Freitag, 31. Juli 2015

Adem Demaçi, një jetë në shërbim të kombit.


Jeta edukimi nga shkolla - burgu dhe liria

Adem Demaçi u lind diku në gusht’shtator 1935, por zyrtarisht babai i tij Zeqiri e regjistroi më 26. 02. 1936. U rrit në rrethana tejet të varfëra, tipike për shqiptarët e asaj kohe. Pas okupimit italian më 1941, për herë, në plan të gjerë, në Kosovë u hapën edhe shkollat shqipe. Më 1942, me këmbënguljen e nënës së vet dhe me dëshirën e flaktë të vetë vogëlushit Adem, babai arriti ta regjistronte atë në shkollë, ndonëse për nga trupi ai dukej më i vogël se sa e kishte moshën. Në shkollë u tregua fort i zellshëm dhe i suksesshëm, por me guximin dhe kureshtjen e vet, shumë herë shkaktonte “skandale” politike”. Demaçi:Adem Demaçi, krahas krijimtarisë letrare, ishte shumë i gjallë në kontaktet e tij në mesin e inteligjencës së re dhe shumë i afërt me popullin e thjeshtë të Kosovës së robëruar. Ai nuk nguroi që në dasma, në të pame dhe ndeja të ndryshme, me guxim dhe haptas të dënonte padrejtësitë e shumta të cilat regjimi serb vazhdimisht, në mënyrën më të vrazhdë, ushtronte ndaj shqiptarëve. Dënonte shpërnguljen masive nën dhunë të shqiptarëve për në Turqi. Dënonte diskriminimin e shqiptarëve në çdo hap. Dënonte fushatën e ashtuquajtur të mbledhjes së armëve që ishte ushtruar në dimrin e 1955 – 1956, dënonte arrestimin e dënimin e grupit të studentëve me në krye Rexhep Latifin dhe Nysret Novakazin në Prishtinë dhe grupin e Burhan Pashollit në Shkup, sepse këto raprezalje frikësonin edhe më shumë turmat shqiptare dhe bënin që edhe më shumë të merrte hov shpërngulja e shqiptarëve për në Turqi. Në pranverën e vitit 1958, në revistën letrare me emër dhe me tirazh shumë të madh, „Jeta e re“ falë guximit dhe përkujdesjes së poetit Esad Mekuli, në dy numra rrjesht u botua romani i Adem Demaçi “Gjarprinjt e gjakut”. Romani ishte shkruar me shumë dialogje në gjuhën popullore dhe kjo bëri që ai të kuptohej shumë mirë jo vetëm nga inteligjenca, por edhe nga turmat e gjera të popullit. Romani, nën petkun letrar, me aludime dhe metafora pothuaj të hapta ishte në të vërtetë nje mesazh politik. Porosi ishte që shqiptarët t’i lenin më një anë mëritë dhe ngatërresat me njeri tjerin dhe krejt energjitë e tyre t’i drejtonin kundër pushtuesit. Regjimi policor serb nuk e pati të vështirë ta kuptonte sfidën e Demaçit. Pas afro njëzetë rrëfenjave dhe romanit të botuar, popullariteti i Demaçit u rrit fort jo vetëm në qarqet letrare shqiptare gjë që bëhej një pengesë jo e vogël për regjimin totalitarist. Emri i Adem Demaçit po lakohej me dyshim të madh nëpër zyrat e policisë sekrete serbe. Kupa po mbushej. Ai do të vihej, shumë shpejt, para provës dramatike jetësore: ose do të përkulej dhe do të inkorporohej në strukturën e regjimit, në funksion të vazhdimit të robërimit të popullit të vet, ose do të shqelmohej pa mëshirë nga regjimi dhe do të kalonte nëpër kalvarin e pafund të mundimeve


Burgosja e e Adem Demaçit

më 19. 11. 1958, në Prishtinë, “në emër të popullit” Adem Demaçi u arrestua dhe pas disa muajsh në hetuesi, u nxuar para Gjyqit të Qarkut nën akuzën se ka bërë delikt politik, i inkriminuar si “propagandë armiqësore”. Mirëpo para gjyqit, Adem Demaçi, nuk mori rrugën e mbrojtjes, por kaloi në sulm frontal kundër regjimit duke numëruar të gjitha të zezat që kishte pësuar dhe po pësonte populli shqiptar nga pushtuesit serbë dhe doli me kërkesën që nëse duam të mos derdhet gjaku dhe të ruhet paqja, Kosova duhet urgjentisht të shkëputet nga pushtimi jugosllav dhe të bashkohet me nënën e vet – Shqipërinë!


Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve

Nga pranvera e 1963, Adem Demaçi, bashkë me Ahmet Haxhiun (i ndjeri), Fazli Graicevcin ( i ndjeri), Zeqir Gërvallën, Selman Berishën, Azem Beqirin, Hilmi Rakovicën (i ndjeri), Emine Rakovicën, Rexhep Ukë Drenicën (i ndjeri), Tefik Karamanin, Xhaferr Mahmutxhikun, Dibran Bajraktarin (i ndjeri), Teki Dervishin (Kadri Kusarin (i ndjeri), Din Spahiun (i ndjeri), Isa Demajn (i ndjeri), Rexhep Elmazin (i ndjeri), Shefqet Strofcin, Avdyl Lahun (i ndjeri), Mustafa Venharin ( i ndjeri), Hysen Dacin, Mahmud Dacin ( i ndjeri), Durak Mazrekun ( i ndjeri), Mejreme Berishën, Sulejman Drinin ( i ndjeri), Elheme Shalën, Ali Sokolin (i ndjeri), Drita Halimin, Xheladin Dedën (i ndjeri), Ajshe Cakën dhe Nazmi Sejdiun, iu rrek punës së rrezikshme dhe tepër të vështirë për formimin e “Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”Sipas kujtimeve të nënës së tij kreshnike, Nazife Lahu’Demaçi Adem Demaçit me shokë. Pas dy-tre aksioneve, më 8 qershor 1964, ky u arrestua bashkë me shumicën e organizatorëve. Pas hetimesh të egra, gjatë të cilave, nga torturat pat vdekur Fazli Grajcevci, grupi u nxuar para gjyqit. Dënimet qenë vërtet drakonike (prej gjashtë deri në pesëmbëdhjetë vjet), mirëpo edhe efekti politik, si në opinionin e brendëshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm, ishte fort i madh. Në qarqet politike të kohës, regjimit të Jugosllavisë së atëhershme i duhej të përgjigjej ndaj shumë pyetjeve të pakëndëshme. Adem Demaçi, më 8 qershor 1974, doli nga burgu i Pozharevcit, gjendja në Kosovë ishte larg më ndryshe se në qershor 1964. Edhe pse dominimi jugosllav ende ishte mjaft i pranishëm, për sa u takon çështjeve thelbësore për lirinë e Kosovës, gjasat për të arritur lirinë përmes një evolucioni të shkallëshkallshëm nuk ishin të pamundëshme. Dukej se për Titon dhe për komunistët, tashmë të moderuar sllovenë, kroatë dhe boshnjakë, ideja dhe mundësia e pavarësimit të dalëngadalshëm të të gjitha njësive federale nuk ishte më diçka e huaj dhe e largët, përfshi këtu edhe Kosovën, deri në një lidhje konfederale. Kështu do t’i jepej fund të gjitha kundërshtive dhe kundërthënieve nacionale në ish’federatën jugosllave.


Denimi i sërishëm i Adem Demaçit

Më 6 tetor 1975, Adem Demaçi u burgos në Prishtinë për të tretën herë. Në procesin e kurdisur, pas hetimeve mizore, u dënuan, me dëshmitarë të rremë dhe në mënyrë të pamëshirshme, Adem Demaçi, Rexhep Mala (i ndjeri), Skënder Kastrati dhe 16 vetë të tjerë. Dënimet u prenë prej 15 deri në 5 vjet. Ndonëse fare i pafajshëm, Adem Demaçi, nuk hoqi dorë nga ideja e tij se shqiptarët kanë të drejtë të jenë të lirë dhe të barabartë me të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit dhe shqiptimin e dënimit ndaj tij prej 15 vjetësh.
Me 21 prill 1990, Adem Demaçi me shumë shokë u liruan nga burgjet e Kroacisë.


Adem Demaçi - Rojtar i Popullit të tij

Adem Demaçi, është një personalitet të cilin mund ta shohim në majat më të larta të aktiviteteve për çeshtjen kombëtare, e herë pas here, njerëz të caktuar të kuluareve të errëta që vijnë nga sherbimet sekrete të armikut përpiqën që emrin e Demaçit ta heshtin për jetë. Për gati 29 vjetë, në burgjet e ish-Jugosllavisë, Adem Demaçi u përballë me të gjitha të këqijat që i vinin nga okupuesi e nga servilet e okupuesit për ta larguar nga rruga e tij e drejt madje qoftë edhe për një periudhë të shkurtër.


Filozofia e mendimit politik te Demaçi

Nuk është rastësi që Parlamenti Evropian e shpërblen me çmimin “Saharov” në vitin 1991. “Gjatë jetës në burgje, Adem Demaçin, nuk kanë mundur t’ia thyejnë shpirtin e lirisë. Ai vazhdonte ta ngrinte zërin për të denoncuar një realitet të tmerrshëm: shtypjen e mbi dy milion shqiptarëve të Kosovës nga Serbia. Shprehja e fjalës së lirë është etapa e parë dhe e domosdoshme në rrugën e demokracisë. Pa shprejhje të lirë të fjalës, nuk ka dialog, pa dialog është vështirë zbulojmë të vetetën, dhe pa të vertetën progresi është i pamundur”.  Filozofia e mendimeve politike të Adem Demaçit është shumë e thjeshtë dhe shumë e kuptueshme. Mendimet e tij politike nuk kanë nevojë të analizohen për ta kuptuar se çka ka dashur te thotë. Adem Demaçi nuk filozofon shumë për të kërkuar pak. Nuk flet pak për të thënë shumë. Flet vetëm atë që duhët thënë dhe atë më esencialen. Ai, kërkoi vetëm atë që popullit tonë i takon. Demaçi e flet atë që e mendon pa i llogariutur konsekuencat dhe pasojat që mund t’i vijnë nga njerëzit primitivë, qofshin nga tanët apo të palës se armikut. Çuditërisht, personalitetet politike evropiane e amerikane i citojnë mendimet politike të Adem Demaçit dhe i çmojnë si perla të filozofisë politike permes të cilave Adem Demaçi lenë gjurmë të pakontestueshme në luftën e tij të çlirimit kombëtar. Mendimet e Demaçit janë aq të vlefshme e të çmueshme sa ato do të qëndrojnë dhe rrezistojnë edhe në një ardhmëri shumë të largët.


Vlerësimi Evropian për Adem Demaçin

Me marrjen e çmimit « Sakharov », Parlamenti Evropian Adem Demaçin e radhit në piedestalin me të lartë të personaliteteve botërore, gjurmet e të cilëve do të mbesin perjetësisht në historinë e njerëzimit . Paradoksale. Kur inteligjencia evropiane e çmon mendimin e Demaçit, në Kosovë Demaçi margjinalizohet. E pabesueshme dhe krejtësisht e tmerrshme. Njeriu që çmohej si simbol i rezistencës kombëtare, sot injorohet. Njeriu nga i cili u inspiruan gjenerata e gjenerata se si duhet fituar lirinë sot askujt nuk i sherben madje as atyre që dikur u kishte sherbyer si model. E Adem Demaçit nuk i behet vonë, se ai e ka objektivin e tij qe e din ku shkon dhe pse shkon. Adem Demaçit i dhimbsen edhe ata që ishin dhe janë në rrugë të gabuar, ata që interesin personale i vejnë mbi ato kombëtare. Adem Demaçi nuk mburret për veprimtarinë e tij, por ai ende lufton për vetëdijsimin e shtresës politike që të lirohen nga folklorizmi i tyre primitiv e të shndërrohen në popull politik. Vetëm në këto momente Kosova do të bëhet Dardani, thotë Demaçi ne një intervistë (2004).


Themelues i shkollës së romanit modern në Kosovë

Në pamundësi për t’iu rikthyer politikës, në pamundësi për t’i ndihmuar popullit të tij përmes veprimtarisë politike, Adem Demaçi do t’i rikthehet fjalës së bukur artistike, si në vitët e 50-ta, që shquhej për tregimet e tij dhe pa asnjë dyshim Demaçi do te mbetët si themelues i shkollës së romanit modern në Kosovë. Vetëm në krijimtarinë artistike Adem Demaçi do të lundrojë i qetë e pa u penguar nga askush. Në krijimtarinë e tij artistike, do të futët thellë në botën magjike të shkrimit që lexuesit tonë t’ia afrojë përvojen e tij, vuajtjet dhe sakrificën jo vetem personale, por mbarëkombëtare. Kudo plaga e vuajtjeve kombëtare Adem Demaçin do ta shoqërojë e ne prozën tij kjo do të vërhet më së miri. Rikthimi në krijimtari, Adem Demaçit do ia sjellë lumturinë e humbur dhe prehjen shpirtërore që më në fund askush nuk ka mundësi ta pengon. Me rikthimi në letërsi Adem Demaçi jep prova se lufta për çlrimin kombëtar nuk duhet te ndalet dhe se ajo mund të zhvillohet në shumë drejtime. Adem Demaçi me punën e tij jo vetëm letrare, por edhe politike, është futur në faqet e historisë dhe emri i tij do të skalitët me shkronja të arta deri ne perjetësi.

Adem Demaçi, është një personalitet te cilin mund ta shohim ne majat më të larta të aktiviteteve për çështjen kombëtare, e herë pas here, njerëz të caktuar të kuluareve të errëta qe vijnë nga shërbimet sekrete të armikut përpiqen që emrin e Demaçit ta heshtin për jete. Mirëpo, nuk ekziston asnjë mjet, asnjë force e asnjë metode, qe Adem Demaçin ta demoralizoje nga dashuria e madhe qe ai e ka për popullin e tij. Për gati 29 vjet, në burgjet e ish-Jugosllavisë, Adem Demaçi u prrallë me të gjitha të këqijat qe i vinin nga okupuesi e nga servilët e okupuesit për ta larguar nga rruga e tij e drejt madje qoftë edhe për një periudhe të shkurtër. Kurrë Adem Demaçin nuk do ta shohim te lodhur: as atëherë kur ndonjë nga “shokët” do ia kurdisi grackën, as atëherë kur njerëzit tanë do t’i dalin si dëshmuar qe ka vepruar “kundër shtetit dhe popullit”, as kur ndonjë matrapaz me titull shkencor do të shkruaje për ta njollosur Demaçin, as atëherë kur u krijuan institucionet e Kosovës të cilat do ta margjinalizonin figurën dhe personalitetin e Demaçit. Jo. Demaçi është i pathyeshëm, Demaçi as qe hidhërohet me ata të çilet përpiqen ta njollosin. Kjo është një veti shume e rrallë, një veti që e kanë vetëm njerëzit e mëdhenj, vetëm njerëzit e mençur e te urtë.



Të tjerët për Adem Demaçin

Profesor, doktor, Hakif Bajrami, njohësi ndër më të mirët  dhe ndër më të përkushtuarit e veprimtarisë atdhetare, filozofike dhe politike të Adem Demaçit shkruan: “Filozofia dhe gnoseologjia e veprës së Demaçit, janë një fushë, të cilën duhet ta hulumtojnë institucionet ose akademitë e shkencave. E them këtë, sepse një hulumtim  si ky, individual, nuk do të mund t’i përfshinte të gjitha sferat, që të mund të kënaqnin lexuesit në të ardhmen e largët. Po e them këtë, sepse nga kjo afërsi kohore, rëndësia historike e Adem Demaçit, si institucion kombëtar, që ka vepruar personalisht dhe brenda burgut, sidomos për kauzën e lirisë në përgjithësi dhe njëkohësisht për kauzën kombëtare, jashtë burgut, me idetë dhe ndikimet e tij, në masat e reja të popullit, kjo disi nuk mund të përthekohet. (Dr. Hakif bajrami:“Epoka e Adem Demaçit”, Prishtinë, 2009, f.6.)

Selatin Novosella, ish i burgosur politik dhe autor i disa librave, në të cilat ka trajtuar veprimtarinë  ilegale në Kosovë e më gjerë, është po ashtu njohës shumë i mirë i jetës dhe i veprave të Adem Demaçit. Ai në një prononcim të tij për medie, lidhur me veprën e tij, “Demaçi Metaforë lirie”, ndër të tjera ka shkruar: Sado që të shkruash për të, kurrë nuk je i sigurt që ke thënë mjaft, meqë jeta dhe vepra e tij është një minierë e artë. Sado që ta hulumtosh, cilësia e arit del më e pastër dhe më kualitative dhe më e qindpërqindtë. Kështu, jeta dhe vepra e Adem Demaçit, në esencë është  histori e Kosovës”...  Shembulli jetësor i Adem Demaçit, me plotë të drejtë, atë e ka shndërruar në  INSTITUCION në vete, çka nuk mund të thuhet, qoftë edhe për një njeri tjetër në Kosovë. (S. Novosella:  Demaçi, Metaforë lirie, Prishtinë 2006.)

“Me humanizimin e tij, Adem Demaçi i sfidoi të gjithë, madje edhe atëherë kur u keqkuptua. Kur të gjithë prisnin prej tij që të paralajmëronte një luftë revolucionare, ai nga burgjet serbe paralajmëronte një mision afatgjatë historik kundër Jugosllavisë së mbështetur nga Lindja dhe Perëndimi. Kur të gjithë prisnin prej tij që të kundërshtonte Jugosllavinë si shtet dhe si përbërje etnike, duke përfaqësuar individin që nuk lufton për demokracinë jugosllave po për lirinë e popullit të vet, ai mbështet  mendimin e disidencës jugosllave për lirinë dhe çlirimin e të gjithë popujve. Edhe pas rënies së sistemit komunist dhe madje fillimit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, kur të gjithë prisnin prej tij që të niste në fushatë kundër populizmit serb, ai i identifikon ata si ‘vëllezër’ të një misioni të përbashkët. Edhe kur Serbia merr shtyrjen e fundit ndërkombëtare, kur prej Demaçit dikush priste hakmarrjen e fundit kundër atij sistemi dhe atij populli që e kishte mbajtur tri dekada në burgje, ai u bë fryma e humanizmit dhe lirisë së Kosovës: përfaqësues i zyrës së UÇK-së, në të cilën bashkoheshin kërkesat e luftëtarëve të lirisë, ndërmjetësuesit e diplomacisë ndërkombëtare dhe madje kërkesat e qytetarëve serbë”. Myrvete Dreshaj-Baliu, Begzad Baliu: Adem Demaçi dhe kulti i frymës së tij. “Fjala e lirë” 17. 4. 2012.


Veprat:
  • Fërkime,
  • Gjarpijtë e gjakut,
  • Libër për Vet Mohimin,
  • Heli e Mimoza,
  • Nëna Shegë e pesë gocat,
  • Shkrumbnajë e dashur,
  • Dashuria kuantike e Filanit,
  • Alb Prometeu,
  • Politika dhe Pushka
  • Tung vargu im.

Donnerstag, 25. Juni 2015

Kështu flisnin burrat e shqiptarisë


Ismail Qemali:
Kujt i takon vendi?

        Njëri nga delegatët që morën pjesë në shpalljen e Pavarësisë, iu drejtua Ismail Qemalit:- Më duket s'e ka vendin aty Luigj Gurakuqi, në krye të dhjetë-pesëmbëdhjetë mësuesve dhe të tri katër shkollave. Ai duhet të ishte së paku ministër i Luftës.
         Ismail Qemali, duke qeshur, iu përgjigj:
         - Luigj Gurakuqi, në krye të gjeneralëve të tij arsimtarë, do të luftojë kundër armikut më të tmerrshëm e më të rrezikshëm të popullit tonë qe tash sa shekuj është ulur këmbëkryq në vatrat tona; kundër errësirës dhe padijes. Sepse duhet ta dish, mik i dashur, se një komb pa dije e arsim është gjysëm i lirë. Pra, jo ministër po kryeministër të luftës e kemi zgjedhur Gurakuqin. Më thuaj tani, kujt nga ne, përveç atij, i takonte ky vend?



Mos kini frikë, zotëri…
      
 Pas shpalljes së Pavarsisë, më 1912, një gazetar anglez e pyeti Heroin e Popullit Ismail Qemali:
        - Si do t'i bashkoni në një shtet katolikët e Veriut me myslimanët e Shqipërisë së Mesme me ortodoksët e Jugut?
       Dhe Ismail Qemali ia priti:
        - Mos kini frikë, zotëri. Ata janë bashkuar e bërë njësh prej kohësh, përmes kultit të të njëjtit atdhe, të cilin e kanë në zemër prej shekujsh përpara se t'i sillnin të huajt këto besime!



Shqipërinë e përfaqësojnë shqiptarët

        Në qershor të vitit 1878, para kryeministrit britanik, lordit Bikonsfild, u paraqit përfaqsuesi shqiptar me memorandumin e nënshkruar nga 500 vetë patriotë të Veriut.
        - Ç'është kjo Shqipëri? Atë e përfaqëson qeveria osmane.
        - Jo, zotëri, - i tha ai. - Shqipëria nuk mund të përfaqësohet nga qeveria osmane, por nga vetë shqiptarët. Ne nuk jemi as duam të jemi osmanllinj, por do të luftojmë me të gjitha forcat kundër cilitdo që do të kërkonte të na mbante në robëri. Ne duam të jemi vetëm shqiptarë.
       - Këto fjalë i thua ti?
       - Jo, këto i ke të shkruara këtu në memorandumin që të dorëzoj…



Ne nuk jemi kokëfortë!

        Kur delegacioni shqiptar shkoi në Londër për t'i paraqitur ministrit të jashtëm anglez lordit Grei kërkesat e drejta të popullit shqiptar, ky i fundit i tha Ismail Qemalit:
        - Ju shqiptarët jeni shumë kokëfortë dhe kërkoni me çdo kusht të përmbushni kërkesat tuaja.
        - Në qoftë se ju e quani kokëfortësi mbrojtjen e atdheut, të tërësisë tokësore dhe të drejtave të popullit, bir i të cilit je, pa u tutur nga askush, - atëherë dijeni, se këtë kokëfortësi shqiptari e ka pasur, e ka dhe do ta ketë sa të jetë bota.
        Patrioti Ismail Qemali thoshte:
       "Unë shpresën nuk e kam te bejlerët e te arhondët që kërkojnë të fitojnë princllëke. Shpresa ime është në të zotët e opingave, të cilët janë të zotët e vërtetë të Shqipërisë".



Po ti, përse fut hundët në punët tona?

        Kur kryeministri i qeverisë osmane mori vesh se më 28 Nëntor 1912 shqiptarët kishin shpallur pavarësinë e Shqipërisë dhe shkëputjen e saj nga osmanllinjtë, i dërgoi këtë telegram kërcënues Ismail Qemalit:
       - Me ç'të drejtë guxove të shpallësh pavarësinë e Shqipërisë?
       Dhe Ismail Qemali, pa vonuar, ia ktheu përgjigjen:
       - Po ti, me ç'të drejtë guxon të fusësh hundët në punët tona?




Isa Boletini

       Ismail Qemali kur vajti në Londër për t'u takuar me Kryeministrin e Anglisë, e shoqëronte Isa Buletini.
       Isa Buletini në brez kishte vënë dy kobure.
       Mirëpo, kështu të armatosur nuk e linin të hynte në kryeministri dhe bënë fjalë me të. Ismail Qemali i bëri me shenjë të dorëzonte armët.
       Këtë punë e mori vesh edhe kryeministri e, në bisedim e sipër, si me të qeshur i tha Isa Buletinit:
       - Sido që të jetë e çarmatosëm edhe shqiptarin.
       - Shqiptarët s'ka burrë t'i çarmatosë - u përgjigj Isa Buletini dhe nxori koburen tjetër që kishte fshehur.



Flamuri është i shqiptarëve

         Kur Isa Boletini po kalonte nëpër Myzeqe, në krye të trimave të tij kosovarë, për të ardhur në Vlorë më 28 nëntor 1912, një lajmëtar i doli përpara dhe i tha:
         - Baca Isa, Ismail Qemali po ju pret. Ai e ngriti flamurin e Shqipërisë në Vlorë.
         Dhe Isai, mendueshëm, iu përgjigj:
         - Jo vetëm të Shqipërisë, more bir, por flamurin e të gjithë shqiptarëve kudo e nën këdo që të ndodhen. Ai është flamuri i të gjithë atyre që flasin shqip e kanë në dej gjak shqiptari. Dhe këtë do ta ruajnë e do ta mbajnë gjithmonë kudo që të ndodhen.




Të pret me muzikë e të vret me thikë

         I dërguari i Stambollit i shkoi në shtëpi Isa Boletinit dhe e pyeti përse nuk doli ta priste Sulltan Reshatin kur ai erdhi në Kosovë në korrik të vitit 1911.
         - Nuk mund të vija se ju më kërkuat të dorëzoja armët!
         - Pse, nuk u zure besë fjalëve të sulltanit?
         - Unë i zë besë vetëm grykës së pushkës që mbaj me vete. Sulltanët të kanë pritur gjithmonë me muzikë e të kanë vrarë pas shpine me thikë.




Nuk u bie në gjunjë as për kryet e nëntë djemve

         Një ditë të bukur korriku të vitit 1908, kur dy djemtë e Isa Boletinit po ktheheshin në Shqipëri nga Stambolli, xhonturqit ia mbajtën peng, sepse Isai nuk kishte pranuar të shkruhej anëtar i xhemijetit. Ata e kërcënuan Isanë duke i dërguar lajmin: ose të zbriste në Mitrovicë e të shkruhej anëtar i xhemijetit, ose nuk do t'i shihte kurrë djemtë e tij.
         Dhe Isa Boletini u dha këtë përgjigje:
         - A, kaq për zemërpakët më mbani sa t'u bie në gjunjë për kryet e dy djemve të mi? Jo, unë nuk bie në gjunjë as për kryet e nëntë djemëve të mi…




Sidoqoftë detyra e tij është e një shërbëtori

         Një ditë Isa Boletini u nis tek bashqatipi i Sulltanit për të protestuar kundër ndjekjeve politike që i bëheshin popullit kosovar. Portjeri, Halil-aga, të cilit edhe ministrat ia kishin frikën dhe i bënin komplimente, kur Isai deshi të hynte brenda i tha në mënyrë kategorike:
         - Është e ndaluar!
         Kur Isai u nis drejt derës Halil-aga e kapi për krahu. Atëherë Isai e kapi nga mesi dhe e rrokullisi tatëpjetë shkallëve. Natyrisht u dëgjua shamata dhe dolën të gjithë nga zyrat, me bashqatipin në krye dhe panë Halil-agën në fund të shkallëve.
         Isai, si pa të keq, hyri në zyrën e bashqatipit.
         - E këshilloni shërbëtorin që t'i dallojë njerëzit, - i tha.
         - Nuk është shërbëtor, por njeri me gradë të lartë që kryen detyrën e portjerit.
         - Sidoqoftë detyra e tij është e një shërbëtori - ia preu Isai.




Nuk i dorëzoj mysafirët e shtëpisë sime

         Nga fundi i vitit 1903, dy rekrutë të krahinës së Mitrovicës patën ikur nga Shani i Bagdatit në Stamboll. Me të zbritur në një lagje të Stambollit, ata pyetën dhe gjetën shtëpinë e Isait, e cila gjendej nën vëzhgimin e policisë së Sulltanit. Kështu policia e mori vesh ku ishin strehuar dy rekrutët që kishin braktisur shërbimin ushtarak. Ajo kërkoi dorëzimin e tyre.
         - Më kanë ra në shtëpi dhe janë të lodhur. Janë të njohurit e mi dhe, kur të çlodhen, do të merremi vesh - u tha ai policëve.
        Pas një jave shkoi vetë komandanti i policisë Hasan Pasha. Ai i kërkoi Isait dy rekrutët për t'u gjykuar nga Ministria e Luftës.
        - Ju duhet t'i kishit zënë kur rekrutët u nisën nga Shani në Stamboll, tani është turp për ju që i kërkoni dhe turp për mua që t'i dorëzoj. Për ngjarjen u njoftua Sulltan Hamiti. Ai me një letër urdhëroi të dorëzoheshin të dy rekrutët. Isai iu përgjigj:
        - Djelmoshat janë bij të bjeshkës së Kosovës që nuk e durojnë dot vapën arabike dhe më parë të më vijë vdekja mua se sa të dorëzoj mysafirët e shtëpisë sime.




Rrapo Hekali:
Një qind herë më mirë se ju

        Bejlerët e Jugut, të shqetësuar nga luftrat e Rrapo Hekalit, i thanë njëherë:
        - Pa na thuaj, ore, si do të qeveriset vendi me një tufë leckamanësh që ke grumbulluar rreth vetes?
        - Njëqind herë më mirë se ç'e qeveris Sulltani me një tufë kusarësh, maskarenjsh si ju - ua përplasi në fytyrë përgjigjen Rrapo Hekali.




Shtjefën Gjeçovi:
Gjuha e kombi shqiptar nuk vriten…

        Një natë para se shovinistët serbë t'i zinin pusi dhe ta vrisnin pabesisht mësuesin Shtjefën Gjeçovi, ai i mblodhi nxënësit në shkollën e tij, në fshatin Zym të Prizrenit dhe u përsëriti, si gjithmonë pas çdo mësimi, këto fjalë:
        "Shqypnia asht vendi ku kena le e na jena vetëm shqiptarë. Gjuha jonë asht shqypja. Këto mos i harroni kurrë, fëmijë të dashur".
        Dhe atë mbrëmje, kur do të kthehej për në shtëpi, rojtari i shkollës i tha:
        - Ruaju, zotni Shtjefën. Armiqtë të kanë vu në shenjë e nuk e durojnë këtë shkollë shqipe!
        - Ani ç'ka!, - u përgjegj duke qeshur Gjeçovi - Mua edhe mund të më vrasin, por gjuhën dhe kombin shqiptar nuk do të mund t'i vrasin kurrë…




Shahin Kolonja:
Edhe këtë e dimë…

        Shahin Kolonjën, publiçistin e shquar e demokrat, në kohën kur ai drejtonte gazetën "Drita" të Sofjes, e pyeti një personalitet i vendit.
        - A e dini se Shqipëria ka shumë armiq dhe se ju do ta keni shumë të vështirë t'i dilni zot çështjes suaj?
        Dhe ai u përgjigj:
        - Që Shqipëria ka pasur gjithnjë shumë armiq, këtë e dinim; që ka ende shumë armiq, prapë këtë e dimë; por që ne jemi mësuar të luftojmë e t'i mundim gjithnjë armiqtë, edhe këtë e dimë!




Sulejman Vokshi:
Malet e Shqipërisë nuk mund t’i varni e as t’i vrisni.

        Pasi osmanllinjtë e zunë në pabesi udhëheqësin ushtarak të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Sulejman Vokshin, e dënuan me vdekje në litar.
        Kryetari i gjyqit ushtarak të Prizrenit e pyeti:
        - Ke gjë për të thënë;
        Sulejman Vokshi, duke shikuar me përbuzje, i tha:
        - Po, kam. Mua mund të më vrisni e të më varni, se unë, një jam, por malet e Shqipërisë, ku luftojnë trimat për liri, as nuk mund t’i varni e as t’i vrisni kurrë.




Pashko Vasa:
Të mësojmë gjuhën dhe të ruajmë atdheun

      - Çfarë të shtyu të shkruash këtë vjershë? – e pyetën Pashko Vasën kur ky e lexoi për herë të parë poezinë “Shqypni, e mjera Shqypni!”
        - Dy gjëra më bënë që t’i derdh këto mendime në letër. E para, që shqiptarët për ta lexuar të përpiqen të mësojnë gjuhën shqipe, dhe e dyta, pasi ta kenë lexuar, të kuptojnë më mirë se këtij vendi i duhet dalë zot deri në pikën e fundit të gjakut. Dhe të tillë ka shumë!



Memet Beci:
Predikon paqe dhe përgatitë luftë

        Kundër forcave shqiptare, për mbrojtjen e Ulqinit, të udhëhequr nga Memet Beci, Mehmet Gjyli dhe Isuf Sokoli, morën pjesë jo vetëm repartet malazeze dhe osmane, por edhe flota britanike.
        Kur pa anijet angleze në ujërat e Ulqinit, Isuf Sokoli u tha bashkëluftëtarëve të tij:
        - Kjo Anglia në njërën anë thotë se do t’u jap popujve lirinë, në anën tjetër dërgon flotën për të na detyruar të zgjedhim midis skllavërisë dhe vdekjes. Kjo politika angleze, e re apo e vjetër, qënka gjithmonë njësoj: predikon paqen dhe përgatitë luftën!



Konstandin Kristoforidhi:
Vegjëlia

        Kur e pyetën Kristoforidhin nëse duhej t’u besonin feudalëve të mëdhenj shqiptarë që ishin afruar me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, më 1880, ai u përgjigj:
        - Në thënçim për bejlerët, agallarët e zotërinjtë, ata nuk japin asnjë ndihmë, sepse kanë frikë Portën e Lartë se u heq privilegjet, kurse dhespotët, priftërinjtë e të parët e besimeve të tjera, janë e kanë qënë kundër besimeve të popullit.
       Ndërgjegja kombëtare duhet të bazohet vetëm te njerzit e kulluar, dhe ata janë: vegjëlia!




Jeronim De Rada:
Jo, kundër interesave të vendit tim.

        Në gazetën "Flamuri i Arbërit" Jeronim De Rada, poeti e patrioti i shquar arbëresh, shkruante artikuj të zjarrtë në mbrojtje të çështjes shqiptare në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
        Një funksionar i huaj erdhi dhe e takoi dhe i premtoi shuma të mëdha mjaft që ai të mos e përdorte gazetën e tij për çështjen shqiptare.
        Dhe De Rada ia përplasi në fytyrë:
        - Sikur të më dhuronit gjithë botën, megjithëse jam shumë i varfër, nuk do të vihesha në shërbim të askujt, kundër interesave të vendit tim, bijt e të cilit jemi ne.




Jakup Feri:
Trim është ai që ka të drejtë!

        Në janar të vitit 1880, në afërsitë e fshatrave Velikë e Pepicë, vojvoda i malit të zi, në krye të 12 mijë ushtarëve, u spraps para qëndresës së 8 mijë luftëtarëve shqiptarë të Plavës e Gucisë. Një gazetar i huaj iu afrua Jakup Ferit, njërit nga udhëheqësit e kryengritjes dhe e pyeti:
        - Ju ishit më pak në numër e më keq të armatosur. Si mundët t'i thyeni malazezët?
        - Kur malazezët luftuan kundër osmanllinjve, për të mbrojtur vendin e tyre, treguan trimëri të madhe dhe e thyen armikun, sepse kishin të drejtë. Ne i dërrmuam sepse sulmuan vendin tonë dhe fituam, se kishim të drejtë. Trim nuk është ai që kërkon të marrë gjënë e huaj, por ai që mbron të vetën me gjakun e tij.




Idriz Seferi:
Kush është gjenerali?

        Të mahnitur nga qëndresa heroike që u bënë kryengritësit kosovarë ushtrive osmane në grykën e Kaçanikut më 1910, gazetarët e huaj po kërkonin me ngulm cili ishte ai gjeneral i famshëm që i drejtonte. Kur u gjetën përpara, udhëheqësit trim Idriz Seferi, e pyetën:
        - Ti je gjenerali i kësaj qëndrese të pashembullt?
        Idrizi, duke fërkuar mustaqet u përgjigj:
        - Si unë, këtu janë të gjithë, sepse armën kundër armikut ua ka mësuar nëna që në djep. Të gjithë shqiptarët janë gjeneralë kur luftojnë për vendin e vet, por në vend të gradave në supe kemi armët e brezit.




Hil Mosi:
Edhe gratë luftojnë si burrat

        Kur një gazetare angleze pa duke luftuar, në Kryengritjen e Malësisë së Madhe, krah për krah burrave edhe gratë, i tha Hil Mosit:
        - S'e kisha besuar që kini gra kaq trimëresha!
        - Një komb trim e luftëtar si kombi shqiptar, - u përgjigj Mosi - nuk ka si të qëndrojë i tillë vetëm me burrat, në qoftë se edhe gratë nuk janë po aq trimëresha, sepse në prehrin e tyre u rritën ata që i qëndrojnë mburojë Shqipërisë!




Hasan Prishtina:
Në vend të kolltukut, pëlqej kryengritjen.

        Në valën e kryengritjeve të mëdha që shpërthyen në vitin 1911 në Kosovë, kryeministri i qeverisë osmane, Haki Pasha thirri Hasan Prishtinën, "deputetin kryengritës", siç e quanin ata, dhe i propozoi postin e ministrit, me kusht që ai të hiqte dorë nga kryengritja.
        - Parimin tim - u përgjigj ai - nuk mund t'a shkel jo për një ministri, por as për postin e sulltanit. Në vend të kolltukut me turp në Stamboll, pëlqej kryengritjen me armë në dorë në malet e Kosovës.



Dervish Hima:
"Përsërite edhe njëherë, zoti prokuror"

       Pasi e mbajtën të burgosur në Shkodër patriotin Dervish Hima se më 1909 kishte dënuar në një fjalim politikën e xhonturqve, për mungesë avokati e dërguan t'i bëjnë gjyqin në Selanik.
        Duke iu drejtuar të pandehurit prokurori e pyeti:
        - Faji yt ndëshkohet me vdekje. Fol, ç'ke për të thënë për ato që ke thënë?
        - Përsëriti zoti prokuror ato që kam thënë.
        Dhe prokurori duke hapur dosjen lexoi: "Ke thënë se xhonturqit janë më të poshtër se qeveria e Sulltan Hamitit dhe se shqiptarët duhet të ngrihen e të marrin armët kundër tyre. Ja vdekje, ja liri." Ja ç'ke thënë. I mohon apo i ke harruar?
        - As i mohoj, as nuk i kam harruar, po kisha dëshirë t'i dëgjoja edhe nga goja juaj. Kështu do të bëjnë shqiptarët. Tani ju bëni tuajën.




As gegë, as toksë, por vetëm shqiptarë!

        Në mbledhjen e Manastirit në vitin 1910, një nga përfaqësuesit e shquar të asaj kohe për çështjet shqiptare, Dervish Hima, u ngrit e tha:
        - Dua të flas për Kosovën. Serbët po derdhin shumë të holla për të shkombëtarizuar vëllezrit tanë dhe thonë se vendësit e Kosovës janë më të shumtit serbë. Kurrë s'mund të bëhet që ne shqiptarët të heshtim duke parë gjithë këto gjëra që bëhen kundër nesh.
       Që sot e tutje nuk do të përmendim më fjalën gegë e toskë, por vetëm shqiptarë, sepse gjithë shqiptarë jemi, të gjithë një gjuhë e një gjak kemi, të gjithë një atdhe e një qëllim të lartë kemi i cili është: përparimi i kombit shqiptar!




Dedë Gjo Luli:
Nuk jemi mish m'u shit ndër krraba!

       Në kohën e kryengritjes së Malësisë së Madhe kundër Turqisë, Dedë Gjo Lulit ju desht me u strehue në Podgoricë të Malit të Zi. Krajl Nikolla i Malit të Zi u takue me Dedën e me krenë tjetër të kryengritjes, u fal me të gjithë e ju suell Dedës me miklim:
       - Dedë, tesh e ke kohën me u ba mik me mue! Jemi kojshi; pare dhe fyshekë të jap sa të duesh…
       Deda i vrani vetullat dhe ju suell:
       - Nuk jemi mish m'u shit ndër krraba!



Nuk kam frikë ta shoh armikun në sy.

       Dedë Gjo Luli, i kapur në befasi nga ushtria serbe, me ndihmën e Gjonmarkajve, u vendos i lidhur para togës së pushkatimit.
       - Lidhjani sytë - urdhëroi ushtarët e vet kapiteni serb Gjura.
      - Nuk jam tradhëtar i atdheut tim - u përgjigj krenar Dedë Gjo Luli - që të vdes me sy mbyllur pa i hedhur shikimin e fundit dheut që do të më mbajë në gji. Përkundrazi, po vdes kryelartë, se gjithë jetën kam luftuar që vendi im të jetë i lirë. Dhe ju që po shkelni sot këtë vend, të jeni të sigurtë se ky dhé nuk ju mban: ose do të hyni nën të, ose do të largoheni që këtej.
     Ja pse nuk kam frikë ta shikoj armikun në sy.




Pushka top!

      Kral Nikolla kërkonte ta bënte për vete Dedë Gjo Lulin. Për këtë qëllim organizoi një takim në Vrellë, në verilindje të Podgoricës. Dhe aty, duke treguar se gjoja i dhimbseshin malësorët, i tha:
      - Or Dedë Gjo Luli, gryka e pushkës sate është e ngushtë, vetëm duke pasur pranë e në krah Malin e Zi të bëhet pushka si grykë topi.
      Deda, krenar, ia priti aty për aty:
     - Me të vërtetë o Kral, gryka e pushkës time është e ngushtë, por duke u ndodhur midis maleve shqiptare, ato ma bëjnë grykën e ngushtë të pushkës sime më të gjerë e më të fuqishme se grykën e topave të ushtrisë sate.




Pushkë e ngritur për Shqipërinë

      Nga fillimi i vitit 1913, Dedë Gjo Luli shkoi në Vlorë për t'u takuar me Ismail Qemalin.
      Plaku i Vlorës e priti dhe e përcolli me ndere të mëdha. Një i ri, sekretar i qeverisë së re që nuk e njihte Dedën, pyeti Ismail Qemalin:
      - Pse ia bëtë gjithë këto ndere këtij malësori?
      Plaku u përgjigj:
      - Dedë Gjo Luli është pushkë e ngritur për mbrojtjen e Shqipërisë.



Nga jeta e Dedë Gjo Lulit
1860-1915
      Udhëheqësi i shquar i kryengritjeve shqiptare kundër pushtuesit të huaj, që dha sinjalin e kryengritjes së madhe të vitit 1911 duke ngritur flamurin në malin e Deçiçit.


Zjarri i pashuar

      Tregojnë njëherë se Dedë Gjo Luli u takua në Shkodër me Gjon Çobën, i shitur kokë e këmbë tek i huaji.
      Gjon Çoba e pyeti Dedën:
       - Kam dëgjuar se në Malësi ka filluar të ndizet përsëri zjarri i luftës.
      Deda ja priti:
       - E kur ka qënë ndonjëherë i shuar zjarri i luftës në malësi kundër armiqve pushtues?




Ti, zotni, mund të shesësh kopshtin tënd...

       Kur Shkodra më 1913 mbeti nën administrimin e komisionit ndërkombëtar, në një mbledhje të organizuar në Saraj të Shkodrës, admirali anglez Sesil i tha Dedës:
       - Hoti dhe Gruda janë mbaruar, duhet të qëndrojnë jashtë kufijve të rinj të Shqipërisë.
       Deda u përgjigj si me shpatë:
       - Ti, zotni, mund të shesësh kopshtin tënd. Se atë tonin ne as e shesim as e falim, por e mbrojmë me gjak.




Shqiptari nuk vështron eshtrat, por zemrat…

       Krali i Malit të Zi që deshte të bindë Dedë Gjo Lulin të lejonte ushtrinë e vet të hynte në Shqipëri i tha një ditë:
       - Or Dedë, malësorët e tu janë vetëm një grusht eshtrash përpara taboreve të Turqisë. Pranoni ndihmën tonë që të shpëtoni.
       Deda ia priti:
       - Shqiptari nuk ka parë tek vetja kurrë eshtrat, por zemrën.




Ne kemi vetëm një flamur.

       Në gushtin e vitit 1910, Dedë Gjo Luli me luftëtarët e vet u ndesh me kral Nikollën në fshatin Vrellë.
       - Unë kam miq të mëdhenj, si Rusinë, dhe flamurin tim e njeh gjithë bota - u tha Krali. - Futuni nën hijen e flamurit tim dhe t'i biem së bashku osmanllisë.
       - Ta dish mirë o kral Nikolla, se shqiptari nuk ka luftue e derdhur gjak për të ndrrue flamurin e Sulltanit me atë të Malit të Zi, por për të pasë në krye flamurin e Skënderbeut. Pa ty e kemi filluar luftën e pa ty do ta mbarojmë. Ne kemi vetëm një flamur: tonin.




Kralit nuk i zihet besë.

       Kur plasi kryengritja në Malësi të Madhe në vitin 1911, kral Nikolla i Malit të Zi i dërgoi Ded Gjo Lulit këtë lajm:
       - Bini osmanllisë pa frikë, se pas shpinës suaj më keni mua!
       Ded Gjo Luli, që ia njihte pabesinë kralit malazes, mblodhi bashkëluftëtarët në kuvend dhe u tha:
       - Burra, ta ndajmë ushtrinë dysh. Një pjesë kundër Shefqet Durgut Pashës e tjetrën kundër kralit!
       - Pse, a do me hy në luftë me ne krali, a?
       - Jo, por kur thotë ai se më ke pas shpine, ai nuk të ruan por të ngul thikën!




Shqiptari është ah e jo shelg

       Një gazetar i huaj e pyeti Ded Gjo Lulin:
       - Si është e mundur që një grusht luftëtarësh si ju të ndeshen me Portën e Lartë?
       Trimi i maleve u përgjigj me pak fjalë:
       - Shqiptari është ah, nuk është shelg që të përkulet.




Në krye duhet të jetë flamuri

       Ded Gjo Luli kërkonte një flamur të madh me një shqiponjë të qëndisur në mes:
       - O Ded, - i thanë shokët e çetës, - kemi nevoja të tjera më të mëdha.
       - Jo, bre burra, - ua priti Deda, - në krye duhet flamuri se ai i ka të tana brenda: besën, zakonet, doket, trimërinë, bashkimin, luftën dhe fitoren. Ai ka gjakun e të parëve tanë që e kanë skuqur dhe duhet e na prije!




Bajram Curri:
Nuk i takon mysafirit të thërrasë të zotin e shtëpisë!

       I dërguari i kryeministrit serb Pashiq erdhi fshehurazi në Shqipëri dhe arriti të bëjë një takim me Bajram Currin, që luftonte maleve. Ai, në emër të Pashiqit, i ofroi para, rrogë të madhe e poste të larta në Serbi, me kusht që të kthehej në Gjakovë e të mos e kundërshtonte pushtimin serb.
       Bajram Curri iu përgjigj:
       - Thuaji Pashiqit tënd se nuk ka aq para gjithë mbretëria e kralit të Serbisë sa për të blerë Bajram Currin. Dhe lidhur me kthimin në Gjakovë, thuaji se nuk i takon mysafirit të thërrasë të zotin e shtëpisë. Atje do të kthehem vetë, se është vendi im.



Sami Frashëri
        Kur e pyetën rilindasin dhe patriotin Sami Frashëri se si mund ta flakin tej zgjedhën turke shqiptarët, ai tha:
       "Turqia me dashuri e me mirësi s'jep gjë kurrë. Prandaj edhe shqiptarëve… me hir s'ka për t'u dhënë gjë. Shqiptarët duhet t'ua marrin turqve me pahir ato që duan".



E drejta dhe fuqia

       Kur shkroi kryeveprën e tij madhore "Shqipëria ç'ka qënë, ç'është e ç'do të bëhet", e pyetën Sami Frashërin:
       - A do të jenë të zotët shqiptarët ta mbajnë e ta ruajnë veten?
       - Sigurisht - u përgjigj ai. - Dy gjëra duhen në këtë jetë për të ruajtur e mbajtur me nder atë që të takon: e drejta dhe fuqia. Dhe këto populli shqiptar i ka.




Me hir e me pahir

       Duke iu përgjigjur pyetjeve të disa gazetarëve të huaj në Stamboll nëse qeveria osmane do t'ia jepte Shqipërisë reformat e premtuara, Sami Frashëri u tha:
       "Porta e Lartë me dashuri e me mirësi nuk të jep gjë kurrë. Ajo e do më mirë humbjen e Shqipërisë e ta ndajë në mes armiqve që na rrethojnë, sesa t'ua lërë shqiptarëve ta ndreqin e ta lulëzojnë.
       Prandaj meqë sulltani me hir s'ka për të na dhënë gjë, shqiptarët duhet t'ia marrin atij me pahir. Ta kërkojmë me fjalë, por gjithmonë duke mbajtur në dorë pushkën plot".




Armiqtë do ta kenë të vështirë të harrojnë

       Kur e pyetën Sami Frashërin në vitin 1899 përse u jepte kaq rëndësi alfabetit të gjuhës shqipe, librave dhe përhapjes së tyre, kur kjo gjë mund t'u sillte rreziqe të mëdha nga ana e qeverisë osmane, ai u përgjigj:
       - U jap rëndësi sepse nuk mund të ketë Shqipëri pa shqiptarë, nuk mund të ketë shqiptarë pa gjuhë shqipe, pa shkronja shqipe e shkolla në të cilat të mësohet shqipja. Kur t'i kemi të gjitha këto, armiqtë do ta kenë të vështirë të harrojnë se populli shqiptar është zot i këtij vendi.




Çerçiz Topulli:
Edhe kjo është tokë shqiptare

       Në gushtin e vitit 1915, të kapur pabesisht, Çerçiz Topulli dhe Muço Qulli u vunë para togës së pushkatimit të gjeneralit malazez Veshoviç, në fushën e Shtoit në Shkodër.
       Para se breshëria e armëve t’i rrëzonte të dy në të njëjtin varr, oficeri malazez i tha Çerçiz Topullit:
       - A e shikon se ku po e lini kokën? Në dhé të huaj, në vend që të rrini rehat aty, në vendin tuaj.
       Dhe Çerçizi ia priti:
       - Ne nuk kemi luftuar për shtëpinë tonë, por për vendin tonë dhe vendi jonë është gjithkund ku flitet gjuha shqipe e jetojnë shqiptarë në trojet e veta. Edhe kjo është tokë shqiptare!




Themistokli Germenji:
Tri dëshirat e fundit

         Themistokli Gërmenjit, para ekzekutimit iu kërkua të shfaqte dëshirën e fundit. Atëherë ai tha:
         - Kam tre dëshira njëherësh. Dua të këndoj një këngë burri, veshur me kostum shqiptar, nuk pranoj të më lidhin sytë në kohën e pushkatimit, dhe dua t'i jap vetë xhelatit komandën "zjarr"!

Sfidat e gazetarisë bashkëkohore!

Nga Florim ZEQA

Evolucioni i madhë i zhvillimit teknologjik ka ndikuar në zhvillimin e hovshëm të gazetarisë. Krahas një zhvillimi të tillë, lexuesit po përballen me fenomenin e krizës morale të gazetarisë moderne (portaleve dhe gazetave oneline).

Imoraliteti i disa portaleve i ka kaluar të gjithë kufinjët e etikës njerëzore, përveq se janë bërë krah i fuqishëm i së keqës, krimit dhe korrupsionit,...me promovimin e prostitucionit politik dhe seksual njikohësisht janë shëndrruar në porno-portale që dëmtojnë rëndë aspektin edukativ të moshave rinore.


Madje disa portale janë bërë të neveritshme duke prezantuar çdo ditë fytyrat e shëmtuara të politikës, kusarëve dhe matrapazëve politik që rropën e gjithë pasurinë e këtij vendi duke lënë në varfëri dhe të pashpresë një popullatë të tërë !


Edhe përkundër varësisë së madhe të mediave nga pushteti, politika prostitucionale dhe grupet e interesit, megjithatë hapsira e lirisë së shtypit dhe shprehjes së lirë nuk guxon të keqpërdoret kaq paturpërisht.


Përkundër vështirësive të shumta ekonomike, politike dhe të tjera, gazetarët duhet të dëshmojnë etikë gazetareske, kulturë njerëzore, gjuhë të pastër, të dëshmojnë se janë të zotët të shpërndajnë të vërtetën ashtu siq është pa kamuflime.


Rrethanat politike shpeshëherë prodhojnë presione, shantazhe, madje edhe kërcënime ndaj gazetarëve,...gjëra të cilat për fat të keq kohëve të fundit janë në rritje e sipër !


Mbi të gjitha, gazetarët e mirëfilltë duhet kuptuar një gjë; se misioni i tyre është i shenjtë, ata janë avangardë e shoqërisë e jo e pushtetarëve. Asnjëherë nuk duhet humbur besimin për një gazetari të lirë dhe të pavarur dhe të pandikuar nga politikat ditore.


Kur flasim për kërcënimet dhe shantazhet që vijnë nga politika,...nuk guxon të vie në shprehje tërheqja e gazetarit nga misioni fisnik shkaku i një kërcënimi, përkundrazi duhet të ballafaqohet me kërcënuesin,...përveq bërjes publik të rastit për opinionin e gjerë, rastin duhet denoncuar edhe tek organet kompetente.


Pavarësisht, kërcënimeve, shantazheve dhe sulmeve virtuale pas publikimit, nuk guxon të ndodhë tërheqja e shkrimit nga gazetari,...përkundrazi duhet mbrojtur me fakte dhe argumente të fuqishme interpretimin (prezantimin) e së vërtetës sado sfiduese të jetë ajo.
Komunikimi me opinionin publik për gjëra të tilla përveqse reflekton mbështetje, krijon besueshmëri dhe ndershmëri reciproke,...gjë e cila ndikon drejtëpërdrejtë edhe në parandalimin e së keqës !


Gazetaria është sfidë në vete, nuk është në krizë vetëm në Kosovë, por në mbarë botën, madje edhe në shtetet me traditë të gjatë demokratike dhe civilizuese.
Pothuajse në të gjitha ndryshimet politike të vendeve euro-përëndimore, gazetarët janë edhe protagonistët të ngjarjeve. Gazetaria nuk e nënkupton vetëm kërkimin e lajmit,...përkundrazi nënkupton kërkimin e së vërtetës mbi të gjitha ato ngjarje që janë me interes për shoqërinë, për qytetarët, për njerërzit e thjeshtë.


Në rrethanat e pluralizmit politik, gazetaria nuk guxon të jetë partiake dhe as në shërbim të grupeve të interesit, ashtu sikurse që gazetari nuk duhet të vrapoj pas lajmeve senzacionale, pas VIP-ave, pas ngjarjeve të çastit, siq ishte vitin e kaluar rasti i "Dronit" mbi stadiumin e Partizanit në Beograd që zhvëndosi vëmëndjen e opinionit publik ndaj ngjarjeve shumfish më të rëndësishme, siq ishte bllokada politike në vend,...apo të bëhet "Zogu" i dikujtë më i rëndësishëm se skandalet e qeveritarve të vendit tonë.


Fundja, zbradhja e skandaleve qeveritare mbetët prioritet i gazetarise hulumtuese. Kur skandalet ngarendin njëri pas tjetrit nuk është shenjë e mirë e informimit, është tregues i fundosjes në "greminë" e së vërtetës !


Prandaj, të gjithë gazetarët, pa dallime pikpamjesh ideologjike duhet të kërkojnë krijimin e një imazhi më pozitiv të gazetarisë. 


Mbi të gjitha duhet të bëhen forcë kreativiteti dhe zë i fuqishëm i i ndryshimeve të pëgjithshme shoqërore, e jo të mbetëm zë i pakicës, por të shëndrrohen në zë plural i respektuar nga opinioni i gjërë.


Gazetaria është kontinuitet i shoqërisë civile, besnike ndaj së vërtetës, për të zbuluar lajmin, edhe atëherë kur nuk shifet apo tentohet të mshifet nga të tjerët,...për ti bërë gjithmonë të qartë lexuesit; kjo është e vërteta dhe ky është interpretimi im !