Veprat e Ymer Elshanit:
1. Anija e miqësisë (vjersha)– RILINDJA, Prishtinë,1972.
2. Çka ëndërrojne lulet (vjersha) – RILINDJA, Prishtinë. 1971
3. Ndodhitë e Hundëkarrotës (roman) – RILINDJA, Prishtinë.1971
4. Loti udhëtar (tregime) – RILINDJA, Prishtinë, 1977
5. Ishulli i lumturisë (tregime)- RILINDJA, Prishtinë,1973
6. Aventurat mbi trotinetin e vjetër (roman) – RILINDJA, Prishtinë,1975
7. Guri i çmueshëm (tregime) – RILINDJA, Prishtinë,1977
8. Unaza magjike (vjersha) – RILINDJA, Prishtinë,1980
9. Plaku me violinë (tregime) – RILINDJA, Prishtinë1984
10. Kaloresi i bardhë (poemë) – RILINDJA, Prishtinë, 1987
11. Perjetimet e bardhoshit (tregime) – RILINDJA, Prishtinë,1989
12. Ylli ëndërrimtar (vjersha) – RILINDJA, Prishtinë, 2000
13. Vajza e diellit (tregime) – RILINDJA, P. 2000
14. Njohja e trimave (tregime e përralla), ROZAFA, Prishtinë, 2000
15. Perralla per ylberin (poemë) – ROZAFA, Prishtinë,2000
16. Gjeli i kuq (tregime të zgjedhura) – ASDRENI, Shkup, 2000
17. Zogu i lirise (vjersha) – ZEF SEREMBE, Prishtinë, 2001
18. Le të vijë në Sharr pranvera (poema) – ROZAFA, Prishtinë, 2002
19. Gjelastreni mendjelehtë (vjersha) – GUTENBERG, 2001
20. Flokargjendta (tregime të zgjedhura) – ROZAFA, Prishtinë, 2004
21. Udhetimet e Xhuxhimaxhuxhit (roman) – Prishtinë, 2008
Poezi nga Ymer Elshani
ÇELËSI I ARTË
Çelës i artë është – mirësia,
Çelës të tillë pranvera ka;
Tërë natyrën
Ngjall, bleron -
I gëzon njerëzit në botë shqim
Dhe çdo zemër hap – pushton!
Çelës i artë është ngrohtësia,
Çelës të tillë dielli ka;
Botën ngjall,
I jep jetë –
Nuk kursen rrezet e tij
Dhe çdo zemër e hap lehtë!
Çelës i artë është – fjalë e ëmbël,
Çelës të tillë mund të kemi
Unë e ti,
Të gjithë sa jemi;
Fjala e ëmbël bën mrkulli –
I hap zemrat si me magji!...
SHQIPONJA
Shqiponja e mprehtë – vetëtimë,
Vetëtimën e ka marrë –
Nga retë e qiellit.
Bebëzat e mbushura –
Shkëlqim,
Shkëlqimin e ka marrë –
Prej rrezeve të diellit.
Në qiellin e gjerë arbëror
Valon si flamur – kurorë.
Krahët – shkëmb i fortë,
Fortësinë ia kanë rritur –
Ndeshjet me stuhi.
Zemrën – flakadan i plotë,
Zjarrin ia ka shtuar –
Etja për liri!...
Në qiellin e gjerë arbëror
Qëndron si roje – kurorë.
ASNJË DITË KOT NUK VJEN…
Asnjë ditë kot nuk vjen
Sjell dhurata – a s’e vëren?
Bletës një shportë mjaltë –
Pas fluturimit t’gjatë;
Minatorit xehe shumë –
Pas djersës t’derdhur lumë;
Lokomotivistit – udhëtime t’reja –
Nga Lublana der’te Peja;
Muratorëve – në soliter
Një kat të ri përnjëherë;
Lonit, Teutës e Meritës
Pesa n’detyra t’matematikës;
Mollës së re – plot sytha;
Kërmillit t’vogël – dy britha;
Peshkatarit larg në det
Pas lodhjes – peshk në rrjetë…
Asnjë ditë kot nuk vjen
Sjell dhurata – a s’e vëren?
Se ç’do t’marrim peshqesh
Do të varet dhe – prej nesh…
METEORËT E TOKËS
Llambat –
N’koka t’minatorëve
Kur zbresin n’galeri me radhë
Ngjajnë
Në meteorë të bardhë
Fenerët
E xixëllonjave që enden
Mbrëmjeve mbi lumë, sharrak
Ngjajnë
Në meteorë endacakë.
Sytë e nënave
Kur i përqafojnë fëmijët
Me dashuri të zjarrtë
Ngjajnë
Në meteorë të artë.
DASHURI ARITMETIKORE
Njëshi dhe Zeroja
u takuan njëherë
moti në pikë të ditës,
në një faqe të Aritmetikës.
- Ah, sa e bukur qenke,
o Vashëz flokëblertë,
o Vashëz faqeplotë!...
psherëtiu Njëshi atëbotë.
- Edhe ti paske
hundë të bukur, të drejtë!...
foli, e emocionuar Zeroja
me një zë të butë, të lehtë.
U shikuan me ëmbëlsi.
U shikuan me simpati.
Pranë e pranë u afruan.
Dhe nga ajo dashuri
e madhe e sinqertë
lindi atëbotë – numri 10!...
A SHIHET SHARRI?
Vallë nga ai Yll
Si xixë zjarri
A shihet Sharri?
Vallë nga ajo Kometë
Me ngjyrë rubini
Si duket Drini?
Vallë nga ai Planet
Në orët e vona
A duket Kosova?
Vallë nga Hëna
A mund të shoh
Kur buzëqesh nëna?
Nëse është e mundur
Kjo gjë – s’përtoj
Në Hënë të udhëtoj.
DALLËNDYSHJA
Shigjetë e qiellit.
Gjerdan i prillit.
Një fole e ke
N’strehë të shtëpisë,
Tjetrën – n’zemrat tona
Çerdhe t’dashurisë.
Ëndërr e kroit,
Plepit, lumit, ftoit.
N’pranverë ia shton
Një kat haresë,
Kur ik në vjeshtë
E ruajmë n’kujtesë.
Yll i kaltrisë.
Motër e puhisë.
Me diellin n’kraharor
Pas diellit udhëton.
Retë s’e pengojnë,
Deti s’e frikëson.
TELEGRAMET E PIKËS
Në fund të çdo fjalie,
Kur mendimi mbaron,
Unë e kam vendin. Stop.
Kjo duhet t’i jetë
E qartë çdo fëmije
Dhe të mos harrojë. Stop.
Nëse dikush pyet
Atëherë Pikëpyetjen
Zëvendës kam. Stop.
Nëse uron, dëshiron e përshëndet
Atëherë Pikëçuditja
Më zëvendëson. Stop.
Po të më përdorin
Gjithnjë ku duhet
Do të kërkoj. Stop.
T’u vëhet prore
Pesë në drejtshkrim
Stop. Stop. Stop.
31.5.1987
RREZJA
Biletë as pasaportë s’ka
Nëpër botë udhëton pa pra.
Bie në gur – s’thehet
Bie në thikë – s’prehet
Pa zile, pa këmborë
Zogjtë në çerdhe, pyje i zgjon.
Bie në det – s’mbytet,
Bie në baltë – s’zhytet.
Tërë botën pallat e ka
Diellin në hapësirë e quan Baba.
VALLJA E KALTËR
Kur detet
Në t’gjitha kontinentete
Rroken
Dorë për dore
Në një valle
Të kaltër –
Vëllazërore
Bashkë me oqeanet
Nga t’katër anët
Atëbotë
Kjo është vallja
Më e gjatë
Në botë!
Globit
I buzëqesh fytyra,
Është i gëzuar,
Kur sheh
Bijtë e tij
Të hareshëm,
Të bashkuar!...
PËRQAFIMI
Dielli e përqafon
Tokën –
Me rreze t’arta.
Deti e përqafon
Tokën –
Me vale të kaltra.
Ylli e përqafon
Tokën –
Me syrin gëzimplotë.
Unë e përqafoj
Tokën –
Me buzëqeshje t’ngrohtë!...
YJET
Margaritarë –
Në gjerdanin gjigant
Të kaltrisë.
Sy kurreshtarë –
Në ballin e madh
Të Gjithësisë.
Stoli –
Në xhaketën kaltroshe
Të kupës së lartë.
Inxhi –
Në kraharorin e madh
Të qiellit t’kristaltë.
QËNDRESA
E sulmoi me acar veriu,
E sulmoi me pjalm dimri,
Por kokrra e grurit qëndroi!
Nga ajo u mbush në verë
Plot me kokra t’reja kalliri…
E sulmoi lukunia e ujqve
Tufën e pafajshme n’vërri,
Por dreri brirëmadh qëndroi!
Në këtë luftë aim bet I shtrirë
Por shpëtoi grigja e tij…
KARCELLI DIKË
Tha
Karcelli Dikë
- I pari
Dua t’jem n’atletikë!
I pari
- Në kërcime.
I pari
Në rrotullime
I pari
-N’ vrapime.
BUBULLIMA
Daulle e reve –
Fishek i hedhur në tokë.
E qëllon lisin,
Por lisat nuk zhduken
Lisa ka shumë në bokë!
Krismë e patkonjve
Të kuajve të zi’.
E djeg barin,
Por bari ka rrënjët
Rritet përsëri!
E reve kryeneçe
Shamatë e gjatë
Që grinden për rrugë
E rrugët s’kanë skaj
Në qiellin e lartë!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen