Freitag, 18. Oktober 2013

Salih Zogiani - Anekdota 1


1. NUK I TREGOHET ANEKDOTA GJITHKUJT

Shkon njëri për t’u larë në hamam. Meqë nuk kishte para për të paguar, i thotë hamamxhiut: - A bën me u la, pare nuk kam, por po ta tregoj nji mesele... - Jo, i thotë hamamxhiu, se hamami nuk nxehet me mesele, po me dru, e ato blihen me pare. Del ky jashtë i mërzitur. Kur e pa njëri ashtu nervoz, e pyeti: - Çka ke? I tregoi ky se ç’i kishte thënë hamamxhiu. Ai, e nxori një gur xhevahiri e ia dha duke i thënë: - Merre këtë xhevahir e shko këtyre dy rrugëve, mos e shit, veç pyeti sa po ta vlerësojnë? Shkoi ky rrugës së samarxhinjve, porse kurrkush nuk i jepte kurrgjë. Kur shkoi rrugës së argjendarëve, ata, dikush i thoshte se për ta blerë atë i duhej të shiste dyqanin e dikush se duhej të shiste edhe shtëpinë. Kur u kthye e i tregoi atij se çka i kanë thënë njerëzit e dy rrugëve, ai i tha: - Meseleja nuk i tregohet gjithkujt, prandaj xhevahiri te samarxhiu e meseleja te hamamxhiu, nuk shiten, se nuk ua dinë vlerën, e mos u hidhëro kot.

 
2. I MENÇURI DI TË HAPË RRENË NGA DUHET

Ilaz Bajraktari i Astrazubit, kur u zgjua një ditë në mëngjes, pa se kishte rënë shumë borë, saqë gati i kishte mbuluar shtëpitë, ndaj tha: - Me e pasë ni mashkull të papritueshëm e që ndëgjon, e me dalë e me u thanë njerëzve nëpër katund, me i mshelë sot budallët, e mos me i lëshue derisa të gjindet nji njeri i mençëm për me na i çelë rretë e borës. - Po, le t’i çelë gjithkush rretë, - i thotë njëri. - Jo, se me ba me dalë e me i çelë naj budallë, na merr n’qafë të tanëve, i çel kah nuk duhet, e tevona na duhet me i ra qasaj rruge të rresë. Pra, nuk ka ma taksirat se me shkue për rre t’budallës, - i thotë Ilazi.


3. PËR PUNË TË RËNDËSISHME
DUHET TË RRIHET DERI NË FUND

Njëri kishte pasur babanë shumë të vështirë e kurrë nuk guxonte të vonohej. Një ditë, në ramazan, shkon djali në pazar. Habitet diçka e vonohet. Ngutet për të zënë iftarin, po nuk mundet. E dinte se do ta qortonte baba, e tërë kohën mendonte se çka do t’i thoshte. Si shkoi në shtëpi, baba e pa me hidhërim dhe i tha: - Çka u ba që u vonove kaq shumë, a e di se çka t’kam thanë? - U vonova se ishin tubu ylemaja dhe paria e bisedojshin për me e shkurtu ramazanin, - i tha djali. Kur i dëgjoi plaku këto fjalë, ia nisi të fliste më butë, e i tha djalit: - Ani, qysh e vendosën? - Nuk e di, nuk guxova me ndejtë deri në fund, se u vonojsha shumë, - i tha djali. - Jo, bre bir, kur asht puna e rëndësishme, duhet me ndejtë deri n’fund, - i tha baba. Atëherë foli gruaja e u tha me habi: - Qysh bahet e qysh mujnë me e shkurtu ramazanin? - E, mori grue, bahet, qysh nuk bahet, burrat e fortë, me dashtë, mujnë edhe me e hjekë krejt, - i tha burri.


4 ALLAHILE, N’KOFTË SE T’BAJNË, MOS E LE PA U BA

Jashar Kallaba i Rogoçicës së Kamenicës kishte dëshirë të zgjidhej kryetar komune në Rogoçicë. Një ditë, duke udhëtuar Jashari në kalë, një magjup që kishte mbetur pa duhan, kur e pa, i tha: - Jashar Aga, a po ndalesh pak, se kam me të tregue diçka. U ndal Jashari dhe zbriti prej kalit. - Isha në Gjilan e i ndëgjova tuj folë do fjalë t’mira për ty, po dojshin me t’zgjedh kryetar komune. E nxori Jashari kutinë me duhan e ia qiti magjupit, e ai i pështolli dy cigare. Kur hipi Jashari në kali e u nis të shkonte, magjupi i tha: - Allahile, Jashar Aga, n’koftë se t’bajnë, mos e le pa u ba kryetar.


5. NA RROFTË DAJA

Një kosovar kishte pas shkuar në Shqipëri në kohën e Zogut. Mbas transicionit, nipat e tij kishin pasur dasmë. E thërrasin në dasmë edhe dajën nga Kosova. Kur shkon ky në dasmë, gëzohen shumë, e qesin krye vendi dhe i njoftojnë dasmorët se ky ishte daja Dan. Secili që e ngrinte dollinë, atë e përmbyllte me urimin për dajën, duke thëne: - Na rroftë daja Dan! Dikur, njëri prej nipave, ia bëri dajës me shenjë se rendi e donte që edhe ky t’i përshëndeste të pranishmit. U çua daja, ngriti dollinë dhe u tha dasmorëve: - Ju përshëndes të gjithëve, daja rrujti boll, tash të gjithë ia rrofshi dajës Dan.


6. NRIKULL, A E DI KU I KAM MENDTË?

Një Haziri e Muja kishin qenë shokë të mirë edhe kishin kumari. Të dytë ishin çobanë edhe i çonin dhentë bashkë në bjeshkë. Haziri e kishte pasur gruan shumë të bukur, po edhe burrnore. Një ditë, kur shkoi Muja në stan të Hazirit, e gjeti gruan e tij vetëm. Ajo ishte përvjelë, duke i kryer punët e stanit. Mujës, menjëherë i shkoi mendja për të keq, po nuk dinte qysh t’ia niste, e tha: - E, mori nrikull, me kanë me e ditë ti se ku i kam mendtë unë. - Ai, kumarë, ku muj me e ditë unë kah t’shkojnë mendtë ty, - i tha ajo. - Përze, nrikull, hajt fol, e n’mujsh me ia qëllu, - i tha ky. - Valla, veç ni paç n’bythë teme, i tha ajo. - Përze, bash ia qëllove, se bash qaty i pata, - i tha kumara.

 
7. KAM BA EDHE PA BURRË

Njëri ishte martuar, por një kohë të gjatë nuk kishte pasur fëmijë. U martua për të dytën herë, po prapë, as gruaja e dytë nuk kishte lindur fëmijë. Mbasi kishte qenë pasanik, martohet edhe për të tretën herë, e merr një Fatën. Fëmijët e mëhallës, kishin marrë vesh se ai po martohej për të pasur fëmijë, një ditë pyetën nusen: - Oj ingjja Fatë, a ban fëmijë ti? - Po, ingjja ka me ba fëmijë, se unë i kam ba dy pa burrë, e le ma me burrë, - u tha nusja.

 
8. ME SHKUE DATHË EDHE MA SEVAP

Njëri e kishte dëgjuar hoxhën tek thoshte se kur të shkojnë për t’u falur në xhami, sevapi më i madh qenkësh të shkohet sa më larg dhe rruga të jetë sa më e keqe. Një ditë, e takon ky mulla Rexhepin e Vërbocit e i tregon se çka kishte thënë ai hoxha, kur xhamia është më larg dhe rruga më e keqe qenkësh më sevap. - Hoxhë, po du me e ditë, a asht ashtu? - Po, ashtu është, bile me shkue edhe dathë ashtë hala ma sevap, - i thotë mulla Rexha. - Qysh po thue ashtu, hoxhë?! - i thotë ky! - Po budallëve ashtu duhet me u thanë, - i thotë mulla Rexhepi.

 
9. EDHE N’KËTË DYNJA KA XHENET

Në një muhabet kishte pas rënë biseda për punë të xhenetit. Aty kishte qenë edhe Xhemajl Abria, i cili kishte thënë se edhe në këtë dynja ka xhenet. - Po, cili asht xheneti i dynjasë? - e pyet njëri. - Xhenet në këtë dynja asht: - me e pas shëndetin të mirë, gruen të mirë, fëmijët e mirë, shoqninë të mirë, edhe vendin të mirë, - i thotë Xhemajl Abria.


10. MA SEVAP ASHT ME I ÇU ATJE KU I KE VJEDHË

Njëri e kishte pasur zanat hajninë. Një ditë, duke biseduar hoxha për punë të xhamisë, ai hajni i tha: - E kam vendosë me i prue dy qylyma në xhami, e deshta me të vetë, a asht ma sevap me i prue natën e madhe të Katragjeqave, apo natën e Bajramit? Aty kishte qëlluar Qerim Kotori, e mbasi e njihte mirë atë që kishte pyetur, i tha hoxhës: - A ban me iu përgjegj unë n’ved tanin, e iu drejtua atij dhe i tha: - Ma s’miri e ma sevap asht qylymat me i çue atje ku i ke vjedhë.

 
11. KUR TË VAJTOJMË, TË MOS RËNDOJMË

Njëri i fisit Berishë, e kishte pas vrarë njëfarë Rexhë Krasniqin. Gratë e fisit ishin mbledhur rreth Rexhës dhe e vajtonin, duke i thënë: More Rexhë, more kapetan T’vrau i berishësi (kërkushi) e na bani dam. Aty kishte qëlluar një nuse e berishëve, e martuar për një të fisit Krasniqe, e i vinte inat që ia përqenin fisin e saj, prandaj ajo u tha grave: Mori shoqe po vajtojmë. Po, njana-tjetrën mos ta ranojmë. Se i berishësi vret gjithfarë kapadaish. E s’po e vret nji çoban dhish.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen