Dienstag, 3. März 2015

Alfred Kanini

Alfred Kanini

(10 qershor 1943 - 13 nëntor 2011)

Alfred Kanini lindi në Tiranë në 10 qershor 1943. Të gjitha vitet e shkollimit i kreu në Tiranë: 7-vjeçaren në shkollën “11 janari”, të mesmen në shkollën ushtarake “Skënderbej”, ndërsa të lartën në Fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë-Letërsi dhe Gazetari.
U diplomua në vitin 1967 dhe filloi punë si gazetar në Radio Tirana. Ndër emisionet më të njohura që përgatiti në vite janë “Heroizmi i popullit tonë në shekuj”, “Emisioni për rininë”, etj.
Në vitin 1971-1975 punoi si gazetar në gazetën “Zëri i Rinisë”. Mbuloi faqen letrare të gazetës dhe lëvroi gjerësisht gjininë e reportazhit. Ndihmoi mjaft poetët dhe shkrimtarët e rij duke i afruar në faqet e kësaj gazete të dashur për rininë.
E qarkulluan si mësues në fshatin e largët Ars–Miliska të rrethit Pukës. Duke qenë se nuk pranoi të shkonte mbeti për disa kohë pa punë . Për të mbijetuar, ngase ishte i divorcuar dhe kishte dy fëmijë, pranoi të punojë si punëtor i thjeshtë në hekurudhën Elbasan-Pogradec. Pasi shkroi një numër artikujsh në shtypin e përditshëm dhe periodik disa gazeta të vendit e afruan, duke e konsideruar si të dërguarin e posaçëm të redaksive të tyre. Me ndihmën e miqve të ngushtë afërt të tij, si Petrit Ymeri, Antoneta Malja, e të tjerë, mundi të të rikthehej në Radio-Tirana në fillim si redaktor e pastaj për shumë vite si përgjegjës i Redaksisë së Kulturës. Ndërkohë u martua sërish dhe nga martesa e dytë ka një vajzë. Gjatë gjithë karierës së tij si gazetar asnjëherë nuk la pas dore edhe krijimtarinë letrare, duke shkruajtur në organet më të njohura të vendit si “Drita”, “Ylli”, “Bashkimi”, “Mësuesi”, “Zëri i Rinisë”, etj.
Vdiç larg atdheut në Largo të Floridës në SHBA më 13 nëntor 2011.


Veprat e botuara
  • Mbi një platformë betoni - tregime (1971)
  • Shirat e vjeshtës - tregime dhe novela (1972)
  • Pas mjegullës - novela (1974)
  • Vozabërësi dhe vajza e vrarë - tregime (1975)
  • Mëngjeset e bregut të liqenit - tregime (1978)
  • Ngarkesa e largët - roman (1979)
  • Njeriu që dua - roman (1983)

Aleks Çaçi

Aleks Çaçi, lindi më 15 gusht të vitit 1916 në Palasë. Ishte poet dhe publicist shqiptar. Ishte pjestari i grupit të shkrimtarëve shqiptarë të viteve ’30-të, ku dhe nisi të shkruaj vjershat e para. Pseudonimi i tij ka qënë Deme Petriti. Në 23 shkurt 1989 u nda nga jeta.
Si rezultat i aktiviteteve të tij revolucionare, si dhe shkrimet e tij, në 1936 ai ishte i izoluar në qytetin e Beratit për dy vjet nga ana e regjimit të Mbretit Zogu. Çaçi ishte një anëtar aktiv i luftës për pavarësi nga shtypja e huaj. Që nga ditët e para të organizatës që ai ka punuar në grupin redaktimi i "Kushtrimi i Lirisë" (Beteja klithma e Lirisë), ku ai i botuar artikuj të shumta, poezi dhe prozes. Aleks Çaçi ishte gjithashtu i ngarkuar me një tjetër gazetë, "Trumpeta Çlirimtare" që përdoret për të publikohet në kohë lufte në rajonin e Kurveleshit, në jug të Shqipërisë.
Pas luftës, ai ka punuar në "Lidhia e Shkrimtareve" dhe në shumë gazeta dhe revista letrare te asaj kohe. Njëkohësisht është marrë edhe me përkthimin e literaturës letrare nga greqishtja në gjuhën shqipe. U nda nja jeta më 23 shkurt 1989.


Veprat letrare
  • "Këngët e dheut"
  • "Margarita Tutulani"
  • "Ashtu myzeqe"
  • "Me ty Stalin"
  • "Poezia Shqipe"
  • "Bisedë me diellin"
  • "Ëndrrat e mia"
  • "Aroma e bukës"
  • "Na hoqën çatinë"
  • "Shtëpia përballë diellit"
  

Sonntag, 1. März 2015

Ali R. Berisha

Ali R. Berisha është nga lagja Bricor e fshatit Qallapek të Lugut të Baranit. Aty ka lindur me 20 korrik 1942. Në Baran e ka kryer shkollën fillore, në Pejë Gjimnazin, kurse Fakultetin Filozofik - Degën Gjuhë dhe Letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës. Kryesisht ka punuar në gazetari dhe në arsim. Së fundit në Shkollën e Mesme “Luigj Gurakuqi” në Klinë, prej ku edhe ka dalë në pension.
Me shkrime letrare ka filluar te mirret që nga shkolla e mesme – 1966, kur ka filluar të botojë fillimisht poezi. Ka shkruar poezi e prozë për fëmijë e të rritur. Në fushën profesionale është marrë edhe me çështje gjuhësore, dhe aty është ende shumë aktiv. Krijimet e tij janë botuar në revista dhe gazeta.

Ka të botuara këto vepra: 

- Poezi me titull në fund, “Jeta e re” Prishtinë - 1997, 

- S’ka më po e zi, KL “Vorea Ujko” Klinë - 2005, 
- Poezia e lashtore, 
- Agu e hap driteren vetë
- Hijet e flladitshme të diellit, tregime
- Fjalor i fjalëve të reja, 2006 
- Aforizma  të autorëve shqiptarë I II III,  “F. Konica” Prishtinë – 2007.(Në bashkautorësi me Luz Përnokajn).


Poezi nga Ali R. Berisha

SYRI I DRITËS

Unë nuk kam dike tjetër që më trazon si ti
Sa ne fushë, san ë bjeshkë – në punët buktore
Sa hije të ka shkëlqimi i ballit kur bie shi
Dhe në brendinë tonë hyn si me fuqi prej dore

Diçka që është në ty, apo në mua s’e di
Më shtrëndon brendajashtë si me pinceta
Të çelnikta të kohës dhe më bën më të ri –
Si linda, si u mplaka – njësoj më gjen jeta

Syri i dritës që e lëshon zërin këtu aty
Atje e kudo – më meson një të re histori
Se si me ty rreth teje s’thuhet “një apo dy?”
Se aroma e bukës sate – më e madhja dashuri

1965


KUJTIM I VONË

Një rreze e diellit ka hyrë në dhomën time
Rrethuar me dritë e ka fotografinë e tim eti.
Zbërthye çdo gjë ia ka, e mua tretur n’kujtime.
Një mallëngjim i madh sakaq më bëri për veti.

Ia kundroja fytyrën vrragë e n’kokë të bardhë një plis,
M’u kujtuan  bisedat që odave i mbante shpesh,
Me fjalë të  moçme mësuar ndër shokë e fis.
Rrethonin kujtesën e pa pra më trokllonin në vesh.

N’kujtime e sipër’i lot më rr’shqiti nga sytë
Fotografinë ma largoi e ma humbi si me dorë.
Nuk di sa qava, por në lotë fytyra qe mbytë.
I thashë vetvetes: “Rrallë po e kujton, o i gjorë!”

1967


LASGUSHIT

Më duket se ende në Liqen – me ujin e qetë, të lëmuar
Lundron andej një peshkatar me varkën varfanjake –
Buzë Liqenit një fëmijë, duke luajtur guralecë ndër duar.
Kohë pas kohe çon kokën, shikon shpendët bardhërake

Përtej, n’buzëbreg t’Liqenit, përpin ujin mjegulla dhe zbret
Peshkatarin e trembur gjeratorja e shtje brenda në gji
Kurse fëmija që ishte në breg tregon me gisht dhe thërret:
“Ai xhaxhi skoj n’melgim!” - për të jetuar atje me mallin e tij

Kroi i fshatit aty me vasha truphedhur, me molla në gji
Ka për ta rrjedh përherë ujët e ftohtë për pije …
Dhe Lasgushi do të këndojë gjithnjë më i ri,
Me mall të pashuar dhe  me të hollat shije

1971


MOS LUANI ME EMRA

Ju lutem mos luani me emra!
Se emri, druaj, ka fuqi magjie.
Mos kërkoni gjë prej emrave!
Por faluni nga diçka atyre!
Diçka të forte për gurthemel.

Bota ka shume njerës, më shumë emra
Lindin e vdesin rtadhazi, e paradhazi.
Çdonjëri vdes pos emrit të bartur!
Kurrkush nuk vdes me emrin e huaj!

Disave më së tepërmi emri u jeton në eshtra!
Disave më së tepërmi emri u jeton në misht!
E DISAVE EMRI U JETON SA GJAKU!

Dike e bren vdekja e vet
I dhembset shumë vetvetja pse vdes!
Dike e bren më shumë vdekja e emrit!
Dhe s’i dhembset vetvetja pse vdes!

Ka njerëz që lindin për të bartë një emër!
Ka emra që lindin për dike!
Disa emra ngriten lart prej njerëzve!

1983


NËSE  VDES  ROZAFA

Nëse vdes Rozafa
unë do të vdes para saj.
Kujtimin do ta vë përpara
dhe do të bërtas kupakresë,
që të thonë të tjerët se kam luajtur.

Nëse vdes Rozafa
për mua nuk do të ketë shpëtim, -
sepse dashuria ndaj saj
(që kurrë nuk guxova as
me mend ta shikoj)
s’ka për të jetuar pa të.

Dhe, nëse vdes Rozafa
me mal e me gurë e me qëndresë
do të rrokullisem ushtimas
deri te veshi i Zotit.

Nëse vdes Rozafa
jetëvdekja ime patjetër
do të shndërohet në baladë
ose në kujtimharresën që do të jetojë.
Mirëpo nëse vdes Rozafa…
e Rozafa nuk ka kurrë për të vdekur
asnjë kujtim nuk do ta vrasë
nga malli për të.


VARGU  NUK  LIND  VETËM  NË  PRANVERË

Kur lindi vargu ishte pranverë,
kur dheu bëhej burim,
kurse nga qielli rigonte dashuri.
anash vinte diçka (s’ia di emrin)
e s’ndahej këtej.
vinte në mua dhe e zinte vendin
e vargut – pranverë
ishte pranvera, kur mbushej atjehja,
kur lindi vargu  - unë s’i shpëtoja
e qiellit i shpëtonte duarsh dashuria.


KOSOVËS

Kosovë varri im buzë kufirit
kopsht nate
ditëvapë që s’u ngope kurrë ujë
e vdisje me këmbë në lumë
O lis hijemadh
që në hije kurrë s’pushove

Kosovë bukëdhëntore e vajatore,
Uzdajë-ëndërr-shpresë
Dhe kosovëtore



MË KUJTOHET

Më kujtohet
Kur lexoja poezi lirike
Në lëvoret e drunjve

E poezi epike
Në shpellat e bjeshkës.



LIRIKA E NJË NATE

U bëra mik me natën
Dhe me fatin që mban ngjyrën e saj
Për ta ngarkuar edhe me një poezi
Që kurrë nuk munda ta bëj timen

-Natëziu! - e quajta veten
“Natëziu” - e titullova poezinë
Të shkruar në mesditë
-Natëziu! - më quajti lexuesi

Vuajtjet e poetëve
Nuk po përfunduakan njësoj

Qindra poetë qindra thyerje poetike
Të netzinjve: ata dhe nata
Gjithmonë qajnë njësoj...
Kur vetmia na mundonte shumë
Nata me shpirtin e saj guva-guva
U bë mik me mua t’i lexonte poezitë e mia

Poetët e rrugës nuk flasin më me të
Përse? Kur ata mund të flasin
Me vashat që kthehen nga puthjet

Poetët e kafeneve nuk flasin më me të
u merren mendtë -
S’ka më as trubadurë!!!

Tash unë dhe nata
Ia heqim mërzinë njëri-tjetrit.



PIKU VARGU

Piku vargu -
Ra në lotin e vashës

E mori trimi
Që të mos i lëndohet
Dhe ia fluturoi
Majë bjeshke
Atje ku vallëzojnë poezitë.

Lekë Vojvoda, njeri fisnik dhe mendjendritur.

Nga Prelë Milani

  • U shua në moshen 100 vjeçare Lekë Vojvoda, ish pedagog i Akadamisë së Firences.

Lekë Vojvoda ka lindur një shekull më parë dhe ishte djali i dytë i Vuksan Lekës Kryevojvodes së Shoshit (Shkoder). Natyra dha dhuratë një antropologji përfikte, sy të kaltër vetulla të dendura pakëz të lakuara, flokëzi, gojëvogël, vështrimin romantik një buzëqeshje ironike, rrëmbyes i shikimeve drithëruese të grave pasiononte. I arsimuar më së miri fliste një italishte të shkëlqyeshme, dhe anglishte elekuente i aftë të debatonte me ke do për letërsinë, artin dhe filozofinë.

Lekë Vojvoda kishte një talent të lindur ushtarak, një ndjenjë të bukur humori, që nxirrte krye herë pas herë, nga shkopsitja e asaj pelerinë ftohtësie e serioziteti ushtarak që e karakterizonte. Ishte vetëm dhjetë vjeç kur në vitin 1928 regjistrohet në shkollën fillore të Konviktit “Malet Tona”. Atë shkollë do ta përfundonte në vitin 1932 dhe qe vlerësuar nga nxënësit më të mirë, pasi gjatë një viti shkollor mori dy klasë për një herë. Në vitin 1939 vijoi përsëri studimet e larta në Akademinë Ushtarake të Modenës në degën e Kavalerisë. dhe te Firences.

Moment deçiziv i jetës së tij është Refuzimi i betimit fashist në Itali Pas studimeve ushtarake mbajtën në Akademi si petagog ku për një vit dha lëndën e teorisë së qitjes. Duke pas dëshirë e madhe që të kthehej në Shqipëri i bën kërkesë Ministrisë përkatëse e cila ia aprovon dhe në shkurt të vitit 1943 kthehet në atdhe. Pas kthimit në Shqipëri me 14 shkurt të vitit 1943 emërohet në detyrën Komandantit të Xhandarmërisë të rrethit të Lezhës pastaj ka vijuar po ketë detyrë në qytetin të Tuzit dhe të Rrethit të Dukagjinit. 

Me 24 gusht 1946 u arratiset komunistëve. Në tetor të vitit 1947 doli në gjyq dhe u dënua me 7 vjet heqje lirie. Të gjithë dënimin e vuajti në kampet Kavajës e Orman –Pojan. Pas burgut është internuar në Saver të Lushnjes deri në vitin 1984, duke mos iu dhënë kurrë më rasti të ushtronte profesionin e tij të dashur. Jetoi afërsisht një shekull, ndërsa 26 02 2015 shkurt u shua nga kjo jetë duke mbetur në tetabezin e kujtesës së kohës si një nga ushtaraket më të vjetër dhe më të talentuar dukagjinas të gjitha kohërave( akademist i shkollës i Modenës dhe Firences). Njeri fisnik dhe mendjendritur intelektual, shembullor, hirëplot në paraqitje, por i pa fat në karrierën ushtarake që ja vranë në mes.

Samstag, 28. Februar 2015

Shaban Pllana

Shaban Pllana u lind në fshatin Halabak të Besianës, më 01.11.1949. Rrjedh nga një familje muhaxhire e ardhur nga Pllana e Madhe afër prokuples. Shkollën fillore, katër klasat e para i mbaroi në vendlindje, kurse klasat e tjera në Lluzhan. Shkollën Normale e mbaroi në Prishtinë në vitin 1971. Pastaj pa shkëputje nga puna mbaroi edhe Fakultetin Filozofik, Dega - Gjuhë shqipe e letërsi . Sapo e mbaroi Normalen e filloi punën në arsim.
Pas një pune më se 43 vjeçare në arsim, si mësues i gjuhës shqipe e letërsisë, tash Shabani është pensionuar. Jeton me familje në Besianë
 

Ka botuar këto vepra: 
  • „Këngë popullore të Llapit” 1998,
  • „Lojëra popullore të Llapit” 2002,
  • „Anekdota popullore të Llapit” 2004,
  • „Fjalë të urta popullore në Llap” 2008,
  • „Tercina” poezi 2009,
  • „Monografi e maturantëve të gjeneratës 1970/71 – Shkolla Normale Prishtinë” 2011,
  • „Monografi e familjes Pllana Halabak” 2011 dhe librin
  • “Buzëqeshja e shkronjave” 2013


Poezi nga Shaban Pllana

ADN-ja E FISIT

kur të vdes
një asht timin
ma varni mbi rrasën e varrit


le të luajnë me të
zogjtë e shqipes


nëse kërkohet ADN-ja e fisit tim
le të kërkohet në eshtra
në sqep shqiponjash


le të kërkohet në eshtra
nën rrënjët e lisave
në plasat e këtyre arave të bukës


le të kërkohet në eshtra
në plisat e dheut të AtDheut
brenda kufijve të Ilirisë.




KUR RRITEN LISAT

kur rriten lisat
nata diagnostifikohet
me kancer në metastazë


kur rriten lisat
ditët ringjallen
rigon këngë zogjsh


kur rriten lisat
mbaron etja
agu e përzë terrin


kur rriten lisa
dita merr krah
dielli qeshet 


kur rriten lisat
ze fill gëzimi
shuhen të gjitha etjet.


kur rriten lisat
frika zhdaravitet
gjarpërinjtë i zë tmerri.


kur rriten lisat
zogjtë e qyqes të bërë gati për ikje
vajtojnë nëpër foletë e huaja




LISIT

lisit i çuan fjalë
me alfabetin e gurit
që të lisërojë me gjuhë zjarri


zogjtë i porositën
t`i bëjnë foletë në lisnajë


kreshtat flisnin me njëra-tjetrën
me gjuhën e rrufesë


mbi faqe gurësh
partitura këngësh trimërie


trimat shtizë flamuri
qëndrim vertikal




THITHEM GURËSINË

gurit i hymë në brendësi
ia thithëm gurësinë


cili zog e këndoi
këngën e harruar


cila rrasë varri buzëqeshi
me krenarinë e Atdheut


cila nënë mori lotin nga qepalla
dhe ja fali melodisë së këngës


cilës natë ju zu prita
pas shkullit të errët


cili agim agoi i gëzuar
a s`më thuani, ju lutem?!




...EDHE PËRTEJ ...

përtej
murit të heshtjes
vaji i qyqes
në një gotë
të thyer
i pi
lotët e vet


në varret
e dëshmorëve
lahuta e Fishtës
pa partiturë
ja thotë
krenarisë


në maje
të kreshtave
të trimërisë
Dedë Gjo Luli
vë syrin
në grykëhollë


frengjitë
e kullave
shohin
edhe përtej
largësive




MIDIS


midis
Raguzës
e Dyrrahut
unë zgjodha
të dytin
për t`i zhdaravitur
ëndrrat
në amfiteatrin e madh


flokët
e mbretëreshës Teutë
në një tel lahute
deshifrojnë
mbishkrimet
në rrasat e varreve


në pikat e lotit
nuset
shtrydhin dhembjen
për ushtarët e rënë
luftrave
pas netëve të para
të martesës


në tehe
të baladave
thyhen këngët
e rapsodëve
për beteja




TE LUMI

hedhin pasqyrat e thyera në lumë
lumi kallet 


fytyrat
midis dy flakësh


përpijnë zjarrin
në gojë kuçedrash
fshehur pas ëndrrave


gurët lahen në lumë
te këmbët e vashave
me shami kuqezi


presin trimat
trimat presin
dhe pritjes i thyhen këmbët.


Trimat zbresin nga mali
Me diell në ballë.




THUR E SHTHUR

end e thur
thur e shthur
shumë shumë kemi pritur
Itaka ime


një shekull
dy shekuj
shumë shekuj
pritjes me verbëri Homeri
më në fund i erdhi fundi


krismë në male
krismë në fusha
krismë pas krisme
të erdhi e shumpritura
liri
Kosovë
Itaka ime
të lumtë ne për ty


Besianë, qershor 1999

Sonntag, 22. Februar 2015

Fatime Kalimashi - Hoti

Fatime Kalimashi - Hoti (21.11.1975). Lindi në Ratkoc të Rahovecit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje ndërsa gjimnazin në Rahovec. Që nga fëmijëria është marrë me shkrime letrare. Jeta edhe atë si shumë të tjerë e solli në Zvicër. Ajo ka emigruar në vitin 1995, ndërsa brengën e mërgimit dhe mallin për Kosovën i ka shkrirë në vargun e saj poetik. Lirikat e saj janë përjetime artistike të cilat japin mesazhin e së bukurës, në jetë dhe në art. Poetesha jeton në Saint-Prex të Zvicrës në kantonin Vaud.


VEPRAT LETRARE:

  • "Shtegëtime të shpirtit" - poezi, Rahovec 2009.
  • "Në universin e dashurisë" - poezi, Rahovec 2010.
  • Melodi e dhembjes”, poezi, Rahovec 2012.
  • Voyage”, poezi e zgjedhur, Rahovec 2012.



RRUGË E PAMBARIM

Rrugë e gjatë pambarim
Më dërgon në perëndim
Nga vendlindja më largon
E zemra më digjet flakë

Rrugë e pafund kurrë
E lagur me lot e gjak
Nëpër vite në shtegtim
Kjo rrugë e pandalur kurrë

Sa e gjatë kjo rrugë
Lindje dhe perëndim
Ikim çdo ditë e natë
Në këtë rrugë pambarim



QËNDRIMIT

Ike për të mos u kthyer kurrë
Në rrugë të pa kthim
Si një engjëll fluturove
Aty ku parajsa të priste

Ike pa u përshëndetur
Me prindër motër dhe vëlla
Pa një lamtumirë të fundit
Që kurrë s’kanë më për të parë

Në ëndërr vjen çdo natë
Duke më buzëqeshur
Bisedon sikur të ishe gjallë
Mbyllesh derën dhe ikën prapë

Oh! Qëndrim biri ynë
Sa mall ndjejmë për ty
Na le të pikëlluar
Na le me lot në sy

Të kujtojnë shokët e klasës
Për ty ndjemë mungesën
Në bankë vejmë një tufë me lule
Për t’kujtuar tërë jetën...!



POEZIA IME

Ndoshta nuk beson
Që shkruaj poezi
Me shkronja të arta
Shpreh gjithë dashurinë
Është dëshirë e imja
Të shkruaj për jetën
Gjënë më të shtrenjtë
Që tregon të vërtetën
Shkruaj poezi
Nga ndjenjat e mia
Një rrëfim të hidhur
Që peng mbajti shpirtin tim...



NJË RRËNJË

Një rrënjë pa degë e gjethe
Një rrënjë që nuk shkulet dot
Tani degët janë tharë
Gjethet tretën nëpër botë
Një rrënjë është vetë shpirti im
Që nuk shkulet dot nga trupi
Damarët si degë pemësh
Gjaku dhe zemra si lëngë frutash
Një trup njeriu është vështirë të vdes
Ta ushqesh rrënjën e shpirtit
Zemër njeriu duhet të kesh...!



NJË LETËR

Një letër në dorë e mora
Të shkruaj poezi
Me një laps të thjeshtë
Shpreh gjithë dashuri
Bashkë me një pikë loti
Shkronjat që kisha
Poezinë e shkrova
Mbi fletë lotët më pikojnë
Zemra flakë më digjet
Poezinë e shkrova
Por malli s’po më hiqet.



E MBYLLUR NË QELI

E mbyllur në qeli
Nuk shijova jetën
Në terrin e zi
E këndova këngën
Me sy të përlotur
Shikoja në dritare
Në xhamin e vjetër
Shkrova disa vargje
Më mungon ajri i pastër
Dhe yjet e qiellit
Më mungon drita e hënës
Dhe rrezet e diellit
Marr një copë letër
Ca fjalë të bukura shkruaj
Nga shkronjat e arta
Oh sa shumë po vuaj.



DO TË RUAJ NË ZEMËR

Do të mbaj në folenë time
Do të ruaj në zemër
Të gjitha ato kujtime
Do ta shkruaj emrin tënd
Do të mbaj në zemrën time
Do të ruaj si kujtim
Do të pushosh në folenë time
Do të fus thellë në shpirtin tim
Do të fluturoj në qiell
Do ta ndërtoj një fole
Do të marr dhe ty me vete
Ta ndërtojmë një jetë të re!...



DALLËNDYSHET

Dallëndyshe e bukur shko në atë degë
Atje larg ku ke ndërtuar folenë
Mos rri në vend të huaj si e mjerë
Shko n’atë vend të bukur se ka ardhë pranvera
Mos rri në vetmi në këtë vend me akull
Fluturo në qiell e lëshohu në atë tokë
Mbledhi zogjtë e vegjël rrugëve mos i le
Se ata nuk dinë se çka është kjo jetë
Shko dallëndyshe me ata krahë të lehtë
Merre këtë letër dërgoma në shtëpi
Prindërve të mi dërgoju këtë letër
Thuaj se djali juaj u çon porosi
Përpos lirisë nuk dua asgjë tjetër
Shko dallëndyshe pashë ata t’bukrit sy



DHIMBJA

Kur e shoh dhimbja më kaplon
I varfër por me zemër të madhe
Buka mbetët në gojë fryma ndalet
Psherëti thellë e heshtja me mban
Për këtë njeri fisnik e bujar
Dua ta ndaj frymën e fundit
Varfërinë e tij të skajshme
Me shpirtin tim të ëmbël
U mundova ta ushqej me fjalë
Me shpresë që zemra e tij të rrah
Me dëlirësin e pastër si loti i tij
Por dashurin e mbante për të gjithë!...



E HUAJ JAM

Këtu jam e huaj nuk kam as emër
Këtu jam një zjarr që digjet përbrenda
Këtu jam e huaj nuk kam aspak vlerë
Këtu nuk gjej vend as dielli s’më nxeh
Këtu as gjumi s’më zë askush s’më njeh
Këtu as kënga as gjuha s’ndjejnë lumturi
Këtu veç ëndërra e mallëngjime të kota
Këtu e keqe më duket dhe e mjerë bota
Këtu veç shpresa ende gjallë më mban
Kur t’kthehem në atë vendlindjen time
Aty ku verës lozin çunat e qengjat blegërojnë
Dielli me dëshirë rrezet e arta lëshon. 

Përgatiti: Sh. Dibrani 
___________________
Burimi: www.shkshz.ch

Enver Hadri

ENVER HADRI - HERO I KOSOVËS

  • Më 2006, Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, e dekoroi Enver Hadrin me Urdhrin e Artë "Hero i Kosovës", "për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës".

Enver Hadri (1941- 25 shkurt 1990) ishte veprimtar për të drejtat njerëzore dhe politike të shqiptarëve të Kosovës. Në fillim të vitit 1972 ai u vendos në Bruksel, ku vazhdoi veprimtarinë politike nëpërmjet Organizatës Rezistenca Kombëtare e Shqiptarëve të Kosovës në të cilën bashkëvepronin Enver Hadri, Ramadan Gashi, Riza Kadrija, Agim Rodoniqi etj. Organ i kësaj organizate ishte revista Zëri i Kosovës në gjuhën shqipe dhe frënge, përmes të cilës bëhej thirrje për bashkimin ...e trojeve shqiptare në përgjithësi, sidomos punohej që çështja e Kosovës të futej në agjendat e diplomacisë ndërkombëtare, si Unioni Evropian, NATO, etj,. Në Bruksel, në rrugën e Shqipërisë (Rue d'Albanie) ai formoi dhe drejtoi Komitetin Shqiptar për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.

Më 25 shkurt, 1990, në moshën 49 vjeçare, Enver Hadri u plagos dhe më vonë vdiq në spital nga një atentat në Sent Zhil (origj. Saint Gilles), Bruksel, i porositur nga Shërbimi Sekret Serb (UDBA). Atentatorët, Veselin Vukotiç (Veshko), Andria Lakoniq, dhe Darko Ashanin, e qëlluan me dy plumba në kokë deri sa kishte ndaluar ne një semafor. Hadri kishte me vete listën e 32 shqiptarëve të vrarë në Kosovë nga Serbia të cilën do t'ia dorëzonte të nesërmen Komisionit të të Drejtave të Njeriut të Parlamentin Evropian.

Andria Lakoniç u vra një muaj më vonë nga bashkatentatori i tij V. Vukotiç në një diskotekë (NANA) në Beograd. Darko Ashanin u arrestua në Greqi më 1995, me ç’rast një gjykatë greke urdhëroi ekstradimin e tij në Belgjikë për gjykim, por me ndërhyrjen e Ministrit Grek te Drejtësisë Janis Potakis ai u dërgua në Serbi ku u vra më 1995. Veselin Vukotiç është arrestuar në Spanjë në vitin 2006 dhe ka qenë në burg në Belgjikë deri me 19 dhjetor 2008 kur i është dorëzuar autoriteteve serbe.

Sipas policisë spanjolle, Vukotiç, përpos vrasjes së Enver Hadrit ai kishte edhe dokumente paditëse për kryetarin e Jugosllavisë Sllobodan Millosheviq në lidhje me vrasje të shumëta. Në vitin 2003, një dëshmitar i mbrojtur në gjykimin e Millosheviqit ka dëshmuar se zotëri Vukotiq ka pranuar vrasjen e Hadrit. Dëshmitari i mbrojtur ka dëshmuar prapa xhamit me ngjyrë duke thënë se: Vukotiq më ka treguar për likuidimin e shqiptarëve në gjithë Evropën. Ai e ka bërë këtë më urdhrin e shërbimit sekret jugosllav. Vrasja e fundit e tij ka qenë ajo e veprimtarit Enver Hadri...

Më 2006, Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, e dekoroi Enver Hadrin me Urdhrin e Artë "Hero i Kosovës", "për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës".
_______
Nga WIKIPEDIA