhe u bë natë.
    Ishte vjeshtë
    dhe u bë dimër.
    Dhe pak
    e do vijë pranvera,
    pastaj vera, pastaj vjeshta.
    Gruaja atje është, krihet në pasqyrë.
     
    Zoti im! Qenka thinjur bota
    vetëm pse gruaja krihet në pasqyrë
    dhe burrat gjë prej gjeje s'dinë
    ç'është pasqyra për një grua.
     
     
    FUSHA ME LULEDIELLI
     
    Vallja huan koka të prera.
    Koka të prera,
    qafë të këputura,
    dhe prapë e prapë koka të prera.
    Koka.
    Koka.
    Koka.
    Natyrisht
    dhe ca gjak.
    Dielli ngadhënjen atje lart.
    Ngado që vete, në zbrazëtinë tërheq
    koka të prera, kokat
    dhe qafat e këputura.
     
    Gjakun e verdhë të lulediellit
    e piu fusha.
     
     
    CERDHE MERIMANGASH
     
    Atje përfund shpirtit
    e ngritën çerdhen merimangat.
    Po bën kohë që shpirti as nuk ha,
    as nuk pi.
    Dhe aq gjak sa kishte mbetur
    tashti e pinë merimangat.
    Mblidhi plaçkat e dashur
    erdhi ora për të vdekur
    nga asfiksia,
    nga mungesa e ajrit atje thellë
    ku dhe merimangat po përpëliten
    nga mazgallat e zbrazëta e të zeza
    që dikur u thoshin shpirt.
     
     
    FËMIJËT BONJAKË
     
    Ne do t'i çapëlojmë këta fëmijë
    që të shqyejmë njëri-tjetrin
    ku më mirë e më mirë.
    Era ndaj ulërin
    që shkretëtira të hajë me gjithsej
    dunat si duna
    gjer tek kokrrat e rërës.
     
    E shkretëtirës është rëra.
    Shkretëtirën ka mëmë.
    Le të jetë harruar ati fatkeq
    për të bijat dhe për të bijtë e vet.
     
    Kurse ne do të na qajnë
    këta fëmijë
    O çdo të bënte rërana
    për shkretëtirën
    po të shqyente një shkretëtirë.
     
    Ndoshta dhe më zi se ne
    të braktisur nga fëmijët,
    ndërsa shqyejmë njëri-tjetrin.
     
     
    TABELA E SHUMËZIMIT
     
    E kam bërë çorbë tabelën e shumëzimit
    për aq miliarda sa kam
    e për aq sa do të kem
    të gjitha të kërrera
    nga shumëzimi Një herë Një që bëjnë Dy
    dhe nga shumëzimi Dy herë Dy bëjnë Pesë.
    Falmëni botën po e zura poshtë
    me tabelën time të shumëzimit
    ku çdo katrori të zi
    i përputhet një pikëz e kuqe
    nga gjaku i të tjerëve
    dhe jo nga gjaku im.

    ____________________________________
    Biografia e autorit është mrrë nga Wikipedia

    Visar Zhiti

    Visar Zhiti ishte bir i aktorit dhe poetit Hekuran Zhiti (1911-1989). Visar Zhiti u rrit në Lushnjë, ku ai përfundoi shkollën e mesme në vitin 1970. Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër (sot Universiteti Luigj Gurakuqi), ai filloi karrierën e tij të mësimdhënies në qytetin malor verior të Kukësit, duke demonstruar një interes në fillim në vjersha, disa nga të cilat u botuan në revistat letrare.
    Në 1973, ai përgatiti për botim një përmbledhje, "Rapsodia e jetës së trëdafilave". Ishte koha e Plenumit të 4-t të KQ të Partisë së Punës (Partia Komuniste)në të cilin diktatori komunist Enver Hoxha filloi një fushatë të egër kundër të rinjve që pëlqenin kulturën perëndimore. Babai i Zhitit kishte patur më parë një konflikt me autoritetet, dhe poeti i ri papritmas u bë një nga viktimat politike të diktaturës për të frikësur intelektualët shqiptarë. Dorëshkrimi i përmbledhjes së tij të përmendur më sipër, që kishte qenë dorëzuar për botim në shtëpinë botuese Naim Frashëri, u konsiderua si një krijim me gabime të rënda ideologjike dhe që nxinte realitetin socialist. Ai u arrestua më datë 8 nëntor, 1979 në Kukës. Mbasi u dënua në një gjyq qesharak në prill të vitit 1980 me trembëdhjetë vjet burg, ai u dërgua në burgun e Tiranës dhe më vonë transferohet në burgun famëkeq të Spaçit. Shumë nga të burgosurit që ishin me të në burg vdiqën nga keqtrajtimet, torturat dhe kequshqyerja ose pësuan çrregullime mendore.
    Ai u lirua nga burgu në fillim të vitit 1987 dhe u "lejua" nga pushteti komunist për të punuar në një fabrikë të prodhimit të tullave në Lushnjë. Mbas rënies së diktaturës komuniste në vitin 1991, ai arriti të shkojë në Itali ku punuoi në Milano deri në 1992. Përmes një burse studimi nga Fondacioni Heinrich Boll, Zhiti shkoi në Gjermani në vitin 1993 dhe vitin e ardhshëm shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
    Pas kthimit të tij në Shqipëri, ai punoi si gazetar dhe u emërua kreu i ndërmarrjes botuese e cila kishte planifikuar të botonte librin e tij të parë. Ai ka qenë i punësuar më vonë nga shërbimet administrative të parlamentit të ri shqiptar dhe në 1996 u zgjodh vetë në parlament. Mbas Realiteteve të zymta të politikës shqiptare, ai u tërhoq nga politika. Në vitin 1997 ai u emërua atashe kulturor në ambasadën shqiptare në Romë, ku ai qëndroi deri në vitin 1999.


    Veprimtaria krijuese: Libri i tij i parë me poezi, "Kujtesa e ajrit" u botua në Tiranë në vitin 1993, i cili përfshnte disa poezi nga burgu. "Hedh njė kafkë te këmbët tuaja" u botua vitin e ardhshëm. Ky vëllim përmbante të gjitha 100 poezitë të krijuara në burg në mes 1979 dhe 1987, të cilat kishin mbijetuar vetëm në kujtesën e tij. Vëllime të shumta pasuan, dhe ai është i njohur tani si një prej poetëve të mëdhenj shqiptare të shekullit të 20-të. Ai ka shkruar edhe shumë tregime të shkurtëra, të mbledhura në dy vëllime, dhe ka përkthyer në gjuhën shqipe vepra nga Garcia Lorka dhe poeti italian Mario Luzi. Kujtimet e tij nga burgu, "Rrugët e ferrit: burgologji" u botuan në Tiranë në vitin 2001. Në vitin 1991 atij iu dha çmimi italian për poezi "Leopardi d'oro" (Leopardi i artë), dhe në 1997 ai mori çmimin prestigjioz "Ada Negri".

     
    Libra me poezi:
     
  • Kujtesa e ajrit (Tiranë: Lidhja e shkrimtarëve, 1993)
  • Koha e krisur (1993)
  • Hedh njė kafkë te këmbët tuaja (Tiranë: Shtëpia Botuese Naim Frashëri, 1994)
  • Mbjellja e vetëtimave (Shkup: Flaka e vëllazërimit, 1994)
  • Koha e krisur (1993)
  • Dyert e gjalla (Tiranë: Eurorilindja, 1995)
  • Kohë e vrarë në sy (Prishtinë: Rilindja, 1997)
  • Si shkohet në Kosovë (Tiranë: Toena, 2000)
  • Rruget e ferrit: burgologji(2001)
  • Ka shkruajtur edhe Pazari I Kepucarit. Përkthyer në gjuhën angleze.

    /Burimi: Wikipedia/
    Krijuesi Visar Zhiti ka botuar edhe libra tjere, por ne këto i gjetem në Wikipedia. Visar Zhiti momentalisht është Minister i Kulturës i Shqipërisë.
     
     Poezi nga Visar Zhiti

    SI SHKOHET NE KOSOVE

    -baladë-

    - Ti, kalë i bardhë, Pegasi im,
    si shkohet në Kosovë, tregomë!
    Malli më ka marrë pa qënë kurrë.

    - Përtej varrit të atit tënd
    varret e tjerë u rritën dhe u bënë male.
    Pas maleve ka varre prapë si retë
    nëpër luginë.
    Shtegtojnë varret në qiejt e ulët
    dhe ta ngatërrojnë udhën.
    Avionët kthehen pas të hutuar
    nëpër mjegull nate.
    Karvanët e veturave janë kthyer në shkëmbinj
    si kuajt e krushqve në mallkimin e lashtë.
    O Zot! Dardhat dimërore dhe mëllenjat
    janë bërë fushë me ofshama
    të gjuhës time!

    - Ti, yll blu i fatit mbi ballë të Atdheut,
    si shkohet në Kosovë, tregomë!
    - Kur të kesh një plagë tjetër të re në trup,
    ndiq udhën e rrëkesë së gjakut,

    që gjithmonë arrin para meje
    dhe më pret atje - gurgullimë jete.

    Marr dy pishtarë të shuar dardanë,
    i ngjyej në gjakun tim
    dhe ndriçoj udhën. Ndizen krahët,
    flakët bëhen flatra,
    unë bëhem shqiponjë prej dheu
    dhe ndiej ciklonet e stepave
    si duan të ma brejnë emrin prej guri.

     
     
    ZBATHUR SHËTITËT NËPËR BUZËT TUA
       

    Zbathur,
    Vetëm zbathur
    Shëtitet nëpër buzët tua.

