 |
| Muhamet Mjeku |
Muhamet Mjeku ka ardhur në jetë me 12 prill 1943, në Shipitullë të Prishtinës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa Gjimnazin dhe Fakultetin Filozofik, në Prishtinë.
Fillimisht ka punuar si profesor në Shkollën Ekonomike në Prishtinë, pastaj në Shkollën e Mesme të Mjeksisë, ku jipte dy lëndë, shqip e latinisht. Dhe mëpastaj, në Gjimnazin “Ivo Llolla Ribar”, tash “Sami Frashëri”, aty ku më 1960/61 e kishte regjistruar klasën e parë. Aty Muhameti takoj edhe disa profesorë të kohës kur ishte nxënës, dhe nuk mund t’i besonte vetes se tash do të bëhesha kolegë me ta.
Ndërkohë atij iu shfaq dëshira qe të bëhej gazetar, sepse qysh si gjimnazist dhe më pas student në gazetën “Rilindja” kishte botuar disa shkrime dhe poezi në faqen e kulturës dhe në “Zanin e Rinisë”; ndërsa më herët në revistën “Pioneri”. Muhamet kishte besim në vete se mund ta kryente si duhet profesionin e gazetarit, që në atë kohe lakmohej nga shumëkush.
I bindur në këtë, në qershor të vitit 1971, pas një testi provues, filloi punë në të përditshmen “Rilindja”. Këtu punoj deri në maj të vitit 1974 prej nga kaloi në Televizionin e Prishtinës. Ndoshta për opinionin e sotëm është interesant se në rubrikën e kulturës të gazetës "Rilindja" në atë kohë punonte një elitë intelektualesh, si: Vehap Shita, Anton Pashku, Musa Ramadani, Gani Bobi, Mensur Raifi, Ibrahim Kadriu, Ali Podrimja, Jusuf Buxhovi, Dedë Mirdita, Nexhat Halimi, Sylë Osamani, Mensur Pozhegu dhe unë. Në Televizionin e Prishtinës ka punuar si gazetar, redaktor i lajmeve dhe udhëheqës i rubrikës së brendshme. Afro një vjet e gjysmë, derisa u adaptua ndërtesa e Televizionit të Prishtinës, ka përgatitur tri herë në javë ditarin (lajmet) nga studio e Televizionit në Beograd, prej nga emitoheshin lajmet në gjuhën shqipe.
Ka sajuar një numër të emisioneve dokumentare në Kosovë dhe jashtë saj. Ka realizuar disa dokumentarë nga një udhëtim atraktiv shumëditësh (45) në Afrikë, bashkë me gjiruesin e TVP- Urim Ukimerin. Po ashtu, ka realizuar edhe një deokumentar në Berlin në vitin 1975 me rastin e 30 vjetorit të ngadhnjimit mbi fashizmin.
Për shkak të “lëshimeve ideo-politike”, përballë konceptit të politikës së atëhershme serbe, është suspendur disa herë. Gjatë grevës së minatorëve të “Trepçës” është larguar nga procesi i punës për një vit bashkë me disa kolegë, dhe më pas është marrë gjashtë herë në biseda informative nga organet e sigurimit shtetëror të Federatës, Serbisë dhe Kosovës. Kur Sllobodan Millosheviq erdhi në Fushë-Kosovë në vitin 1989, për shkak të përgatitjes së një emisioni special kontestues që u emitua për tërë rrjetin jugosllav, u suspendua dhe iu ndalua hyrja për një kohë të caktuar në lokalet e televizionit, bashkë me kolegun Nuhi Bytyqi, me të cilin e kishin përcjellë ngjarjen. Shtypi serb dhe politika serbe këtë emision e anatemoi si diverzion kundër sistemit jugosllav, me theks të veçantë sulm mbi politikën e popullistit, Sllobodan Millosheviq.
Në Televizionin e Prishtinës ka punuar deri më 5 korrik 1990, kur ky institucion u okupua nga policia serbe dhe u nxorën dhunshëm të gjithë punëtorët shqiptarë, me përjashtim të ndonjë shqiptari të “ndershëm”, siç e shpiku këtë term asaj kohe politika në Beograd. Muhameti ka qenë redaktori i parë i ditarit të Televizionit të pavarur në Prishtinë, 1975 dhe redaktori i fundit i ditarit të orës 7:30 (lajmeve), 5 korrik 1990 kur policia serbe mbylli këtë institucion iformtivo-kulturor.
Pas mbylljes së televizionit botoi librin “Shaban Polluzha dhe Lufta e Drenicës”, që ishte libri i parë për një temë tabu. Ky libër u botua në 10.000 ekzemplarë. Më parë po në këtë temë kisha botuar një fejton në 13 vazhdime në revistën “ Zëri i Rinisë”. Libri është botuar dhe është shpërndarë fshehtas në Kosovë, Zvicër, Gjermani etj.
Pas botimit të këtij libri dhe mbylljes së Televizionit të Prishtinës, iu përgjigj thirrjes së veprimtarit dhe biznismenit të njohur, Harry Bajraktari për nxjerrjen e gazetës “Illyria” në New York, ku punoj si editor i parë i saj.
Përpos librave, ka botuar një seri artikujsh publicistik dhe disa fejtone me karakter politiko-historik. Njëherit, ka qenë pjesëmarrës në projektin “Kombi-rrugët e bashkimit kombëtar”, New York 1997. Ka në dorshkrim librin "Ditari i Luftës”.
Jeton në SHBA.
Disa nga librat e botuara
- "Lufta e Drenicës - Shaban Polluzha", Prishtinë 1991,
- "Vdekja në Bunker", Prishtinë 1996,
- "Pse sulmohet Drenica?", New York 1998
- "Kosova në dimrin e vitit 1945”, Prishtinë, 2003,
- "Shqiptarët 120 vjet pas Lidhjes së Prizerenit”, New York 1997,
- "Një jetë mes Kosovës dhe Amerikës”, New York 2008,
- "Binak Alia dhe Brezat pas tij", New York 2016.
- "Familja Mjeku-rrugëtimi i saj historik", 2019.
Fragment nga libri "Shaban Polluzha"
Gjenocidi
Një skenë, motiv që vetëm një film artistik mund ta përthekojë, e që tregon se si u ruajt kujtesa e një populli të shtypur dhe të robëruar në mënyrën më klasike, është ai i 30 janarit 1945, në Tërstenik të Drenicës, shkruan Ismail Syla, duke u ndalë në një fragment të librit tim :" Shaban Polluzha dhe Lufta e Drenicës".
Pas tmerrit që u bë në Tërstenik nga kriminelët serbë e malazezë, në fshat mbretëronte psikozë se mos po ktheheshin prapë e po vrisnin edhe ata që kishin mbetur. Ngse ishin ekzekutuar të gjithë burrat në lagjen e Spahiajve dhe lagjet tjera si dhe nga frika që ishte futur në mesin e grave e fëmijëve, bashkohen nga tri-katër familje në një shtëpi.
Në fillim të shkurtit 1945 kur u intensifikuan luftimet në mes forcave të Shaban Polluzhës dhe të partizano-çetnikëve, në Tërstenik u përhap lajmi se do të vijë një brigadë tjetër dhe do të vriste të gjithë ata që që i kishin shpëtuar masakrës së 31 janarit, thotë Hava Spahiu. Frika nga një terror i sërishëm, i detyroi shumë familje të këtij fshati të lënë plangë e shtëpi dhe nëpër borë e të ftohtë të niseshin për në Obri, ku mendonin të gjenin strehim për të shpëtuar jetën. Të ngarkuar me plaçka në shpinë, të lodhur e të tronditur nga terrori që kishin përjetuar, arrijnë deri në gjysmë të rrugës, ku takojnë hallën Sofi, gruan e Ukë Spahiut, që kthehej nga Obria.
Ajo u thotë kthehuni se andej kah jeni nisur, ka plot ushtarë që po djegin shtëpi dhe po vrasin njerëz të pafajshëm.
Pas këtij rrëfimi te ne ra heshtje pikëlluese. Në atë çast nuk dinim çka të bënim, thotë Mehaz Mjeku, i cli si fëmijë u gjind tek dajët e tij në Tërstenik. Deshem të niseshim në një drejtim tjetër por rrugët ishin të bllokuara nga bora e madhe dhe, në drejtim tjetër, nuk kishim kurrfarë sigurie. Fëmijët qanin, këmbët dhe duart na ishin mpirë nga acari, i vetmi qen që kishte mbetur, filloi të ulurinte dhe në ato çaste u krijua një gjendje e rëndë psikoze në mesin tonë, kujton ngjarjen Mehazi. Në rrethana të tilla vendosem të ktheheshim në shtëpitë tona, pa marrë parasysh se çka mund të na ndodhte më pas.
Erdhi edhe ajo mbrëmje e frikshme, si shumë mbrëmje që pasuan në shkurtin e atij viti të tmerrshëm(1945). Llambat e vajgurit nuk guxonim t' i ndiznim, se frikësoheshim që ato mund të jenë shkaktare që prapë, në atë hapësirë të izoluar dhe tërësisht të pikëlluar, të vijë dikush dhe të bëjë masakër tjetër. Ne fëmijët binim të gjumë, ndërsa gratë më të moshuara rrinin gjatë tërë natës në dritare duke këqyrë se mos po kthehej ndonjë brigadë çetnikësh e po na priste në gjumë...
Nga ditari im në Amerikë dhe gjatë bombardimeve të NAOTO-s në Kosovë
Vetëm një ditë pas masakrës në Likoshan dhe Qirez, gazeta më e famshme në Amerikë "The New York Times" e datës 1 mars të vitit 1998, botoi një artikull të gjerë, ku fillonte në faqen e parë dhe përfundonte në të pestën. Në faqen e parë ishte botuar edhe një fotografi e tre ushtarëve të UÇK-së me maska që, sipas gazetës, vendnodhja e tyre ishte në pjesën perëndimore të Çiçavicës, mbi fshatin Qirez. Ata, për këtë gazetë prestigjioze, deklaronin se"luftonin për lirinë e Kosovës dhe kishin nevojë të madhe për armë". Njëri prej ushtarëve, gazetarit i kishte thënë se duart e tij të zbrzëta presin një pushkë. “ Sytë i kemi nga Perëndimi”, shkruante The Neë York Times, duke vënë theksin në Washington.
Këtë artikull, në mesin e shumë shqiptarëve, e kishte lexuar edhe Agron Alibali, një intelektual i zhvendosur nga Shqipëria në Boston, nëse s’gaboj në vitet e 90-ta. Meqenëse për një kohë kisha mbajtur lidhje me të për shkak të një punimi të tij, botuar në librin "Kombi", të cilin e kishim përgatitur për botim me shkrimtarin Naum Priftin, me bëri një telefonatë dhe çuditërisht i shqetësuar me tha: "A po e shihni çfarë kompromitimi pa na bëjnë ata njerëz me maska në Kosovë". I habitur nga ky gjykim i tij i ngutshëm, i thashë se s’kishte informacione të mjaftueshme, duke ia bërë me dije se ata po luftonin për lirinë e Kosovës, por ai sikurse nuk u besonte fjalëve të mia. Nga biseda u ndamë ftohtshëm...
 |
| Vaid Hyzoti |
Ikim, biri im!
1.
Duhet të nisemi sa më parë
Në një rrugë pa kthim.
S’ka vend për ty këtu, biri im!
S’ka rënë shi, por toka është e butë,
Ne na duket se është dhé i hedhur.
Themelitë nuk po na zënë,
Çdo çast mund t’ia behin rrufetë.
Biri im, jemi të përndjekur!
2.
Shkuan rend vitet si tespihe
Edhe ti, sa shpejt u rrite!
Shih babain: i kanë rënë flokët,
Si një gruaje me kancerin e gjirit!
Ti tmerrohesh të më shohësh dorën:
Thonjtë?
M’i morën, bir, për kullat e fildishit,
Të ngrenë kështjella disney të rreme,
Kështjella kartoni marramendëse
Që ne t’i thamë sa ishe i vogël.
Na fal, bir, për ëndrrat e kota,
Që të “gatoi” babi, mami, motra!
3.
Po prapë je i vogël, ndaj s’të duan këtu,
S’ka vend për ty, se ende ke prindër.
S’të veshin dot për Irak kapotën,
Prindërit aq keq e flasin anglishten.
S’je ende gati për kostum për të rritur.
Kostumet që priten në rrobaqepësitë ushtarake,
Je ende i mitur të të varin zinxhirin
Si medalion në kakinë kollare!
4.
Të morëm në gjyq – ti vetëm 5 vjeç!
Gjyqtaren zezake e sjell ndër mend?
Të pyeti për emrin, të pyeti për moshën.
Të vështirë e kish
Të shqiptonte emrin tënd.
Të pyeti në të pëlqente këtu.
Pse serioz i the një “No” të thatë?
Të trembi zezakja me ryben e zezë,
Apo prisje të kishte lodra në gjykatë?
Si e parandjeve
Vendimin e zi që do marrë?!
Të morëm në gjyq për të pagëzuar:
Atje për ne ishte kisha e parë.
Të morëm.
Kuptove që këtu s’të duan.
Më fal, biri im, ke baba të marrë!
5.
Si të bëjmë me dhomën tënde të gjumit,
Pse ngulmon ta marrim me vete.
T’ia falim ndonjë të gënjyeri si ne,
Të paguaj avokatët e gënjeshtrave
Të tmerrshme!
Ti prapë ngulmon për lodrat e shumta.
Sigurisht, dikujt tjetër t’ia lëmë përsëri!
Përndryshe dënimin do ta kemi të rëndë
Veç pse të gënjyem për të tillë fëmijëri!
Ne t’i blemë lodrat, bir, t’i blemë,
Amerika t’i mori. Por ti mos shaj,
Se të hidhen në grykë, të vrasin, të urrejnë.
Fali shqiptarët, bir, nuk kanë faj
Se janë si ne dikur, me ëndrra, me shpresë;
Pa ditur akoma – ah ëndërr e pabesë!
Fali prindërit që me lodrat vetëm të lanë,
Mos shto dhimbje për nënën dhe babanë!
Na duhej, bir, të punonim aq gjatë
Dhe ty të burgosur të linim në shtëpi!
Se mbete jetim me prindër të gjallë,
U rrite pa dhele, pa fëmijëri!
6.
Do të ikim, bir, se ku s’e dimë akoma.
E ç’të duhen lodrat, librat, dhoma,
Kur babin sapo të dalim përjashta
Një polic pa grada mundet t’i vërë pranga!
Mund të jetë kinez, italian, çifut, spanjoll,
Polak çubardhë, ose sykuq mongol,
Hundëpipë nga Xhamajka, a dreqi e di se ku,
Ka urdhër që të huajt mos t’i lërë këtu.
7.
Si thua, bir, a shkojmë nga erdhëm?
Ikim atje ku emrin ta dinë,
Të takosh gjyshen nga nëna,
Se edhe babi është përvëluar nga malli
Për prindërit e tij që jetojnë në varreza.
Se i dënova sa ishin të gjallë:
Të çova larg, përkëdhelje s’të dhanë.
E prapë ne do të kërkojmë falje
Derisa të kuptosh ç’do të thotë gjyshe,
Mami fshehtas do të fshehë lotin
Se do t’i duhet të punojë “përkthyese”.
S’pati kohë, bir, të rrinte me ty gjatë,
Punonim për taksa, avokatë.
Po kemi frikë se edhe atje do të trembesh,
Bombat e Gërdecit shpërthejnë çdo ditë.
Ndonëse s’do shohësh gjyqtare të zezë
Që të “pandehur” të marrë fëmijtë,
Se në vendin tonë të gjithë janë njësoj,
“Të pandehur” janë të rriturit dhe fëmijtë.
(Sa të rritesh, bir, të kuptosh nga qeveritë.)
8.
E di që malli mundet të të marrë
Për përrallat që babi i kthente në vjersha.
Për Edenin, mitin e rrallë,
Që fëmijërisë sate i gjeta...
Për Manhatanin që qiellin ka ombrellë,
Statujën e Lirisë me farin e ngritur.
Besomë mua: janë prej kartoni,
Tullumbace në qiellin e verës.
Ne t’i zgjodhëm (sa rëndë gabuam)
Të të mbushnin fëmijërinë e ëndrrës...
9.
S’pate fat për baba, more bir.
Nuk ke faj, fatin ta jep jeta.
Babin nuk e duan këtu,
Se ai flet dhe shkruan të vërteta.
Babi s’di të bindë me gënjeshtra
Dhe së zezës nuk i thotë e bardhë.
S’di pse emrin ende s’e ka ndërruar;
Mbetet i pagëzuar, mysliman!
Është shqiptar, nuk është sicilian,
Madje s’hyn anëtar i Kubesë.
S’është sheik, nuk është arabian
Që së paku të kish naftë të shesë!
Gjithsesi, ne duhet të ikim,
Jemi të huaj, pa emër këtu.
Për ty, biri im, ne harrrojmë vetveten,
Veç na trego udhën.
Të ikim,
Po ku?
 |
| Isak Ahmeti |
I
sak Ahmeti (1946), poet, përkthyes letrar nga gjuha gjermane dhe italiane, studiues i letërsisë, autor i shumë veprave zhanresh të ndryshme, i përfaqësuar në shumë publikime brenda dhe jashtë vendit dhe së fundmi edhe në FJALORIN ENCIKLOPEDIK të ASHA të Kosovës(2018).
Profesor shumëvjeçar në Gjimnazin e Vitisë, ish Kryetar i Komunës së Vitisë (1988-89),anëtar i LSHK, anëtar aktiv i Akademisë Evropiane të Arteve me seli np Paris, laureat i shumë mirënjohjeve, çmimeve dhe diplomave, edhe i Çmimit prestigjioz dhe Diplomës "Ndre Mjeda" dhe Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë(2013) me motivacion "Studiues i letërsisë shqipe, i dalluar për kërkime shkencore rreth jetës dhe veprës së Ndre Mjedës "(Kukël, 23 nëntor 2013).
Poezi nga Isak Ahmeti
DRITA E PËRJETËSUAR
Gjithçka ka
Qielli
Toka
më thonë
Duaje Krijuesin
Ai është Drita
dhe unë
Dritë dua
Dritën
e amshuar
DRITË E SË VËRTETES
Zot
Dritë e së Vërtetës
në emër të dashurisë
flake errësirën
Na ndihmo
ta njohim
dashurinë tënde
Shpërblyese
KOHA
Koha
Zot
Vepër e jote
për krijesat e tua
Kohën e bëre
bashkë
me Qiellin
dhe Tokën
KOHA FLET PËR TY
Koha
Zoti in
flet për Ty
Do të kalojmë nga kjo jetë
në një kohë tjetër
Ti i bashkon
Qiellin
dhe Tokën
Fjala jote
deri në fund të kohës
Je libër i gjallë
që lexohet
përjetësisht
I LUNTUR FALË TEJE
Ti me ke bërë
që të ekzistoj
Jetoj falë teje
Ishe para se unë të jetoja
Zoti im
Shpëtimtari im
nga Ti më vjen gjithë mirëqenia
Falë Teje
jam i lumtur
GJITHÇKA ME DASHURINË TËNDE
Përmes Hirit tënd
linda dhe u bëra
krijesa jote e dashur
Unë jam dhuratë e jotja
Zoti im
Gjithçka bëre me urtinë tënde
është dritë
që i prin secilit hap timit
Qofsh i lavdëruar
JE I PËRSOSUR
Zot
gjithçka bërë
me frymën tënde
është e përsosue
Burimi i dashurisë sate
nuk shtjerrë asbjëherë
Dituria ime
e lindur nga Ti
të përket Ty
në fillim e mbarim
TË PËRGJEROHEM ZOTI IM
Në heshtje
kridhem në lutje
e bashkohem me Hirin tënd
e Ti ngrohtësi me fal
dhe vetminë time e zhbën
ankthin tim
Lutja ma qetëson shpirtin
dhe dritë më sjell
të mos e ndal hapin
e shtegtimit
NË EMRIN TËND
Në emrin tënd
Zot
ne pagëzohemi
Në emër t'Atit
të Birit
dhe
të Shpirtit të Shenjtë
Ujëvarë
e dashurisë
dhe e shëlbimit
Zot
ti që
na dhuron jetën
qoftë e plotë lavdia jote
edhe në belbëzinet e mia
poetike
E TASHMJA E GJIHKOHËSHME
Zoti im
Ti je i gjithëkohshëm
që përmes Hirit tënd
gjithëkohësi
shpirtit tonë i dhuron
për të bërë të ngjashëm
me veten
Ti kohën e mat
vetëm me dashuri
dhe dashuri mbjell
NUK E DI
Nuk e di se ç'është koha
po e di se
këto fjalë poetike
prush të dashurisë
po i shqiptoj në kohë
në vazhdim të kohës
në ghakim të dritës sate
për ta zhbërë terrin tim
E KRIJOVE FJALËN
E krijove Fjalën
mrekulli e mrekullive
Thelbi i dashurisë
dritë e mendjes
Fjala
shkëlqim i përjetshëm
FJALA
Në fillim ishte Fjala
Fjala ishte tek Zoti
dhe Fjala ishte Zot
Gjithçka u bë nga Ai
nga Ai rodhi jeta
dritë e njerëzve
Fjala
Dritë në errësirë
___
Poezitë janë marrë nga libri i sapo botuar: "Dritë e përjetësuar", me parathënien nga Anton Nikë Berisha.
 |
| Bajram Selimi |
Bajramali Selimi lindi në vitin 1966 në fshatin Gradec, rrethi i Gostivarit. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, kurse të mesmen në Gostivar. Studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe i mbaroi në Fakultetin Filogjogjik në Univresitetin e Prishtinës. Punon si mësimdhënës i gjuhës shqipe në shkollën fillore ,"Mehmet Deralla," në Gradec - komuna e Vrapishtit.
Veprat:
- "Dru pa rrënjë," poezi, 1996
- "Dy herë ëndërr,", poezi, 2003
- ,"Skafi", tregime, 2004
- "Aromë parajse," poezi, 2007
- "Zukama qytetesh", poezi, 2015
Poezi nga Bajramali Selimi
ZONJA
Zonja pa fre shkëputi vëmendjen me take
u afrua te banaku me shikimin nga ne.
Të uritur tha me qeshjen e vjedhur
dhe porositi pijen me fetë limoni,
kur ndezi cigaren shiriti vjollcë.
Klithmat e pleqve kokë ulur,
të etur njerëzit në tavernën buzë lumit.
Ajo morri diçka nga kamerieri me kordele
shpërndau flokët mbi radion e hodhi monedhë,
një serenatë e bukur lokalin e bëri vesh
e ringjalli shpirtrat e vdekur të pleqve.
Kënga trazojë vullkanet e fjetur
la gotën, shimi cigaren, kënaqësia mori udhë,
doli nga lokali me taket e saja më fortë
vëmendja jonë mbeti e shtangur
por kënaqësia ngjalli tavernën me dru.
VETMIA
Eci – eci me vetminë
në vendin as të gjalle, as të vdekur,
modestinë supeve të lodhura
e zukmat përplasen me stuhi
nga moçalet me mushkonja.
Sa do eci me vetminë e dalldisur!
nuk e di vetë, as koha s’më tregon
rruga e qumështi mbyt yjet e rremë
e kujtesa bartet si gjethi me tërbim
bashkë me dyshimin kryeneç,
si krimbi që grinë palcën e kombit.
S’kam kohë të mas veten me të pa paudhët,
pasi tallen me penën që thumbon
e farkëtarët mbathin këmbën e bretkosës.
Eci-eci me vetminë
pasi të paudhët rinë si djaj kryeneç
shpallen para pasqyrës yje për fjalën që s’thanë
dhe kur nuk gjetën udhën, këto të pa paudhë
shuruan varreve të mjeshtërve me nam..
KUR ERDHA
Kur erdha
ju varre me gur
eca kohës pa kohë
gjurmëve pa gojë
doja fijen e humbur,
emrin me shkronja të vdekura,
e gjeta nuk dita ta zgjidhë!
Thjeshtësia na kishte përbaltur
kishte fshi kujtesën e mykur.
Edhe sot eci nëpër varreza,
epitafet kanë vdekur nga të vdekurit
hiri nën dhenë pa Gjeometri
tash jam plakur me dreqin,
ju Dhe pa Gjeografi
nuk mundem ti bije ndërgjegjes
për kujtesën e vdekurit nga vdekja.
RRUGA PËR NË JUG
Pika të panumërta braktisën gjolin
u përplasën në xhamat e autobusit që kotej
një serenatë belbëzohej buzëve të një femre
Pogradeci hodhi vellon të përhimët
shiu i përlotur vinte nga sytë e Drilonit
lakte jakën e xhupit të zhubosur të Lasgushit
e liqeni i tërbuar pikturohej me nge.
Voskopoja u binte kambanave për kujtesën tonë
një zë i përmallshëm ngjallte shekullin e art
ku gjuha e heshtur nuk kishte fol ende më zë
rrokjet ngarroheshin në gojë për emrat e fisit
e Korça ende mbante aromë të fortë parisian.
Dreka shtruar shqip kishte mbushur gotat me verë
e vjeshta zverdhake shpërndante tinguj polifonik
kaçurrelja shpirttrazuar mbante ritmin e serenatës
kënaqësinë donte ta fusë në shpirtrat e brishtë
teri i shfrenuar kishte marrë busullën e kohës
e bukura e përlotur vinte liqenit si nuse me vello.
NE ERDHËM!
Keni ardhur shumë vonë tha arbëreshi
buza i dridhej pasi shekujt kishin humbur fjalët
rrënja thellë, gjethet i kishte marr era me tërbim
në Zarën e lashtë hiri i djegur fshihej puseve të qytetit.
Sytë shkriheshin horizontin të jugut me shkumë
rruga ishte marr emrin për ta shpëtuar
koha donte të piskat me zë, ne jeni me rrënjë ari
thoshte plaka me shaminë qëndisur shqip.
Ju kemi borxh, pasi nuk ju folëm me shekuj
nga bregu vinte pllaja latine thoshte një poet
ne nuk dinim ku ishit në ishullin e braktisur
erdhëm si në legjendat për ta pa motrën tonë.
Tash jemi kthjelluar e zëri na vjen nga lashtësia
*këngjellat e plakave ngjallin shpirtin e vdekur
gurët flasin me *gluhën e vjetër arbërisht
ju jeni këtu dhe ne do të vijmë përsëri
t’ju sjellim pak aromë atdheu në mungesë.
 |
| Vaid Hyzoti |
Vaid Hyzoti, lindur më 10 mars 1960 në Ishëm të Durrësit. Në vitin 1982 kreva fakultetin e Historisë dhe Filologjisë për gjuhë dhe letërsi shqipe, kurse më pas një specializim pasuniversitar për kritikë letrare, më 1987.
Ka punuar mësues dhe gazetar, pa iu ndarë kurrë letrave. Artikujt kritikë dhe shkrimet tjera i ka botuar në revista e gazeta, si “Nëntori”, “Drita” etj.
Më 1986 botoi vëllim e parë poetik, “Zërat e ditës së re”, për të cilin thuhet se vetëm 70% ishte i tij, pasi dorëshkrimi u qeth dhe u rrumbullakua nga botuesit, nën shijen e censurës tematike të kohës.
Në vitin 2000 emigroj në Amerikë dhe tash jeton në New York. Si duket, në kurbet iu shtuan frymëzimet. Kësisoj, ai vazhdon të shkruaj dhe t'i gëzoj lexuesit me libra tjerë.
Disa nga librat e botuara:
- “Zërat e ditës së re”, poezi, 1986
- “Thashethemet e vërteta” - skica, profile dhe tregime humoristike, 2002
- "Qyteti i të marrëve”, poezi, 2006
- “Fëmijë i vjedhur”, tregime dhe novelë, 2007
- “I denuar të qesh”. poezi. 2011
- “Kafe me djallin”, poezi, 2013
- “Dita ime - një cigare”, poezi, 2017
- Kurse romani "Parfum të vdekurish, është botuar fillimisht si teegim tek revista letrare “Mehr light” në Tiranë dhe më pas si trajtë novele tek vëllimi "Femijë i vjedhur".
Poezi nga Vaid Hyzoti
SHQIPËRIA IME
S’e di a nuk më deshe ti.
S’e di a nuk të desha unë...
Por çdo burim që rrjedh nga ty,
Më turbullon, më le pa gjumë.
Se jemi larg për vite e vite,
Por prindërit peng m’i mban atje.
Bari në varrin e babait rritet,
Nënën dhe vdekja nuk e nxë.
Çati e shtëpisë plasaritur,
Vuan të ruaj çdo shenjë kujtimi.
Tani dhe qiellin e kam ndërruar ,
Jam kthyer krejt në zog hutini.
E prapë fytyrën e kam shkëmbore,
Siç më je ti Shqipëria ime...
Gjithnjë për ty lart e ngremë zërin,
Ndonëse të mbytur në kukamë dhimbjeje.
VDEKSHA PO NUK ERDHA
Vdeksha, po nuk erdha
Tek ty, vendi im!
Këto vite të shumta,
I harruar jam.
Por beben e syrit,
S’mbylla asnjë natë
Pa të futur brenda...
Se të kam aq larg
Dhe të ruaj me ëndrra...
Vdeksha po nuk erdha!
Veç të gjej të gjallë!
Sido që të vij
Ti a do më qash?
EMËR I VËSHTIRË
Asnjëherë nuk mundën të ma thonë saktë emërin në këtë vend,
Ndonëse kam emër të shkurtër:
Dy rrokje,
Katër germa!
Mesojnë aq shpejt fjalët e pista nga të gjithë gjuhët e botës,
Në dhjetra gjuhë përdorin fjalēn “shkërdhatë”,
Apo të shajnë nga nëna!
Dhe në vdeksha me kursimet e mia do paguaj një varr të sheshtë ,
Dhe në ardhshin në varrim do thonë;
Vdiq një refugjat!
S’ia vlen të më thonë emërin, se mbase dhe i vdekur,
Mund te çohem dhe ne vendin ku emerin ma dinë
Mund të kthehem prapë!
KALAJA
Kalaja e Ishmit qe më mban shtepinë,
Shtepinë me mure bedenash,
Është plasaritur e çarë...
Çudi, asnjë gur s'i levizi në shekuj,
Por plasi në kohërat moderne.
Malli e paska marrë ...
Si t'ia nis një pikë loti,
Aq, sa për të më parë...
FALEMINDERIT, ZOT
Era tërë natën
I fshiu rrugët,
Ku gjurmët e tyre dhe hedhurinat lanë njerëzit.
Dhe na solli një mëngjes të trëndafiltë,
Të pastër, të bukur,
Si në kohën e Homerit...
Faleminderit, o zot, për këtë ditë dritēmirë.
Që na dhuron sot
Për ta nxirë!
PUTHJA E PARË
Ishte aq e shkurtër; vetëm pak sekonda.
Ishte e plota me vlerën e puthjes...
Ndonëse e dhënë me gjysmëdëshirë
Dhe gjysmën tjetër ia vodhëm druajtjes.
E ndjeva veten të humbur brenda zemrës.
Frymë mora thellë me poret dhe flokët.
Veç nje çast të vetëm se pastaj u meka,
I gjallë pa zemër, pa...kapak të kokës!
Herë ndihesha fajkua të sulmoja qiejt,
Herë si fosile e pagjetur akoma.
...kanë kaluar vite. Ajo më vjen shpesh
Puthja më e shkurtër - veç në pak sekonda.
Më ndjek, drithëron dhe veten e humb,
Paçka se shumë puthje dhashë ne jetën time.
Mbeti krejt e njëjtë, si e kuqja Onufrit.
Ndërsa te tjerat... vetem retushime!
DASHURIA
Ke zënë vend dhe nuk luan nga sytë e mi...
Shoh drejt e më bëhesh dritë,
Shoh majtas e djathtas - më kthehesh në gjemb...
S'ka mjek të marrë përgjegjesinë e operimit,
Më thonë: mbetesh qorr
E përjetësisht të dhemb!
Përjetë urdheron sytë çfarë të shohin,
Në gabojnë, je gati t'i nxjerrësh me thikë!
Nuk pyet se vitet e mia po shkojnë,
Ani, flokët le të thinjen, të bien,
Ti mbrohesh me qerpikë!
VAJZA E ËNDRRAVE
Kurrë mos ardhtë,
Kurrë ma e pafsha,
Vajzën qe më vjen në ëndërr!
Ka vite qe e rris
Për nuse e stolis
Dhe veten zgjedh dhëndër!
Ndjej fort ta dua,
Krejt i përhumbur,
Syve plot dritë...
Në ardhtë - medet,
Një shuk errësirë
Do m’i mbyllë sytë!
JANE TRI VAJZA
Janë tre vajza, që s’i quan të vogla,
Por edhe të rritura nuk janë ende.
Të zbresë natën e vonojnë
Te hyrja e pallatit çdo mbrëmje.
Janë tre vajza që sapo kanë filluar
Vetullat t’i heqin nga një çikë
Edhe thonjtë ti ylberojnë,
Edhe tonet t’i derdhin tek sytë.
Zëulët bisedojnë tek bëjnë deshifrimin
E fjalëkroseve të vështrimit të djemve
Pastaj shpërthejnë në qeshje të bujshme
Duke veshur pemët me gjethe.
Ashtu përskuqur nga përvlimi i moshës,
Për “atë” të ndjejnë kanë zënë.
Gishtat i kanë mbushur me unaza,
Çudi që në bel nuk kanë vënë
Paçka se xhinset shkurtohen çdo ditë
Ankohen bluzat nga i gjoksit brufullim…
Vajzat këdo ngacmojnë me vështrime
Çdo mbrëmje, në hyrje të pallatit tim.
Përkitazi i shoh, veç lehtë i përshendes,
Tek sa para tyre shkoj nxituar.
Se jam kaq i ri tu jap këshilla,
Jam kaq i vjetër për t'i dashuruar
New York, 2007
I DROGUAR
Sapo të prek më merret goja
Si të kem pirë një kupe hashashi.
Se prapthi lajmet transmetoj,
Zhurmues antenash që ka Dajti!
Të ngjis tek vetja të puth fort
Në gushë, në buzë, në sy e faqe
Krejt ç'akorduar - ah, ç'superdozë
Patjetër prej marihuane!
Ti fergellon, s'të mbajnë këmbët,
Si bisk i njomë rrëqethet shtati...
Mua më vjen si drogë e fortë
Kolumbiane, jo ... Lazarati.
Lekurës të bulëzon vesa,
Shegët e gjoksit shpërthejnë kokrriza.
Marramendja vjen tunduese,
Efekt i plotë nga kokaina!
Gremisem te vdes në humnerë-
Se s'ka më bukur tjetër vend!
Se ç'hungëroj, rënkoj e flas
E di qe kurrë s'do t'i mbaj mend.
...çudi, më pas hap sytë ngadalë,
Fillon del droga, vjen frymarrja.
Si filozof e them me bindje
Drogë merr vertete kush s'ka të dashura!
2017
_ _ _ _ _ _ _ _ _ _
Tregim nga Vaid Hyzoti
Tavolina e ushtarit
Kamarierja na drejtoi për tek tavolina e fundit.
- Vetëm tavolina e ushtarit është e lirë,-tha ajo si e zënë më faj.
Nuk doja të rrija atje, madje kërkoja një tavolinë në hyrje, jo më të isha afer asaj "të ushtarit". Kisha pirë kafe dje në këtë bar me emrin "Shqiponjat". Në fillim pata një si ndjenjë ngazëllimi,kur dallova që larg flamurin shqiptarë dhe atë amerikan në farfuritje.Lokali ishte në krye të një sërë godinash njëkatëshe, që ishin zyra apo dyqane të vogla, minimarkete.Sa hyje brenda të dukej se kaloje si në revistë tërë Shqipërinë. Madje edhe emrat e tavolinave u përgjigjeshin pamjeve, fotografive në sfond. Ja,tavolina e Rozafatit, e Krujes, e Saradës, Tiranës...Vetëm një tavolinë e madhe në fund të lokalit nuk kishte emrin, madje as kishte ndonjë pikturë, apo fotografi. Dy rekuizita te vogla prej xhami kishin nga një bluzë marinsi; njëra e shpuar nga plumbi në mëngën e majtë, tjetra-akoma e përgjakur.
- Mos u habisni që kam shpëtuar. Nuk ka plumb që ta vrasë shqiptaro-amerikanin që lufton terrorizmin Jo vetëm në Falluxhah të Irakut, por dhe në Polin e Veriut, në xhunglat e Afrikës,kudo që ka terroristë jam gati të shkoj...-nisi fjalimin e përditshëm djaloshi i veshur me uniformë marinsi.
Askujt nuk po i bënte përshtypje fjalimi i tij patetik. Ndoshta ishin mësuar ta dëgjonin çdo ditë, ndoshta edhe vidiot në televizorët e sallës kushedi sa herë e kishin transmetuar atë. Vetëm ca syresh e shihnin me keqardhje dhe pëshpëritnin: "Sa djalë i mirë ka qenë. U bë gjytrym për tekat e të atit".
Kamarierja,si duket e kuptoi hezitimin tim:
- Mos u shqetesoni, Besmiri, ushtari, nuk vjen sot, është shtruar prapë në spital, i shkreti. Rrini të qetë dhe mirë se erdhët
Zumë vend. Xha Mustafa, që sapo kishte ardhur nga Shqipëria, u bë me krahë që po gjente një kafe kaq pranë shtëpisë së të birit dhe ku shërbehej dhe flitej në shqip.
- A ka fernet këtu?
- E do "Branca", apo të Tiranës, si të duash...
- Më sill një dopio të vendit dhe nje ekspres streto, - i tha kamerieres dhe na u drejtua ne: - Tani këtu më keni çdo ditë.Të vonohet djaliu sa të dojë... Do të gjej ndonjë shok të tjerr kohën. Po këto televizorët a e dijnë shqipen?
- Kemi edhe video, edhe program direkt...
- Po çfarë kanë vidiot? Humor me Koço Devolen?
Kamarierja mori një kasetë që i zuri dora dhe telekomandën...
- Shihe, more, po sikur e njoh këtë... A mos është ky Brahim Brahushi, berberi i Selvisë? Po ç'e paska këtë kollare të madhe si ministër. Mos e kanë bërë ministër këtu në Amerikë?
Kamarierja duket shumë e muhabetit dhe nuk besdisej nga pyetjet e shumta të xhaxha Mustafës:
- E ç'është ministri para Brahushit?Asgjë. Brahushi është pronari i këtij lokali dhe i tre dyqanëve të tjerë në këtë zonë. Në një shtet tjeter ka blerë një pikë karburanti...Brahushi është dhe babai i ushtarit, - nxitoi së fundi të sqaronte kamarierja,sepse po i bënin shenjë nga një tavolinë tjetër për pagesën.
- Allah Brahush berberi qenka bërë pasanik i madh në Amerikë,-foli nëpër dhëmbë xha Mustafa me sytë tek televizori - Pa prit, prit, çfarë thotë? Brahushi qenka dhe kryetar i shoqatës së intelektualëve shqiptaro-amerikanë Zot, na ruaj kaplloqen, se po na bie ta shkelim me këmbë. Mirë për tregëti, po paska patur edhe shkollë?
Në vidio një gazetar i televizionit lokal,po intervistonte Brahushin,pas zgjedhjes si drejtues i intelektualëve: "Tërë jetën time ia kam kushtuar drejtësisë dhe ekonomisë së tregut. Amerika shpalosi para meje horizonte të ndritura Amerika-vendi kampion i demokracisë...".
Xha Mustafa kroi kokën me shejtani; e njihte mirë Brahushin...
