Montag, 19. Januar 2015

Binak Alia

Malësia, kjo amë e trimërive, ngjarjeve historike, kalitjes së heronjve dhe nxjerrjes së pleqnarëve më me nam që njohin trojet tona, ishte dhe mbeti një trevë e veçantë e mbrujtur përjetësisht me histori dhe legjenda të pashembullta, për pleqërim, dije dhe qëndresa të mëdha.

Krasniqja e madhe dhe Malësia me Binak Alinë, u përjetësua edhe si kampion i dijes popullore dhe peshore precize e ndarjes së drejtësisë me tapi autoktone, në gjithë shqiptarinë.


Binak Alia u lind në Bujan në vitin 1805, në njërën nga familjet më të njohura në veri dhe verilindje të Shqipërisë etnike, e cila nderohej që nga Tivari, Ulqini, Plava e Gucia, deri në Dukagjin dhe Kosovën anë e mbanë.


Ai vdiq më 1895, po atje në Malësinë e tij heroike, pasi dha çdo gjë që mundi dhe diti, për lirinë ,paqen e brendshme, çlirimin e atdheut dhe mirëqenien e popullit shqiptarë kudo.
 

Ky burrë i madh i takonte një krahine e cila tash e sa kohë çmohet lartë si vendlindje burrash dhe heronjsh legjendar, ndër më të mëdhenjtë që njohin shqiptarët e këtyre trojeve gjatë 210 viteve të fundit.

Binak Alia erdhi në jetë si vëllai i katërt dhe më i vogëli nga të katër djemtë sa kishin prindërit e tij, i cili qysh në rinin e hershme u dallua për aftësitë gjykuese, prirjet për drejtësi popullore, dinjitetin burrëror dhe vendosmërinë njerëzore e kombëtare prej malësori.
 

Biri i Krasniqes ishte çdo herë atje ku fjala dhe vepra e tij më së tepërmi kërkohej, në të gjitha trevat ku atëbotë me shkronja të arta do të shkruhej historia më sublime kombëtare dhe bëhej luftë e pa kompromis e përpjekjeje mbinjerëzore për çlirimin e atdheut dhe lirinë e popullit shqiptar.

Në kohën kur ai ishte ende i ri, në Malësi, trevat e Shqipërisë së epërme dhe të Kosovës në përgjithësi, sipas traditës vendore, djemtë e ri vetëm pas moshës 16 vjeçare kishin të drejtë pjesëmarrjeje në kuvende burrash, por në rastin e Binak Alisë do të veprohej ndryshe.
 

Familja e tij, më 1820, kur ai ishte vetëm 15 vjeçar, sapo kishte përfunduar ndërtimin e kullës së famshme të Krasniqes, ndaj duke njohur zgjuarsinë e veçantë e cila ishte e rrallë për djemtë e asaj moshe, bashkëfamiljarët do të insistonin që Binak Alia të pranohej një vit më herët në kuvend, dhe burrëria e tij bashkë me Kullën e re të përuroheshin njëherazi solemnisht, edhe pse ai ishe ende i ri.

Pas shumë përpjekjesh, paria e Malësisë, me vështirësi kishte pranuar ta thyente "sullin" e kuvendeve dhe vetëm nën kushtin që Binak Alia ta kalonte testin e "pjekurisë“, duke u përgjigjur në tri pyetje të cilat do t`ia parashtronte "komisioni i burrave të zgjedhur", me ç `rast duhej të epte edhe arsyetimin për secilën përgjigje, në mënyrë që ato të pranoheshin si të sakta.


Pyetjet që do ti shtroheshin ati dhe përgjigjet e Binak Alisë, ishin këto:


1. Dru është e dru nuk është- cili dhe pse?!

"Kaqa", do të përgjigjej Binak Alia! Dru është- dhe dru nuk është, sepse për dru nuk mund të shitet.

2. Mish është e mish nuk është-cili dhe pse?!
Shpretka, ishte përgjigja e radhës! Mish është e mish nuk është, sepse për mish nuk mund të shitet.


3. Burrë është e burrë nuk është-kush dhe pse?!
Burri që nuk mbanë fjalën! Burrë është dhe burrë nuk është, sepse thotë "po" por nuk rri në "Po" , thotë "jo" por nuk rri në "Jo"! Ndaj, burrit të tillë i mungon burrëria dhe nuk pranohet për "Burrë" në kuvende.


Kështu, Binak Alia edhe pse i ri në moshë, do të përgjigjej aq saktë dhe bindshëm sa që do të habiste komisionin me arsyetimet e përgjigjeve të tij, duke mos lënë asnjë shteg për hamendje, ndaj njëzëri do të pranohej, para kohe në Kuvend Burrash.


Paria e befasuar nga përgjigjet e djaloshit 15 vjeçar, pasi që të pranuarit në kuvend kishin të drejtë edhe të pleqëronin raste të cilat atyre mund tu besoheshin, do ta ftonte solemnisht Binak Alinë, të betohej para burrave në Besën dhe Traditën Shqiptare për mbajtjen e fjalës së dhënë dhe trajtimin me drejtësi e dinjitet të cilës do ngjarje që atij mund ti binte ta pleqëronte.


Qysh nga ajo kohë, kulla e tij do të bëhej një nga selitë kryesore ku do mbaheshin qindra kuvende dhe merreshin po aq vendime me rëndësi, sa që ajo të kthehej në mit kuvendesh, kurse Binak Alia në legjendë të drejtësisë dhe pleqësisë popullore.


Dija e trimëria dhe virtytet e tij njerëzore, bënë që ai dhe Ali Ibra, jo vetëm të ndërmjetësonin me sukses në sa e sa raste, kudo që ata u ftuan, por edhe të dërgoheshin si përfaqësuesit kryesor të Malësisë në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku do të zgjidheshin që të dy anëtar të këshillit të lart të kësaj Lidhjeje Kombëtare që nga themelimi i saj.


Si ai vet, edhe të katër djemtë e Binak Alisë, nipërit e bashkëfamiljarët, vëllazëria dhe bashkëpunëtorët e tij, do ti qëndronin përherë besnik të pa lëkundur kombit, nga kushdo që ai mund të rrezikohej, disa prej të cilëve u flijuan trimërisht duke dhënë edhe jetën për atdhe. 


Familje me traditë qindravjeçare luftërash
 

Binak Alia pati 4 djem; Halilin , Aliun, Qerimin e Shabanin dhe që të gjithë shkuan rrugës kombëtare të babait. Në Kullën e Binak Alisë u lind dhe rrit edhe nipi i tij i njohur Zeqir Halili, djali i djalit të madh të Binakut , i cili si prijës i Krasniqes për 30 vjet me radhë nuk do ta lëshonte pushkën nga dora duke luftuar fort dhe trimërisht kundër forcave turke dhe atyre serbomalazeze, për lirinë e shqiptarëve dhe mbrojtjen e tokave të tyre stërgjyshore.
 

Si patriot i dëshmuar dhe orator i lindur, edhe pse në moshë të shtyrë, Binak Alia ishte ndër të parët në të gjitha tubimet e kohës me karakter kombëtar, ku do tu fliste me arsye e njohuri, si dhe gjuhën e argumenteve bashkëkombësve të tij kudo, qoftë në kuvende kushtrimesh për qëndresë kombëtare apo edhe ato për pajtimin e gjaqeve si në Kuvendin e Junikut më 1877, të cilin ai edhe do ta kryesonte. (“BINAK ALIA DHE ELITA E TIJ HISTORIKE”.. - YouTube),

Burri i Krasniqes, do tu fliste me zjarr shqiptarëve në të gjitha tubimet e organizuara të Lidhjes së Prizrenit, për mbrojtjen e tokave të rrezikuara nga pushtimet malazeze; Ulqinin, Plavën, Gucinë, Hotin ,Grudën etj, si dhe për çlirimin e atdheut në tërësi nga Turqia.
 

Binak Alia ishte jo vetëm trim e atdhetar i madh, por edhe një pleqnar i rrallë dhe mendjehollë i pa shoq në të 12 fiset që njihnin shqiptarët. Ky Burrë i Malësisë u dallua edhe si ndërmjetësues i zoti dhe pajtues i denjë i shumë gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave ndërshqiptare, i cili për emrin e mirë që kishte bërë me veprat e tij, do të shndërrohej në legjendë të drejtësisë dhe kryepleqnar i Malësisë dhe Kosovës.


Masakrimi i shqiptarëve

Binak Alia, atëbotë ishte vetëm 17 vjeçar, mirëpo kishte kohë që flitej e përflitej gjithandej se edhe në Malësinë e tij, kërkoheshin mercenar nga Perandoria turke dhe njerëzit e Kara Mahmut Bushatliut, për të luftuar kundër një Pashai tjetër të madh Shqiptar në jug të trojeve tona etnike.

Mjerisht, gjaku i shqiptarëve, derdhej ndër vite pa reshtur në të gjitha anët, madje jo vetëm në kohën e rënies së Ali Pashës dhe pashallëkut të tij, kur shqiptarët luftonin kundër shqiptarëve ,për rrëzimin nga froni pas 30 vjet sundimi të këtij Luani në Janinë, për të cilin do të dëgjonte me dhimbje mbi tradhtitë me të cilat më 24 janar të vitit 1822,ishte mundur ai dhe disa vite më vonë, për makinacionet otomane përmes të cilave do të eliminoheshin edhe qindra prijës të tjerë shqiptar, nga forcat pushtuese turke.


Fatkeqësia më e madhe, ishte se Luani i Janinës nuk u tradhtua vetëm nga organizata greke “shoqëria e miqve” që luftonte për çlirimin e Greqisë nga Turqia, të cilës në kohët më të vështira Ali Pasha i kishte ofruar mundësi veprimi në pashallëkun e tij, ndihmuar në përgatitjet për çlirim dhe krijimin e shtetit grek, me të cilën që në vitin 1818,kishte lidh edhe një marrëveshje bashkëpunimi, por ai do të tradhtohej edhe nga shqiptarët, djemtë e tij, miqtë dhe shokët më të ngushtë, me përjashtim të pak vetave që do të pranonin të vdisnin me të duke luftuar.


Madje, Jani Koletin,(Joanis Koletis;1774-1847) kryeministrin e ardhshëm grek, Pashai i Janinës, për disa vite me radhë e kishte punësuar si shef të financave të pashallëkut të tij, por pas ardhjes në pushtet, më 1844,vet Koleti do të shpallte “Megali idenë”-greke dhe kërkonte aneksimin e tokave të Shqipërisë.


Në Pashallëkun e Janinës, do të stërvitej edhe Marko Boçari (1789-1823) luftëtari i njohur arvanitas i Sulit të Çamërisë i cili fatkeqësisht do të vritej edhe ai duke luftuar për interesat greke, kundër shqiptarëve.


Për aq më keq, sikur mos të mjaftonte që sulmeve turke kundër Pashait të Janinës, me urdhër të Sulltan Mamutit II- (1808-1839),iu bashkuan ushtarët e Mahmut Bushatliut, pashait të Shkodrës, në ditët më të vështira, Ali Pashë Janina do të tradhtohej edhe nga kryekomandanti i forcave ushtarake, Omer bej Vrioni, bashkë me 15000 trupat elite të pashallëkut të tij.


Por, para mësymjeve turke quan duart edhe dy djemtë e Aliut, Veliu dhe Myftari të cilët megjithëse u dorëzuan ndër të parët, do të vriteshin nga sulltan Mahmuti II, me tradhti.
Pashain e lodhur, e tradhtuan edhe shokët më të ngushtë të tij, si; Ago Vasjari, Tahir Abazi, Zylyftar Poda, etj.


Ndaj, përkundër rezistencës së pashpresë, para gjithë atyre tradhtive që iu bënë, nën rrethimin e forcave të Hurshid Pashës, megjithëse në moshë të shtyrë, duke hetuar fermanin e falsifikuar nga sejmenët turq, kinse sulltani i falte jetën atij, Ali Pashës nuk i kishte mbetur tjetër përveçse edhe në pleqërinë e thellë, para kapjes me tradhti brenda manastirit të Shën-Pandelejmonit në ishullin e liqenit të Janinës, më 24 janar të vitit 1822,të luftonte i vetmuar si luan, duke vdekur si burrat.


Koka e prerë e Ali Pashë Janinës-pas mundjes së tij, një muaj më vonë, më 23 shkurt të vitit 1822 do ti dërgohej Sulltanit në Stamboll, ku pas ekspozimit publik disaditësh, prej dhembjes koka e Pashait, do të blihej me para nga një dervish shqiptar për tu varrosur pas 30 vjet qeverisje të pavarur mbi gjysmën e trojeve të jugut të Shqipërisë etnike, pran bijve të tij të vrarë poashtu me tradhti nga turqit, në Stamboll.


Megjithatë, shqiptarët kishin ngelë në kohë dhe feudalë e bejlerë, nuk morën mend as nga katrahura e ndodhur ndaj Ali Pashë Janinës, kështu që ata vazhdonin avazin e vjetër të luftimit të njëri tjetrit edhe atëherë kur popujt fqinj dhe ata më të largët, bashkoheshin në luftë për çlirimin e vendeve të tyre nga pushtimi turk.


Por me gjithë kaosin ndërshqiptar që mbretëronte pas vdekjes së Ali Pashë Janinës në jug të vendit, siç do të dëshmohej disa vite më vonë, Perandoria osmane ende nuk kishte mbaruar punë me prijësit shqiptar, ajo vetëm sa kishte lënë pak kohë që të ftoheshin gjakrat e nxehura nga vrasja makabre e Pashait, për të mënjanuar eskalacionin e ndonjë kryengritje të mundshme në jug të Shqipërisë.


Ndaj, me të përfunduar lufta ruso-turke e vitit 1829,gjeneralë e vezir turq, kishin nxjerr mbi tavolinë planet e reja, për veprime sipas traditës së tyre të vjetër, për përgjakjen e mëtejme të shqiptarëve me tradhti, siç dinin ata.


Kështu që nga mesi i gushtit të vitit 1830, veziri i madh, Mehmet Reshit Pasha (1780-1839), sipas shënimeve në wikipedia, i lindur në Gjeorgjinë kaukaziane si djalë i një prifti grek, konvertuar dhe shkolluar në akademitë ushtarake osmane, do të arrinte deri në titullin vezir, për të vdekur në vitin 1839,në luftimet e organizuara kundër kurdëve në Sivas të Anadollit, i cili njihej për masakra dhe ashpërsi, me qëllim eliminimi, ai do ti ftonte qindra feudalë dhe bejlerëve shqiptar nga viset jugore të vendit, të veshur me uniforma solemne, të paraqiteshin në qytetin e Manastirit ku u kishte premtuar pritje me nderime ushtarake, ngritje gradash dhe pagimin e rrogave të vonuara , kinse nga telashet e luftës që Perandoria otomane kishte deri rreth një viti më parë me Rusinë.