    Këmbët mu mbushën
    Me petale të kuqe puthjesh
    Që më bien gjatë ecjes.

    Dhe kështu u krijuan yjet
    Në qiellin tonë prej toke.


    MBI NJË FOTOGRAFI SHKRUAJ NJË LUTJE ZOTIT
       

    Mbi portretin tënd shkruaj një lutje zotit,
    Balli i shndërroi fjalë në dritë mëngjesi.
    Dy epitetet e vetullave
    Dhe sytë e mëdhenj, sugjestionues,
    Që unë të besoj se gjithnjë penat e botës
    Mërmëritin lutjen blu
    Të syve të tu.

    Te buzët
    Ngjalën fjalët e mia (si puthjet?)
    Dhe thonë të vërtetën.

    Ja lutja-liqen i vogël, dallgëzon
    Dhe fytyra jote-mozaik
    I gjallë nën ujë.
     

    JETON NË SYRIN TËND

    Siç duket
    Unë jetoj brenda në syrin tënd.
    Bashkohen qerpikët,
    Vjen nata për mua,
    E ngrohtë.

    Gjumi im rrëzon rrobet si gjethet e mëdha.
    Kur të treten, të mos të di gjë
    Që jam ajo pemë në largësi.
    Zogjtë ndërtuan një fole. Është zemra
    Ime.
    Pastaj dhe një zemër tjetër
    Me fijedritë
    Dhe me kokrriza dheu si dhimbjen
    Te krahët e mi e ndërtuan zogjtë.
    E dija
    Është zemra jote.
    E pashë
    Kur hape sytë dhe solle agimin tim.

    Kam kaq kohë që jetoj në syrin tënd,
    Dhe që të shplodh,
    Dal herë pas herë shëtitje
    Në formën e kulluar të lotëve.


    VAZHDIMISHT TRADHTOHET NJERIU
       

    Vazhdimisht tradhtohet njeriu,
    nuk e kam fjalën për ditën e tij që befas
    bëhet mbrëmje,
    as për mbrëmjen e flokëve të tij
    që zbardhet e bëhet ditë e heshtur pleqërie.

    Tradhtohet njeriu
    Se kam fjalën që dhe varri i tij vdes dhe emri
    Shndërrohet në barë të kalbur harrese.

    Por njeriu tradhtohet vazhdimisht nga njeriu.

    Dhe kur gjysma ha gjysmën
    S’bëhet më e tëra,
    Më tha një plak që u plak burgjeve.
       
     
    DHURATË HYJNORE
     
    Ne fillim ishte puthja e dorës ne ëndërr-
    hënë ndjellëse qe afrohet.

    E pranuam fatin të vuajmë
    magjishëm si hyjnoret.
    Ti kërkon të më futesh brenda vetes
    mua, tufanin e dëshiruar, që shkallmon
    shkallë dhe ankthe,
    pritje dhe dritare,
    anët e trupit tënd
    për t'i ribërë sërish prej drite të dritës.

    Qysh të mbërrij nga fundi i barkut
    te gjinjtë e tu, të diejt
    që i shtrëngoj si fëmija dy zogj të artë,
    të mos i ikin më të përralla drithëronjëse.

    Zambakë të mëdhenj afshesh na mbështollën.
    Pastaj mes mjegullave dehëse
    të rënkimeve dhe psherëtimave
    shoh si bie fytyra jote
    nëpër humnera parajse,
    bie dhe unë, s'te ndahem,
    i mbërthyer
    pas teje me buzë,
    me të gjitha buzët e mia
    nëpër lëkuren e shpirtit tënd,
    qe u mbush me muzgje te vogla, blu.
    Ah,
    të paskam kafshuar si mollën biblike.
    (Dhembja është tejet e ëmbël.)
    Ti je molla prej kohe
    që s'mbaron.

    Po klithmat e tua më vërsulen
    si thika të paqena vezullimesh
    me ornamente dhembjeje të argjendtë.
    Në shpellën e mistereve
    futa një si këmbë
    (...)
    dhe endem nëpër relievin e gjallë-
    mish i shenjtë jetë.
    Herë-herë galopojë me ty
    si një kalores nëpër re,
    ndërsa kapërcenim ylberin
    u ça gjoksi i pelës
    dhe dolën trumba pëllumbash
    si pasione të papërmbajtura.

    Rashë, u bëra varkë,
    në detin tënd sërish e fut lopatën,
    për të tjera drejtime e rreziqe të lumtura
    nëpër dallgët e tua të kurmit që përhapet,
    dhe e mbart me qilima të befte fluturues,
    e shtrij reve, pastaj
    s'po duroje ti, fërgëllojë nën
    rr
    ë
    k
    e
    t
    ë
    e yjeve të bardha,
    të nxehta e të ftohta
    që i derdha brenda teje
    dhe u bëra ujëvarë e egër përjetësie.