* * *
Brahushi kishte një jetë të tërë që punonte berber tek Selvia. E njihnin të gjithë dhe për gërshërën dhe për muhabetin e embël që të bënte kur të shërbente. Kur dilje nga berberhania e tij e kuptoje se nuk kishe bërë një qethje të thjeshtë anash, apo kare, por dhe ishe rruar nga xhepi. Jo se Brahushi ta merrte lekun me hile, por se si qe aq i ëmbël dhe i përshtatshëm në muhabet. Ta shihje në rrugë Brahushin, nuk e ndërroje me ndonjë drejtor apo ministër i rruar taze, i kollarisur, syzet me skelet të verdhe, si të ishin larë me flori. Edhe kur gratë nuk gjenin bojë për flokët dhe i lanin me lëng gështenjash,Brahushi kishte; kurrë nuk e kam parë të thinjur. Sa për zanatçi-jepi hakun-qe mjeshtër. Për njëzet a tridhjetë vjet ai më ka qethur. Zyrtarët e ministrive, drejtorët, shefat-kë nuk ka patur klientë Brahushi. Të gjithë e donin për zanatin dhe muhabetin. Kur një ditë i mori Palokë Plakut vetëm 5 lekë për një rruarje, e morën vesh të gjithë. Tjetri zgjaste t'i jepte edhe pesë lekë të tjera, po mezallah që pranonte Brahushi. "Ik dhe mirëardhsh, prapë Unë e mora hakun tim, - i tha me zë të lartë që ta dëgjonin të tjerët, -se kaq do të marr përherë...".Paloka kishte dalë dhe Brahushi po u shpjegonte klientëve të tjerë:"I bëra 50% zbritje se ai njërën faqe e ka të djegur...".Gazin s'e kish mbajtur asnjeri dhe për dy-tre ditë tregohej si barsaleta më e suksesshme në baret e Tiranës. Paloka s'u duk më tek Brahushi...
Xha Mustafa tregonte rrjedhshëm dhe me humor. Kishte shumë për të thënë. Teksa fliste sytë i mbante në vidiot e tre televizorëve të sallës. E pyeta në e kish takuar këto vitet e fundit në Tiranë, se dija që Brahushi kishte shkuar shpesh.
-Vetëm një herë e takova. U poqëm si miq të vjetër. Më tha se s'po ia kalonte keq në Amerikë, "Por ke par ti, Mustafë se mua më djeg malli për Selvinë, për vendin tim? Sa kthehem në Amerikë, më vjen të kthehem prapë. Po të mos lëvizja,me siguri do të hidhja rrënjë këtu dhe ju s'do të thonit më "tek selvia",por "te Brahushi"... Nuk e kuptoi njeri pse lokalit që e kish privatizuar ia ndërroi emrin.Madje kur e pamë u habitëm. Në ballë të tij shkroi "BERBER ME POROSI". Jemi mësuar për këpucë me porosi, fustane dasmash me porosi, por jo berber, dreqi e mori...
- Po me porosi ka punuar gjithnjë Brahim Brahushi, o xha Mustafë, - desha të sqaroj unë. Dhe i tregova se, pasi pa që nuk e hante punën,vrau mendjen si të nxirrte lekun. Se edhe kur punonte berber i thjeshte, gjithjë plot e pati kuletë ai. Merrej me shoferat e "Albanieve", me kontrabandë floriri. Nuk është se ngelesh pa bukë në Amerikë. Madje,që kur erdhën edhe e shoqja, edhe të dy djemtë punonin. Më beso, të gjithë thonin"s'ka çuna si të Brahushit". Në punë përditë, në shkollë të parët. Por ç'e do, i mori vetë në qafë. Ta dëgjosh djalin, të këputet shpirti. Nejse, tjetri shpëtoi dhe po ndjek kolegjin. Por Besmiri, e bëri budalla të birin me pangopësinë e tij. Dhe i shiko këto njerës në kafe? Shumica thonë se Brahushi u tregua i zgjuar...
Xha Mustafa po më shikonte i habitur. Ai s'dinte gjë ç'i kishte ngjarë Brahushit. Madje ishte i ngazëllyer nga kasetat,për prakticitetin e tij.
-Pa më fol më shkoqur,se më hutove krejt, - më tha.
-Po, Brahushin e kapën në Kanada tek shoqëronte për në Amerikë 23 refugjatë nga Shqipëria... E arrestuan. Zuri një avokat të mirë.E liruan pas tre muajsh dhe e urdhëruan që për të gjithë jetën të mos shkelë në Kanada... Edhe atë "Berber me porosi" Brahushi e përdorte për të zbukuruar njerëzit, për t'i përngjasuar personave që i kishin dhënë green cartën për të sjellë njerëz të tjerë. Dhe mua ma ka kërkuar,se gjoja donte të sillte një kushëri të vetin që s'paska ç'të hajë në Shqipëri...
Xha Mustafa kishte ngelur i shtangur:
-Po çfarë ngjau më pas?
-Erdhi në Amerikë, por ia mori emigracioni dokumentat. Ishte djegur kot, se për tre muaj duhet të merrte pasaportën amerikane. Dhe e gjeti zgjidhjen: nisi lufta në Irak dhe hoqi djemtë nga puna dhe shkolla, i çoi ushtarë. Pa krijoi gjoja shoqatën e intelektualëve dhe ku shkel dhe për çfarë bën pas e ndjek kanali televiziv shqiptar. Me siguri i ka paguar mirë. Të gjithë këto kaseta përdori avokati i tij si dhe një tjetër nga darka që shtroi kur u kthyen djemtë nga Iraku. Sot Brahim Brahushi është qytetar amerikan...
-Sa të rrosh do të dëgjosh. Po a vjen këtu, se paskam qejf ta takoj e t'i them nja dy fjalë, - xha Mustafa më kishte ndjekur me vëmendje.
-Aaa... s'e sheh lehtë këtu Tani është në Shqipëri. Përsëri me refugjatët që duan të shkojnë në Evropë. Megjithese dikush më ka thënë se e kanë parë në Kinë. S'e di në merret me tregtinë e kukullave "Barbie"që dolen me kimikate, s'e di a po viziton vendet e tjera aziatike. Por mbase interesohet për lojërat olimpike "Kinë 2008. Mund të zgjidhet shef i organizimit...
Qeshëm të dy për një çast. Po pinim kafe tek "Tavolina e ushtarit" në klubin e Brahim Brahushit në Amerikë.
Nju Jork, 2007