Montag, 18. April 2016

Dibran Demaku

Dibran Demaku
Dibran Demaku u lind në Abri të Epërme (komuna e Drenasit), Kosovë, më 18 prill 1956, ku edhe mbaroi shkollën fillore.Shkollimin e mesëm e kreu në Prishtinë,ku pastaj studioi Letërsinë e Gjuhën Shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës.
Me shkrime merret që nga bankat shkollore. Shkruan poezi, prozë e publicistikë. Shkrimet e tij i ka botuar në të gjitha gazetet e revistat në gjuhën shqipe që botoheshin në Prishtinë, Shkup e Podgoricë.
Shtatë vjet punoi gazetar në Televizionin e Prishtinës, Programi për fëmijë.
Që nga viti 1993 jeton e punon (përkohësisht) në Gjermani.



Disa nga librat e botuara:


  • „Vogëlushë dhe shtatore“ -Vjersha për fëmijë
  • „Rrëfimet e kalasë së vjetër“- poemë për fëmijë
  • „Gjeografia e klasës sime“-vjersha për fëmijë
  • „Ëndërr e bardhë“-poemth i ilustruar për fëmijë
  • „Shpirtra të shitur“-tregime për të rritur
  • “Dardha ka bisht“-poezi satirike
  • “Jetë në ikje“-tregime për të rritur
  • “Në tokën tonë“-novelë,“Larg“-poezi




Poezi nga autori Dibran Demaku


ME DHËMBJEN TIME TI IKE

Me dhëmbjen time ti ike
e në mua u ndez fanar i mallit
edhe guri ka pëlcitur tek kënd i zallit

Me dhëmbjen time ti ike
kujtimet u gurëzuan në gur
hijet e ikjes u bënë mur

Me dhëmbjen time ti ike
në bebzat e kallura rigon shi
për një ëndërr të djegur në gji



TË RASH PAS

Të rash pas, moj të rash pas
rrugës kur shkoje për gjimnaz
                           Popullore


Të rash pas moj shpirti im
as ngadal as me nxitim

Të rash pas por nuk të zura
se kalove larg nga ura

Të rash pas por s`të arrita
se në rrugë kishte shumë prita

Të rash pas në dritë të hënës
të ia ndez një xixë ëndrrës

Të rash pas në dritë të diellit
shkëlqim komete në mes të qiellit



SERENADË

Valë e kthjellët e liqenit
përqafon brigjet me gëzim
mollë në kopshtin e Edenit
serenadë e shpirtit tim

Puhi e lehtë e mbrëmjes verore
mbi syprinë krahët shtrinë
Kitara ndez zemrat në kraharore
zgjon një ëndërr për dashurinë



TESTAMENTI

Ne nuk patëm kohë të bënim pasuri
se shekujt kishin uri
Çfarë ndërtonim ditën na rrënohej natën
në besë u premë e fat të keq patëm
Toka  e pinte pa mëshirë gjakun tonë
e këngët e zisë tek ne bënin jehone
Me nga një strajcë në qafë e shkonm jetën
me dhëmbë të prishur gërryenim vetëvetën
E fëmijëve si ushqim u zienim gur
e me gurët e zier ndërtonim mur
Ujqit e uritur shqyenin gjithçka me dhëmbë
e ne na dridhej toka nën këmbë
Disa ikën nga sytë-këmbët
veç nga mollët e tharta iu mpinë dhëmbët
Një testament të varfër tash e shkruajmë me zemër
nëpër kohërat-furtunë e ruajtëm në emër



KUSH

Kush i vodhi ëndrrat
Nën qiellin e mjegulluar
Të netëve tona
Të pa gjuma

Kush i këputi filizat
E stinës së re
Në bulim

O kush ngarend
Si kalë i hazdisur
Mbi ballin tonë
Të ngrysur



MINJTË

Në morfologjinë e gjuhës së nënës
të pezmatuara e të shqetësuara rimat
nën rrezet e zbehta tëhënës
minjtë dalin nga vrimat

Lëvrijnë si krimbat nën xhamin e lupës
e na e zgjojnë ndjenjën e krupës
kryefjala e kallëzuesi i shqipes
pëlcasin si kokrra e kripës



GJEOGRAFIA E SHPIRTIT

Një çerep dhe një bukë
zëri i fyellit në një sukë

Borë e bardhë si plis mbi male
këngë e vashave në livadhe

Uji i limit rrjedhë nën urë
rreze dielli mbi ca gurë

Çerdhe zogjësh Shqiponje në plep
gaz i foshnjës zgjuar në djep

Çifteli e pushkë në Kullë
gjushi pi duhan në llullë

Në një ëndërr në agim
Gjeografi e shpirtit tim...



SEPSE

Sepse besa nuk është besë
sepse loti nuk është vesë

Sepse emri nuk është emër
sepse zemra nuk është zemër

Sepse drita ka ndërruar ngjyrë
sepse fjala ka ndërruar fytyrë

Sepse kënga nuk është këngë
sepse jeta kapuq me mëngë

sepse lumi nuk derdhet në lumë
sepse ëndrra nuk do gjumë...



NËPËR GURË E VALË

Nëpër gurë e valë
seç noton një fjalë

Nëpër valë e gurë
ngrihet lart një mur

Një mur i qëndresës
në mitin e besës

Besë e kombit tim
në shekuj-nderim...



PËR

Për një gjurmë të hapit
ndërron drejtimi i vrapit

Për një fjalë të gojës
ikën kuptimi i lojës

Për një veprim të rastit
ikën gëzimi i çastit

Për një grimë të gurit
bie krenari e murit...



GJEOGRAFI E ATDHEUT

Armiqët të brejtën
pak nga pak
si minj të uritur
vrimave

E ti në log
betejash
u këndoje këngë
trimave

Shekujt iknin
dalë nga dalë
e ti bëje jetë
kaçakqe
në mal

Duke shitur 
dushk për gogël
e tkurreshe
e bëheshe 
e vogël 
e vogël

Kur dielli
të ndriqoi rrugën
jetën
nise të gërryesh
vetëvetën



ËNDRRËN KENI PREKË

(Jusuf,Bardhosh Gërvallës
e Kadri Zekës)

Nata derdhte terr
natë e ftohtë Janari
ëndrrën kush e tjerr
nën një dritë fanari

Në Untergrupenbah
tri lulëkuqe gjaku
a dëgjove Bah
si t`u skuq mbrëmë praku

Dhe ti Volfgang Gete
ti Fridrih Shiler
stuhi nëpër dete
n`buzë të agimit-terr

Ti Jusuf Gërvallë
dhe ti Kadri Zekë
Bardhoshi lot n`qepallë
për të tyren Mekë

Për të tyren Mekë
që Kosovë-një emër
ëndrrën keni prekë
me shpirt e me zemër



RREZE DRITE
(Katedrales së Prishtinës)

Në ekranin e televizorit
shfaqesh madhështore
tek rrit shtatin
nën qiellin e kaltër të Kosovës

Në themelet e lashta të Dardanisë
ti rilind si një Feniks
mbi lulëkuqet e gjakut e nis jetën
shekujve n`vijim u rrëfen të vërtetën

Engjujve e zanave ti u bën rojë
hienave e shtrigave u mbyll gojë
si diell mëngjesi mbi male
Prishtinës rreze drite i fale



GJUHË E QENIT

Gjuhë e qenit
këtu e n`Kinë
nuk ndërron ngjyrë
as melodinë

Nuk ndryshon
asnjëherë vesin
edhe veshët 
kur ia presin

Leh në mik
e në armik
dikush thotë
ai është besnik

Gjuhën qençe
e përdorë vënçe
n`prak të derës
i nuhat erës



NDALO VRAPIN...

Desha të pyes,o kombi im
çfarë po ndodh në fillim-shekull
do të dënohesh me harrim
po nxjerr sy duke vënë vetull.

Ku i humbe ato tradita
që n`shekuj t`ndrisnin ballin
tash pse vetës i vë prita
dhe lidh besë me vetë djallin!

Miku-mikut ia nxjerr sytë
veç për vete flet e mburret
nuk duron n`krah një të dytë
për interes i luan dhe gurët!

Dikush thumbit,dikush patkoit
një hap para e tre prapa
ashtu si gjethin e ftoit
n`mes të dimrit-na djeg vapa.

Na djeg dimri na ngrin vera
akujt e nxehtë shkrijnë në faqe
n`acar mos të çelë pranvera
e gjejmë ferrin-tek kërkojmë paqe!

Gjithmonë i fajsojmë të tjerët
edhe themi:Na bëjnë me hile
veç s`e kuptojmë ne të mjerët
gjithmonë vetës ia lëmë:kile!

Kemi harruar thënien e vjetër
-Veç bashkimi bën fuqinë
kemi zënë një rrugë tjetër
dhe s`e gjejmë dot dashurinë!

Ndale vrapin kombi im
dhe mendo me mend të kokës
nëse s`do n`shekujt n`vijim
prapë të mbetesh n`bisht t`epokës!...



DREJTORI

Në komunizëm ishte drejtor
prapë drejtor n`demokraci
Si s`u skuq njëherë ai horr
po të skuqet ai nuk di?!...



KUJDESI I MIKUT

S`ishim parë muaj e muaj
ishte bërë plot një vit:
-Ku ke qenë s`të kam parë
kanë kaluar plot dhjetë ditë?!

Çfarë t`i thuhet të tillë miku?
hajt sqarohu ti po deshe!
-Ka qenë i rënduar trafiku
dhe përcille me...buzëqeshje!...



DYFYTYRËSHI

Je më i miri,je tërë nur
i thotë mikut mu në sy.
Prapa shpine e gjuan me gur
nuk ngurron as ta pështyj`!...



PREMTIM E BESË

Besë e dhënë nga dashnori
në një kënd të një flete:
-Le të më djeg purgatori
në mashtrim po më gjete!

Kështu i shkruante ai dashnorës
dhe i bënte be e besë.
Tjetrën mbante fort për dore
dhe e puthte pa pendesë…



LULE E SË KEQES MOS LULËZO

1.
Ti nuk mund të vish asnjëherë me ne
nuk je rreze drite veq një e zezë re
në qiellin e kaltër asnjëherë pasqyrë
veq një natë e errët me një të zezë ngjyrë.

Ti nuk mund të kalosh e lirë nëpër shtigje
se të mallkon zëri i nënës për të birin
askurrë në jetë nuk mund të matesh me brigje
se këngë e lëngatës nuk  ngjallë delirin.

Lule e së keqes mos lulëzo në zemër
helmi yt mbyt fëminë në bark të nënës
nëpër shekuj do jeshë i urryeri emër
pa rreze dielli e pa dritë të hënës.

Dante vendosur të ka në rrethin e nëntë
të ferrit e nga aty nuk do te dalësh kurrë
mallkimi do bjerë gjithnjë në emrin tënd
tradhëti në stinë e mote:mallkuar.mallkuar.

2.
Ti pritë u zure trimave në shtigje
kah marrëshonin me zemër zjarr e dritë në sy
dhe solle vajë e pikëllim në brigje.

Sa herë zemrat e motrave i shndërrove në gur
e këngët i ke ngrirë pa dalë mirë nga buzët
shpresat e ëndrrat në një gjysëm-shtizë flamur.

Kush të polli i pari e të solli në këtë mes
farën e përqarjes mbolle edhe në mes babes e birit
në këtë vend që dikur kishte veq dashuri e besë.

3.
Lulet e së keqës ti merri me vete
e zhduku bashkë me rrënjë nga tokë e dete
e kurrë më kurrë mos u dëgjoftë emri yt
as këtu e askund nëpër kontinente...



KOSOVË - DRITË E KËNGË KRENARE

1.
Veq në ty rrezet e diellit
janë të nxehta dhe përcëlluese
veq në ty rrezet e hënës
janë të ëmbla dhe mikluese.

Veq në ty këngë e bariut
është më e bukura melodi
veq në ty sytë e vashave
janë të bukur e plot magji.

Veq në ty lisat e malit
rriten të gjatë e gjithë kreni
Veq për ty edhe pse larg
n`zemër ruaj një dashuri.

Veq në ty e veq me ty
më lidhin ëndrra e kujtime
ti lule e bardhë e dritë në sy
O,e shtrenjëta vendlindja ime.

2.
Sa herë vijë më del përpara
e më pret si nëna të birin
më uron:Të priftë e mbara!

Unë ulem e ta puth tokën
syri nxjerr lot-xhevahirin
ëndrra zgjohet për Nënë-Lokën.

Larg shumë larg nga tuat male
larg shumë larg nga tuat fusha
dëshirë shprishur plot me halle.

Larg nga ti më janë zbardhë flokët
gjuha ngjyrën ka ndërruar
ku t`i gjej tash miqët-shokët?

Si ujë lumi vitet rrjedhin
koha ikën e harruar
e diçka nga mua vjedhin.

Pse më ike,pse të ika
në ca net të errëta fare
nëse s´kthehem më rënt pika.

Në tokën tënde veq shqiptare
n`shekuj më s`na përcjell frika
Kosovë-dritë e këngë krenare...


Mittwoch, 13. April 2016

Dhembja e jetës e kthyer në poezi

Në prag të 20-vjetorit të vdekjes së Beqir Musliut

Nga Shaip Beqiri


Me rastin e vdekjes së shkrimtarit të mirënjohur Beqir Musliu (11.VI.1945 - 24.VI. 1996) ua morëm deklaratat disa shkrimtarëve tanë për kolegun e tyre të ndjerë. Të folurit për personalitetin e Beqir Musliut ngjizet më shumë se në çdo rast tjetër me të folurit për veprën e tij letrare. Kjo ngjizje ishte një veçanti e rrallë tek Beqir Musliu, e cila tash e tutje do të mblidhet që të mbetet përjetësisht në poetikën e tij, me të cilën do të emërtohet rrjedha fundamentale e modernitetit poetik shqiptar. Këtë herë po ua lëmë fjalën miqve dhe kolegëve të poetit, për t`ia ruajtur vetes këtë të drejtë për një kohë kur do të ketë më pak gjasa të shqiptohet sall si dhembje e pikëllim, apo kur ato të jenë pa trazimin që kanë tash.


Adem Demaçi: Guximi krijues përballë terrorit

Më tronditi shumë lajmi për vdekjen e poetit Beqir Musliu, i cili edhe në kohët më të vështira, atëherë kur njerëzit frikësoheshin edhe të mendonin lirisht, ai pati guximin të shkruante një poemë të gjatë për vëllain tonë - Fazli Greiçevcin, i cili e përfundoi jetën e vet nga torturat e rënda të serbomëdhenjve të Beogradit. Më pati mahnitur mënyra që e gjeti poeti të shprehej për lavdinë e heroit dhe të martirëve tanë. Për mua, duke qenë në burg, ishte e pabesueshnme që përjashta, në kohën e terrorit (1971) guxonte dikush të shkruante në atë mënyrë aq të guximshme dhe aq të bukur për njerëzit që flijoheshin për atdhe. 
Më vjen keq që u gjenda larg dhe nuk pata mundësi të marr pjesë në përcjelljen e fundit të poetit tonë Beqir Musliu. Mirëpo, ashtu si dëgjova unë, shqiptarët nuk i kanë mbetur borxh poetit të tyre, duke ia organizuar një përcjellje të fundit çfarë e ka merituar Beqir Musliu. 
Beqir Musliu është një poet shumë i talentuar që vdiq mu në kulmin e kohës së tij krijuese. Ngushëllohemi duke pasur parasysh veprën që la pas vetes poeti ynë i ri, poeti i pavdekshëm. Uroj që brezat e ardhshëm të mësojnë nga vepra e Beqir Musliut se si duhet të shkruhet bukur dhe të mendohet lirisht, siç bëri ai edhe në kohët më të vështira. Poashtu dëshiroj që vepra e poetit tonë të studiohet dhe të vendoset në vendin që e meriton.


Fatos Arapi: Shkrimtar i vizioneve të kohës së ardhshme

Me Beqir Musliun kam pasur rast të njihem që në vitin 1979. Që prej atëherë e mbaj mend fytyrën e një krijuesi që është e kthyer nga e ardhmja. 
Më dukej se është njeri që shikon diku matanë nesh, diku në një botë që ne nuk shohim dot. Edhe vepra e tij letrare, aq sa kam pasur mundësi të lexoj prej tij, fragmente, më dukej se është një pjesë e veçuar e letërsisë shqiptare, një fletë e një imazhi kozmik që është shkruar nga gjaku i këtij shkrimtari që ekzistencën e vet e bën në një realitet astral. 
Vepra e tij e gjerë letrare do të jetë lekturë e gjeneratave të ardhshme, sepse këto të tashmet nuk mund ta arrijnë atë shkallë të edukimit të ndjenjës estetike sa ta ndiejnë ngjyrimin e fjalës së tij, imazhet kozmogonike, tingullin e pazakonshëm të tij.


Ramadan Musliu: Vajtja e Orfeut Shqiptar

Kur të vdes miku vdes edhe një pjesë e qenies sate. Kush mund të mendojë se Beqa shkroi këtë e atë, se ishte kështu e ashtu. Njeriu në këto situata kërkon atë personalen, ndjen zbrazëtinë e shpirtit, i kujtohet ajo pikë e lotit që gjithmonë do të rrijë e varur për qepalla e kurrë nuk do të pikojë sa për ta lehtësuar dhembjen. 
Beqirin e kisha mik mu pse ishte shkrimtar. Me labirintin artistik të tij le të merren ata që duhet të bëjnë disertacione dhe të japin gjykimin e ftohtë prej esteti. Ai doli nga labirinti që e kishte krijuar vetëm e vetëm për t`i ikur vdekjes. Në atë labirint ai kërkonte Euridikën e vet, poezinë. Gjithë kënga e tij është këngë për poezinë. Gjithë jeta e tij ishte jetë e një alkimisti, i cili nuk merrej me bakër, por gjakun e vet e kthente në ar. Beqiri dhembjen e jetës e kthente në poezi. 
Është nder i madh të jesh mik i magut të letrave, magut që kuptimin e jetës e kërkonte ndër fjalë.


Natasha Lako: Ka humbur diçka brenda shkronjave shqipe

Humbja e një poeti, e një mjeshtri të gjuhës shqipe, e një mendimtari, e një shpirti krijues, humbja e një njeriu, të gjitha këto përmblidhen sot në emrin e Beqir Musliut. 
Të duket sikur përjeton diçka nga largimet e mëdha që kanë ndodhur shekujve, sa herë është fjala për lëvruesit dhe përfaqësuesit e gjuhës shqipe. 
Ne sot të gjithëve u kemi krijuar aureolën e forcës së tyre të madhe midis jetës dhe vdekjes, por bashkudhëtari ynë i shtrenjtë na kujton se edhe të gjithë të tjerët para tij kanë qenë njerëz mes njerëzve, midis shqiptarëve të çorientuar ose analfabetë, të urtë ose të marrëzishëm, lakej ose të panënshtruar të përjetshëm.
Emri i Beqir Musliut, si i të gjithë njerëzve tanë të mëdhenj, është emri i balancës sonë, por kësaj here midis jetës dhe vdekjes. Ishte tepër i ri, në moshën 50 vjeçe, kur e arriti këtë.
Është një dhembje e provuar para kohe dhe një krenari e provuar para kohe. 
Dhëshiroj në këto çaste t`i shpreh ngushëllimet familjes së tij, ta quaj vëlla. Por kjo nuk të ngushëllon, sepse ka humbur diçka brenda shkronjave shqipe.


Teki Dërvishi: I pari poet postmodern shqiptar

Poeti, romansieri, dramaturgu, eseisti dhe publicisti Beqir Musliu është përfaqësuesi i parë i postmodernitetit në letrat shqipe. Lirika e tij sublime që u paraqit në vitet e gjashtëdhjeta në letërsinë shqiptare shquhet me veçorinë e saj, me origjinalitetin. Bashkë me Jusuf Gërvallën, Beqir Musliu është poeti më lirik në letersinë shqipe jo vetëm të kohës së tij krijuese, por edhe më larg. I takon grupit të vogël të atyre krijuesve shqiptarë që asnjëherë nuk lejuan të instrumentalizoheshin politikisht, duke i ndejtur besnik vokacionit krijues të artistit. Kështu arti i Beqir Musliut mbeti një opus kombëtar si një vijë në lidhjen e kontinutetit të rilindasve shqiptarë. Është i pari ose më i miri nga mjeshtrit e fjalës artistike që e ngjalli metaforën e harruar të artit gojor shqiptar, duke i ritrajtuar poetikisht epet dhe legjendat shqiptare. Këtë metaforë ai e ngjalli me rafinmenin e gjuhës së artit dhe e nxori nga përdorimi arkaik që zvarritej në poezinë soc-realiste. I çliruar nga ngarkesat ideologjike, ai pati një ideal krijues: ta bëjë të flasë kumbueshëm shpirti i gjuhës shqipe. Fati i krijuesve të mëdhenj, siç thoshte Kishi, është i ngjashëm, madje identik. Edhe jeta krijuese e Beqir Musliut është një metaforë e fatit që i përcjell krijuesit e mëdhenj dhe opuset e tyre që bëjnë thesarin e kulturës së një kombi. Si e tillë, si vepër madhështore, arti i Beqir Musliut letërsisë shqipe i dëshmoi dy dhunti që janë më karakteristiket: ai ishte mësues i brezave të rinj krijues, poeti që pati më së shumti ndikim në brezat dhe gjeneratat e reja dhe dy, vepra e tij dëshmon se në artin shqiptar megjithatë ka pasur si ai dhe të tjerë - krijues që nuk u janë nënshtruar diktateve dhe hartimeve ideologjike për t`i shitur si art, krijues të formatit të madh si Beqir Musliu, i cili ia fali tërë qenien e vet krijuese artit dhe që u pajtua të jetë skllav i artit të vet, të vetmes gjini të bukur të jetës së tij. 
Beqir Musliu ishte krijuesi më i madh i kohës së tij dhe si i tillë do të mbetet bashkë me më të mëdhenjtë që ka letërsia shqiptare


Zija Çela: Përndritje e idealeve të përjetshme estetike

Ka shkrimtarë që, megjithëse tërë jetën shkruajnë libra, përveç rritjes formale të inventarit dhe pluhurit alergjik të bibliotekave, nuk i sjellin asgjë tjetër letërsisë së një kombi. Kurse, sapo vdes një shkrimtar si Beqir Musliu, humbjen e ndjejnë gjithë letrat shqipe, sepse tronditjet e një letërsie, ashtu si vetë rritja e saj e vërtetë, shënohen pikërisht në nivelet e larta. Në këto nivele ne do të kemi më pak një penë të zgjedhur për art. Por Beqir Musliu la vepër të atillë që, siç besoj, do të ketë jetë shumë më të gjatë nga sa pati vetë autori. Veçanërisht poezia e tij, me atë përndritjen e idealeve të përjetshme estetike: thellësinë, origjinalitetin dhe mjeshtërinë autoritare, do të mbetet bashkëshoqëruese si referencë e cilësisë dhe nevojë e vetvetishme për lexim. 
Sa qe gjallë Beqir Musliu s`na u detyrua për asgjë. Përkundrazi, ai iku duke na lënë ne të detyruar ndaj tij. Detyrimi ynë më i madh dhe respekti ynë më shprehës është botimi e ribotimi i veprave të shkrimtarit, sidomos atje ku u njoh dhe u çmua më pak, për fat të keq, në Tiranë.


Luljeta Lleshanaku: Mjeshtri i magjisë estetike

Beqir Musliu është prej shkrimtarëve shqiptar që më pak njihet në qarqet kulturore në Tiranë. Arsyeja është se vepra e tij letrare në atë fondin e njohur të veprave të ndaluara që shënohej me dorë. A ka poezi shqipe pa peozinë e Beqir Musliut dhe të shumë autorëve të tjerë që më parë ruheshin në pjesën rezervat, kurse tashti, për shkak të gjendjes së vështirë të kulturës, nuk mund të ribotohen, është çështje që duhet të na preokupojë gjithë neve. Vepra e Beqir Musliut, aq sa kam lexuar unë, është prej atyre, pa marrë parasysh gjininë letrare që përcaktojnë standardet e letërsisë shqiptare. Sidomos për krijuesit e gjeneratës sime mendoj se do të ishte ideja që ta kalojmë atë majë të poezisë që e ka pushtuar krijimtaria poetike e këtij autori. 
Beqir Musliu ka qenë letrar estetizant, sa që ekspresioni artistik që ofron teksti i tij letrar është diçka e veçantë, diçka që vetëm në veprën e tij mund të gjendet, askund tjetër. Magjia e fjalës së tij do të jetë preokupim i gjeneratave të shumta që ia kanë mësyrë rrugës së këngëtimit.


Skënder Buçpapaj: Bartësi i parë i zjarrit prometeik

Beqir Musliu me krijimtarinë e tij poetike qëndron në fillim të një ere të re të poezisë sonë moderne. Atij i takon merita të hapë kapitullin e poezisë së pakënaqësisë në historinë e letërsisë shqipe. Të pakënaqësisë që nuk shprehej më përmes foljeve si në poezinë pararendëse, ajo nuk shprehej as përmes thirrjeve patetike. Të pakënaqësisë që shprehej përmes emrave prejmbiemrorë: së zezës, së purpurtës, dy metaforave bazë të poezisë së tij. Në marrëdhëniet midis këtyre ngjyrave të simbolikës sonë tradicionale ai krijoi simbolikën moderne të marrëdhënieve në mes tragjikës dhe të të shëmtuarës, ai i estetizoi këto marrëdhënie, i bëri estetikisht të përjetuara në realitetin e kohës. Nëse Migjeni zbuloi metaforën e bukurisë së bardhë, B. Musliu zbuloi metaforën e bukurisë së zezë. Të dyja kanë një thelb, sepse të dyja vrasin, por kanë dy shfaqje të ndryshme, e dyta është antimetaforë e së parës. Kjo poezi u pasua prej mjaft poetësh të tjerë të talentuar. Dhe kjo do të thotë se ai i hapi rrugën i pari kësaj poezie e cila edhe u quajt poezi e ikjes prej metaforës, pra e antimetaforës. Dhe kjo do të thotë se ai pati guxim krijues e dhunti krijuese për ta hapur këtë rrugë, për ta krijuar atë iluzion estetik që udhëhoqi gjeneratat e reja poetike, por edhe se atij iu dorëzua të parit zjarri prometeik për të hapur këtë rrugë. Kur zjarret përfshijnë edhe qiellin, shpesh harrohet kush ishte i pari që e solli urën e zjarrit. Beqir Musliu nuk ua mori zjarrin perëndive, ato e zgjodhën vetë atë, ndërsa ai pati guximin dhe talentin poetik për ta përcjellë atë. Nëse pasrendësit e tij, për çfarëdo arsyeje, do ta harrojnë këtë, historia e letërsisë shqipe nuk do ta harrojë. Edhe ikja e tij e shpejtë prej kozmosit tonë poetik është një metaforë antimetaforike. Për të ikur ikin vetëm meteorët, por jo planetët, prandaj edhe ai në të vërtetë s`ka ikur, por i është kthyer përjetësisht krijueses së vet, poezisë.


Sazan Goliku: Poeti i verbit të bukur shqiptar

Nga takimi i parë dhe i fundit me Beqir Musliun krijova përshtypjen se poeti, dramaturgu e romansieri i shquar shqiptar s`e pranonte dhe s`e besonte kurrë vdekjen, edhe pse pak ditë i kishin mbetur në panteonin e letrave shqipe, pra në vetëdijen e kombit, vepra dhe emri i Beqir Musliut prore do të mbetet gjallë sot e nesër. 
Ditën e vdekjes së poetit, për koicidencë, lexova në Radio-Tirana poezinë “Vdekja e poetit”, ku këndohet për përtëritjen, për pavdekësinë e lulëkuqes së Kosovës. Në dhembjen e humbjes së Beqir Musliut na ngushëllon verbi e vargu i tij sa shqiptar aq dhe i bukur e bashkëkohor.

Botuar në EUROZËRI, nr.28/1996, Zürich

Sonntag, 13. März 2016

Azem Vllasi dhe opinionet e tij djallezore!


  • DEKLARATA SKANDALOZE E AZEM VLLASIT: "Sikur t’mos ishin ndemonstrat e 1981 Kosova do te ndahej si Sllovenia, pa gjakderdhje, bile, bile ndoshta sot do te ishim bashk me Shipninë!"(Azem  Vllasi, preshevajone.com)


Nga Haxhi Muhaxheri

Mozamakeq! I ka ardhur dita edhe Azem Vllasit qe te na qelbe duke pjerdhur per goje. Po nuk ka faj ky se, ne krye te Qeverise e ka bashkepartiakun e tij, kurse ne krye te shtetit argatin e zajednices... Ku i dihet, mbase eshte edhe keshilltar i tyre (privat) politik.

Ky njeri, pa fijen e turpit, me kete deklarate provon ta bej vrasjen publike te bijve me te mire te shqiptarise qe ne vitin 1981 e ngriten zerin fuqishem kunder hegjemonise sebojugosllave, duke sakrifikuan vetveten per te mbrojtur te drejtat e bashkombesve te tyre dhe duke pasqyruar perballe botes te verteten per shqiptaret e Kosoves dhe per dhunen sistematike qe u behej atyre.

Turp per ata qe i japin hapsire ketij njeriu per ti paraqitur gjykimet e tij te semuara. Ne kete menyre dhe me keso dekarata A. Vllasi ben perpjekje te na bind se organizatoret dhe pjesemarresit e demostratave te vitit 1981 me veprimet e tyre kan kontribuar qe te mos krijohej mundesia e shkeputjes se Kosoves nga Jugosllavia e athershme! Nje keso opinioni djallezor mund ta jep vetem mendja e atij qe edhe sot vazhdon te mos mendoj e veproj per te miren dhe interesat e bashkekombasve te tij dhe te shtetit. Prandaj, heronjte e '81-shit dhe jo vetem ata, duhet ta ngrisin zerin per te mos lejuar qe soji i Azem Vllasit te tallet me ta dhe me te gjithe ne.

Azem Vllasi, nese nuk deshiron ta thote te verteten, se paku ta mbyll halene dhe te mos provoj per ti shtremberuar faktet historike qe kontribuan ne ndyrshimin e rrjedhave te pergjithshme ne te mire te shqiptareve te Kosoves. Thjesht, koha e tij ka perenduar. Per ate kohe mund te kene nostalgji vetem mendjevyshkurit!

13. 03. 2016

Dienstag, 5. Januar 2016

Katër poezi nga Naxhije Doçi


Naxhije Doçi

KU JE TASH VALLË

Në krenarinë time të pafund
përfytyrim besnikërie
mbete përgjithmonë
ti ëndje e jehut të papërsëritur
me profeci magjike mes vargjesh.
Netëve të qeta me hënë
hirësi melodish të ylberta
ndezur me koncerte gjinkallash.

Ku je tash vallë,
në ç’kënd të botës rri
si kandil i përflakur?
Sa shumë ta kam lakmi
për lirikën e patrazuar të qenies
me ngjyra të cemta pikturimi.

Pranverat me ëndërra shëmbëllimi
në mug ofshamash m’i ngujove
këndeve të braktisura vetmitare
që etjet përmalluese
të çiltërsisë së patravaj
të bëhen durim i humbur
në bebëza pikëllimi,
relikt i lumturisë së harruar
muzeve të cekta.

Nëpër stinë me peizazhe bujshmërie
dyert e zemrës ende pa ngujore
në grishje agmish të purpurta
me gurra të kristalta në gurgullimë.

Sfondit të trëndafiltë
muza në buzëqeshje të përkëdhelur
me uratën për diellin
në formën më përrallore.


LUMI I KOHËS

Lumi i kohës vetëm rrjedh
rrjedh vjeshtë e dimër
pranverë e verë,
nuk mbanë mend kush para t’i ketë dalë
kohë-lumit me suvalë
rrjedhën për t’ia ndërprerë.
Të gjithë shkrihen
në risinë e valë-lumit të kohës
dhe ndërrojnë ngjyrë flokësh
nga bardhësitë e shkumbës së tij.

Moteve rinore më vrulle vrapova
kohën për ta puthur në ballë,
me të për të ecur,
erërat e pluhrosura më ngatërruan,
më thanë se u nxitova!
Unë, megjithatë,
shkelja pa hamendje
mbi trupin e bindjeve të kota
në ruajtje madhështish të shenjta.
Lotë-krojet e nënave tona
me ngrohtësi shprese i kurova
për buzëqeshje mëngjesesh të bardha.

Nuk ishte lehtë,
ishte shumë vështirë
mallkimet e atyre
që lumin e kohës me presa e ndajnë
n’aromë lulesh prilli për t’i shkrirë.


JETA SUVALË

Në jetë përherë diçka mbetej e pakryer
si një kujtim i amshuar
djegur në afshin e erërave,
vazhdimisht si një shpresë e dëshiruar
për një buzëqeshje
në këndin e gjithësisë.

Diçka në jetë është cytje e thellë
për ngarendje
në thyrje heshtjesh të plagosura.               
Është nyje e lidhur
që duhet zgjidhur
kohët e mykura për t’i shkelur
nëpër shtigje të bardha për të ecur,
që të tjerët mbushur mëkate
më hije trishti
përherë i errësonin
mbrapa për të ngecur.

Jeta nganjëherë suvalë është
e nganjëherë bëhet pranverë
në krah për ta bartur dashurinë,
surprizë për të bërë
në ngrohje lumturish të vonuara.
Jeta ecejakjesh ritmike
më të papritura përherë.


KËNGA IME

Ti hyre në këngën time
me dridhjen e telave të kitarës
dhe hirësisë së shikimeve të zjarrta                      
buzë gurrës
me gurgullimë të shkumbëzuar,
në dridhje zemre u shdërrove.                   

Kënga ime
në ngrohtësinë e valsit të nisur
erërat dehur me përmallim zemre
shkundje apatish përjetuan                               
dhe spektër në prizmë,
për të hyrë në simfoni,
balerinë gishtat e mij. 
   
Suferinë mbi suvalë më more
sa shumë gabove!
Edhepse gjatë qemë udhëtarë stinësh
për afri largësish të trembura.

Në agoninë e përgjumur
me psheretima të lodhura
melodinë të pakomponuar e lamë. 
Mbretërisë së pafundme të kujtimeve
tërë jetën me ty bisedoj
kalorës i humbur.
_________________
Poezi janë marrë nga libri “Kohë flakadanësh të lirisë” - Naxhije Doçi. 
Botuar në Prishtinë, më 2013, i përkthyer edhe në gjuhën angleze.

Samstag, 2. Januar 2016

Sefer e Halil Kleçka, atë e bir në shërbim të atdheut.

Transmetimi i dokumentarit fillon vetvetiu pas disa sekondash!

Shënim:
Dokumentari është ruajtur në arkivin e Radio Zëri i Arberit në përkujdesjen e kryeredaktorit Imri Trena. Ne po e sjellim special për vizitoret e portalit tonë dhe tuaj ORA SHQIPTARE. Autor i emisionit është gazetari Ali Berisha.

Sonntag, 13. Dezember 2015

Sefer Neziri - Kleçka

(1853 - 1928)

Sefer Neziri i njohur si Sefer Kleçka, lindi në Kleçkë, më 1853. Ai njihej si atdhetar, patriot dhe legjenda e qëndresës së Drenicës së jugut. Mbiemrin Neziri e mbante si një simbol dhe kujtesë për gjyshin e tij, Nezirin. Sefer Kleçka ishte i biri i Hysen Kleçkës, i njohur në Drenicën e jugut për besnikëri dhe mikpritje. Familja Shala tashmë kishte zënë vend dhe kishte hedhur rrënjë në fshatin Kleçkë dhe kishte filluar ndërtimin e jetës malsore. Kjo familje vazhdoi traditat e lashta të familjeve të mëdha, të cilat jetonin dhe qeverisnin me vetë rregullat dhe zakonet e tyre. Rreth mesit, gjithmonë mbante një brez kuqezi ashtu të fortë sikur edhe muskujt dhe karakteri i tij. (Ky thoshte Seferi,- ma mban trupin të lidhur!). Babai e la të ri, por gjatë gjithë jetës Seferi ruajti edhe mbante mend për besnikërinë dhe bujarinë e trashëgimit të tij familjar dhe krahinor.

Në moshën 25 vjeçare, këto cilësi Seferi filloi t`i dëshmojë me pushkë në dorë, si pjesëmarrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, për të cilën luftoi dhe e mbajti në zemër deri në fund të jetës së tij. Që i ri ra në kontakt me njerëz të njohur dhe burra të përmendur për mbrojtjen e vendit nga pushtuesit e ndryshëm. Mori pjesë në shumë kuvende popullore të Drenicës së jugut dhe më gjerë. Si bashkëpuntor i ngushtë i Isa Boletinit dhe Xhem Lluzhnicës, tregoi një trimëri të rrallë duke u aktivizuar me shumë burra të tjerë të Drenicës së jugut në luftën e Boletinit në muajin maj të vitit 1895. Duke treguar dhe duke e bindur opinionin patriotik të asaj kohe për ndjenjat e tij kombëtare, ai e përfaqësoi Drenicën e jugut pothuajse në të gjitha kuvendet dhe tubimet popullore të cilat kishin një karakter kombëtar dhe qëllimi i tyre i vetëm ishte çlirimi nga zgjedha turke.

Në gusht të vitit 1897, kur në Manastir erdhi konsulli i përgjithshëm serb Todor Stankoviç me synim për të shtrirë pushtetin serb edhe në këto troje shqiptare, ai mori përgjigjen e merituar nga prijësi I Drenicës, Sefer Kleçka. Sefer Kleçka njëherësh ishte edhe njëri prej organizatorëve kryesorë të kryengritjes së Drenicës më 1903. Kurse në vitin 1906 organizoi kuvendin e fisit Shalë në gjithë Drenicën. Për organizimin gjithëpopullorë Sefer Kleçka dha një kontribut të madh sidomos në fisin Shala duke realizuar pajtime të gjaqeve dhe duke bërë bashkimin e familjeve në luftë të përbashkët kundër çdo kujt që përpiqej të sulmonte trojet shqiptare. Vendosmëria e familjes Shala, shfaqej edhe në martesat e tyre të cilat i bënin vetëm me familjet patriotike të asaj kohe dhe me familjet të cilat ishin të njohura si kundvrshare të pushtuesve turq.

Kjo bëri që Sefer Kleçka të jetë edhe më I fortë, më I përkrahur dhe më I qëndueshëm në idetë e tij patriotike. Sidomos pajtimet e gjaqeve kishin një jehonë të madhe dhe një rezultat të dukshëm. Kështu ai arriti ti dhe ti pajtojë shumë familje të gjakosura dhe të bëjë bashkimin kombëtar të Drenicës së jugut. Për mjeshtërinë e pleqërimit të Sefer Kleçkës flet edhe Anton Çetta në “Prozën popullore” më titull: “Gjaksori në shtëpi të hasmit me duar të lidhura”.

Duke pasur bindjen se vetëm të bashkuar mund të luftohet kundër çdo pushtuesi dhe duke e parë se pajtimi ndërmjet dorasit Zenun Hotit dhe hasmit Sylë Salihut ishte vështirë të arrihej, pleqnari dhe luftëtari Sefer Kleçka e lidhi dorasin dhe ashtu të lidhur e çoi tek hasmi duke thënë: “Ja ku e ke vraje”. Pas kësaj hasmi ishte përgjigjur: “Jo sotë, e një mijë vjet”. Ky ishte dhe njëri prej pajtimeve më të mëdha të tij.

Vlen të përmendet se pas pajtimit ata lidhën edhe miqësi, ku Zenun Hoti ia dha vajzën për djalin e të vrarit. Kështu bëri lidhjen kombëtare të Drenicës së jugut dhe burrat e kësaj ane u organizuan mire dhe nën udhëheqjen e Sefer Kleçkës ata ishin të gatshëm të vepronin kudo që ishte nevoja.

Sefer Kleçka ishte pjesëmarrës në mbledhjen e njhohur të mbajtur në Ferizaj më 1908. Në këtë veprimtari ai qëndroi krahpërkrah me patriotin Isa Boletini, në kundërshtim të hapur me xhonturqit. Disa vite para vdekjes së Hysenit, babai i tij, Sefer Kleçka u martua me Nailen, një bijë nga Varigovci, me të cilën Sefei kishte gjashtë fëmijë : djemtë, Bardhin dhe Halilin dhe vajzat, Isma, Suna, Xhemajlia dhe Fetija. E tërë ngjarja që Sefer Kleçkën e bëri të madhë dhe të njohur në tërë Drenicën e jugut lidhjet pikërisht me miqtë e tij dhe me fshatrat që shtrihen përreth Kleçkës.

Për dëshmitë patriotike dhe luftarake u dëgjua shumë shpejtë dhe jo vetën në Drenicën ejugut por edhe në tërë Kosovën. Kishin kaluar shumë vite nga kryengritja e pare e Drenicës dhe në vjeshtën e vitit 1909, kur Sefer Kleçka në bashkëpunim me Sefer Pirrakun, organizuan kryengritjen e dytë popullore të Drenicës së jugut, duke marrë aksione si rezultat I të cilave u rrafshuan shumë kulla të armiqve, sidomos në grykën e Kosovës. Në kryengritjen e majit 1910 kulla e Sefer Kleçkës u bë një qendër e madhe strehimi për pjestarë të kryengritjes dhe aty u vendosën herë pas here edhe komanda të kësaj lëvizje që udhëhiqej nga Isa Boletini.

Në muajin maj 1910 në luftën e Carralevës ishte njëri ndër organizatorët dhe luftëtarët e dalluar. Mori pjesë gjithashtu edhe në mbledhjen e fshatit Shalë që u organizua nga luftëtari Hasan Prishtina dhe njëherësh Sefer Kleçka ishte ndër të parët që propozoi mbylljen e shkollës turke dhe zëvendësimin e saj me një shkollë në gjuhën shqipe. Me që përfaqësonte Drenicën e jugut në të gjitha kuvendet popullore, Sefer Kleçka mori pjesë edhe kuvendin e Junikut në maj të vitit 1912. Pastaj mori pjesë edhe në mbledhjet e mëvonshme të mbajtura në fshatin Sankovc dhe Halilaç. Këto mbledhje ishin të kryesuara nga Hasan Prishtina dhe Bajram Curri. Këtu shihet edhe bashkëpunimi i ngushtë që ishte në mes të Sefer Kleçkës dhe luftëtarëve të dalluar të kësaj periudhe historike si: Bajram Curri, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Xhem Lluzhnica e shumë e shumë të tjerë. Edhe pse më 1912 u shpall pavarësia e Shqipërisë, kjo nuk ishte një garanci e mjaftueshme për lirinë e pjesëve tjera, të cilat mbetën të shpërndara nëpër shtetet fqinje të Shqipërisë.

Edhe pas përfundimit të luftës së pare botërore Sefer Kleçkën e gjejmë me armë në dorë, duke rezistuar dhe duke mos qen i kënaqur me vendimet e marra nga fuqitë e mëdha, sipas të cilave Kosova mbeti nën okupimin e mbretërisë serbe-kroate dhe sllovene. Dhe pikërishtë me iniciativën e shovenizmit serb u arrestuan dhe u vranë, Sefer Kleçka dhe biri i tij Bardhec Kleçka u vranë në fund të muajit korrik 1928.
____________
Marrë nga Wikipedia