    Je gati të përmbytesh e tera
    për të ridalë,
    ishull i begatë pasurish frikë.
    Avitesh për t'u bashkuar me burrërinë time,
    të madhe sa toka.
    Unë jam gati të vdes
    në kryqin prej mishi
    që e dua për t'u ringjallur tek ti, që
    edhe herë të tjera të bashkohemi të përflakur
    si shigjeta që çan
    zemrën e një embleme
    dashurie
    në një mur të gjallë.
     
     
    RRETHIMI
       

    Zbardhin
    kudo bajoneta
    si thinja përbindëshi.
    Peizazh i tërë i plakur.
    Kur do të vijë vdekja
    e Vdekjes?
     
      
    SKELETI
       

    Njihuni me skeletin tim:
    jam unë - pa ëndrrat e mia.
    Pastaj më jepni çfarë të doni,
    përsëri skelet do të mbetem.

    Pano Taçi

    Pano Taçi

    Pano Taçi u lind më 1929 në Gjirokastër dhe vdiç në vitin 2012. Ka shkruar që në moshë të re. Vjersha e parë e tij është botuar bë revistën “Bleta” me ndërmjetësinë e Lasgush Poradecit. Anëtar i grupit “Besa”, formuar prej të rinjve nacionalistë fill pas 7 prill 1939. Më 1944 inkuadrohet në Brig. 24 sulmuese partizane. Mbas çlirimit vazhdon gjimnazin e Tiranës, por nuk e mbaron dot, sepse arrestohet. Arrestohet dhe vuan 24 vjet burg politik. Pas viteve ‘90 Pano Taçi ka botuar një mori librash poetikë dhe është përkthyer në shumë gjuhë të huaja. Ndër të cilët përmendim: “Blerim i thinjur” 1994 dhe “Vdekja do paguar” 1998.


    Kanë thënë për Autorin:

    Dritëro Agolli: “Pano Taçi është poet origjinal, poet që vetëm ai mund të jetë i tillë. Në pemët e kopshtit të poezisë, Pano Taçi ka pemën e tij të veçantë, që nuk ngatërrohet me pemët e tjera. A ka gjë më të mirë se kjo?

    Xhevahir Spahiu: Gjendje dhe gjetje të mirëfillta poetike; shumë pikëllim dhe pak shpresë; hove të fundme dashurore në pleqëri të thellë, ja ç’na kumton me një thjeshtësi prekëse poeti endacak Pano Taçi, të cilit si burgu, si pasburgu, ia mpakën, por s’ia mplakën dot shpirtin rebel dhe ndjeshmërinë thuaj serembiane.

    Luljeta Lleshanaku: Duke lexuar poezinë e Pano Taçit kemi shfletuar dramën e njeriut të ndershëm, ku të gjitha fletët janë të përthyera në skaj, si cepa të kujtesës, ku të gjitha fletët janë dëshmitare, janë të domosdoshme si brinjë të kafazit, ku u përmbyll për aq kohë ai.

    Vath Koreshi: Është vështirë ta ndash Pano Taçin njeri nga Pano Taçi poet. Domethënë gjithë ndërtimin e tij fizikoshpirtëror, heshtjen e tij, ngrysjen e vetullave si për të fshehur xixëllimën e syve, një brengë të tijën, të kushediseçfarët e të përhershme që gjendet prapa heshtjes, por edhe para romuzit, shakasë së beftë dhe natyrës së tij prej bohemi.

    Sadik Bejko: Hokatar dhe tragjik njëherësh, ai nën pamjen e një plaku ashik e qejfli, mik i tavolinave e i rrugëve, përherë buzagaz, sjell një përvojë të madhe e të thellë të njeriut që u ka kaluar vuajtjeve mespërmes. Me një vijueshmëri botimesh, për zili, në këta vjet ai provon atë që, ç’do të thotë të dish të qëndrosh në zgrip të gjërave, në telin e hollë të të vërtetave që kundërshtojnë njëra-tjetrën. (Gazeta "Panorama")


    Pezi nga Pano Taçi

    HIJA

    Në derën e një plake të thinjur trokita,
    ku shpirtin dikur pata nginjur
    e buzët përnrita.
    E pashë, më pa,
    E njoha, ajo nuk më njohu.
    Stapi ku mbështes pleqërinë më ra.
    M'u bë se më tha:
    - Afrohu...
    Kur sy përdhe më pa,
    - S'më njeh, i thashë, pa kujtohu?
    A s'jam unë që shkëlqeja
    si një yll në sytë e tu?
    Të rrahurat e zemrës bëra t'ia ndieja,
    asgjë, akull, m'u drodh shpresa
    kur më tha: Kush je, ç'të solli këtu?
    I thashë: - Ndjenja...
    Përdore më mori harresa
    të të bie në gju
    e shpirtin për ç'ti mardh t'ua ngroh.
    - Largohu, m'u përgjigj, s'të njoh.
    Për ç'ka mendja me gënjehu,
    zemra m'u bë sopa-copa.
    Kuptova, nuk jam Odiseu
    e ajo nuk është Penelopa,
    që më tha: ç'pret kthehu...
    jeto harrimin
    me trishtimin
    e bukurisë së vrarë në sy.
    Siç erdha nëpër tym,
    ika nëpër humbëtim
    nuk ish rinia,
    aty qe pleqëria.



    JETË MORRI

    Kur tokës, iu zvarrita si morri mbi kurriz,
    poshtë këmishës me arma më gjeti mua;
    tek kruhej, kur pickoja e bëja ta gudulis,
    më zu e me gas më vuri mbi thua.
    Bëri të më shtypte, e s'më shtypi dot.
    lëkurën koha ma kish bërë prej guri.
    morr i uritur, kyçur në qeli të ndotë
    bënë çmos të ma shtronte lëkurën druri.
    E tani, morr i plakur, them të bëj gjumë.
    e ç'lëkurë me plagë që kisha tej i hodha.
    poshtë këmishës së tokës, u lodha shumë,
    më shumë se ç'duhej, nëpër zhele u lodha.
    Do shtrihem t'i kyç sytë e mi të vrarë,
    nga pagjumësia. Do fle pa andralla.
    kujdes, mos më zgjoni nga gjumi me të qarë
    se loti do m'i djeg të lodhurat kokalla.
    Kujdes, ngrihem e ju tremb vurkollak
    si skelet golle pa asgjë përbrenda.
    të tjerë shushunja tokës i pin gjak,
    unë q'e giciloja të qeshte, iu rënda.
    Si morr pa ngjyrë që zvarë, zvarë shkon
    nën këmishën e palarë të tokës, ku më vunë
    te sqetulla e saj ku djersa i kutërbon,
    më bëri të jetoj me përdhunë
    nga që e bëja të kruhet.
    Do shkoj të shtrihem të bëj gjumë
    O soi im i morrit, u lodha shumë,
    më shumë se ç'duhet.
    Duke gicilisur tokën plakë:
    kam cimbisur helm e jo gjak.

    Tiranë 31. 12. 2004



    TAKIM PAS DIVORCIT

    Tek çapiteshim ngadalë,
    bri për bri, stapërish...
    hidh një fjalë e digj një fjalë
    për një mall që larg na grish.
    Bëm t'i ngjallnim ç'qenë varrosur
    thellë në shpirt, nja dy tri shpuza.
    fjalët që na qenë hirosur
    embëlsisht na i thesh buza.
    E tek hidhnim këmbën zvarrë,
    për te fundi që s'kish fund,
    ajo burr tjetër kish marë,
    mua grua s'm'u gjend kund.
    Diku udha u nda dysh
    tek e bëmë stapërish,
    stapërisht e shkarë shkarë.
    as u ndreq gjë, as u prish,
    e ne të dy prap sërish
    mbetëm ndarë.



    MOS MA LEXO

    Mike, mos ma lexo dhembjen
    në buzëqeshjen time.
    nuk dua t'ua bëj mbrëmjen
    t'iu mëkoj trishtime.
    Mos m'i lexo sytë e thellë
    tek rrijnë në humbëtim.
    një dëshirë mallim ua ndjell
    ç'më do ky shpirti im.
    Mos më thuaj, se u bësh së gjalli
    për ty pa pritur, unë.
    pa pritur ma erdhi malli
    që më ka djegur shumë.



    EJA MIKE

    Sa herë vjen çapkëni prill,
    çapkëne më bëhet shpresa,
    brezin nga mesi ia zgjidh
    malit, t'ia bëj rëkeza
    Bredhi si qiri argjendi,
    na rri nën tyl të mjergullës.
    prill çapkëni, lisin çmendi
    kur gjirin ia puth pjergullës.
    Eja mike, na fton prilli
    te ai vend q'u bë harim.
    atje ku këputet ylli
    porsi lot i syrit tim.



    DJERSË MERGIMTARI

    Vëllezër, argatë në dhe të huaj,
    pas punës këngës ia thoni pastaj.
    qan e qesh e ju klith brenga e juaj
    për këngën e djersës, qesh e qaj.
    Vëllezër, argatë te vendi huaj,
    me mall në zemër, me derte në shpirt...
    mbrehur te qere pronarit si buaj
    ju ranë koçitë, në punë çdo ditë.
    Kur vini për mall nga dheu i huaj,
    s'di si t'iu flas kur ndruat emër?
    ju shoh që ju ranë patkojtë si kuaj,
    me dregëza në shpirt, me plagë në zemër.



    SYTË E SAJ

    Kur hedh sytë në qiell,
    qielli vetëtin.
    Kur hedh sytë mbi tokë,
    toka psherëtin.
    Kur hedh sytë mbi mua,
    zemra shkrepëtin.



    BËJ TA GJEJ

    Kërkoj veten që s'e kam.
    A ma pa njeri?
    Dua të di cili jam
    me kaq plagë në gji.
    Kërkoj veten, bëj ta gjej
    Thomëni, kush ma pa?
    Dhe n'e gjej, me dhëmbë e brrej.
    Brengat mua m'i la.
    Kërkoj veten ku më humbi,
    në ç'udhë pa krye?
    Pa veten do më marrë lumi
    Pa veten jam hije.



    DIMËR JASHTË E DIMËR BRENDA

    Me bastun akulli ikën
    dimri nëpër udhë.
    ku shkel, tokës i kall frikën
    e drurët i rrudhë.
    Qielli borën po e sit
    mbi male e fusha.
    del gjahtari t'i bëj pritë
    shapkës te gajusha.
    Lodra e rrufesë gjëmon
    e zjarr i kall qiellit.
    reja me retë valëzon
    për inat të diellit.
    Qershia me sy për dhe,
    nudo, mardh e tëra.
    bredhi flokëhalat i ngre
    me nfricë për gjelpëra.
    Si një dimër këtë mbrëmje
    kallkan nëpër derte,
    pllaq e plluq iki mbi dhembje
    e s'di se ku vete.
      

     
    PIKËLLIMI

    Nuk di ç’mall zemrën ia sëmboi
    Tek thur romja flokun gërshetë.
    Aty buzë një përroi
    Ku çapitet këmba e lehtë.
    Shkoi e u mbështet te ftoi
    Ku qau me lot të zbehtë.



    SHORTI I HARRIMIT
    Poetit Isuf Luzaj

    Fatlajthitur, Sizif ngaherë,
    me tokën nënë qepur mbi kurriz.
    Ah, katër copash ndarë edhe prerë,
    katër copash lidhur në një kërthizë.
    Kjo gropë e lashtë, e sertë me acid,
    kush djall e nëmi që gjallesën vret?
    Në dhe të huaj fërgëllojnë dritë.
    Këtu gjithkush çmon veten mbret.
    Oh, si na vret shorti i harrimit,
    s'e lamë ne shpatën të ndryshkej në myll.
    Eja tani në apelin e kujtimit,
    ç'demon portën me shul na e mbyll?

    Murat Isaku

    Murat Isaku lindi në Gajre të Tetovës më 1928, vdiq në moshën 77 vjeçare në Tetovë në vitin 2005. Mësoi në Tetovë, Elbasan, Prishtinë, Prizren, maturën e mbaroi në Normalen e Gjakovës, studimet e larta për gjuhën dhe letërsinë i mbaroi në Beograd më 1953. Punoi si profesor i gjuhës shqipe në gimnazin e Tetovës dhe mëtej u emërua zv. drejtor i kësajë shkolle. Duhet theksuar se u caktua redaktor i TV Shkupit për emisionet e gjuhës shqipe nga edhe u pensionua.

    Tituj të veprave

  • Zani i malit (1960)
  • Buzëqeshjet e mesditës (1963)
  • Drithmat (1975)
  • Blana (1982)
  • Unaza e djerrinës (1971)
  • Gërsheti (1978)
  • Sheshtina (1982)
  • Dielli e din rrugën e vet (1965)
  • Flaka e vonar (1973)
  • Plagët (1975)
  • Etje (1982)
  • Damkat (1986)
  • Shtjella (1989)
  • Gjaku i sharraxhive (në vazhdime në Flaka e vëllazërimit)
  • Ngushëllimi i Bukur
  • Fatprerët


  • Poezi nga Murat Isaku

    ERA E TROLLIT DHE E BABAIT
     
    Tërë ditën e trollit të arës sonë i marr erë,
    sepse hijen e babait e ruan dikund me shend.
    N’livadh jetoj hapat e tij  - të derdhur si verë,
    nëpër degë dëgjoj zërin e tij – but – si shpend.
     
    E në mbrëmje sikur zemrës asgjë s’i dhemb
    Aty te kroi ky uji qet krye nën një tallë.
    Ai ma fal tërë zemrën – si sythin mbi një rremb
    Dhe megjet e fëmijërisë m’i mbledh në një përrallë.
     
    Si je baba, a ka rënë ndonjë pikë shi?
    I flas sytë pa ia ndarë aty në ura dhe vresht...
    Ai me atë vështrim pingul si një harbi
    Të gjitha m’i thotë vetëm duke hesht’...
     
    Më vonë me fytyrë n’pëllëmbë gjumi e merr...
    Unë erën flokut ia njoh n’atë ballë të derdhur,
    Atëbotë një fëmijë me ferra n’këmbë, me flokë të
    paqethur.
     
    E pas tij – sikur majë kodrës dikush thërret,
    Oooo Murat! Është babai me jarxhik në krah.
    Mirëfilli e di – dikush në fund t’arës argat më pret,
    Një tjetër majë malit më bën zë për rrah...
     
