Donnerstag, 13. August 2015

Lulzim Breznica

Lulzim Breznica

Lulzim Adem Breznica, ka lindur më 18 dhjetor 1978, në Podujevë.
Shkollën fillore e ka kryer në Gllamnik të Podujevës. Shkollën e mesme të Përgjithshme në Podujevë. Në vitet 2000-2004 ka përfunduar studimet e larta në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Filologjik; Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Në vitin 2014 ka botuar në Tiranë librin përmbledhjen e parë me poezi "Klithmë për Dashurinë“. Flet e shkruan disa gjuhë, si: anglisht, frëngjisht, italisht, kroatisht, rusisht etj.
Aktualisht punon me misionin ISAF NATO, në Afghanistan.


Poezi nga Lulzim Breznica


NË PAZAR

Bënte mot i ftohtë,
Këmbët ngrinin rrugëve...

Dola në Pazar
Të blejë një palë çorape.

Te shitësi i parë
Pashë të varur, kokën time...

Seç më zuri makthi...
Nëpër botë, nëpër kohë
Ika pa kokë!

O Zot,
Ç’po ndodh kështu me mua?
Edhe pa kokë, jam gjallë…!



DILEMË 

Nuk jam unë
Ai pranë dritares,
Është një zog me krah të thyer
Në hapësirë thërret Qiellin.

... Nuk jam
Homeri i brigjeve të Egjeut
Që u foli shekujve
Për Helenën e bukur 
E asnjëherë s’e kishte parë.

As Dantja 
Në rrethin e nëntë zjarreve
Nuk jam
Beatriçja me fanar në zemër
Kërkon përqafimin e dritës në përjetësi.

As Petrarka 
Me sonetet e dhembjes tej varrit
Edhe pse
Laura në heshtje
I dëgjon e qan.

... Në dritaret e shpirtit
Po ai zog 
Me krah të thyer.

S’po di ç’po ngjanë me kujtesën e thinjur
S’po di, a unë jam ti, a ti je unë
Klithja ime....?!



EPITAF 

Te një guri i bardhë këtë natë pa hënë   
Afrohem si hije dy fjalë për t`i thënë
Këtu pushon gjatë trupi im pa vlerë
Që vdiq atë botë që kur kishte lerë.

Në këtë natë të errët i shkruaj epitaf
Fshehur si humbës në fytyrë me plaf
Trupit të mjerë që asgjë s’dha për Atdhe...
E që rronte i vdekur tërë jetën mbi dhe.

“Mbi këtë gur të bardhë korb i zi do rrijë
Ta glasojë gurin çdo ditë që do të gdhijë”.



TË PRES

Të pres,
Përgjumur të pres
Si agimin që dita pret të zbardhojë
Si nata ku yjet në qiell rrinë
Si zjarri në dimër kur ngrohë shtëpinë
Si ujin që bima pret të mbijë.
Të pres
Si nëna në bark që pret fëmijën.

Po të shoh duke ardhur
I ndjej hapat e tu
Korridoreve të shpresës...
Të ndjej në ajrin tim
Kah merr frymë,
E lodhur nga etja.
Me duar e këmbë përpëlitesh...
Ta çanë rrugën,
Re të turbullta mizore t’kanë zan’ pritën.

Të ndjej duke ardhur
Në buzëqeshjet e fëmijëve,
Në trenat e dashurisë së luleve e gjetheve
Në agimin e ditës që po vjen plot diell
Në sytë e vashave tè kroit i fshatit tonë.
E veshur në të bardhë
Engjëll, je duke ardhur...

Në dritaret e shpirtit tim
Pritja nuk matet me pëllëmbë.



NËSE TI NUK VJEN

Nëse,Ti nuk vjen as edhe këtë natë
Pritja do të nxjerrë shkumë të valë
Do mbytet lakmia vetmisë së ngratë
Shpirtit myshqet do gjethnojnë pandalë.

Kënaqësinë do ta mbulon pluhur harrimi
Vetëm shenja thirrje do të mbesin kujtim
Do të mbetet çasti gotë e thyer durimi
Pasioni për buzën tënde kërkon gjakim.

Nëse,Ti nuk vjen as edhe këtë natë
Do të bëhem Tokë...me dëshirën time
Parmendë të ngulet mbi gjoksin e thatë
Të dalë kjo llavë vullkani nga zemra ime.



MES DETËRASH 

Natë të frikshme!
Notoj në detin e kripur
Një varrë më kullon
Kuq

Frymoj në detin e trazuar
Nuk di
Ku do të zbardh
Peshkaqenë të tërbuar
Sillen vërdallë
Kafshojnë.

Mbijetoj në detin e zi
Larg
Shihet breg i ëndrrës
Përfytyruar që e kisha
Një jetë të tërë, mes detrash.



ATDHEU IM

Erërat na mashtruan..
Dhe hynë në thellësi
Damarëve
Të tokës tënde.

Të lëruan
Pëllëmbë për pëllëmbë, Atdheu im..
Me parmendën e së keqës
Derisa gjetën
Letrat e dashurisë
Që t'i shkrova
Fshehurazi një nate të vonë.

Më goditën, Atdheu im,
Rrobat m'i lanë varur në lisa kujtimesh.

Më përzunë nga lindja,
Lulet e mbledhura në dorë
M'i vranë të njoma.
Mbeta zemërplastë
Nëpër udhëtime
Me mykun e shtresuar të mallit.l

Andaj sonte
Këlthas ashpër
Pse s' po mund të të përqafojë...?
Të paktën në ëndrra.



MË FAL ATDHE

Më fal
Që s’ktheva mbrëmë! 
Kohë e keqe mori...

Gurët lëvizën fushat
Fryma u nda...
Nuk kisha ku të vdes
As të marrë frymë.

Ku mbetën rojet e bjeshkës?
Kah shkuan erërat...?!
Ua lash
Në besë Atdheun!

Tash në duar mbaj
Një grusht dhè të huaj
Dhe flas me veten...

Më fal Atdhe
Që s’bëra asgjë për Ty
Për Plisin. 

Vallë,
A do të më lajë Drini i Bardhë? !...




KËNGË PËR LUMIN

Oh,
Lumi i ëndrrave të mia
Ç' po ndodh kështu me ty ?!

Kah po të derdhet
ajo rrjedhë e kthjellët?!

Në cilën rrugë po të çojnë?!
Erërat e dallëdisura,!..

Ku do te pinë ujë..
Zogjtë e etur të qiellit tim?..

Kush do ta njomë?..
Hijen e tokës sime shterpë..

Të pata thënë, lum Lumi
Kaherë,të pata thënë
Nuk u zihet besë
Premtimeve të erës..
                  ... as kalorësve të natës.
E ndjen
Hunj nate po ngulen në gjirin tënd të butë
Po ta ndryshojnë
Rrjedhën e vjetër.

Lum Lumi
Ti qanë atje
Diku
Kullë digjet flakë..




ËNDËRR E ZGJUAR

Akrepat në mur shënjojnë në dymbëdhjetë
Nata ra, Ti nuk je sonte këtu me mua
Shumçka është ndryrë dhe tretë
Në agoni rrjedh lum a zgjuar veq përrua.

Akrepat ia prishin qetësinë kësaj nate
Në pritje të diellit luhatet barkë në kujtime
Lart shihen yjet, poshtë as shkallë as fate
Veq shkumë deti që mbi rërë nxjerrë lëngime

Kurrë s'munda t'ia kuptoj heshtjen lumit
As zemërimin e detit që shkumbëzonte shkak
Ç' lum a përrua je,që më ndize shtratit
Apo vetëm ëndërr lirie, e trazuar në gjak.




FOTOGRAFIA E KOHËS SIME

Koha ime,
A po e sheh
Si t’u paskan zbardhur flokët...
Si t’u paskan shterur sytë prej mallit?

Fjalët në kornizë janë ndryrë....
...në heshtje bisedojnë me duar
Shurdhmemec
Me hapat e drunjtëve nën krahë.

E sheh
Sa shumë ujë paska derdhur bjeshka
Sa gjatë
Vrapove nëpër ditët e shpresës
Me dhembjet e dendura
Të burgosura
Në qelitë e nëntokës...?

Valë kujtimesh po ndrydhen
Në dhëmbë harrimi, po flakojnë...
Cili nga ne do t`i mbledh ato frute
Që kanë mbetur në degë
Të pa krimbura?! 

Koha ime,
Nuk di ç’po ngjan me ne
Cili po e mban njëri tjetrin në duar?

E dëgjon?
Jo, nuk frynë erë Veriu
Koha ime frymon
Me mushkëritë e dergjura stinëve....

Vallë, kush do ta pagëzoj nesër
Ylberin e lindur në qiellin tim?!




HARRIMI

Është diku
Një shtëpi e vetmuar
Buzë brigje kohësh...

Pragun
S’mund t`ia shkelësh këmbë...

Dera luhatet
Hapet e mbyllet
Në krrokamë korbash...

Një zë brenda ngujuar
Truan...
Thërret dikë,
Pret dikë...

Të kthehen shekujt!

Qielli derdh shtrëngatë
Kroi shteron.

Ajo shtëpi
Është diku
Në syrin e kohës sime.

Mittwoch, 12. August 2015

Mevlyde Mezini Saraçi

Mevlyde Mezini Saraçi u lind më 15.12.1954 në Mitrovicë në një familje qytetare me kushte mesatare ekonomike. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje, ndërkaq studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Studimet master, Menaxhimi i Emergjencave i kreu ne Kolegjin Universitar “Biznesi” në Prishtinë.
Në aktivitetin politik e humanitar është inkuadruar në vitin 1989. Në muajin mars të vitit 1998, është zgjedhur kryetare e Këshillit Komunal për Ndihma Emergjente në Gjakovë, për të strehuar të dëbuarit nga zonat e luftës dhe për furnizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në vitin 1998-2000 ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës. Për shkak të aktivitetit të saj politik e humanitar është burgosur nga policia serbe, në Gjakovë më 1 qershor 1998 dhe ka vuajtur dënimin në burgun hetues të Lipjanit deri më 4 dhjetor 1998.  Është gruaja që është ngjitur majë kamionit dhe ka dërguar 62 arkivole në Drenicë, për Komandantin legjendar Adem Jashari, familjarët Jashari dhe të gjithë të rënët në Betejën e Prekazit.
Para se të burgosej ka punuar si mësimdhënëse e gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollën fillore “At Gjergj Fishta” në Bishtazhin. Në vitin 2000-2001, ka punuar si zëvendës drejtoreshë në Drejtorinë për teknologji informative në Qeverinë Komunale në Gjakovë. Prej vitit 2001 – 2003 dhe 2006-2007, ka qenë Drejtoreshë e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Gjakovë. Në vitin 2001- 2004 ishte Deputete e Kuvendit të Kosovës. Kurse qe nga viti 2004, është Ambasadore e Paqes Universale në Botë. Ndërsa në vitin 2007, është shpallur Qytetare nderi e Lushnjës. Poashtu, është veterane e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Shkrimtarja dhe veprimtarja Mevlyde Mezini Saraçi është e martuar, ka pesë fëmijë dhe jeton dhe punon në Gjakovë.


Librat e botuara:

  •  “Sytë e Pranverës”- poezi, 2000,
  •  “Ndoshta më s’ka kuptim” , poezi për fëmijë, 2002
  •  “Kur jeta duhej jetuar” 2003, roman
  • “Çelësi është diku larg”, poezi.
  • “When life has to be lived” 2012, roman në gjuhën angleze
  • “Ditëlindja e nënës”, dramë për fëmijë, 2013
  • “Ledhatim pritjesh”, poezi, 2015
  • "Për ty" poezi, 2015
  • “Murana” roman, 2015 
  • “Lot i zemrës “Poezi, 2016 
  • “Ç ‘faj ka vargu”, Poezi, 2017 
  • “Dhembje që vret” Antologji, 2017 
  • “Simfoni jete”, Poezi, 2017 
  • “Këndi shkrimor”, Shkrime letrare, 2018
  • “Oazat e shpirtit”, Poezi, 2018
  • “Përthekim kohësh”, Poezi, 2018
  • “Buzëqeshje e përvajshme “Poezi, 2018
  • “Rrjedha letrare”, Shkrime letrare, 2018
  • “Çdo ditë jete është përvojë”-365 fjalë të urta, 2018




Poezi nga Mevlyde Mezini Saraçi


PLAGË

Ëndrrat e mia plagë rrugëve vrastare
Zgjohen përgjumur në stallat evropiane
Zbrazet shpirti toka e etur loton
Nxihen pritjet vdekjet ngrihen akujve
Shpresë mbetet mashtrimi i shumëtrajtshëm
Bankat sërish zbrazen munguar filizash
Ngremë gishtat nga do shpërlajmë vetën e parë
Deri kur do të kullojnë gjak ëndrrat e mia plagë
Vallë a të bren ndërgjegjja edhe ty



TË NDJEJ

Ti erdhe në mëngjesin tim
Unë shikoj veten në pasqyrë
Duart dridhen gota derdhet
Kudo të kërkoj shpirti im
Ngjitem shkallëve ngadalë
Hapa të lehtë më shoqërojnë
Të ndjej e nuk të shikoj
Një hije prapa më ndjekë
Eja qoftë edhe si hije
Më ndjek me hapa ngadalë
Të ndjej aromën tënde
Dua të përqafoj me mall



PA TITULL

Çdo mbrëmje vdes një pjesë e imja
Në stacionin e pazareve të shpërnguljes
Ankth loti i nënës vaji i fëmijëve
Librat e fletoret në shtëpitë e mbyllura me dry
Para syve të tonë para syve të botës ikin
Ikjet ilegale në formë krejt legale
Dhe sërish mbesin ngjarje dite si lajm
Ku po mbetet gjaku i të rënëve për liri
Kujt po ia hapim rrugën ta përpijë Kosovën
Evropa plakë sërish në skenë me skenar të vjetër



FENIKS

Jam shtrirë në shtrat e pa shpresë
Nuk bëj gjumë fare nga trishtimi
Ju larg atje në rrugët e humbura
Dremisni pyjeve me ëndrra mashtruese
Nuk keni forcë të qani e as të çmendeni
Trishtuar qëllimeve të kota bredhjesh
Pritjesh të reja nga armiqtë e vjetër
Sa e dhimbshme kjo stinë e bardhë
Edhe unë kam njëmijë e një arsye
Të ikë njëherë e përgjithmonë nga lugetërit
Që ma hëngrën edhe kockën e fundit
Ma vodhën lotin e gjakut e të shpresës
Por kurrë nuk do ti stolis barbarët
Të shkelë në rrugët e ndërtuara mbi eshtra
Aty ku janë groposur shqiptarët
Edhe pa bukë e ujë pa shpresën e fundit
Dua të shuhem në tokën time të bekuar
Si feniks të ngrihem shekujve
E ti shikoj si vdesin hajdutët e barkanjozët
Që ushqyen fantazmat e tyre
Me qumështin e foshnjave tona
Kurrë s’u ngopën me gjakun e të rënëve
Duke ia ngrënë edhe themelet Kosovës
Dua të shuhem në tokën time
Feniks të ngrihem shekujve


 

HIJA IME

Mos më kërko kalldrëmeve të bardha
Të buzëqeshur  në mes të rinjsh
Atje vetëm hija ime ka mbetur
Me plaçkat e mija në krah përpëlitem
Qiejve, deteve, autostradave
Nëse të merr malli për një përqafim
Më shiko në reportazhe televizive
Fati im u bë lajm edhe në agjencitë botërore
Kur zgjohesh nga gjumi mos u trishto
Tek dëgjon zërin tim të shteruar përmes telefonit
Dua vetëm të them se fati i keq si lugat po më ndjekë
Maleve, kënetave, e rraskapitur në rrugët pa dalje
Mos u shqetëso nëse jam kryefjalë sot
Nuk ma njeh askush as skamjen as plagët
Sot derdhni lotët rrëke jam shumë e sigurt
Deri dje në heshtje kam ngrënë veten time
Nëse jam në kërkim të vetes mos më akuzoni...
Dashurinë për Kosovën e mbaj në zemër
Bashkë me vuajtjet e mia që nuk m’u ndanë kurrë...



PO E PËRCJELLË JANARIN

Shumë janar ikën lanë gjurmë e pikëllim
Por edhe krenari ndër shekuj
Edhe janarët e mi kurrë nuk do ti harroj
Pa marrë parasysh vitet që ikin
I kujtoj me dhembje e trishtim
Më digjet shpirti nga ngjarjet e hidhura
Asnjë kohë nuk i shlyen ato gjurmë
Mos më detyroni ti harrojë
Në asnjë mënyrë me asnjë çmim
Prandaj kujdes nga janarët që vijnë
Ata edhe kur ikin lënë gjurmë të thella
Në shpirt në mendje, në histori...
Kujdes janarët...



A KA ZEMËR

A ka zemër që rrah
A ka ndjenja dikush
A ka sy në këtë vend
Për të parë tmerrin



YLBER PRITJESH

Nëse malli e dashuria më degdisë
Hidhërimin mos ma falë kurrë
Jeta merr krahët e pritjes  në ëndrra
Kam vdekur në pikë të ditës së hënë
E jam ringjallur sërish natën me hënë
Shpresat më jam kthyer në ëndrra
Në ylber pas shiut pranveror
Në lum kur vapa shkrumbon natyrën
Në strehë pritjesh dëshirave të humbura
As plumbi nuk më vret dot
Nga fjala e rëndë plagët kullojnë
Ti pritjen time mos ma lëndo



DIELL QË NGRINË

Acari ngrinë edhe pse dielli ngroh
Në bardhësinë e zymtë të këtij dimri
Përjashta heshtje varri mungojnë shumë njerëz
Brenda frymojmë mes bisedash  lajmesh kronikash
Kolonat nuk ndalen vaji i fëmijëve trishton
Bota ime humbi diku maleve kënetave
Më vret heshtja e akademikëve të fjetur
Dëgjoj analiza të zbehura të pseudo analistëve
Gënjeshtrave të veta fillojnë tu besojnë
Evropa hap e mbyll sytë bën projekte kundër nesh
Dëshmi e shekujve të përvuajtur në histori
Në vendin tim barazohet krimineli
Që ndan padrejtësi në pallatet e drejtësisë
Shtetarët pa ndjenja bëjnë shëtitje rrugëve të boshatisura
Mësueset qajnë nga trishtimi për nxënësit e munguar
Bankat e zbrazura më kthejnë në historinë e viteve ‘90
Sërish me lot në sy nënat e vetmuara në vatrat tona
A mban përgjegjësi për popullin dikush në këtë vend


 

VRAPIM KOHE

Pres pritjen time të plakur agut të mëngjesit
Rrugët plotë rrudha  natyrë e heshtur
Lule të bardha të kuqe të verdha të venitura
Gërryhet mosha fryma ndalet në vrapim kohe
Ata ikin të dërmuar bartin  peshën e dhimbjes mbi supe
Malli ua djegë damarët e vendlindjes
Dikush loz vallen e shtrigave para syve tanë
Pse gjithë kjo heshtje mungesë ndjenjash



DASHURIA NUK ZGJAT VETËM NJË DITË

Dhe pse të them të dua vetëm një çast
Më vjen me duar plotë e zbrazur ndjenjash
Me atë shikimin përvëlues ti syrin ma shkelë
Tek të shikoj të humbur me sjelljen tënde të ç’rregullt
E kuptoj sot kryen për sytë e botës një obligim
Të dua çdo sekondë të jetës të dua pa dhuratë
Dua të jem zonjë çdo ditë pa asnjë çmim
Ato lule të vyshkura në duart tua nuk shfaqin dashuri
Në ty shoh burrërinë që zgjat sa një shikim në pasqyrë
Dashuria ime je vetëm ti jo rrobat lulet parfumet
As buzëqeshja jote  e fshehur nën kozmetikë
Dashuri është jeta ime me ty çdo ditë natë e vit
Qetësia shpirtërore harmonia dashuria dëshira
Mbesin ëndërr e imja në kthetrat e një ditë


MOS UA NDAL VRAPIN

Kur rrezja nxjerr shikimin në horizont
Mos mi vrit ëndrrat e mia të blerta
As ditët mos i bën pronë pritjesh
Lëri filizat të hedhin hapin e tyre brigjeve
Vrapin le ta bëjnë të buzëqeshur



ERRËSIRA FLET

Hëna unë dhe errësira u bëmë miq të mirë
Pa penguar qamë hallet e problemet e jetës
Pranvera tinëzisht përkëdhelë varfënjakët e sfilitur
Ua premton freskinë e ëmbël në marsin e bekuar
Duart tona dridhen ngrica lëshon perden
Akrepat e orës ndërrojnë vetëm numrat
Jeta zhvillohet pa hetuar ikjen e moshës
Qetësisht zbardhë agu lakuriq puth horizontin
Shpresat buzëqeshin me dhëmbët e zverdhuar
Sy humbur shkëlqimin presin në ankth  marsin
Të qara të qeshura zhurmojnë qytetin
Lind ditë e re zemra të reja të vjetra pëlcasin



Shtypja e shqiptarëve të Kumanovës midis dy luftërave botërore

Nga Eugen Shehu

Shqiptarët e Kumanovës ato bij të denjë të arbërev të lashtë, kanë qenë dhe mbeten ende sot luftëtarë të vetegzistimit, të mbrojtjes së traditave më të vyera shqiptare, të përcjelljes së mesazhit për bashkimin natyror me shtetin amë. Fillozofia e vetëegzistimit të tyre, në thelb, është fillozofia e luftërave pa fund, e sakrificave sublime për të mos iu nënshtruar asnjë pushtesi, për të mos u asimiluar prej furive demografike, demagogjike, politike e kriminale të serbëve-bullgarëve e sllavomaqedonasve.

Kur flasim për luftërat pa fund të banorëve të këtyre trevave të Maqedonisë shqiptare,kemi parasysh një lëvizje të tërë për liri e drejtësi, në shekullin e kaluar e cila mori përmasa epokale në luftimet kundër gjonturqve serboslavëve e bullgarëve,të udhëhequr prej Bajram Vaksincës.Ky bir i fshatit Vaksinc, mundi të marrë besën e  5000 burrave të rrethinave të Kumanovës duke u bërë prita ekspeditave ushtarake pushtuese duke provuar se shqiptarët nuk lejojnë dikend mbi krye. Për disa kohë,emri i Bajram Vaksincës, u bë i njohur deri në oborrin e Sulltanit. Më tej janë Hakul Nikushta dhe Halil Breza të cilët viren në radhët e para të atyre që kundërshtojnë, të dërgojnë ushtarë në shërbim të ushtrive tjera. Batalione osmane mbrritën nga Shkupi e Manastiri, por trimat ndezën luftën dhe flaka mori qiejt e Kumanovës. Mandej tërbimi i Portës së Lartë ishte i madh, pse sipas shembullit të shqiptarëve në këtë trevë,po kundërshtonin të çonin djemtë e tyre ushtarë apo të lejonin shpërnguljet e bashkëatdhetarëve të tyre. Ende sot në vise të Kumanovës këndohen këngët e Xhem Sadrisë dhe Halit Brezës, ende sot tregohen vendet ku ata kanë luftuar me çetat e tyre, ku i kanë patur jataket, ku i kanë varrosur shokët e tyre të llogoreve, ku kanë kënduar pas fitoreve. Gjeneratat kanë përcjellë me dashuri kujtimin e tyre, të bindur se ai nuk do të shihet asnjëherë, por mesazhet do të vazhdojnë.


Mbarimi i Luftës së Parë Botërore, do të ishte për shqiptarët etnikë në Kumanovë, një rreze shprese, ashtu sikundër për gjithë shqiptarët e tjerë që u ndanë prej trungut të shtetit amë mizorisht,në vitin 1913.Ata ndiqnin me vëmendje situatën në Ballkan dhe sidomos pasojat që mund të ridhnin prej vendimeve të Konferencës së Paqës në Paris më 1919.Pa dashur të hyjë në ato vendime, mendoj se përfundimet e kësaj konference ishin tepër diskriminuese për shqiptarët. Jo vetëm që kufijtë e vitit 1913 nuk u diskutuan fare, por u bënë edhe traktattiva për coptimin e mëtejshëm të trojeve shqiptare. Nëse në vitin 1913, Shqipëria u bë preh e fqinjëve të saj, të ndihmuar prej Fuqive të Mëdha, tanimë për të, diskutohej se si të shuhej krejt nga harta e Ballkanit.Të lodhur,të sfilitur nga urrejtja e dhuna gati 6 vjeçare (1913-1919) banorët etnik shqiptarë,në Kumanovë, tashmë ndodheshin përballë rreziqeve të tjera të egzistencës fizike të tyre. Periudha që pat kaluar ishte e mbushur me malltretime prej serbëve, sllavomaqedonasve e bullgarëve,madje këta të fundit patën ndërrmarë edhe nisma konkrete për dëbimin e tyre.Vetë historianët sllav janë detyruar të pohojnë se ; “Qëndrimi ndaj kombësive të tjera, e sidomos asaj shqiptare,ishte haptazi i vrazhdë,diskriminues,likuidues”. (R.Terzievski,”Za diskrimatovska politika në bugarskiot okupator VRZ narodnostite vo Makedonija “ Faqe 159 ).

Por serbia doli e fitur nga lufta e Parë Botërore.Në konferencën e paqës në paris,ajo u mbeshtet fuqimisht edhe nga Franca e Anglia,me ç’rast jo vetëm që nuk lëshoi territore,por përkundrazi mori të tjera.Largimi i Bullgarëve nga Kumanova,ishte një shpresë shumë e përkohshme për shqiptarët e kësaj treve ngase ky largim u shoqërua me vendosjen e pushtetit të egër sllavomaqedonas.Ndonëse ishte në fillimet e organizimit të tij,ky pushtet nuk mungoi të tregonte grushtin e tij të hekurt kundër shqiptarëve të pambrojtur.Kështu,në vise të kumanovës,në fund të vitit 1919 dhe në fillim të vitit  1920,komanda e Lartë Ushtarake e Beogradit,organizoi mobilizimin e rekrutëve.Ajo që dihet ishte se këta rekrutë,të përcaktuar sipas ligjeve,do të mobilizoheshin pa dallim race,feje dhe kombësije.Për autoritetet vendore të pushtetit prej shqiptarëve të Kumanovës,qëllimi i tyre ishte tejet i qartë.Ata donin të largonin prej viseve të tyre stërgjyshore,ajkën e racës shqiptare,ata djem e burra të aftë për armë e luftë,për të pasur kësisoj ma të lehtë pushtimin fizik të trojeve tona.Është e natyrshme që shqiptarët etnik në vise të Kumanovës të kundërshtonin mobilizimin e të rinjëve për në armatën e Mbretërisë së SKS-së.Mandej shumë prej këtyre që ishin thirrur u detyruan të largohen maleve,në Kosovë apo Shqipëri.Në këtë rast,pushteti vendor administrativ vuri sanksionet tejet të rrepta.Vetë shtypi sllavomaqedonas ka shkruar tekstualisht : “Organet tona civile dhe ushtarake grinden midis tyre në mjaft raste,por ata,shumë shpejt pajtohen kur është fjala për t’i mbajtur shqiptarët,të lidhur zinxhirë”.( Gazeta “Socialistiçka Zora “ më 31 mars 1920 ).

Ngase në fillim të vitit 1920,shqiptarët përbënin një pjesë të konsiderueshme të popullsisë në Kumanovë,sllavomaqedonasit u përpoqën me çdo mjet për të bërë të padëshirueshme jetën e tyre.Por jo vetëm në Kumanovë.Ajo ishte pjesë e një strategjie të tërë në të cilën përfshihej krejt Kosova dhe Maqedonia shqiptare.Por dhuna në viset shqiptare të Kumanovës ka qenë kurdoherë më e egër,ngase këtu shqiptarët nuk kanë qenë kaq kompakt dhe dominues,si bie fjala në Kosovë,Shkup Tetovë apo Dibër e Strugë,etj.Ndonëse gjatë Luftës së parë Botërore,Serbija pat kryer në Kumanovë (si në gjithë maqedoninë shqiptare) dy mobilizime për rekrutë shqiptarë,ndonëse ajo e pat plaçkitur tri herë Kumanovën shqiptare në vitet 1913-1915 dhe 1918,sërish mizoritë sllavomaqedonase nuk patën prehje.Nëpërmjet ushtrimit të dy pushteteve,ajo detyronte tanimë banorët e Kumanovës shqiptare që të paguanin taksa të shumta dhe të heshtnin përpara padrejtësive, të zbatonin lloj-lloj urdhërash të administrastës,deri edhe të mos përdornin gjuhën e tyre.Sa i përket shkollave shqipe,në këtë periudhë as që bëhej fjalë.Mendoj se ky gjenocid fizik dhe shpirtëror,pos të tjerave, e ka zanafillën në teoritë famkeqe të B.Panjevcit i cili në ciësinë e Sekretarit të Statistikave të Përgjithshme shtetërore,potenconte në vitin 1920 se : “Është e rrezikshme vërtet,shtimi i shqiptarëve në Jug,i cili do të jetë një rrezik permanent për ne serbët.Rreziku sa vjen e bëhet më i dukshëm sepse tek shqiptarët po zgjohet ndjenja nacionale.Ky zgjim ka kushte të favorshme sepse popullata shqiptare është e banuar në vise kompakte dhe në vend që ajo të asimilohet,siç është dëshira e shtetit tonë,në realitet po ngjan e kundërta,sepse fëmijët e kolonistëve,në vend që t’iu imponojnë gjuhën serbe fëmijëve shqiptarë,po ngjan e kundërta,fëmijët serb,po mësojnë shqipen”.


 

( Politika e eleminimit të shqiptarëve nga trualli i Jgosllavisë së vjetër – “Përparimi”nr.5 – më 1979, faqe 433 ).

Duke e ndjerë veten të  fuqishëm për të vepruar sipas qejfit me shqiptarët,Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene, që në vjeshtën e vitit 1919 ndërmerr një plan të gjërë strategjik ushtarak. Madje këtij qëllimi i ka shërbyer dislokimi në Shkup i Armatës së Tretë, e cila kishte në përbërje elementë të duhur politike dhe ushtarake,me ç’rast parashihej një goditje e rreptë dhe e shpejtë kundër shqiptarëve.Veçmas në Maqedoninë shqiptare, kjo goditje të ishte tejet e rëndë po të kemi parasysh ngjarjet e vitit 1918. Ndonëse diku e kam cekur çështjen e Armatës së Tretë të Shkupit,mendoj se shtabi luftarak i saj ka patur kurdoherë si objektiv të vetin, të pdiskutueshëm, zhdukjen masive të shqiptarëve nga trojet etnike, e ndofta edhe më tej,etnocidin dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve në gadishullin ballkanik. Ëndrat e Carëve serb për të arritur në ujrat e Adriatikut, sikur gjallëroheshin prej aradhave të inkuizicionit serb në shekullin e 20-të. Kështu që, me preteksin e mosparaqitjes në ushtri apo fare pa preteks,në vise të Kumanovës, në marsin e vitit 1921, disa xhandarë i mësynë shtëpive të shqiptarëve, në Hotlë, duke rrëmbyer bagëtinë dhe krejt sendet me vlerë.Kur dikush nga pleqtë e fshatit u foli  se ky është një akt kriminal dhe vepër hajnash, xhandarët me egërsi shtinë në batare plumbash mbi 80 vjeçarin e Hotlës duke e lënë të vdekur në vend. Po në fshatin Hotël, në shtëpinë e Beqë Shabanit, kur dëgjuan një fëmijë duke përshpëritur në gjuhën shqipe, ata nuk ja kursyen plumbat e më tej i kallën zjarrin kullës. Nëse dikush nga kryefamiljarët shqiptarë në viset e Kumanovës,kish patur kundërshtime edhe me nënpunësit më të thjeshtë të administratës civile, xhandarët shkonin brenda në shtëpi dhe pasi i rrëmbenin atij gjënë e gjallë e sende të tjera me vlerë,i lidhnin dhe i shpinin në burgjet më të largëta dhe famëkeqe të Mbretërisë Jugosllave. Kështu,nga një raport sekret i komisarit të jashtëzakonshëm të Shkupit, dërguar eprorëve të vet në beograd më 11 prill 1920, thuhet pos të tjerave se në rrethin e Kumanovës ishin qëlluar e vrarë pa gjyq dy shqiptarë kryengritës,ndërsa 3 të tjerë, me gjithë familjen ishin dërguar nëpër burgje. Burgjet serbe për popullsinë e Kumanovës shqiptare, do të përbënin më tej një tjetër dimension të tragjedisë së kombit tonë.Ngase askush nuk i mbronte,shqiptarët dergjeshin aty në vite,të pafajshëm dhe vetëm kur dikush prej të afërmve paguante bakshishin ai mund të shkonte një ditë pranë shtëpisë,për të jetuar burgun e madh të dhunës dhe shovenizmit serb.Në shtatorin e vitit 1921,kur Beogradi shoven e pa se masat kolonizuese nuk mund të arrinin në mënyrë të menjëhershme objektivat,urdhëroi Komandën e Armatës së Tretë të Shkupit për kryerjen e masakrave në krejt Maqedoninë shqiptare,përfshi edhe territoret e Kumanovës.E vërteta është se kjo masakër,nis më parë në trevat e Kërçovës,Gostivarit,Tetovës e Shkupit,ku shqiptarët ishin tejet kompaktë në pikëpamje demografike.Ndërsa dy aradha të Aramtës së Shkupit,vijuan në Kumanovë një kontroll të imët nëpër fshatra duke evidentuar se ku ishin familjet shqiptare,çfar marrëdhëniesh kanë ata me pushtetin civil dhe ushtarak duke përgaditur dhunën me qetësi dhe sipas një plani të hollësishëm.Kështu,në vjeshtë të vitit 1921,në fshatrat shqiptare të Kumanovës,mësynë dy batalione të Armatës së Tretë të Shkupit,të armatosura deri në dhëmbë.Urdhëri i tyre ishte i prerë,asnjë këmbë shqiptari të mos shkele tokën e Kumanovës.Veçmas,u mësynë fshatrat në rrënzë të Karadakut siç janë ; Llojani,Likova,Sllupçani,Hotla,Matejci etj.Për ditë e netë të tëra,nuk pushonte zjarri i kullave dhe tymi përzihej me barotin e pushkëve.Serbo-sllavomaqedonasit,në tërbimin shtazarak të tyre,nuk kursenin as gratë dhe as fëmijët e djepit.Një korespondent i huaj,pjesmarrës në ato luftime,lidhur me këtë masakër shkruan : “Taktika luftarake e serbëve në Maqedoni ka marrë karakterin e një masakre të përgjithshme,pothuaj të tmerrshme.Ushtria po zbaton një taktikë shkatërimtare, barbare në kulm.Sipas tregimeve të ushtarëve  dhe oficerëve,në mes të Kumanovës dhe të Shkupit janë vrarë mbi 3000 shqiptarë… Fshatrat shqiptare janë krejtësisht të djegur.Populli po gjurmohet nëpër shtëpitë e veta dhe po i vrasin si minjtë.Militaristët serb,këtë gjueti njerëzish, e kallëzojnë me një lavdatë të jashtëzakonshme”.(Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë. Fondi “Komiteti Kombëtar i Mbrojtjes së Kosovës “,dosja 35/2 , fleta 4 ).

Edhe në dimrin e vitit 1922,dhuna serbe në kumanovë,nuk ka gjetur prehje.Aradhat e Armatës së Tretë të Shkupit,të komanduara nga kriminelët Millan Stefanoviq dhe Vojvoda Angjellkon,nën preteksin e aksionit të grumbullimit të armëve,u ranë kryq e tërthorë krejt fshatrave shqiptare në Kumanovë,me ç’rast grabitën edhe ate pak gjë të gjallë që pati dalë prej dimri.Askush tanimë nga shqiptarët etnik të Kumanovës,nuk mund të kërkonte të drejtën më të vogël.E vërteta është se qysh me aprovimin e kushtetutës së Videvdanit të 28 qershorit 1921,prej Mbretërisë serbo-kroato-sllovene,të drejtat më lelementare shqiptare merreshin nëpër këmbë në mënyrë më brutale.Kështu që në fshatin Lipkovë,në majin  evitit 1922,aradha serbo-sllavomaqedonase e Millan Stefanolliqit, u mori me forcë bagëtitë,dy prej fshatarëve  nën preteksin se i donte armata.Kur njëri prej këtyre fshatarëve të varfër,u tha ushtarëve se me to mbante frymën e fëmijëve,ai u qëllua menjëherë në vend,kështu duke paralajmëruar për tragjizmin  e fateve të tyre nën rrobërinë e egër sllavoshovene.

Ndërsa në fshatin Hotlë,u muar i lidhur me tela,patrioti 70 vjeçar Beqë Syla.Faji i tij ishte se u pat folur fëmijëve të vet në gjuhën shqipe.Aty pran pat kaluar një fshatar maqedonas dhe i kish thënë se fliste serbisht apo maqedonisht pse këtu më nuk qenka në vend të vet.Trimi Beqë Sula i përgjigjet prerë se ai vend prej së lashti ka qenë Shqipëri dhe se ashtu do të mbesi për jetë të jetëve.Kaq është dashur,sllavomaqedonasi duke vrapuar në postëkomandën dhe Beqë Sula pasi është prurë zvarrë nëpër rrugë,është pushkatuar barabarisht në qendët të fshatit Hotël. Mandej në vitet 1923-1924,në emër gjoja të ndërtimeve që do të kryente Mbretëria serbo-kroato-sllovene,nxori ligjin famkeq për punën e detyruar,sidomos në hekurudhë.Për hir të së vërtetës,duhet thënë se listat dhe thirrjet e para të ardhura në Kumanovë,ishin ato për familjet shqiptare.Nëse këta për ndonjë arsye apo tjet¨üer,nuk do të çonin dikend nga shtëpia,atëhrë ata duhet të paguanin shuma të mëdha parash.Kësisoj fshatarët e Kumanovës shqiptare,detyroheshin të çonin në hekurudhë deri pleq e fëmijë të cilët punonin pa shpërblim për muaj të tërë.Dhe askush nuk mund të kërkonte të drejta.Shtypi shqiptar i asaj kohe,lidhur me këtë shkruante : “Këtu nuk vlejnë ligjet shtetërore por ligji i topuzit,sepse kur përmenden emrat e vojvodëve,të çetnikëve si të Tanko Trifunoviqit,Boro Millovanoviqit,Kosta Peçancit,Miliq Kërstiqit,nga vet emrat shfaqet tmerri i vërtetë”.( Gazeta ”Hak” 24 shtator 1924 ).

E vërteta është se fryma serbe ka qenë determinante në formacionet politike dhe ushtarake brenda Mbretërisë Jugosllave të viteve 20-të.Në veçanti në vitet 1925-1930,qarqe të caktuara serbe muarën kompetenca të mëdha politike,me ç’rast shtruan sërish kërkesën e shpronsimeve të shqiptarëve si edhe kolonizimin e trevave plotësisht të pastra etnikisht,me kolonë serb.Ajo çka u trumbetua me të madhe nga Beogradi si reformë thellësisht agrare,ishte në fakt një reformë dinake dhe e egër politike, e cila më pas degjeneroi në luftë të hapur,për të përzënë shqiptarët nga trojet e tyre stërgjyshore.Në Kumanovën shqiptare kjo reformë nuk pati ate përhapje aq të madhe sa në vendet e tjera të Maqedonisë shqiptare.Sidoqoftë edhe aty u ndje goditja ndaj pronarëve shqiptarë të cilët dispononin toka të konsiderueshme.Një sërë ligjesh i ngrakuan me taksa të larta këta pronarë dhe në mjaft raste tokat u muarën me forcë,gjoja për nevoja të shtetit,pa u paguar asnjë metër katrorë.Por përgjithësisht,në Kumanovën shqiptare u goditën pronarët shqiptarë të të gjitha shtresave,ngase kërkohej shkombëtarizimi sa ma i shpejtë dhe i thellë i këtyre trevave.Ajo çka vlen të mos harrohet,është fakti se partitë politike të sllavomaqedonasve në Maqedoninë shqiptare,por edhe grupimet ushtarake e të tjerë,gjendeshin në grindje të vazhdueshme midis tyre.Por gjithsesi ndonëse ata ishin të ndarë në interesat e tyre partiake,të ditës,i bashkonte kurdoherë një veprim unik në lidhje me largimin e shqiptarëve prej trojeve të tyre etnike.Jo rallë,ishin pikërisht këto organizata të cilat ndikonin drejtëpërsëdrejti që në tokat e rrëmbyera të shqiptarëve,të vendoseshin sa ma shpejtë kolonët serb.Mandej në tezat “shkencore” të akademistëve te Beogradit,të ishe kolon do të thoshte në gjuhën e tyre të ishe “patriot i madh “.Si gjithmonë edhe në këtë rast,(ndonëse SKS propagandonte një fare lirie etnike) shqiptarët shiheshin si qytetarë të dorës së fundit.Madje në këtë rrafsh,përgjigjja e ankesave merrte edhe tone qesharake. “Lidhur me ankesat e shumta të shqiptarëve të Kumanovës,të cilëve u ishte rrëmbyer padrejtësisht toka,Drejtoria Mbretërore e Banovinës së Vardarit me seli në Shkup,vendosi më 8 prill 1931 që të gjithë të ankuarve,t’u mohohet e drejta me kompesim për arsye se me kohë nuk e kishin kërkuar këtë dhe se kërkesa pas 9 vjetësh ishte e pavend dhe për këto prona të ndarë çetnikëve,shqiptarët nuk  dispononin vërtetime”.

( Dr. Hakif Bajarami, “Rrethanat shoqërore dhe politike në Kosovë “ faqe 74 ).

Me banorët etnik të Kumanovës shqiptare,u manipulua shumë edhe me termin “toka të braktisura”. Dihet se sidomos fshtrat që ndodhen në rrëzë të Karadakut përcaktohen prej burimeve të vyera gjeografike,klimatike dhe sidomos blektorale.Lartësitë e Karadakut (të Kumanovës) kanë shërbyer kurdoherë si burrim i kullotave të pasura dhe mjeshtëria e punimit të bulmetit,apo rritja e bagëtive në këto treva,ka tradita të mëdha.Por kur pas sulmeve periodike të Armatës së Tretë të Shkupit,këta banorë mirrnin malet e pyjet për ti shpëtuar plumbit,atëhrë nga serbia apo maqedonia jugore nuk vononin të arrinin kolonët duke zaptuar kullat dhe arrat e bukës shqiptare.Për më tej,pati nga këta fshatarë shqiptarë të Kumanovës,të cilët e ndjenë të pamundur jetesën midis etnive të tjera dhe me gjithë rezistencën e madhe,me gjithë dhembshurinë për dheun e të parëvet të tyre,”u larguan për të mos u kthyer më në vatrat e tyre”.(Arkivi Qendror i shetit.Fondi 886,dosja 117, fleta 4 ).

Një prej elementëve zotërues,të shkombëtarizimit të shqiptarëve në përgjithësi,i përdorur prej serbo-sllavomaqedonasve,midis dy luftërave botërore,padyshim është edhe konfesioni fetar.Pas eleminimit të shkollave në gjuhën shqipe,aksioni i dytë i serbëve ka qenë pikërisht goditja e besimit fetar tek banorët shqiptarë autoktonë,me ç’rast do të ishte një “argument” më shumë për Stara Serbinë e tyre.Në fillim të shekullit të kaluar,në pjesën më të madhe të tyre,banorët e Kumanovës shqiptare i përkisnin konfesionit fetar mysliman dhe mbrenda këtij konfesioni ishin edhe përkrahës të sektit bekatshi.

Në fillim të viteve 30-të,administrata civile bënte mjaft lëshime për ata shqiptarë që shëndrroheshin në ortodoks,ose ato ortodokse shqiptarë që pranonin kishën sllavoortodokse dhe pranonin me kënqsi asimilimin e tyre duke u shëndruar në “maqedonas”,në të kundërtën,ndërrmerte masa drakoniane.Sidoqoftë banorët e Kumanovës shqiptare duruan mbi supet e tyre mjaftë zullume të qeverisë,pa e ndrruar konfesionin fetar të tyre,me përjashtim të shumë ortodoksëve shqiptarë.Me këtë rast ashtu sikundër në krejt viset e Maqedonisë shqiptare “mjaft prona të xhamive e teqeve u shpronsuan në mënyrë arbitrare dhe të dhunshme.Këtë fat e pësun edhe disa vende të quajtura “Vakëfe” (të shenjta) në vise të Kumanovës”.(A. Q. i shtetit-Tiranë,fondi 251,dosja 194, fleta 7 ).

Shpërnguljet me dhunë prej trojeve etnike,do të ishin një tjetër plagë e hapur për banorët e Kumanovës shqiptare.Një plan i detyjuar me hollësi prej Beogradit,mandej edhe në bashkëpunim me qeverinë turke të asj kohe,i degdiste shqiptarët deri në kufijtë e largëta të Azisë.Marrja me forcë e disa familjeve në fshatin Zllakuçan,në vitin 1937,bëri që revolta e shqiptarëve etnik të rritet së tepërmi deri në rrëmbimin e armëve dhe organizimin e çetave me luftëtarë të lirisë. Sidoqoftë, kjo plagë në trevën e Kumanovës nuk ishte aq e madhe sa në pjesët e tjera të Maqedonisë shqiptare apo të Kosovës.Mandej nuk duhet harruar në këtë rast edhe interesimi dhe patriotizmi i qeverisë shqiptare në vitin 1938,posaçërisht për këtë problem.Kështu një nga kushtet që Mbreti Zog,i vuri Qeverisë Jugosllave të Stojadinoviçit për nënshkrimin  e një pakti miqësie e mossulmimi ishte pikërisht : “Të ndalohet shpërngulja e shqiptarëve të Kosovës e Maqedonisë në Turqi”.(Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë, Fondi 251 , dosja 107 /2 , fleta 768 ).

Kësisoj në dy deceniet midis dy luftërave botërore,shqiptarët etnik në Kumanovë,pritën mbi supe sa e sa tallaze të tërbuara të shovenizmit sllavoortodoks.Por ata nuk u thyen,nuk u asimiluan,nuk u shuan.Ata mbijetuan falë viteve të vyera të trashëguara nga të parët e tyre me plot mesazhe e amanete për Komb e Atdhe,deri në ditët e sotme.

Dienstag, 11. August 2015

Rudolf Virchow - Kafkat e shqiptareve...

Rudolf Virchow:
Kafkat e shqiptareve tregojne racen me superiore te Europes

Rezultatet e shkencëtarit Rudolf Virchow, krijuesit të shkencës së kronologjisë, një prej shkencëtarëve më në zë të viteve 1800, politikanit e antropologut të famshëm gjerman, për racën shqiptare.

Shumëkujt mund t’i ketë rënë rasti të lexojë librin e Mit’hat Frashërit, “Shqiptarët” (Zenit Editions 2005) i cili është përkthyer nga origjinali i shkruar në frëngjisht “Les albanais dans leur pays et â l’etranger”. Ndër shumë citime autorësh – duke bërë komente e përshkrime – që Mit’hat Frashëri sjell për të dhënë një përshkrim të natyrës e karakterit që ka kombi shqiptar, aty nga fundi, ai ruan si diçka të veçantë një citim të cilin e thekson. Ky citim që ai bën, ngjan me ato fjongot që u vihen mbi krye vajzave të vogla, pasi i kanë veshur me hijeshi.

Duke qenë se ka folur për tiparet, doket, zakonet, kulturën, aftësinë, jetën e frymën e një kombi që ka prodhuar histori e që ka lënë gjurmët e tij te kjo e fundit prej shumë shekujsh, ai, ndoshta, mendon që për të dhënë edhe një përgjigje përfundimtare për karakterin e shqiptarit, po aq mirë – e ndoshta më shumë se historia – mund të na vijë në ndihmë shkenca. “Po e ruajmë për në fund opinionin e një dijetari dhe antropologu të madh, profesor Virchow. Blowitz, korrespondent i “Times”, na kujton takimin e tij me doktorin” – shkruan Mit’hat Frashëri në librin e tij.

Fragmenti që sjell Mit’hat Frashëri në këtë libër, është një pjesë e shkëputur prej shkrimit  “Virchow chez lui (La danse des crânes- Les peuples des Balkans - La perle de la collection Vivent les Albanais!- Le sa- vant et l'homme politique)”, shkrim i cili u botua në faqen e parë të numrit 6442 të gazetës “Le Matin”, Paris më 15 tetor 1901. Në artikullin e “Le Matin”, kjo pjesë e shkrimit që flet për tiparet e kafkave të shqiptarëve mban nëntitullin “La race supérieure” (raca superiore). Shkrimi origjinal i Blowitz, është botuar në gazetën “Times” që në vitin 1878, shumë vite më parë sesa ribotimi i këtij artikulli në “Le Matin”, 1901. Më poshtë do të sjellim si artikull të plotë, pikërisht botimin më të hershëm të tij.

Përse “Le Matin” e ribotoi, madje në faqe të parë, këtë artikull i cili - bazuar në kërkimet shkencore - flet për superioritetin e madhështinë e racës shqiptare, karshi të tjerave? Emri i Rudolf Virchow, personit që bën këtë vlerësim është përgjigjja e duhur. Nëse një përfundim të tillë do ta kishte thënë dikush tjetër, pak gjasa do të kishte që të merrej për bazë, por emri i Virchow, është i përmasave të tilla sa vështirë të besojmë se një shkencëtar i tillë kishte “lajthitur”, kur i shikonte shqiptarët me mahnitje, si racën më të përsosur.

Në vitin 1915, pas ndarjes së padrejtë të trojeve shqiptare, Shqipëria kërcënohej sërish nga një copëtim i ri. Ishte viti i Traktatit të  fshehtë të Londrës, i cili i falte Italisë Vlorën me qarkun e saj dhe i lejonte një lloj protektorati mbi Shqipërinë e Mesme, teksa grekët merrnin Shqipërinë e Jugut dhe serbo-malazezët atë të Veriut. Në këtë vit, Faik bej Konica, intelektuali i njohur shqiptar, ngre zërin për padrejtësitë e radhës që po bëheshin ndaj shqiptarëve. Në atë kohë ai ndodhej në Lozanë, Zvicër. Më 12 nëntor 1915, duke i dërguar një letër të hapur, zotit Hans Delbruck, këshilltar i afërt i qeverisë, profesor i historisë moderne në Universitetin e Berlinit, ai demaskon politikat e gabuara gjermane.

Letra e shkruar dhe e botuar në frëngjisht - “Gjermania dhe Shqipëria” (L’Allemagne et L’Albanie) – është botuar këto vite nga studiuesi Jup Kastrati në studimin e tij “Mbi krijimtarinë letrare të Faik Konicës”, si pjesë e veprës “Studime për autorë të ndaluar” botim ky i Qendrës së Studimeve Albanologjike. Arsyeja që e përmendëm këtë letër të Konicës, është se ndër të tjerë ai i referohet edhe Virchow, për t’i treguar profesorit gjerman, Hans Delbruck, tiparet e kombit shqiptar. Ja seç shkruan ndër të tjera Faik bej Konica:

“...mund t’ju vë në dijeni për ekzistencën e një traktati bullgaro-grek për ndarjen e Shqipërisë, traktat i sugjeruar, miratuar, vulosur dhe garantuar nga Gjermania. Për këtë arsye, marr guximin t’ju drejtoj, i lutur nga bashkatdhetarët e mi një pyetje: “Si do të arrini ju të pajtoni deklaratën tuaj me planin brutal të copëtimit të Shqipërisë?”

Ja një vend, ja një popull që hyn në kategorinë e “kombësive të vogla” dhe që do të meritonte, në mënyrë të veçantë, mirësinë dhe vlerësimin tuaj. A nuk ka thënë Mommseni juaj se kombi shqiptar është më i vjetri në Ballkan? A nuk a ka quajtur shpesh Virchow-i juaj “kombin me të vërtetë më superior” të Europës Lindore? A nuk e kanë përsëritur në çdo kohë, dijetarët tuaj, që dallohet nga fqinjët e tij për nga gjuha dhe shpirti?”

Para se të lexojmë takimin e Blowitz, gazetarit të “Times”, me profesor Virchow, le të shohim shkurtimisht diçka për jetën e shkencëtarit gjerman. Kjo gjë na ndihmon për të kuptuar më qartë përfundimet e tij mbi shqiptarët dhe rëndësinë e punës së tij.



Kush është Rudolf Virchow?

Rudolf Ludwig Karl Virchow (1821-1902) ishte një doktor gjerman, antropolog, patolog, prehistorian, biolog dhe politikan, i njohur për shpënien para të shëndetit publik. Atij i referohen si “babai i patologjisë moderne” dhe konsiderohet si një nga themeluesit e mjekësisë sociale. Vinte nga një familje bujqish me origjinë gjermane dhe polake. Virchow studioi për mjekësi dhe kimi në Berlin në Akademinë Ushtarake Prusiane. Kur u diplomua në 1843, shkoi për të shërbyer si asistent i anatomistit të njohur, Robert Froriep. Një nga kontributet e tij më të mëdha për arsimin mjekësor gjerman ishte inkurajimi i përdorimit të mikroskopit nga studentët, duke u bërë thirrje studentëve të tij për të 'menduar mikroskopikisht'.

Virchow ka meritën e shumë zbulimeve të rëndësishme. Kontributi shkencor më i njohur gjerësisht i Virchow është teoria e tij për qelizën, e cila ndërtoi punën e Theodor Schwann. Ai përmendet si i pari që njohu qelizat e leucemisë. Virchow botoi në vitin 1858 studimin e tij mbi qelizat në “Omnis cellula e cellula ("çdo qelizë e ka origjinën nga një tjetër qelizë ekzistuese si ajo"), bazuar në shpikjen e François-Vincent Raspail. Ky ishte një refuzim i konceptit të lindjes spontane, i cili mbronte idenë se organizmat mund të lindin nga materia e pajetë, i kundërshtuar fillimisht nga Francesco Redi dhe hedhur poshtë përfundimisht nga Virchow, për të deklaruar se burimi i vetëm për një qelizë të gjallë ishte një tjetër qelizë e gjallë.

Një zbulim tjetër i rëndësishëm (i madh) i Virchow, është edhe ai që bëri përafërsisht në të njëjtën kohë me Charles Emile Troisier, në lidhje një nyje të zgjeruar supra-calvicular dhe kancerin në mushkëri. Kjo njihet si nyja e Virchow. Virchow është gjithashtu shumë i njohur edhe për sqarimin e funksionimit të mekanizmit të thromboembolism-it të  mushkërive. Për më tepër, Virchow themeloi fushat mjekësore të patologjisë qelizore dhe të patologjisë krahasuese.

Në vitin 1869 ai themeloi shoqërinë e antropologjisë, etnologjisë dhe parahistorisë (Gesellschaft für Anthropologie, Ethnologie und Urgeschichte), e cila pati shumë ndikim në koordinimin dhe intensifikimin e hulumtimit arkeologjik gjerman. Në vitin 1885 ai zhvilloi një studim të kraniometrisë (matja e studimi i kockave të kafkës), i cili dha rezultate të habitshme që kundërshtonin teoritë bashkëkohore shkencore raciste mbi "racën ariane", duke e shtyrë Virchow që të denonconte "misticizmin nordik" në Kongresin e Antropologjisë në vitin 1885 në Karlsruhe. Në vitin 1861, ai u zgjodh anëtar i jashtëm i Akademisë Mbretërore suedeze të Shkencave e në 1892 u nderua me Medaljen Copley. Mes studentëve të tij më të famshëm ishte edhe antropologu Franz Boas, i cili është quajtur si “babai i antropologjisë amerikane” dhe “babai i antropologjisë moderne”. Virchow ishte një studiues i palodhur dhe ka lënë një numër shumë të madh veprash të shkruara.

Ai zhvilloi gjithashtu një metodë standarde të procedurës së autopsisë, e cila mban emrin e tij e që është ende një nga dy teknikat kryesore të përdorura sot. Por më shumë se një mjek eksperimentues, Virchow ishte edhe një avokat i pasionuar për reformat sociale dhe politike. Ai konsiderohet gjerësisht si pionier i mjekësisë sociale dhe antropologjisë. Virchow kundërshtoi fort Darvinizmin nëpërmjet një lekture të tij ku theksonte faktin se mungojnë provat e fosileve për një prejardhës të përbashkët të majmunit e njeriut.

Virchow ka meritën edhe për themelimin e mjekësisë shoqërore, duke u përqendruar në faktin se shpesh sëmundja nuk është thjesht biologjike, por një rrjedhim shoqëror. Si një bashkëthemelues dhe anëtar i partisë liberale (Deutschen Fortschrittspartei) ai ishte një antagonist kryesor politik i Bismarkut. Thuhet se Bismarku e sfidoi Rudolf Virchow në një duel dhe Virchow, duke pasur mundësinë e zgjedhjes së armës, sepse ishte pala e sfiduar, zgjodhi dy salsiçe, ku njëra prej të cilave ishte me kolerë. Bismarku, thuhet, se u tërhoq nga dueli.

Një fushë ku ai ka bashkëpunuar me Bismarkun ishte Kulturkampf, fushata anti-klerikale kundër Kishës Katolike duke pretenduar se ligjet anti-klerikale sillnin "karakterin e një lufte të madhe në interes të njerëzimit". Virchow ishte një person i respektuar në qarqet masonike dhe ka burime që pohojnë se mund të ketë qenë një mason. Vdiq nga pushimi i zemrës dhe u varros në varrezat Matthews St., Schöneberg, Berlin. Shoqëria për Mjekësi e Antropologji jep një çmim vjetor në emër të Virchow-it (Rudolf Award Virchow).


Shqiptarët, raca superiore

Që profesor Virchow ishte një prej emrave më të shquar të shkencëtarëve të kohës, vihet re lehtë. Këtë ide e përforcon edhe më tepër Blowitz në artikullin e tij. Duket se ky emër i famshëm kishte bërë që artikulli i Blowitz, të botohej, në të njëjtën kohë me Times, edhe në cepin më të largët të botës, në Zelandën e Re (“Dr. Virchow on skulls”, New Zealand Tablet, Volume VI, Issue 290, 22 November 1878, faqe 17). Është po i njëjti artikull që ribotohet në vitin 1901 në “Le Matin”. Më poshtë është artikulli i plotë. Ja se si e përshkruan Blowitz takimin në shtëpinë e profesor Virchow:

“Unë pranova gjithë padurim ofertën e dr. Liebreich për të më njohur me dr. Virchow. Pritëm disa minuta në një prej laboratorëve. Në dhomën e parë nëpër të cilën kaluam gjendej një koleksion me eshtra njerëzore, të rregulluara në mënyrë simetrike si të ishin oaze. Një ndihmës ishte i zënë me punë në kryerjen e llogaritjes së përmasave të një kafke të vendosur në mënyrë precize në një mbajtëse qelqi. Dhoma e dytë ishte si një miniaturë e Luginës së Jozafatit (shënim i përkthyesit, A.H: Jozafati ishte mbreti i katërt i Mbretërisë së Judës, ndërsa Lugina e Jozafatit është vendi ku: sipas Joel 3:02, Perëndia e Izraelit do të mbledhë të gjitha kombet për gjykim) në momentin e shfryrjes së parë të trombës së ringjalljes. Kishte aty skelete të ngritura drejt, të lakuara, të ulura, të përkulura, si njerëz të zënë në çorodi mes gjumit të tyre teksa shtriqeshin para se të zgjoheshin tërësisht. Eshtra të çdo lloji mbulonin tavolinat, raftet e karriget dhe për të gjetur karrige për t’u ulur duhej t’i pastroje nga mbetjet njerëzore të cilat i ngarkonin ato.

Kafka të panumërta kurorëzonin këtë koleksion magjepsës, duke zbardhur mes pjesëve të paforma të shpërndara mbi mobilie dhe mbi dysheme. Duke soditur këtë spektakël dhe duke kujtuar fjalimet elokuente e të mprehta të dr. Virchow, prisja të shihja një siluetë gjigante, të veshur në mënyrë të çuditshme, me sy xixëllues dhe fytyrë ndriçuese, që të personifikonte fuqinë e dyfishtë të njeriut i cili depërton në sekretet e vdekjes dhe lëvdohet duke mbrojtur ekzistencën e jetës, lirinë. Dera u hap, dhe unë nuk pashë asgjë nga tërë këto.

Njeriu i cili vinte drejt meje ishte i veshur si një antikuarian i zënë me organizimin e koleksioneve të tij; me kokën disi thatanike dhe eshtake; flokët e mjekrën të shkurtra e të thinjura; ballin e nxirë nga dielli – në vend që të ishte i rrudhur – të dalë para dhe pak të ngjeshur anëve; venat e dukshme në tëmtha; sytë e vegjël e të futur, gojë të palëvizshme, hundë të mprehtë dhe i palodhur; duart e nxira nga dielli, të shkathëta e të holla, që shfaqnin vendosmëri, energji dhe shkathtësi. Sidoqoftë, origjinaliteti i situatës, u shfaq shpejt.

Biseda u drejtua menjëherë mbi Kongresin (shënim i përkthyesit, A.H: Kongresi i Berlinit, 1878) që po mbahej asokohe. Diskutuam  mbi rivalitetin e kombeve të vogla që përpiqeshin të fitonin supermaci në Turqinë Europiane (shënim i përkthyesit, A.H: bëhet fjalë për Perandorinë Osmane në Ballkan).

Në kabinetin e tij ose më mirë në muzeun e tij në vitin 1878, gjatë kohës që po mbahej Kongresi i madh në Berlin, të nesërmen e luftës ruso-turke, (shënim, A.H: pjesa në vijim është ajo që citon edhe Mit’hat Frashëri në librin e tij “Shqiptarët”, Zenit Editions 2005, faqe 66-67) kur po flitej për racat e ndryshme të Ballkanit, doktori dijetar u ngrit papritur: "Shikoni! - tha ai. Ja raca me të vërtetë superiore e këtyre vendeve. Shikojini këta!" Përpara na vuri tri kafka me një konformacion të barabartë. "Njëri nga kolegët e tu më ka dërguar të parën, pastaj shtiva në dorë dy të tjerat. Janë kafka shqiptarësh të vrarë nga turqit. Vështrojini me kujdes! A s’janë të bukura?! A s’janë madhështore?!

Kur mora këtë të parën, mendova se ishte një përjashtim. Por janë të gjitha si kjo këtu! Ja raca superiore, madje shumë më lart se gjithë të tjerat!" Dhe doktor Wirchov e përkëdhelte me një butësi entuziaste dhe me shikim plot dashuri kafkën jo të plotë që mbante mbi gjunjë. Pastaj, duke e ngritur dhe duke e ulur me kujdes filloi të përcaktojë në një fjalim të shpejtë dhe me imazhe popullatat e ndryshme të Turqisë europiane dhe, në mbështetje të çdo opinioni që shprehte, ai kërkonte një, dy, tre kafka: malazeze, boshnjake, dalmate, serbe, bullgare, rumune, turke e hungareze. Pak e nga pak ai i kishte shtuar provat në mbështetje të këtyre opinioneve dhe më në fund, në qendër të këtij rrethi të plotë dhe të formuar prej kafkash të madhësive të ndryshme, pak a shumë të prera nga armë të bardha dhe nga zjarri, ai plotësoi demonstrimin e tij.

Edhe pse Kongresi e gjykoi jashtë pikëpamjes kranologjike (kafkore), ai gjithnjë u kthehej kafkave të veta shqiptare dhe kur fliste, ulej për t’i prekur me gishta, ndërkohë që të tjerat i konsideronte të padenja; dhe më duhet të shtoj se Konti Andrasi (shënim i përkthyesit, A.H: Kryeministër hungarez dhe ministër i jashtëm i Jashtëm i Hungarisë, 1871–79) nuk do të lëvdohej sikur të dinte sërën e caktuar nga dr. Virchow për hungarezët. “Times”

Kjo dëshmi e sjellë nga ky artikull do të ishte akoma më e plotë po qe se do të kishim mundësinë të lexonim studimet e plota të profesor Virchow mbi racën shqiptare. Këto studime presin ende ditën që të zbardhen e të botohen në gjuhën shqipe.
Deputeti britanik, Cowen: Shqiptarët janë më i vjetri komb i Lindjes

Ndërkohë, aq i bindur ishte Virchow në lidhje me përgjigjet shkencore për racën shqiptare, saqë i drejtohet Kongresit të Berlinit që të ruante këtë racë të rrallë. Atë, nuk e dëgjuan. Natyrisht që Shqipëria u copëtua si mos më keq. Shkenca para politikës (interesave, pazareve) është thuajse gjithmonë e zhvleftësuar. Po kaq vlerë kishte edhe drejtësia e Fuqive të Mëdha. Do të ishte me shumë interes për publikun shqiptar të dinte kumtesën e mbajtur nga Virchow në lidhje me racën shqiptare dhe përpjekjet që ai ka bërë për vlerësimin tonë, nga Kongresi i Berlinit, si racë me tipare të veçanta. Por profesori i ditur, nuk ishte i vetmi që i shikonte shqiptarët si një racë tejet të lashtë. Më poshtë, sjellim një fragment në të cilin britanikët diskutojnë pikërisht mbi këtë gjë, shqiptarët. Pjesa është shkëputur “Nga bisedimet në Dhomën e Komuneve të Britanisë së Madhe më 4 shtator 1880”, e pasqyruar në botimin me rastin e 50-vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, “Rilindja Shqiptare” (Përgatitur: Kristo Frashëri, Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve “Naim Frashëri”, Tiranë 1962):

“Joseph Cowen: Besoj se qëllimi i anijeve luftarake që do të mblidhen në Raguzë është që t’u kallin frikën turqve. Po sikur të mos i zërë frika Turqit? Çdo të bëhet atëherë? Forca detare e Anglisë, e Anglisë së lirë dhe konstitucionale, a do të përdoret për të djegur a për të shkatërruar kasollet e gjahtarëve, peshkatarëve ose barinjve shqiptarë të Ulqinit? Për këtë qëllim të poshtër do të përdoret fuqia e Britanisë?



Për fitim të kujt do të bëhet kjo padrejtësi? Për fitim të malazezëve...

Malazezët janë rrethuar prej një populli tjetër, i cili është aq trim sa ata, dhe historia e të cilit humbet në brymë të kohës. Shqiptarët janë më i vjetri komb i Lindjes. Ishin atje më parë se grekët e vjetër. Shqiptarët kanë legjenda, gjuhë e karakteristika të veçanta të tyre. Kanë ca cilësi që ndryshojnë fare nga ato të malazezëve, po janë aq trima sa ata dhe dashuria e tyre për liri, as u vu as mund të vihet në dyshim. Plani i fuqive të mëdha është të marrin një copë të Shqipërisë dhe t’ia japin Malit të Zi, pa i pyetur shqiptarët dhe pa u marrë atyre leje.



Një deputet: Shqiptarët nuk janë komb.

Joseph Cowen: Nuk janë një komb, thotë Zotëria e tij. Atë fjalë tha edhe princi Bismarck në Berlin. Princi Bismark tha se nuk kishte dëgjuar që ka një komb shqiptar. Po princi Bismarck nuk kishte dëgjuar as për kombësinë e Holandës a të Danimarkës. Një tjetër princ, aq i fuqishëm sa është princi Bismarck sot, pretendoi në Kongresin e Vjenës që s’dinte ndonjë komb italian. Pas mendjes së atij diplomati, Italia nuk ishte veçse një “shprehje gjeografike”. Dhe me gjithë këtë sot dimë të gjithë se Italia është një komb i madh e i bashkuar. Ajo që u vërtetua në pak më tepër se pesëdhjetë vjet për popullin e një ane të Adriatikut, mund të vërtetohet me një mënyrë të ndryshuar edhe për anën tjetër në aq kohë e sipër. Pas mendjes time do të ishte një padrejtësi aq e madhe të viheshin shqiptarët nën zgjedhë të malazezëve sa sikur të viheshin malazezët nën zgjedhën e shqiptarëve...”



Si e siguroi Virchow kafkën e parë shqiptare - një kryetar fisi shqiptar

Në librin e tij Mit’hat Frashëri, nuk jep hollësi të mëtejshme në lidhje me punën e Virchow apo mënyrën se si ai siguroi kafkat shqiptare. Në artikullin e “Times”, ribotuar edhe në “Le Matin”, Virchow i thotë Blowitz: “Njëri nga kolegët e tu më ka dërguar të parën, pastaj shtiva në dorë dy të tjerat. Janë kafka shqiptarësh të vrarë nga turqit. Vështrojini me kujdes! A s’janë të bukura?! A s’janë madhështore?! Kur mora këtë të parën, mendova se ishte një përjashtim. Por janë të gjitha si kjo këtu! Ja raca superiore, madje shumë më lart se gjithë të tjerat!”. Pas një kërkimi mbi punën e Virchow, ajo që vjen si diçka e re dhe e pathënë më parë, është dëshmia e gazetarit i cili i siguroi Virchow kafkën e parë shqiptare. Cili ishte kolegu i Blowitz? Po dy kafkat e tjera si i erdhën në dorë Virchow? Kolegu i Blowitz, ishte një korrespodent amerikan që mbulonte lajmet nga Ballkani. “Le Matin” e ribotoi artikullin në vitin 1901. Po këtë vit është botuar libri me kujtime, në dy vëllime, i gazetarit amerikan, William James Stillman, (“The Autobiography of a Journalist” (Autobiografia e një gazetari); William James Stillman 1828-1901; Vol. 2; Boston Houghton, Mifflin and Co. ; Cambridge Mass. Riverside Press, 1901). Stillman hedh dritë mbi mënyrën se si Virchow siguroi kafkat shqiptare. Ai i çoi atij të parën. Stillman është personi që e ka befasuar profesorin (sipas asaj që Virchow i rrëfen Blowitz) me kafkën që i dërgoi.

Ishte koha kur shqiptarëve po u merreshin viset veriore për t’ia dhënë Malit të Zi. Stillman ishte korrespodent për Ballkanin dhe ndiqte zhvillimet që po ndodhnin (qëndrimet e tij – ndoshta për mungesë informacioni – shpeshherë janë pro malazeze, por kjo gjë nuk është objekti i shkrimit). Pas një prej betejave të shumta shqiptaro-malazeze, ai dëgjon historinë e vrasjes së një shqiptari dhe këtu zë fill historia që ne kërkonim. Kafka e atij shqiptari është kafka e parë e koleksionit të Virchow. Pjesa e mëposhtme është marrë nga libri i lartpërmendur (faqe 611-613) me kujtimet e gazetarit William J. Stillman:

“Kapiteni më tregoi për një shqiptar trim, që kishte rënë i plagosur nga kali i tij dhe ishte strehuar në një të çarë të shkëmbinjve, i cili kishte vrarë dy malazezë dhe kishte plagosur një të tretë para se sa të shfaqej i pambrojtur ndaj njërit prej tyre, që i kishte dalë pas shpine dhe që e kishte qëlluar nga një e çarë mes shkëmbinjve që e strehonin. Mënyra e vdekjes së tij dhe ajo e sulmuesve të tij, ilustrojnë mënyrat e luftës së malazezve kaq plotësisht sa që unë isha i interesuar për këtë gjë më shumë sesa për detajet heroike të luftimit.

Malazezi e ka çështje sedre sulmin e armikut të tij ballë për ballë dhe mundësisht me armë të ftohtë. Armiqtë që bien në përleshje të përgjithshme nga të shtënat e pushkës, ai nuk i konsideron kurrë si “kokat” e tija; “ai deklaron vetëm ato që ai ka vrarë në një luftim me duar”. Ky shqiptar ishte bajraktari i fisit të tij, kryetari trashëgimor dhe ta vrisnin atë në një luftim me duar ishte ambicia e të treve atyre që e sulmuan atë radhazi; vrasja në shpinë ishte vetëm një çështje nevojshmërie.

Kujtova në atë moment një korrespodencë që kisha pasur vite më parë me Virchow, në lidhje me Pellazgët; dhe duke menduar për koleksionin e tij të kafkave, e pyeta kapitenin nëse ai e dinte vendin se ku kishte rënë shqiptari dhe nëse eshtrat ishin akoma atje, e kur ai më siguroi se ato ishin aty ku ai kish rënë, unë i ofrova atij dy florinj për të më sjellë kafkën, gjë të cilën ai e bëri. Ishte kafka e një burri në moshë të re, me qepjet e kockave të kafkës thuajse të mbyllura, vetëm me dy dhëmbë që i mungonin e asnjë prej tyre të sëmurë dhe unë ia dërgova atë kraniologut të madh, i cili m’u përgjigj me falënderime të ngrohta.

Kafka, tha ai, ishte më e shkëlqyera e koleksionit të tij për sa i përket zhvillimit mendor dhe ai lexoi një kumtesë në lidhje me të, para Akademisë Perandorake Gjermane. Atij i kishin bërë aq përshtypje karakteristikat e asaj kafke sa që ishte i prirë ta konsideronte si një kafkë të jashtëzakonshme dhe i shkroi një prej oficerëve austriakë në Malin e Zi për ta pyetur nëse mund t’i dërgonte disa të tjera, dhe këto, edhe pse jo si ajo e kryetarit të fisit, prej fisi padyshim puro shqiptar, – për shkak se aristokracia nuk martohej kurrë me gjak tjetër përveç atij të së njëjtës racë e kategori shoqërore – zotëronin të gjitha të njëjtat karakteristika intelekti, duke vërtetuar vendosjen e shqiptarëve prej tij, në krye të racave të Evropës, për kapacitet mendor.”

Në këtë mënyrë kemi zbardhur një pjesë të rrugës së kryer nga profesor Virchow në lidhje me studimet e racës shqiptare. Por ka edhe diçka tjetër që tërheq vëmendjen në pjesën e mësipërme të kujtimeve të Stillman. Ai përmend një bisedë që ka bërë me profesor Virchow në lidhje me Pellazgët dhe nisur nga kjo i dërgon atij kafkat e shqiptarëve. Nuk duhet shumë mprehtësi për të kuptuar se raca pellazgjike për të cilën Stillman kishte biseduar dikur me profesorin ishin pikërisht shqiptarët. Në të kundërt përse do përmendte këtë gjë kur synonte të shtinte në dorë kafkën e shqiptarit? Nga ana tjetër, profesor Virchow, ashtu si e përmendëm edhe më sipër, në vitin 1869 themeloi Shoqërinë e antropologjisë, etnologjisë dhe parahistorisë (Gesellschaft für Anthropologie, Ethnologie und Urgeschichte). Kjo Shoqëri pati shumë ndikim në koordinimin dhe intensifikimin e hulumtimit arkeologjik gjerman. Një emër shumë i njohur i arkeologjisë gjermane është edhe Henry Schliemann.

Ky i fundit ka bërë disa nga zbulimet më të mëdha në fushën e arkeologjisë. Njihet si zbuluesi i Trojës dhe i thesarit të Priamit. Ka bërë gërmime e zbulime të rëndësishme në Thyros dhe ka zbuluar thesaret e qytetërimit të lashtë mikenas etj. Schliemann ishte një mik i profesor Virchow, i cili e ka shoqëruar në shumë prej gërmimeve që ka bërë, që prej Ilios (Trojës) e deri në Greqi. Virchow ishte një autoritet i padiskutueshëm në fushën e antropologjisë së kohës dhe në këtë mënyrë ai studionte skeletet e gjetura gjatë gërmimeve duke e pasuruar arkeologjinë kësisoj, me rezultate shkencore. Pas një kërkese të Schliemann – e cila ndihej si një nderim që do t’i bëhej librit – Virchow ka shkruar hyrjen e librit “Mycenae” të Shliemann. Këto detaje të pakta shërbejnë për të dhënë idenë se Virchow ishte një person i cili kishte njohuri arkeologjike të mjaftueshme, për të arritur në përfundime mbi racën pellazgjike shqiptare.



Shqiptarët, sa pak të njohur prej europianëve

Përfundimet e Virchow për shqiptarët, nuk ishin më diçka e thënë me zë të mekur, por ishin rezultate me të cilat ambienti shkencor njihej. Kumtesën e tij para Akademisë Perandorake Gjermane në lidhje me racën shqiptare, e gjejmë të cituar më poshtë, nga Stillman, kolegu i Blowitz, të cilin profesor Virchow e përmend edhe në artikullin e “Times”. Kjo kumtesë nuk është botuar ende në shqip. Megjithatë, rasti i shqiptarëve tashmë ishte bërë një njësi krahasimi nëpër seminaret shkencore. Një fragment ku shqiptarët merren si shembull nga Virchow, gjatë punimeve të një konference të rëndësishme të antropologjisë, po e sjellim edhe në këtë material:

"Në Kongresin e fundit Antropologjik në Vjenë, u shkaktuan disa ndjesi nga fjalimi i biologut të madhe berlinez, profesor Virchow. Rreth një vit më parë Virchow, gjatë një rasti të ngjashëm, bëri një sulm të ashpër ndaj qëndrimeve darviniane dhe këtë vit ai foli në mënyrë të njëjtë po kaq hapur. Pjesa e sjellë më poshtë është e shkëputur nga fjalimi i tij i gjatë në Kongres:

Njëzet vjet më parë, kur u takuam në Innspruck, ishte pikërisht momenti kur teoria darviniane kishte lënë shenjën e saj të parë fitimtare anembanë botës. Miku im, Vogt, nxitoi menjëherë brenda radhëve të kampionëve të kësaj doktrine. Qysh atëherë, ne kemi kërkuar më kot për fazat e ndërmjetme të cilat supozohej se duhet të lidhin njeriun me majmunët; proto-njeriu, pro-anthropos nuk është zbuluar ende. Për shkencën antropologjike, pro-anthropos nuk është madje as një temë diskutimi. Antropologu mund, ndoshta, ta shohë atë në një ëndërr, por sapo të zgjohet nuk mund të thotë se ka bërë ndonjë qasje ndaj tij.

Në atë kohë në Innspruck perspektiva ishte, me sa duket, që rrjedha e prejardhjes nga majmuni te njeriu do të rindërtohej e gjitha njëherësh, por tani ne nuk mund ta provojmë madje as prejardhjen e racave të ndara nga njëra-tjetra. Në këtë moment, ne jemi në gjendje të themi se mes popujve të lashtësisë as edhe një i vetëm nuk ishte më afër me majmunët sa ç’jemi ne. Në këtë moment unë mund të pohoj se nuk ka mbi tokë asnjë racë absolutisht të panjohur për njeriun. Më pak të njohur prej të gjitha racave janë banorët e zonave malore qendrore të gadishullit të Malajzisë, por nga ana tjetër ne i njohim banorët e Tokës së Zjarrtë po aq mirë sa edhe eskimezët, bashkirët, polinezianët dhe lapët. Jo! ne njohim më shumë për këto raca sesa ç’njohim disa fiseve të caktuara europiane. Më duhet të përmend vetëm shqiptarët...” (Oriental Religions and Christianity; Frank F. Ellinwood, New York, 1891)
 


Mihai Eminesku: Raca e pastër shqiptare, e para nga perandoria e lashtë e Lindjes

Aq të njohura ishin bërë për kohën pohimet e Virchow, saqë kishte raste kur merreshin si treguese krahasuese të superioritetit. Qëllimet se përse bëheshin këto krahasime nuk janë më të rëndësishme sesa fakti që i referoheshin shkencës antropologjike si element i pakundërshtueshëm. Këtyre krahasimeve nuk iu shmang as poeti kombëtar më i madh rumun, Mihai Eminesku. Ai thërriste shkencën në ndihmë (shembulli i mëposhtëm sillet thjesht për të treguar jehonën e kërkimeve të Virchow, dhe nuk ka lidhje me antisemitizmin) për të shpëtuar atdheun e tij që e konsideronte të rrezikuar prej hebrenjve:

“Mihai Eminesku (1850-1889), poeti kombëtar i nderuar i Rumanisë, modernizuesi i Rumanisë dhe rapsodi i shtetit të mitur, besonte se vendi i tij ishte mbërthyer mes socializmit dhe liberalizmit dhe duhet të shmangte rreziqet e të dyve në favor të feudalizmit, “...sistemi i lirisë më të madhe, i decentralizimit, i autonomisë shoqërore, i pavarësisë së klasave. Njerëzit nuk ishin të barabartë dhe për këtë arsye ata ishin të lirë”. Rumania feudale ishte një vend i një pastërtie të shëndetshme, e panevojshme për ta thënë – pa hebrenj. “Çifuti nuk meriton të drejta askund në Europë, sepse ai nuk punon”. Hebrenjtë në Rumani ishin “të huaj në trupin e saj,” një “racë, qëllimi i menjëhershëm i së cilës ishte që të merrte pasuritë e patundshme rumune dhe qëllimi afatgjatë i së cilës ishte që mbërthente vendin e tij”.

"Çfarëdo që kushdo të mund të thotë", shkruante Eminesku, "në mes nesh dhe çifutëve ka një dallim racor që nuk na lejon të kemi ndonjë ndjenjë ndaj tyre – në rrethana ku nderi është në rrezik – por përbuzje dhe asgjë tjetër veçse përbuzje”. Poeti, si shumë europianë romantikë të kohës së tij, nuk hezitoi t’i bënte thirrje edhe shkencës: "Etnografi Hoffmann mbronte idenë se zhvillimi i kafkës së racës rumune ishte i admirueshëm, se ato lloje kafkash meritonin të ishin në ballë të qytetërimit... Virchow, një natyralist i famshëm, i jep kafkës shqiptare vendin e parë ndër të gjitha kafkat e racave të pastra nga perandoria e lashtë e Lindjes, dhe kafka shqiptare është identike me atë të racës rumune, me atë të popullit tonë sot.” (Scott L. Malcolmson; “Empire's edge: travels in South-Eastern Europe, Turkey and Central Asia”; fq. 17; Verso, 1995)

Shembuj të tillë krahasues nuk janë të rrallë. Robert Matteson Johnston (1867-1920) ishte një prej autorëve të shumtë që u referohet përfundimeve të profesorit Virchow, në lidhje me kapacitetin kafkor më të zhvilluar të shqiptarëve. Johnston, një historian amerikan e studiues i rëndësishëm i historisë ushtarake u lind në Paris e u arsimua në kolegjin Etoni College dhe Pembroke College, Cambridge. Johnston gjatë karrierës së tij dha mësim edhe në Harvard e Mount Holyoke College. Në librin e tij “The Napoleonic Empire in Southern Italy and the Rise of the Secret Societies” (ribotim i READ BOOKS; 2010; faqe 3,4), në një fragment ai u referohet kërkimeve të Virchow teksa përshkruan aftësitë e racës shqiptare.  Ja se si shprehet ai:

“ ...‘Kampaniani i gjallë, abrucezi kursimtar, puliezi brutal, kalabrezi arrogant ngjallin lehtë diskutim dhe tregojnë heterogjeni të racës’, shkruante Cantù. Ndryshojnë jo vetëm temperamentet e tyre, por edhe dialektet e tyre, deri në pikën e pakuptueshmërisë së dyanshme. Prej elementeve të ndryshme të popullsisë, asnjë nuk tregon tipare më karakteristike se shqiptarët, një racë që shfaq, sipas Virchow, kapacitetin kafkor më të madh në Europë. Vendbanimet e tyre ishin rezultat i emigracionit që kishte ndodhur nga përtej Adriatikut midis shekujve të gjashtëmbëdhjetë dhe tetëmbëdhjetë nën presionin e pushtimit turk.”

Studimet dhe përfundimet e profesorit Virchow janë marrë në konsideratë nga shumë studiues të tjerë seriozë, gjë që në tregon rëndësinë e këtyre përfundimeve shkencore. Punimet e plota dhe kërkimet e Virchow mbi shqiptarët, nëse do të botoheshin në shqip do të ishin një element i rëndësishëm shkencor që do të shërbente për të forcuar përfundimet mbi lashtësinë e shqiptarëve, një race enigmatike që vjen nga thellësitë më të humbura të kohës si një linjë e pandërprerë etnokulturore.


Marrë nga shqiperia.com