|
Ajne Ibërhysaj |
Ajne (Selman) Ibërhysaj, ka lindur më 17 nëntor 1973 në Deçan. Ajo ka studjuar në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan-Shqipëri, dega Bio-Kimi e Përgjithshme. Në kolegjin “Victory”, Prishtinë ka studjuar programin studimor bachelor dhe master “Politikë Ndërkombëtare dhe Diplomaci” ku e mori gradën Master i Arteve për Politikë Ndërkombëtare dhe Diplomaci. Në komunën e Deçanit mbanë pozitën e punës, Inspektore e Mjedisit.
Veprat:
- “Dita e gështenjës”, SHP “Lena Graphic-design”,Prishtinë 2020
- “Do vij me hijen e erës”. “Lena Graphic-design”,Prishtinë 2020
Poezi nga Ajne Ibërhysaj
TEMPULL LOTI
Lufton ta njohësh shpirtin
Sa herë veten e ndëshkon
E qorton.
Harron edhe si të dashurosh
Ndonjëherë vetveten nuk e kupton
Si e marrë vazhdon të shtegtosh
Çdo rrugë e ndërton me pika vese
Shpirt
Tempulli i lotit
Sa i fortë bëhet brenda teje
ËNDRRAT T’I TRAZOJ
Më pëlqen ta përqafoj thellësinë e shpirtit
T’i trazoj ëndrrat e vetminë tënde
Kam dëshirë më shumë se dëshirë
Te të përqafoj
Derisa mungesën time të mos e ndjesh
E harrimi mos të ketë vend
Më pëlqen heshtjen e përqafimit tënd ta shtrëngoj
Kur të jam larg teje
Në çdo vegim dite
Me drithërima te të zgjoj
Më pëlqen te të përqafoj
E ritmin e mëkatit ta përjetosh
Deri sa të dalin fluturat nga ashti
Më pëlqen te të përqafoj
Derisa flaka e përqafimit tim
T’i kallë krahët për të shtegtuar...
TI JE VALS, REBEL I SHPIRTIT...
I dashur
Nëse një dite vi tek ti
Ma puth lotin mbi qerpik
Ma shtrëngo dorën në faqe
Syrit m’i dhuro filiz pranvere
Miqësohu edhe ti me borën
E në atë ditë
Kujtimet do vallëzojnë
Me valsin e jetës
Atëherë zjarri do ketë pushuar
Unë do vi me hijen erës
Lehtas do shkel mbi gjethe fjale
Mos u friko
Nuk të trazoj as nuk t’i zgjoi ëndrrat
Edhe yjet në qiell të qetë do i le
Unë do te vi tek Ti
Me puhizën e detit
E me rrezen e mëngjesit do shtegtoj
Atëherë
Të gjitha trazimet do i merr qielli
I dashur
Ti je vals, rebel i shpirtit...
TI, JETA IME...
Ditët sikur tokës i bien grusht
Kufijtë e dashurisë janë brenda nesh
Puthjet e ngrohin edhe humnerën e ligë
Do ikë një ditë kjo ekspeditë frike
Në çdo frymëmarrje marr ajrin tuaj
Edhe buzëqeshjes i japë ngjyrë
Mes librave e kall veten
E gjej edhe shpresën
Jam aty buzë errësirës e dritë më ke
Me durim i kap ditët
I nënvizoj me gishtat e dorës
Si ushtari i një armate pambarim
Më mban një qëllim
Ka një diell ku prehet dashuria
Do ikë një ditë kjo ekspeditë frike
Unë jam destinacioni
Ti je kufiri
Unë jam ëndrra
Ti je drita
E gjithë bota çfarë ka brenda
Është një pikë loti e shprese
Unë e Ti
Jemi vetëm një frymëmarrje
Jeta ime
Të puth deri në amshim
(13 mars 2020)
BALADA E POETIT
Shpirti i poetit e ngrohë tokën e qiellin
Çdo varg e bekon me lotin e diellit
Me hire apo pa hire kryqëzohen fatet
Me ferrin jeton e njeriut i dhuron parajsën
Thonë se kur poetit i buzëqeshë fytyra
Mbretërit grinden e ai qëndisë vargje
Shpirti i rebelohet e Zotit i dhuron vetminë
Pse hyjnitë lotojnë kur dashurojnë
Pse engjëjt qajnë kur mbretërit kurorëzohen
Pse dashuritë e mëdha
Sikur shuhen në rrezen e parë të ditës
Pse djajtë errësojnë diellin
E tentojnë të bëhen yje
Balada e poetit e ka frymën e secilit njeri
Syri e ka etjen e vargu i bëhet shigjetë
Çdo shkronjë e brumos me frymën e gjakut
Guri i bëhet i butë e koka i dhemb nga jastëku
Acari ia lëndon damaret e zogjtë e shoqërojnë
Nga gjaku i lind poezia e pastaj shpirti i qan
Dhimbjet i bën peizazh dashurie
Vajin e fëmijëve e qëndis me fjalë perëndie
Edhe shiu kur bie
Poetit shndërrohet në lumë
Deti i dhuron shpresat e lumturisë
Mali e thekë me mall
Por është edhe i mërzitur
Se koha ikën e vitet i plagosin engjëjt
Shekujt nuk kanë zë e koha rrjedhë si lumë
Por kot nuk kanë thënë
Se poet lindë e nuk bëhesh
Edhe bora kur bie poetit sikur i flet:
Guri ta ngrohë syrin e toka e huaj vdekjen
E hidhësia e fjalës ia ç’ekuilibron shpirtin
Ngushëllohet me muret e yjet ia ndien dhimbjet
Nga shpirti i buron fjala
E në tokë i mbëltohet si gravitet dashurie
Shpirti i poetit e ngrohë tokën e qiellin
Kjo baladë e vargut apo e poetit pelegrin jete
13 prill 2020
SIKUR DIELLI E KA RISKUN E SHPËTIMIT
Në fushën e vetmisë shuan dëshpërimin Ditët i mbështjelli me fragmente jete Godet shpirtin me copëza valeE trishtë dita si peng vjen nata Nga gjithçka që keNgjan me qelqin e kristaltë
Dielli sikur e ka riskun e shpëtimtarit Nga laborator doli një zë përbindësh E pushtoi botën me egon e virusit Nga degët ranë edhe lulet e mollës Ditët u shkrin e u ngatërruan stinët
Teatri hapi dyert e aktorët qeshën Toka e Renesancës me partitura loti Bota ndryshoi peizazhin e zemrës Ëndrra shtetesh u thyen si pasqyrë Simfoni kumbuese jete a vdekje Përballë ke dy fronte Panik e mesazhe shprese
Dielli i marsit kallë shpirtin e ndalë vrullin Lidh traktat me veten e rri në shtëpi Heshtje e zbrazëti Dëgjon aty këtu ndonjë zë zogu mekur Mos valle edhe këta I ka kapluar kjo pandemi
Heshtja flet me vargun e murit Kalkulime e arritjesh ranë e fjetën Mbretëreshë kohe e kurorë jete Higjiena e duarve klithmë e vetme
Sa shumë veten e paskemi gënjyer Shpresa nuk ka kujtesë por vetëm lutje Sa çudi edhe shekujt ranë në ujdi Sa larg e afër e ndiej shijen e mesjetës E shenjtë fjalë capitet me frymën e vargut Më vret shpirtin e thyhet si qelq Në atë diell e shoh riskun e shpresës U kryqëzua jeta me hire apo rastësi Me ecejaket e dhimbjeve të mesjetës ...
SA PAK TË NJOHA ITAKA IME
Çdo ditë ikën
Me fytyrën e trishtë
Me ndërgjegje të thyer
Ike
Kthehesh
Gurët e ftohtë
Të presin
Në sy sheh
Ekspozitë vrastare
E vizatuar rëndë
Me vragë shpirti e loti
Godet thellë e zë nuk ka
Ikën e flaket me shpresën
Nuk di si ta ngushëlloj zemrën
As ditë si ta nisë
Të eci tutje
Ta braktisë Itakën
Ta harroj premtimin
Brengën e pendimin
T’i marr me vete
Ta përqafoj Itakën
Lotin ta lë në galerinë e faqes
Lehtas t’i përkundë
Mëngjeset e rinisë
Me vaje fëmijësh
Mbrëmjen
Ta qëndis me rreze ambri
Nuk di me çka ta mbush mendjen
Shirat e gjetheve
Shpesh qajnë me lotin
Vjeshta ka zënë vend
E dimrat i ngrohim
Me pika vese
Fjalët thyejnë dhembet
Përqafohen e ndeshen
Vriten me ndërgjegjen
Nuk e di çka t’i them jetës
Ëndrrat mbeten si kurorë perlash
Kupën e dashurisë
E deha me shpresën
Rrugët i mbusha
Me gjerdan lotësh
Itaka shijoj dashurinë
Shtegtojmë
E gjithnjë mbesim të uritur
Sa pak të njoha
Itaka ime
Sa pak ma njohe shpirtin...
NËNË
Nënë
Në krahët e tu
Qetësinë e shpirtit e ndjeva
Në sytë e tu pashë diellin
Në prehrin tënd kokën pushova
Edhe tash e ndjej fjalën
U rritsh si kokrra e melit
Nënë
Kam aq mall për fjalën tënde
Lotët trupin ma drithërojnë
E kujtimet ma çmallin shpirtin
Nënë
Në çdo frymëmarrje të ndjej
Më pushton e mbështjellë një zjarr
Dielli m’i kallë gjethet e pranverës
Ditët më ikin si zogjtë e vjeshtës