    Nga terri tashmë s’duket as fytyra n’pëllëmbë...
    Kujtimet te kroi derdhen shtrat e pa shtrat.
    Një fëmijë me do sy prej zjarri m’bën dritë si llampë,
    Një njeri me jarxhip në krah thërret – Oooo Murat!
     
     
    VIOLINISTI I VERBËR
     
    Ia thotë një kënge – sikur prej saj bota t’ketë dalë,
    Sikur dyfish jetën, t’ia shtonte njeriut me këtë
    melodi...
    Në gji ruan nji dhimbë që jeton prore e gjallë
    - është nakimi për fatin që kurrë s’e rrok me sy...
    Ia thotë një kënge - sikur prej saj edhe vetë ka dalë,
    këndon dhe lutet tërë botës t’i vijnë sytë me flakë.
    Por prej kësaj lutjeje ikin motet fare pa u falë
    ikin dhe s’kthehen – mu si tingujt e tij me plagë.
     
     
    DHIATA
     
    Çilnie trollin dhe m’varrosni si t’parët e mi
    aty ku kënaqet vishen me një cipë natë...
    Kufomës n’qefin  shtrëngonia sytë me shami
    Dhe shkoni – t’vdekurit s’kanë nevojë për shamatë...
     
    Varrin mbushnie me gurë, ponica, truall – sall
    një her’,
    mjafton për t’qenë i vdekur me shekuj e muaj...
    Nëse një ditë ju duhem gurë e dru për fis e nder,
    Urdhëroni që t’i merrni si n’mallin tuaj!
     
    T’luftoni me gurë që atdheu të mbetet gjall’!
    Vetëm qefinin e bardhë s;e jap flamur për ta bë!
    Vendin s’e luaj, po nëse duhet zot t’ju dal,
    Përveç fortesës n’atë varr s’do të gjeni asgjë...
     
    _____________________________________
    Biografia e autorit është marrë nga Wikipedia

    Kolë Jakova

    Kolë Jakova lindi në vitin 1916 në qytetin e Shkodrës, Shqipëri. Në këtë qytet, Kola mbaroi shkollën fillore dhe u angazhua në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ishin pikërisht këto vite, kur i riu nisi të shkruajë vjershat e para. "Kënga e tre heronjëve" dhe "Shqiponjat partizane" shumë shpejt nisën të këndoheshin si këngë. Pas çlirimit, në vitin 1953, Kola shkroi veprën "Heronjtë e vigut". Fusha kryesore në të cilën Kolë Jakova ka dhënë kontribut të veçantë është dramaturgjia. Në vitin 1954 shkruan dramën "Toka jonë", "Përkolgjinajt" në vitin 1965, "Lulet e shegës" në vitin 1970, "Bashkë me agimin" në vitin 1975 dhe dramën "Lugajanet" në vitin 1997. Këto i dhanë një ndihmesë të konsiderueshme zhvillimit të dramaturgjisë. Njëkohësisht, Kolë Jakova është autor i disa romaneve si, "Fshati midis ujërave", "Përballë hekurave të kryqëzuara" dhe "Kulla buzë liqenit".

    Tituj të veprave

  • Bashkë me agimin (1975)
  • Fshati midis ujërave (roman satirik, 1986)
  • Halili dhe Hajrija
  • Heronjtë e vigut
  • Kulla buzë liqenit (roman)
  • Lugajanet (dramë, 1997)
  • Lulet e shegës (1970)
  • Përballë hekurave të kryqëzuara (roman)
  • Përkolgjinajt (1965)
  • Toka jonë (dramë, 1954)

  • _______________
    Burimi: Wikipedia

    Nasho Jorgaqi

    Nasho Jorgaqi lindi në vitin 1931 në Fier, Shqipëri është shkrimtar, skenarist, hulumtues dhe studiues shqiptar, doktor i shkencave dhe titullar, është i njohur me titullin “Mjeshtër i Madh i Punës”. Është shtë autor botimesh letrare, skenarësh filmash, përkthimesh dhe botimesh shkencore.

    Tituj te veprave

  • Dashuria e Mimozës - 1960
  • Ëndrra dhe plagë
  • Atentatori i Perandorit
  • Manastiri i dashurisë
  • Tomka - 1968
  • Tregimet e mbrëmjes - 1972
  • Atologji e mendimit estetik shqiptar - 1979
  • Poetika e dokumentit - 1987
  • Udhëtim me Fan Nolin 1995
  • Larg dhe afër
  • Mërgata e Qyqeve


  • Botimet shkencore

    Në botimet e tij shkencore përfshihen:
    • Antologji për Skënderbeun, (1968),
    • Antologji e mendimit estetik shqiptar (1504-1944), 1994
    • Udhëtim me Fan Nolin', (1995)
    • Estetika e fjalës shqipe, (studime, artikuj, ese, 1995)
    • Portrete dhe gjurmime (artikuj dhe studime letrare, 2002)

    Skenaret

  • Tomka dhe shokët e tij (1977)
  • Mimoza llastica (1973)
  • Duel i Heshtur (1967)
  • Tana (1958)

  • _______________
    Burimi: Wikipedia

    Xheladin Hamza

    Xheladin Emrullah Hamza u lind më 03. 08. 1952. në Rahovec. Në fëmijëri të hershme në moshën tre vjeçare mbetet pa një prindër, pa babanë. Ritet në kushtet shumë të vështira të jetës.
    Pas mbarimit të shkollimit punësohet në Kuvendin komunal në Rahovec, në Drejtorinë për financa dhe buxhet. Në fillim të viteve të nëntëdhjeta si shumë shqiptarë të tjerë edhe poeti largohet me dhunë nga puna. Pas çlirimit sërish aktivizohet në Kuvendin komunal në Drejtorinë për financa dhe buxhet. Krahas punës dhe detyrave profesionale ai merret edhe me shkrime letrare dhe përkthime.
    Në vitin 2005 botoi librin e tij të parë "Pse trëndafilat çelin" si dhe përkthimin në gjuhën shqipe Duaja e Kumejlit (Lutja e Kumejlit) të Imam Aliut. Në vitin 2008 botoi librin e tij të dytë të titulluar "Ngjyrat e shkëlqimit". Përmbledhjen poetike "Hapat e mi" të cilin e keni në dorë është libri i tij i tretë. Jeton në Rahovec - Kosovë


    Poezi nga Xheladin Hamza

    AROMË TRËNDAFILI

    Dorën time të lodhur, dredh e lehta pendë
    Rëndon shpirtin që flakë digjet për ty
    Ajsberg më bëhet trupi në lundrim me ty
    Ndër ëndrrat më të bukura që s’kanë mbarim
    Vesa e mëngjesit të ftohtë fle mbi ballin tim
    E dielli me rreze të arta ma puth ballin e lagur
    Rob i buzëve tua të zjarrta mbetem përjetësisht
    Aty, në varreza të pahapura, varrosen ndjenjat e mia...

    Eh ,sikur të kisha krahët e një engjëlli qiellor
    Vonë pas mesnate do të fluturoja tek ti
    Sa më pëlqejnë udhëtimet mistike qiellore
    Në kohë kur ora nuk bën matjen e saj
    Dhe ura e ylberit lidh dy shpirtra larg me vite drite,
    Arshi mbi qiej do të dridhej edhe njëherë për ne të dy
    Robëria për buzët e tua, në aromë trëndafili do të
    shndërrohej...


     O XHANI IM

    Yjet që shkëlqejnë më shumë
    Ngjajnë me sytë e tu të zjarrtë
    Që pandërprerë më përcjellin
    O xhani im.

    Më mësoi era
    Si pëshpëritet emri yt
    Edhe kur në ëndërr jam
    O xhani im.

    Dielli më përkëdhel e ledhaton
    Lehtazi porsi dora jote
    Dikur në shatërvanin e rinisë
    O xhani im.


    TI, XHANI IM
    (akrostik)

    E di që ti, xhani im pandërprerë
    Në heshtje më përcjell si hije
    Gjer në frymëmarrjen e fundit
    Ëëë, je futur thellë në shpirtin tim
    Jeta është e bukur dhe e ëmbël
    Tamam si një ëndërr pambarim .

    Shikimi mbetet i humbur në hapësirë
    Qesh si fëmijë i vogël me yjet në vallëzim
    Idilike duket kjo lojë, jeta – mashtrim
    Pëlcasin damarët, gjaku ngrihet - akull
    Tempo e frymëmarrjes trurin ma bllokon
    Arnoj shpirtin me arnat e shkëputura hyjnore
    Ranishtë e bukur, hapi krahët, lermë të fluturoj
    E ti nëse vërtetë më do, eja pas meje fluturimthi
    ...........................në parajsë përjetësisht të pres!



    TI

    Ti,
    Vite me radhë
    Lundron ëndrrave të mia
    Pambarim...


    PIKTURAT E MËNGJESIT

    Çdo natë
    Më vije në ëndërr
    E heshtur, e vetmuar
    Tamam si shpirti im...

    Ëndrrat mbeten të virgjëra
    Sërish zbardhen mëngjeset
    Bosh, si ëndrrat e mia,
    Pa mbarim...

    Për ty,
    Ç’do ditë
    Ndjej boshllëk shpirti...

    Askush s’mi pikturon më,
    Mëngjeset me fjalë të arta
    Si ti...


    BEBËZAT E SYVE TË TU

    Jam vetëm një shpirt varfanjak
    I derdhur në bebëzat e syve tu
    Bojë qielli...

    Të bardhat mendime për ty
    Mbi rrudhat e ballit
    I zbrita që nga retë e qiellit
    Si shiun e pranverës...

    Për urrejtje
    Gjoksi më është tepër i ngushtë
    Dashuria në heshtje më flet qetësisht...