Mittwoch, 16. Oktober 2013

Salih Zogiani dhe anekdotat

Anekdotat janë kallinjtë e pakorrur, të mbetur nëpër arat e historisë

Të nderuar lexues, pas një bisede miqësore që patëm me mbledhësin e anekdotave dhe studiusin Salih Zogiani, u dakorduam që të fillojmë një rubrikë javore ku do të prezantohen anekdota të zgjedhura special për portalin "Ora shqiptare". Kjo do të jetë një dhuratë shumë e vleshme që miku ynë Salih Zogiani do ta bëj për kënaqësinë tuaj. Ndaj, Salihu e meriton që publikisht ta falënderojmë në emer të redaksisë së webfaqës sonë, më urimin për suksese të reja në punën e tij fisnike!


VLERËSIME PËR BOTIMET

Është thënë se anekdotat janë kallinjtë e pakorrur, të mbetur nëpër arat e historisë, për t’i ushqyer brezat që vijnë. Të gjithë brezat e mençur të njerëzimit kanë nxjerrë mësimet më të mira dhe më qenësore pikërisht nga këta kallinj, sepse në përmbajtjen e tyre kanë pasur ushqimin më të shëndetshëm, më të mençur... Populli është si lumi i madh: ecën ngadalë, nuk ngutet, por edhe nuk shteron kurrë. E përroskat zhurmojnë shumë, nguten shumë, por edhe shterojnë shpejt (kjo është përgjigjja pse krijimi gojor jeton gjatë). Mbledhësit e anekdotave duhet të kenë njohje dhe prirje krijuese, për t’i dhënë shpirt e jetë që të komunikojë me lexuesit e kohës sonë. Njëri prej mbledhësve të suksesshëm të anekdotave shqiptare - natyrisht pas profesor Anton Çettës - është edhe Salih Zogiani, puna e të cilit ka bërë që të shpëtohen nga harresa anekdotat tona, ky thesar i vërtetë i trashëgimisë sonë shpirtërore. Uroj që të vazhdohet kjo punë e suksesshme.
Daut Demaku

Anekdotat e botuara të autorit Salih Zogiani, në librin "999 anekdota", sjellin porosi me një humor të shëndoshë dhe të këndshëm, përshkuar me nota të mprehta satirike, para të ci-lave nuk mund të mbetesh indiferent. Unë ndjeva kënaqësi të posaçme kur i lexova. Pas Anton Çettës, për mendimin tim, Salih Zogiani është mbledhësi me i mirë i anekdo-tave shqipe.
Ramiz Kelmendi

Lexuesi do të ketë kënaqësi të shijojë vlera të mirëfillta të anekdotës, si në rrafshin tematik ashtu edhe në atë estetik dhe kuptimor. Tanimë mund të thuhët se Salih Zogiani nuk është vetëm mbledhës por edhe njohës i thellë i anekdotës.
Dr. Myzafere Mustafa

Salih Zogiani, tanimë është një mbledhës, botues dhe publikues i mirënjohur i anekdotave shqiptare, që kanë forcë dhe efekt të madh në situata të caktuara, në kohë, vend e auditor të caktuar, në oda burrash edhe gjetiu Autori ka bërë një punë të mirë, sepse ka shpaluar vlerat tona të shumëfishta etnofolk-lorike dhe artistike, nga njëra anë, dhe ka pasuruar e freskuar studiuesit e lexuesit tanë, nga ana tjetër, me një vepër të mirëpritur, e cila jo vetëm që i konkurron, por i tejkalon vlerat etnofolklorike të shumë popujve të botës.
Dr. Mehmet Halimi

Në mesin e mbledhësve të përkushtuar të anekdotës është edhe Salih Zogiani, autor i disa librave me anekdota, një vëllim nga të cilët ma¬dje i përkthyer edhe në gjuhën angleze. Këto visare të çmuara, që burojnë nga e përditshmja individuale dhe kolektive, ai ka ditur t’i sistemojë dhe t’i nxjerrë në sofrën publike për t’i shijuar të gjithë ata që e duan këtë ushqim të shpirtit. Librat e këtillë janë thesar i çmuar për çdo lexues, pavarësisht orientimit profesional e shoqëror dhe moshës, me një fjalë: për çdo njeri.
Prof. Sulejman Dërmaku

Anekdota është mënyrë e komunikimit fisnik, të urtë e brilant, që përherë bëhet në formën më elegante. Anekdota shqiptare dallon nga anekdota e popujve të tjerë. Derisa anek dotën tek popujt e tjerë e përshkon fund e krye karakteri i saj humoristik dhe argëtues, tek anekdota shqiptare thelb i saj mbeten porosia, mesazhi, analogjia, aluzioni, që synohet të bëhet nëpërmjet ngjarjes së rrëfyer të një tjetër ngjarjeje; qëllimi i autorit për të sajuar një asociacion ideje nëpërmjet rrëfimit metaforik të një ngjarjeje. Në këtë mënyrë, anekdota shqiptare, në rend të parë, ka karakter edukativ, shikuar nga brendia, nga thelbi i saj, nga mesazhi që bart ajo brendapërbrenda vetes. Ndërkaq, nga ana e jashtme edhe ajo mbësh-tillet me petkun humoristik e argëtues. Nëse për La Fontenin është thënë se ishte një fabulist i lindur, unë do të thosha se Salih Zogiani është një anekdotist i lindur. Kur them këtë, kam parasysh se Zogiani nuk është vetëm një studiues e mbledhës i pasionuar i anekdotës, por në rend të parë, ai është njohës i hollë, krijues dhe mjeshtër i saj.
Prof. Gani Bytyçi

Muhamet Mjeku nga Nju-Jorku, në vlerësimin e tij për botimin, veç të tjerash, shkruan: ... Lexues i nderuar, ky libër do të jetë shoqëruesi yt më i mirë, edhe atëherë kur nuk je në humor të mirë, edhe atëherë kur ke pak kohë përkushtimi ndaj vetes dhe edhe atëherë kur fati nuk ecën bashkë me ty.

Një lexues /Mitat Mislimi/, nga Kanadaja, shkruan: ... Për fundjavë, rëndom shkojmë te miqtë. Rrugës, që zakonisht e bëjmë me bashkëshorten, njëri lexojmë anekdotat, nga libri juaj, e tjetri e nget veturën. Kështu, rrugën, që zgjat gjashtë orë, na duket se e kemi kaluar për një orë. Ju falënderojmë shumë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen