
Behxhet Rexha lind në vitin 1952 në fshatin Rimanishtë të Prishtinës dhe vdiq në vitin 2008 në Rimanishtë. Shkollimin fillorë e kreu në vendlindje dhe Besi, kurse shkollimin e mesëm, pra atë normale dhe studimet, Fakultetin Filologjik, në Prishtinë. Me shkrime letrare u mor që nga vitet e shtatëdhjeta, duke bashkëpunuar me të gjitha revistat dhe gazetat e kohës. Është laureat i çmimit “Ali Sutaj”, që e ndan revista arsimore dhe pedagogjike “Shkëndija”, për kontribut të posaçëm të tij me shkrime. Ishte kryeredaktor i revistës “Këngë lirishte”. Punoi lektor dhe gazetar në një revistë dhe në një të përditshme të pavarur prishtinase. Si krijues i ri, bashkëpunoi me gazeta dhe revista të shumëta të kohës në Kosovë. Së pari shkroi vargjet në faqet për fëmijë të “Rilindjes”, pra “Rilindja për fëmijë “, pastaj në revistën arsimore dhe pedagogjike “Shkëndija”, revisten për fëmijë “Pionieri”, “Zog mengjesi”, pastaj: ”Zëri i rinisë”, “Shëndeti” etj.. Ka bashkëpunuar me shkrimtarë e njohur si Agim Deva, Zejnullah Halili, Veli Veliu, Ali Berisha, Sadri Kelmendi, Sabit Jaha e shumë të tjerë…
Veprat
- Me dorë në zemër, poezi, 1996
- Aguliçe të pllakosura, poezi, 2000
- Lulëkuqe përjetësie, poezi, Iliriku, 2001
- Prore shtegtarë, roman, Iliriku, 2003
- Valërrëgalla gjarpëronte ca andrralla, poemë, Iliriku, 2004
- Çapkëni, tregime, Arkenza, 2005
- Mbi flatrat e qeshurisë –I-, 2005
- Mbi flatrat e qeshurisë –II-, 2005
- Zemra krejt altruiste, roman, 2005
- Këngë uniteti, Arkenza, 2006
- Arnimi burrërisht, Prishtinë, 2007
_________
Nga WIKIPEDIA
 |
| Bashkim Hoxha |
Bashkim Hoxha është gazetar, dramaturg, skenarist dhe shkrimtar i lindur në 1954. Ka krijuar disa vepra letrare të njohura mbarë shqiptare dhe për to qyteti i Durrësit me rastin e 50 vjetorit t lindjes së tij i ka dhënë mirenjohje "Qytetar Nderi" i Durrësit.
Nga dora e shkrimtarit Bashkim Hoxha kanë dalë me radhë veprash si :"Heronjte e Viagres", "Romance ne diten e krimit", "Lakuriq", "Ground Zero" ( "Dëshmitari i Shkretëtirës"), "Hotel Ballkan", "Mbreti i Vesës", "Mot i keq për dashuri", "Fjalë të ndyra dashurie", "Njeriu tjetër", "Një lolo dhe një mbret", "Unë dhe Mefistofeli" (dramë), "Ftesë për gjyq", "Këngë dashurie dhe korba", "Qyteti pa dashuri". Hoxha është në kulmin e krijimtarisë së tij dhe një emër, që nuk i mungon asnjëherë publikut. Po ashtu Bashkim Hoxha është i njohur për emisonin e tij të mëngjesit "Koha per t'u zgjuar", në të cilin komunikon me nje pjese teleshikuesish për probleme ne pergjithesi që nga viti 1997. Me 30 qershor 2010 Presidenti i Republikes z. Bamir Topi i akordoi titullin MJESHTER I MADH ne nje ceremoni ku u dha edhe premiera e komedise se tij "Udhetimi pa vize i nje alieni".
Tituj të veprave
- "Heronjte e viagres"
- "Romance ne diten e krimit"
- "Sakrifica"
- "Lakuriq"
- "Ground Zero"
- "Dëshmitari i Shkretëtirës"
- "Hotel Ballkan"
- "Mbreti i Vesës"
- "Mot i keq për dashuri"
- "Fjalë të ndyra dashurie"
- "Njeriu tjetër"
- "Një lolo dhe një mbret"
- "Unë dhe Mefistofeli" (dramë)
- "Ftesë për gjyq"
- "Këngë dashurie dhe korba" (drame)
- "Qyteti pa dashuri"
- "Ne te gjithe kenduam Margariten"(komedi)
- "Udhetimi pa vize i nje alieni" (komedi)
Ka sjell në filma këto skenare
- Valsi i ngrirë në Prishtinë (1999) (TV)
- Kronika e një nate (1990)
- Një vonesë e vogël (1982)
- Ne cdo stine (1980)
- Një udhëtim i vështirë (1977)
- Zemrat që nuk plaken (1977)
Fragment nga romani "Missing"
…
Vazhdoj ditën time të punës si përherë, dhe si përherë ndalem pak më gjatë te Maria. Maria që bën dantella. Për motiv ka zgjedhur një flutur të madhe, të bardhë. Më thotë se do ta fitojë çmimin e parë. Asnjë prej grave nuk ka mundur të bëj dot një flutur kaq të madhe e kaq të brishtë, njëkohësisht.
Unë i bëj një pyetje që atë e çudit.
“Marie, në qoftë se një burrë vret një grua, ku mendon ti se do ta fsheh?”
Përgjigja e saj është e menjëhershme:
“Në kazanin e plehrave.”
“Në kazanin e plehrave?”
“Po. Aty e hodhën Joanën.”
Pastaj ajo më tregon historinë e trishtuar të një vajze rumune, njëzet vjeçe, që jetonte në të njëjtën shtëpi me Marien në Itali. Prostitutë. Por ama një prostitutë mëkatare. Njerëz të ndryshëm kanë mëkate të ndryshme. Për një prostitutë është mëkat të bjerë në dashuri. Ia var punës dhe fillon të mendojë për të ikur. Si të gjithë mëkatet, edhe ky ndëshkohet. Tutorët vendosin ta vrasin. E mbysin në vaskë. Pastaj e marrin trupin e saj, e fusin në një thes të madh, të zi, nga ato që futen plehrat dhe e hedhin në koshin e plehrave të lagjes matanë. Marien e detyrojnë të ruajë derisa të vijë makina për të marrë plehrat. Zakonisht makina vjen në orën shtatë. Ajo qëndron në këmbë nën një shtyllë elektrike dhe pret. Makina vjen si zakonisht me uturimë. Dy punëtorë zbresin dhe centrojnë koshin në pjesën fundore të saj. E kthen përmbys dhe gjithçka zbrazet në karrocerinë e saj. Rrapa tap, rrapa tap. Rrapa tap, rrapa tap. Makina përzien plehrat në kazanin e madh. Pastaj e lëshon koshin e zbrazët dhe dy punëtorët e lënë në vendin ku qëndron zakonisht. Makina niset, dy punëtorët ngjiten në të në ecje e sipër, dhe shkon të marrë koshat e pikës tjetër. Makina bën shumë zhurmë në ecje e sipër. Karroceria e saj uturin. Rrapa tap, rrapa tap, rrapa tap, rrapa tap. Përzien plehrat me njëra-tjetrën, i grin. Bashkë me to, grin kockat e Joanës. Derisa të zhduken. Derisa të bëhen një me plehrat.
Përfytyroj Danielin në një skenë krimi të ngjashme. Ka ngarkuar në kurriz trupin e Monës. E ka futur në një thes plehrash.
Nuk vazhdoj më me këto përfytyrime, sepse më duket makabre.
“Nuk ka ndonjë mënyrë tjetër?”, pyes Marien.
“Ka”, më thotë ajo.
“Hedhje në lum. Murosje.”
“Murosje? Si në legjenda.”
“Pa këngë. Përplasur në gropën e hapur të themelit, pak çaste pasi të vijë makina e betonit plot zhurmë rrapëllimë. Vjen e të mbulon, të kthen në një cep muri ku askush më nuk ta di adresën.”
Në një cep muri ku askush më nuk ta di adresën. Jo, Mona nuk mund të ketë një fat të tillë. Unë e njoh mirë. Ajo nuk nënshtrohet. Mund të bëjë zgjedhje të gabuara, por nuk i bën sepse mashtrohet. Janë zgjedhjet e saj.
Mona e ka në gjak flirtin. Ngjan nga e ëma, që duhet të ketë qenë pak e vetërrëmbyeshme në histori të ndryshme dashurie. Në fund të fundit ato të dyja besojnë se dashuria dhe flirti i japin kuptim jetës së një femre, i japin atë ngarkesë emocioni që i bën gjërat të vërteta dhe të jetuara. Unë e kam pasur të qartë që në fillim që ajo nuk mund të vazhdonte në pafundësi me Danielin. Ai vërtet ofron shumë, por për tipin e Monës, ofron edhe monotoninë e një jete të ndrydhur në një dashuri të vetme.
Nuk mund ta durojë dot këtë gjë. Ndjehet si një robinjë e lidhur në një trung pylli, ndërsa rreth e qark është errësira e pamatë që ofron mundësi, edhe pse të frikshme. Me siguri është dashuruar me atë deputetin, shenjat janë. Afërsitë që lindin dashuritë ekzistojnë. Atë si politikan dhe këtë, si dashnore më shumë e vetes se e të tjerëve, i lidh mungesa e sinqeritetit. Për të dy jeta është një spektakël. Luajnë rolet, duke pritur rrethanën. Kur rrethana ka mbërritur, e kam të paqartë se çfarë rrjedhe kanë marrë rrugët e të treve, Danielit, Monës dhe deputetit. Gjithmonë vjen një kryqëzim.
Gjithmonë vjen një kryqëzim,
Kur nuk di se nga të shkosh,
Ngre dorën të shikosh se nga fryn era,
Kërkon të gjesh pikat e horizontit,
Por ato ngatërrohen,
Në kokën e mbushur me mëdyshje.
Do rrugën e qetë a të rrezikut.
Kemi kohë që kemi zgjedhur qetësinë,
nuk e kërkojmë më rrezikun.
Edhe pse ajo është rrugë me më shumë variacione Këtu hyn në mes aritmetika. Aritmetika e jetës është e çuditshme. Ne e kemi harruar këtë aritmetikë, Ka kohë që hesapet nuk i bëjmë me zemër, por nxjerrim makinën llogaritëse. Nuk i marrim ne vendimet, i merr makina llogaritëse. Nejse, le të kthemi te kjo e hënë, që për mua është e rëndësishme. Në pushimin e drekës më kërkon Genti. Ka mbledhur informacionet dhe vjen të më thotë se çfarë ka gjetur.
“Njoftim për zhdukje nuk ka”, më thotë ai.
“Këtë e dija.”
“Në sistemi TIMS rezulton se një vajzë
me një emër të tillë nuk e ka kaluar kufirin për të shkuar ndonjë vend tjetër.”
“Po ku është atëherë?”
“Ndoshta ka gjetur ndonjë dashuri tjetër. Ngaqë punojmë në burgje, me njerëz që kanë bërë krime ne e kemi lehtë ta besojmë çdo histori, që ndodh si një histori krimi. Ka mundësi të jetë tani në ndonjë hotel, e mbyllur në dhomë, shijon dashurinë e radhës.”
“Kaq thjesht?”
“Kaq thjesht.”
“Po përse të mos mendojmë rastin më të keq…”
“A e di ti sa braktisje dashurie ndodhin në ditë? Po lexoja një ditë një kuriozitet në internet. Çdo 10 sekonda një çift ndahet në botë. Po të shuaje nga një dritë kudo që janë ata, do të dukej globi ynë si rrugica ime që kur bie shi i digjen një e nga një dritat.”
“Domethënë…”
“Domethënë, një histori dashurie që përfundon me ikje si miliona histori të ngjashme”, e zhvleftëson ai alarmin tim.
“Unë përsëri kam një parandjenjë që ajo është zhdukur”, këmbëngul unë.
“Institucionet lëvizin mbi fakte dhe jo mbi parandjenja”, më kujton ai.
“Po a mund ta gjejmë se ku është? Në qoftë se nuk e kanë zhdukur, a mund ta gjejmë se ku është fshehur?”
“Më mirë presim. Sa herë na ka ndodhur për vajza që prindërit i deklarojnë të zhdukura, ne nisim kërkimet, dhe befas shfaqen përkrahu me dashuritë që kanë përzgjedhur, duke na e shkuar huq gjithë kërkimin dhe shqetësimin.”
“Por edhe shumë të tjera nuk janë shfaqur më pas. Në korridorin e policisë është një mur i mbushur me fotografi të zhdukurish, apo jo? Kush tha që Mona nuk i përket kësaj kategorie.”
“Duhen fakte, miku im. Parandjenjat, shenjat, janë pjesë e fallxhorëve dhe nuk mund të ngatërrohen me hetimin”, ma mbyll ai bisedën dhe unë atëherë marr vendimin që ta kërkoj vetë, pa pasur nevojë për policë.

Bardhyl Lame Xhama ka lindur në Fterrë më 13 qershor 1933. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën 7-vjeçare dhe shkollën e mesme pedagogjike i përfundoi në Gjirokastër në vitin 1953 me rezultate të shkëlqyera. Po këtë vit emërohet mësues matematike në gjimnazin “Asim Zeneli”. Që nga viti 1954 deri në 1959 punon në arsim në Delvinë, si mësues , zëvendësdrejtor e drejtor shkolle tetëvjeçare e gjimnaz. Gjatë kësaj periudhe kryen studimet me korrespondencë në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë. Nga viti 1959 gjer në vitin 1964 punon në Sarandë si inspektor arsimi, nga viti 1964 deri në vitin 1969 është drejtor në gjimnazin “Hoxha Tahsin” të Sarandës.
Në vitin 1969 transferohet në Tiranë si redaktor e më pas Sekretar Kolegjiumi i gazetës “Mësuesi”. Në vitin 1981 emërohet zëvendësdrejtor në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor dhe më 1982 fillon punën si Shef Sektori për Gjuhën dhe Letërsinë në Institutin e Studimeve Pedagogjike. Në vitin 1989 del në pension.
Si mësues e kuadër në arsim është shquar për përgatitje të lartë shkencore, metodike e drejtuese. Si gazetar e studiues ka shkruar me qindra shkrime e studime shkencore pedagogjike. Si shkrimtar ka botuar 11 libra artistikë për fëmijë, romane, novela, vëllime me përralla, vëllime me rrëfenja etj.
Tetë nga veprat e tij janë nderuar me çmime në konkurset kombëtare të letërsisë për fëmije e të rinj.
Ka shkruar mbi njëqind përralla e tregime ne organet e shtypit, pjesë për teatrot e kukullave, radiotregime e teletregime, radionovela, skenarë dokumentarësh televizivë etj.
Ka dhënë ndihmesë të veçantë në Shoqatën Mbarëkombëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj, si nënkryetar i saj për një kohë të gjatë.
Mban shumë urdhëra e medalje dhe titullin “Mësues i Merituar”
Botimet
- Zjarrfikësi i pyllit - 1987
- Lejleku me akullore - 1998
- Tre vëllezërit - 2003
- Tërfili me katër fletë - 2003
- Përrallat e detit - 2003
- Ekspedita e kaltër - 2004
- Arratisje nga kafazi - 2007
- Zhytësit e vegjël - 2007
- Pëllumbi me fjongo të kuqe - 2007
- Shtëpia pa libra, si trupi pa shpirt - 2012
__________
Nga WIKIPEDIA

Aziz Mustafa lindi më 24 dhjetor 1967 në fshatin Malishevë të Gjilanit, është mjek dhe poet shqiptar. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje ndërsa Fakultetin e Mjekësisë në Zagreb të Kroacisë, kurse specializimin për otorinolaringolog-kirurg të kokës dhe qafës në Prishtinë, Insbruck dhe Strasbourg. Punon si specialist ORL në QKUK në Prishtinë. Ka publikuar punime shkencore në revista ndërkombëtare të otorinolaringologjisë. Është magjistër i shkencave mjekësore që nga viti 2005, kur ka magjistruar në temën mbi komplikimet e pezmatimeve kronike të veshit të mesëm me kolestatomë. Është një nga themeluesit dhe anëtar i Shoqatës së Otorinolaringologëve dhe Kirurgëve të Kokës dhe Qafës të Kosovës, është anëtar i Shoqatës Policer (Shoqata Botërore e Otologëve) dhe anëtar i Shoqatës Mesdhetare të Otologëve dhe Audiologëve si dhe Shoqatës Ballkanike të ORL-së. Është recenzent disa revistave shkencore të ORL-së, mes tyre edhe i revistës "Laryngoscope". Publikimet e tij në lëminë e ORL janë të cituara në databazat kryesore të literatures botërore si: PubMed, Index Copernicus, Scopus, Google schoolar, EBSCO, etj. Është redaktor për ORL në revistën shkencore "Case Reports International".
Më 6 korrik 2012 në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Nishit mbrojti me sukses tezën e doktoratës me titull "Qasja moderne në trajtim të mastoiditit akut te fëmijtë dhe të rriturit" dhe u shpall doktor i shkencave mjekësore. Pos mjekësisë, është i angazhuar edhe me krijime letrare. Me shkrime merret që nga shkolla fillore. Shkruan kryesisht poezi për të rritur. Ka botuar 3 përmbledhje me poezi:
Veprat letrare
- "Pasaportë kam kafkën time”, “Jeta e re”, Prishtinë 1996,
- “Matja e kohës së ndalur”, Shkup, 1999, dhe
- "Mëso të thuash jo", Rozafa, Prishtinë, 2004.
Azizi është fitues i disa konkurseve letrare. Është prezentuar edhe në shumicën e faqeve të internetit që botojnë letërsi shqiptare. Nga viti 1999 është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Ka marrë shpërblime të ndryshme të konkurseve letrare dhe ishte pjesëmarrës i takimeve të poetëve shqiptarë në Shkup, 1999 dhe në Festivalin ndërkombëtar të poezisë “Vjeshta 2003” në Pogradec. Aziz Mustafa eshte perfshire ne botimin e 31 (2014) te "Marquis Who's Who in the World" per te arriturat e tij ne mjekesi dhe letersi. Jeton punon në QKUK dhe krijon në Gjilan.
________
Nga WIKIPEDIA
 |
| Axhem Çapo |
Axhem Çapo lindi në fshatin Dukat në rrethin e Vlorës më 10 janar të vitit 1924. Shkollën fillore e kreu në Dukat, shtatë-vjeçaren në Shkodër dhe të mesmen në Tiranë. Në vitin 1944 doli partizan dhe menjëherë pas luftës filloi të punonte në administratën e Ministrisë së Brendshme, në Burrel e në Shkodër, deri sa u lirua më 1954. Më vonë, pas një specializimi, filloi punë si teknik markshedër e topograf në ekspedita të ndryshme gjeologjike. I nxitur nga takimet me njerëzit e punës nëpër Shqipëri filloi të shkruante artikuj, portrete, reportazhe, tregime të shkurtra e poezi në shtypin e kohës. Pas vitit 1990 shkoi si emigrant në Francë, u vendos në Nantë bashkë me gruan, ku fitoi edhe të drejtën si rezident.
Tani, megjithëse në moshë të madhe, vazhdon të merret me studime në fushën e kurioziteteve dhe enciklopedive sa në Francë dhe në Shqipëri. Bashkëpunon me shtypin e kohës, veçanërisht me revistën "Krahu i shqiponjës", organ i OJQ Shoqata Kulturore "Bilal Xhaferri" dhe gazetën "Drita", botim i LSHA.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ka botuar rreth shtatë libra dhe ka edhe disa të tjera në shtyp.
Veprat e botuara
- “Dukati ynë”, publicistikë, 1998
- “I mërguar nga Dukati”, poezi, 2001
- “Një natë pa hënë”, tregime, 2001
- “Enciklopedi e Dukatit”, 2005
- “Debatoj me ata që duan të zhvlerësojnë Enciklopedinë e Dukatit”, 2006
- “Njohuri enciklopedike nga Misteret e Botës I”, 2006
- “Njohuri enciklopedike nga Misteret e Botës II”, 2007, etj.
____________
Nga WIKIPEDIA
 |
| Aurel Plasari |
Aurel Plasari ka lindur më 1956 në Tiranë. Është mësimdhënës, studiues, shkrimtar, përkthyes. Ka filluar të botojë përkthime nga letërsia botërore qysh në moshën 17-vjeçare, gjatë viteve të shkollës së mesme. Pas shkollimit të mesëm ka kryer shërbimin e detyruar ushtarak dhe, duke qenë se për disa vite i mohohej e drejta e studimeve të larta për shkaqe “biografie”, e ka filluar punën në nivelet më të thjeshta të shtypit, si korrektor në shtypshkronjën “Mihal Duri”. Nga viti 1982 ka punuar korrektor letrar në revistën “Nëntori”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Me përfundimin e studimeve të larta më 1989 ka punuar redaktor i letërsisë së përkthyer po aty, ndërsa nga 1990 sekretar i Kolegjiumit të redaksisë në po të njëjtën revistë.
Prej vitit 1990 u ftua si pedagog i jashtëm në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitet të Tiranës. Pasi kreu më 1991 specializimin pasuniversitar në Universitetin “Alcalá” të Madridit (Spanjë), më 1992 kaloi pedagog ordinar në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, UT, ku ka kryer edhe detyrën e zv.dekanit. Ka dhënë si lëndë ordinare “Histori e estetikës” dhe “Bazat e estetikës”, ndërsa si kurse speciale: “Hyrje në narratologji”, “Teori e receptimit” etj. Më 1994 është doktoruar në fushën e Letërsisë së Krahasuar, e para doktoraturë e kësaj fushe në vend. Nga 1995 më 1996 ka qenë lektor i ftuar në INALCO (Institut des Langues et Civilisations Orientales), Paris. Prej vitit 1996 ka vijuar detyrën në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, UT, për t’u shkëputur më 1998, kur është ftuar të drejtojë Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, detyrë që e vijon ende sot. Në Masterin e Nivelit të Dytë të Shkencës së Bibliotekave, organizuar për herë të parë në sistemin arsimor shqiptar, ka dhënë lëndën e rikonceptuar “Hyrje në albanologji”. Ndërsa më 1995 kishte kryer habilitacionin për “Profesor i asociuar”, prej vitit 2010 mban titullin “Profesor”.
Nga 1990 deri më sot ka marrë pjesë në veprimtari shkencore-akademike kombëtare dhe ndërkombëtare: në USA, Kosovë, Itali, Francë, Spanjë, Rumani, Greqi, Austri, Bullgari, Poloni, Hungari, Çekosllovaki, FYROM etj.
Ka drejtuar edicionin e ri të revistës kulturore “Hylli i Dritës” prej vitit 1993 deri më 1997 (kur u mbyll), si dhe ka qenë dhe vijon të jetë i pranishëm në shtypin e lirë shqiptar, përfshi edhe gazetën “Rilindja Demokratike” prej numrit të saj të parë, me shkrime dhe artikuj të fushave të ndryshme të kulturës, por edhe të politikës. Nga 1990 disa përmbledhje autorësh në zë të traditës, si Fishta, Merxhani, Harapi, Beduli etj. janë përgatitur prej tij, po ashtu ka qenë drejtuar prej tij kolana “Intelligenda” (shtëpia botuese “55”), me kontribues të albano-balkanologjisë, si Jorga, Jirecek, Gelchic, Suliotti, Londres, Konica, Nadin, Xhufi etj.
Në fushën e veprimtarive të kulturës ka drejtuar disa juri kombëtare, si dhe ka marrë pjesë si anëtar në juri kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin jubilar 2012 ka qenë anëtar i Komitetit Ndërministeror të Festimeve të 100-Vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.
Libra të botuar
- Don Kishoti zbret në Shqipëri, Tiranë 1990;
- Vija e Teodosit rishfaqet, Tiranë 1993; T. 1995;
- Letërsia dhe muret, Tiranë 1993;
- Anton Harapi Redimensus, Tiranë 1994;
- Kuteli midis të gjallëve e të vdekurve, Tiranë 1995;
- Fishta i dashuruari, Tiranë 1996;
- Plani i fshehtë për një Internacionale të re, Tiranë 1996;
- Përballë një kulture të vdekjes, Tiranë 1997;
- Biopolitika: a ekziston në Shqipëri? Tiranë 1999;
- Fenomeni Voskopojë, Tiranë 2000;
- Dhjetë ditë që nuk tronditën botën (arlekinadë), Tiranë 2001;
- Lufta e Trojës vazhdon, Tiranë 2002;
- Rrëmbimi i Europës, Tiranë 2005.
- Alfabete në Bibliotekë, Tiranë 2008;
- Skënderbeu: një histori politike, Tiranë 2010.
Në gjuhë të huaj
- Saint Jerôme - fils d’Illyrie, Tirana 1990;
- La linea di Teodosio torna a dividere, Bari 1998; Bari 2000;
- The Line of Theodosius reappears, New York 2001;
- Il ratto dell’Europa, Bari 2009.
Përkthime
- L. Hughes: Lumi i vrerit, T. 1976;
- J. L. Caragiale: Një letër e humbur, T. 1977;
- H. Smirnenski: Të bëhet dritë, T. 1977.
- Këngë të popujve, T. 1978 (bashkëpërkthyes);
- A. Jozsef: Shoku pyll, buçit, T. 1979;
- Muzat në vitin e luftës, T. 1980 (bashkëpërkthyes);
- Poetë francezë, T. 1980 (bashkëpërkthyes);
- A. Mizkiewicz: Vjersha dhe poema, T. 1980 (bashkëpërkthyes);
- F. García Lorca: Jerma, T. 1982;
- F. García Lorca: Dasmë gjaku, T. 1985;
- Tregime e novela të shek.XX, T.1983 (bashkëpërkthyes);
- Antologji e poezisë së re greke, T. 1986 (bashkëpërkthyes);
- G. García Márquez: Gjethurinat, T. 1986, Prishtinë 1988;
- Kolonelit s’ka kush t’i shkruajë, T. 1986, Prishtinë 1988;
- Një histori me paskuinë, T. 1986, Prishtinë 1988;
- Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar, T. 1986, Prishtinë 1988; T. 1999;
- Esé dhe shkrime të tjera kritike, T. 1988 (bashkëpërkthyes);
- J. Cortázar: Autostrada e Jugut, T. 1988, Prishtinë1989;
- F. Dostoiewski: Net të bardha, T. 1990, T. 1995; T. 1999;
- Poetë spanjollë të shekullit XX, T. 1991;
- M. Sorescu: Një flatër dhe një këmbë, T. 1993;
- J. Cortázar: Armët e fshehta, T. 1999;
- O. Fallaci: Mllefi dhe krenaria, T. 2001;
- A Ahmatova: Përzitje, T. 2003;
- A Ahmatova: Poezi, T. 2009;
- I. Montanelli: Shqipëria një dhe njëmijë, T. 2003; T. 2005;
- C. Malaparte: Teknika e grushtit të shtetit, T. 2006
Çmime dhe nderime
- 2012, Mirënjohje e Kuvendit të Shqipërisë, në 100-Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
- 2010, Çmimi “KULT”, për përkthimin “Poezi” nga Anna Ahmatova, Akademia “Kult”.
- 2009, Dëshmi e Mirënjohjes. Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës.
- 2008, "Ordine al Merito della Reppublica Italiana”. Presidenti i Republikës Italiane.
- 2005, Çmimi “Best Practice”, edicioni I, Për drejtimin e Bibliotekës Kombëtare. Junior Chamber Italiana / Junior Chamber International.
- 2003 Çmimi “Serembe”. Për librin “Lufta e Trojës vazhdon”. Fondacioni “Serembe”.
- 2000 “Penda e Argjendtë”. Për përkthimin e librit “Armët e fshehta”, Julio Cortazar; Ministria e Kulturës.
- 1993, Çmimi “Përkthimi më i Mirë Letrar”. Për librin “Një flatër dhe një këmbë”, Marin Sorescu. Ministria e Kulturës.
- 1989, Urdhri “Naim Frashëri” “Për kontribut të veçantë e me nivel të lartë artistik në fushën e përkthimeve letrare”. Presidiumi i Kuvendit Popullor.
_________
Nga WIKIPEDIA
 |
| Astrit Bishqemi |
Astrit Bishqemi lindi më 18 korrik 1943 në Elbasan. Pas shkollës së mesme pedagogjike, vazhdoi për matematikë-fizikë në Institutin Pedagogjik 2-vjeçar të Shkodrës dhe mandej studimet e larta për gjuhë e letërsi në qytetin e lindjes. Në Universitetin e Tiranës mbrojti doktoraturën me temë “Teoria dhe historia e letërsisë për fëmijë e të rinj”.
Ka punuar arsimtar e drejtor në shkolla të ndryshme tetëvjeçare e të mesme të rrethit të vet, në Librazhd, në Peqin e në Elbasan; redaktor i gazetës lokale “Shkumbini” (1973-1977). Që nga viti 1981 (fillimisht pedagog i jashtëm, më tej efektiv), jep leksionet e lëndës së letërsisë për fëmijë e të rinj në Universitetin “A. Xhuvani” – Elbasan.
Mban titujt “Mësues i Merituar” dhe “Profesor i Asociuar”. Në qershor 2009, nga Ministria e Kulturës dhe Sektori Shqiptar i IBBY-t u nderua me çmimin e karrierës “Orët” për “punë të përkushtuar në studimin e letërsisë shqipe për fëmijë dhe si krijues i afirmuar”. Veç çmimeve kombëtare në fushën e krijimeve për fëmijë, në vitin 2010 ka qenë nominuar kandidat i Shqipërisë për Çmimin e lartë botëror “Astrid Lindgren”, që jepet në fushën e Letërsinë për Fëmijë e të Rinj (shih në internet: Astrid Lindgren Avvard 2010).
Vjershën e parë e botoi te revista “Fatosi”më 1959, ndërsa përmbledhjen e parë më 1972. Më vonë iu kushtua tërësisht krijimtarisë letrare për fëmijë.
Në fushën e letërsisë për fëmijë e të rinj ka botuar:
Novela:
- Gjoksshkëmbi (fantastiko-shkencore) – NAIM FRASHËRI, T.1972
- Tregim për nënën trimëreshë – NAIM FRASHËRI, T.1974
- Përtej oborrit diellor (fantastiko-shkencore) – NAIM FRASHËRI, T.1978
- Partizani fotograf – NAIM FRASHËRI, T.1980
- Një verë plot ngjarje – NAIM FRASHËRI, T.1981
- Kur çelnin livarëzat e arrës – NAIM FRASHËRI, T.1984
- Epitafi dinak – gazeta FJALA E LIRË, Elb.1994; (Kjo ndodhi në Fushë-Kosovë) ERIK, T.2009
- Burgu i qelqtë – ONUFRI, Elb.1995; MËSONJTORJAE PARË, T.2002
- Doriu i luftërave – ONUFRI, Elb.1996; ERIK, T.2009
- Zezona e qumështit – SEJKO, Elb.1996
- Për një gotë çaj – SEJKO, Elb.2004
Vëllime me tregime e përralla:
- Detyra – NAIM FRASHËRI, T.1974
- Çelësi i depos – NAIM FRASHËRI, T.1976
- Gëzofi i Tokës (fantastiko-shkencore) – NAIM FRASHËRI, T.1977
- Kallëzimet e kokërrzave të breshërit (tregim shkencor) – NAIM FRASHËRI, T.1978
- Fidani i dardhës – NAIM FRASHËRI, T.1978
- Drugdhendësi i vogël – NAIM FRASHËRI, T.1978
- Libri i grisur – NAIM FRASHËRI, T.1984
- Trimëria – NAIM FRASHËRI, T.1985
- Dhëmbët e ujkut – SEJKO, Elb.1996
- Kur nisa rrugën e shkrimeve – ONUFRI, T.1997
- Thesi i gjallë – TOENA, T.1998
- Gjyshër e nipër – SEJKO, Elb.2001
- Si ia hodhëm kompjuterit – SEJKO, Elb.2002
- Papuçe për princ Pison – SEJKO, Elb.2003
- Shtëpiza ime (përralla e kallëzime diturake) – SILVER, Elb.2003
- Maçoku me celular (Një pëllëmbë me përralla) – ERIK, T.2004
- Kallëzimet e Kaltrit – SEJKO, Elb.2006
- Mali i Vashës (tregime) – JONALDA, T.2012
Romane:
- Me vështrimin lart – NAIM FRASHËRI, T.1986
- Udhëtim i jashtëzakonshëm (fantastiko-shkencor) – NAIM FRASHËRI, T.1987; [SEJKO], Elb.2000
- Zemër, o bir! – FLESH, T.2000
- Fustanet e dallëndysheve – SEJKO, Elb.2003
- Kronikë me tank – SEJKO, Elb.2004
- Klik: Rrapatushët 1 (Rrapatushë prej allçini dhe prej së vërteti) – EXTRA, T.2007
- Klik: Rrapatushët 2 (Endje nëpër botë) – EXTRA, T.2007
- Klik: Rrapatushët 3 (Hidhemi në të shtatën) – EXTRA, T.2007
- Klik: Rrapatushët 4 (Fillime dhe… maja) – EXTRA, T.2007
- Si u rrit një poet – RAMA GRAF, Elb. 2011
Shqipërime (nga italishtja e frëngjishtja), përshtatje etj.:
- Ali Baba dhe dyzet hajdutët (ritregim) – ONUFRI, Elb.1993; MËSONJTORJA, T.2003
- Xhani Rodari: Pinoku dinak – KRISTOFORIDHI, Elb.[1993]
- Xhani Rodari: Xhelsominoja në vendin e gënjeshtarëve (roman) – SEJKO, Elb.2002; DY LINDJE… T.2007
- Leit Sauervein: Indiani i vogël Hyshte – SEJKO, Elb.[2002]
- Zhak Deval: Misteri i Oqeanorit – SEJKO, Elb.[2002]
- Marie-Helene Deval: Fëmija egërsirë – SEJKO, Elb.[2002]
- Maria Markone: Anija kozmike e Alekut (roman) – SILVER, Elb.2003
- Daniel Defo: Robinsoni (përkthyer nga Lumo Skëndo 1908, sjellë në gjuhën e sotme) – SEJKO, Elb.2005; DY LINDJE… T.2007
- Zhyl Vern: Aventurat e kapiten Haterasit (përshtatur për fëmijë) – DY LINDJE..., Elb. 2007
- Xhonatan Suift: Udhëtimet e Guliverit (përshtatur për fëmijë) – DY LINDJE…, T.2007
- Simbol i punë dhe i korrektësisë (bashkautor me Shpëtim Haxhihysenin; monografi për mësuesin Ibrahim Ibrushi) – SHPRESA, T. 2012
Studime në fushën e Letërsisë për Fëmijë e të Rinj dhe tekste për arsimin e lartë:
- Gazmore 300 e ca… buzëqeshje sa? – TOENA, T.1996
- Nga ditari i një shkrimtari për fëmijë – SEJKO, Elb.2005
- Hyrje në teorinë e letërsisë për fëmijë – SEJKO, Elb.1997; (e ripunuar: SEJKO, Elb.2004)
- Eja, ta lexojmë bashkë një vjershë! (komentar) – “ELBASANI 2000”, T.1998; ERIK, T.2010
- Letërsia botërore për fëmijë – SILVER ,Elb.1999; (e ripunuar: SEJKO, Elb.2006)
- Histori e letërsisë shqiptare për fëmijë – SEJKO, Elb.2001; (e ripunuar: DY LINDJE…, T.2008)
- Vlera të anatemuara… (Gjurmime e studime) – SEJKO, Elb.2005
- Autorë e tekste letrare, probleme e vlera… – SEJKO, Elb.2007
- Autorë të letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj, 1886-2009 (Fjalor enciklopedik) – DY LINDJE…, T.2009
- Tragave të letërsisë… (gjurmime e studime) – RAMA GRAF, Elb. 2011
Bashkautor në tekste të arsimit bazë:
- Edukata morale dhe politike, 5 – LIBRI SHKOLLOR, T.1982 etj.
- Edukata morale dhe politike, 6 – LIBRI SHKOLLOR, T.1982 etj.
- Edukata morale dhe politike, 7 - LIBRI SHKOLLOR, T.1983 etj.
- Edukata morale dhe politike, 8 – LIBRI SHKOLLOR, T.1983 etj.
- Të njohim historinë e popullit tonë, 4 – LIBRI SHKOLLOR, T.1990, ’94; Istoria na Albania: T.1994; ETMM, Prishtinë 1994
- “Libri – miku më i çmuar i fëmijëve” (Doracak bibliografik) – botim i Fondacionit ECE – Elb.2000
- Të njohim historinë e popullit tonë, 4 (botim i ri, i ndryshuar) - LIBRI SHKOLLOR, T.2000 etj.
- Gjuha shqipe, 7 – MORAVA, T.2006, ’07; SHKRONJË PAS SHKRONJE, T.2008
- Dua të lexoj 2 (antologji; lexime plotësuese për nxënësit e kl. II, shoqëruar me aparat pedagogjik; hartoi: Astrit Bishqemi, Ardian Tana) – DY LINDJE e DY PERËNDIME, T.[pa vit. bot. 2011]
- Dua të lexoj 3 – DY LINDJE e DY PERËNDIME, T.[pa vit. bot. 2011]
- Dua të lexoj 4 – DY LINDJE e DY PERËNDIME, T.[pa vit. bot. 2011]
- Dua të lexoj 5 – DY LINDJE e DY PERËNDIME, T.[pa vit. bot. 2011]
- Xixëllime letrare 6 (antologji; lexime plotësuese për nxënësit e kl. VI, shoqëruar me aparat pedagogjik; hartoi: Astrit Bishqemi, Skënder Karriqi) – DY LINDJE e DY PERËNDIME, T.[pa vit. bot. 2011]
- Xixëllime letrare 7 – DY LINDJE e DY PERËNDIME, T.[pa vit. bot. 2011]
- Xixëllime letrare 8 – DY LINDJE e DY PERËNDIME, T.[pa vit. bot. 2011]
- Xixëllime letrare 9 – DY LINDJE e DY PERËNDIME, T.[pa vit. bot. 2011]
- Dua të lexoj 1 (antologji; lexime plotësuese për nxënësit e kl. I, shoqëruar me aparat pedagogjik; hartoi: Astrit Bishqemi, Ardian Tana) – DY LINDJE e DY PERËNDIME, T. 2012