 |
| Arif Demolli |
Arif Demolli lindi më 2 maj 1949 në Gllogovicë të Prishtinës. Mësimet e para i mori në vendlindje, kurse në Prishtinë mbaroi shkollën e mesme normale dhe fakultetin filozofik, grupin e gjuhës dhe letërsisë shqiptare. Pos në arsim punoi në revistën “Bota e Re”, Televizionin e Prishtinës, “Fjala”, “Pionieri” dhe tani në MASHT, në Prishtinë.
Tregimet e tij jane perfshire ne panorama dhe ne antologji te ndryshme te prozatoreve shqiptare. Librat "Ballkonet e nje qyteze" dhe "Pellumbat e kujtimeve" i jane ribotuar edhe në Tiranë. Më 1981 u burgos dhe u dënua me dy vjet burg, kurse deri më 1990 mbeti pa punë dhe pa të drejtë botimi të veprave të tij.
Për romanin "Të gjallët dhe të vdekurit e një fëmijërie" mori Çmimin Pjetër Bogdani të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, kurse për librin "Pse gjirafa ka qafë të gjatë" mori çmimin letrar Vehbi Kikaj. Ishte autor dhe bashkautor edhe i disa librave të leximit.
Arif Demolli ka shkruar krysisht prozë për femijë e për të rritur.
U nda nga jeta më 6 mars 2017.
Veprat letrare
- Pëllumbat e kujtimeve
- Ballkonet e një qyteze
- Lushi si askushi
- Fjalim para tokave të vjetra
- Njeriu i blertë
- Ante portas
- Shkullësit e përjetshëm
- Të gjallët dhe të vdekurit e një fëmijërie
- Lushi në kopshtin e magjepsur
- Druri ku duan të jetojnë të gjithë
- Vdekja e Akanit
- Pse gjirafa ka qafë të gjatë
- Farët magjike
- Lulevera dhe Ylberi
- Si mbetën gjallë shqiptarët
- Pëllumbat e kujtimeve
- Kur je më i vogli
- Nën kafaz-tërë gaz
- Plaku Zemërbardhë
Anton Çefa ka lindur në Shkodër më 1935. Student dhe pedagog i shkëlqyer, studiues dhe krijues i talentuar, por mbi të gjitha njeri i përkryer zgjodhi atë më të vështirën, heshtjen me pasojë harresën, fali gjithçka të bukur për të ruajtur më të shtrenjtën: dinjitetin.
Në vitet e para pas ’90-ës pa ditët e pakta të “ringjalljes”, si drejtor i Radio Shkodrës. Aktualisht editor i Federatës Panshqiptare “VATRA” jeton e punon në New York me sytë, mendjen e zemrën nga oqeani e deti, përtej të cilit ai është.
Është autor i dy librave me poezi, “Dritarja e një britme” dhe “Heshtja ka tingull guri” nga shtëpia botuese Camaj-Pipa 2002 – nga ku janë shkëputur dhe poezitë e mëposhtme.
Poezi nga Anton Çefa
Jehe melodish
Në mendimin tim
thërrmohet një tingull guri
e vorbuj flake
ngre në çdo pikël gjaku
mandej një mal me dhimbje
e jehe melodish
ma të lashta se kohë e gurit.
Heshtja ka tingull guri
Me buzë të gurta
heshtja na i puthi orët
e ditët
e netët.
Një jetë që po dëgjoj
meloditë e heshtjes
në gojët memece
të gurit.
Heshtja ka tingull guri,
kur fjala bahet gur
e koha gur.
Brezit tim
Kopetë e ditëve tona
shkojnë drejt disa brigjeve
të çorodituna
të ndjekuna nga lehje qensh.
Në bulshitë e atyne lehjeve,
të përjarguna
eshtnat e së ardhmes sonë.
Emblema
Po flet?
Shshsh, mos fol!
Fjala ka flatra
e Zeusi s’duron blasfemi.
Kanë tringëllim të përjetshëm
tridhjetë paret,
Juda i ka veshët e gjatë
e përgjon ditë e natë.
Sot ashtë emblemë e jetës
bisku i gjakut,
emblemë pesëcepëshe.
Të gjitha rrugët …
Natë me shti gishtat ndër sy,
por duhet me i thanë mëngjes,
mëngjes me diell, bile.
(Oh, sa t’i marrka dielli sytë!)
Ecim përpara, me hapin lart, marshojmë,
me kangë në gojë, në buzë!
S’e dijmë ku shkojmë,
por të gjitha rrugët të çojnë atje … n’greminë.
Bregu i dritës
Gjiu i shterrun i ditës
nuk pikon dritë
e hana e hyjzit janë fikë.
Në humnerën e universit,
toka mundohet të kapet
në bregun e dritës.
Humbja e diellit
Botës i ka humbë dielli.
Prej syve të errun si qeli burgu
mertisë ashtë drita.
E randë si guri
errësina
mbi shpatulla të qytetit peshon,
mbi kangët e zogjve
dhe mbi çdo fije bari e jete.
E randë si gur.
Kjo natë polare tërkuzë e gjatë,
sa do të zgjasë?
Stinë panairesh
Stinë panairesh dehëse,
pranverë e delireve
që tallaziten në gufim të gjakut
ndër dej.
Panair tingujsh të blerë
kah dridhen në fërgëllim të kalesës,
ma të lehtë se drita
që feks mbas degëzave të kopshtit.
Panair ngjyrash
ma të brishta se fjalët e zogjve
në endje ylberesh.
E aromat,
oh, panairet e aromave,
ma të kandshme
se fryma e foshnjeve në djep!
Stinë panairesh dehëse,
pranverë e delireve!
Çast
Në pritje të blerimit
damarëve të mendimit
rrjedh gjaku i vjeshtës.
Humbja e kujtesës
Në pëlhura damarësh të gjetheve
të vjeshtës
u mplak kujtesa e blerimeve të dikurshme
e humbi.
Sythat në stinët e ardhshme
nuk do të trashigojnë asgja
veç dhimbjes së degëve të mardhuna
dhe ankthit
me thanë nji fjalë të blertë.
Hijet e mugta
Përhumbet dita,
nuk shihen ma format e gjetheve,
veç ndihet frushullimi i shpirtnave të tyne
që fluturojnë
hapsinave të padukshme.
Koha zhbahet dikur
si dita
dhe shpirtnat e sendeve
shndërrohen në hije.
Motiv i dikurshëm shkodran
Drini i lau kambët Kalasë
e dielli, tue u rrëzue mbas Taraboshit,
ia fali lulkuqin e fundit
të ditës.
Puthin aroma lulesh
muret e oborreve të randueme nga shermasheku
e shtëpitë, të mbetuna në gryka blerimesh,
kërrusen
nën peshën e lodhjes së mbramjes
e të qiellit në perëndim.
Krismat e dyerve, që mbyllen njena mbas tjetrës,
dhe të gjitha zhurmat tjera
shuhen ngadalë në valët e liqenit.
Nën nina – nanën e bulkut të natës
dremitin rrugët e vetmueme.
E Shkodra flen.
S’e di mirë ku u takuem
S’e di mirë ku u takuem,
në zemren tande a timen?
s’e di mirë.
Në degëzat e brishta të mallit qëndroje
fluide si floku i borës.
S’e di mirë kur u takuem,
sapo ika nga andrra
apo në andërr isha?
s’e di mirë.
Në shtrojet puplore të andjes qëndroje
e përndezun si flaka e dhimbjes.
________
Biografia e autorit dhe poezitë jnë marrë nga portali shkoder.net
Anton Gojçaj u lind më 4 qershor 1966 në Podgoricë (Mali i Zi). Ka mbaruar studimet për letërsi dhe gjuhë shqipe në Prishtinë, ku ka ndjekur edhe studimet pasdiplomike dhe ka magjistruar. Shkruan poezi, prozë dhe recensione mbi vepra të ndryshme letrare… Jeton në qytezën Tuz (afër Podgoricës, Mali i Zi). Në periudhën 2002-2008 ka punuar në redaksinë e gazetës “Koha javore” në Podgoricë, kurse nga data 1 tetor 2008 ka kaluar me punë në Entin për shkollim, si mbikëqyrës për lëndën mësimore: Gjuhë shqipe dhe letërsi.
Ka botuar këto vepra:
- "Poezi", botoi ILLYRICUM, Tuz 2001
- "Qengj i harruar natën në mal", tregime, botoi SHPRESA, Prishtinë 2003
- "Tema e heroit nacional në letërsi", studim, botoi AIKD, Prishtinë 2004
- "Passio", roman, botoi BUZUKU, Prishtinë 2004
- "Fakticiteti në letërsi", Proza letrare e Anton Harapit, studim, botoi BUZUKU, Prishtinë 2007
- "Shija e librit", recensione – studime – ese, botoi AIKD, Prishtinë 2009
 |
| Andrea Varfi |
(21 shkurt 1914 - 18 shtator 1992)
Andrea Varfi lindi në fshatin Qeparo, më 21 shkurt 1014. Ai vinte nga një familje e mesme fshatare, me tradita patriotike. Shkollën fillore e mbaroi në fshat, me mësuesin e së parës shkollë shqipe të fshatit, babanë e tij, Epaminonda Varfin. Më 1932 mbaroi shkollën e mesme Tregtare të Vlorës, ku dhe nisi të shkruajë shkrimet e para. Më 1935 mbaron degën klasike të gjimnazit në Tiranë. Më 1941 mbaroi Fakultetin e Shkencave Agrare në Universitetin e Peruxhias, Itali. Më 1941 kthehet në atdhe. Shërben si agronom në Zyrën e Bujqësisë së Tiranës dhe në Shkollën Bujqësore të Kavajës. Ka dhënë kontributin e tij me shumë detyra në Luftën Nacionalçlirimtare. Pas Çlirimit emërohet drejtor i Kulturës dhe Propagandës Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, ku drejton edhe revistën “Bujku i Ri”. Në vitin 1947, burgoset për dy vjet. Askurrë s’pranoi gjatë torturimit çnjerëzor që iu bë akuzën e rreme “spiun i anglezëve”. Pasi fitoi pafajësinë ka punuar në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” e më pas në Lidhjen e Shkrimtarëve.
Andrea Varfi është lauruar nga Universiteti i Peruxhias-Itali, më 1942, me titullin “Doktor i Shkencave Agrare”. Në vitin 1993 ka fituar statusin e të përndjekurit politik. Vdiq më 18 shtator 1992, në Tiranë.
Krijimtaria letrare e Andrea Varfit nis në vitet ’30, së bashku me shkrimtarë të tjerë të kohës, si: Nonda Bulka, Aleks Çaçi, Dhimitër Shuteriqi, Sterjo Spasse, Migjeni që i sollën një hop cilësor letërsisë së kohës. Vëllimet poetike, si dhe proza e shkruar para dhe pas Çlirimit u përmblodhën në dy vëllime letrare, më 1989.
Gjatë kohës së luftës mjaft poezi të A. Varfit nëpërmjet kompozimeve të kohes hynë në fondin e këngës partizane dhe qytetëse të kohës. Kështu që më 1934 - 35, Efthim Kovaçi do kompozonte mbi poezinë e Andrea Varfit “Kushtrimi i të shtypurve” që këndohej në rrethet revolucionare. Po kështu janë të mirënjohura dhe këngët “Himni i Ushtrisë”, “Dëshmori partizan”, “Kënga e dëshmores partizane”, “Dëshmorëve”. Në vitet 1952 - 60 ai boton dhe mjaft poezi dhe prozë satirike me pseudonimin “Ager” dhe “Bokërrima”.
Krahas krijimtarisë artistike, A. Varfi është marrë me përkthime e studime letrare, të cilat përbëjnë një ndihmesë të konsiderueshme në letrat shqipe. Ai përshtati në gjuhën e sotme veprat kryesore të De Radës: “Serafina Topia”, “Rrëfime të Arbërit”, “Këngë të Milosaut”, “Krutan i mërguar” dhe ndonjë të Santorit.
Përktheu nga letërsia e përbotshme letërsi nga Ugo Foskolo, Alfieri, Nazim Hikmet, Mauricio Kaprile etj.
A. Varfi u mor dhe me studime gjuhësore, themelin e të cilave e zë problemi i gjenezës së gjuhës sonë prej pellazgjishtes, të cilat kanë mbetur dorëshkrime.
Para se të vdiste, Andrea Varfi la të përgatitur për shtyp një vëllim me veprën letrare dhe muzikore të Neço Muko Himarjotit, me titullin “Zemra kërkon miqësinë”, i pajisur me një parathënie prej tij.
Titujt e veprave
- Këngë e ritme, 1930 (poezi)
- Monografi “Ulliri i Shqipërisë dhe masat për shtimin e përmirësimin e kulturës së tij”, 1943
- Artikuj shkencorë, 300 faqe të karakterit bujqësor e botanik, “Bujku i ri”, 1945-1947.
- Në tingujt e revolucionit, 1951 (poezi)
- Dielli i jetës sonë, 1957 (poezi)
- Një histori e lashtë stërgjyshore, 1957 (poezi)
- Në shpellën e kuqe, “ Nëntori”, 1960 (dramë)
- Në zgjim, 1962 (poezi - prozë)
- Blerim nëntori, 1966 (poezi)
- Vepra letrare 1 (poezi; 332 faqe; janë përmbledhur një pjesë e poezisë që nga vitet’30 deri në vitet ‘74), 1989
- Vepra letrare 2 ( prozë, 353 faqe, janë përmbledhur një pjesë e prozës që nga vitet’30 deri në vitet ‘74), 1989
___________
Nga WIKIPEDIA
Ali Bregu ka lindur në Vinçan të Korçës me 25 maj 1943. Ka kryer studimet e larta për gjuhë-letërsi. Për 40 vjet me radhë ka punuar si mësues në shkolla të ndryshme. Aktualisht është në pension. Pasioni i tij ka qenë letërsia, gazetaria dhe krijimtaria letrare. Veçanërisht vitet e fundit është marrë më shumë me krijimtari letrare duke bërë të mundur botimin e 10 librave me poezi dhe fabula. Vazhdon të shkruajë dhe të botojë krijimtari poetike dhe fabula në shtypin qendror dhe lokal.
Libra te botuar nga Ali Bregu
"Pesha e lotit - Poezi"
"Pertej fjales - Fabula"
"Hipur vij mbi valen tjeter - Poezi"
"Ankimi i delfinit - Fabula"
"Monologu i macokut - Fabula"
"Kazili mendjepresh - Fabula"
"Veshtrim i prushezuar - Poezi"
"Ariu qe mbijeton - Fabula"
"Rrebelim poetik - Poezi (bashkeautor)"
"Oshetima e fjales - Fabula"
Mirenjohjet
- Distinktivi "Mesues i Dalluar"
- Dekorata "Naim Frasheri" - si mesues
- Urdheri "Naim Frasheri - kl i II-te" si mesues
- Dekorate "Naim Frasheri" si publicist
- Urdhri "Naim Frasheri - kl III si publicist"
- Çmimi "Genc Leka" si Poet
- Çmim Special (Netet e Poezise Korcare)
________
Nga WIKIPEDIA
Ali Aliu lindi më 1 prill 1934 në Prespë (Kranjë). Shkollën fillore tetëvjeçare e kreu në qytetin e Manastirit në vitin 1951, ndërsa Shkollën Normale në Shkup, më 1955. Studimet universitare (albanologji) i mbaroi në Universitetin e Beogradit në vitin 1960. Doktoroi në Universitetin e Prishtinës më 1973. Pas studimeve zë punë gazetar në redaksinë “Flaka e vllaznimit” në Shkup, ku punoi dhjetë vjet.
Prej vitit 1969 deri në vitin 1972 punoi redaktor në Edicionin e Botimeve “Rilindja” në Prishtinë. Që nga viti 1972 deri në pensionim ishte ligjërues në Fakultetin Filozofik, përkatësisht në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës ku ka ligjëruar lëndën Teori e letërsisë. Në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2000 anëtar i rregullt i saj.
Është studiues i letërsisë bashkëkohore shqiptare, fushë nga e cila ka botuar shumë vepra. Ka drejtuar disa kandidatë në tema të magjistraturave dhe doktorateve. Ishte njëri nga themeluesit e LDK-së në vitin 1989 dhe anëtar i Kryesisë së saj në dy mandate, deri në vitin 1995. Ka drejtuar zyrën e Kosovës në Tiranë (1991).
Aktualisht ligjëron në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë
Disa nga veprat
- Kërkime (ese dhe kritika) (1970)
- Kritika (1980)
- Studime Letrare (1982)
- Teoria e Letërsisë (1984)
- Don Kishoti ne mesin e shqiptarve (ese) (1996)
- Reflekse Letrare (ese) (1996)
- Antologjia e poezisë bashkëkohore shqiptare (2000)
- Don Kishoti Shqiptar (2012)
__________
Nga WIKIPEDIA
Alfred Çapaliku lindi në Shkodër, më 28 qershor 1952. Debutoi me poezi në shtypin letrar që në shkollën e mesme. Kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në degën Gjuhë-letërsi, më 1973.
Punoi arsimtar në fshatrat e Tropojës e të Shkodrës, si dhe në qytet. Është pedagog i Letërsisë Shqipe dhe asaj të krahasuar, në Universitetin e Shkodrës "Luigj Gurakuqi".
Autori Alfred Çapaliku ka marrë shumë çmime për letersi dhe njëherësh është autor i teksteve te këngëve, disa prej të cilave janë berë hite. Mjafton ta përmendim kësaj radhe këngën tashmë të njohur "Xhamadani vija-vija" të komponuar nga kompozitori Zef Çoba, të cilën për të parën herë e ka kënduar Shkurte Fejza.
Veprat e botuara
- "Kënga e kantiereve" (poezi), Tiranë,1976
- "Për njerëzit e punës" (poezi), Tiranë,1980
- "Java pa ty" (poezi), Shkodër,1995
- "At Vinçenc Prendushi" (monografi), Shkodër, 1996
- " Një javë me perralla" (prozë prë fëmijë), Shkodër, 1998
- "Bernardin Palaj" (monografi), Shkodër, 1999
- "Tregime për ty" (prozë), Shkodër, 1999
- "Muzikë në lëvizje" (poezi), Shkodër, 2000
- "Ufoja dhe lulet" (poezi për fëmijë), Shkodër, 2001
- "Gaspër Pali" (monografi), Shkodër, 2002
- "Alfabeti i munguar" (studime letrare) , Shkodër, 2003
- "Ese dhe studime letrare" (studime letrare, ese), Shkodër, 2005
Poezi nga Alfred Çapaliku
Muzikë në lëvizje
Çiftet përqafuar në shkallaret e shesheve,
Si akrepat e orës në çast të tingëllimit,
Nëse një ditë ndahen, nëse një natë s’shihen?
Bëhen fotografë të verbër në qytet,
S’mbështeten asnjëherë mbi shkopin e urrejtjes,
Armiq të mirë mbesin.
Muzikë në lëvizje është puthja pa u fshehur.
Caku
Të vdekurve u veshin këpucë të reja,
Se duhet të shkelin në udhë pa krye,
Mirazh shkretëtire në rendje pa fund,
Pa semaforë e vija të bardha e shtylla,
Pa policë trafiku e manekinë mode,
Pa kalimtarë në sens të kundërt si duna,
Për gjetjen e orës, adresës së saktë.
Mbi kalldrëme shtruar me gurë sizifi
Trokasin shojet e ngrëna si patkoj kuajsh,
Ciasin gomat si në përplasje veturash,
Thyhet njëqind copash pasqyra e lustrës.
O sa këpucë të reja u shitën sivjet!
Ata shqiptojnë një fjalë ndërkombëtare,
Non stop-in rraskapitës me theks modern,
Në maloren si thikë, pa ndalesa biblike,
Pa pemë, pa zogj lajmëtarë si dekor,
Poshtë lart majtas djathtas para mbrapa – qiell,
Me engjëj merramendës, me djaj rrëshqitës,
Sipas rregullave të qarkullimit të Dantes.
Shohin dyzimin e tyre mbi pluhur këpucësh
Që tingëllojnë si një kor antik në boshllëk,
Gjersa lëkura çahet, këmba rri zbathur.
I largët është caku të mbërrihet tek Zoti,
Me labirinthin e shpresës vetvetiu hapur.
Qiej mermeri
Qiej mermeri
pa peshë,
dallëndyshe kundër rrymës
pa mbërritje,
Pleq ripërtypës kujtimesh
pa tym,
Aerobi pemësh bri rrugëve
pa erë.
E bardha bëhet e kaltër,
E zeza mbetet pa bojë.
Zaret janë hedhur,
Jeta është lojë
Pikat e shiut, lotë virgjëreshe,
Prishen në shtratin e lumit,
Avullojnë të mistershme,
Si britma pa dënesë.
E bardha ngjyhet me të kuqe,
E zeza ndërron bojë.
Në kurthin e ditës,
Jeta është lojë.
Djemtë e rrugicës dhe plaku
Ku janë djemtë e rrugicës së vjetër?
Pyesin rrugët dhe lagjet fqinje.
Ku është zhurma e lodrave të verës?
Në pluhur vetëm gjurmët e tyre.
Të bukurit dhe të mirët djemtë,
Të shkathtit, të pandalshmit ku ikën?
Një zë, nga pragu i ngurtë i derës,
Njërëzve u thirri: – Djemtë u rritën!
Lule vilet vareshin mbi derë
Dhe e ndritnin plakun si fererë.
– Secili djalë braktis murishtën,
Të gjejë të panjohurën e vet,
O njerëz të mirë, pas shumë vitesh
Rrugica do të krenohet me djemtë.
Shpejt erdhi rritja e djemve,
Do të vijnë të na shohin përsëri
Dhe do të sjellin me vete,
Vajzat që kanë marrë me dashuri!
Plaku. Lule vilet mbi derë.
Në zemrat e njerëzve, djemtë.
Lirikë intime
Eja, mbështetemi te pema
Në vetminë e saj prej druri,
Te stoli të ulemi, eja
Në vetminë e tij prej guri.
Nën të njëjtin yll jemi ndeshur
A mund të rrimë pra të ndarë,
Si stoli me trungun e heshtur
Mbjellë shumë vite më parë?
Në flakë vetëtime pashë
Ovalen dridhëse të buzëve
Dhe si një magji poshtë saj,
Gjithçka që në jetë më duhej.
Pastaj gjëmimin, unë ndjeva
Rininë tënde të përkulej,
Në çast u hepova si dega
Dhe gjeta gjithçka që më duhej.
Simbiozë
Dy gjysma jete nuk bëjnë një jetë,
As pjesëtuar nën kryqin e dhimbjes,
As shumëzuar në iksin e shpresës,
Të mbledhura me vetveten e mjerë,
Të zbritura nga maja rrokaqiejsh.
Njeriu ngjyron si pylli në vjeshtë,
Dy gjysma jete nuk bëjnë një jetë.
Karnavalet
Ditën e karnavaleve të botës
Maska gjithëfarësh, nën ritëm prej shiu,
Luajnë kuplete me fund gazmor,
Kafshë imitojnë, insekte xhunglash,
Asimetrikisht bëjnë pirueta,
Për të harrur maskat e vërteta.
Njerëzit e gurit
Burrat e kohës së gurit s’ishin të ngurtë,
Vidheshin me gjethe, u lulëzonin brinjët,
Zbutnin gjithandej gratë e egra,
Shpiknin vegla pune me majë, rrumbullak,
Nuk njihin sistem numërimi për fëmijët,
Shpellat i thellonin me britma pasioni,
Përjetonin vdekjen sipas tyre
Dhe sosnin në skulptura naive.
Takim me Vinçens Prennushin
– In memoriam
“Un jam i Zotit! Qiellin a mund ma pritsh?”
Gegnishtja e ndalun jehonte ilirisht
Dhe kumti flatroi mes yjesh pa u fikun,
Mbas çastit vdektare sa shpejt kishte rilindun.
Të vinte era lule, i veshun me gjeth,
Shejtnisht përmbi krye të shndriste nji rreth,
Në kohën e amshimit nuk ishe dikushi,
Por ambëlsia vetë, Poeti Prennushi.
Stina e gëzuar
Si frynin erërat e stinës ashtu mbrëmë,
Sikur pranvera jepte koncert me tre violinistët
e muajve të saj,
Në sheshet e rrugëve dhe periferitë.
Si endeshin të dashurit nën ombrellat gazmore,
Dy nga dy
Dhe shpërndaheshin mes blerimit nën ritmin
e shiut.
Të gjitha këto ndodhën mbrëmë,
Kur të prisja ndanë një BAR-i
Dhe emrin ta gdhendja në avujt e xhamit.
_________
Marrë nga portali "Zemra shqiptare"