Dienstag, 5. November 2013

Rexhep Demiri

Rexhep Demiri u lind më 1 mars 1960 në Zhegët të Gjilanit. Shkollën fillore e kreu në Zhegër, ndërsa të mesmen në Gjilan. Studimet e larta, Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe I kreu në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës.
Me shkrime letrare filloi të merrej që nga shkolla e mesme, duke botuar në gazeta dhe revista letrare, të cilat botoheshin në Kosovë. Fillimisht, bashkëpunonte me gazetën “Rilindja”, në të cilën më vonë filloi të punojë gazetar I rregullt plot dhjetë vjet, deri në mbylljen e saj. Ndërkaq, pas vitit 1999, punoi në media të ndryshme të Kosovës.
Pas një sëmundje të shkurtër vdiq më 15 dhjetor 2004 në Prishtinë dhe u varros në vendlindjen e tij
Poezitë e përfshira në vëllimin poetik “Udha e lotëve”, botohen për herë të parë, sipas dorëshkrimit autentik të autorit të tyre. (Autori, këto vargje i la në dorëshkrim pak ditë para vdekjes)
 
 
Poezi nga Rexhep Demiri

LEGJENDA E KALASË

Në Vicianum kalaja shqip frymonte
Erë ilirishte vinte...

Betohem në legjendën e fjalës gurishte
Rozafa me diellin martuar ishte

Në ballin e kalasë rrudha motesh
Dashuri për tokën fshihte
Këngë të moçme kënduar trimërishte
Dashuri ndër dashuritë ishte

Bulëzim lulesh pranverë njomëzake
Kalaja djersitur qeshur sehir bënte
E premte tregu në Vicianum dashuri shihte
Rritej shpirtëmbël shqipërisht rritej

Fatit thurnin ninullat e dashurisë
Doruntina qetë përkundej flinte
Mbëltoheshin fidanishtet në Vicianum gjallëri
Rrezëllimë yjesh Doruntina ëndërr shihte

Mbi kala pëllumba gushëbardhë
Pendët gjithandej shpërndarë
Doruntinë, moj Doruntinë
Në Vicianum vallja djallin mund
Royafa gjallë është, e pe gjëkund
Me ne në kala në dashuri gjithkund

Vushtrri, 1992


SËMUNDJA E SHEKULLIT

Kometa le të vazhdojë udhëtimin
Shekulli dergjet në shtrat i sëmurë

Ekspertët kanë dhënë diagnozën
Krizë në vetëdije nga sëmundja bërthamore

 
VAZHDIMËSI

Një ditë kjo tokë
Do t’i përbijë eshtrat e mi
E unë edhe më tej do të jetojë
Nëse lulevjollcave
Ka kush t’u marr erë



PRITJE

Kjo ditë ngarkuar me muzgje intrigash
Kjo ditë mëkatare

Si Laokonti mes gjarprinjsh
Kjo ditë e gjatë

Sa rruga e Marathonomakut
Këtë ditë tre mijë vjet kam udhëtuar
Deri te Homeri I verbër

 
NDIHMË

Pulula për rehabilitim
Qetësim nervash
Një rimë dy vargje

Poezi
Lëngoj nga pagjumësia
Sytë më ënjten
Për politikë s’më ha palla
Maces së zezë që ma trupon rrugën
S’i besoj
Poezi
Nxirrmë nga kjo mllefosje
Më qetëso

 
VERDH

Të gjithë ecim vertikalisht
Këmbët s’i thyejmë
Këndojmë kur na këndohet
(edhe kur s’na këndohet këndojmë)
Njerëz jemi
Me sy s’hamë
Hapat i numërojmë
Ecim
Në rrathë
Rreth vetvetes vrapojmë miopët

Bota të futet në grusht as qielli të lëpihet
Re re re në qiellin që s’fle
Korbat vetëvrasje bëjnë

 
PIKTURË E UNIT TIM

(birit tim, Elonit)

Qyteti ishte i mjegullt
Hapësirë e zymtë gulfaste
Neonët në vete fshihnin shkëlqimin
Dhe oxhaqet nuk tymosnin
Zhurmërimë autoblindash çirrej
Qytetit neveri i shkonte
Atë natë të mjegullt të zymtë
Pastaj dhe me shi
Në unin tim në bebëza e sy
Të pikturoja ty
Qyteti im s’flinte
Atë natë me shi
Numëronte një banor të ri

(Autori, këto vargje i la në dorëshkrim pak ditë para vdekjes)
 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen