Donnerstag, 18. Juli 2013

Agim Vinca

Agim Vinca lindi më 22 maj 1947 në Veleshtë të Strugës (Maqedoni). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Strugë. Studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe i kreu në vitin 1970, në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës., ku edhe magjistroi dhe doktoroi. Është profesor ordinar në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, ku ligjëron Letërsinë e sotme shqipe.
Agim Vinca është njëri nga poetët e njohur bashkëkohorë shqiptarë dhe njëri ndër studiuesit më të dalluar të letërsisë shqipe. Agim Vinca merret edhe me përkthime letrare. Jeton dhe punon në Prishtinë.


Tituj të veprave

  • Feniksi (poezi, 1972)
  • Bregu i mallit (poezi, 1975)
  • Në vend të biografisë (poezi, 1977)
  • Aspekte të kritikës sonë (studim, 1977)
  • Qasje (kritikë, 1980)
  • Buzëdrinas (poezi, 1981)
  • Struktura e zhvillimit të poezisë së sotme shqipe (1945-1980) (monografi historiko-letrare, 1985)
  • Iz savremene albanske poezije u Jugoslaviji (antologji, Sarajevë, 1985)
  • Arna dhe ëndrra (poezi, 1987)
  • Orët e poezisë (kritikë letrare, 1990)
  • Populli i pandalur (publicistikë, 1992)
  • Alternativa letrare shqiptare (kritikë letrare, 1995)
  • Kohë e keqe për lirikën (poezi, 1997)
  • Shqiptarët mes mitit dhe realitetit (publicistikë, 1997)
  • Dri' (poezi, përzgjedhje, Tiranë, 1999)
  • Sonet i vetmuar (poezi të vjetra dhe të reja, 2001)
  • Kurs i teorive letrare. Prej antikës deri te postmodernizmi (libër teorik, 2002)
  • Panteoni i ideve letrare (libër teorik, 2003)
  • Fije të pakëputura (sprova letrare dhe kulturore, 2004)
  • Kënga e hapur (antologji e komentuar, 2005)
  • Psalmet e rrënjës (poezi, 2007)
  • Psalmet e rrënjës (poezi, 2007)
  • (Po)etika e fjalës, (publicistikë, 2010)
  • Arti i reagimit (publicistikë, 2011)


  • Poezi nga Agim Vinca


    KAMBANË NË QAFË!
    (Rekuiem për veten dhe shokët e mi)

    Qe ditë me diell, muaji maj. Më e bukura stinë,
    kur mora pusullën me vulë e nënshkrim!
    Tani jam i lirë, plotësisht i lirë, të dashur miq!
    I kam gjashtëdhjetë e pesë dimra e beharë mbi kurriz
    dhe shtatëdhjetë e pesë euro në xhep!
    Mund të bëj ç’të dua. Po, për besë!
    Të shkruaj kujtime për veten dhe të tjerët,
    të vajtoj për ëndrrat dhe iluzionet e mia djaloshare…
    Mund të dal në Gërmi çdo mëngjes,
    të pi kafe te vila Lira për vetëm pesëdhjetë centë;
    t’i mbush mushkëritë me ajër e klorofil
    a të vetëhelmohem me tym e nikotinë.
    Mund të zgjohem pa zbardhur drita,
    të fle po desha deri në drekë a të bredh natën si somnambul.
    Mund të protestoj, të hedh parulla, të gjuaj me gurë;
    të përleshem me policinë e të shkoj në burg si dikur… Kot!
    “Sundimtarë të rinj sundojnë në Olimp;
    Jovi mbretëron ashtu si do vetë…”.[1]
    Ç’nuk mund të bëj! Ç’nuk!
    Mund të sillem rrugëve ditë e natë
    me duar thellë në xhepa a në kontejnerë. Pse jo?
    Edhe ata që rrëmihin plehrat njerëz janë, për besë,
    Njerëz. Me “Nj” të madhe,
    siç na mësonin dikur mësuesit tanë të mirë
    dhe ne pas tyre nxënësit tanë…
    Ji i lumtur, më thonë. Dhe jam. Pse të mos jem!
    Migjeni nuk e pati këtë fat. Për të kjo qe një ëndërr e largët.
    Për moshën e kam fjalën.
    As Naimi jo. I mori para kohe që të dy tebeceja.
    Luigjin plumbi, Bilalin thika,
    Jusufin prita në Untergrupenbah vetë i tretë…
    Enigma e një vrasjeje të trefishtë!
    As rusi Majakovski, i mbiquajtur Vologja;
    as andaluziani Garsia Lorka, as turku Nazim Hikmet;
    as pelegrini i madh Xhorxh Gordon Bajron,
    që edhe gurët i mësonte të ngrihen kundër tiranisë,
    nuk e pritën këtë ditë.
    E sa e sa të tjerë. Artistë, poetë.
    Ikën më të rinj se unë dhe shokët e mi.
    Plaku i Makit, De Rada ynë, po.
    Ndërroi jetë me një cironkë në xhep në prag të të nëntëdhjetave
    Ai që këndoi: “Ardhi ditë e Arbërit!”
    A thua erdhi vërtet kjo ditë?
    E shoh qortimin në sytë tuaj: ”Je në vete, mik!
    Mos u bëj qaraman, heretik…
    Nuk të ka hije në këtë moshë!”
    Keni të drejtë. E pranoj.
    Tani jam plotësisht i lirë!
    Mund të kthehem andej nga kam ardhë
    të zë peshkun e artë në ujërat e liqenit,
    të shtrihem gjerë e gjatë buzë lumit tim,
    të kapem në rrjetë a ta gëlltis karremin vetë…
    Mund të iki nga sytë këmbët, të shkoj ku të dua,
    në Europë, Amerikë e më larg akoma.
    Mund të blej litar të ri fringo si Klosi
    e lakun në fyt në papafingon sterrë
    në Tiranën përplot tiranë të vegjël e të mëdhenj.
    Mund të puqem befas me ndonjë makinë një ditë,
    duke kaluar rrugën “Eqrem Çabej”
    e të bëhem njësh me asfaltin e valë…
    Sa shumë mundësi që kam, të dashur miq.
    A s’është për t’u lakmuar kjo.
    Mund ta shkruaj testamentin si Dhimitër Pasko
    e t’u lë porosi gruas dhe fëmijëve:
    “Adheu është atdhe edhe kur të vret!”
    Pardon, kur të nxjerr në pension!
    Me shtatëdhjetë e pesë euro në muaj
    për bukë, ujë, qumësht, ilaçe, qefin a plaf…
    Dhe titullin kumbues Profesor Doktor
    varur si kambanë në qafë!
    Si kambanë në qafë!
    Kambanë në qafë!
    Në qafë!
    Ah!

    Prishtinë, 25. 5. 2012
    ___________
    [1] Vargje nga Prometheu i lidhur i Eskilit.
     

     


    PARADOKS

    Kur fola, më thanë: hesht!
    Kur heshta, më thanë: fol!
    Folehesht, heshtefol jeta ime.


    ZOGJTË

    Të vetmit udhëtarë
    që i kalojnë kufijtë
    pa pasaportë.


    RRUGËT

    Rrugët nuk maten me mila.
    Rrugët nuk maten me kilometra.
    Rrugët i mat zemra.



    EPITAF I BARDHË

    Borë e bardhë, që ra sivjet.
    Na u bë, befas, bukuri që vret.

    Borë e bardhë e sivjetme.
    Na e solli kaq pranë fjalën vdekje.

    Borë e bardhë, ëndërr fëmijësh.
    Diccka të zezë, brenda kish.

    Borë e bardhë e këtij dimri.
    Sa fort m’i ngjau një qefini.

    Borë e bardhë e ’85-ës.
    Befas m’i ngjau (sa keq)
                                    varrezës.

    (janar 1985)

    Nga libri “Arna dhe ëndrra”, Rilindja, Prishtinë 1987.

    Rexhep Hoxha

    Rexhep Hoxha (1929) lindi në Gjakovë. Shkollën fillore dhe te mesmën i kreu në vendlindje, ndersa albanologjinë e studioi në Beograd. Një kohë punoi redaktor i "Rilidjes për fëmijë" ne emsionin për fëmijë te Radio Prishtinës, ndërkaq shumë vite e ligjëroi lëndën Letërsi për fëmijë në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës. Vepra te tij te njohura për fëmijë janë:"Gjethe të reja","Picimuli","Lugjet e verdha","Zëri i pyllit","Verorja","Ermali" etjera./Wikipedia/



    TOKË TRËNDAFILASH

    I
    Toka ime diellore,
    që rritem me ty
    e je aq e madhe për mua;
    mal me thesare,
    fushë grurore —
    t´i di ëndrrat tua.
        
    II
    Çdo fshehtësi
    unë ta njoh —
    dhe Yllin tënd
    që të çon n´ardhmëri
    unë ta shoh;
    dhe dritën tënde
    që kaplon hapësirën
    unë ta di —
    Zemër bujare,
    Tokë me burrëri.
       
    III
    E zgjuar je në mua,
    poezi e adhuruar,
    poezi vargjesh të dëlira —
    qiell i stolisur
    plot xhevahira.
    Tokë trëndafilash
    për gjithë çka ke
    në zemrën tënde jetike,
    në shpirtin tënd të kulluar,
    të përqafoj si fëmijë —
    tokë e bekuar,
    Kosovë heroike.


    GJAKOVA

    Në zjarr, në flakë e në tufan,
    Me rribë sulmova në errësirë,
    Krenar unë ballin tim ta kam,
    Që bijët e mi t´jetojnë të lirë.
       
    Për ide t´shenjta, për vatan,
    Sokola dhash´, fatosa të ri;
    Dhe para plumbi e litarit
    S´u´ thyen. Vdiqën me brohori.
       
    Po folni eshtra në paçi gojë
    T´shpërndara kahdo, an´e m´banë!
    Kush mundet vallë të ma mohojë
    Atë gjak që bijët e mi kanë dhanë

    Krahnorin unë e kam si dëbojë,
    Plot burra zemre, të vështirë,
    Që askend s´donë ta shohin rob,
    Por edhe vetë të jenë të lirë.
       
    Ti Mehmed Ali Pashë Maxharri,
    Ngrehu nga vorri t´ndihet zani,
    A pa ç´të gjet te Kull´e Drenit,
    Çka ban Gjakova, jatagani?
       
    O Dahë! Bajram! Rexhep Gerçari!
    Hasim! Emin! Nama s´ju vati.
    S´u trembet kurrë ku buçet zjarri,
    Kosova lum për ju ç´ju pati.

    Të BUKURAT E GURIT

    Janë ulur do trima
    nën hije të blinit,
    trima të përmendur,
    trima të Buletinit.

    Po flasin si burra,
    pylli plot me lisa
    edhe Xhavit Pashës
    po i çon fjalë Isa.

    T´paça, Xhavit Pasha
    ngri krejt në kaftan,
    po ta vras asqerin
    e s´po ke çka ban.

    Për një harem tëndin
    ke kërku´ një vashë;
    sa keq je mashtrua,
    mor i shkreti pashë!

    Ec, mor´ Xhavit Pasha,
    mos rri veç n´hareme,
    provoji këta burra
    të kësaj tokës seme.

    Dil për të shëtitur
    kësaj Drenice t´gurit,
    sheh si të qëndisin
    plumba rreth ushkurit.

    Si s´di, Xhavit Pasha,
    këto troje çka kanë?
    Të bukurat drenicake
    edhe për pushkë janë.

    POEZI

    Me vonesën e agimit të bardhë
    Çele sytë. E hape rrugë të lira
    E stolise zemra me safira
    Nëpër brezni e shekuj me radhë.
       
    Nga buzëqeshja jote lulja lulzoi,
    Agimi hapi krahët e ylbertë;
    E njeriu foli fjalën e sinqertë
    E zogu i artë kangës ia filloi.
       
    Ditët ecin e jeta vjen e shkon,
    Mbaron shpresa prap´ me u ringjallë;
    Porse Ti, o dritë shpirti e rrallë,
    Dhe mbas vdekjes së njeriut jeton.
       
    Prej bukurisë sate terri kaloi,
    Agimi hapi krahët e ylbertë;
    E njeriu foli fjalën e sinqertë
    E zogu i artë kangës ia filloi.

    Mittwoch, 17. Juli 2013

    Sali Bashota

    Sali Bashota

    Sali Bashota lindi më 31 gusht 1959 në Caravik të Klinës. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Kijevë.
    Më 1978 u regjistrua në Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku u diplomua më 1982. Pas mbarimit të studimeve ishte mësimdhënës në gjimnazin “Luigj Gurakuqi” në Klinë, paralelja e ndarë në Kijevë dhe në shkollën fillore “Motrat Qiriazi” në Klinë. Në vitet 1983/84 i vijoi studimet pasuniversitare në drejtimin e Letërsisë. Në vitin 1988 magjistroi në shkencat filologjike me temën Proza e Mitrush Kutelit, ndërkaq  në vitin 1998 doktoroi me temën Personazhi në prozën shqipe midis dy luftërave botërore (Konica, Koliqi, Kuteli, Migjeni). Në vitin 1984 është zgjedhur asistent në Fakultetin e Filologjisë dhe është avancuar në titujt ligjërues (1994), docent (2000), profesor i asocuar (2005) dhe profesor i rregullt (2010).
    Në Fakultetin e Filologjisë i ligjëron lëndët mësimore: Letërsi romantike arbëreshe, Letërsi romantike shqipe, Idetë letrare dhe Publicistikë shqiptare.
    Nga viti 1999 është drejtues i botimeve në Shtëpisë Botuese “Rozafa”. Në vitet 2000-2003 ishte kryeredaktor i revistës letrare Jeta e Re, ndërsa në vitet 2000-2004  ishte Kryetar i Degës së Letërsisë Shqipe në Fakultetin e Filologjisë.
    Në vitin 2005, me propozimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, mori pjesë në projektin Administrimi i Bibliotekave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Departamenti i Shtetit Amerikan u certifikua në programin ndërkombëtar për udhëheqës.
    Në vitin 2009 në Edirne të Turqisë është zgjedhur Nënkryetar i Unionit të Bibliotekave të Ballkanit (BLU).
    Nga viti 2009 deri më 2012 ishte Kryetar i Këshillit Botues të Universitetit të Prishtinës dhe Kryetar i Këshillit të Studimeve të Doktoratës në Fakultetin e Filologjisë.
    Në vitet 2004, 2008 dhe 2012 nga Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës është kandiduar për anëtar të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
    Më 2 gusht 1998, në vendlindjen e tij, ushtria dhe policia serbe ia dogjën Shtëpinë, Bibliotekën,
    Dorëshkrimet.
    Është autor i afër tridhjetë librave me poezi, prozë poetike, studime për letërsinë dhe kritikë letrare. Gjithashtu, është njëri ndër poetët më të përkthyer të Kosovës në gjuhë të ndryshme të botës dhe i përfaqësuar në shumë antologji brenda dhe jashtë vendit. Poezia e tij është përkthyer në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rumunisht, polonisht, italisht, turqisht, suedisht, hungarisht, arabisht, bullgarisht, maqedonisht etj., ndërkaq  veprat e tij janë promovuar në festivale ndërkombëtare të poezisë.
    Është anëtar i PEN Qendrës së Kosovës dhe i Këshillit Kombëtar të Kosovës- Memoria e Botës.
    Nga viti 2003  është  Drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës.
    Për krijimtarinë letrare e shkencore është nderuar me: Çmimin Pjetër Bogdani, për librin Kuteli prozator, poet, kritik, si libri më i mirë i vitit, Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, Prishtinë, 1999; Çmimin Pena e Artë  për vitet 1990 dhe 2000, Revista për letërsi, art dhe kulturë Fjala, Prishtinë; Çmimin vjetor Menada, për krijimtari të veçantë, Manifestimi Letrar Ndërkombëtar, Ditët e Naimit, Tetovë, Maqedoni, 2004; Çmimin e Mitingut të Poezisë në Gjakovë, për librin më të mirë të vitit me poezi  Bukuri e nëmur, Gjakovë, 2006; Çmimin Serembe, për krijimtari letrare dhe shkencore, Klubi i Artistëve Laçjanë dhe Fondacioni Pedrollo, Shqipëri-Itali, 2010; Medaljonin 90-vjet Bibliotekë Kombëtare, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, Tiranë, 2011; Çmimin letrar për veprën më të mirë me poezi për vitin 2011 me titullin Dorëshkrimi i ngjallur, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Prishtinë, 2012; Çmimin e Mitingut të Poezisë në Gjakovë, për librin më të mirë të vitit me poezi për vitin 2011, me titullin Dorëshkrimi i ngjallur, Gjakovë, 2012.


    Vepra me poezi:
    • Albumi i grisur, Rilindja, Prishtinë, 1986
    • Zogu me profil vjeshte, Rilindja, Prishtinë, 1989
    • Plagomë, Fjala, Prishtinë, 1994; Rozafa, Prishtinë, 2004
    • Dalje nga trishtimi, Rozafa, Prishtinë, 1999
    • Ndiz dritën magjike, poezi të zgjedhura, Rozafa, Prishtinë, 2002
    • Bukuri e nëmur,  PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë, 2006
    • Jetë me vdekje, poezi të zgjedhura, Toena, Tiranë, 2006
    • Natyrë e vrarë, poezi të zgjedhura, Ars Poetica, Tetovë, 2006
    • Kambanë zemërimi, Toena, Tiranë, 2008
    • Dorëshkrimi i ngjallur, PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë, 2011



    Vepra me prozë poetike:
    • Ëndrra në parajsë, Rozafa, Prishtinë, 2006
    • Sytë e vetmisë, Rozafa, Prishtinë, 2010
    • Rruzullimi i zjarrit, Ombra GVG, Tiranë, 2011



    Vepra me studime dhe kritikë letrare:
    • Shqipshkrimi kritik, Rilindja, Prishtinë, 1997
    • Kuteli prozator-poet-kritik, Rilindja, Prishtinë, 1999; Rozafa, Prishtinë, 2007
    • Domethënia e ideve letrare, Rilindja, Prishtinë, 2001
    • Proza e filleve të modernitetit, PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë, 2006
    • Studime letrare, Toena, Tiranë, 2008



    Vepra të përkthyera në gjuhë të tjera:
    • Exilul Sufletului (Ekzili i Shpirtit), Editura Muzeul Literaturii Romane, Bukuresht, 2004
    • Schalte das magische Licht ein (Ndiz dritën magjike), Magic Verlag, Zurich, 2004
    • Only Death is White (Vetëm vdekja është e bardhë), Rozafa, Prishtinë, 2005
    • Ako stanam angel (Nëse bëhem engjëll), Fenix, Shkup, 2006
    • Ploaia fara Tine (Shiu pa Ty), Editura Do-Minor, Bukuresht, 2008
    • Beauté maudite (Bukuri e nëmur), Xanthippe/Edition ASPASIA, Zurich, 2010
    • Прокълната красота (Bukuri e nëmur), Balkani, Sofie, 2012
    • När himlen tystnar (Kur hesht qielli), Holmbergs, Malmö, 2012
    • Allume la lumière magique (Ndiz dritën magjike), L’Harmattan, Paris, 2013



    Antologji poetike (bashkautor):
    • Burim drite e dashurie, Shpresa, Prishtinë, 1999
    • Dritaren lëre hapur, Rozafa, Prishtinë, 2002
    • E frikshme dhe e bukur, Rozafa, Prishtinë, 2003
    • Eni vjen p’ej Çamërie, DÇJ & Rozafa, Prishtinë, 2004
    • Një gur i çarë, DÇJ & Rozafa, 2005; Toena, Tiranë, 2005
    • Insula nemuririi (Ishulli i pavdekësisë), Editura Muzeul Literaturii Romane, Bukuresht, 2005
    • Nie jest za pozno na milosc (Nuk është vonë për dashuri), Pogranicze Sejny, 2005
    • A Split Stone (Një gur i çarë), DÇJ & Rozafa, Prishtinë, 2006
    • Dann sagte der Dichter (Atëherë poeti tha), Das Internationale Literaturfestival, Basel, 2007
    • Antologji e poezisë bashkëkohore të Kosovës, Azminah, Jordani, 2009
    • Punti de cuvinte (Urat e fjalëve), Editura Fundaţiei Culturale Poezia, Iași, 2009
    • Balcanica, Editura Proilavia, Braila, 2010
    • Antologji poeziei albaneze de azi (Antologji e poezisë shqipe sot), Editura Privirea, Bukuresht, 2012



    Vepra me studime për Sali Bashotën:
    • Grup autorësh, Sali Bashota preţuit de scriitorii români/Sali Bashota i vlerësuar nga shkrimtarët rumunë, Editura Limes, Bukuresht, 2012



    Poezi nga Sali Bashota


    VJERSHA QË PO JEPTE SHPIRT
                         
    Albulena tha:
    mos e gris
    Është poezi e mallit të parë
    Ankthi do ta zërë edhe nënën
    Besiana tha:
    mos e djeg
    Dhembjet e shpirtit s'kanë fund
    Dikush më vonë do ta vajtojë me lot
    Doruntina tha:
    mos e plagos
    Është mëkat të vritet vargu
    Sapo lind  me klithmë
    Etleva tha:
    mos ee përgjak
    Do të bien të gjitha këmbanat e trishtimit
    Fjalë shpëtimtare më s'do të ketë
    Rozafa tha:
    mos e varros
    Vjershën që deshi pak atdhe
    Për shpirtin e vet


    MEDITIM I TRISHTË 
    Vjershë pikëllimi e zhvarros atë turmë
    Në sheshin e fitores sërish lë gjurmë
    Meditim i trishtë i veshur në zi
    Plasarit murin që s'rrënohet assesi
    Poeti klith kur i përgjaket poezia
    Tis i errët e  mbulon s'përkulet krenaria
    Revolta kthehet në shigjetë mallkimi
    Në cilin ferr po na zë verbimi
    Meditim i trishtë i veshur në zi
    Ç'të bëj me vargjet e rëna në barbari
    Fytyrë e vdekur lisin e gjakut e mbulon
    Kujtim i gjallë sa shekuj na robëron
    Gurvarrit tim i duhet bukuria hije
    Dhe një këmbanë zhvarrimit sa i bie
              (1994)
      
    NATË SHQIPTARE 
    Përnatë po vdiset me ëndrrat nën dry
    Korbin e mështjellim rreth qafe pa sy
    Lirikë e paqartë gërryen shkronjat mbi qetësinë e shprishur
    Avull i trupit fërkon shqisat e trurit të prishur
    Jeta përgjaket si zog i mbyllur në kafazin mbretror
    A vdiset kështu shqiptarçe rrethuar me murin gjarpëror
    Kur gjaku ngutet të mbushë pusin e rojës bishë
    Me kokë në jastëk shtërngojmë të drejtën e jetës që grishë
    Tuberkulozi e ha shërimin e vetë në rrugën pa fund
    Përnatë vdiset ngapak me pamje të muruar askund
    Qumështi i zi i nënës sa herë në prush vlohet
    Bëhet rreze pa ngjyrë medikament i syriit që shërohet
    Gaca shplohet nga hiri i dorëshkrimeve të varura në litar
    Si thupra në ujë dridhet mendimi i zhveshur në acar
    Gjuha mballqit emrat kur kthehen në ditën e Gjykimit
    Përnatë po vdiset në lëkurën e regjur të robërimit
    Shtegu hap dosjen me gojëtarinë e hargjuar në ekran
    Ajo ish skulpturë e larë me ujin e reumatizmës pranë
    Aty mbetet njeriu që lan  e than lëkurën e gjarprit
    Vetmia rrokulliset si libër i shenjtë i fatit
    Mëshira rri në hijen e mendimeve të qelbura në ferr
    Mbi Natën Shqiptare kur klith si shqiponjë në qeli-terr
    (1994)
       
    FJALA 
    Në gjuhën e gjakut a je rrënjë e butë
    Dhe pse fati të gjuan me shigjetë
    Mësoje përjetë atë thënie të urtë
    Mos  shkel besën pa dhënë jetë
    Poetët nuk heshtin pse ulërin nata
    Tani korbit krahët po i zbardhen
    Erdh kohë e shqetsimeve të gjata
    Rrezet e diellit me hije nuk ndalen
    Dikur ishte dashuri e pa mbaruar
    Kur nëna na vinte mbi djep skifterin e kuq
    Tash ç'do të thotë  kjo kohë e lotuar
    A kërcen hop ti apo dikush bie klluq
    (1989)
      
    RITUAL MORTOR 
    Fytyra të verdha më dalin para
    Vetmi e rëndë tash më pëlcet
    Është klithmë e fateve të ndara
    Kohë kthimi për të mallkuarin poet
    Askund s'e shoh pragun as derën
    Dyshim i ndezur tek më bën hije
    Thyhet shkëlqimi që bart skëterrën
    Thellë fundoset bukuri grarie
    Tash syrit ja mbyll dritën
    Si Argusit mijëra vjet
    Tash bimës ja ndal rritën
    Ëndërr e ftohtë më pret
    fryma ime vargun e zë rob
    Ta shtrydh deri në pafundësi
    Po s'të lë në hirin plot kob
    Kur prehet dashuria në arrati
    Varrmihës të krimbur më dalin prapa
    Ritual mortor i peizazhit të vet
    Me këmbë të lidhura me duar të çara
    Sa shkret medet sa shkret
    (1989)

      
    NDJENJA PËR NËNËN 
    Nëna s'do të qajë më
    Nëna s'do të klithë  habitshëm
    Shiu prapë ia lag trupin
    Që t'i  rritet nuri
    Të mos rrëzohet muri
    Dhe të bëjë mot i mirë
    Por nëna
    S'do t'i harrojë dhembjet
    As zërin  e përvajshëm të qyqeve
    Nesër
    Kur dielli lind përsëri
             (1989)



    PLAGOMË
    (M. Kutelit, për Poemin Kosovar dhe Shëndaumin) 
    E shoh poetin me kufoma foshnjash në krah
    Dheu Uji Fryma ia shpëlajnë Mëkatin
    A bartet kokëprera para disqeve diellore tha
    Kur molekulat e shpirtit ia mbysin hapin
    Qyteti fle me kësulë valësh liqenore
    Përse eklipsi mbulon trupat e shkrubuar
    Kafshëria ngujohet në mimetikën përrallore
    Nëse theret karvani në ditën e tmerruar
    E shoh poetin me kufoma foshnjash në krah
    Kosova dhe Shën Naumi  ndrydhin agimet polare
    Gjyqtarët e qelbur gjuhën e qesin në gjah
    Ti plagomë çmendie kurrë mos hap varre 
    (1994)

    Eqrem Basha

    Eqrem Basha poet, prozator, skenarist e akademik, lindi më 15 nëntor 1948 në Dibër, Maqedoni, ku kreu shkollën fillore dhe të mesmen. Në vitet 1967-1971 studioi gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Gjatë studimeve botoi tregime, vjersha dhe kritikë për film e televizion. Më 1972 punon në gazeta Rilindja|gazetën Rilindja, në të cilën shkruan për artet figurative. Nga janari i vitit 1974 deri më 5 korrik 1990 (kur u përjashtua me dhunë) punoi në TV Prishtina, në fillim redaktor i redaksisë së dramës, kurse në fund redaktor përgjegjës i Programit Kulturo- Artistik. Gjatë kësaj periudhe (në vitin 1992 në Arl dhe në vitin 1994 në Paris) disa herë qëndron në Francë me punë në projekte përkthimesh të dramaturgjisë frënge, kurse pas kthimit kryen punën- redaktor i kulturës në revistën javore Koha. Në vitin 1994, bashkë me Gani Bobin, Rexhep Ismajlin dhe Shkëlzen Maliqin, themelon shtëpinë botuese Dukagjini të Pejës, ku edhe sot është redaktor përgjegjës. Ka marrë pjesë në shumë takime letrare dhe në festivale ndërkombëtare të poezisë (Paris, Bruksel, Amsterdam, Varshavë, Lion, Die, Grënobël, Leuven, Lodeve, Seyni, Bukuresht, Konstancë, Vjenë, Grac, Gjenevë, Stavanger, Barcelonë, etj.), në festivale filmi e televizioni, në tryeza dhe debate ndërkombëtare.Shkruan tregime, romane, vjersha, skenarë për film e TV, radiodrama dhe kritikë për artin figurativ. Përkthen nga frëngjishtja, italishtja dhe nga gjuhët sllave. Anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës u zgjodh në vitin 2004. /Wikipedia/

    Librat e botuar

  • Shëtitje nëpër mjegull, tregime, Rilindja, Prishtinë, 1971.
  • Opuset e maestros, poezi, Bota e Re, Prishtinë, 1971.
  • Stacionet e fisnikëve, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1972.
  • Polip-ptikon, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1974 (ribotuar nga Rilindja më 1980).
  • Yjedet, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1977.
  • Mëngjesi i një pasditeje, tregime, Rilindja, Prishtinë, 1978.
  • Atleti i ëndrrave të bardha, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1982.
  • Udha qumështore, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1986.
  • Brymë në zemër, poezi e zgjedhur, Rilindja, Prishtinë, 1989.
  • Poezi, Naim Frashëri, Tiranë, 1990.
  • Marshi i kërmillit, tregime, Dukagjini, Pejë, 1994 (Çmimi “Hivzi Sulejmani”).
  • Zogu i zi, poezi, Flaka, Shkup, 1995, (Çmimi i Mitingut të Poezisë, Gjakovë)
  • Dyert e heshtjes, roman, Dukagjini, Pejë 2001.
  • Alpinisti, roman, Dukagjini, Pejë 2004. (Ribotuar në kolanën Letërsia shqiptare në Maqedoni, me parathënien e Ali Aliut, Mikena, Manastir, 2008).
  • Doktrina e të menduarit vetëm, poezi e zgjedhur, ASHAK, Prishtinë, 2006.
  • Meny ballkanike, poezi e zgjedhur, Toena, Tiranë, 2006.
  • Shtëpia e mallit, tregime, Ideart, Tiranë, 2009.
  • Lakorjka e Ik’sit, roman, (Çmimi “Azem Shkreli” për vepën më të mire në prozë për vitin 2011), Botimet Koha, Prishtinë, 2011.
  • Varrë, roman, Botimet Koha, Prishtinë, 20012.


  • Filmografia

  • Kulla (film televiziv) Kulla (1991) (TV)
  • Migjeni (film televiziv) Migjeni (1990) (TV)
  • Bashkësia lokale (1988) (TV)
  • Lulepjeshkat e dashurisë (1988) (TV)
  • Mixha Ramë (1985) (TV)
  • Tre vetë kapërcejn malin (1981) (TV)
  • E tërë jeta për një ditë (1980) (TV)
  • Epoka para gjyqit (1978) (TV)
  • Rropullari (1978) (TV)


  • Skenare

  • Proka (1984)
  • Pehlivanët (1975) (TV)


  • Poezi nga Eqrem Basha


    TROKITJET E ZEMRES
     
    Nese troket e s’ pergjigjet askush
    Mos u brengos
    S’ do ate thote se eshte e zbrazet shtëpia
    Eshte vetem lodhje
    Humbje e deshires per te hapur porten
     
    Nese therret ne oborr
    E s’ te del askush ne dritare
    Prape mos u brengos
     
    Kjo bote eshte shurdhuar
    Nuk i degjon trokitjet e zemres
     
     
     
    NETE ARGATESH
     
    Vone eshte per te dale ne shesh
    E dashur
    Mbyll zogjte ne kafaz
    Ver qenin ne gjume
    Te mos i lehe henes
     
    Vone eshte per te qare
    E per t’u ankuar
    E dashur
    Ver doren ne zemer
    Mbyllja kyçin ligesise
    Leri ata qe flene me urrejtje
    Te djegin llampen e vet
    Dhe ta mbledhin vrerin ne shishe
     
    Vone eshte per dashuri
    E dashur
    Sot gjithe diten kam qene argat
    Ne tregun e te deshperuareve
    Dhe s’ me mori kush
    Te mbjell nje fare shprese
    Ne aren e madhe
    Ne fund te zabelit
     
    Vone eshte per dashuri
    Vone
    Me zgjo neser heret
    Nese s’ kam vdekur nga pikëllimi
     
     
     
    AUDIENCA
     
    Shefi i protokollit pyeti me se merremi
    Jemi te lodhur
    I thame
    - dakord por me se merreni
    - me vetveten
    Thame
    Jemi te pushtuar
    Do te pushonim  pak
     
    Merreni me politike
    - ah jo
    Qellimi yne eshte liria
     
    Shefi shenoi
    Dhe na shikoi me habi
     
    Naive duken
    Tha kur hyri te na paraqese
    Dhe te pashprese
    Shqiptare jane
    Vijne nga vendi i urrejtjes
    Kerkojne te  kuptohen
    Nuk insistojne ne dashuri