Dhe, më 26 gusht të vitit 1830, derisa ata përcillnin paradën ushtarake turke, e cila zhvillohej kinse sipas sistemit evropian, pjesëtarët e gardës, sipas porosisë së Mehmet Reshit Pashës, do të ktheheshin nga tribunat dhe qëllonin në befasi, për të vrarë me këtë rast, mbi 500 feudalë dhe bejlerë të pranishëm shqiptarë.


Brenda pak minutave u shfarosën kështu me tradhti më tepër se 500 feudalë e derebej, kokat e të cilëve u dërguan në Stamboll. „Masakra e Manastirit" Wikipedia.


Për këto krime, në librin e saj “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike”, do të shkruante edhe Edit Durham e cila shprehet se si më 26 gusht të vitit 1830,Mehmet Reshit Pasha, në masakrën e Manastirit, vrau në mënyrë të pabesë 500 krerë shqiptarë.


Megjithëse Binak Alia dhe Malësia mbarë, nga tragjeditë e shkaktuara otomane me tradhti të dëgjuara gjithandej trojeve tona, kishin marrë shumë mësime të hidhura dhe përpiqeshin ditë natë për bashkimin e sa më shumë trevave shqiptare për ta luftua pushtimin osman, kontinuiteti i eliminimit të prijësve shqiptar me metoda të tilla nga organet pushtuese turke, nuk do të pushonte deri në ditët e fundit të tyre në Ballkan.


Një tragjedi e ngjashme me tradhti,80 vite pas Masakrës së trisht të Manastirit, do ti ndodhte edhe djalit të Binak Alisë, trimit dhe luftëtarit të pa epur kombëtar- Shaban Binakut, i cili bashkë me Avdullah Hoxhën e Gashit të Gurit, nga fundi i vitit 2010 do të ftoheshin kinse për konsultime me organet e pushtetit të atëhershëm otoman në Gjakovë, mbi të drejtat e shqiptarëve të cilët nuk i pushonin kryengritjet, dhe në kohën kur Perandorisë pushtuese turke nuk i kishin mbet më as dy vite të plota, para se ajo të dëbohej përgjithmonë nga trojet tona, ata do të tradhtoheshin nga pushtetarët osman dhe vareshin që të dy, në mes të pazarit të Gjakovës. 


Binak Alia, prijës luftërash.

Gjendja për shqiptarët në të gjitha trojet e tyre, sa vinte e keqësohej, dhe tani ata nuk kishin më vetëm perandorinë pushtuese turke si armik që priste e korrte pamëshirshëm, por edhe shtetet hegjemoniste fqinjë që sapo kishin fituar pavarësinë nga kjo perandori, duke filluar nga principata e vogël e Malit të Zi, Serbia dhe Greqia, të cilat suleshin rrezikshëm për zgjerimin e kufijve të tyre në kurriz të tokave shqiptare.


Në anën tjetër, ende pa u terur mirë gjakrat shqiptare që vazhdonin të derdheshin ndër vite në trojet e tyre, pas presionit të fuqive të mëdha Perandoria turke do të organizonte të ashtuquajturat reforma të qeverisjes, apo Tanzimatin, promovimin e të cilit do të bënte me shumë pompozitet në vitin 1839,para se të vdiste në luftë me kryengritësit kurd- Veziri i madh Mustafa Reshit Pasha, në oborrin e pallatit të sulltanit të njohur si "Gjylhane"-apo shtëpia e trëndafilave, pranë bregdetit të Marmarasë.
Meqenëse u lexua këtu, u quajt ferman i Gjylhanese. (Hatt-i sherif-i Gjylhanesë). http://sq.wikipedia.org


Por, Tanzimati, në Kosovë dhe Shqipërinë e mesme e veriore, do të "arrinte" më 1843,i cili nuk parashihte asgjë të mirë as për këto troje, përveç rritjes së taksave, heqjen e armëve dhe rekrutimin e të rinjve shqiptar për shërbime shumëvjeçare ushtarake në vende të huaja dhe të largëta arabe të perandorisë së pafund pushtuese otomane, prej nga shumë djem të ri nuk do të ktheheshin më kurrë.


Ndaj, shpallja e Tanzimatit nxiti njërën ndër kryengritjet më të fuqishme në Kosovë dhe trevat lindore të Shqipërisë etnike, me ç`rast Dervish Cara me 10 mijë trimat e tij, në periudhën nga 21 korriku i vitit 1843, deri në shkurt të vitit 1844, do ta çlironte Shkupin, dhe afro gjysmën e trojeve shqiptare. “Kryengritja e Dervish Carës,1843-1844". Qëndresa kundërosmane në Shqipërinë e Veriut” Shqipëria .com


Për fat të keq, as kjo kryengritje nuk arriti të shtrihej në të gjitha trojet tona dhe pas një qëndrese heroike, më 1844, do të shtypej me gjak si shumë kryengritje tjera të më hershme. Ndaj Burrit të Malësisë, të rënduar nga shumë fatkeqësi që binin pa ndërpre mbi atdheun, i shtoheshin obligimet dhe vështirësitë e gjetjes së mënyrave adekuate për shpëtimin e vendit kudo që mundej dhe arrinte.


Në vitin, 1844,Serbia nën përgatitjen e ministrit, atëbotë të brendshëm të saj, Ilia Garashanin(1812-1874) do të shpallte programin e “Serbisë së madhe” të njohur me emrin “Nacertanie” e cila rritjen e shtetit serb e parashihte përmes zaptimit të tokave tona me shpërnguljen dhe asgjësimin e popullit autokton shqiptar, siç do të vepronte gati njëkohësisht edhe Greqia me paraqitjen e të ashtuquajturës "Megali ide" para mbretit Oto Friedrich Ludwig, nga kryeministri grek dhe ish ministri i financave të Ali Pashës, Jani Koleti, (Joanis Koletis),program analog me “Nacertanien”-serbe, të cilat nuk do të vonin shumë dhe do tu krijonin shumë tragjedi shqiptarëve në të gjitha anët.


Oto Friedrich Ludwig 1815-1867, ishte princ gjerman i lindur në Salzburg si djali i dytë i familjes mbretërore të Bajernit, i cili do të emërohej Mbret i Greqisë dhe sundonte atje nga 27 maji i vitit 1832 deri më 23 tetor të vitit 1862.


Por ti kthehemi edhe një herë figurës së çmuar të Binak Alisë, të cilit në këto vite të turbullta kombëtare do ti duhej të merrej me shumë detyra dhe të gjendej me kohë në të gjitha vendet dhe drejtimet duke vepruar me krejt mundësitë që kishte, ku mundej dhe arrinte sipas rasteve që kërkonin angazhimin e tij, qoftë në kuvende burrash, pajtim gjaqesh apo edhe udhëheqje luftërash, sa herë që tokat tona u mësynë nga armiqtë e shumtë të cilët sa vinin e shtoheshin.


Tanzimati shkaktoi dy kryengritje të mëdha, edhe në Malësi e rrethinë, me ç `rast nën udhëheqjen e Binak Alisë së Krasniqes u bashkuan Gashi, Bytyqi ,Hasi dhe Reka, të cilat në muajin Maj të vitit 1845,me rreth 8000 kryengritës malësor, do ta përzinin garnizonin turk dhe çlironin përkohësisht Gjakovën.


Por, pasi që Valiu i Rumelisë, nuk arriti ta mbronte atë qendër me ushtrinë e vet, ai rekrutoi mijëra mercenar shqiptar nga vise të ndryshme të vendit, për rimarrjen nën kontroll të këtij vendbanimi të dominuar nga malësorët. ( “Kryengritja e Dervish Carës (1843-1844). Qëndresa kundërosmane në Shqipërinë e Veriut” Shqipëria .com)


Pasojat e Tanzimatit ndiheshin kudo në trojet shqiptare, ndaj duke mos arrit të liroheshin në asnjë mënyrë nga taksat e rënda dhe marrja nizam e të rinjve, një grup intelektualësh shkodran të udhëhequr nga Pashko Vasa, Zef Jubani dhe abati atdhetarë i Mirditës Gaspër Krasniqi, do të përpilonin një plan sipas të cilit në pranverën e vitit 1862,kryengritja kombëtare shqiptare e radhës, do të duhej të shpërthente në Mirditë, prej nga mendohej të përhapej edhe në malësitë përreth.


Madje, ishte paraparë që kapedani i Mirditës Bibë Doda, të ngrinte flamurin e kryengritjes dhe shpallte një principate autonome ose të pavarur shqiptare, në mënyrë që ti bashkoheshin edhe pjesët tjera të vendit.


Por pasi që Bibë Doda, ishte pasha i Perandorisë turke dhe merrte rrogë nga Porta e lartë, jo vetëm se u tërhoq nga plani i kryengritjes, por për të përmbushur urdhrat e sulltanit, ai u mundua të rekrutonte edhe disa grupe vullnetaresh në Mirditë për plotësimin e reparteve ushtarake osmane.


Ndaj nën udhëheqjen e abatit patriot, Gaspër Krasniqi, atje shpërtheu një konflikt i ashpër dhe shumica e popullsisë së Mirditës u rreshtua kundër kapedanit, i cili akuzohej nga banorët për përvetësimin e rrogave të vullnetarëve dhe dërgimin e tyre në vdekje, kështu që Bibë Doda u detyrua të ikte nga Mirdita dhe kërkonte shpëtim tek valiu turk në Shkodër, i cili arrestoi abatin atdhetar të Mirditës për çka mirditasit e mllefosur u vunë zjarrin shtëpive dhe pronave të Bibë Dodës në Kallmet.


...... arrestimi i abatit Gaspër Krasniqi i cili ishte bërë udhëheqës i lëvizjes në Mirditë, nuk e qetësoi, përkundrazi, e acaroi edhe me shume gjendjen. Patriotet shkodranë nuk ngurruan të akuzonin Bibë Dodë pashën si “vrasës të popullit të tij” e qeverinë e sulltanit si “shtypëse të pamëshirshme te kombit shqiptar” ...... Histori: LeVIZJA KOMBeTARE SHQIPTARE Ne VITET 30-70 Te SHEK. XIX. KREU III “Lëvizja e vitit 1862 ne Mirdite”


Pas dështimit të kryengritjes në Mirditë dhe viset përreth, duke parë se Malësia tanimë kishte mbet edhe një herë e vetmuar në qëndresën e saj të përhershme, Perandoria Turke në vitin 1862, do të dërgonte Maxhar Pashën me një ushtri të madhe të armatosur me topa dhe artileri, për pushtimin e Bujanit dhe Krasniqes së Madhe si dhe nënshtrimin e gjithë Malësisë, vjeljen e taksave dhe rekrutimin e të rinjve me forcë edhe në atë zonë.
Edhe pse të pa përgatitur për luftë, me mungesë të madhe armësh dhe municioni, vendosmëria e malësorëve për të luftuar deri ne vdekje për mbrojtjen e tokave te tyre, jo vetëm se tregoi një qëndresë të pamposhtur por nën udhëheqjen e Binak Alisë, ata edhe thyen keq osmanët duke vrarë dhe mbytur në lumin e Valbonës mbi 1500 zapti osman, kurse pjesa tjetër do të merrte ikën, nga ndjekjet hap pas hapi të malësorëve trima.
Në këto luftime, Binak Alia u dallua si udhëheqës i madh, emri i të cilit u bë i njohur në Malësi, Gash, Krasniqe ,Bytyç dhe Kosovën anë e mbanë, ndërsa Mic Sokoli, nipi i Binak Alisë, edhe pse ishte i ri, tregoi një trimëri të paparë deri atëherë. (Pjesë nga shkrimi “Histori e patriotit të njohur të Malësisë së Gjakovës, Binak Ali Mulosmani”) www.gazeta55.al 20 nëntor 2012.55


Kështu Malësia dëshmoi edhe një herë fort dhe bindshëm se ajo kurrë nuk vendosi asgjë para kombit dhe lirisë së atdheut, por në çdo kohë- jetoi dhe u sakrifikua me shpirt e zemër për tërësinë e Shqipërisë Etnike.



Mençuria e Binak Alisë
 

Binak Alia, do të bënte emër të madh edhe si pleqnar i rrallë dhe promovues i denjë i drejtësisë tradicionale shqiptare i cili me dijen dhe njohurit e tij, disa herë do të kalonte edhe caqet e kufijve kanunor, duke zbatuar ide dhe zgjidhje personale, të domosdoshme për pajtimin e zënkave dhe vendosjen e paqes në mes njerëzve kudo, e ndonjë herë edhe brenda së njëjtës familje.

Për këtë arsye, me të drejtë për Binak Alinë u tha gjithnjë se ai nuk la rast pa zgjidhur, i cili kudo që u ftua për pleqërimin e çfarëdo rasti u kthye në çelës të shuarjes së çdo zënke dhe ngatërrese.



Përvetësimi i fëmijës

Edhe sot në shumë ndeja e tubime, citohet shpesh një rast i veçantë brenda një familje e cila kishte dy djem të martuar në të njëjtin kohë, dhe që të dyve pas një viti, do tu lindte nga një djalë. Por njëri nga djemtë e posa lindur ishte më shëndetlig, ndaj nëna e tij xheloze, derisa të dytë fëmijët ishin ende të vegjël, kishte vendosur që në njërën nga netët e errëta t`ia vidhte djalin kunatës, duke e ndërruar atë me djalin e saj.

Por, me të dalë drita, kunata do ta kuptonte edhe më mirë se fëmija që mbante në duar nuk ishte i veti, megjithatë për shumë kohë, askush nuk do ti besonte fjalët e saj, ndaj sa më shumë që rriteshin djemtë ,rritej edhe ngjashmëria me prindërit, kështu që gjendja në familje do të përkeqësohej deri aty sa që do të fillonin të ziheshin gjithnjë e më shpesh edhe vëllezërit me njëri tjetrin.


Askush nuk e dinte më me saktësi se sa herë ishin bërë be rrëfe ,nga të dy gratë, se djali i takonte secilës nga to, dhe problemi assesi të sqarohej me gjithë përpjekjet e shumë pleqve të njohur, ndaj nuk kishte mbet rrugëdalje tjetër përveç se të thirrej edhe Binak Alia për gjetjen e një zgjidhje.


Binak Alia duke parë se ishin shterë të gjitha mundësit kanunore për zgjidhjen e këtij rasti dhe të dy vëllezërit, pas 8-9 vitesh konflikti të pareshtur, kishin vendosur që të mbyteshin me njëri tjetrin për djalin e kontestuar, ai u tha se djali duhej vendosur në mes të dy nuseve pretenduese dhe të vritej sepse “zgjidhje tjetër” nuk shihte. Sado që me shumë dhembje dhe vështirësi ata u pajtuan. Binak Alia, vendosi djalin në mes të dy nuseve dhe u tha t`ia epnin dorën atij secila në anën e saj.


Thuhet se ai ngriti pushkën dhe në vend se të merrte në shenj fëmijën u bërtiti nuseve; mbajeni fort djalin, se kam vendosur ta vras! Në atë moment, ajo që e kishte vjedhur si fëmijë djalin i cili, në momentin kur po ndahej drejtësia thuhet të ketë qenë ,8-9 vjeçar, jo vetëm se nuk e mbajti por ia lëshoi dorën fare dhe iku në anën tjetër, kurse nëna e vërtetë e tij, doli përpara mbuloi djalin me trupin e saj dhe me lot në sy, do ti thoshte Binak Alisë - më vrit mu të lutem, por jo djalin!
 

Binaku i lehtësuar në shpirt, duke kuptuar se ajo ishte nëna e vërtetë e vogëlushit, uroi nusen; ia pash hairin fisnike, se ky vërtetë qenka djali yt.
 

Qëndrimet burrërore dhe vendimet e nxjerra nëpër oda nga Binak Aliu, për shumë kohë ishin dhe mbetën themel i ndarjes së drejtësisë autoktone vendore, në të gjitha trojet tona, ku nuk gjenin vend ligjet pushtuese të perandorisë otomane. Vendimet e tij edhe sot janë shembull për pajtime, shuarjes së ngatërresave dhe pushimit të hasmërive me drejtësi dhe mirëkuptim në mes të shqiptarëve kudo. 

Martesa e "detyruar" e Binak Alisë

Puna e gjatë dhe angazhimet e mëdha, sado që ndihmuan shumë këndë në ditët e vështira të tyre, nuk ishin të lehta dhe pa sakrifica personale edhe për Binak Alinë, mandej nganjëherë ato kishin edhe konsekuenca jo të lehta në familjen e ngushtë të tij.
Ndaj, si pleqnar i njohur që ishte, jo rrallë do ti binte që me ditë e net të tëra të mbetej larg bashkë-familjarëve, për çka do të shkaktonte pakënaqësi edhe te gratë që kishte, thuhet se deri atëherë pati tri, të cilat me një rast, pas një vonese disa ditëshe, kishin vendosur që as të mos i flisnin kur ai të vinte në shtëpi.


Dhe, në një rast, pasi që kishte zgjidhur një problem bukur të rëndë i cili kishte kërkuar disa ditë kohë, ai do të kthehej i lumtur në shtëpi, por asnjëra nga gratë nuk shkoi ti fliste. I lodhur nga rruga e pagjumësia, atë natë ai do të flinte në dhomën e pritjes së mysafirëve, kurse të nesërmen herët në mëngjes, pa e prishur shumë terezinë nga ajo sa i kishte ndodhur mbrëmë, do ti hipte kalit dhe ngjitej në Gash për të kërkuar një nuse tjetër.
 

Para se të arrinte në fshatin ku ai ishte nisur, në bjeshkët e Gashit do të takonte njeriun tek i cili ishte nisur, dhe pasi që do të ndërronin nga një cigare kutie me të, Binaku do t’ia shpaloste qëllimin e shkuarjes dhe kërkonte bijën e Gashjanit për nuse.

Gashjani i habitur, duke mos u besuar veshëve për ato sa kishte dëgjuar, do të pyeste edhe një herë Binakun i cili atëkohë thuhet se ishte 60 vjeçar, me shpresë se mund të kishte ngatërruar fjalët dhe vajzën e tij e kërkonte për djalë, e jo për vete.


Por Binaku përsëriti edhe një herë se vajzën e tij e kërkonte për vete, ndaj Gashjani i ngushtuar sa s`ka, ngase atëbotë nuk ishte e lehtë ta ktheje Binak Alinë, i tha se së pari donte ta bisedonte me Vajzën këtë punë.


Edhe Binaku ishte pajtuar me propozimin e mikut të ardhshëm, por për çudinë e Gashjanit, vajza të cilën e kishin kërkuar shumë djem të rinj e të njohur, dhe ajo nuk kishte pranuar asnjërin nga ta, u përgjigj se pranonte të martohej me Binak Alinë.
 

Prindi i ngushtuar sa s`ka, të cilit me gjithë respektin për Binakun, i dhimbsej shumë e bija, që ta martonte me një njeri në moshë aq të shtyrë, do t`ia përsëriste edhe disa herë të bijës se Binaku kishte mëse 60 vjet dhe ishte i vjetër për te.

Megjithatë e bija nguli këmbë se përkundër moshës së shtyrë të tij dhe grave tjera që ai kishte në shtëpi, ajo kishte vendosur të martohej me Binak Alinë.


Ndaj, i `ati i shokuar ,do ta pyeste të bijën për herë të fundit me kureshtje se si do ta qonte jetën me një plak si Binak Alia, kurse ajo do ti përgjigjej;
Baba, sa herë të më shoh mua Binaku, ai do përtërihet, e sa herë ta shohë unë Binakun do të plakem dhe kështu do të mbarojmë të dytë përnjëherë. Ndaj, ajo edhe do të bëhej nusja e 4-tërt e tij.


Malësia ishte dhe mbeti një trevë e veçantë e mbrujtur përjetësisht me histori dhe legjenda, tregime mbi trimëritë e shumta dhe qëndresa të mëdha, e cila me Binak Alinë, u përjetësua edhe si kampion i dijes popullore dhe "matës" preciz i ndarjes së drejtësisë me tapi autoktone.


Sinqeriteti dhe paanësia balancuese e Binak Alisë, si ndonjë peshore e magjishme precize, për pak vite ishin bërë aq të njohura sa që nuk do të kalonte shumë kohë dhe ai do të shndërrohej në figurë mitologjike të ndarjes së drejtësisë autoktone dhe tradicionale shqiptare. 


Dardhat e buta

Falë besimit që njerëzia shprehnin ndaj Binak Alisë, thuhet se ishte i betuar që para cilit do ndërmjetësim, të mos hante as pinte, në mënyrë që çdo herë dhe në çfarëdo rast dyshimi nga cilado palë, ti kishte duart e lira për tu “larë me be” se puna e tij ishte e pastër dhe nuk kishte pranuar ryshfet apo çfarëdo formë pagese a shtytje, për t`ia mbajtur krahun cilësdo anë në mënyrë të pa drejtë.


Por me kalimin e kohës ,mosha dhe largësia do ta bënin të veten dhe Binak Alia nuk mund të arrinte çdo kund, kështu që aty këtu, sidomos te njerëzit e tij, ndonjë herë ishte detyruar që ti dërgonte edhe të bijtë për ndërmjetësim apo pleqërimin e ndonjë ngjarje.
 

Një familjeje e njohur nga malësia, e vendosur në Rrafsh të Dukagjinit, kishte një vajzë të mençur e punëtore, por jo të pashme e të bukur sa duhet, ndaj kishin vendosur që ta martonin dikund larg (thuhet) në Rahovec, ku nuk i njihnin rrethi dhe miqësia.
 

Por, pas pak kohësh, djali i pakënaqur, do ta detyronte të atin që t`ia kthente Malësorit të bijën.

Mirëpo, në ato kohë, sipas traditës dhe kanunit, lirimi i një nuse mund të bëhej vetëm për shkaqe të forta, si p.sh. mos-puna, hajnia, pandershmëria etj, por jo edhe për dukjen e sajë, e për aq më tepër një mashkull që nuk mbante një grua të dobët, ai nuk konsiderohej burrë.
Ndaj malësori kishte ftuar Binak Alinë për ta pleqnu këtë problem, i cili nuk ndjehej mirë dhe dërgoi njërin nga bijtë e tij.


I zoti shtëpisë duke ditur se djali i Binak Alisë ishte merak në dardha, por edhe për ta forcuar punën, ngase për te, ky nuk ishte problem çfarëdo, kishte mbledhur dardhat më të mira nga kishte mundur dhe ia lëshoi përpara pleqnarit të “ri” i cili derisa erdh miku nga Rahoveci, do ti hante pa të keq, një pjesë prej tyre.


Dhe pas ardhjes së rahovecianit djali i Binak Alisë do ta pyeste se për cilën nga arsyet e pranuara me kanun, djali i tij kishte vendosur ta lëshonte të bijën e malësorit.
Rahoveciani i zënë ngushtë ngase nuk ishte asnjëra prej tyre, nuk diti se ç`të thoshte tjetër, përveçse të sajonte një arsyetim se si nusja e paska koritur atë si vjehërr- sepse derisa vinin rrugës, ajo kinse nuk paska mundur ta mbante ujin e hollë dhe ishte lagur mbi kali në të cilin ishte hipur.


Djali i sprovuar me shumë shtjellime pleqnish nga i ati, pyeti në cilin vend dhe në çfarë rrethanash kishte ndodhur aj rast?!...


Rahoveciani duke dashur ta bënte sa më bindës arsyetimin e tij, u tha se kjo kishte ndodhur derisa kalonin Urën e Shenjtë.


I biri i Binak Alisë, i lehtësuar nga përgjigja, do t`ia kthente; dëgjo mik, ajo qenka e fortë dhe vetëm qenka lagur, se po të ishim ti apo unë mbi lartësinë e Urës së Shenjtë dhe hipur mbi kali, ne jo vetëm se do lageshim, por ndoshta do fëlliqeshim krejt edhe pse jemi burra.
Pra-mik, na paske koritë neve dhe veten, pasi që në momentin kur ke ardhë te ura, nuk e ke zbrit rejën nga kali, ndaj merre nusen e ik se fajet i paske ti e jo gruaja.
 

Sado që pleqnia ishte përfunduar me sukses, thuhet se një ditë Rahoveciani kishte dëgjuar për dardhat dhe i mllefosur që nuk kishte mundur t`ia kthente të bijën malësorit, do ti qonte fjalë Binak Alisë e ti thoshte; Pleqninë e ndave, por i hëngre dardhat e buta!
 

Me të dëgjuar Binak Alia, që nga ai moment e deri sa ishte gjallë, do t’ia ndalonte të birit ndarjen e pleqnisë, i bindur se aty ku më parë hahen dardhat, nuk mund të ndahet si duhet drejtësia.

Ndaj me të drejtë “ligjet” e Plakut të pa korruptuar të Krasniqes së Madhe, janë ruajtur origjinale siç ishin dhe në mënyrë të merituar, duke u praktikuar me vlerësimin më të denjë edhe pas luftës së dytë botërore, sidomos në trojet e pushtuara shqiptare të mbetura pa dëshirën e tyre nën okupimin sllav.


Gjykimet e Binak Alisë nga Malësia edhe sot pas gati 2010 vitesh të vdekjes së tij, gjejnë përdorim dhe çmohen lartë, në shumë vise shqiptare si të drejta dhe të pa kontestueshme kudo që ato ende praktikohen.



Autoriteti i Binak Alisë

Veprat e mira që la pas vetes, bën që autoriteti i këtij gjyqtari popullor, jo vetëm të bëhej i pa kalueshëm për kohën, por të mbetej i pa lëkundshëm edhe pas vdekjes së tij dhe të ruhej si relikt origjinal e i pa zëvendësueshëm në të gjitha vendimet shqiptare, si shembulli më i mirë i ndarjes së drejtësisë autoktone, e cila u përcoll me xhelozi nga gjenerata në gjeneratë për shekuj me radhë deri në ditët tona ndër shqiptarët kudo.


Rrokullisja e Vorbës nga bjeshka

( Enë-apo vegësh i vogël-nga dheu i pjekur, për zierje ushqimi.)

Me gjithë diturinë e madhe që kishte Binak Alia dhe aftësitë e tij të pafund për pleqërime nga më të vështirat, më ka rënë disa herë të dëgjoj gjatë vizitave në familjet e Qarrit të Hasit, të cilat edhe para viteve të veprimtarisë së Bajram Currit, ku ai do të vendosej dhe kalonte disa kohë, mbanin lidhje të ngushta me Krasniqen e Madhe të Malësisë dhe vizitoheshin herë pas here edhe nga Zeqir Halili, nipi i Binak Alisë, pasi që përveç ndihmës së anasjelltë, dy palët i takojnë të njëjtit fis, se si pati të paktën një rast kur edhe vet heroi i pleqërimit, do zihej “ngushtë” me ndonjë pyetje, të cilës nuk e kishte të lehtë ti epte përgjigje adekuate.


Pasi që ai ishte martuar me nusen më të re nga Gashi i Gurit, thuhet se kishte rastisë që atij ti shkonin disa miq të cilëve ajo u bënte kafet me xhezve në prush të oxhakut, dhe njëri nga mysafirët duke e menduar për vajzën e Binakut apo njëra nga mbesat e tij, për tu siguruar se e kujt ishte dhe a ishte e fejuar, të cilën mendonte ta kërkonte për djalë, do ta pyeste në mënyrë të tërthortë dhe metaforike Binak Alinë;


        - O Binak Alia, a është kjo vorbë e shtëpisë dhe a ke gjet “kapak” për të?!


Binaku e mori vesh mirë se për çka e pyeste miku, por u vonua të përgjigjej duke u menduar ta gjente një mënyrë të përshtatshme që t`ia bënte me dije se ajo ishte gruaja e tij, ndaj malësorja e kuptoi gjendjen e të shoqit dhe pa Binakun në sy, të cilës ai i bëri me shenj që ajo të fliste.


Bija e Gashit, jo vetëm se ishte shumë e ndershme por edhe e mençur, kështu që u kthye me respekt nga mysafiri dhe i tha:


        - Po, mik i nderuar, vorba që po sheh ti, ka rënë (është rrokullisur) nga malet e Gashit në Bujan të Krasniqes dhe ka gjetur kapakun në Kullë të Binak Alisë.


Binakut i kishte pëlqyer aq shumë përgjigja e saj, sa që nuk do ta largonte më asnjëherë malësoren nga Kulla, pa marrë parasysh se kush do ti vinte mysafir, me të cilën thuhet se kishte edhe djalin e vogël dhe më trim të tij - Shaban Binakun e famshëm, i cili pas një lufte disa vjeçare kundër turqve, do të varej nga otomanët bashkë me Avdullah Hoxhën, më 2010 në Pazar të Gjakovës.


Binak Alia, në çdo rast pajtimi punoi në Emër të Zotit, bazuar në traditën dhe ligjet autoktone shqiptare, i betuar me dorën e sinqeritetit në zemër, për paanësi dhe drejtësi të barabartë për të gjithë, për të varfër dhe të pasur-pa dallim, ndaj ishte e kuptueshme se pajtimet që ai realizonte “zinin vend” dhe “flinin paqësisht përgjithmonë” gjithkund dhe në çdo kohë , duke mos lënë dyshime dhe ngatërresa pas tyre asnjëherë.



Familje me tradita lufte kundër armikut 
dhe misionare e paqes ndërmjet shqiptarëve

Sipas një dokumentari në Youtube, edhe mbajtjen e njërit nga kuvendet më të mëdha në Junik më 1877, një vit para formimit të Lidhjes së Prizrenit, për pajtimin e gjaqeve në mes të shqiptarëve, do ta udhëhiqte me shumë sukses, Pleqnari më i njohur i kohës dhe Pajtimtari më i madh që mbajnë mend shqiptarët, Burri i Krasniqes së Madhe të Malësisë-Binak Alia. (www.youtube.com/watch?v=qriAwWXDP44)

Po ashtu, si në Prillin e vitit 1880,kur në betejat që zhvilloi Lidhja e Prizrenit në Slivovë e Shtime kundër forcave turke, ku përveç Mic Sokolit do të luftonin trimërisht edhe katër djemtë e Binak Alisë, njëjtë nipërit dhe stërnipërit e tij, luftë pas lufte e betejë pas beteje, nuk do të pushonin asnjëherë përpjekjet, deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë nga Perandoria turke, si dhe mbrojtjen e trojeve etnike nga vërsuljet serbomalazeze deri në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore.


Qëndresa e tyre u shoqërua shpesh herë edhe me vrasjen e kreshnikëve më me nam të këtij gjaku dhe kësaj familjeje atdhetare nga Malësia, duke filluar me Mic Sokolin, Shaban Binakun e Zeqir Halilin, shembujt sublim të të cilëve do të mbeten për herë të pa harruar kudo në trojet tona kombëtare.



Binak Alia në Lidhjen e Prizrenit

Megjithëse atëkohë ai ishte në moshë të shtyrë dhe mëse 72 vjeçar, emri që kishte bërë me veprat e tij në luftë kundër armiqve dhe sukseset për pajtimin e shqiptarëve kudo, Binak Alinë e bënë të pazëvendësueshëm edhe për Këshillin Kombëtar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila do ta caktonte në kryesinë e këshillit të saj drejtues që sapo krijohej.
Kjo Lidhje Kombëtare, pati nderin që jo vetëm atë, por edhe Mic Sokolin, si dhe djemtë e Binak Alisë ti kishte nga komandantët më trima të luftës kundër forcave pushtuese turke dhe atyre serbo malazeze, qysh nga kushtrimi i dhënë për daljen zot Plavës e Gucisë në vitin 1879 si dhe betejat e lavdishme të vitit 1880,për mbrojtjen e tyre në shesh të mejdanit, nga forcat malazeze, me ç`rast në krye të qindra luftëtarëve nga Malësia qëndronte djali i tretë i Binak Alisë, Qerimi, krahas të cilit luftonin vëllezër dhe kushërinj të tij, në mesin e të cilëve shkëlqente edhe legjendari Mic Sokoli.


Edhe pas mbledhjes së mbajtur nga krerët e Plavës dhe të Gucisë, kur do të epej kushtrimit për mbrojtjen e tyre, dera e parë ku delegacioni i kryesuar nga Jakup Ferri, do të trokisnin për ndihmë, ishte ajo e Kullës së Binak Alisë së Krasniqes, i cili në krye të 600 luftëtarëve nga malësia do të vendosej i pari në Plavë e Guci për mbrojtjen e tyre nga malazezët, pas të cilit do të mbërrinte edhe Kadri Bajri me 300 rugovas. ("PLAVA E GUCIA NE VITET E LIDHJES SHQIPTARE TE PRIZRENIT“ Portali „Malësia e Madhe“)



Kur të mëdhenjtë shkruajnë për emrin e nderuar të Binak Alisë

Figura e tij, jo vetëm se do gdhendej me shije dhe në mënyrë të stërholluar nga shkrimtari më i madh që nxori kombi shqiptar me renome ndërkombëtare, i famshmi Kadare në romanin e Prilli i Thyer, të realizuar dy herë edhe në filma artistik, por për veprën dhe burrërinë karakteristike të Binak Alisë, do të mbanin shënime interesante edhe diplomat, historian e misionar të huaj, që do ta njihnin personalisht këtë burrë të Malësisë, gjatë udhëtimeve të tyre për studime shkencore në tokat e Shqipërisë.

Edhe botuesi famoz i romanit të Ismail Kadaresë, “Prilli i Thyer”, francezi Erik Faye do të shkruante me admirim për bëmat e Binak Alisë, për të cilin, si njëri nga figurat më të shquara të rilindjes së Shqipërisë në shekullin XIX, do të deklaronte se personazhi tij nuk ishte mit, por një emër i vërtetë i huazuar nga realiteti i kohës, mu atëherë kur shkruhej historia e ringjalljes kombëtare të shqiptarëve.


Për kontributin e tij të pazëvendësueshëm në ndërtimin e një ligji të pa shkruar, por të drejtë dhe të pranuar nga të gjithë si themel i pa lëkundshëm për paqësimin e shumë konflikteve, vrasjeve dhe zënkave, Binak Alia do të nderohej aq shumë dhe kujtohej me aq devotshmëri, sa që sipas historianit Jusuf Bajraktari, edhe ngushëllimet pas vdekjes së tij do të zgjasnin hiq më pak se tri vjet, si për asnjë figurë tjetër shqiptare.


Siç kemi dëgjuar e mësuar disa herë nga historia, edhe ne mund të konkludojmë me krenari se në familjen atdhetare të Binak Alisë nuk lindën vetëm ideator për pajtime gjaqesh dhe zgjidhje të ngatërresave njerëzore ndërshqiptare, por edhe heronj e dëshmorë të disa luftërave kombëtare për liri e pavarësi të atdheut.


Madje, bijtë e saj, përveç kundërvënies së pushtuesve të huaj, me gjithë rrezikimin e jetës së tyre, ata nuk hezituan ti kundërvihen edhe vet regjimit shqiptaro-komunist, i cili la nën pushtimin sllav, trojet më kombëtare të popullit shqiptar dhe pjesën më patriotike të bashkëkombësve nga Dardania e vjetër të cilët bashkë me heronjtë e Krasniqes, Gashit, Bytyqit dhe gjithë Malësisë, u ngritën kurdoherë të parët për lirinë e vendit, dhe ruajtjen e tërësisë së atdheut, ashtu siç e kishte krijuar Zoti për shqiptarët.


1.historia.shqiperia.com/rilindja/kreu_3.php


2. „Masakra e Manastirit" Wikipedia


3. Edit Durham “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike”


4. “BINAK ALIA DHE ELITA E TIJ HISTORIKE”.. - YouTube


5 .“Qëndresa kundërosmane në Shqipërinë e Veriut” Shqipëria.com.


6. ”Lëvizja Kombëtare Shqiptare në vitet 30-70 të shek.XIX. Kreu III.


7. "PLAVA E GUCIA NE VITET E LIDHJES SHQIPTARE TE PRIZRENIT“ Portali „Malësia e Madhe“


8. “Kryengritja e Dervish Carës (1843-1844). Qëndresa kundërosmane në Shqipërinë e Veriut” Shqipëria .com


9. “Letra/Historia e patriotit të njohur të Malësisë së Gjakovës, Binak Ali Mulosmani” 20 nëntor 2012. www.gazeta55.al


10. Histori: LeVIZJA KOMBeTARE SHQIPTARE Ne VITET 30-70 Te SHEK. XIX. KREU III “Lëvizja e vitit 1862 ne Mirdite”

 
Autor i shkrimit është Gani Qarri 
Shkrimi është marrë nga gazeta Bota Sot

Donnerstag, 15. Januar 2015

Demë Ali Pozhari

  • Me dekretin Nr. 7685, të datës 16.7.2012, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, dr. Bamir Topi e ka dekoruar Demë Ali Pozharin (Pas Vdekjes) me Urdhrin “Nderi i Kombit”, me motivacion: “Atdhetarit të shquar, luftëtarit të paepur, që bëri kauzë të jetës çështjen për fitoren e pavarësisë së Kosovës dhe të të drejtave kombëtare e njerëzore të shqiptarëve, kudo që jetojnë, në trojet e tyre”

Demë Ali Pozhari 15.4.1905 - 26.4.1975 (i shënuar në dokumentet zyrtare si Adem Ali Pozhari), u lind më 15 prill të vitit 1905, në fshatin Pozhar, komuna e Deçanit, në një familje të njohur atdhetare, e cila në të gjitha periudhat kohore për disa breza me radhë që nga shekulli XIX shquhet për kontribut dhe aktivitet të dendur në lëvizjet përparimtare të vendit në mbarë trojet shqiptare. Në aspektin më të hershëm të rregullimit shoqëror ishin të parët e fisit të Berishës por edhe “odabash” në Bajrakun e Junikut.

Kulla e kësaj familje në Pozhar të Deçanit ishte pikë takimi, ku lidhej besa e merreshin vendime të mëdha për çështjen kombëtare. Aty takoheshin paria e gjithë vendit, si Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Sadik Ramë Gjyrgjeviku, Hasan Feri etj.

Në këtë kullë u mbajtën disa mbledhje dhe kuvende të rëndësishme kombëtare. Për shkak të aktivitetit atdhetar kulla e kësaj familje gjatë shekullit XX është djegur katër herë nga pushtuesit serbo-malazezë:

- Herën e parë u dogj që me pushtimin serb të Kosovës, në fund të vitit 1912, nga njësitë e ushtrisë serbo-malazeze, të udhëhequra nga Stefan Dragoviqi dhe Kostë Peçanci.

- Herën e dytë u dogj më 1918, sërish nga ushtria serbe.

- Herën e tretë u dogj në nëntor të vitit 1944 nga njësitë partizane-çetnike.

- Herën e katërt u dogj nga forcat serbe gjatë luftës së fundit, në shtator të vitit 1998.

Gjatë viteve 1915-1918, me nismën e Hasan Prishtinës, Luigj Gurakuqit, Bajram Currit e patriotëve të tjerë shqiptarë, në fshatrat Pozhar, Irzniq, Junik, Strellc e Drenoc të komunës së Deçanit u hapën shkollat e para shqipe me alfabet latin. Për tri vjet me radhë shkolla e parë shqipe në Pozhar ishte e vendosur në kullën e Ali Mehmetit dhe në mejtepin e fshatit përballë kullës. Aty kanë dhënë mësim mësuesit e njohur gjakovarë Ibrahim Fehmiu dhe Latif Shaqa, të cilët gjatë kësaj kohe kanë qëndruar dhe banuar në këtë familje.

Prandaj, edhe djali i Ali Mehmetit të Pozharit, Dema u rrit në rrethana dhe ambient ku atdhetaria dhe çështja kombëtare ishin mësimi i parë. I ati i Demës, Ali Mehmeti, e vazhdoi veprimtarinë kombëtare aty ku e kishin lënë të parët e tij, të cilët u vranë në beteja për çlirimin kombëtar.

Kjo familje gjatë dy shekujve vazhdimisht ka dhënë dëshmorë në luftë për mbrojtjen e atdheut dhe për çlirim nga pushtuesit e huaj.

Kështu, stërgjyshi i Demë Alisë, Ali Rexha, u vra te Kalaja e Nishit më 1876, duke i mbrojtur trojet shqiptare të Sanxhakut të Nishit nga asimilimi, dëbimi masiv dhe gjenocidi i paparë serb. Atje, Ali Rexha, në cilësinë e njërit ndër prijësit e luftës mbrojtëse, ra heroikisht bashkë me të vëllanë Bekë Rexhën dhe bashkëfshatarë të tjerë nga Pozhari.

Ndërkaq, gjyshi i Demës, Mehmet Alia i Pozharit, një nga prijësit e njohur të kohës, organizoi rezistencë për mbrojtjen e Plavës e Gucisë nga sulmet serbo-malazeze në korrik të vitit 1878, ku iu vranë shumë bashkëluftëtarë në vendin që i thonë “Llogore” afër Plavës. Aty u vra heroikisht luftëtari i dalluar Isuf Hajdari i Pozharit. Për këtë qëndresë heroike në shenjë kujtimi, populli thuri këngë, që janë ndër hartimet më të bukura të folklorit tonë kombëtar. Mehmet Alia, kryetari i fisit të Berishës, u vra pas dy muajsh, më 6 shtator 1878, në Gjakovë, në Luftën e Sarajt, kur u vra Mehmet Ali Pashë Maxharri, i cili e kishte përfaqësuar Portën e Lartë në Kongresin e Berlinit (1878). Mehmet Alia i Pozharit ishte njëri ndër organizatorët kryesorë të këtij rrethimi, sepse Maxharr Pasha kishte ardhur për të bërë pazare me trojet shqiptare.

Në maj të vitit 1912, në kullën e Ali Mehmetit në Pozhar u lidh besa për mobilizimin e popullatës së kësaj ane për kryengritje mbarëshqiptare kundër osmanëve. Besëlidhja e Ali Mehmetit me Hasan Prishtinën e Sadik Ramë Gjyrgjevikun u zbatua me përpikëri.

Rrugën atdhetare të të parëve do t’i vazhdojnë edhe djemtë e nipërit e Alisë: Metë Alia, Rexhë Alia, Isuf Rama, Rizë Rama e më vonë edhe Demë Ali Pozhari, të cilët kurdoherë me udhëzimet e Hasan Prishtinës e të Sadik Ramës, do t’i mobilizojnë çetat kaçake të këtyre anëve për rezistencë të armatosur kundër ushtrive pushtuese serbo-malazeze.

Ali Mehmeti me të vëllanë Sylë Mehmetin, kanë vdekur në vitin 1913 në Malësi të Gjakovës, të përndjekur nga ushtria malazeze. Sylë Mehmeti ishte pjesëmarrës në aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjen e Flamurit Kombëtar në Vlorë, më 28 Nëntor 1912; vëllai i Demës, Metë Alia, u vra nga organizata famëkeqe serbe “Crna Ruka”, në vitin 1920; djali i mixhës së Demës, Rizë Rama i Pozharit, mori plagë vdekjeprurëse në një betejë që u zhvillua në vitin 1923, në Krumë, kundër forcave të Prend Jakut, të cilat ishin të manipuluara dhe të financuara nga qarqet serbe të kohës. Pak ditë më vonë ndërroi jetë nga plagët e marra në shtëpinë e Ali Ibër Nezës, ku ishte strehuar sepse e kishte mik shtëpie; vëllai tjetër i Demës, Rexhë Ali Pozhari, një ndër prijësit e njohur të çetave kaçake në Kosovë, u likuidua nga organizata serbe “Crna Ruka” (“Dora e Zezë”), në vitin 1928.

Vlen të ceket se Metë Alia, Rexhë Alia, Rizë Rama ishin prijës të dalluar dhe organizatorë të çetave kaçake, të dalluar si luftëtarë të denjë për çështjen kombëtare. Përfaqësues të kësaj familje morën pjesë aktive dhe kishin ndikim të veçantë gjatë kohës së Kuvendit të Junikut, Junikut Neutral, etj.

Demë Ali Pozhari ishte njëri ndër përgjegjësit kryesorë për organizimin e Luftës për mbrojtjen e Plavës e Gucisë (1941-1944) për rajonet e Rrafshit të Dukagjinit. Në ato beteja mori pjesë aktive katër vjet rresht në vijën e parë të frontit, në krye të vullnetarëve të tij që ishin kryesisht nga rrethinat e Gjakovës. Gjatë kësaj periudhe mbrojti me sukses nga sulmet çetnike e partizane popullatën e Plavës, Gucisë, Rozhajës, Tutinit, Pazarit të Ri (Novi Pazarit) e të Rugovës.

Demë Ali Pozhari ishte gjithëpërfshirës në luftërat për çlirim kombëtar. Ishte njëra ndër figurat qendrore, që luftoi kundër ideve të komunizmit jugosllav dhe njëri ndër ata që punoi pareshtur me përkushtim gjatë tërë jetës së tij për çlirimin dhe bashkimin e tokave shqiptare, të mbetura padrejtësisht jashtë trungut amë. Koha tregoi se kishte një qasje shumëdimensionale dhe një strategji të pashoqe, duke ndërtuar bashkë me shokë një doktrinë luftarake, rregullat e të cilës u bënë të pathyeshme nga radhët e armikut.

Demë Alia kishte marrë pjesë në ndriçimin e Masakrës së Bihorit, për çka ishte angazhuar nëpërmjet zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve Botore në Qeverinë Shqiptare, Iljaz Agushit, i cili formoi një komision për mbledhjen e të dhënave për këtë masakër. Më 6 janar 1943, ishte bërë masakrimi i më se 3.741 burrave, grave dhe fëmijëve, plagosja e 634 të tjerëve, grabitja e bagëtisë dhe djegia e fshatrave të tërë në krahinën e Bihorit nga njësitë çetnike serbo-malazeze, që numëronin rreth 4 000 ushtarë e oficerë, të cilët sulmuan befas, pa asnjë shkas, popullsinë shqiptare-boshnjake të Sanxhakut. Ata u detyruan të tërhiqeshin nga viset e shkretuara të Bihorit vetëm pas kundërvënies së 800 burrave të Tutinit e të komunave Delimegjë e Suhodoll. Masakra e Bihorit tronditi Kosovën dhe mbarë trojet shqiptare. Komisionin për mbledhjen e të dhënave për këtë masakër, e drejtonte Emrush Myftari nga Peja, Demë Ali Pozhari, atëherë nënprefekt i Rozhajës dhe Bajram Gashi i Istogut. Ky komision i mblodhi katër arka me sy, koka e gjymtyrë njerëzish dhe gjinj të prerë të femrave shqiptare. Këto arka u ekspozuan në Rozhajë e Pejë dhe në Tiranë.

Në periudhën 1941-1944, Demë Ali Pozhari ishte njëri ndër drejtuesit e Këshillit për Pajtimin e Gjaqeve (“Islihatit”) për rajonin e Dukagjinit.

 

Gjatë vitit 1944, Demë Ali Pozhari 
ishte kryetar i komunës së Plavës.

Demë Alia ishte prezent në të gjitha tubimet dhe mbledhjet që kishin karakter kombëtar. Me nismën e Komitetit Ekzekutiv të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, kryesuar nga Bedri Pejani, më 16 e 17 mars 1944, në Rogovë të Hasit, u mbajt një konferencë, e cila njihet me emrin “Konferenca e Rogovës”, për organizimin e vullnetarëve për mbrojtjen e Plavës e Gucisë dhe viseve tjera të rrezikuara. Në këtë konferencë që kryesohej nga Bedri Pejani, merrnin pjesë 80 përfaqësues të komiteteve, në mesin e të cilëve Demë Ali Pozhari, Qazim Komoni, Ali Bajraktari i Junikut, Ejup Binaku nga Gjakova, Sherif Voca nga Mitrovica, Asllan Boletini, Adem Deva, Haki Taha e Selmon Riza që e përfaqësonin Lëvizjen Nacional Demokratike dhe përfaqësues të tjerë edhe nga Shqipëria, Maqedonia, Malësia e Madhe etj.

Në veprimtarinë luftarake të Demë Ali Pozharit, pos luftërave për mbrojtjen e Plavës e Gucisë dhe viseve tjera shqiptare në Mal të Zi, është e njohur edhe Lufta e Junikut apo siç njihet në popull, “Ngujimi i Junikut”, që është njëra ndër epopetë më të mëdha të Rrafshit të Dukagjinit. Qëndresa e organizuar në Junik e Batushë kundër depërtimit të forcave partizano-çetnike serbe në Kosovë, të cilat ishin përzier tashmë edhe me ato të Shqipërisë, zgjati më se tri javë. Që nga 21 tetori deri më 17 nëntor 1944, Juniku dhe Batusha ishin bërë bastion i pakalueshëm. Ngujimi i Junikut, në Rrafshin e Dukagjinit njihet si bastioni më i fortë i ngritur kundër terrorit serbo-çetnik. Pas një rezistence më se tri javëshe, forcat e mbrojtjes kombëtare, nën udhëheqjen e Demë Alisë, të cilat njëherësh ishin edhe shprehje e mospajtimit me politikën hegjemoniste serbe, detyrohen të tërhiqen, mirëpo vetëm pasi erdhën brigadat partizane të Shqipërisë nën udhëheqjen e Shefqet Peçit, për të mos luftuar shqiptarët kundër shqiptarëve.

Që nga kjo periudhë Demë Ali Pozhari me një grup bashkëluftëtarësh del në mal, për ta vazhduar edhe më tutje luftën kundër njësive partizano-çetnike. Pas kësaj organizatat dhe Komitetet e Lidhjes së Dytë të Prizrenit formuan celulat dhe komitetet e Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare (ONDSH). Ata do të jenë bartës të të gjitha aktiviteteve të NDSH-së. Në këto lëvizje Demë Ali Pozhari përfaqësonte “Ballin Kombëtar”.

Demë Alia që nga viti 1945 deri më 1948 mbante kontakte të vazhdueshme me Shaban Bashën, themelues i Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare në Pejë, i cili njëherësh ishte ndër figurat bosht të Pejës me rrethinë, që ndihmoi organizimin e mbrojtjes së kufijve etnikë. Në këtë kohë Dema mbante lidhje edhe me Avdi Smajlin e Martinajve, Sadri Çakën, Mehmet Agën e Rashkocit, Ukë Sadikun, Ymer Berishën etj.

Forcat e rezistencës kombëtare po përgatiteshin për fillimin e një kryengritje të përgjithshme popullore në pranverë të vitit 1945. Për këtë qëllim në fillim të marsit u mbajt një tubim me forcat e Ballit Kombëtar ku morën pjesë mbi 1 200 vetë. Këtu u bisedua rreth ngujimit në fshatin Strellc i Epërm, komuna e Deçanit. Për këtë qëllim, më 12-13 mars 1945, Demë Ali Pozhari e thirri një takim me krerët e organizatave antikomuniste që vepronin në Pejë, Deçan e Rugovë, por kishte përfaqësues edhe nga Plava dhe Gucia. Mbledhja u mbajt në shtëpinë e Bajram Qerimit të Strellcit. Pjesëmarrës në këtë mbledhje ishin: Rrustë Koleniqi, ish prefekt i Plavës, Mehmet Aga i Rashkocit, Mehmet Agë Berisha, Ahmet Jusaj e Lush Fetahu nga Strellci, Adem Shabani, Bajram Selimi, Bik (Pazari) Boshnjaku, Demush Sadiku. Përfaqësues nga Rugova ishin Mon Belegu e Zhuk Haxhia. Mbledhja ka zgjatur dy ditë. Nga kjo mbledhje kanë dalë vendime të prera kundër partizanëve dhe partisë komuniste jugosllave.



Demë Alia jepte instruksione dhe mbante lidhje 
me Ymer Berishën, drejtues i organizatës “Besa Kombëtare”.

Në vitin 1946, Demë Alia bashkë me disa shokë ka qëndruar në rajonin e Bellesë, Bjeshkës së Belegut, në Roshkodol e Pllaçicë të Vokshit. Gjatë kësaj kohe, Dema pati organizuar një tubim të forcave ilegale tek “Gllija e Madhe”, ku merrnin pjesë përfaqësues të shumë çetave dhe grupeve që vepronin në ato anë.

Demë Ali Pozhari ka marrë pjesë edhe në Kuvendin e Dobërdolit. Kuvendi u mbajt më 3 e 4 gusht 1945, në Llugë të Dan Pjetrit në fshatin Dobërdol të Klinës, ku u mblodhën 2 000 luftëtarë e prijës të çetave kryengritëse të rajoneve të ndryshme të Kosovës, nga Shqipëria e Veriut, Sanxhaku dhe Rozhaja. Aty gjendeshin krerët e lëvizjes për çlirimin e trojeve etnike shqiptare dhe bashkimin e tyre në një shtet të përbashkët.

Kuvendi i Dobërdolit, u mbajt me iniciativën e Ymer Berishës. Në kuvend morën pjesë 158 anëtarë dhe udhëheqës të 19 grupeve të rezistencës si dhe 62 mysafirë të shquar gati nga të gjitha trevat e Kosovës, si Ukë Sadiku me të vëllanë Shabanin, Demë Ali Pozhari, Ndue Përlleshi, Zef Gji Doda, Zeqë Sokoli, Qazim Bajraktari, Marije Shllaku, Alush Smajli, Mehmet Agë Rashkoci, A. Shala, N. Alishani, Zhuk Haxhia, Islam Tabaku, Prekë Shyti, B. Bihori, mulla Iljaz Broja-Spahija, R. Gjeli, S. Lutani, Ferat Kotorri, përfaqësuesit e Muharrem Bajraktarit - Kruma e Luma, Pashuk Biba, Shaban Boshnjaku nga Pazari me 800 luftëtarë, Mulla Iljaz Broja, Bajram Çukovci, Rexhep Gjeli nga Drenica, Aziz Zhilivoda nga Artakolli i Vushtrrisë, krerë nga Drenica, Llapi, Gollaku, Gjilani, Shala e Bajgorës, Ferizaj, Kaçaniku, Rugova, Podguri etj. Aty Ymer Berisha u zgjodh udhëheqës politik i të gjitha grupeve të rezistencës shqiptare në Rrafshin e Dukagjinit, kurse Ukë Sadiku u caktuar komandant ushtarak. Po ashtu u zgjodhën komisarët e çetave kryengritëse, sipas territoreve dhe e tërë Kosova u nda në 12 sektorë luftarakë dhe për këtë arsye u quajtën “Dymbëdhjetë Këshillat”. U zgjodh edhe kryesia e organizatës “Besa Kombëtare” prej 12 vetash dhe ndërlidhësit për trevat e ndryshme shqiptare. Me këtë detyrë u ngarkuan respektivisht Demë Ali Pozhari për Rrafshin e Dukagjinit, Feriz Bojaj dhe Adem Shala, për Istog, Tutin, Rozhajë dhe Pazarin e Ri, Sadik Lutani për Drenicë, Shemsi Ferri për Plavë e Guci, Shahin Gërdovci për Llap, Bislim Bajgora për Mitrovicë e Shalë, Osman Bunjaku për Vushtrri, kurse Ymer Berisha mbante lidhjet e Kosovës me Shqipërinë e Veriut. Kuvendi aprovoi thirrjen e Shtabit të Adem Gllavicës për mbajtjen e Kongresit të parë të LNDSH.

Pas Kuvendit të Dobërdolit u bënë shumë takime me popullatën e vendit për organizimin dhe mobilizimin rreth organizatës “Besa Kombëtare”. Ukë Sadiku caktoi njerëzit që do që duhej të shkonim në Kuvendin e Mirditës bashkë me Muharrem Bajraktarin. Në atë grup ishin: Ukë Sadiku me të birin Skënderin, Demë Ali Pozhari, Bajram Çukovci, Qazim Bajraktari, Halil Sadria, Ndue Përlleshi, Mehmet Aga i Rashkocit, dhe 16 luftëtarë të tjerë që duhej ta përcillnin këtë delegacion për në Kuvendin e Mirditës.

Në shtator të vitit 1945 u bë një mbledhje e përgjithshme e nacionalistëve në Malin e Zepës (Mirditë), ku morën pjesë: Mark Gjomarkaj, Muharrem Bajraktari, Bilall Kola etj. Në këtë mbledhje u trajtua çështja e organizimit të të gjitha forcave kombëtare dhe e mundësisë së një revolucioni të ardhshëm. U vendos që të bëhej edhe një mbledhje tjetër në muajin tetor, në Çam të Pukës. Në mbledhjen e tetorit, të organizuar nga Muharrem Bajraktari mori pjesë edhe Demë Ali Pozhari (i shënuar në dokumente si Adem Ali Pozhari) me parinë e Gjakovës, paria e Hasit të Thatë, kapiten Mark Malaj, Kolë Mirakaj, etj. Edhe kjo mbledhje pati për qëllim shqyrtimin e mundësive të një kryengritjeje të përgjithshme.

 

Demë Ali Pozhari mori pjesë edhe në Kuvendin e Plavës.

Nënprefekti i Plavës e i Gucisë, Shemsi Ferri, e dha kushtrimin tek të gjithë burrat e fiseve të Malësisë së Madhe, Dukagjinit e Malësisë së Gjakovës, që të mblidheshin në një kuvend të madh, për të rrokur armët në mbrojtje të tokave shqiptare. Thirrjes së nënprefektit iu përgjigjën më se 42 bajraktarë, me më shumë se 10 mijë burra të armatosur. Në kuvendin që u mbajt në Plavë, folën përfaqësuesit më në zë të bajrakëve të parë të Veriut, siç ishin: Dedë Shabani për Malësinë e Madhe, Shemsi Ferri për Plavën e Gucinë, Demë Ali Pozhari për Malësinë e Gjakovës e rrethet e Pejës dhe Mark Sadiku për Dukagjinin. Në këtë Kuvend u vendos që të falen gjaqet e të pajtohen ngatërresat e vjetra, sepse prej asaj dite Malësisë dhe gjithë Shqipërisë i kërcënohej një armik i madh e i përbashkët që ishin serbo-malazezët, të cilët nën maskën e komunizmit kërkonin të siguronin rishtas tokat shqiptare të shkelura padrejtësisht gjatë Luftës së Parë Botërore.

Njëri ndër luftëtarët e dalluar të çështjes kombëtare, Demë Ali Pozhari, ka hyrë në analet e historisë moderne si njëri ndër kundërshtarët më të mëdhenj të regjimit komunist dhe si njëri ndër luftëtarët më të devotshëm dhe ndër organizatorët e ideologët e lëvizjes kombëtare të kohës, i cili deri në vdekje luftoi për t’ia sjellë lirinë vendit të vet. Demë Ali Pozhari me grupin e tij do ta vazhdojë rezistencën në Kosovë deri në vitin 1948. Është kjo kohë kur maleve kishin mbetur rreth 40 luftëtarë të armatosur e që përfaqësoheshin nga Demë Ali Pozhari, Aziz Zhilivoda, Ndue Përlleshi, Hasan Remniku, Metë Hasani etj. Në këtë kohë organet e UDB-së, OZN-ës në bashkëpunim me pushtetin lokal bënë presion të madh për ta zënë Demë Alinë. Brigadat partizane dhe regjimi komunist u hakmor rëndë kundër familjes së tij. Kështu, Demë Alisë ia vranë dhe likuiduan të tre djemtë që i kishte. Djalin e madh, Miftar Demën, 22-vjeçar, e vrau Organizata e Rinisë Komuniste (SKOJ-istët), ditën e votimeve, më 1 nëntor 1946. Në vitin 1947, OZN-a ia likuidoi edhe dy djemtë e tjerë, Brahimin, 14-vjeçar dhe Afrimin, 12-vjeçar, të cilin e helmuan.

Këso kohe pos që ia dogjën kullën dhe ia konfiskuan tërë pasurinë, gjatë viteve (1946-1948) e tërë familja e Demë Ali Pozharit (20-anëtarëshe) arrestohet dhe tri vjet mbahen të burgosur në burgun e improvizuar në Gjakovë, që ishte i vendosur në “Rrugën e Shkijeve”. Në burg vazhdimisht torturohen nga organet shtetërore. Nga mundimet në burg vdes gruaja e Demë Alisë, Hatmonja. Një vajzë e Ali Metës, foshnje tri-javëshe, vdes nga uria. Ndërsa vajza e Demë Alisë, Zylyhaja 16-vjeçare sëmuret rëndë psiqikisht në burg. Pasojat e kësaj sëmundjeje i vuajti gjatë tërë jetës.

Përkundër pasojave të rënda, populli e mbështeti Demë Alinë dhe bashkëveprimtarët e tij deri në fund. Edhe përkundër torturave, lëçitjeve, burgosjeve, vrasjeve e izolimeve Demë Alinë e mbajtën dhe e strehuan pa hezitim.

Në mars të vitit 1948, Demë Ali Pozhari me një grup nacionalistësh tjerë u arratis nga Kosova dhe doli në Greqi e prej andej në Turqi, ku e kaloi pjesën tjetër të jetës.

I rritur dhe i edukuar në traditën e pastër të kombit, identitet i të cilit është besa, nderi e bujaria, Demë Ali Pozhari paraqet një fizionomi të veçantë e tejet të rrallë të luftëtarit me orë. Ky burrë që kishte mençuri të rrallë natyrore, u rrit dhe veproi në një rreth shoqëror që pat gjithmonë militantë të Lëvizjes Kombëtare, prej nga Dema u pajis me ideale të larta kombëtare për realizimin e të cilave punoi, pa hile, tërë jetën. Kishte një intuitë shumë aktive, një vëmendje e gjykim shumë të mprehtë dhe një aftësi të rrallë organizative e mobilizuese. Imazhi i tij paraqet tiparet dalluese të një burri të përsosur të racës shqiptare, prandaj e donin dhe e respektonin deri në fund popullata e këtyre anëve.

Gjatë gjithë kohës sa qëndroi në emigracion punoi dhe veproi për ndërkombëtarizimin e çështjes kombëtare, e veçanërisht çështjes së Kosovës. Gjatë viteve të pesëdhjeta Demë Ali Pozhari nuk kishte pranuar propozimet e aleatëve anglo-amerikanë që të vihet në krye të aksioneve të ndërmarra për rrëzimin e Qeverisë Shqiptare. Kërkesave të tilla ai iu kishte përgjigjur se në Shqipëri nuk mund ta bëj një gjë të tillë, sepse ajo megjithatë është qeveri shqiptare, por nëse është nevoja për ta bërë një gjë të tillë në Jugosllavi jam i gatshëm dhe atë menjëherë.

Gjatë viteve ‘60-të, si dhe gjithnjë deri atëherë, Demë Ali Pozhari ishte ndër punëtorët më aktivë që vepronte për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, duke e paraqitur gjithnjë Kosovën në arenën ndërkombëtare si pjesë integrale të Shqipërisë. Ky njeri i guximshëm, duke ndjekur format e rezistencës aktive paqësore, kontribuoi si për krijimin e rrethanave të përshtatshme për arritjen e unitetit të kombëtar, gjithnjë me përcaktimin e qartë për pavarësinë e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë. Ai njihte mirë faktorin e jashtëm, të cilit i jepte rëndësi të duhur, por mbështetej tërësisht në faktorin e brendshëm, në popullin shqiptar, mentalitetin dhe identitetin e të cilit e njihte shumanshëm.

Demë Ali Pozhari me shokë me të gjitha mjetet bën përpjekje për ndërkombëtarizimin e çështjes së shqiptarëve të mbetur nën Jugosllavi. Kështu, në Osato të Italisë, prej 16 deri më 18 maj të vitit 1963, ishte mbajtur Kongresi i XIII i Bashkimit Federal të Komiteteve Etnike. Në këtë kongres Lidhja Kosovare arriti ta artikulojë në nivel çështjen e Kosovës si problemi më i ndërlikuar evropian. Lidhur me këtë problem Lidhja Kosovare nuk iu drejtua vetëm kongresit, por edhe ministrave të punëve të jashtme të shteteve të botës perëndimore dhe lindore, të cilëve u dërgoi telegrame. Për të mbështetur çështjen e drejtë të Kosovës, telegrame nga Stambolli kishin dërguar Demë Ali Pozhari, Isa Gjini, Sadik Vokshi (Sadik Elezi) si dhe Hamdi Gashi. Në Osato këtë çështje e kishte përkrahur edhe Abaz Ermenji, në emër të Komitetit Kombëtar Demokratik “Shqipëria e Lirë”, si dhe Hafiz Isuf Azemi, përfaqësues i Lidhjes Shqiptare. Në këtë kongres, Lidhja Kosovare e kishte lëvizur çështjen shqiptare në nivel ndërkombëtar si çështje komplekse, sepse shqiptarë nuk kishte vetëm në Kosovë, por edhe në Maqedoninë Perëndimore, në Mal të Zi, në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, si pjesë të ashtuquajtura Serbi Jugore. Këtë vit (1963) për herë të parë internacionalizimi i çështjes kosovare do të fitojë dimensionin e plotë. Në anën tjetër diplomacia jugosllave do të mundohet ta amortizojë tërë atë presion me hapjen e shkollave të larta dhe fakulteteve në Prishtinë, kuptohet në gjuhën shqipe.

Në janar të vitit 1968, me rastin e shënimit të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, 90-të vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe me rastin e 73-vjetorit të lindjes së Shotë Galicës, Demë Ali Pozhari së bashku me nacionalistë tjerë të dëgjuar, për herë të parë ftohen në Shqipëri, pas vitit 1948 kur Shqipëria i kishte dënuar me vdekje në mungesë. Kësaj radhe në Shqipëri kishin ardhur edhe mjaft struktura dhe intelektualë të tjerë nga Kosova dhe viset shqiptare, të cilëve iu bë një pritje madhështore nga ana qeveritare dhe vet Enver Hoxha. Ardhja e tyre në Shqipërinë komuniste, edhe pse ishin kundërshtarë ideologjikë, përkundër të gjitha atyre ngjarjeve të pakëndshme që kishin ndodhur më parë, u bë me qëllim që Shteti Shqiptar ta fillojë një punë intensive rreth përkrahjes së Kosovës dhe bashkimit kombëtar, duke i mbështetur fuqimisht kërkesat e kosovarëve në arenën ndërkombëtare, por edhe me mbështetje tjera si shtet amë.

Demë Alia është ndër personat e parë që më 1968 në emër të disa organizatave të nacionalistëve shqiptarë të emigrantëve, kërkoi nga Enver Hoxha që Shqipëria t’i hapte dyert ndaj Kosovës dhe të bënte gjithçka ishte e mundur që Kosova t’i bashkohej Shqipërisë. Apeloi gjithnjë pranë Presidencës Shqiptare që të ndërmerren veprime konkrete për aktualizimin e çështjes së Kosovës.

Herën e parë që Demë Alia erdhi në Shqipëri (janar 1968) qëndroi një muaj. Ai erdhi sërish në nëntor të atij viti. Duhet theksuar se pas vizitës së parë në Shqipëri dhe marrëveshjeve që arriti emigracioni shqiptar me Qeverinë Shqiptare, në koordinim me grupet ilegale që vepronin brenda në Kosovë, në nëntor të vitit 1968 filloi vala e demonstratave gjithëpopullore, të cilat rezultuan me lejimin e flamurit kombëtar, me një autonomi më të gjerë, me hapjen e Universitetit të Prishtinës, me hapjen e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, me avancimin e të drejtave kushtetuese (1974) etj.

Për shkak të aktivitetit të tij të vazhdueshëm antijugosllav, sigurimi shtetëror serb – UDB, disa herë organizoi vrasjen e tij, disa herë dërgoi atentatorë në Turqi për ta likuiduar Demë Alinë, por pa sukses.

Demë Ali Pozhari, gjatë vizitave që i bëri në Shqipëri, kishte vendosur që djalin e tij të vetëm, Ibrahimin, që i kishte lindur pas arratisjes në Turqi, ta sjellë në Shqipëri. Ashtu edhe bëri. Sot Ibrahim Demë Pozhari jeton e vepron në Tiranë.

Familja e Demë Ali Pozharit mori pjesë aktivisht edhe në luftën e fundit në Kosovë, të organizuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (1998-1999). Gjatë kësaj lufte nga kjo familje kanë rënë dëshmorë luftëtarët e UÇK-së Kadri Muhamet Berisha dhe Shkëlzen Gani Berisha nga Pozhari si dhe nipi i Demë Alisë, Armend Tafil Kukleci nga Isniqi.

Demë Ali Pozhari ndërroi jetë më 26 prill 1975, në Stamboll, ku edhe është i varrosur.


Marrë nga pashtriku.org 

Dienstag, 13. Januar 2015

Zhuj Selmani


 Nga Zymer Ujkan Neziri

Zhuj Selmani, dëshmor i shquar i kombit 
dhe i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Pak të dhëna biografike për Zhuj Selmanin

-Vendi i lindjes:  Zhuji lindi në katundin Koshutan, Rugovë, afërsisht më 1844. Jetoi rreth 30 vjet, afërsisht deri më 1875.
-Prejardhja: Zhuj Selmani është i biri i Selman Muçës, familja Zymeraj, barku Lu­c­ëgjekaj, pa­sa­r­dh­ës të Gjekë Stanishës, vëllazëria Muriq e fisit Kel­m­end.
*Selman Muça, i ati i Zhujit, pati edhe këta djem: Zymerin, Hysenin, Bajramin e Sokolin. Pasa­r­dhësit e Selman Muçës sot janë familja Zymeraj. 


Koha lindjes së Zhuj Selmanit dhe gjendja në Shqipëri

Zhuj Selmani lindi n­ë kohën kur ki­sh­in kaluar vetëm pak vi­te nga tri ngjarje t­ë m­ëdha p­ër L­ë­vizjen Kombëtare në Shqipëri: Ma­­sakra e Manastirit, kur osmanët pre­në në besë 500 burra të shquar të Toskërisë (1830), kur ra sundimi gati njëshekullor e fa­m­i­ljes kry­­en­gritëse të Bushatlinjve në Shkodër (1831) dhe kur u bë kryengritja e njohur e Hamzë Kazazit (1834). Në ato vite të vë­sh­ti­ra, por të lavdishme, edhe Ru­gova dhe vi­­set e tjera të Kelmendit va­zh­d­o­n­in me për­­pj­ek­jet për liri. Është e njohur kryengritja e viteve 1835-1837, por pas dështimit të saj, një pjesë e rugovasve shp­ër­n­gulen në Srem, në Nikinc e Hrtkovc, Vojvodinë.
E, kur në familjen e Selman Muçës së Gjekëstanishajve të Koshutanit lindi Zhuji, Pri­n­ci­pata e Se­­rbisë kishte hartuar programin e fshehtë politik për Serbinë e Ma­dhe, nga Ilija Gar­a­sh­a­nini (1844), në dëm të madh të Shqipërisë, po edhe të disa viseve të Ballkanit, të cilin e kanë për­k­ra­h­ur deri më sot po­li­t­i­k­a­nët serbë dhe Kisha Ortodokse Serbe.

                                  
 Bëmat heroike të Zhuj Selmanit

Në vitet kur Zhuji e kreu shërbimin ushtarak të rregullt dhe shërbimin ushtarak rezervë, në Sh­qi­p­ëri vazhdonin përpjekjet për liri, kurse Rusia, Serbia e Greqia bënin plane për copëtimin e saj. Është i njohur projekti i Rusisë, më 1866, për copëtimin e Shqipërisë: gjysma e saj do të ba­sh­ko­hej me Bosnjën e Hercegovinën, kurse gjysma tjetër me Thesalinë dhe Janinën. Dy vjet më vonë, më 1868, përfundoi marrëveshja ndërmejt Greqisë dhe Serbisë për copëtimin e Shq­i­përisë: Se­r­b­ia deri në Durrës, kurse Greqia nën Durrës e poshtë.
Në anën tjetër, pushteti osman vazhdonte me mbledhjen e taksave të shumta në Shqipërinë e ro­bë­ruar, nga vergjia (për pasurinë e patundshme), e deri te taksa e rrugës, taksa e tregut, taksa po­li­core etj. Edhe gjendja në Rugovë e në Plavë e Guci, krahas konflikteve në kufi me Malin e Zi, ishte e rë­n­dë, si në Rrafshin e Dukagjinit e në Malësi të Gjakovës. Është e njohur qëndresa kun­dër­osmane e vi­teve 1867-1873. 
Nga burimet gojore thuhet se Zhuji qëndroi në Kullën e Sheremetit rreth 10 vjet. Dihet se pas De­­­k­retit të Gjylahanesë (1839), shërbimi i rregullt ushtarak (nizam) zgjaste 4-5 vjet, kurse shër­bi­mi rezervë (redif) zgjaste 7 vjet. Redifët e kryenin shërbimin në vendlindje dhe Zhuji, me si­­guri, ka qenë redif në Kullën e Sheremetit, deri në vdekje, më 1875.
Ka të dhëna, po ashtu nga tradita gojore, se Zhuji ka qenë edhe lahutar, madje lahutar shumë i zo­ti. Aty, në Kullë, në kohë pushimi, i binte edhe lahutës dhe aty këndonte këngë epike për para­ardhësit e shquar. Shokët e tij trima bëheshin edhe më të gu­xi­m­shëm për qëndresë kur sul­mo­he­shin nga Mali i Zi. Kënga e lahutës së Zhujit u bë sinonim i mbrojtjes së atdheut deri në vdekjen e tij he­r­o­ike.   
Zhuj Selmani, i njohur si Zhuji i kufirit, që aq shumë i nxori telashe knjazit në Ce­ti­­në, Zhuji i Ku­llës së Sheremetit, siç është thënë edhe më 1991, e bëri vdekjen ashtu si Oso Ku­ka disa vite më parë (1862) dhe ashtu ngjashëm si vdiq edhe Mic So­koli disa vite më vo­në (1881). Si Osa, si Zhuji, si Mici-trima që jetojnë gji­th­m­o­në.
Edhe kënga popullore e bën Zhujin të pavdekshëm në shumë vise të atdheut: 

                                «Kah le dielli e praro hana,
                                Zhuj Selman nuk ba mâ nana!»,

që dëgjohet edhe sot në të katër anët e epikës sonë historike. Zhuji ishte sa trim aq edhe i pa­sh­ëm. Rreth 30-vjeçar. I pamartuar. Guximit të tij ia kishte la­kmi edhe kn­j­az Nikolla. Thuhet se ishte oficer ku­firi në Jashikovc, kur Mali i Zi përpiqej për të pushtuar sa më shumë toka shqiptare para se të mb­ahej Kongresi i Berlinit. Zhuji, i betuar se për të gjallë të tij nuk i shkelë kujt këmba këndej kufirit:

                                   «Hip në kullë, pisket si zana:
                                    Merni vesh ju kapetana,
                                   Merni vesh, kallxoni zekut,
                                   S’i lshoj Kullat e Sheremetit!».

I sulmuar keqas, pas shumë sulmeve dhe i rrethuar fort pas shumë rrethimeve, në ko­­hën kur har­a­m­bashët e knjazit kujtonin se të gjallë do ta ço­jnë në Cetinë, ai i ka­llë me barut ata dhe ve­të­f­li­johet për atdheun e vet.
Zhuj Selmani këndohet në këngë epike historike, madje ai këndohet nga nënat edhe në ni­nulla, duke dëshiruar që fëmijët e tyre në djep, kur të burrërohen, të bëhen si Zhuj Selmani.
Emri i Zhujit, pas vdekjes, më 1875, është epi­z­u­ar në të gjitha ka­tu­ndet e Rugovës dhe jashtë saj, si­domos në Rrafshin e Dukagjinit. Madje, edhe gjatë një hulumtimi në vitet 90 të shekullit të kaluar, janë gjetur me dhjetra burra, të rinj dhe fëmijë që mbajnë emrin Zhuj Selmani, në shenjë nderimi dhe nga dëshira e përgjasimit me këtë trim të madh, ashtu siç dëshmohet kjo dukuri e lashtë etnokulturore shqiptare edhe në tra­di­t­ën e hershme ilire të epizimit të emrave të burrave të shquar.


Çështja shqiptare pas vdekjes së Zhuj Selmanit

Zhuj Selmani del në skenën e historisë më të re shqiptare dhe në taditën gojore bën emër të madh si­do­mos pas vd­e­kjes heroike në Kullën e Sheremetit. Ishin ato vite të Krizës Lindore, 1875-1876, kur shq­ip­tarët vazhdonin jetën në robëri nën Perandorinë Osmane dhe ishin të rrezikuar nga fqi­njtë, kur fillon kryengritja në Bo­snjë (1875), e pa­s­taj në Bullgari (1876). Në ato vite, Per­an­do­ria Osmane ishte lodhur edhe nga thatësia e madhe (1873-1875), nga kriza eko­no­mi­ke, gje­­n­dja e rëndë sociale e varfëria, po edhe nga uria në An­a­doll. E më pa­staj, Se­r­­­bia e Mali i Zi i shpallin lu­ftë kësaj perandorie (1876), me sy­ni­m­in për zg­j­e­­­­­rim në territoret fqi­nje, sidomos në Vilajetin e Ko­so­v­ës dhe në Vi­laje­tin e Sh­ko­drës.
Lufta ruse-turke, 1877-1878, dhe pësimi i forcave osmane e ke­që­soi ed­he më shu­më gjendjen e çë­­shtjes shqiptare, e kjo u vërtetua në Shën Stefan e në Be­­r­lin (1878), por Lidhja Shqiptare e Pri­z­­renit (1878-1881) u kundërvihet ven­di­meve të padrejta të Evropës për copëtimin e Shqipërisë. Ajo e kundërshtoi edhe Pe­ra­ndorinë Osmane, politikisht dhe ushtarakisht, ku fa­milja dhe bashk­ë­lu­­ftëtarët e Zhuj Se­l­m­a­nit nga Rugova e Peja dhe nga vi­s­et e tjera i thanë jo-në e parë Evropës dhe Malit të Zi në Nokshiq, me ar­më në dorë, në betejën e famshme në dhjetor 18­79, për të vazh­d­­uar edhe në be­te­jat e janarit 1880, kur Mali i Zi, i gjunjëzuar, he­q­ do­rë nga Pl­a­va e Gucia.

                 
Personalitete të shquara nga familja e Zhuj Selmanit

*Zymer Selmani, ishte luftëtar dhe pleqnar. Zymeri ishte djalë i Selman Mu­çës, që la pasardhës pesë djem e dy vajza (Ukën, Metën, Rizën, Isufin e Sel­ma­nin dhe va­jzat Butën e Hâlën). U vra në Cigë, afër Pejës, më 1912, pas pushtimit të Ru­go­v­ës e të Pejës nga Mali i Zi.
*Hysen Selmani, Bajram Selmani e Sokol Selmani, tre vëllazërit e tjerë të Zhu­jit, gjithashtu u vranë. Hyseni la pasardhës (Cekën, e Ceka la Ramën, kurse Rama la Bajramin), kur­se Bajrami e Sokoli nuk lanë pasa­r­dhës. Hyseni, Bajrami e Sokoli ishin luftëtarë dhe trima. Të rinj dhe të gu­ximshëm. Dëshmorë të familjes së Se­l­m­an Muçës, dëshmorë të popullit. Lu­ftuan ashtu siç pat luftuar Zhuji, duke va­zh­duar rrugën e tij për t’ i mbrojtur at­dh­eun dhe kombin.
Pra, Selman Muça i Koshutanit ishte baba i pesë trimave, i pesë at­dh­e­t­a­r­ë­ve, i pe­së dëshmorëve, i pesë burrave të dheut.
*Kajë Galja (Gali, dëshmor i Betejës së Nokshiqit, ishte i shoqi i Kajës, nga mar­t­e­sa e saj e parë në Nokshiq; mënyrë tradicionle e mbiemrave të grave të mar­t­u­ara), ose Kajë Shabanja, kur ishte vajzë, e njohur edhe si Kajë Selmanja, ose, ndryshe, e njohur si motra e Zhujit, siç kishte dëshirë ta quante veten dhe siç njihet në këngë po­­pullore, është bijë e shquar e familjes Zy­meraj, e mar­t­u­ar në Nokshiq. Kaja dhe Zhu­­­­ji ishin fëmijët e dy vëllezërve, Shaban e Selman Muça.
Kajë Galja ishte pjesëmarrëse në mbrojtjen e atdheut nga sulmet e Malit të Zi: Be­t­e­­ja e No­k­sh­i­qit, më 1879, si dhe betejat në Nokshiq, më 1912-1913 dhe, përsëri, betejat në No­k­shiq, më 1918-1919, ku luftoi së bashku me fëmijët e vet: Zymerin, Imerin e Begen. Pra, u shquan për at­dhe dhe këndohen në këngë popullore edhe fëmijët e Ka­jë Galës, nga martesa e dytë, të lindur në Nokshiqin e famshëm: djemtë Zymer Maliqi e Im­­er Maliqi dhe e bija Bege Maliqja.
Të shquar nga pasardhësit e Gjekës, të parit të Koshutanit të sotëm, në shekullin XIX, janë:
*Sali Jaha, bajraktar dhe komandant i Bajrakut të Rugovës së Sipërme;
*Kadri Bajri, udhëheqës ushtarak dhe udhëheqës politik i Rugovës gjatë Lidhjes
Shqiptare të Prizrenit dhe gjatë Lidhjes Shqiptare të Pejës;
*Hysen Bajri, bajraktar i Bajrakut të Rugovës së Sipërme dhe dëshmor i kombit.
E, në shekullin XX, u shquan:
*Rizë Zymeri, komandant politik i Rugovës në Luftën e Dytë Botërore, (krahas Zhukë Haxhisë, komandant ushtarak i Rugovës në Luftën e Dytë Bo­tërore), dë­sh­m­or i kombit;
*Sak Faslia, luftëtar i shquar i Rugovës në Luftën e Dytë Bo­tërore, bartës i fla­mu­r­­it në beteja, dëshmor i kombit;
*Bajram Rama, luftëtar i shquar dhe i burgosur i njohur politik në kohën e Ju­go­s­ll­avisë së dytë.


Burime gojore për Zhuj Selmanin 

Në vitet ’90 të shekullit të kaluar është hartuar artikulli për Zhuj Selmanin, që u bo­­tua në revistën rajonale «Gurra», Drelaj, (Zymer Neziri, «Zhuj Se­l­m­ani », rev. «Gurra», Drelaj, Rugovë, nr. 2, 1991, f. 4), nga këto burime go­j­o­re:  Z. Neziri, Të dhëna nga Ramë Sadiku-Kurdedaj, 75 vjeç, më 1972; Z. Ne­ziri, Të dhëna nga Shaban Sadiku-Palaj, 70 vjeç, Koshutan, më 1972; Z. Ne­ziri, Të dhëna nga Cubë U. Zymeri, Lucaj-Dreshaj, Koshutan, 72 vjeçe, më 1982; Z. Neziri, Të dhëna nga Ujkan Zeqiri-Palaj, Koshutan, 84 vjeç, më 1991. Këtu do shtuar edhe të dhënat e reja për Sokol Selmanin, mbledhur nga Suzanë Muriqi, në qershor 2013. 


Këngë për Zhuj Selmanin

Kënga e Zhujit, e kënduar malësorçe, pas rënies së tij, ishte bërë him lufte kundër Malit të Zi. Këngën për Zhuj Selmanin e kënduan trimat duke u nisur në beteja. E kanë kënduar dhe e kë­n­d­ojnë rap­so­dë nga Ru­go­va dhe nga viset e tjera: Qos Alia, Eles Tarçuku, Metë Rrustemi, Xhemë Ze­ka, Fasli Zy­meri, Adem Salihi, Adem Syla, Haxhi Meta; Dervish Shaqa, De­m­ush Neziri, Shaqë Avdia, Mon Sokoli, Marash Krasniqi, Augustin Ukaj; Gëzim Nika, Shqipe Ka­s­trati, vëllezërit Mleçani, vëll. Çeta, vëll. Rama, Nusret Muçiqi e Corona, Afrim Mu­­çiqi, Gjergj Ukaj, Bardhec Hajdari, Sa­­f­et Rizaj e të tjerë. E kanë kënduar edhe brezat e luftës çlirimtare gjatë 100 vjetëve të për­p­je­k­je­­ve për çlirim, gjatë dy luftërave botërore dhe në periudhën ndërmjet tyre, të kry­engritjes së njohur, Lëvizja Kaçake. E këndoi edhe brezi më i ri i çlirimit, Hamzë Ja­shari, Mu­jë Krasniqi dhe shumë luftëtarë të lirisë të Zonës së Dukagjinit.
Edhe në ansamblin e folkorit autokton ‘’Rugova,’’ si­p­as Vesel Nikçit, që 66 vjet paraqitjeje para pub­li­k­ut, brenda e jashtë vendit, kënga e Zhuj Selmanit u këndua malësorçe, nga: Shuk Mustafa, Ka­s­ëm Faslia, Sinan Januzi, Pa­sh Jonuzi, Halil Faslia, Shake Faslia, Hysen Kastrati, Ramë Idrizi, Ar­if Zhuji, Bajram Ibishi, Hy­s­en Asllani, Zekë Kastrati, Isa i Sadri Elezit.


Tradita e studimeve për Zhuj Selmanin

Emri i Zhuj Selmanit dhe kënga për vdekjen e tij heroike në Kullën e She­re­m­etit, në kufi me Ma­l­in e Zi, duke e mbrojtur tokën e të parëve, është vle­rë­s­u­ar lart nga të gji­thë epikologët shqi­p­t­a­rë në Tiranë, në Prishtinë, dhe në qe­n­drat e tjera studimore si një ndër krijimet më të bukura ar­ti­s­ti­ke të po­e­z­i­së sonë gojore për vetëflijimin, ma­dje edhe nga studiuesit e shquar: Mark Kr­a­s­n­iqi, Zi­hni Sako, Qemal Haxhihasani, Anton Çetta, Demush Shala, Agron Xha­golli, Enver Mehmeti, Adem Zej­nu­ll­ahu, Hasan Gjonbalaj, e tash, së fundi, edhe Ali Muriqi. Fat­k­e­q­ë­s­i­sht, kjo nuk bën të thu­het edhe për historianët tanë, duke shpresuar se as tash nuk është vonë që ata t’i dalin hakut kë­tij personaliteti të shquar të his­to­risë sonë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ma­dje, edhe data e vetëflijimit të Zhuj Selmanit, më 1875, është mbështetur në të dh­ë­n­at e tr­a­ditës gojore, fillimisht nga stu­di­­u­esi Mark Krasniqi, por që do sa­k­t­ë­s­uar edhe nga dokumetet historike. Pritet që edhe veprat ma­dhore kombëtare, Historia e popullit shqiptar dhe Fj­alori enciklopedik shq­i­p­tar, t’i bëjnë vend figurës atdhetare të Zhuj Se­l­m­a­n­it.


Vlerësimi shtetëror i Zhuj Selmanit    

Personaliteti i Zhuj Selmanit deri më tash është vlerësuar dy herë në Tiranë, nga kry­­e­­ministri i Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha, më 26.1.1993, në Tiranë, du­ke e de­ko­r­u­­ar me  ''Ur­dh­rin e Lirisë'' - Klasi i Parë, nr. i Dekretit 435, si dhe sot, nga presidenti i Republikës së Shqi­përisë, z. Bujar Nishani, me ‘‘Medaljen e Artë të Shiponjës’’, numri i Dekretit 8394, Tiranë, më 22.11.2013.
Kë­shilli Organizues, sivjet, në korrik, iu drejtua edhe presidentes së Republikës së Kosovës, që të ndajë një dekoratë për Zhuj Selmanin, me rastin e zbulimit të shtatores së tij në Pe­jë, të punuar me për­ku­sh­tim të madh nga skulptori i dalluar rugovas, Gëzim Muriqi. 


Përfundim

Vetëfliljimi i Zhuj Selmanit në kufi me Malin e Zi, në prag të Lidhjes Shqiptare të Pri­zrenit, ishte she­­mbull i ri në histori se përpjekjet për liri kërkojnë sakrifica të më­dha. E, populli ynë i këndoi bë­m­at heroike të Zhujit dhe atij i ngriti mo­nu­­­mentin e përjetësisë. Me këngën për Zhuj Se­l­m­anin kanë dhënë jetën edhe trima të njohur të lirisë edhe pas vitit 1912, gjatë afër 100 vje­t­ëve në robëri. Zhuji u bë idol për luftëtarët e lirisë deri në luftën fitimtare të Ushtrisë Çl­i­r­i­m­tare të Ko­­so­vës, kurse ne sot po lajmë një pjesë të borxhit të madh që kemi ndaj tij dhe brezit që i vu­ri themelet e pavarësisë së shtetit shqiptar.

___________
Marrë nga radiokosovaelire.com

Sali Jaha

Sali Jaha (1803 - 1883) Ushtarak dhe bajraktar nga shqiptarë nga Kosova, pjesëmarrës i Lidhjes së Prizrenit.

Major Sali Jaha - Bajraktari i Rugovës, lindi në vitin 1803 në Koshutan të Rugovës. Rrjedh nga familja Kurtdedaj, familje që nxorri më vonë edhe bajraktarin Sak Faslia.
Sali Jaha si 14 vjeçar inkuadrohet në luftë për mbrojtjen e atdheut nga sulmet malazeze. Në Luftën e Bukovikut (1817) Salihi nxjerr dy krena dhe një flamur duke ua prer kokën në dyluftim dy harambashëve malazez të njohur për vrasje e plaçkitje jo vetëm në Rugovë, por edhe më gjerë. emëruar Bajraktar nga vet rugovasit dhe nga pushteti osman. Në kohën kur ishte në shërbimin ushtarak të Përandorisë Osmane, Salihi radhitet ndër ushtarët më të dalluar dhe gradohet me graden e majorit (binbashit). Që nga kjo kohë ai njihet më emrin Sali Jahë Binbashi (majori). Rugova gjatë kohës së Sali Jahës u bë vend strehim për shumë personalitete të tjera si: Haxhi Zeka, Hasan Prishtina, Isa Boletini etj. Sali Jaha ishte ishte njëri nga bashkëluftëtarët dhe bashkëpunëtorët më të afërt me atdhetarët Ali Pashë Gucia, Haxhi Zeka, Sylejman Vokshi, Jakup Ferri, Ali Ibra, Ahmet Zeneli etj. Ndër luftërat e njohura të Sali Jahës dhe rugavasve ishte Lufta e Beranës kundë malazezëve të udhëhequr nga Mark Milani dhe Todor Bajraktari. Në këtë luftë Salihut iu vranë edhe dy djemtë e tij. 


Bashkëluftëtarët më të njohur të Salihut nga Rugova ishin Zhuj Selmani, Avdi Smajli, Çelë Shabani (zëvëndëskomandant i Salihut), Demë Isufi, Rexhë Avdia, Kadri Bajri (zëvëndësbajraktar i Salihut) etj.

Me 10 qershor 1878 në Prizren u formua Lidhja Shqiptare e Prizrenit ku u mblodhën rreth 110 burra të penës e të pushkës nga e gjithë Shqipëria. Në mesin e këtyre atdhetarëve ishte edhe Sali Jaha së bashku me Çelë Shabanin si përfaqësues të Rugovës. Pas Lidhjes ai u angazhua me tërë qenien për mbrojtjen e trevave shqiptare të Plavës dhe Gucisë që Fuqitë e Mëdha ia dhanë Malit të Zi. Ishte anëtar i shtabit ushtarak të formuar nga Ali Pashë Gucia në shtator 1879 për të udhëhequr luftën kundër malazezëve. Jeta e tij vazhdoi me luftëra deri sa vdiq në vitin 1883. 


Eshtrat e tij pushojnë sot përkrahë eshtrave të Sak Faslisë nën hijen e molikës, në Qafë nga ku shpesh u dha kushtrimi për luftë kundër armiqëve shekullor.

Marrë nga Wikipedia

Sonntag, 11. Januar 2015

Jemi vëllezër, kemi tri fe por vetëm një atdhe!

 
”Ne shqiptarët, prej çdo feje qofshim, jemi tanë vllazën gjaku dhe vllazën vatani . Do të shkojmë mbarë e mi...rë me shoq si jemi tue shkue, do të punojmë së bashku për lulzimin e atëdheut tonë dhe do ta mbrojmë atë me gjakun tonë” 
(Hafiz IBRAHIM DALLIU)


“Kristianë e myslimanë janë vëllezër shqiptarë të pandarë.Ta duam njëri-tjetrin, t'i tregojmë botës mbarë se shqiptarët pa dallim feje, janë vëllezër si bij të njëshëm të së dashurës sonë Shqipëri 
( Hafiz VEHBI DIBRA )




 
“Kemi tri fe, por kemi vetëm një Atdhe të përbashkët, një gjak vëllazëror, një gjuhë , një diell e një Zot. Detyrë mbi detyrat kemi bashkimin dhe mbrojtjen e atdheut “. 
(Mulla IDRIZ GJILANI )






“Është e vërtetë se ne kemi Bajram e Pashkë, por Shqiptarinë e kemi të përbashkët”.
(At GJERGJ FISHTA)







“ Ndarjet në besim nuk sollën çarje në mes të shqiptarëve. Gjendjet e besimit, jo vetëm në vendet e lindjes, por edhe në Evropë, e në vendet e ndriçuara me qytetërim, shumë herë kanë nxjerr vrasje të mëdha e të tmerruara; Në Shqipëri, këto grindje nuk ndihen dhe kurrë në këtë vend s`kanë ngjarë. T’ecim të dlirë n’udhë të Perëndisë, n’udhët të drejtësisë...në mes të shqiptarëve të vërtetë s’ka ndonjë ndarje, ndonjë çarje, ndonjë ndryshim! Janë të tërë vëllezër të gjithë: janë një trup, një mendje, një qëllim,një besë”.(SAMI FRASHËRI)


“….megjithëqë elementi mysliman ka shumicën në Shqipëri, nuk besoj të ketë një shtet të qytetëruar, ku të mbretërojë aq tolerancë feje, sa në Shqipëri”. (FAN NOLI)

Në Paris, shqiptarët treguan civilizim.

Opinion nga Engjëll I Berisha

Pamja në Paris, e përfaqësuesve fetarë nga Shqipëria është Shqipëria reale e tanishme.

Në të gjitha trojet jemi të shtrirë në tri mënyra të besimit. Komentone si të doni etnogjenezen e besimeve fetare, të gjitha janë të ardhura nga vende tjera. Asnjëra nuk ka lindur në Shqipëri. Të besuarit, u konsiderua civilizim dhe ne besuam në të vetmin Zot, që është për të gjithë. Edhe pse ky besim është ndarje e familjes, të parët tanë ishin shumë të kujdesshëm në virtytin njeri, besim, gjenezë. Kjo filozofi e ka mbijetuar këtë popull nga aq shumë pushtuas, nga aq shumë sindrome të huaja. Dhe, jemi ku jemi, të paktën shqiptarë, në shtete, me gjuhë e kulturë.


Dhe, sot në Paris, pamja krahë për krahu, ishte mesazh se prijësit fetarë kanë rëndësi të madhe në edukim të masës. Sot në Paris, ata, i dhanë civilizimit shembullin e paqes. Shembullin se shëmtinë duhet refuzuar. E shëmtuar është çdo gjë që njeriun e bën materie shpenzuese, për qëllime ideologjike. 


Shqipëria është kampione në këtë aspekt, në Ballkan. Është lider për demokraci.
Sot në Paris, të katër prijësit ecën me gjakun shqiptarë. Petkun fetarë, vetëm sa për dekor identifikues të unitetit, e mbajtën sa për të treguar se fetë janë besime për mendjen. 


Gjenetika është diçka tjetër. Gjenetika është familja shqiptare me etnikumin e vetë, brenda jorganit të vetë. Dikush, ndoshta shumëkush, sa luftë po bën, të na shkatërroje këtë virtyt. Dhe, mos thoni se nuk ia kanë arritur deri dikund. Por, mos ta lejojmë të shkojë më tej.

11. 01. 2015

Engjëll I. Berisha - JEMI TË OKUPUAR

Jemi të okupuar. Të okupuar nga sindromi i huaj. E huaja, shumëçka, gjuha, doket, mentaliteti, besimi, pamja, veshja e shumë e shumëçka na kanë okupuar. Nuk ka të bëjë asgjë me diversitetin kulturor, dihet diversiteti çka i shërben shoqërisë, sa është mirë të respektohet dhe sa e pasuron shoqërinë. Askush nuk është kundër diversitetit. 

Vendet e zhvilluara, nuk marrin asgjë nga të vegjlit, as gjuhë, as doke tjera, bile përqeshin. Vendet e varfra, popujt e veg...jël, vrapojnë të marrin gjithçka nga të tjerët. Jemi të okupuar nga gjuha e huaj. Nga kultura e huaj. Nga doket që kanë krijuar mentalitet dhe i tejkalojmë më shumë se ata që na i sollën. I kultivojmë dhe i bëjmë tejet produktive.

Jemi të okupuar nga besimet që krijojnë kultin. Aq të okupuar, sa edhe vetëflijohemi, e që i bie për të huajën. Sociologjia këtë e quan emocion. Emocioni edhe mbjellët. E që i bie, ne ushqehemi nga të mbjellurat e huaja.

Kjo po na hakmerret. Asgjë e keqe të dimë shumë gjuhë, të mësojmë funksionimin e teknologjisë, jeta është e lidhur ngushtë me këtë fakt. Ky zhvillim ka lehtësuar jetën, në mjekësi e në të gjitha lëvizjet tjera. Këto i kanë bërë pikërisht popujt që e duan kombin e vetë, gjuhën e vetë, janë të zgjuar dhe e bëjnë tërë botën të sillet rreth tyre.

Dikush thotë të bojkotojmë ushqimet e Serbisë. Kanë të drejtë, se po e pasurojmë një armik të përbetuar. Por, kemi nevojë të pastrohemi nga shumëçka e që quhet sindrom i huaj. Ushqimet janë jashtëqitje e ditës, të tjerat janë hakmarrje ndaj vetvetes.

A jemi të vetëdijshëm sa shumë kemi nga trashëgimia e jonë? 

Derisa ne nuk dinim të shkruanim, e vërteta historike na tregon se babai i letërsisë serbe, Vuk Karaxhiç, vodhi tërë krijimtarinë popullore te shqiptarët dhe krijojë letërsinë popullore të Serbisë. 


Në komunizëm gara zhvillohej kush integrohet më parë në intenacionalen. Në demokraci, kush merr më shumë nga të huajt, duke e zhdukur të vetën. Këtë e bëjnë popujt e vegjël, popujt që frikohen nga vetvetja, dhe Teki Dervishi thoshte se e kaluara e robëruar na krijojë edhe "shpirtin e robit". Pse amerikanët, françezët, gjermanët etj, nuk marrin asgjë nga ne? Ngase, ne vrapojmë pas tyre. Ne jemi të varfër dhe para të pasurit gjunjëzohemi.

Çka është krenari kombëtare? Është krijimi i virtytit, zhvillimi ekonomik, pasurimi i gjuhës, ruajtja e traditës. Sa, nga këto ne i bëjmë që mos ta duam të huajën? Që të jemi vetvetja! Pyetne veten secili, dhe vrojtoni kush e bën nga tanët. Jepni komente........faktike. Jo mua, por publikut.